KRITIKË / CRITICĂ

Laurant Bica
Naimi dhe muzat greke
Nga libri “Naimi në Kostandinopojë

Ndërsa ishim duke i vënë pikë studimit tonë për Naimin në kërkim për të saktësuar një të dhënë në botimet greqisht të tij, na ra në dorë një libër i vitit 2000 i studiuesi Dhori Qiriazi, në dy gjuhë: greqisht e shqip, për krijimtarinë e Naim Frashërit, me titullin “O eros” (Dashuria). Në të përfshiheshin tri vepra të Naimit tonë: “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve” (1886), “Dashuria” (1895) dhe “Iljadha” e Omirit (Kënga e parë), përkthimi i saj në shqip (1896). Në të hartuesi i botimit, Dhori Qiriazi, na i jepte këto krijime naimiane për herë të parë në dy gjuhë – greqisht e shqip. Zaten, dy të parat origjinalet ishin shkruar greqisht prej Naimit dhe në krah jepeshin përkthimet e tyre, të bëra më pas nga të tjerë. Ndërsa me “Iljadën” jepej origjinali greqisht i Homerit dhe përkthimi i vjershëruar shqip i Naimit. Botimi në këtë mënyrë i tyre – greqisht e shqip – ashtu edhe i “Ëndërrimeve” (Tehajylat) vite më parë, në persisht e shqip, nga studiuesi Jorgo Bulo, krijojnë hapësira të reja për studiuesit e sotëm të kulturuar e të nesërm, njohës të gjuhëve respektive, për të thënë një fjalë të re më të kualifikuar për poetin tonë të kombit. Në librin e vet Dhori Qiriazi shkuan një parathënie me mjaft interes, Sa mirë do të ishte që, sikurse „Ëndërrimet“, të kishte një studim hyrës, siç ka bëtë studiuesi i letërsisë sonë, zoti Jorgo Bulo. Megjithatë, duke e shfletuar atë, gjetëm disa konstatime dhe ide me vlerë, që na tërhoqën vëmendjen, tek të cilat do të ndalemi më poshtë. Në fillim të veprës së parë greqisht “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, botuar në Bukuresht, Naimi ka një kushtim, që flet shumë për të, aq më tepër që ai ishte në hapat e para të krijimtarisë. Ai shkruan: “Nënës sime të ëmbël, Shqipërisë, Asaj që më dha gjithë forcën që kam”. Dhe këtë ai e bën pikërisht në një botim në gjuhën greke, nëpërmjet të cilit ai i drejtohej kryesisht një auditori të huaj, duke mos mohuar edhe shqiptarët e shkolluar në shkollat greke brenda e jashtë perandorisë, sigurisht, ata të krishterë.
Pas veprës “Ëndërrimet”, që është botimi i parë i tij në gjuhë të huaj, në persisht, brenda Perandorisë Osmane, duke mos llogaritur krijimet e tij shqip në revistën “Drita – Dituria” (1884-1885), vjen botimi i tij i dytë, prapë në gjuhë të huaj, këtë radhë greqisht dhe jashtë perandorisë. Natyrshëm, vetvetiu lind pyetja: pse Naimi boton përsëri në gjuhë të huaj, ende pa nxjerrë një botim shqip?
Përmbledhja me poezi në gjuhën persiane “Ëndërrimet”, ishte “dallëndyshja e parë” e krijimtarisë poetike naimjane, siç e kemi vënë në dukje më parë. Ndryshe, do ta quanim “divani” me vjersha persisht i Naimit, sepse ai këtu eci në gjurmët e traditës shumëshekullore e mijëvjeçare të poezisë persiane dhe debuton me shumë sukses si nga pikëpamja e gjuhës ashtu dhe e vjershërimit ku ai është edhe novator, siç nuk mungojnë të vënë në dukje studiuesit e ndryshëm persianë, madje ndokush arrin ta cilësojë “poet persian”. Veç “divani persisht” i Naimit në fund të shekullit 19, siç thotë shqipëruesi i tij Vehxhi Buharaja, ka një ndryshim nga divanet e tjera, sepse normal, ata fillojnë me një vjershë për Zotin, ndërsa Naimi këtë vjershë e vë nga fundi i përmbledhjes së tij persisht. Pra, Naimi “provon dorën” në persisht, në gjuhën e poezisë së Lindjes, ecën në gjurmët e një poezie me tradita dhe tregon që është një mjeshtër i kësaj poezie. Ai i drejtohet jo vetëm intelektualëve persianë, por një auditori të gjerë, atij të elitës intelektuale osmane, e cila e njihte gjuhën perse krahas gjuhës arabe dhe krijonte në të.
Dhori Qiriazi, në parathënien e tij shkruan se e botoi poemën “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve” në greqishten katheravusa, se ishte gjuhë jo vetëm e intelektualëve grekë, por e mbarë elitës intelektuale të krishterë të Ballkanit. Para se të ecim më poshtë, duhet të japim një sqarim. Ashtu si për turqishten e vjetër, osmanishten, duhet të themi që ishte gjuha zyrtare (e përzierë me fjalë arabisht e persisht) e Perandorisë Osmane dhe ndahej nga turqishtja e popullit, edhe katheravusa ishte greqishtja bizantine mesjetare e cila në rrjedhë të shekujve u largua nga gjuha e popullit, që quhet “dhimotiko”. Me krijimin e shtetit grek ajo u bë gjuha zyrtare e tij, mësohej në shkolla njësoj si osmanishtja dhe, gati deri në fund të shekullit të 20 vazhdoi të ishte e tillë. Vetëm tani vonë u zëvendësua nga greqishtja popullore. Kurse turqit vetëm pak kohë pas vendosjes së republikës, më 1923, bënë reformën e gjuhës (1928) dhe vendin e osmanishtes e zuri turqishtja e re me germa latine, e cila iu afrua gjuhës së popullit, duke u pastruar nga fjalët e huaja. Gjuha katheravusa dhe osmanishte u bënë gjuhë e administratës, e shkollës dhe e kulturës e letërsisë, e elitës intelektuale e aristokracisë. Aristokracia e vendeve ballkanike si Rumania, Bullgaria etj. pa folur për Greqinë, e përdornin tradicionalisht si gjuhë të tyre të kulturës. Pikërisht Naimi kishte parasysh këtë elitë intelektuale që ishte në krye të shteteve përkatëse, plus që të gjithë kishin përfaqësuesit e tyre në qytetin kozmopolit të Stambollit, kryeqendra e Perandorisë Osmane. Naimi e thuri këtë poemë në gjuhën greqishte elitare katharevusa duke ecur në gjurmë të një tradite shekullore e mijëravjeçare të poezisë greke. Edhe këtu, me guxim, ai tregoi, sikurse në persisht, këtë radhë jo më për Lindjen, por për Perëndimin e perandorisë e për krejt Ballkanin, se mund të debutojë me sukses në fushën e poezisë greqisht. Kjo poemë në greqisht është „dallëndyshja e dytë“ e krijimtarisë së Naimit, ku ai e tregoi përsëri lartësinë e vet në fushën e poezisë elitare prapë si mjeshtër i saj. Pra, Naimi, duke ecur në gjurmët e dy traditave të fuqishme, në fushën e poezisë në persisht e në greqisht, duke e treguar veten e nivelin e vet me sukses, paskëtaj, me guxim, iu kthye gjuhës shqipe. Pasi e prezantoi veten në botën intelektuale të kryeqytetit osman dhe jashtë tij, ai i hyri poezisë shqip dhe krijoi poemën „Bagëti e Bujqësia“ në shqip. Kjo është „dallëndyshja e tretë“ naimjane në fushën e krijimtarisë poetike, por tashmë në gjuhën amtare, e botuar jashtë kufijve të perandorisë, se brenda saj nuk mundi ta botojë. Shqipja ishte një gjuhë pak e lëvruar dhe jo me traditë si dy gjuhët e lartpërmendura dhe mjeshtri i afirmuar Naim, pasi forcoi pozitat e veta në botën intelektuale, në elitën osmane, iu përvesh prapë me kurajë të krijojë tashmë, traditë në gjuhën e vet shqipe, e cila, për më tepër, ishte gjuhë e ndaluar, nuk lejohej shkrimi i saj. A ishte Naimi në nivelin e krijimeve të tij në persisht e greqisht? Studiuesi i mirënjohur, i mbrujtur me idealet rilindëse, që është marrë me krijimtarinë e Naimit, Rexhep Qosja, me hollësi e ka analizuar atë dhe na ka zbuluar nëntokën e poemës „Bagëti e Bujqësia“ dhe nivelin e lartë të saj si nga ana artistike e ideore, ka zbuluar mjeshtërinë e madhe të krijuesit Naim.
