ARTE

Akil Mark Koci

Vibracione të shpirtit shqiptar

Parathënie[1]

Për një krijues apo studiues të artit nuk është aspak e lehtë, madje përbën një sfidë të vërtetë, me shumë të panjohura, guximi për të shkruar rreth veprimtarisë krijuese të kompozitorëve shqiptarë të një periudhe të caktuar.
Thënë ndryshe, të flasësh dhe të hulumtosh veprat e personaliteteve që kanë bërë histori në lëmin e artit muzikor, do të thotë të jesh i ndërgjegjshëm për faktin që ata mishërojnë alfën dhe omegën në njërin prej lëmenjve artistikë, shkencorë dhe kulturorë, përderisa veprat e tyre, qofshin muzikore, apo etno-muzikologjike, kanë lënë gjurmë të thella në krejt krijimtarinë muzikore shqiptare.
Në ndërmarrjen e kësaj nisme, më ka nxitur e më ka dhënë zemër fisnikja Xhejlane Broqi.
Edhepse ka vite që ka ndrruar jetë, ngrohtësia e fjalës e jehonat e këshillave të saj më kumbojnë ende në vesh e në zemër. Kjo interpretuese e mirënjohur e këngës popullore, më pat ndenjur oreçast pranë, në ditë të mira e të vështira, jo vetëm si bashkëshorte shembullore, por edhe si kolege, si shoqe jete e devotshme dhe si burim i pashtershëm frymëzimi.
Me të pohuar këto, në një farë mënyre seria e librave që po nis sot, përbën homazh për këtë zonjë, që muzikën në përgjithësi, dhe atë kombëtare në mënyrë të veçantë, e pati ushqim shpirtëror. E shijoi vetë, por edhe e ndau me bujari me të gjithë dashamirët e panumurt të artit.

