Quhen Nadja,
Klara, Magda, Çian Çin, Katerina, Mira... Ata quhen Lenin, Musolini, Stalin, Hitler,
Salazar, Mao, Çaushesku, Bokasa, Millosheviç.
Bashkëshorte,
shoqe, nimfa burimesh, admiruese, ato kanë të përbashkët faktin që janë
njëherazi të dashuruara dhe ngadhnjyese, të mashtruara dhe të flijuara,
ndonjëherë deri në vdekje. Burrat e tyre mizorë, të dhunshëm e tiranë, ato janë
në gjendje t’i bëjnë të besojnë se janë të bukur, tërheqës, të gjithëfuqishëm.
Sepse seksi është një nga shtysat e pushtetit absolut dhe diktatorët kanë
nevojë të rekrutojnë femra në ndërmarrjet e tyre për sundim.
Dianë Dykre
(Diane Ducret) rrëfen me imtësi takimet, strategjitë e joshjes, marrëdhëniet
dashurore, ndërhyrjen e politikës dhe fatet e ndryshme, shpesh tragjike, të
femrave, të cilat kanë hasur në rrugën e tyre diktatorë dhe kanë kaluar nëpër
shtratin e tyre.
Të doja me
lëkundje; a do të të isha, vallë, besnik,
Edhe në këto
çaste kur goja jote - kamxhik
Vjen të më
njoftojë vdekjen kaq qetësisht,
Mosmirënjohës,
dyshoj ende në se s’të dashuroj marrëzisht.
Zhan Rasin, Andromaka, akti
IV, skena V.
“Mjerë njeriu me një ide të vetme,
sidomos kur
është fjala për një femër”.
Margarita Sarfatti
Shqipëroi Kopi Kyçyku
Një revolucionar me organe të
papërballueshme
Alarm
në Riçone
Riçone, perla e Adriatikut, gjallërohet çdo verë
nga një pamje rituale befasuese: një valë admiruesesh dynden në plazh, duke
ndjekur nga pas një burrë që duan ta soditin pa uniformë. Benito Musolini
përgatitet për banjë. Ai ndiqet deri në ujë nga kjo morì femrash të të gjitha
moshave, pa çarë kokën për veshjet që nuk kanë pasur kohë t’i heqin. Janë vetëm
italiane që kanë ardhur të soditin Duçen në kostumin e banjës që i rri bukur.
Sipas Kuinto Navarra-s, njërit nga njerëzit në shërbim të tij, më fanatike janë
gjermanet, jugosllavet dhe hungarezet, të cilat nuk mungojnë të shprehin me zë
të lartë vlerësimet për “trajtat atletike të Duçes”. Atë vit pat qarkulluar
zhurma rreth një sëmundjeje të tij. Duke dalë nga uji, Musolini vendos atëhere
të vetëtregohet dhe, para syve të tyre të shtangur, fillon një sërë ushtrimesh
me kalë. Ai e mbyll shfaqjen duke u ngritur mbi yzengjitë dhe u bën të ditur:
“Tani shkoni t’u thoni që jam i sëmurë!”. Populli nuk mund ta vinte në dyshim
vitalitetin e kreut të vet, as femrat - burrërinë.
Riçone, në Romanjën, ku u lind Duçja, është
vendi i privilegjuar për banjat verore dhe për propagandën balneare. Mënyra e
re për të bërë politikë, e përuruar nga Musolini, ve përpara forcën dhe fuqinë
e “elitës së re”, që duhet ta ripërtërijë vendin. Aspak dorështrënguar me
veten, Musolini e di se muskujt dhe përshtypja e fuqisë që shpërthejnë nga
silueta e tij i krijojnë popullit ndjesinë se udhëhiqet nga një hero, nga një
mbinjeri. Ai e di se argumenti më i qartë politik është trupi i tij.
Më 1933, kancelari i Austrisë Engelbert Dollfys
kërkon mbrojtje kundër kërcënimit nazist. Ai vjen për t’i lypur mbështetje
Musolinit në Riçone. Takimi zyrtar i të dy burrave, në prani të shtypit, u
zhvillua në plazh: Dollfysi, tepër shtatvogël, u shfaq me këmishë dhe kravatë,
ndërsa Musolini, sipas zakonit të vet, tregoi trupin lakuriq. Në një kohë që
Austria është në prag të aneksimit nga Gjermania e Hitlerit, bisedimet shkojnë
mirë në këtë mjedis pa komplekse. Manovra është e shkathët, efekti i
menjëhershëm. Dollfysi verbohet nga trupi i Musolinit: “Për të qenë një
Musolini, një luftëtar që duhet të qeverisë e të qëndrojë gjatë, duhet të jetë
i ngjizur si Duçja (...). Vështroni kraharorin dhe zverkun e tij; shihni kokën
e kthyer drejt njeriut që ndodhet në të majtë të tij dhe do të gjeni një
ngjashmëri të plotë me romakët e lashtë, ashtu siç i tregojnë mermerët”.