„Dallëndyshja e katërt“ që do të veçojmë në krijimtarinë e gjerë të Naimit në fushën e poezisë është poema me 8 këngë “O eros” (Dashuria), krijimi i fundit i Naimit, sepse shëndeti i përkeqësuar nuk e lejoi të shkruajë. Botimet e mëpasme ishin shkruar qysh më parë. „O eros“, siç e tregon titulli, u shkrua në greqisht gati 10 vjet më vonë pas botimit të divanit persisht „Ëndërrimet“. Kjo ishte dëshmi e nivelit që kishte arritur mjeshtri i poezisë Naim pas mbi 10 vjet pune botimesh në poezi e në prozë. Ka të ngjarë kjo të jetë edhe vepra me të cilën ai bashkë me krijimet e Abedin Dinos iu paraqitën Akademisë së Athinës dhe u çmuan lart prej saj e morën dekoracione, siç thuhet në një burim. Studiuesve të ardhshëm të Naimit nuk duhet t’u dalë jashtë vëmendjes studimi i këtyre katër veprave të tij, të cilat janë shkruar në gjuhë të ndryshme dhe tregojnë lartësinë e tij si krijues dhe si mjeshtër i poezisë edhe në gjuhë të tilla elitare të poezisë si persishtja e greqishtja, si dhe debutimin e tij të suksesshëm në një gjuhë ku ai krijoi traditë, siç ishte gjuha shqipe. Si në gjuhët me traditë, si në një gjuhë si shqipja, pothuajse pa traditë, Naimi tregoi guxim. Ai hodhi themelet e traditës të poezisë shqip. Brezat e sotëm i janë mirënjohës Naimit, këtij mjeshtri të poezisë shqip. Mjeshtërinë e vet në poezi në gjuhët botërore të poezisë ai e vuri në shërbim të krijimit të traditës së gjuhës së nënës së vet Shqipëri, nga e cila ai merrte forcën që kishte. Studiuesit e sotëm naimjanë duhet të shohin divanin persisht, dy poemat greqisht dhe poemën kryevepër „Bagëti e Bujqësia“ të tij në veçoritë e tyre, por edhe përbashkësitë e tyre, t’i shohin duke i shijuar në origjinalet e tyre, për të nxjerrë në pah lartësinë e mjeshtrit të poezisë jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhët botërore të saj, të dijetarit Naim, të akademikut Naim. Naimi është një figurë, një personalitet i letërsisë jo vetëm shqipe, por edhe i letërsive të tjera, por kjo gjë duhet të dalë në pah. Studimi nga specialistë të gjuhës perse, iranologë, qofshin shqiptarë apo të tjerë, apo helenistë të specializuar si të greqishtes së vjetër bizantine etj. do të na sjellë befasime të reja në lidhje me lartësinë e Naimit tonë, që e njohim dhe prapë s’e njohim siç duhet. Te Naimi deri më tani kemi parë krijimet e veçanta dhe kjo shpesh na ka penguar të shohim të tërën. Kemi parë drurët e veçantë, poema të veçanta, krijime të veçanta dhe kjo na ka penguar të shohim nga lart Naimin, të tërin, pyllin. Po të shohim të katër veprat e sipërpërmendura, në total do të vërejmë që Naimi është mjeshtër i madh i poezisë, që i ka kapërcyer me kohë kornizat kombëtare me të cilat jemi mësuar ta shohim deri më sot Naimin tonë. Naimi nuk është vetëm një poet kombëtar i yni. Përmasat në kohën kur jetoi ishin perandorake, madje ai i kapërceu edhe ato. Studimet më të thella të krijimtarisë së tij, jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhë të huaj dhe zbulimi i mjeshtërisë artistike duke e krahasuar me poetët e kombeve të tjerë, do të nxjerrë vlerat e tij si poet me kualitetet e larta të mjeshtërisë së tij në fushën e poezisë, thellësitë e mendimit naimjan si dhe universin poetik të tij. Naimi është një poet që s’na takon vetëm ne shqiptarëve, por mbarë botës. Detyra jonë është që vlerat e tij në rang bote t’ia bëjnë sa më prezente botës. Një detyrë tjetër e jona është që veprat e tij t’i propagandojmë sa më tepër në botë, me përkthime dinjitoze dhe të shoqëruara me studime të thella mbi të e veprën e vet akoma më dinjitoze. Duke ia bërë prezente botës Naimin tonë me tërë vlerat e tij, kjo do të tërheqë edhe vëmendjen e albanologëve dhe studiuesve të tjerë nga bota, të cilët do të sjellin prurje të reja për Naimin tonë.
Tani, le të shohim Naimin e veprat e tij nga një kënd tjetër. Naimi, sikurse ata kalorësit e mesjetës (e pse jo, edhe vërtet kalorës ishte, edhe fisnik ishte – L.B.) në fushën e poezisë doli në „sheshin e burrave” dhe i hodhi opinionit perandorak në fushën e letërsisë, poezisë „dorashkën“ për dyluftim dhe në të ai doli fitimtar. Para se ai të nisë betejën për të afirmuar gjuhën shqipe, letërsinë e poezinë e saj, ai e hodhi këtë „dorezë“ kalorësiake, e mati veten dhe afirmoi atë në gjuhët e sprovuara të poezisë si persishtja etj. Ai punon me plan. Nuk ka asgjë rastësore te Naimi, qoftë në veprimtarinë e tij të çdo lloji, qoftë në krijimtarinë e tij përfshi edhe atë poetike. Divani i tij persisht „Ëndërrimet“ (me të cilin e filloi krijimtarinë e tij; edhe titulli flet për ëndrrat e tij, për të ardhmen e vendit të vet – L.B.) ishte sfida e parë që i bëri elitës intelektuale osmane. Ai i tregoi asaj se në horizontin e letrave po vinte një yll i ri, një mjeshtër i poezisë persiane. Ai deshi të bëjë emër me një kundërshtar të zorshëm, në një fushë luftimi tepër të vështirë dhe të rrahur me kohë, siç ishte persishtja. Ai deshi të radhitej qysh në fillim në krah të fituesve dhe fitoi. Studimi i dijetarit J. Karolidhis për divanin e tij persisht është dëshmi e gjallë për këtë. Autori Naim 11 vjet më pas do t’i shfaqë mirënjohjen për vlerësimet e tij. Në dyluftim me “persishten” ai mori pikët më të larta. Nuk e themi ne shqiptarët; para nesh e thanë vetë persët, rumët, greqishtfolësit e të tjerë.
Vepra “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve” ishte një “dorashkë” që u hidhej qarqeve qeveritare e intelektuale të Ballkanit, “u flitej me gjuhën që ata e kuptonin”. Ai zgjidhte si armë armën e tyre “greqishten katharevusa të elitës aristokratike të krejt vendeve të Ballkanit (dhe në këtë gjuhë u dërgonte mesazhet e miqësisë, humanizmit, për veshët që dëgjonin; amá secili në të drejtën e vet, në respektimin reciprok të secilit. Njëkohësisht, u kujtonte edhe se kush ishin shqiptarët. Edhe në këtë dyluftim në terrenin e greqishtes, një gjuhë me tradita të lashta në fushën e poezisë, Naimi tregoi se ishte një mjeshtër dhe nuk i turpëroi ngjyrat e veta. Përgatitja e marrë në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe talenti i tij prej natyre e nxorën fitimtar edhe në këtë betejë të dytë. U takon studiuesve të sotëm dhe të ardhshëm që me punime të detajuara dhe të specializuara të nxjerrin vlerat e një poeme të tillë në greqisht mbi bazën e njohjes së gjuhës katharevusa, aftësisë së Naimit për të thurur vargje, mjeshtërinë e tij artistike, krahasimit me poetët bashkëkohës grekë (kohës së Naimit – L.B.) dhe poemat më të mira të poetëve me eminente grekë apo greqishtfolës të asaj kohe. Po më 1886 botohet nga Naimi përkthimi i “Iliadës” së Homerit në turqisht, në osmanisht. Naimi, me këtë përkthim hidhte një gur e vriste tre zogj. Së pari, ai e bënte këtë për të treguar se gjuha osmane ishte një gjuhë që “përtypte” me sukses dhe arritjet e “atit të vjershërisë” siç thotë Naimi, Omirit, (d.m.th. Homerit – L.B.). Kjo ishte një ndihmesë që jepte si shkrimtar në rang perandorak për gjuhën e shtetit ku jetonte e punonte. Gjuha osmane ishte një gjuhë e kultivuar dhe ishte në gjendje të jepte me tërë ngjyrimet e mundshme, poezinë e lashtë mbi themelet e së cilës u ngrit poezia e kombeve të tjerë. Së dyti, si të thuash, i hidhte “dorashkën” pas greqishtes elitare katharevuse që i kishte rrënjët në mesjetën bizantine, greqishtes së vjetër klasike, të lashtë; poezisë së lashtë greke. Ai e provonte veten si njohës edhe të kësaj gjuhe të antikitetit. Ai afirmonte veten para elitës së kryeqytetit osman se ai e njihte greqishten e vjetër qysh në burimet, që nga Homeri, babai i vjershërimit, për të cilin ai flet edhe në këtë vepër në fund të saj. Ai vetëm sa provon të përkthejë këngën e parë. Sipas orientalistit Hasan Kaleshi, përkthimin turqisht, ndryshe nga ai që bëri 10 vjet më vonë në shqip në vjershë, e bën në prozë. Edhe kaq mjafton, po të kesh parasysh vështirësitë që ka përkthimi nga kjo gjuhë. Kush është specialist, mund të dëshmojë. Edhe në këtë dyluftim Naimi tregon para opinionit osman elitar, inteligjencës osmane, që e njeh pas traditës persiane të vjershërimit edhe atë greke të re , edhe atë katharevuse si dhe traditën antike greke të vjetër, këtë radhë jo nëpërmjet vjershërimit në vazhdën e asaj tradite, por nëpërmjet përkthimit nga ajo gjuhë. Së treti, Indirekt Naimi, duke përkthyer nga greqishtja e vjetër një gjuhë e poezisë klasike, në osmanisht, ai i tregonte elitës osmane, qarqeve intelektuale, se e zotëronte perfekt edhe gjuhën osmane. Jo thjesht si gjuhë për ta folur, por në tërë gjerësinë e gamën e vet, aq sa ishte në gjendje të përkthente në këtë gjuhë, të shprehte me mjetet artistike dhe jo vetëm atë të kësaj gjuhe, arritjet më të mira të mendimit botëror në fushën e poezisë, të përkthente Homerin, atin e poezisë, siç e quan vetë. Gjuha osmane kishte, deri në kohën e Naimit, 6 shekuj jetë, 6 shekuj në të cilën krijohej një letërsi e tërë e sidomos në lëmin e vjershërisë. Edhe ajo nuk ishte e pakët, ishte gjuha zyrtare e një perandorie. Dhe Naimi tregon se ndonëse ishte shqiptar, ai e dinte atë me rrënjë, e kishte si gjuhën e vet të mëmës. Ai e kishte folur, shkruar e perfeksionuar që nga vegjëlia në sallonin e teqesë bektashiane të Frashërit me baballarë e dedelerë të shquar me kulturë të marrë në Harasan, Iran, Stamboll, Kairo e gjetkë, pa folur për atë se ajo ishte gjuha e përditshme e tij e komunikimit dhe e leximit.
