Ngulmoj të them qysh në krye të herës se nuk mund të ketë letërsi të epërme dhe jetëgjatë pa vuajtjen, - brenda autorit kur shkruan / brenda librit pasi botohet, - dhe se, ndoshta pikërisht për këtë arsye, çdo përpjekje për të tregtuar vuajtjen prish letërsinë. Sado e sido që të këqyret, vuajtja vjen për të pasuruar dhe përsosur njeriun; ajo përdor mjete dhe lëndë nga kjo botë, veçmas nga e shkuara dhe e tashmja, por nuk ka si t’u përkasë atyre. Nëse krijimi letrar mund të shihet si një ngjallje për së gjalli, duke përdorur vetëm trajtat e përfytyrueshme të vdekjes, vuajtja mund të shihet si më e frytshmja vetëvrasje, duke përdorur vetëm trajtat e përfytyrueshme të përjetësisë. Ajo shpërngulet nga autori në libër dhe lehtëson sadopak autorin, por ruan aftësinë që të lehtësojë (mësojë) sadopak edhe lexuesin, duke mbetur brenda librit aq e gjallë sa të mund të veprojë për vite me radhë, rrallëherë edhe për shekuj. Jeta e librit varet kryekëput nga cilësia e vuajtjes që bart. Koha mund të shndërrojë çdo lumturi librash në cinizëm, në fyerje, ose në përqeshje, por s’mund ta përdhosë apo ta tjetërsojë vuajtjen, sepse lumturia është e varfër në trajta e shprehí, kurse vuajtja – gati e pafundme.
Ndonëse tashmë ka një rrjet
njësish për të matur e vlerësuar librin dhe letërsinë, ende nuk është sajuar
një masë si metri, ose litri, për të matur vuajtjen, me përjashtim të fundit
(tokësor) të dikujt dhe gjërave që ai le pas (në rastin tone shkrimet). As
njësia e bytes-it (bashkë me kilobyte-s, megabyte-s, gigabyte-s, terrabyte-s
etj) nuk është bindëse përsa kohë ndodh që një kryevepër e padiskutueshme të
jetë disa herë më e varfër në krahasim me fotografinë e një femre lakuriqe, ose
të një koke të prerë. Bindja sipas së cilës sasia e bytes-ve varet nga dendësia
e asaj çka përshkruhet e përcillet dhe jo nga rëndësia e vet në thelb, dëshmon
se shkenca është ende larg disa zgjidhjeve që mund t’i japin ndonjë ndihmë të
vlefshme shpirtit. Rrjedhimisht, vuajtja mbetet e pakrahasueshme dhe, si e
tillë, edhe e paparashikueshme. Për fat të keq, vuajtja e drejtpërdrejtë, - jo
ajo e kaluara përmes letërsisë dhe e ruajtur brenda saj si ilaç, - tashmë ka
kapërcyer çdo kufi përfytyrimi e makthesh, sidomos falë ndikimit të sëmurë e
sëmurës të shtypit, që përshkruan tmerre dhe trymbeton rehati, - dhe ka
gjithnjë më pak vend për letërsinë. Lexuesit të zakonshëm i mjafton dhe i
tepron vuajtja me të cilën ndeshet në jetë dhe nga e cila synon të arratiset
një orë e më parë, ndonëse zgjedh pikërisht rrugët që e burgosin më thellë në
të. Me kalimin e kohës, ky lloj lexuesi e ka humbur besimin se, përmes vuajtjes
së shndërruar në ilaç e dije nga letërsia, mund t‘ia zbulojë e t’ia pranojë
rolin e vërtetë dhe madje të mposhtë pikërisht përmes kuptimit vuajtjen e
përditshme, ndonjëherë edhe të përjetshmen. Ose të paktën mund ta verë në
shërbim të vetes. Na shfaqet këtu njëra nga përmasat e fshehta të vuajtjes që
ngjiz letërsi të madhe: sa më bukur ta
presësh e ta kuptosh, aq më fuqishëm ajo vihet në shërbim të librave të tu dhe
të lexuesve.
