Nga poezia skandinave

Selma Lagerlöf

Hamleti


Tani perdja me dantella po ulet
dhe drama e përgjakshme ka mbaruar
Në mendje fytyra veshur me fshehtësi
e mendimtarit të thellë ringjallet.

Fjalë ku dashuria rrënqeth,
marrëzia, sarkazma e tmerrshme
që mbi mëkatarë si rrufeja u trandën
një det fjalësh të rrethon.

Por veçmas të josh dhembja e tij
Sëbrendshmi fjalën ka urrejtje, vuajtje
dhe bëma i sjell sadopak paqe.

Me spektatorin të lejohet
kur humbës mbush nëntokën
ngarkesë ka Hamletin, dhe pendesë!


Harry Martinson

Pas


Pas betejës së Heligolandit
dhe luftës së Ushimës
uji i detit shpërbënte kufomat – rrënoja –
dhe i gatiste me lëngje të fshehtë.
Lejonte sgalemët t’u çukisnin sytë.
Dhe i bartte me kripëra drejt
ujrave-nëna, ujrave kambriane,
për një tjetër sprovë.

Diell mbi fushë


I gjallë dhe i ngrohtë rrokulliset dielli mbi fusha
e ugare.
Që të jetë më e gjatë dita e verës
perëndon veç një orë
përtej agimit.
Pastaj, herët zgjohet
Si një fshatar që ia di çmimin kohës.

Fjalë që ngrijnë


Koha kalon mbi sende e të folme
Por fjalët do ta ruajnë fuqinë
Varrosur në akull do të dinë të presin
ngrirë në gjumë do të durojnë
derisa koha, duke shkrirë lëvozhgën
do çlirojë të folmet në fytin e zogjve
si ca zëra në agun e të ringjallurit Feniks.


Anders Österling

I papunë


I nxehtë asfalti: diell rrjedh nga qielli
Ndanë udhës rri një i papunë.
Nga fabrikat ngjitet tymi, i spërdredhur
si ëngjëjt e gdhendur katedralesh.
Lidhëse këpucësh shet, ky është malli
mbledhur në një arkëzë.
I zbehtë bari buzë rrugës. Dhe tani
një zog me flatrën e gjakosur
ndal flatrimin, e pandihmë
ulet pak mbi supin e skamnorit.
Këtë fat ke, sot si dje.
Makina rendin mbi asfalt, me uturimë.
Lidhëse – për ata që ecin më këmbë
Lidhëse shet, po këpucë s’ka
Dhe në sytë e tij befas bulëzojnë
një çadër e shenjtë, stacione benzine
Dhe miza, miza… – qyteti mbaron.
Diploma e tij? E ka. Po ç’i duhet?
Nxënësit kalojnë në rresht
Një trumbë zërash… Vallë cili tha dikur:
Do të vijë pas meje njeriu të cilit
edhe për t’ia lidhur sandalet do të isha
i padenjë?...”
Po ku është njeriu?

Dimër


Trungjet këqyrin fqinjët përreth
në veshjen e tyre bardhoshe shkëlqimtare
Nuk kanë pasqyra në heshtjen e kopshtit
që t’ua thyejë shkëlqimet.
Që ta përball fatin, sy më sy,
Dal mes pemëve të veshura n’argjend
Kur befas disa duar prej akulli
Ndjej tek më mbështjellin duart e nxehta.

Përkul ballin në acar e kohë dimri
dhe kohë sprovash e mendoj
Por lule çelin nga e qara që gjithë sit
Pika të ngrohta që ngrijnë mes qerpikëve.
Të tjerët i shoh. Nuk e thyej veten.
Kjo është udha ime – dhe do ta përshkoj!

Poezitë janë shkëputur nga vëllimi Poezia nordike moderne
(Poezia nordică modernă), Editura pentru literatură, Bukuresht 1968