Me botimin e „Iljadhës“ së Omirit në osmanisht Naimi fitonte edhe dy dyluftime të tjera, atë të greqishtes së vjetër dhe të gjuhës së perandorisë, osmanishtes.
Le të ecim më tej.Pas botimit të këtyre tre veprave radhazi (1884 dhe dy të tjerat më 1886) botohet në Bukuresht poema „Bagëti e Bujqësia“. Naimi, pasi e ka afirmuar veten në katër gjuhë, duke e bindur elitën ballkanike dhe atë mbarosmane dhe më tej edhe atë iraniane e më gjerë në Lindje për aftësitë e tij në fushën e poezisë, pasi e ka afirmuar veten si njohës dhe mjeshtër i poezisë edhe të asaj mëme traditë si persiane, greke e vjetër, greke e re dhe të asaj osmane, ai i përvishet punës për të krijuar traditë për një gjuhë të re, gjuhën shqipe, gjuhën e vet të nënës. Askush nuk mund ta akuzonte në opinionin intelektual se ai po i hynte si „axhami“ një pune të vështirë dhe të parealizueshme. Ai u kishte treguar se ishte një mjeshtër dhe, po të vazhdonte të shkruante në secilën prej këtyre gjuhëve me traditë, qoftë edhe atë osmane, që kishte traditën më të shkurtër (6 shekullore) mund të bëhej me emër, një nga poetët më me famë. . Naimi nuk preferoi këtë rrugë, që do të ishte në njëfarë kuptimi „më e lehta“, por ai zgjodhi një terren pothuajse djerrëdhe aty ai u fut me tërë aftësitë, kulturën e talentin që kishte, i vendosur për të pasur sukses. Edhe këtu qiti „dorashkën“, por ia qiti jo një gjuhe të huaj, traditës së huaj në poezi; ia qiti gjuhës së vet, ku nuk kishte asgjë në shesh. . Dhe ndofta kjo ka qenë sfida dhe beteja më e vështirë për Naimin, që pothuajse nga hiçi ai të ngjallë një traditë, të hedhë vetë themelet e një tradite. Kjo „betejë e katërt“, tashmë me gjuhën e mëmës, ka qenë më e vështira, ndofta dhe më e lavdishmja, që e bëri të pavdekshëm emrin e tij, sepse ai e nxori me krijimtarinë e vet poetike këtë gjuhë nga harrimi dhe populli i dha dekoratën më të madhe që nuk ia dha asnjë akademi e ndonjë popull tjetër për poezitë e veta. Populli e quajti „Bilbili i gjuhës shqipe“. Vepra, apo më mirë të themi kryevepra e tij, poema „Bagëti e Bujqësia“ është dëshmia më e mirë për këtë. Kjo është edhe një nga arritjet më të mëdha të Naimit, ndofta më e madhja në lëmin e poezisë. Ai jo vetëm thuri një poemë me vlera të jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet artistike, atdhetare etj. por vuri gurë themeli në vjershërimin shqip dhe ndofta ajo qëndron me gjithë vlerat që kanë në gjuhët përkatëse të poemave e vjershave të tij, të tjera në gjuhët persisht, greqisht, shumë e shumë më sipër. U takon specialistëve të gjuhës e të letërsisë shqipe e letërsive respektive përkatëse të thonë një fjalë gjithnjë e më preçize. Veçse roli që luajti ajo me vargjet e saj ndezën një popull të tërë, e vetëdijesuan atë.
Vepra “Bagëti e Bujqësia” ishte e para. Të tjera erdhën më pas. Vepra letrare në prozë e në poezi, si nga Naimi ashtu edhe nga kohëshokët e tij, rilindësit e tjerë. U krijua mbi bazën e saj një letërsi e tërë, një traditë e tërë; traditë që meritën e „trasimit“ të saj, punën prej pionieri e ka Naimi ynë, Naim Frashëri, rilindësi Naim, dijetari Naim, poligloti Naim, atdhetari Naim, Akademiku Naim e pse jo, Profeti i Shqiptarizmit, Naim Frashëri. „Vjershat për mësonjtoret e para“ (1886), „Lulet e verës“ (1890), „Parajsa dhe Fjala fluturake“ (1894) do të ishin në vazhdim të „Bagëti e Bujqësisë“, duke krijuar traditën naimiane të shqipes. Pas kësaj, me kalimin e një dhjetëvjeçari, prapë Naimi ynë „nxjerr shpatën nga milli“ dhe si ata heronjtë kalorësiakë të mesjetës turret për një dyluftim tjetër. Po me kë dhe kundër kujt? Kujt ia hedh „dorashkën“ përsëri ky kalorës i papërkulur, i cili nuk heq dorë nga betejat e dyluftimet? Pse tani, pas 10 vjetësh e bën këtë? Shpjegimin do ta gjejmë po të shikojmë veprën e botuar në vitin 1895 me titullin kuptimplotë, ndonëse në greqisht „O eros“ (Dashuria). Është vepër nga më të shkurtrat, por nga më të ngjeshurat e më kuptimplotet. Dhe vepra e fundit poetike e tij, se më sëmundja që iu shfaq qysh në vitin e largët 1871, nuk e la të shkruante. Është nga ato vepra që turqit i quajnë „őz“ (ëz) – esenciale), thelbësore. Le të ndalemi pak më gjerë në të...
Dhori Qiriazi në parathënien e sipërpërmendur, kur ndalet në vjershën “O eros”, përsa i përket gjuhës që përdor autori Naim, thekson se është greqishtja që i takon shkollës fanarite. Naimi i përmbahet kësaj shkolle e, me sa duket, greqishtja e preferuar e tij është pra kjo fanarite. Gjithashtu, në lidhje me poezizë greqisht të Naim Frashërit, ai thekson se në të duket qartazi ndikimi i rrymës në modë të asaj kohe, që vinte nga Perëndimi në letërsi, rrymë parnasiane. Kjo rrymë më shumë sesa përmbajtjes, i vinte rëndësi formës, gjë që nuk mungon të shihet edhe te Naimi në këtë poezi të tij në greqisht. Një lexues i zakonshëm këtë mund ta kalojë lehtazi, ashtu sikurse edhe autori i parathënies, vetëm sa i vë në dukje këto dy momente në veprën e Naimit, pa i shtjelluar më tej ato. Sigurisht, do të ishte me shumë vlerë për ne në qoftë se autori do të ishte ndalur në të, t’i kishte shtjelluar, zbërthyer apo thelluar. Për ne edhe kaq sa jep nuk është pak...
Më 1895 Naimi i flak në këtë vepër dy “dorashka” fisniku... Pasi e ka treguar veten mjeshtër si në greqishten e vjetër tek “Iliada”, apo te varianti i saj katharevesa te “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve” (“O pathos ... ton skipetarion”), Naimi del përpara opinionit intelektual perandorak me preferencat e veta për greqishten, pikërisht atë të shkollës fanariote. Sigurisht, Naimi nga shkolla dinte si greqishten e vjetër ashtu edhe atë të re (katharevusa). Ndërsa greqishten popullore, sidomos atë të Greqisë Veriore e Perëndimore, greqishten e ishujve të Jonit, greqishten e Korfuzit, të Epirit ai e dinte “ujë”, se kaloi 15-20 vjet në vilajetin e Janinës. Plus administrata osmane në këtë vilajet, veç osmanishtes njihte edhe greqishten dhe në të dilte edhe gazeta zyrtare e vilajetit jugor shqiptar. Ç’t’i bësh, paradokse të kohës! Shqipja nuk njihej. Nuk lejohej të shkruhej. Kush guxonte të ngrinte kokën, ia prisnin. Ndaj, Naimi që e kishte provuar këtë realitet nuk mund të pajtohej me të. Ai donte që shqipja të shkruhej, të njihej, të zyrtarizohej, ndaj ai i bën opinionit intelektual perandorak njërën sfidë pas tjetrës, ndaj i hidhen atij përpara “dorezat” e bardha kalorësiake për beteja, të dukshme e të padukshme. Mjeshtri në çdo rast tregon zotësinë e lartësinë e vet edhe në terrenin e “kundërshtarëve” të zot. Ai i njihte më mirë se kushdo tjetër orekset shoviniste të Athinës dhe familja e tij u qe kundërvënë dhëmb për dhëmb atyre brez pas brezi. Ndërkohë, Naimi nuk është dritëshkurtër si kundërshtarët e vet. Nuk i mungon fisnikëria. Ai e di se në gjirin e popullit grek ka forca të shëndosha që aspirojnë për miqësi, ka qarqe intelektuale e qeveritare që shikojnë më larg se ambiciet e zakonshme megalideiste. Pikërisht këtyre i drejtohej në poemën e parë, duke u zgjatur dorën e miqësisë dhe të bashkëpunimit, të paqes. Ndërsa titulli i poemës së dytë prapë flet shumë edhe në këtë drejtim, pavarësisht se ç’ka brenda „O eros“ (Dashuria). Pikërisht këtu ai përdor greqishten fanariote të lagjes Fanar (Fener) në Konstandinopol (në Stamboll), greqishten e dikurshme të kryeqytetit bizantin, “të mbijetuar” edhe në shekujt e Perandorisë Osmane. Këtë greqishte për gati 20 vjet ai e përjetoi në Stamboll si ndërmjet rumëve greqishtfolës (rumët = jo grek, banor i krishterë i Perandorisë Bizantine dhe më pas Perandorisë Osmane, që fliste gjuhën zyrtare të të krishterëve në perandori, greqishten). Gjuha e Stambollit, e kryeqytetit, sigurisht ishte më e përpunuara, më