* * *
Po të këqyren nga pozitat e kodeve të mirëfilltë të kritikës dhe të estetikës muzikologjike, subjektet e veprave artistike të personaliteteve që po analizojmë, mbartin jo vetëm karakterin informues, por edhe struktura komplekse, pra përgjithësisht faktorë të rëndësishëm në historinë e muzikës sonë.
Nga ana tjetër, shtrirja kohore e krijimeve të tilla paraqet një vështirësi tjetër, ngaqë kritiku a muzikologu ndeshet me probleme të llojllojshme gjatë shqyrtimit të tyre, nga njëra anë të natyrës teknike, siç është, bie fjala, sigurimi i literaturës përkatëse dhe, nga ana tjetër, me kërkesat e mëdha e shumëplanëshe që lyp zbërthimi i thellë profesional i krijimeve të lartpërmendura. Madje, një gjë e tillë mund të bëhet shkak për një paraqitje më të thukët, sidomos kur intervali kohor nëmes krijuesit dhe analistit të veprës së tij, ka shtrirje të gjerë. Veç sa sipër, krijimtaria e autorit që bëhet objekt studimi, mund të jetë e gjithanshme, sepse pos veprave muzikore të mirëfillta, mund të na ketë lënë edhe shkrime muzikologjike, të cilat përfaqësojnë njëherazi lëndë të parë fort të çmueshme, por edhe brengë nga këndvështrimi i vështirësisë së pasqyrimit të shkallës së ndihmesës së akcilit krijues, që mishëron një epokë më vete, siç është rasti me disa nga autorët tanë më në zë në fushën e muzikës.
Përvojën time në hulumtimet kritike, eseistike dhe publicistike në përgjithësi e quaj modeste, edhe pse me këto gjini merrem prej një kohe të gjatë: që nga shkrimi im i parë, që daton në vitin e largët 1958, në faqet e “Rilindjes”, e vetmja gazetë shqipe që dilte dy herë në javë, të enjten e të shtunën.
Qysh atëhere e deri më sot kam shkruar pandërprerje: mbi 250 artikuj, kritika muzikore, ese, trajtesa, analiza, studime, punime shkencore, si dhe dy libra: Portrete të kompozitorëve shqiptarë në Jugosllavi, botim i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës dhe Edukatë muzikore për klasën VII dhe VIII, botim i Entit për Botimin e Librit të Kosovës. Në këtë listë përfshihet edhe punimi i Magjistraturës, një studim më i gjatë me titull Elemente të folklorit popullor shqiptar në veprat e kompozitorëve tanë dhe të huaj, Nëntë simfonitë e Ludvig van Beethovenit, sidhe disa të tjera (në dorëshkrim).
Në punimet e lartpërmendura jam përpjekur të parashtroj jo vetëm qasje të mirëfillta muzikore mbështetur në kode muzikologjike, por edhe mbresat vetjake, të shoqëruara me mendimin estetik për koncerte të caktuar e, pse jo, edhe vlerësime shkencore për ndonjë vepër muzikore apo etnomuzikolo-gjike.
Në gjithçka që hedh në letër, prirem e synoj të mos jap shkas për debate pa bukë dhe nuk i ve vetes qëllimin të “zbuloj të metat” e veprës, ku janë e ku s'janë, por të nxjerr në pah anët më pozitive dhe më të spikatura të saj. Në këtë aspekt kam mbajtur mirë parasysh që, në çdo notë muzikore është shkrirë djersa dhe angazhimi profesional i autorit, sepse çdo vepër e krijuar, përveç vlerave artistike dhe estetike, paraqet përvojën dhe ecurinë e autorit e të krijimtarisë së tij në tërësi.
Gjithmonë kam qënë e vazhdoj të jem i mendimit se respekti i vërtetë për punën e madhe të çdo autori dhe vlerësimi real i veprave artistike sipas bindjeve profesionale përkatëse, arrihet vetëm duke u mbështetur me besnikëri dhe pa ngurrim në kodet e vërteta artistike dhe estetike, në shkencën muzikologjike.
Gjithashtu jam i vetëdijshëm se kanë mbetur ende shumë gjëra për t’u ndriçuar në universin artistik-estetik të hapësirës mbarëshqiptare, ku krijuesit e panumurt e përherë e më cilësorë, po përpiqen me sukses që parimet universale e të gjithëpranuara ontologjike t'i veshin me “kostum kombëtar”, si parakusht për pasurimin e pentagramit muzikor botëror me nota shqiptare burimore, të kumtuara nga un-i individual, me nivel profesional të lakmueshëm e në pajtim me kërkesat e kohës.
Për kësi lloj shkrimesh është me interes të ceken mendimet e shkrimtarit të madh francez Honoré de Balzak e të dramaturgut pa aq të shquar gjerman Berthold Breht. Ky i fundit vëren: ”Kritika është një armë që mund të shpartallojë edhe regjime, të rregullojë edhe nivelin e lumit, të mbjellë drufrutorët dhe njëharazi është model i artit “. Bertold Brehti, si njohës i mirë i kritikës botërore, pohon e njëkohësisht shfaq shqetësimin për ndonjë mohim të mundshëm të meritave të veprës, varësisht se nga cili këndvështrim shkruhet, analizohet, vlerësohet ose denigrohet. Pra, kritika duhet të ketë synim objektivitetin shkencor dhe artistik.
Le të kthehemi sërish tek Balzaku, i cili njihet si shkrimtar, që gjithnjë ka pasur vërejtje për kritikën e kohës. Në përgjigjje të një sulmi, që nuk linte gur pa lëvizur për t'ia përdhosur veprën, Balzaku shprehet: ”Ai që mezi flet gjuhën e tij, thotë se qënkam purist dhe mohon stilin, kur një libër ka një stil të bukur; mohon planin, kur ka një plan; mohon gjithçka që ka të mirë një vepër dhe lavdëron gjithçka që ajo nuk ka: kjo është metoda e tij. Vëzhgon ato anë që krijuesi ia del mbanë dhe kur ia ka njohur cilësitë reale, mbështet akuzat e veta duke deklaruar: kjo nuk është kështu”.
Ideja për t’i përmbledhur në një libër, që e kam titulluar Vibracione të shpirtit shqiptar, disa nga shkrimet e mia (të rishikuara), kushtuar jetës dhe veprës së katërmbëdhjetë prej kompozitorëve, lëvruesve dhe interpretuesve të njohur të muzikës shqiptare, të botuara në gazetën “The Albanian” të Londrës, në “Illyria” të Nju Jorkut, në shumë gazeta të tjera, si: “Fokus”, ”Koha ditore”, ”Zëri”, “Fjala” e ”Iliria Post” të Prishtinës, më pas në mjaft organe dhe faqe virtuale të Internetit, është e kahershme dhe pa pretendime të mëdha.