Të kërkosh të meta tek Musolini, është pak a
shumë si t’i kërkosh ato tek Moisiu i Mikelanxhelos. Diplomacia, ashtu si
politika, nuk i shpëtojnë dot ligjit thelbësor të Duçes: të lesh mbresa dhe të
joshësh.
Partizanët e tij mbeten admirues para kësaj
nofulle “madhërisht napoleonike” që frymëzon gjykime të prera: një njeri i
tillë nuk mund të mbërrijë përveçse në fitore ose në vdekje. Në radhët e
fashove të tij bëhen shqyrtime të imta të pafundme për tiparet burrërore të
liderit.
Pas nofullës, buzët janë objekti i të gjitha
vëmendjeve. Buzë “të dala, mospërfillëse që bëjnë një mbledhje arrogante dhe
agresive para atij që është i ngadalshëm, pedant e qaraman” na thotë Filipo
Marineti, artist futurist dhe anëtar themelues i partisë.
E ç’mund të thuash për sytë e tij! Sytë e tij,
për të cilët thuhet se depërtojnë në të gjithë bashkëkuvenduesit, ky vështrim i
gjallë e i mprehtë, “bebet tejet të qarta të të cilëve kanë shpejtësinë e atyre
të ujkut”. Është mendimi i të gjithëve se magjia që ushtrojnë i mposht, edhe
pse mundohen t’i bëjnë ballë.
Të tëra imtësitë e fytyrës së tij, pra, janë
interpretuar dhe analizuar, qofshin edhe të parëndësishmet: “Musolini çapitet
drejt majave me të gjithë krenarinë e karakterit të tij të gdhendur në harkun e
dukshëm të vetullave”.
Viktimat e para të këtyre organeve të
papërballueshme janë femrat. Kur Benitoja iu drejtohet atyre, “ndjejnë se si dobësitë
u kthehen në forcë”, venë në dukje bashkëpunëtorët e ngushtë të Benitos. Aq më
keq, vëzhguesit i mjafton t’i këqyrë me vëmendje për të zbuluar tek ato
ndikimin e një magnetizmi që i bën të vendosin për gjithçka. ”Sa prej nesh i
kanë parë të përgjunjen kur ai kalon?”.
Asnjëra, në të vërtetë, nuk del siç hyri në
Pallatin madhështor Venecja, ku mbretëron Duçja. Aktorja e madhe Sesilë Sorel,
pensioniste squfurore e Komedisë Franceze, vjen për shfaqje në Romë, ku luan në
Mizantropin e Molierit. Salla tejet pompoze e Hartave dhe zotëruesi i saj bëhen
atëhere kalimi i detyrueshëm i “Turit të Madh” të Romës për femrat që do të
bien në sy. Takimi kokë më kokë është parashikuar për në orën 5 të pasdites. Le
ta lemë të na e rrëfejë episodin: “Duçja po më priste. Në sallën gjigante
gati-gati të shënjtë, shikoj në radhë të parë sytë e tij. Ata ndriçojnë dhe
digjen nga një zjarr i brendshëm që nxjerr në pah një vullnet të pathyeshëm,
sigurinë absolute të ngadhnjimit”.
Hijeshia vepron në çast, thjesht nga prania e
tij. Do të shohim më pas në se është një joshës i shkathët. “Sapo filloi të më
fliste, të më dëgjonte, më lindi dëshira t’ia zhbiroja tiparet. I palëvizshëm,
i përqendruar, misterioz, ai vrojton pa zbuluar asgjë nga vetja. Por në rast se
vizitori apo idetë e këtij i interesojnë, mendimet ia gdhendin menjëherë
fytyrën dhe njëherazi e shohim të shfaqet me radhë hijerëndë, përqeshës apo
tragjik. Ai është njëheresh një mijë njerëz dhe një mijë njerëz janë brenda
tij, të cilët i është dashur t’i mbisundojë me zor dhe nuk çlirohet prej tyre
përveçse pasi bën një lëvizje përçmuese të gojës dhe një ushtrim të vullnetit
që përfundon me një qeshje shpërthyese”.
Loja është e ngjashme me të një aktori, lëvizja
e fytyrës së të cilit e bën më të qartë thjeshtësinë e gjesteve. Takimi zgjat
jo më pak se një orë. Musolini premton të vijë për ta parë kur të luajë në
teatër pò atë mbrëmje. Në një kërcim të fundit me frymë kritike, aktorja e pyet
se si shpjegohet dashuria e zjarrtë e italianëve për udhëheqësin e ri. “Ata e
dinë që unë kujdesem për ta... E dinë që e dua atdheun tim. Nuk mund të
qeverisësh pa dashuri” i përgjigjet ai me një varg frazash të mirëngjizura.
Duke kapërcyer kangjëllat e Pallatit, Sesilë Sorel ka vetëm një mendim në kokë:
buzëqeshja e Musolinit është gjëja më magjepsëse në botë.