e zgjedhura; ajo përbënte bazën e gjuhës letrare greke në Bizant e më pas. Ajo flitej në sallonet mondane të aristokracisë fanariote dhe ishte më e përpunuara, si nga ana gjuhësore letrare, shkencore e fetare nëpër shekujt e gjatë bizantinë. Po të llogarisim edhe kohën e Perandorisë Osmane, i bie mbi 1500 vjet. Ajo ishte greqishte më fine dhe Naimi, që jetoi si midis rumëve të Stambollit, plus pati miq të vyer midis shtresës elitare të rumëve, plus u mor me letërsinë që botohej në greqisht, në këtë variant „fanariot“, plus pati në tavolinën e punës në ministri ku punonte si nëpunës i censurës për greqishten, gazetat në këtë gjuhë të Stambollit, jashtë tij dhe ato që vinin nga jashtë perandorisë, sidomos nga Greqia, nga Athina. Një pjesë e mirë e rumëve, (banorëve të krishterë të Stambollit – L.B.) ishin shqiptarë të krishterë dhe askush në kushtet kur nuk shkruhej shqipja nuk i konsideronte ata të tillë, por i futnin në kategorinë e „rumëve“, ndiqnin shkollat greke dhe shkonin në kishat ku meshohej vetëm greqisht. Në Stamboll ishte Patrikana Ortodokse e Fenerit dhe autoriteti i e hija e tij e siguruar qysh nga pushtimi i Konstandinopojës, më 1453, me dekret sulltanor të Mehmetit II ndihej i fuqishëm kudo.
Naimi ynë edhe në këtë drejtim preferonte këtë greqishte të stërkultivuar të shekujve plus që e flisnin bashkatdhetarët e krishterë që jetonin në Stamboll e luanin një rol tepër të rëndësishëm si në Stamboll ashtu edhe në mbarë krejt perandorinë. Stambolli; pas 1453-shit për një kohë të gjatë ¾ e popullsisë i pati rume, pasi kaluan mbi 2-3 shekuj, popullsia rume zbriti në gjysmën e popullsisë së qytetit kozmopolit. Ndërsa në kohën e Naimit ajo përbënte mbi 1/3 e popullsisë rreth gjysmë milionëshe të kryeqytetit osman.Naimi ata i takonte në Pera (Bejollë) në Fener e në Balata ku qe vetë Patriarkana Ortodokse, në Levent, në Gallata, në Arnautqoj, në ishujt e princave në anë të Kadiqojit, në Çengelqoj etj. Ata ishin të shpërndarë nëpër Stamboll, por shtesa e rrallë popullsisë, emigrimet, asimilimi, politika e ndjekur nga sulltanët bëri të vetën. Kapakun do t’ia vinte marrëveshja e Lozanës më 1923, kur popullsia rume (e krishterë greqishtfolëse) e Detit të Zi, detit Egje (Izmir etj.) dhe e brendësisë të Anadollit (si Kajseri etj.), do të zhvendosej për në Greqi dhe ajo myslimane do të dërgohej në Turqi, pavarësisht se ishte turke ose jo. Stambolli „shpëtoi“ sepse popullsia rume e tij u ruajt kundrejt ruajtjes së komunitetit mysliman në Thrakën Perëndimore. E themi „shpëtoi“ në thonjëza sepse hinterlandi i Stambollit në Thrakën Lindore u „pastrua“ me themel në bazë të marrëveshjes. Koha bëri të vetën dhe pas vitit 2000 kokoshi mbeti një thelë, as 2000 veta sot, në kohën që po flasim e shumica pleq. Sipas një të dhëne të Bashkisë së Stambollit, në fillim të viteve 70 të shekullit 20 kishte 140.000 rumë; prej këtyre, rreth 100.000 shqiptarë ortodoksë dhe 40.000 rumë greqishtfolës. E theksoj, nuk duhet të konfondojmë rum me grek. Rum = banor i krishterë greqishtfolës, grek = banor i Greqisë. (Shpesh, me dashje ose pa dashje bëhet një konfondim i tillë, si në literaturë ashtu edhe për qëllime të tjera – L.B.). Një pjesë e mirë e kishave rume të Stambollit kanë qenë të shqiptarëve, për të mos thënë më shumë. Në vitet ’60 të shekullit XX shqiptarët deshën të krijojnë kishën e tyre autoqefale të pavarur nga Patriarkana bizantine e Stambollit, por në sajë të luftës së egër e të paprinciptë të saj me gjithë mbështetjen që patën nga sivëllezërit e tyre shqiptarët myslimane të Stambollit, këto përpjekje nuk patën sukses. Naimi qysh në kohën e vet u gjet në llogoret e kësaj lufte të shqiptarëve të krishterë të Stambollit për kishën e tyre dhe i mbështeti me gjithë shpirt ata.
Në vitin 1989 udhëtoja me linjën ajrore greke “Olimpik” drejt Stambollit. Një radhë para meje ishte një zonjë e re me djalin e saj dhe në krah, mesa dukej, e ëma. Gjithë kohën dëgjoja greqishten e tyre disi të veçantë. Shumë rrallë fliste djali i vogël 10-12 vjeçar. Më ra në sy në lëvizjet e tyre, në sjelljet, qëndrimin e tyre njëlloj fisnikërie. Për të mbushur disa fletë që na i shpërndanë stjuardesat, para se të zbrisnim në aeroportin e Stambollit i kërkova një stilolaps fqinjëve, në anglisht. Mora vesh se ishin rumë të Stambollit, stambollite që jetonin në lagjen Levend. Zonja më zgjati me respekt e me një mirësjellje të veçantë stilolapsin, më sqaroi se vetë ishte e martuar në Athinë dhe po shkonte bashkë me të ëmën ta çonte në shtëpinë ku kishte lindur e ishte rritur. Greqishtja e tyre e Stambollit ndoshta ishte fanariote. Sidomos zonja e fisme shtatlartë, me finesën, veshjen, anglishten korrekte dhe sjelljen e kulturuar më la një mbresë të veçantë. Ndofta gjak fisnik, fanariot. Kushedi?!
Nga gjiri i rumëve greqishtfolës të Stambollit kanë dalë shumë personalitete si në shekuj ashtu edhe sot. Nuk do të lija pa përmendur profesoreshën e filozofisë, zonjën Joana Kuçurati. Ajo është kryetare e shoqatës filozofike turke dhe për një kohë të gjatë ka qenë sekretare e përgjithshme e shoqatës filozofike botërore me qendër në Zvicër. Disa prej punimeve të saj i kam në bibliotekën time. Nga rumët e Stambollit ka qenë edhe kryetari i komitetit organizator të Lojërave të fundit Olimpike të Athinës. Sipas shtypit turk në të ritë e tij ai ka luajtur si basketbollist me ekipin prestigjioz të “Fenehbarçes” të Stambollit. Më pas emigroi në Athinë. Një rrjedhje, një bjerrje e vazhdueshme e “trurit” rum në shekuj deri sot. Me shpejtësi po shkohet drejt humbjes, zhdukjes së tij...
Kam shkuar shumë herë në Ishujt e Princave apo Ishujt Prinkipo në detin Marmara ose siç u thërresin thjesht turqit “Adalar” (Ishujt) që janë pranë pjesës aziatike të Stambollit, rajonit të Kadiqoit. Aty akoma banojnë rreth 10.000 banorë, të cilët me shumicën e tyre janë rumë greqishtfolës. Ato janë 9 ishuj, 2-3 prej të cilëve të pabanuar. Më të mëdhenjtë e tyre, ku banon shumica e popullsisë, janë Byjukada, Hejbeliada dhe Kënallëada. Kam parë fytyrat e banorëve vendas që rrojnë aty prej shekujsh. Kam parë artitekturën e banesave, vilat, rrugët, pajtonet që i bien kryq e tërthor ishujve ngarkuar me turistë dhe, çuditërisht, më kujtojnë diçka nga Shqipëria, nga njerëzit tanë, nga toka jonë, nga arkitektura e ndërtimeve tona. Kam dëgjuar njerëzit të flasin veç turqishtes edhe greqishten e Stambollit. Kam parë me vëmendje sjelljet e tyre, qëndrimet e tyre, kam përcjellë, sa herë kam shkuar në ishuj, pastërtinë e tyre, veshjen e tyre, zakonet e tyre, qytetërimin e tyre. Ai sikur më sjell, ashtu mbyturazi, jehonën e një bote tashmë të perënduar, botës bizantine. Ata sa vijnë e rrallohen dhe aty vendosen vazhdimisht banorë të rinj.... Dikur aty kanë ardhur rilindësit tane dhe ata osmanë, si një Hoxha Tahsin, një Sami Frashër, një Naim, një Pashko Vasë, një Ismail Qemal, një Munif Pashë, një Ahmet Xhevdet Pashë etj. etj. Ishujt, si në shekuj në të kaluarën ashtu edhe sot, kanë qenë vend verimi e vend pushimi. Vilat dy-trekatëshe apo më të mëdha qarkojnë ishujt. Aty vinin në kohën e Naimit pasanikët e Stambollit me familjet e tyre, pashallarë e bejlerë, funksionarë të lartë të shtetit, rumët e pasur, armenët, jahudinjtë (çifutët), por edhe personalitete të artit e të shkencës, , të arsimit e të kulturës, madje një pjesë e tyre kishin vilat verore (jazllëk-et-turqisht – L.B.). Në Hejbeliada ka qenë shkolla e priftërisë, e priftërinjve ortodoksë. Ajo ka një bibliotekë shumë të pasur 400-vjeçare a më tepër. Aty mund të gjesh libra të vyera si për shekujt bizantinë ashtu edhe princat e Ballkanit, përfshi edhe ata shqiptarë, për Skënderbeun, për historinë e rumëve greqishtfolës, banorë autoktonë të këtyre trojeve. Aty duhet të ketë literaturë të pasur për Voskopojën, për Rilindjen e rilindësit shqiptarë, përfshi edhe Naimin tonë, për botuesit rumë me të cilët pati të bëjë ai, koleksionet greqisht të gazetave e revistave si “Neologosi” me të cilën polemizoi Shemsedin Sami Frashëri, apo ku u botuan poezitë e