Por, shndrrimin në vendim të idesë së sapopërmendur, po e kryej disi me vonesë, bash tani, në moshën e tretë të jetës, përmes hedhjes në letër të gjithçkaje që kam lexuar, jo vetëm ”si prirje e specifikës narrative, si mjeshtëri artistike”, por edhe me dëshirën për të ndriçuar anë të ndryshme, për shumë aspekte me përmasa artistike dhe estetike, pa u mjaftuar vetëm me caqet e këndvështrimit thjesht vetjak.
Shtysa vjen natyrshëm, ngaqë kam pasur rastin fatlum të shoh, të dëgjoj e, brenda mundësive të mia, të përcaktoj vlerat e vërteta të krijimeve të kompozitorëve shqiptarë. Këtë detyrë e kam përmbushur sidomos përmes ligjëratave të shumta që kam mbajtur para nxënësve të shkollës së mesme muzikore, studentëve të Fakultetit të Arteve që nga viti 1975, në kuadër të lëndës “Njohuri e literaturës muzikore”; referateve dhe kumtesave që kam paraqitur në konferenca, simpoziume, kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare e sidomos në auditoret e Akademisë së Arteve në Tiranë. Pra, mund të them se vështrimet e opsionet më kanë shërbyer si “nxitje e brendshme... për veprim”.
Siç e zura në gojë më sipër, kam botuar shumë për veprimtarinë e kolegëve dhe të personaliteteve të tjera të fushës së muzikës, por një drejtim tjetër i vëmendjes sime ka qënë t'ia bëj të njohura, me mënyra e mjete të ndryshme, arritjet tona artistike në përgjithësi, opinionit të gjerë, kryesisht me shkrime, së pari në gazetën “Rilindja”, si gazeta e vetme shqipe, që nga viti 1958; pastaj në ”Flaka e Vëllazërimit” të Shkupit, “Jeta e Re”, revistë letrare, “Zëri i Rinisë”, ”Përparimi” - revistë shkencore; “Zvuk” e ”Pro musica” - revista muzikore të ish-Jugosllavisë. Informimin e qytetarëve e kam kryer edhe me cilësinë e redaktorit e të bashkëpuntorit të Enciklopedive të ish-Jugosllavisë: kroate, sllovene dhe shqiptare, sidhe të shumë revistave e gazetave, jo vetëm në shqip, por edhe në disa gjuhë të tjera. Këtu hyjnë gjithashtu emisionet e panumurta në Radio-Prishtina, që i kam përgatitur për rubrikën “Takimi në orën 14:02” (në periudhën 1962-1975), për rubrikën ”Fjala dhe muzika” (në vitet 1970-1982), krahas vështrimeve dhe kritikave që transmetoheshin në ditar si emisione informative e deri te ato muzikore të mirëfillta, me komente, kritika dhe ese.
Këtë traditë e vazhdoj edhe sot e kësaj dite: kam emisione në faqet e internetit, përmes Podcast-it të parë në gjuhën shqipe, të cilat teknikisht realizohen nga im bir, Arbëri, i diplomuar për Filozofi dhe Shkencë në Economic School të Londrës, një nga dhjetë universitetet më të njohur të botës.
Sidoqoftë, më duhet të pohoj se nuk kam shkruar aq sa duhet, ngaqë më kanë revoltuar debatet e shpeshta, të ushqyera jo nga procedimet artistike normale, por nga prapaskenat e intrigat misterioze, krejtësisht të papërcaktuara, që, me dykuptimësitë e pashpjegueshme, jo rrallë kanë krijuar situata të zymta. Për këtë “sëmundje”, në “Kritika e dialektikës”, Teodor Adorno thotë me dëshpërim: ”Përse të shkruaj kur gjithçka rreth meje është sklerotike dhe e dyshimtë?”.
Sa për vete, megjithë pengesat objektive dhe më fort subjektive, që kanë nxjerrë krye kurdoherë dhe nga s'ta pret mendja, gjithmonë kam qënë optimist, kam besuar jo vetëm në përvojën time pozitive, por edhe në mendimet e njohura se “Arti i vërtetë përkryhet edhe me përplasje; në luftë mund të ketë edhe të mundur”, por “kjo nuk na pengon, - vëren Pol Elyari në Ese dhe shkrime të tjera kritike, - të kuptojmë se, duke u nisur nga ata, mund të nisë shpresa dhe të fillojë përsëri lufta”.
Këtu më duket se është me interes të preket edhe një çështje. Tek ne shkruajnë artikuj kritikë edhe ata, të cilët jo vetëm s’e kanë profesion muzikën, por kurrë nuk na i ka zënë syri në mjedise muzikore. Le pastaj të ashtuquajturit “muzikologë”, të cilët, megjithse me vite të tëra nuk shkojnë në koncerte e as në ngjarje të tjera muzikore, i japin të drejtën vetes që, jo vetëm të shkruajnë, por edhe të kritikojnë ex catedra. Këtu duhen përfshirë edhe disa të tjerë, të cilët ngrenë në qiell vepra të dobta nga çdo pikëpamje.
Kam shtruar shpesh herë pyetjen: Ku është këtu funksioni i kritikës së vërtetë, që ka qënë dhe mbetet zëri i ndërgjegjjes?
Por, me sa po shohim, në përgjithësi fjala është zhvlerësuar deri në atë shkallë, saqë nuk ia vlen barra qiranë të shkruhet, edhepse kritika duhet të lidhet me kërkesat pragmatike, pavarësisht nga lavdia, pompoziteti apo trivialiteti. Rrezikshmërinë dhe dëmin që u sjellin paçavuret e të ashtuquajturve kritikë, në radhë të parë vetë autorëve të veprave muzikore, Balzaku e ka përshkruar në faqe të tëra në Iluzione të humbura, duke folur për faktin që “në të shumtën e rasteve kritika shitet dhe blihet”, ngaqë “gazetat e botuesit e tyre janë të molepsur nga korrupsioni”.
”Kritika - ve në dukje Balzaku, - sot shërben vetëm për diçka: të mbajë gjallë kritikun”. Mllefin ndaj kësaj të ashtuquajture kritike, Balzaku e ka derdhur edhe në romanet Savarusi dhe Shkëlqimi e mjerimi i oborrtareve, duke i damkosur kritikët si të paaftë për të krijuar, njëlloj si “oborrtaret” (kurtizanet), të cilat kurrë nuk janë në gjendje dashurojnë”.
Balzaku ka bërë shumë vërejtje për kritikët e dobët, për kritikët që nuk merren vesh se ç'thonë, që nuk kanë dinjitet, njohuri dhe as profesionalizëm. Ndërkohë tërheq vëmendjen se kritikë duhet të shkruajë në radhë të parë krijuesi i mirëfilltë, i cili e njeh procesin krijues. Prandaj edhe shton: ”Një shkrimtar i zoti që është krijues dhe e njeh procesin krijues, mund të shkruajë më së miri dhe të kritikojë, sepse e do artin”.