Njëra nga shenjat e luftës
çnjerëzore ndaj letërsisë është pikërisht trajtimi i vuajtjes si mjet fitimi,
monetar, ose imagologjik. Ka raste kur çmimi i saj është më i lartë se sa i
ilaçeve që thuhet se shërojnë sëmundje vdekjeprurëse, vetëm se roli që i
caktohet nuk shëron, nuk rrit, nuk pasuron, por vetëm babëzit për mirëqënie.
Qytetërimi i tanishëm, - që quhet edhe i fajësimit, - e shpërdoron
vuajtjen në dëm të vetvetes dhe sundohet nga një varg i koklavitur fajësimesh
fitimprurëse që mund të shihen edhe si ADN-ja e tij. Historikisht, ky rrjet synimesh
ka sjellë vetëm rrënim dhe harresë, duke shpërpjestuar vetmohimin dhe
idealizmin dhe duke e mbështjellë flijimin e natyrshëm të shkrimtarit me një
shtresë kotësie, për të mos thënë marrëzie, apo qesharakeje.
Gjatë shekullit të shkuar
letërsia pati tri rënie që hëpërhë duken vdekjeprurëse, pavarësisht se çdo
rënie në letërsi ndan grurin nga egjra, sado e hidhur qoftë kjo ndarje për disa
autorë. Nëse do të përdornim si metaforë të jetës sahatin, mund të themi se
letërsia fillimisht ishte pjesë e brendshme
e të tre akrepave dhe ndikonte drejtpërdrejt mbi mendësinë e lexuesit. Ajo
përballonte me sekonda të përditshmen, ngjizte me minuta të tashmen dhe
ravijëzonte me orë të ardhmen. Tragjeditë që dalin përtej çdo metafore dhe që
faktikisht shkatërrojnë çdo metaforë të mundshme, - duke e zëvendësuar me
statistika, - e dëbuan letërsinë nga akrepi i sekondave, më pas: nga ai i
minutave dhe së fundi: nga akrepi që shënjon orët. Duke synuar vetëm mirëqënien
lëndore, koha doli jashtë letërsisë dhe letërsia u përjashtua nga koha, mirpo
letërsia ka gjithmonë një kohë të vetën, teksa një kohë pa letërsi nuk mund t’i
nënshtrohet e t’i shërbejë veçse fikjes së shpirtit. Në frymë popullore, mund
të thuhet se koha që dëbon letërsinë, punon vetëm për biologjinë. Ritmi i
kësaj kohe nuk mbështetet më në ritmin e frymëmarrjes, apo të zemrës, por vetëm
në numurim dhe në mungesën e jehonës që ka mishi, lënda – dhe mishi, po ta
shohim nesër dhe jo sot, dëshmon se vlen më fort për shthurje e
top, se sa për ngjallje nga vetvetja. Për këtë arsye, shumica dërrmuese e
ngjarjeve të sotme, qofshin ato lokale, apo globale, paraqiten në një trajtë të
caktuar, - që duket më e sakta, në mos po e vetmja, - por shtjellohen në bazë
shkaqesh krejt të tjera dhe synojnë gjëra krejt të ndryshme, pavarësisht nga
përfundimet. Duke shmangur letërsinë, shpjegimi i ngjarjeve u mbeti historisë
dhe politologjisë, të cilat nuk janë shkenca as shteruese e as të pavarura.
Koha pa letërsi e përfshiu letërsinë dhunshëm në njësitë e matjes, peshimit,
çmimeve, shitblerjeve dhe vlerësimeve sipas kriteresh që s’kanë asnjë lidhje,
ose kanë vetëm lidhje të shtirura me artin. Parimi sipas të cilit libri më i
shitur është edhe më i vlefshmi, më jetëgjati, dhe meriton çdo lëvdatë, në
më pak se tridhjetë vjet nxori në pah se pak gjëra janë më shkatërrimtare dhe
groteske se sa vargëzimet që përdor tregu. Me një shkathtësi të skëterrshme dhe
me pamje shpëtimtareje, pseudo-poezia që shet e ble gëlltiti pushtetin e
natyrshëm artistik dhe e ngujoi letërsinë që nuk shitet brenda hapësirash-oaze,
gjithnjë e më të ngushta, duke munxosur njëherazi të ashtuquajturin elitizëm,
i cili, në kushtet e sotme, eshte vetmi e tmerrshme dhe ftesë plot dhembje ndaj
njerëzish që vërtet nuk mbijetojnë dot pa fjalën e zgjedhur dhe pa librin si
tempull, ku shpirti nuk shpëtohet, por ku mund të pastrohet e përsoset sadopak.