Abedin Dinos, periodikë si “Qiriksi”, ku u botua studimi për veprën persisht të Naimit “Ëndërrimet” etj. etj. Biblioteka e shkollës së Patriarkanës së Stambollit ruan thesare për historinë e Turqisë, të Greqisë, të Shqipërisë, historinë e ortodoksizmit ballkanas. Ajo pret studiuesit e sotëm e të nesërm, për t’u hapur gjirin e vet. Aty duhet të ndodhen edhe botimet greqisht të Naim Frashërit e plot gjëra me vlerë të shkruara nga rilindësit tanë. Me sa di unë, hulumtues evropianë apo amerikanë kanë shkuar mjaft, por shqiptarë nuk besoj se ka shkuar njeri. Gërmimet edhe në këtë bibliotekë shekullore mund të na befasojnë me “zbulime të reja”... Aty ruhen libra unike në llojin e vet dhe që s’i gjen në asnjë vend tjetër... Le të kthehemi te shkolla fanariote për të dalë përsëri te Naimi. Fanariotë drejtuan për shekuj Bizantin e, pas rënies së tij, ata prapë ishin në krye të elitës udhëheqëse të Peradorisë Osmane.Emrat e Laskarëve, të Dukasve, të Komnenëve, të Suxhove, të Paleologëve etj. shkëlqyen si në Bizant, në dinastitë që e qeverisën atë, ashtu edhe në Perandorinë Osamane. Në fushën e fesë në krye të Patriarkanës, pa diskutim, në fushën e arsimit e të kulturës, në Ministrinë e Jashtme shërbimin diplomatik në marrëdhënie me të huajt, në fushën e tregtisë, në marinë, dragomanët (përkthyesit) ishin gjithmonë fanariotët. Për gati 150 vjet, nga fundi i shekullit XVII, gjithë shekullin XVIII dhe fillimin e shekullit XIX gospodarët (qeveritarët, mëkëmbësit e sulltanit), për provincat vasale danubiane, Vllahinë e Moldavinë ishin fanariotë.Fanariot ka qenë edhe historiani i Perandorisë Osmane, Dhimitër Kantemir personalitet i dëgjuar, që zhvilloi aktivitetin e tij në Rumani e njihet si historian rumun...
Edhe pas fitores së pavarësisë së Greqisë, fanariotët (ndoshta jo si më parë – L.B.) qenë në krye të elitës osmane, sidomos në Ministrinë e Jashtme, në arsim, kulturë, tregti. Kështu përfaqësues i Perandorisë Osmane në Kongresin e Berlinit më 1878 ishte fanarioti Karatheodhori Pasha, apo ambasador i saj për një kohë të gjatë në Angli në fund të shekullit XIX ka qenë Musurus Pasha, mik besnik i kryediplomatit osman, plakut të Vlorës, Ismail Qemali etj.
Naimi, për vetë punën që bënte, kishte lidhje si me shtëpitë botuese rume që ishin rreth 1/3 e atyre të Stambollit, si në Gallata edhe në Babi Ali (Xhahalollu, rajone të Stambollit – L.B.), ashtu edhe me intelektualë të tjerë midis të cilëve ai kujton dijetarin J. Karolidhi në veprën e mësipërme “O eros”). Pra, Naimi pas greqishtes së vjetër dhe asaj katharevusa i drejtohet opinionit stambollit, me majën e majës së greqishtes, me gjuhën e vet, atë fanariote, të cilën e zotëronte në majë të gishtave. Ato 8 këngë të “O eros” ai i shkroi për miqtë e vet rumë të Stambollit me një gjuhë të zgjedhur, në gjuhën që ata flisnin, që ata kultivonin, duke treguar se nga pikëpamja e gjuhës ai s’u linte atyre asgjë mangut, madje mund të hahej me ta për të zbukuruar “Parnasin” grek e për t’i kënaqur ata. Këtë e bënte gati 10 vjet pas botimit të “Ëndërrimeve”, për të cilën J. Koralidhisi njeu penën e vet prej savanti për të shkruar një studim për divanin persisht të Naimit. Për Naimin nuk ishte problem; ai shkroi poemën me 8 këngë në një kohë të shkurtër, ndonëse e “qëndisi” si nga ana gjuhësore ashtu edhe letrare duke u treguar atyre lartësinë e tij si poet, si njeri i kulturës, si njohës brilant i kulturës helene të vjetër e të re. Veçse Naimi e shkroi pas 11 vjetësh, kur ai ishte bërë Naim, por një Naim që ngjalli shqipen. Ndërkohë, miqve u “rrëfente” prapë: unë jam Naimi, mirëdashës i popullit grek, ama jo i qarqeve shoviniste. Ai ofronte “Dashuri” e respekt reciprok të të drejtave. Ai fliste për perënditë e lashta greke, por siç na vë në dukje Dhori Qiriazi, ai ishte në korrent të rrymave më të fundit të kohës në letërsi, shkruante si parnasian dhe Qiriazi s’mungon të numërojë veçoritë e kësaj rryme në librin e tij të vitit 2000 në parathënie që spikasin te Poeti Naim. Naimi ecte me kohën dhe i njihte rrymat e ndryshme letrare, sidomos ato perëndimore, frënge që ndikonin në Perandorinë Osmane. Në shtypin osman pati debate të shumta për të cilat Agah Sirri Levend në librin e tij për Sami Frashërin nuk mungon të flasë. Ishin debate të ashpra midis përkrahësve të rrymës së vjetër, të përkrahësve të letërsisë së vjetër osmane, të divaneve në luftë në grupin e grumbulluar rreth revistës “Serveti Funun” (Thesari i shkencës) të shkrimtarëve të rinj osmanë në krye të të cilëve u vu shkrimtari e poeti Teufik Fikret (thuhet se është i gjakut shqiptar – L.B.). Në krah të tyre u rendit në këto debate edhe dijetari Shemsedin Sami, i vëllai i Naim Frashërit. Ata ishin parnasianë dhe iu kundërvunë krahut konservator të kryesuar nga shkrimtari osman Muhallim Naxhi. Naimi mesa duket nuk ishte jashtë këtyre rrjedhave. Librat e parnasianëve turq kishin kaluar në duart e tij si censor e kryecensor i perandorisë. Si krijues edhe ai nuk kishte mbetur jashtë këtyre rrjedhave. Në qoftë se nuk e shfaq këtë ndikim (parnasianë – L.B.) në letrat shqipe në vjershën e tij “O eros” greqisht tregon se ai ecën me kohën dhe me këtë botim të vogël si sasi por njëkohësisht të madh, si cilësi ai i tregon opinionin osman që është një njohës i mirë i letërsisë kontemporane (të kohës) dhe ecën me rrjedhat e saj. Kjo është një “dorashkë” tjetër e dytë që u hidhej qarqeve shoviniste greke që bënë aq shumë për të penguar popullin shqiptar në rrugën e tij të vetëdijësimit nëpërmjet gjuhës shqipe dhe u përpoqën të pengonin (ndofta edhe të vrasin siç bënë në disa raste me mësuesit e shkollës së parë shqipe si Pandeli Sotirin e më pas Petro Nini Luarasin – L.B) përfaqësuesit më eminentët e tij). Por “dorashkat” naimjane nuk mbarojnë me kaq. Më 1896 sillet “Iljadha” e Omirit (Iljada e Homerit – L.B) kënga e parë në gjuhën shqipe, dhjetë vjet pas kthimit të saj në turqisht po nga Naimi. Si qëndronte puna? Kjo ishte “vula naimjane” për atë proces që e nisi vetë Naimi, për të krijuar një letërsi të re, një traditë letrare në gjuhën shqipe ku ajo nuk ekzistonte. Këtë ai e arriti me sukses. Tre vjet më vonë, më 1899, në letrën që do t’i shkruante dhëndrit, Murat Toptanit, Naimi me Saminë do të bënin bilancin e punës së bërë për shqipen e shkollën shqipe. Armiqtë tanë mendonin se shqipja do të zhdukej, por përkundrazi, për fatin tonë shqipja u bë, u shkruan libra me të tregoi ç’gjuhë e vlefshme qe mësuar nëpër shkolla etj. Bilanci ishte pozitiv. Naimi krenar për këtë, më 1896 i vë vulën kësaj duke përkthyer “Iljadën”, e atit të vjershërisë, Homerit, duke treguar se shqipja është njësoj si gjuhët më të përpunuara.” Homeri mund të vjershërohet edhe shqip. Në qoftë se dhjetë vjet më parë, siç na thotë studiuesi kosovar Hasan Kaleshi “Iljadën” vetëm e përktheu osmanisht, por pa e vjershëruar, në shqip ai e vjershëron dhe sa bukur dhe me sa pasion, aq sa shqiptari duke e lexuar mendon se ajo është shkruar për herë të parë jo në greqisht por në shqip. Kjo ishte “doreza” e fundit për opinionin intelektual perandorak e ballkanik. Konkluzioni: shqipja u bë, shqipen e bëmë “ne”, domethënë ai bashkë me rilindës të tjerë, i vëllai, Vretoja, Kristoforidhi, Pashko Vasa etj etj. Respekte të pafundme këtyre bijve të popullit shqiptar që në luftë dhëmb për dhëmb me armiqtë e kombit shqiptar e të gjuhës shqipe i lanë ata me gisht në gojë dhe popullit të tyre i çelën rrugën e dritës e të progresit që ne bijtë, nipat e stërnipat e tyre gëzojmë sot. Lavdi të përjetshme të atyre!