Mjerisht, tek ne, ashtu si në kohën kur ka jetuar e krijuar Balzaku, shkruajnë kritikë jo vetëm ata që s’e njohin dhe s'e dinë procesin krijues, por që s’e duan as artin. Ç'është më e keqja, këta palokritikë nuk e shohin të arsyeshme që, para se të shkruajnë për veprat e një autori, të zhvillojnë me këtë të fundit ose me ndokënd tjetër, qoftë edhe një bisedë të vetme dhe sidomos t’i kenë para vetes krijimet, për të cilat do të bëjnë fjalë.
Këtë e them nga përvoja ime e gjatë. Për shumë vepra muzikore të miat kanë shkruar “kritika” jo vetëm pa i dëgjuar e pa i parë veprat e mia, por edhe pa biseduar me mua.
Prandaj, në morinë e kritikave për krijimtarinë time, ka edhe të atilla që më bëjnë të skuqem sidoqë janë të mbushura me plot lavde. Ndër autorët e shkrimeve të kësaj kategorie, fatkeqësisht, prijnë “muzikologët e diplomuar”.
E, pra, kritika mund të jetë e shëndoshë, domethënëse, dobiprurëse dhe sidomos e paanshme, vetëm kur kritiku do të gjejë sa më shumë pika të përbashkëta me krijuesin e veprës muzikore, sepse është e domosdoshme që kritiku, para se ta zbërthejë e ta analizojë veprën, të gjurmojë, të hulumtojë, të zhbirojë, sidhe të kërkojë e të dëgjojë me respekt mendimin e kompozitorit bash në valën e procesit krijues. Duhet të veprojë pikërisht kështu dhe jo ndryshe, sepse kjo është me përfitim jo vetëm për autorin e veprës, pra për kompozitorin, por, para së gjithash për vetë kritikun, sepse do të ketë rastin e mundësinë të hedhë në letër një shkrim apo ese të argumentuar, të besueshëm nga lexuesit e të dobishëm për ecurinë e mëtejshme e për rritjen e autoritetit të kritikës artistike. Për fat të keq, një marrëdhënie e tillë, krijues-kritik, nuk ekziston. Këtu e kanë burimin kritikat në hava, kritikat roma për toma, servile, denigruese, të cilave ka ardhur koha t'ua zenë vendin kritikat e pjekura, dashamirëse, nxitëse e inkurajuese, të bazuara në kodet e shkencës muzikologjike dhe të estetikës. Vetëm kësisoj, e përsërisim, do të ngrihet rejtingu, jo vetëm i krijuesit, por edhe i kritikut.
Me këtë përmbledhje shkrimesh, të përfshira në librin Vibracione të shpirtit shqiptar, nuk pretendoj se opinionet që kam shprehur për katërmbëdhjetë nga personalitete të muzikës shqiptare dhe për veprat e tyre, janë fjala e fundit, të cilën nuk e luan as topi. Këto janë shkrime që pasqyrojnë mbresat e mia, ndjenjat vetjake, respektin ndaj krijuesit dhe punës së tij të madhe, pa kujtuar se po arrij majat e analizës shkencore. Ato kanë para së gjithash karakter njohës, informues për krijimtarinë dhe veprimtarinë dinjitoze të kolegëve të mi, që janë në mesin tonë ose në amëshim. Nga ana tjetër nuk kam dashur që disa nga xhelozia e ulët profesionale të kryejnë eutanazinë mbi veprat e tyre.
Jam i vetëdijshëm për dobësitë e mundshme, për mangësitë dhe të metat e punës sime individuale. Por, në të njëjtën kohë, jam i bindur se këto që kam shkruar këtu do të ndikojnë sadopak që krijimtaria e kolegëve të mi të mos harrohet e të mos anashkalohet pa u vlerësuar, sepse ”arti - thonë filozofët - nuk është lojë, nuk është vetëm formë; arti është ndjenjë dhe ide. Arti nuk ka qënë e nuk ka për të qënë kurrë mjet argëtimi për t'u harruar. Arti shtron probleme, nxit ide, mendime. Mjet argëtimi i rëndomtë mund të jetë vetëm antiarti ”.
Duke u bazuar në thënien e filozofit të njohur Albert Rasell, i cili konstaton se ”krijuesit muzikorë janë të vetmuar në mes të botës, me gjuhën e tyre pak a shumë të pakuptueshme”, u duhet dhënë krijuesve vendi i merituar, sepse me veprimtarinë që zhvillojnë e kanë pasuruar jo vetëm opusin e tyre, por edhe atë kombëtar e më tej.
Në këtë hulumtim, analizë dhe rrëfim në veten e parë për kolegët e mi, gjallon pa dyshim një arketip i diskursit komentues dhe i diskurseve muzikologjike. Këtu mbështetet edhe koncepti themelor i shkrimeve të mia, të cilat synojnë të jenë shtjellime investiguese, me vlerësime artistike, pse jo edhe shkencore, dhe njëherazi të kenë tiparet e studimeve kërkimore empirike të krijimtarisë artistike, në këtë rast të një periudhe me përmbajtje konsistente. Dihet se muzika nuk është art i heshtjes, siç është arti pamor, por është edhe “art, i cili sapo lind, menjëherë vdes, çka nuk ndodh me artin pamor”, na mëson Leonardo da Vinçi.
Besoj se mendimet e mia do t’u shërbejnë lexuesve të nderuar, madje edhe historianëve e muzikologëve, për të ofruar njohuri e informim më të gjithanshëm për këta krijues dhe për veprimtarinë e tyre si figura koherente që marrin kuptimin e një vlere kombëtare.
Duke i falenderuar paraprakisht lexuesit për shfletimin e librit tim modest, sërish shpreh besimin se këto faqe do të ngacmojnë sadopak kurreshtjen e lëvruesve dhe dashamirëve të muzikës dhe mbase do të shërbejnë si katalizator për ndërmarrje studimesh të tjera në këtë fushë, sa të gjerë, aq edhe fisnike.
Në fund, u shpreh mirënjohjen shkrimtarit e drejtorit të gazetës “The Albanian”, Petrit Kuçana, në Londër, shkrimtarit Frrok Kristaj, redaktor në “Iliria Post” në Prishtinë, shkrimtarit Mehmet Kraja, redaktor në “Koha Ditore” në Prishtinë, shkrimtarit Ibrahim Kadriu, redaktor në gazetën “Zëri,, në Prishtinë, shkrimtarit Dalip Greca, redaktor i gazetës “Illyria” në Nju Jork dhe shumë të tjerëve, që m’i botuan këto punime, dhe në mënyrë të posaçme prozatorit, poetit, eseistit e kritikut Prend Buzhala, redaktor në të përjavshmën “Fokus” të Prishtinës, Shoqërisë Kulturore Shqiptare Haemus të Bukureshtit, Shtëpisë së saj Botuese Librarium Haemus dhe drejtuesve të tyre, akademikut Kopi Kyçyku dhe shkrimtarit Ardian-Christian Kyçyku, që mundësuan daljen e këtij libri dhe së bashku besoj se e pasuruam mendimin kritik për krijimtarinë muzikore shqipe në tërësi.
Londër, korrik 2008