Poezia e errët e tregut shton pandijshëm padijën, krenarinë e sëmurë të
lexuesit, vetë-mitizimin e autorëve të paftuar, por që zenë kryet e sofrës, pa
ditur se këtu është fjala për nje arenë të përgjakshme, jo për sofër. Padija e
mësipërme afroi më tepër nga sa duhet kujtesën politike me atë artistike (duke
shfajësuar me harrim të shkallëzuar dëmet e mjaft autorëve, njëlloj si të
politikanëve që dalin nga skena), prishi shijen e shumicës së lexuesve, (në
Lindjen gati të vdekur ish-komuniste kjo u krye më shpejt, për shkak të
realizmit-socalist dhe sidomos të degëzimeve e trajtave që ai mori tek rropatej
të mos dilte nga vetëdija e lexuesve), dhe solli në pushtet një rrjet paradoksesh.
Lufta demografike mes kombesh, racash e ideologjish shtojnë varfërinë, mirpo
librat mund të shpërndahen në nivel ndërplanetar për disa minuta. Njëkohësisht,
alfabetizimi dhe marrja me lehtësi e diplomave i bindi të gjithë ata që dinë
shkrim e këndim se kanë diçka madhore për të thënë dhe se ajo që thonë u
dëgjohet me përkushtim. Kur nuk ua var njeri, ngulmojnë se po përfyten me
sistemin, - vallë nuk e dinë se sistem është shumica?! - dhe ndihen edhe më
elitarë, lindur për t’u kuptuar më vonë. Kjo më vonë mbetet e
pashëndetshme, sepse për mediokritetin është vonë qysh në fillesa (mediokriteti
jo si mungesë dhuntish, por si përdorim i gabuar i tyre). Ndërkaq, kur shtresa
të gjera popullatash vdesin urie, ose nëpër luftra, shkrimet dhe botimet e
librave kanë kapur shifra marramendëse dhe, në shumicën dërrmuese të rasteve,
sasia e tyre cënon e edhe prish cilësinë e librave që kuptohen tani, por
vlerësohen më vonë. Nga njëra anë letërsia është e pafuqishme, madje
duket cinike mes kaq vuajtjesh ndërplanetare – nga ana tjetër përhapet si kurrë
më parë.
Gjer edhe vetëm kaq të dhëna
do të mjaftonin për t’i dhënë të drejtë metaforës me kohën pa letërsi: edhe
gjenitë, edhe dështakët takohen në atë ‚më vonë‘, ndonëse për shkaqe e me të
ardhme kryekëput të ndryshme.
Njohja e dikujt përmes
letërsisë është më e plota përvojë e empatisë dhe e të jetuarit në e me
shpirtin (kohën, ëndrrat, vegimet) e tjetërkujt, por jo si turizëm, apo si
shkarje psikike. Rrëfimi mbetet udhëtimi i parë në kohë e në hapësirë i njeriut
dhe, në shumicën e rasteve, duke ndryshuar pak kahun dhe rolin, edhe fundi i
udhëtimit që rëndom quhet jetë. Në besimet e moçme të disa popujve, si tek
rumunët, rrëfimet rreth zjarrit, netëve, mund të dëbojnë shpirtrat e këqinj dhe
të kthellojnë të ardhmen.
Deri tani, për shkak të
ideologjive, utopive, estetikave dhe izmave që shpallen si të vetmet
shpëtimtare e të drejta, duke lënë pas vetëm mjerim e shpresa të nëpërkëmbura,
letërsia bëhet e dukshme dhe fiton sadopak ‚vlerë‘, - edhe kjo kalimtare, - në
bazë të dramave të popullit nga del. Në çdo epokë globale, siç mund të shihet
gjatë Perandorisë Romake dhe ndonjë tjetre, disa janë më të barabartë se të
tjerët. Prandaj vlera e kulluar artistike, - mbështetur në idealet e
kahershme të bukurisë, të fjalës së zgjedhur, të përkushtimit ndaj formave
shtetërore, si monarkia, - del jashtë llogarive, ose degdiset ndër mjetet
anësore. Vërtet letërsia mund të jetë edhe mjet lufte, por mbetet një mjet
shpirtëror, jo i atypëratyshëm, i një lufte që nuk vret, por përzgjedh.