Në qoftë se do të shikonim sfidat që i bëri kohës, armiqve etj lartësinë e tij si mjeshtër i poezisënë gjuhë të huaja dhe në shqip (madje në “Bagëti e Bujqësia“ ai i kundërvihet atyre shqiptarëve bukëshkalë që me dashje apo pa dashje kishin humbur besimin tek shqipja dhe ai ua ktheu përsëri atë. Pena e tij u kthye me himn të shqiptarizmit. Cili nxënës shqiptar qysh nga koha e Naimit nuk i di vargjet “O malet e Shqipërisë... etj etj. Sot ato këndohen po si himn si në trojet etnike edhe në diasporë (të përshtatura ato këndohen lidhur me aktualitetin sa të sotshëm aq edhe të djeshëm. Shqipëri o nëna ime! O Kosovë o nëna ime!). Naimi e tregoi veten një kryemjeshtër i poezisë si persisht dhe greqishten në të tre variantet e saj, të vjetër vjershërimit si në gjuhët katharevusa, fanariote po ashtu edhe osmanisht. Dhe këtë aftësi e mjeshtëri artistike ai e vuri në shërbim të një gjuhe tepër të lashtë, por fatkeqësisht të pa punuar e të lënë në harresë. Ai pothuajse duke u nisur nga hiçi trasoi një rrugë të re, krijoi një traditë të re. Atë që të tjerët e kishin bërë për shekuj e mijëvjeçare me gjithë ato forca, ai tentoi pak a shumë i vetëm të çajë dhe ia arriti me sukses me veprat e tij brilante e pastaj e ndoqën të tjerët. Kjo tregon se ç’punë vigane bëri Naimi ynë i madh. Ishin ndërmarrje titanike që i kërkonte nevoja e “mbijetesës” së një populli siç ishte ai shqiptar. Bash në këto çaste të vështira del një Naim, bir shqiptari, fisnik shqiptar, i vë shpatullat kësaj barre, i del përpara kësaj nevoje me sukses. Në një kohë të shkurtër, duke e lënë emrin e namin e madh që mund të korrte në letërsi të tjera të mëdha, merret me hiçin dhe shpëton një gjuhë, atë të mëmës së vet që i dha gji dhe të “nënës së ëmbël Shqipëri që i jep forcën që ka dhe krijoi një letërsi të vogël me duart e tij për gati 10 vjet, letërsinë shqipe, pa u bërë merak për emra e përemra. Koha më vonë emrin e tij e ngriti në një piedestal akoma më të lartë. Ndaj, rilindësi nga anët e tij, Rauf Leskoviku, do të shkruante për të se: “shumë të rëndoi barra, por ti ngrite pa gur e baltë një shtëpi të lartë. Për të Naimi ishte profet mbi profetët dhe shkrimtar mbi shkrimtarët, i paarritshëm...
Pasi botoi “Iljadhën” e Omirit në shqip, Naimi s’u kufizua me kaq. Ai e dinte se koha e eposeve kishte mbetur në lashtësi e në mesjetë. Për shqiptarët e gjuhën shqipe puna ndryshonte. Ata kishin nevojë për një epos të ri kundër armikut që i kishte robëruar. Shqiptarëve u duheshin epose të rinj, epope të reja i prisnin. Prandaj “Homeri” shqiptar, Naimi, vendosi dhe shkroi jo një, por dy epose, dy Iliada. Në “Iliada” Homeri i vë bashkë perënditë me heronjtë e lashtësisë. Te Naimi i kemi të ndarë; kemi dy vjet më pas eposin e parë “Istoria e Skënderbeut”, që i kushtohet një heroi shqiptar të ndjekur po nga shokët e tij heronj, përballë pushtuesit të huaj. Vendin e Trojës (truallit L.B.) të lashtësisë këtu e zë Kruja (kroi, burimi – L.B.) e Mesjetës, e Skënderbeut, Me zjarr e shpirt i këndon të shkuarës së lavdishme të popullit të tij të shumëvuajtur por trim dhe i kujton se epopeja e re e çlirimit e pret përpara, për të luftuar si dikur.
Iliada e dytë, apo, si të thuash ajo “fetare”, është “Qerbelaja”. Në vend të një eposi Naimi krijoi dy epose për shqiptarët, për t’i mobilizuar në luftën për liri. Në qoftë se Homeri i këndonte të shkuarës, “Homeri” Naim duke evokuar të kaluarën indirekt i drejtohet shqiptarëve në emër të së ardhmes... Njeriu, duke parë këto dy epose të Naimit dhe gjithë atë punë që bëri për shqipen, Shqipërinë dhe shqiptarët, në një kohë relativisht të shkurtër, shumë intensive, që në fund të fundit i shkurtoi jetën, “e treti si qiririn”, nuk mund të mos mendojë se si ia arriti kësaj. Vetëm të bësh vlerësimin e saj duhet një njeri që të jetë, të paktën si Naimi, të ketë dijen e tij, kulturën e tij, gjuhët e tij dhe aftësitë e tij krijuese, drejtuese, organizative etj. Të mendonim vetëm ato çka përmendëm më lart për krijimtarinë e tij në gjuhën perse e greke me tërë variantet e saj, madje ai mund të kishte bërë, po ta donte puna, edhe në latinisht. Do të duhej të bashkonim një orientalist, zotërues të persishtes e gjuhëve të Lindjes si Vehxhi Buharaja, , një zotërues të greqishtes së vjetër e latinishtes si Gjon Shllaku, apo një zotërues brilant të greqishtes së vjetër e të re si Spiro Çomora, të shkrirë në një. Po dhe kjo s’do të mjaftonte sepse duhet të ishin krijues të poezisë në ato gjuhë të një niveli tepër të lartë si Naimi, gjë që është e pamundur. Për studimin e Naimit duhen ekipe të tëra specialistësh. Njeriu, duke u gjendur para një kolosi të tillë, nuk di se çfarë të bëjë, të qeshë apo të qajë me ata që tentojnë të hedhin baltë mbi një Homer të tillë shqiptar. S’na mbetet veç të vëmë buzën në gaz përpara këtyre njerëzve “mjeranë”, të cilët duke u përpjekur të hedhin “gurë” mbi Naimin, s’bëjnë gjë tjetër, veçse ato u bien mbi kokën e tyre, sa herë e ngrenë para lartësisë të kolosit NAIM; s’bëjnë gjë tjetër veçse provojnë liliputërinë e tyre... Liliputët, çfarëdo që të bëjnë, prapëseprapë mbeten me një “l” të vogël, ndërsa Kolosi Naim mbetet kolos më “K” e madhe që ka në krye e që gjithmonë është para “l-së”.
Studiuesi Dhori Qiriazi në fund të parathënies së vet e krahason poetin tonë kombëtar Naim me poetin kombëtar të grekëve Dhionisis Sollomos. Ai kap disa momente, që janë të përbashkëta, si të thuash, që i afrojnë. Shtëpia muze e Solomos-it është në buzë të detit Jon, në ishullin e Korfuzit dhe shikon përballë brigjeve shqiptare. Naimi për një kohë jetoi në Sarandë, përballë brigjeve korfiate dhe aty ka qenë për disa vjet drejtor i doganës osmane dhe ajo ndërtesë u bë më pas shtëpi muze e tij. Dy poetë kombëtarë, ndonëse në kohë të ndryshme, më dy brigje fqinje. Si kohë i ndan një gjysmë shekulli. Dhionis Sollomosi jetoi në gjysmën e parë të shekullit 19 dhe i parapriu, me veprimtarinë e vet, krijimit të shtetit grek dhe arriti të shohë jetësimin e tij. Ndërsa Naimi jetoi në gjysmën e dytë të shekullit 19 dhe veprimtaria e tij i parapriu, gjithashtu, krijimit të shtetit të vet, por në dallim nga Dhionisi grek, Naimi shqiptar nuk e pa shtetin e vet të pavarur. Dhori Qiriazi në fund nënvizon edhe mesazhet e miqësisë që përcollën të dy poetët. Naimi ndaj popullit grek e fqinjëve të tjerë ballkanikë në “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve” përcjell mesazhin e miqësisë dhe bashkëpunimit e respektit reciprok të të drejtave të secilit. Ndërsa Dhionis Sollomosi përcjell mesazhin e paqes midis popujve fqinjë dhe se populli i tij duhet të shohë vetëm në atë që i takon, jo me tepër. Gjithashtu, në jetën e tyre ka një moment të përbashkët në lidhje me krijimtarinë e tyre. Ata e filluan krijimtarinë e tyre poetike në një gjuhë të huaj. Sollomosi në gjuhën italiane ndërsa Naimi në gjuhën perse. Qëllimi ka qenë i njëjtë, afirmimi i tyre si poetë në gjuhë të rrahura të poezisë ku poezia kishte traditë shekullore, qoftë italishtja, qoftë persishtja. Mbasandaj ata me tërë forcat e shpirtit të tyre, tërë talentin e tyre e vunë në shërbim të atdheut të vet. Koha i afirmoi si poetë kombëtarë të vendeve përkatëse. Sollomosi, kur vdiq më 1858 në Korfuz, nuk kishte se si ta njihte Naimin 12 vjeçar, i cili qysh në atë kohë bënte hapat e para në njohjen e poezisë në disa gjuhë në sallonin e teqesë bektashiane të Frashërit si në persisht, arabisht, osmanisht, të Hatikasë, që këndohej në ditët e matemit (zisë) bektashiane, e shqipëruar nga poeti i Frashërit, Dalip Frashëri; poezitë e shkrimtarëve bejtexhinj shqiptarë të një Ibrahim Nezim Frakulla apo të Hasan Zyko Kamberit të Kolonjës, aty pranë etj. si dhe poezitë popullore të toskërisë, ku i këndohej trimërisë së shqiptarëve në luftë me armiqtë. Naimi, duke bërë “Zosimean” e Janinës, do të ketë mësuar diçka për poetin e sapovdekur grek, Dhionisis Sollomosi. Ndërsa në Stamboll s’është çudi që të ketë kaluar në çensurë botime me vjershat e poetit kombëtar të Greqisë, Dhionisis Sollomosi. Poetët sigurisht dinë të çmojnë poetët... Naimi, që e kishte greqishten si gjuhën e tij amtare dhe e dinte në perfeksion, nuk ka si të mos jetë frymëzuar nga muzat greke. Fakti që ai shkroi edhe në greqisht është dëshmia më e mirë për këtë... Sot, nga lartësia e 150 vjetëve nga vdekja e Sollomosit dhe mbi 100 vjet nga vdekja e Frashërit, ne jemi në gjendje të çmojmë më mirë si vlerat e tyre për kombet respektive edhe mesazhet e tyre për miqësinë e paqen midis popujve fqinjë e popujve në përgjithësi...