Bardi i muzikës, kompozitori Çesk Zadeja
(Në 80-vjetorin e lindjes e 10-vjetorin e vdekjes)

Kompozitori dhe profesori Çesk Zadeja është krijues që ka përfaqësuar dhe përfaqëson personalitetin më të shquar në universin tonë të gjithëmbarshëm muzikor kombëtar. Ai përfaqëson figurën krijuese të shndrruar në emblemë e në mit.
Me potencialin e vet krijues, Çesk Zadeja na përshfaqet si një erudit i spikatur artistik, që me veprat e krijuara zë vend të konsiderueshëm e bindës në mbarë krijimtarinë bashkëkohore muzikore shqiptare, si dekan i saj.
Duke krijuar në pesëdhjetë vjetët e fundit të shekullit XX, Çesk Zadeja nuk ka qënë krijesë mistike, imagjinare e as profeci, por një homos ludens, poliedrik, njeri me shumë vlera.
Në krijimet e tij të shumta nuk hasim në efektet e zhurmës dhe të heshtjes, por në muzikë homotonike, që nxit konvencionin aq të fuqishëm e që simbolizon me veçoritë më të spikatura frymëzim lirik e dramatik, të shoqëruara harmonishëm.

Sfidues i realizmit socialist

Çesk Zadeja flet me gjuhën e vet muzikore, të dalë nga koka dhe shpirti i një artisti të madh, duke shprehur evoluim ndjenjash, për ta paraqitur sa më mirë koherencën e brendshme të fantazisë aq të bujshme, aq të begatshme dhe aq sfiduese, duke shpërfillur rregullat skolastike. Të gjitha këto veçori stilistike e bëjnë muzikën e tij të pëlqyeshme: linja melodike, ritmi dhe harmonia mbartin në vete forcë të pashtershme artistike.
Nuk mund të themi se në veprat e tij nuk ka rregulla, por këto janë të sanksionuara brenda normave klasike, pa u bazuar në skolastikën e rreptë të teoricienëve abstraktë dhe as në produktet e avangardistëve. Nocionet e qarta, ndërthurrja dhe bashkëshoqërimi i fantastikes me realen, ndikojnë pozitivisht në ndërgjegjen tonë.
Çesk Zadeja ka qënë dhe me siguri do të mbetet kompozitori, mësimdhënësi, muzikologu dhe animatori më i respektuar nga të gjithë ne, falë dijeve e kulturës së gjerë muzikore, sensit pedagogjik dhe aftësive organizative.
Një figurë titanike që ia kushtoi tërë jetën muzikës, jetoi dhe veproi në kohën e një regjimi makabër, i cili nuk u lejoi qytetarëve të vet të zhvillojnë veprimtari artistike, shkencore e pedagogjike siç ua ndjente shpirti, pra si krijues të lirë, por ishin të detyruar që krijimtarinë e tyre ta kanalizonin rrëpirave të ashpra të një muzike vulgare të realizmit socialist, e zyrtarizuar dhe e postuluar nga kreu i partisë-shtet, vetëm e vetëm për të krijuar, siç komandohej nga lart, “një kulturë të re, kulturë komuniste,, .
Kjo moto e shëmtuar nuk vinte njeriun në vend të parë, - siç trumbetohej me të madhe, - por diktatorin dhe lavdinë e tij plotësisht të pamerituar.
Pra, në atë kohë absurde, që ishte sinonim i trysnisë psikike e fizike, jetoi dhe veproi kompozitori Çesk Zadeja, tek i cili dallonim personalitetin e madh dhe shumëpërmasor, që mishëronte në mënyrë harmonike krijimtarinë artistike, pedagogjike, organizative dhe përfaqësonte mendimtarin erudit në kohën e sundimit absolut të metodës satanike të realizmit socialist.
Tiparet që i përmendëm më lart ishin të pranishme në novatorizmin e tij krijues, në antidogmatizmin dhe mishërimin e tragjizmit në epokën që përjetoi Çesk Zadeja dhe populli i tij.
Ishte vështirë të jetohej dhe të krijohej në Tiranën e zymtë, në rrugët e saj të shkreta, në errësirën e pasperdeve të hekurta, në kohën kur në çdo moment dëgjoje për burgosje, vrasje, përndjekje familjesh. Nga ana tjetër, - ironi e fatit, - pothuajse të gjithë krijuesit bënin gara kush e kush të krijonte sa më shumë vepra për heronj komunistë, komisarë dhe palaço të tjerë, jo pse donin, por se kështu e lypte partia.
Pra, edhe te ky krijues gjejmë kompozime të kësaj natyre, por në një masë më të vogël: “Para stuhisë”, ”Nga ditari i partizanit”, ”Festë në fshatin socialist,, etj. Por, jo rrallë, Çesk Zadeja ka ditur t'i sfidojë kompozimet me tituj “evazivë” duke i emërtuar krijimet e reja me sintagma të tilla, si “Suita e Veriut”, ”Suitë korale”, ”Skica simfonike”, ”Poema vokale”, ”Romanca”, ”Simfoni”, ”Rapsodi për violinë” e të tjera.
Kur i bëja ndonjë pyetje që lidhej me atë dukuri, - entre nous, - gjithnjë më thoshte: ”Akil, mos u hy këtyne punëve”.
Edhe pse ne nuk ishim në një situatë më të mirë, gjithsesi më dhimbsej që një krijues i kalibrit të tij ishte i detyruar të kompozonte vepra me kësi lloj tematike, që të kujtonin thënien e Francis Bejkonit: ,,Në terr të gjitha ngjyrat duken si një e vetme”.
Çesk Zadeja, në atë terr kaloi një jetë prej asketi, por të ndershme, paçka se nuk ishin të paktë ata që mendonin se ishte i përkëdheluri i regjimit dhe i vetë diktatorit.
E vërteta ishte se, duke qënë i madh në krijimtari, gëzonte ca lehtësira të dukshme, por në fakt përgjohej e ndiqej pandërprerje dhe mezi prisnin të bënte ndonjë gabim, sado të vogël, që ta diskreditonin, sepse, veç të tjerash, pat qënë nxënës i një shkolle “të errët”, siç e quanin shkollën françeskane dhe mësuesit e saj, shumica priftërinj françeskanë, të cilët, me veprimtarinë e tyre shkencore dhe artistike, përbënin ajkën e kulturës e të krijimtarisë në të gjitha fushat në Shqipërinë e atëhershme.
Mirëpo, sidoqë oreçast kishte mbi kokë shpatën e Damokleut dhe, siç thotë Kundera: ”...ishte i detyruar të jetonte në një regjim komunist, në një regjim degradimi vlerash të njëmendta artistike”, Çesku ia dilte mbanë t’u bënte ballë rreziqeve e sfidave që e rrethonin çdo ditë, përfshi provokimet në orët e mësimit prej ca studentëve militantë komunistë.
Krijimtari e pasur muzikore dhe pedagogjike

