TEKAT E TRANZICIONIT / TOANELE TRANZIŢIEI

Mihail Galaceanu

Tregtar plumbash të përhumbur

Zanati i tregtarit të plumbave të përhumbur nuk është një zanat i lehtë. Duhej, - atëhere kur ndodhi Revolucioni (disa e quajnë ndryshe, Rrëmuja e Madhe, Mashtrimi i Madh, Tollovia e Madhe, Bezdia e Madhe, aq sa s’mund ta dish me siguri ç’ka qënë), - të rrije pranë mureve, i krrusur, i fshehur, derisa ndërpriteshin pak të shtënat dhe të vërsuleshe mbi të plagosurin më të afërt, t’ia shqyeje pallton apo këmishën dhe t’i shkulje plumbin ireal e përvëlues, që nxirrte avull si rrushka e shkulur nga trupi i një keku. Ashtu tërë tym siç qe, duhej ta shkoje në një varg, pranë plumbave të tjerë. Duhej ta bëje shumë herë këtë punë, derisa gjerdani të bëhej gati.
Që ta shihje gjerdanin të përfunduar duhej të rendje andej-këtej, nga një i plagosur tek tjetri, gjersa djersa të rridhte çurg njëlloj sikur të të kishin shkundur ethet. Plumbat e pistoletave ishin në përgjithësi me të rrallë. Shumica ishin të kalibrit 7,62. Ti nuk e dije nga pat ardhur plumbi, as që të kurreshtte në mënyrë të veçantë. Gjerdanët me plumba shiteshin mirë. Secila familje që kishte një të vdekur të freskët në shtëpi donte nga një gjerdan për ta mbajtur si kujtim, varur në fytin e përbashkët të familjes. Por ç’them dhe unë(!), secili anëtar i familjes dëshironte të kishte gjerdanin e vet, nganjëherë rriheshin për këtë muhabet gjersa u enjteshin sytë sa qepët e kalbura

Çdo familje me të vdekur të freskët donte të bënte një fotografi me gjerdanin në qafë.

Çdo familje me të vdekur të freskët ngulmonte vdekshëm që i vdekuri i tyre i dashur të kishte në qafë një gjerdan.
Ishte nder i madh për një familje që të kishte një të vdekur të freskët në Revolucion. E vinin mbi tryezë, e vishnin me ç’kish ai më të hajrit dhe e qanin me gëzimin që ata janë të zgjedhurit.