Mustafë Xhemaili
Të tjerat vijnë gjithmonë pas abc-së
Sabri Hamiti: ABC, botoi Rilindja, 1998

1. Hyrja për abc

Është leht të thuash ABC. Po cila është kjo abc-ja dhe e kujt është ajo? E shkollës, e jetës, e poezisë e amshueshmërisë? Si e ka realizuar poetikisht, dhe cilat diskurse dhe forma i ka përdorur Hamiti, për të ndërtuar një ABC poetike.
Në ABC tejshihet diskursi historik e forma letrare: libri poetik dhe uniteti i tij.
Këtë unitet e ndihmon lidhja e brendshme mes cikleve të cilat përbëjnë tërësinë e librit poetik duke filluar dhe kaluar nëpër Koha zero, ku gjenden shenjat dhe regjistri poetik, me toposin, topikën dhe topologjinë; duke gjetur dhe duke u futur në metaforën Lulet e egra, për të krijuar forcën e figurës, pastaj për të kaluara te Iliria me diskursin historik, rizbuluar rishmi përmes topikës por duke përdorur qart diskursin impersonal dhe personal.

2. KOHA ZERO (sistemi i shenjave)
Ta fillojmë leximin e tekstit sepse leximi i tij është thelbësor. Diskursi për atdheun është i përdorur nga Hamiti me një mjeshtri artistike si rrallë në poezinë shqipe. Leximin e mirëfilltë na e konkretizon alfabeti poetik i Atdheut. 36 shkronjat përbëjnë edhe 36 poezi, që këtu na dalin si rrugë, shtigje, por edhe krajata të njeriut nëpër rrugët e atdheut. Alfabeti për fëmijët e rritur bëhet edukatë, moral, përjetësi. Në ABC figuracioni poetik nuk del vetëm si një mjet për poetizimin e jetës, Mbi të gjitha, këtu na del sistemi i shenjave, me gjuhën e veçantë poetike, e cila lirisht mund të emërohet gjuhë poetike hamitiane.
Poezia e Hamitit nuk është thjeshtë një ekspoze alfabetike: Ajo te lexuesi hyn si një furi poetike me përmbajtje dramatike. Pikëshikimi i poetit nuk shpreh vetëm fiksion poetik për të përcaktuar pozicionin e tij ndaj jetës. Por edhe më shumë se kaq: veprimin. Nëse nuk vepron mbetesh jashtë, askund, edhe më keq: “mbetesh përjetë në gjini asnjënjëse”. Kushti është i rëndë. Duhet të zgjedhësh mes varrit të babës dhe varrit të nënës, dhe domosdoshmërisht përsëri mbetesh i lidhur me dhembjen (ah! pse gjithmonë me dhembjen!?) e përjetshme të etnosit:

Atdheu dhe Mëmëdheu lidhur dy gjini
Të tretën si dhembje e kanë në gji
(poezia Atdheu)

A fillon nga këtu koha zero e njeriut, a fillojnë këtu shenjat e shenjta të vetvetes, që quhen a t dh e, a fillojnë që këtu edhe shenjat e kolektivitetit?
Hamiti i vazhdon me ngjizjen e shpirtit, të etnisë te fjala. Në poezinë Besa, kjo shenjë emblematike ku përmes vargjeve “Farë e lindjes lidhë në terr” (...) “Fjala e jeta lidhen si kob”, del tragjedia e personazhit lirik dhe e etnosit. Dhe krejt natyrshëm vjen germa e tretë dhe poezia Cubi, njëra ndër më të bukurat përgjithësisht në poezinë shqipe. Kështu krijohet ABC. Të tjerat vijnë por, gjithmonë, pas abcës. Merrnie me mend “Cubi u nis të fshehet në malin Cullak”! Aq këmbëngulës, aq i shkathët e aq dinak vetëm e vetëm të gëzoj jetën, të jetë shenjë e shenjtë edhe atëherë kur:

Cilja e zemra e ftohur në acar
E lanë si cung se kohën kish harruar
(poezia Cubi)

Ndodh kështu sepse Cubi ka harruar kohën, dhe mjerë ai që harron kohën në të cilën jeton, kohën kategorinë kryesore të jetës dhe të vdekjes, harkun që lidhë dy mrekullitë e natyrës, Zotit.
Me një shkathtësi të jashtëzakonshme gjatë vargëzimit, Hamiti brenda kësaj poezie përdor 9 fjalë funksionale me polisemi të fuqishme teksture, intertesktore e metatekstore me nistoren c: cub, cullak, cem, cep, cikol, curr, Cilja, cung, cinik. Nga këtu del në sipërfaqe fuqia e gjuhës, tipari kryesor i poezisë së Hamitit dhe funksionaliteti i saj i shprehur në kulm.
Në poezitë si, Embetha, Ëh, Gjergji, Himni, Llapi, Shqipëria etj., por edhe Nana, Orfeu, Ura, etj., del në pah diskursi (historik, biblik dhe heroik), tema dhe toposi - vendi, klishea, por jo vetëm në kuptimin e thjeshtë të fjalës. Zhenet thotë “Nyja e kësaj vështirësie qëndron në një mënyrë në takimin ndërmjet tematikës origjinale dhe të “thellë” të individit krijues dhe asaj që retorika e lashtë e quante topika d.m.th., thesari i subjekteve dhe i formave që konstituonin të mirën e përbashkët të traditës dhe të kulturës. Tematika personale paraqet vetëm një zgjidhje të fituar ndërmjet mundësive të ofruara nga topika kolektive.” (Figura, f. 23, botimi shqip)
Te Hamiti shenja themelore dalin Nana dhe Ura, pra topikja e brendshme e kolektivitetit, duke u bërë klishe brenda qenies kolektive, përfaqësuar nga uni poetik (Rugova), nga heroi lirik (Bahtini), ndërsa unë do të thosha edhe nga personazhi lirikotragjik i Hamitit.

3. LULET E EGRA (forca e figurës)


Libri poetik si formë letrare, te S. Hamiti është i realizuar kaherë, madje që në librin e tij të parë me titullin thirrës metaforik Njeriu vdes i ri të botuar në vitin 1972. Poeti që atëherë poetizon njeriun si subjekt, jetën si hapësirë dhe vdekjen si përfundim dhe një rifillim: jeto sa të jetosh, njeriu vdes i ri!
Vet ky poet dhe studjues e kritik letrar, në Tematologjia kur zbërthen format dhe figurat thotë se përkundër librit si “album poetik, që mbledh lirikat pa një kriter të fortë” libri poetik dukshëm dallohet nga i pari me një “strukturim të fortë”. Por ta lëmë mënjanë autorin kritik, dhe t’i qasemi tutje autorit poet.
ABC, është e mbështetur fuqishëm në forcën e figurës duke krijuar një regjistër poetik alfabetik të dytë me radhë edhe te cikli Lulet e egra. Kjo figurë (lulet e egra) shndërrohet në metaforë, por si tërësi na del edhe si figurë në kuptimin siç shprehet për shembull Bergsoni se çdo kuptim i realiteve shpirtërore dhe jetësore ka natyrë intuitative, gjuha që i shpreh ato s’mund të ishte veçse metaforike.(D.Zhylie, Fjalori i filozofisë).
Ky cikël i dytë poetik, si i pari, fillon me germën A. Deri sa te cikli i parë poezia e parë është Atdheu, te cikli i dytë është Adami. Pra as Mëmëdheu as Eva (Hava) që do të përcaktonin gjininë femërore, pra plleshmërinë, nuk janë më të pranishëm drejtpërdrejt, por janë Atdheu dhe Adami, që të dy në formën dhe përmbajtjen e gjinisë mashkullore. Pavarësisht pretendimit të gjinisë për krijimin e botës dhe insistimit:

Ruana o i madhi Zot
Sherrit të Shejtanit
Sherrit të Insanit
Sherrit të Gruas
(poezia Adami)

në fund del se, pas vdekjes së Adamit, Eva është ajo që i sundon fëmijët e të parit. Simbolikisht, simbol që krahasohet me jetën, del që EVA sundon jetën e njeriut. Kështu poeti me forcën e figurës (figurave biblike, del në pah edhe diskursi biblik i autorit), rrënon realitet që nuk janë fiktive, por që janë reale e të pranishme në jetë.
Po te nistorja b dhe c, çfarë thurë poeti që të krijohet abcëja e brendshme, pra gjendja shpirtërore. Vallë a duhet gjithçka të paralelizoj me ciklin e parë? Jo! Se atje është abcëja e jashtme e shenjave të dukshme e sistemit të madh të poetit. Te gjendja shpirtërore na del Butrinti si një vlerë e lashtë si topikë e brendshme por edhe si një diskurs e formë këndimi, duke theksuar ambiguitetin. Ani se lidhja mes përmbajtjes dhe formës nuk është e drejtpërdrejtë dhe arbitrare, fjala Butrint fsheh në këtë rast dy e më shumë kuptime:

Aty koha njësohet mbrapsht
me zbulimin e mbulimeve
duke e lodhur kujtesën
se e shkuara është e ardhshmja
(poezia Butrinti)

Ta shohim tash nistoren c, ç’na sjellë ajo. Asgjë më shumë se dy fjalë, njëra prej tyre e përsëritur tri herë:

Cing
Cing
Cing

Cingërrimë
(poezia Cing)

A mund të zbërthehet e shikohet nga brenda më shumë kjo poezi? Dhe në fund të fundit a është kjo poezi? Po! Kjo është poezi e mirëfilltë. Ndoshta pa gjetjen e tillë të kësaj fjale dhe radhitjen në varg, alfabeti shpirtëror, gjendja shpirtërore siç thash më lart, nuk do të funksiononte.
Cing, cing, cing- cingërrimë, tingëllon diçka brenda personazhit lirikotragjik të Hamitit. Te ky personazh edhe kur duket që nuk funksionon asgjë, brenda tij dëgjohet diçka, krijohet një alarm. Ky alarm shpirtëror është domethënës, për të rifilluar diçka, për të pasur kujdes, për t’u zgjuar nga ndërdija, për të aguar një mëngjes, për të lindur një ide, një fjalë, një zë – cingërimë. Pastaj të gjitha tjerat vijnë: Çelësi (Si do ta zgjidhë gjuhën / Ku ka çelës ka edhe dry?/, vjen Dimër (Përsëritja përsëritet përsëri - një aliteracion model), për të ardhur te Dhjata (O Nanë!) para se të vjen Egërsia kur atëherë “ngrica ngrit pushtetin”, për të hyrë në Ëndërr, kur i kërkohet që para se të zhytet aty (dhe ajo është si vdekja vet) të jetë i dlirë si loti (Hyra në lëkurën time, i shtypa kujtimet, e fshiva kohën, të jem i pastër si loti në mbarim.), sepse do të vijë Frika:

Je bir i nevojës jashtë të nxori dheu
Kur në këngë lotuese u mbështoll Atdheu
Varret të shërojë të zgjohet nga shpresa
Ti je i lavdit që të krijoi mungesa

E kështu leximi i tekstit vazhdon deri sa krijohet plotësisht harku i shenjave të shenjta deri ta poezia Zoti (Kur isha fëmijë s’e njoha Zotin / Ai më njohu si fëmijën e vetë) dhe te poezia ZHYMI, njëra ndër pozitë më të bukura në gjithë librin poetik, kur përfundimisht (vallë përfundimisht!!):

Shtëpia bëhet lëndinë e shkretë
E mbetet shenjë një grusht zhym

Është e kotë të rikthehem apo të shkoj tutje, sepse zhymi është një gjetje e saktë poetike për përmbyllje edhe për këtë cikël, edhe për leximin tim të tekstit të S. Hamitit deri këtu. Dhe, veçanërisht, vjegëz e fortë për të kaluar te cikli tjetër.
Dy ciklet paraprake, që përbëjnë një veçanti uniteti, kapituj të një abetareje për fëmijë të rritur, siç do të shprehet autori, ishin të ndërtuar në bazën e një alfabeti me sistem të shenjave të kolektivitetit, me diskurset historike, biblike, heroike dhe në formën e spikatur letrare librin poetik si kundërpeshë (por jo kundërvlerë) e albumit poetik, madje edhe deri tek format e vargëzimit si soneti (Ura, Veremi), apo monokolonshe (si Jeta, Rrota e Perdja, me polisemi e nivele të shumta semantike, poezi këto antologjike për mendimin tim, me përmasa planetare, të cilat, këtu, të tërat do t’i sillja me kënaqësi); trevargshin, (Qimet, një sarkazëm e pastër,) dhe distikun, te poezia me topikë të theksuar Llapi, etj. Të gjitha këto në drejtpërdrejtshmëri të ndërtimit e kultivimit të sistemit poetik të universit letrar të S. Hamitit.

4. ILIRIA (diskursi personal dhe impersonal)

Iliria është tekst edhe i shenjave të kolektivitetit. Autori ka përdorur veç diskurseve historik, biblik dhe heroik, edhe diskursin personal dhe diskursin impersonal. Këtë mund ta zbërthejmë duke hyrë në tekste të poezisë dhe nga brenda të bëhet leximi. Te poezia Koha, (një poemth në vete), që në libër është vënë pas poezisë Perëndimi, veç diskursit historik (Iliria: Agroni, Teuta), shihet diskursi personal i autorit, të rrëfyerit në veten e tretë:
Nisën të rrethojnë një pamje të votrës (Agroni e Teuta, ndërtojnë diçka, shtëpi klan, mbretëri, pasuri, familje), Aty në tehun e shkumës së deteve/ Ishin të zënë piskë se villte stuhia (gjeografikisht në brigjet e deteve si kufij dhe vijë zjarri me sulmuesit- historikisht romakët pushtues), Nga deti adrian kuaj valësh e tmerri/ e në malet rodopeshë cinc cingërima (përsëri cingërima që e zbërthyem më lart), përleshjet e pashmangshme e Në hark e shigjetë njohën vetveten duke vazhduar deri Albani e Kryetrimi (këtu Gjergji i nënkuptuar, ndërsa poezia Gjergji në ciklin e parë, si diskurs historik dhe si topikë e përbashkët e shqiptarëve),

Se vetë shqiptari lau faqen i pari
Përkundi fëmijët dhe rriti bimët

si përfundim i një diskursi personal me konstatimin se jeta e kombit jepet dhuratë për historinë, poashtu për vazhdimësinë e k o m b i t.
Kështu vazhdon me Migrenën shqiptare (Njëra pjesë, Pjesa tjetër dhe Tërësia). Te Paqja kriminale, kemi një diskurs të thellë impersonal. Lënda poetike e ndarë në tri pjesë, klithë nga brenda prej revoltës, kryengritësisë dhe besimit:

Dot të ketë po kryeçarë që i vijnë tërthorë oborrit
Të djegur flakë e shkrum deri në pragun e vorrit
Djem që dijnë se liria nuk jipet si një dhuratë
Njohin valën e stuhisë të fshehur në mal të thatë
Se dielli nuk zihet rob as me rrjetë as me shoshë
(f. 105)

Me diskursin impersonal te nëncikli Hapësira me topikën e theksuar si shenjë e jashtme, në poezinë Kosova dhe topologjinë si shenja të brendshme (Shpirti, Trupi, Zemra dhe Ashti), S. Hamiti, formon harkun e vetë diskursiv përmes poezisë në tercinë Shqipëria, për ta lënë hapur po këtë hark me poezinë Çamëria, duke vënë shpresën përfundimtare te poezia Lindja, si një diskurs i ri krejt inpersonal, tronditës: Me panla të kohës rishmi del shtëpia.
Më bukur zor se thuhet poetikisht.

5. Dalja nga abc


Struktura e fortë e ndërtimit të vargjeve, shumëllojshmëria e tyre dhe stili i veçantë poetik (autori është i gatshëm të poetizojë çdo gjë në dobi të poezisë), janë vazhdimësi e poetikës, së përgjithshme të S. Hamitit.
Studjuesi më i mirë deri sot, i poezisë së këtij autori, kritiku Ibrahim Rogova konstaton sakt: “Elementi me rëndësi në sistemin poetik të S. Hamitit është dukuria e restrukturacionit, që në fakt është një ndërlidhje esenciale midis librave të poezisë(...)”(Sistemi poetik i Sabri Hamitit, studim për “Trungun ilir”).
ABC si libër poetik është një nyje e fortë mes opusit letrar poetik të Hamitit të para dhe pas kësaj vepre. Kjo nyje paraqet edhe hallkën kryesore lidhëse në ndërtimin e sistemit të plotë poetik të poezisë hamitiane.

Literatura:

1. Sabri Hamiti: ABC, Rilindja, Prishtinë, 1994
2. Sabri Hamiti: Tringu ilir, Rilindja, Prishtinë, 1983
3. Sabri Hamiti: Tematologjia, ASHA e Kosovës, Prishtinë, 2005
4. Jeronim De Rada: Parimet e estetikës, Globus R., Tiranë, 2003
5. Kujtim M. Shala: Shekulli i letërsisë shqipe, Fatik Konica, Prishtinë, 2006
6. Zejnullah Rrahmani:Teoritë letrare moderne,Faik Konica, Prishtinë, 2001
7. Aistoteli: Poetika, Rilindja, Prishtinë 1984
8. R. Velek e O. Voren: Teoria e Letërsisë, Rilindja, Prishtinë1992
9. Roland Bart: Aventura semiologjike, Rilindja, Prishtinë, 1987
10. Zherar Zhenet: Figura, Rilindja, Prishtinë, 1985
11. Ibrahim Rugova: Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980
12. Rexhep Qosja: Tri mënyra të shkrimit shqip, Prishtinë, 2004
13. Didie Zhylie: Larousse - Fjalori i filozofisë, SHBE, Tiranë,1994
14. Dictionnaire de la langue française, Hachet, Paris, 1980
15. Grup autorësh: Mythologie, Parragon, Toulouse, 2004