Çesk Zadeja ndrroi jetë në moshën shtatëdhjetë-vjeçare, në kohën kur pritej të krijonte vepra dinjitoze me frymëmarrje të re në kohën e demokracisë.
Pra, pikërisht më 15 gusht 1997 muzika shqiptare humbi kompozitorin, pedagogun dhe përfaqësuesin më të shquar të krijimtarisë muzikore, njeriun i cili qysh për së gjalli u quajt monument i muzikës shqiptare.
Kompozitori Çesk Zadeja u lind më 8 qershor të vitit 1927 në Shkodër, dhe vdiq me 15 gusht të vitit 1997 në Romë.
Mësimet e para i mori në vendlindje, në shkollën françeskane, ku, krahas arsimit të përgjithshëm, u mëkua me njohuritë e para të muzikës.
Ka qënë pjesëtar i korit të Kishës Françeskane, që drejtohej nga kompozitori i shquar Padër Martin Gjoka dhe më vonë nga Filip Mazrreku e Prenk Jakova.
Që në vogëli, në qytetin e lindjes u përfshi në grupet artistike amatore dhe qysh herët shfaqi talent të rrallë. Për këtë arsye, në moshën 14-vjeçare shkoi për studime në Accademia di Santa Cecilia në Romë, te kompozitori Umberto Semproni.
Me ardhjen në fuqi të sistemit komunist, - që u vetëquajt dhe ende vazhdon të vetëquhet Çlirues i Shqipërisë, - në vitet 1946-1947 punoi në Radio Shkodra si përgjegjës i seksionit muzikor, kurse në vitet 1949-51 kreu shërbimin ushtarak si dirigjent pranë Ansamblit Artistik të Ushtrisë.
Moska atëbotë konsiderohej Roma komuniste e Bashkimit Sovjetik. Atje u dërgua edhe Çesku për studime, në Konservatorin “Pjotr Iliç Çajkovski”, dega e kompozicionit, në klasën e profesorëve dhe kompozitorëve M. I. Cukalli, Bogatiriev dhe Çullaki.
Me të kryer studimet me rezultate të shkëlqyera, u kthye në Shqipëri dhe në vitin 1957 u emërua udhëheqës artistik i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës, i cili sapo ishte formuar e ku Çesk Zadeja, deri në vitin 1962, zhvilloi një veprimtari të dendur si krijues dhe organizator i jetës edhe ashtu të vobegtë muzikore.
Çesk Zadeja bën pjesë ndër formuesit dhe drejtuesit e shumë instucioneve muzikore, përfshi Konservatorin (sot Akademia e Arteve), ku punoi tre vjet si pedagog, deri më 1962, kur u emërua udhëheqës artistik në Teatrin e Operës dhe Baletit (deri në vitin 1966).
Në vitet 1966-1972 ka qënë kryetar i degës së muzikës në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Fill paskëtaj doli në profesion të lirë.
Në periudhën 1973-1979 u caktua sërish udhëheqës artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit, në vitet 1979-1990 u rikthye në profesion të lirë, për të shërbyer në vitet 1993-1994 si pedagog i kompozicionit dhe i muzikologjisë në Akademinë e Arteve.
Profesor Zadeja është kompozitor që paraqet në universin tonë kombëtar figurën më të madhe krijuese dhe kohërisht i takon brezit të parë të kompozitorëve tanë të shkolluar, që hodhën themelet e muzikës klasike me përmasa të gjëra, si nga aspekti i trajtimit të lëndës muzikore e të formës artistike, ashtu edhe nga aspekti i melodisë, ritmit e stilit. Edhe si pedagog ka dhënë për vite të tëra kontribut të jashtëzakonshëm e tepër të çmuar.
Shumë programe të shkollave shqiptare të muzikës janë punuar, redaktuar apo bashkërenduar prej Çesk Zadejës. Dhe, nëse i hedhim një sy listës së krijuesve me shkollë të lartë muzikore, do të konstatojmë se sot ajka e lëvruesve të kësaj fushe përbëhet nga kompozitorët e diplomuar te profesor Zadeja (disa syresh nuk ndodhen më midis nesh: Tonin Harapi dhe Kujtim Laro). Ndër të gjallët, përmendim Thoma Gaqin, Agim Krajkën, Limoz Dizdarin, Shpëtim Kushtën, Kozma Larën, Aleksandër Peçin, Sokol Shupon, Ali Spahiun, Arian Avrazin, Ferikal Dajën, Vangjo Novën, Fatos Qerimajn, Ihsan Shehun e dhjetra të tjerë. Të gjithë këta luajnë rol të rëndësishëm në jetën e sotme muzikore në Shqipëri.
Por le të kthehemi sërish te Çesk Zadeja. Kur dëgjojmë muzikën e tij, bindemi se kjo gjini është art, i cili varësisht prej qasjeve dhe ngritjes intelektuale, vepron në kërkim të imazheve, tingullit, ritmit, fantazisë dhe misterit.
Theksojmë se, paralelisht, krijimtaria muzikore dhe pedagogjike e këtij kolosi është e gërshetuar me rolin e tij krejt të veçantë në organizimin e manifestimeve të ndryshme dhe të mbarë jetës muzikore shqiptare.