Aristokratet më të larta evropiane dalin me
mbresëlënie nga Salla e Hartave. Princesha Paula de Saks-Holshtajn, pasi u prit
të paktën dy herë prej Duçes, nuk përmbahet nga kënaqësia: “Është i mirë!
Gogoli, tirani qenka i mirë! Një burrë që qesh kështu nuk ka se si të jetë
përveçse i mirë... I ndjeja sytë e tij që më ndiqnin në hije, ndërsa unë
largohesha duke marrë me vete ëmbëlsinë e thellë të këtij vështrimi, mbyllur
fshehtaz në zemrën time”.
Edhe intelektualet kalojnë aty. Ellen Forest,
shkrimtare holandeze, shkruan në mënyrën më sugjestive se Musolini “është si
një kupë kristali plot me verë dehëse”. Metafora është e guximshme, për t’u
tjerrë: “Nuk duhej humbur asnjë gllënkë, pa le më shumë, nga frika se mos
derdhej për ta shijuar të tërën njëheresh. Duhej shijuar me mjeshtëri kjo verë,
kjo miqësi, me të gjitha vetitë e saj, në çastin kur asgjë nuk do të turbullojë
përqëndrimin e mendimit në veten tonë”.
Asnjë orgë në gjithë këto lavdërime femërore.
Shkrimtarja Margarita Facini guxon ta krahasojë së fundni me Napoleonin.
Musolini pat trashëguar cilësi të korsikanit të madh, vullnetin e tij të
pathyeshëm, shprehjet e tij. Kryetari, ashtu si Konsulli i Parë, është një
joshës i madh i turmave dhe një feminist i përjetshëm, “që ndjehet gjithnjë i
tërhequr nga forca, kur ajo është joshëse, të paktën për burrat”. Edhe turma
është femërore dhe, ashtu si një femër, ajo njeh burrin, burrin e vërtetë”.
Ato i mëshojnë asaj që Musolini e ka kuptuar
qysh në fillim dhe që do ta bëjë parim politik. Duke iu drejtuar jo një
populli, por një turme, ai duhet të tregohet edhe i sigurtë në vetvete e të
marrë përsipër atë që duhej bërë me një femër: “Turma, ashtu si gratë, është
bërë për t’u përdhunuar”, shkruan ai.
Kështu ai do të bëjë një jetë seksuale
gjithëpranishme, që e ushqen me pangopje të mirëfilltë. Fillimet e tij në
dashuri, ashtu si në politikë, janë shënjuar nga dëshira e pakontrollueshme që
e nxit të verë dorë në gjënë e tjetrit. Ka njohur dështimin e parë sentimental
në fillim të viteve 1900, me një vajzë të re të quajtur Vitorina, e motra e një
shoku të kolegjit. I dërgonte letra plot entusiazëm rinor, të shoqëruara me
buqeta të mrekullueshme vjollcash. Sulmi u shndrrua në hallakatje kur njohu
pagëzimin me zjarr. Pas pritjes së objektit të dobësisë së tij para daljes nga
puna, ai nuk ishte në gjendje të artikulonte as më banalin e komplimenteve dhe
u tërhoq me turp. Atëhere vendosi që asnjëherë askush nuk do t’i bënte dot një
poshtërim të tillë.
Një nga viktimat e para të metodës të tij
joshëse tepër të shkathët është fatkeqja Virxhinia B. Jemi në vitin 1901, në
fshatin e tij të lindjes, Dovia. Ai është 17 vjeç. E kryqëzon këtë rioshe
fqinje që i pat ngjallur një nga trandjet e para. Kalaja nuk i duket e
papushtueshme. Një ditë kur fshati ishte i shkretë, ai provon shansin.
Vazhdimin na e tregon vetë: “E kapa nëpër shkallët. E shtyva në një qoshe, prapa
një porte dhe bëra ç’desha me të. Ajo u çua duke qarë e poshtëruar dhe më shau
e përlotur. Po më thoshte se i kisha vjedhur nderin. Unë nuk e mohoj këtë. Por
për çfarë nderi flitet?”.
Duhet thënë se marrëdhënia e parë që e bëri
Musolinin burrë i pat lënë vend dëshirës së partneres. Humbja e virgjërisë
ishte me të holla. Kjo ndodhi në Forlì, një vit më parë, në lagjen e
prostitutave, ku e pati shpënë një nga shokët e vet, Benedeto Çeli. Ky e çoi në
një shtëpi të neveritshme ku tarifa në fuqi atëhere ishte 50 qindarka. Në
këmbim të kësaj shume mori në zotërim të përkohshëm trupin e një femre deridiku
të moshuar: “Më vuri mes gjunjëve dhe filloi të më eksitonte me puthje e ledha.
Ishte një grua e thinjur që humbte dhjamin që kish në të gjitha anët”. Benitoja
u largua nga shtëpia kokulur, duke u lëkundur si ndonjë i dehur. “Pata
përshtypjen sikur kisha kryer një krim”, kujton ai. Ky ishte “inkursioni” i
parë, që e kreu mirë, paçka se jo me shumë lavdi. (...)
More in: Revista Haemus