Ende një letërsi vlerësohet
nga diktaturat dhe tragjeditë që janë dyndur mbi një shoqëri të caktuar, jo nga
kultura që ka ngjizur letërsinë përkatëse e aq më pak nga risitë që ajo mund të
(ketë) sjellë. Letërsia fiton, ose humb vëmendje dhe çmohet në bazë të së keqes
që ndodh tani, sidomos kur kjo e keqe ka përmasa planetare, jo nga arti
që është krijuar gjatë asaj sprove. Nëse një komb nuk është i aftë të prodhojë
lajme, nuk e josh me asgjë vëmendjen ndaj letërsisë së tij. Edhe këtu vepron pó
ai përftim i gabuar, - me qëllim, ose jo, - i vuajtjes krijuese, sepse vuajtja
shihet vetëm si diçka që meriton vlerësim e shpërblim, jo edhe si forcë që ka
krijuar art të epërm. Prej këtej rrjedh edhe lufta e pamëshirshme për të
përvetësuar vuajtjen, si dhe garat mes vuajtjeve të njërit apo të tjetrit. Kjo
luftë, në fakt, zhvillohet në shtyp dhe në rrafshet ekonomik dhe gjeopolitik,
sepse për rrethin e ngushtë të shkrimtarëve dhe njohësve që drejtojnë letërsinë
e përhershme gjërat janë të qarta. Ka një vuajtje njerëzore që mund ta pasurojë
letërsinë dhe një vuajtje krijuese që zgjedh se cila anë e vuajtjes së parë ka
aftësi të shndërrohet në vepra letrare.
Synimi themeltar i letërsisë
është të hyjë në lidhje dhe të ndërveprojë me shpirtin e lexuesit (le ta
quajmë: ajo pjesë e vetmisë ku njeriu di
shumicën e të vërtetave të veta dhe të vërtetën e shumicës së ngjarjeve ku ka
marrë pjesë, si personazh qëndror, apo anësor). Letërsia nuk është
trymbetim e as fjalim që u drejtohet masave të gjera. Ajo duhet të zgjedhë e jo
të zgjidhet, duke u zhvilluar në bazë të si-së,
jo të sa-së. Në varësi të qëndrimit
ndaj kritereve, autorë e libra ndahen në të
përkohshëm e të qëndrueshëm.
Vetiu, me kalimin e viteve, të përkohëshmit mbështetin dhe përhapin me çdo mjet
vlerën e kritereve përkatëse, për të zgjatur pushtetin dhe mbase jetën e
librave të tyre. Kuptohet: jo çdo kundërvënie a shpërfillje ndaj kritereve i
bën autorin dhe librat e tij të qëndrueshëm. Në epokat e sunduara nga
pragmatizmi, më tepër se mjete që ruajnë barazpeshën dhe shijen e mirë,
kriteret janë pengesa të frymëzimit, mpakin lirinë krijuese, - duke e çuar
shpesh nën nivelin e lirive të tjera, - dhe përfaqësojnë mbikqyrjen më të
rrezikshme e afatgjatë ndaj letërsisë së mirëfilltë.
Nga i gjithë qethulli i
betejës mes letërsisë dhe kritereve, mund të vërehet se koha pa letërsi vërtet
e ndihmon njeriun të vdesë i ngopur dhe i kënaqur, por pa kapërcyer me vdekjen
e tij shndërrimin e trupit në diçka
që vetëm do të përdoret për tjetërgjë
dhe nga tjetërkush, për qëllime që
nuk lidhen me njeriun e aq më pak me mbijetesën e tij si frymor me kujtesë. Arritja
më e shënuar e mbikqyrjes, teprimit, (sh)përdorimit apo përqeshjes ndaj Vuajtjes
dhe vlerave që ajo krijon e shumta kanë shtuar fitimet dhe numurin e të
paemërve. Për fat, ndonjëri nga këta shpërblehet heraherës me emër, fat dhe
bëma në Letërsinë që synoi të shfaroste, me, ose pa dashje.