Simfonia e Zadejës - sintezë e mendimit muzikor estetik të popullit tonë

Sa herë përcjellim një vepër të Zadejës, përjetojmë kalimin drejt një qartësie brenda një universi trandës e të shfronëzuar, mbushur me dhembje, nostalgji, ndrojtje, por edhe me madhështi e hijeshi. E kjo na jep shpresë se me të vërtetë është bukur të jetohet edhe në këtë botë plot brenga e kundërthënie. Duke e vështruar veprimtarinë shumëplanëshe të Çesk Zadejës, në kushtet e rënda e plot privacione ideologjike e politike, i japim të drejtë kompozitorit të njohur Thoma Gaqi, ish-student i Çesk Zadejës, kur e portretizon kështu mësuesin e vet: ”Emri dhe vepra e Zadejës bëjnë pjesë në pantetonin e kulturës shqiptare. Personalitete të tilla vijnë një herë dhe mbeten të përjetshëm”.

Çesk Zadeja dhe Kosova

Zadeja, përndryshe jo vetëm miku im i madh, por i të gjithë krijuesve shqiptarë, me simpati të veçantë ndaj nesh, krijuesve kosovarë, ka ditur me urtësinë e tij të na afrojë, të kuvendojë, të na këshillojë dhe të na japë zemër në krijimtari. Aq më tepër kur dihet se, çdonjëri nga ne e kultivonte krijimtarinë muzikore në mënyrën e vet, por krahasimet i bënte me çka krijohej ne Shqipëri, në kuadrin e trendeve të kohës.
Më kujtohën shumë takime me profesor Çeskun, por një pa dyshim më ka ngelur në kujtesë, si i paharraueshëm.
Ishte viti 1976, kur Zadeja, ose profesor Çesku, siç e thërrisnim me dashuri, kërkoi të dëgjonte disa nga veprat që i kisha kompozuar në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar.
Pranova me kënaqësi e mirënjohje dhe të tre, - unë, profesor Çesku dhe kompozitori Shpëtim Kushta, - shkuam në njërën prej studiove të Radio Prishtinës. Atje dëgjuam disa nga veprat e mia dhe pikërisht “Filigranët II”, në interpretimin e Ansamblit “Sllavko Osterc” të Ljubljanës, me dirigjent Ivo Petriq, në Tribunën muzikore të Opatisë, në Bienalen e Parisit, të organizuar nën patronazhin e UNESKO-s, sidhe “Ab aeterno”, interpretuar nga orkestra simfonike e Radio Ljubljanës, me dirigjent Samo Hubad. Pastaj dëgjuam edhe disa vepra të muzikës kamerale.
Mezi po prisja me interesim të madh e me gjak të ngrirë mendimin e tij.
Meqë ishin të pranishëm edhe krijues të tjerë, për arsye tashmë të njohura, profesor Çesku nuk desh të prononcohej. Mirëpo, kur dolëm më pëshpëriti në vesh: “More Akil, çka të them, ne s’mund ta përfytyrojmë një muzikë të tillë”.
Pasi foli gjërë e gjatë për muzikën që kishte dëgjuar, m'u avit dhe shtoi: “Po si i ke mbërritur ato efekte në pjesën për klarinetë?”, që i kisha quajtur ”klarineta fenomenale” e që ishin interpretuar prej njërit nga klarinetistët më të njohur jugosllavë, Milenko Stefanoviq.
Pra, pikërisht ajo vepër i la mbresa të thella, sepse krahas fakturave të tjera tingëllore që ishin risi, jo vetëm për krijimtarinë në Kosovë, por edhe më gjërë, nxirrja nota alikuot, që tingëllonin si një lloj akordi, i përdorur shpesh.
Është për të theksuar se, pas ca kohësh, për të njëjtin kompozim shfaqi interesim edhe kompozitori Shpëtim Kushta, duke më folur me simpati të hapur, por edhe me ndrojtje. Pra, krijuesit shqiptarë të anës tjetër të kufirit nuk mundnin jo më të shkruanin asi lloj muzike, por as të mendonin, sepse nuk kishin dhe nuk guxonin të kishin një qëndrim bashkëkohor në trajtimin e kësaj çështjeje.
Dirigjenti i njohur Eno Koço, në një shkrim për krijimtarinë time, nënvizon se ”(Akili) eksperimenton me kompozime në lëmin serial dhe aleatorik, çka në Shqipëri do të ishte sakrilegj dhe krejt e dënueshme. Një klasifikim i tillë për një kompozitor të Shqipërisë do të ishte gjykimi më i rreptë, me ngarkesa të mëdha ideologjike, deri në asgjësim”.
Pra, këtu nuk ishte fjala se profesor Çesku nuk i ka ditur këto rryma të reja që praktikoheshin në tërë rruzullin tokësor, por ngurronte dhe nuk guxonte t’i përdorte në krijimtarinë e vet.
Pavarësisht se Mëma Shqipëri në aspektin gjeografik nuk ishte e largët, marrëdhëniet, le t'i quajmë të ngrira shtetërore me vendin amë, na bënin të besonim se thuajse po jetonim në dy planete të ndryshëm, pa asnje lidhje me krijuesit e Shqipërisë dhe pa asnjë njohje të ndërsjellë me zhvillimin kulturor në të dy vendet.

Ndikimi i madh i Zadejës te kompozitorët shqiptarë

Krijimtaria e këtij bardi muzikor është mjaft e begatshme. Numuri jashtëzakonisht i madh i veprave të krijuara prek të gjitha gjinitë, që nga këngët për fëmijë, këngët në frymën e muzikës popullore, veprat vokale-instrumentale e deri te veprat skenike. Madje, disa prej tyre paraqiten si vepra të para në historinë e muzikës shqiptare, edhe ashtu jo aq të pasur.
Nga shtypi periodik që na binte në dorë rrallë, kishim informata të pakta, por kur dëgjonim veprat e tij në Koncertet e Majit, shihnim që në to shprehej thellësia dhe gjerësia e krijimtarisë së Zadejës. Gjithsesi, veprimtarinë e tij artistike nuk e kemi njohur në shkallën e duhur.
Ndikimi i krijimtarisë së Zadejës ishte i madh në një sërë krijuesish të tjerë, që ndiqnin rrugën e këtij krijuesi, sepse veprimtaria e Zadejës në lëmin e kompozimit, në tërësinë e saj, ka qënë mbizotëruese, e epërme dhe udhërrëfyese për brezat që e patën pedagog në Akademinë e Arteve të Tiranës.
Me vendosjen e regjimit demokratik në Shqipëri, vizitat e shpeshta të kompozitorëve tanë dhe anasjelltas, na kanë sjellë të dhëna të bollshme për krijimtarinë muzikore, jo vetëm të Zadejës, por edhe të shumë kompozitorëve të tjerë, për të cilët as që kishim dëgjuar ndonjëherë më parë. Këta ndikoheshin e vazhdojnë të ndikohen jo pak nga stili dhe përgjithësisht nga fryma e Zadejës.
Ndër veprat e shumta të Çesk Zadejës do të veçonim simfoninë e tij të parë, të kompozuar qysh më 1956, e cila fitoi Çmimin e Parë Kombëtar dhe, siç shprehen muzikologët e kohës, “është një monument madhështor, është vepra më madhore, jo vetëm në krijimtarinë e kompozitorit, por edhe në muzikën shqiptare”.
Duke e këqyrur me sytë e sotëm, ata venë në dukje se “Tingujt e simfonisë ishin tingujt e një muzike të re, - për atë kohë të zymtë -, jehona e së cilës është ndjerë në vite dhe së bashku me korpusin e veprave të kompozitorit, krijojnë një traditë të re dhe të pasur, tek e cila merr jetë muzika shqiptare”, dhe në vazhdim konstatojnë se “ajo do të rrezatojë në jetën muzikore shqiptare, është ai burim tek i cili do të marrë jetë muzika jonë, është sinteza e mendimit muzikor estetik të popullit tonë, tek e cila motivet, intonacionët, vetë tingujt e jetës dhe të shpirtit të shqiptarit janë përgjithësuar me një mjeshtëri të madhe artistike, me gjithë larminë dhe thellësinë e tyre”.
Pra, këto vlerësime nuk janë fjalë miradije për një krijues vërtet të madh, as fronëzim a ngritje pa merita në pjedestal, por homazh për një kompozitor që ka pasur fuqi të madhe krijuese. Në veprat e tij hasim frymëzim e kthjelltësi mendimesh.
Nga kritikët e kohës do të mund të citonim edhe shumëçka që është shqiptuar për krijimtarinë e Çesk Zadejës, por këtu nuk i kemi vënë vetes detyrë të bëjmë analizë muzikologjike të formës dhe subjektit të kësaj vepre madhore, sepse vendi i kufizuar nuk na e lejon një ndërmarrje të tillë.
(vijon)



[1] Në fakt, libri që po botojmë, përbën në vetvete “parathënien” e një serie punimesh shkencore kushtuar muzikës dhe atyre që e kanë lëvruar muzikën gjatë kohërave, në trevat shqiptare dhe jashtë tyre: personalitete të kulturës sonë mbarëkombëtare, por edhe të vendeve e popujve të tjerë. Kjo nismë e kompozitorit, muzikologut, eseistit Akil Koci, figurë e mirënjohur e kulturës sonë, pa dyshim do të ndihmojë ndjeshëm në lartësimin e nivelit intelektual të lexuesve tanë. Në paraqitjen e autorëve, të cilët i ka objekt shqyrtimi dhe analize, profesor Akil Koci ka përdorur kriterin alfabetik. (Shënim i Shtëpisë Botuese Librarium Haemus).

No comments: