LUPA E HULUMTUESIT / LUPA CERCETĂTORULUI


Mendime të rëndësishme e argumente bindëse të origjinalitetit, të lashtësisë e të pasurisë tematike dhe gjuhësore artistike të eposit të kreshnikëve

Mbi veprën e Dr. Anton Nikë Berishës “Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij
(Botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2008)


Trajtimi i problemit të zanafillës, moshës, origjinalitetit, mendësisë dhe vlerave artistike të eposit tonë të kreshnikëve dhe parashtrimi i mendimeve vetjake për këto probleme, me numrin aq të madh të studimeve që janë bërë në këtë fushë, është një punë e vështirë, e ndërlikuar dhe me përgjegjësi për çdo studiues. Mendoj se autori i këtij studimi, sado të përmbledhur, ka disa cilësi të një rëndësie të dorës së parë për t’i dalë kësaj pune në krye me sukses. Anton Nikë Berisha ka një formim të gjerë teorik për letërsinë gojore, në përgjithësi, dhe për epikën gojore në veçanti; njeh më së miri literaturën e botuar deri tani për këngët tona të kreshnikëve, por edhe për epikën gojore heroike ballkanike dhe të Evropës Juglindore dhe më përtej[1]; ka një përvojë të pasur jetësore në mbledhjen e lëndës folklorike në terren dhe në botimet e saj, dhe ka bërë herë pas here objekt studimi probleme të ndryshme të letërsisë gojore dhe të këngëve të kreshnikëve[2]. Mbi bazën e një përgatitjeje të tillë, në këtë studim janë parashtruar disa nga rezultatet më rëndësore të deritanishme të studiuesve tanë e të huaj për çështjet kryesore të eposit tonë dhe janë dhënë në mënyrë shkencore e mbi baza të drejta metodologjike e metodike mendime të vyera vetjake.
Studimi hapet me vështrimin e disa çështjeve teorike të mëvetësisë dhe veçantisë së traditës letrare gojore, duke hedhur dritë mbi kohën kur mund të kenë lindur llojet e letërsisë gojore, ndryshimin e pasurimin e tyre në kohë; formimin, ruajtjen dhe zhvillimin e traditës, mbijetesën e saj krahas letërsisë së shkruar, veçoritë e letërsisë gojore lidhur me gjuhën poetike, nëpërmjet së cilës shprehen mesazhet artistike dhe sigurohet ndikimi estetik; pasqyrimin e mendësisë së mjedisit shoqëror e etnik. Duke vazhduar në këtë hulli trajtese, theksohet pamundësia e ndërtimit të mirëfilltë të rrjedhës së zhvillimit historik të llojeve të letërsisë gojore, vështirësia e përcaktimit të kohës së lindjes së tyre, rëndësia e varianteve, si dukuria më e veçantë e letërsisë gojore. Për këtë të fundit thuhet: “Ndryshimet që ngjasin në botën e brendshme dhe në botëkuptimin e individit, gjakimi që të shprehë botën që i përket dhe pasurinë e vet shpirtërore, të dëshmojë aftësinë vrojtuese dhe shqiptuese në raste e në rrethana të ndryshme kur e këndoi këngën ose e rrëfeu tregimin, kushtëzoi variantet e shumta, që është dukuria qenësore e letërsisë gojore dhe e llojeve të saj”.
Duke hedhur dritë mbi natyrën e traditës gojore në lëmin konkret të epikave gojore shqiptare dhe serbe, ai vë theksin në faktin që tek studiues të ndryshëm u vërejtën interpretime të gabuara në përcaktimin e kohës: “Koha e shënimit dhe e botimit të krijimeve gojore, u mor shpesh si element qenësor për përcaktimin e lashtësisë së një epike dhe për nxjerrjen e përfundimeve për përparësitë dhe për pozitën superiore të njërës dhe për pozitën inferiore të tjetrës, siç ndodhi me epikën gojore serbe e myslimane të Bosnjës e Hercegovinës ndaj asaj shqiptare”. Analiza dhe përfundime të gabuara u nxorën për arsye se disa epika gojore u trajtuan të shkëputura nga llojet e tjera të krijimtarisë gojore kombëtare, siç ndodhi me epikën tonë gojore, sidomos me këngët e kreshnikëve.
Mendime me shumë vlerë për lashtësinë e origjinalitetin e këngëve të kreshnikëve autori nxjerr duke trajtuar problemin e pasurisë së botës mitologjike e kalorësiake të tyre. Qeniet mitologjike, jo vetëm janë të pranishme, por ato kanë një funksion të shumëfishtë. Ato, duke luajtur rol të shumëfishtë, janë në themel të qenësisë së botës tematiko-motivore dhe një përbërës i rëndësishëm i vlerave të tjera të eposit. Autori sjell shembuj të rëndësishëm nga këngët për rolin e këtyre qenieve: gjarpërinjtë dhe bishat gjallojnë në barkun e Mujit ose i mjekojnë varrët atij, fakt që dëshmon përmasën e një realiteti mitik; orët e zanat, dielli e hëna bashkëpunojnë me kreshnikët, duke marrë pjesë në zhvillimin e ngjarjeve, u ndihmojnë e i marrin në ndore, etj.
Veç lëndës mitologjike, si dëshmi për hershmërinë, autori ka përmendur edhe organizimin matriarkat të shoqërisë së kreshnikëve, të cilin e ka trajtuar si element të rëndësishëm të këtyre këngëve.
Duke trajtuar kultin kalorësiak, “që nënkupton kultin ndaj trimërisë, ndaj kalit, ndaj femrës së bukur, që me shekuj është gjakim i qenësishëm i njeriut”dhe duke e cilësuar atë si një përbërës që është “thellësisht i mishëruar në këngët tona”, autori rrëzon një nga tezat, deri tani më e pranueshmja, që këngët e kreshnikëve pasqyrojnë luftërat iliro-shqiptare kundër sllavëve, tezë që e ka zanafillën me mbledhësit, botuesit dhe “kodifikuesit” e parë të ciklit të Mujit e Halilit, Atë Bernardin Palaj e Atë Donat Kurti. “Me përjashtim kur ndonjë këngë bën fjalë për pushtimin e kullotave, që janë pronë individuale, e që më shumë është akt që merret si shkas për të nxitur lindjen e ballafaqimit ose të luftimit me ndonjë trim, këngët kreshnike, - shkruan autori, - shqiptojnë bëmat individuale, dyluftimet, aventurat për të grabitur gra ose për t’i liruar ato.” Dhe vazhdon; “Pjesëmarrja kolektive e trimave (nga të dy palët) në përleshje të ndryshme, nuk shpreh qenësinë e veprimit kolektiv të natyrës shtetërore, po nevojën për t’i shkuar në ndihmë një trimi.”
Këngët e kreshnikëve shqiptojnë, si dhe disa tradita të tjera epike, mendësinë etnike (kodin shoqëror, kulturor, moral, religjioz, etj.), që i takon një shoqërie fisnore pa autoritet shtetëror dhe që i përgjigjet, për sa i takon vlerave etike, shoqërisë homerike, siç e ka pohuar, kohëve të fundit, studiuesi japonez Yamamoto. Gjithsesi, Halili, i ndodhur në kullë të krajlit të Kotorrit, kur ky largohet, duke i lënë në besë kullën, gruan dhe vajzën, vepron plotësisht sipas vlerave etike kanunore. Por në ndryshim nga studiuesi japonez, Berisha është i mendimit që ndërsa botën homerike e cilëson patriarkati; shoqëria tek cikli i Mujit e Halilit ka përmasa të dukshme matriarkale.
Konkluzione të rëndësishme për lashtësinë dhe autorësinë e eposit tonë janë nxjerrë, gjithashtu, gjatë shqyrtimit të veçorive të përbashkëta të këngëve të kreshnikëve me llojet e tjera të letërsisë sonë gojore si legjendat, baladat, vajet, përrallat, gojëdhënat, etj., sidomos për sa i përket botës tematiko-motivore dhe sistemit gjuhësor e shprehës poetik. Kështu, për afrinë me përrallat përmendet fakti shumë i rëndësishëm që aksioni në këto këngë nxitet e përmbushet në bazë të rregullave që zbatohen edhe në përrallat në përgjithësi dhe në ato shqipe.
Trajtimi i këngëve të kreshnikëve jashtë sistemit të letërsisë sonë gojore, arsyeton autori, solli që rezultatet e studimit të ishin “të pjesshme, të shumtën e herave të paqëndrueshme”. Kështu: “nëse do të përfillej mendimi se këngët e kreshnikëve na qenkan të huazuara nga epikat boshnjake dhe serbe (meqenëse përkimet e këngëve kreshnike me llojet e tjera letrare gojore shqipe janë të mëdha) e njëjta gjë paskësh ndodhur dhe me llojet e tjera të letërsisë gojore shqipe! Pra sipas këtij këndvështrimi (e logjike), shqiptarët, si popull, nuk paskëshim identitet letrar e artistik, kulturor e shpirtëror për arsye se paskëshim huazuar gjithë krijimtarinë letrare gojore”.
Në rrafshin krahasues të traditave epike gojore, autori i kushtoi vëmendje të veçantë çështjes së përkthimit të këtyre këngëve. Duke analizuar përkthimet e Miçoviqit, Berisha nxjerr përfundimin se vargu dhjetërrokësh i epikës gojore shqiptare nuk mund të bartet e të përkthehet si duhet në gjuhën serbe me dhjetërrokëshin përkatës të kësaj epike. Miçoviqi shpesh u detyrua ta përkthejë vargun shqip me 12, 13, 14, 18 rrokësh ose me dy vargje dhjetërrokëshe për të kapur “tërësinë kuptimore sintakso-metrike e metaforike të vargut shqip”. Nga kjo punë krahasimtare, autori nxjerr përfundimin se edhe vetë përkthimi i Miçoviqit e përjashton mundësinë e bartjes së vargut gojor sllav në këngët tona të kreshnikëve.
Në fushën e studimit të epikave gojore, të vargut e të dukurive të tjera, thekson autori më tej, i duhet kushtuar një vëmendje e veçantë kontekstit jashtëletrar të tekstit artistik, i cili është i ndryshëm në tradita epike të ndryshme. Si shembull bihen morfemat shqipe ndore, besë, orë etj., të cilat “nuk mund të kenë asnjëherë të njëjtën vlerë e të njëjtin kuptim e konotim” në një sistem tjetër gjuhësor. Ky pohim shoqërohet edhe me vërejtjen që “struktura gjuhësore e tekstit epik gojor, e epikës gojore të popujve të Ballkanit nuk është studiuar sa duhet”.
Në rrafshin e studimeve krahasuese të këngëve tona legjendare me traditat epike të popujve të Evropës Juglindore është me rëndësi të nxirret në pah roli dhënës i eposit tonë, që si epos i lashtë, i pasur me përbërës qenësorë mitologjikë dhe që pasqyron një rend shoqëror primitiv me mbeturina matriarkati, etj., premton shumë në këtë drejtim. Lidhur me këtë problem, autori ka vënë në dukje disa të dhëna nga studiues të huaj që shënojnë ndikimet e mënyrës së jetës, organizimit shoqëror, kulturës, etj. të popullit tonë ndaj popujve të tjerë të Siujdhesës Ballkanike. Kështu, studiuesi Spiro Kulishiq ka shprehur mendimin se shoqëria familjare sllave në disa rrafshe është zhvilluar nën ndikimin e organizimit të lashtë ballkanik. Duke qenë shoqëria familjare shqiptare më arkaike dhe më autoktone, ajo ka ndikuar në organizimin shoqëror të familjes së sllavëve të Ballkanit. Studiuesja e njohur ruse Desnickaja ka shprehur mendimin që tradita epike shqiptare në krahasim me traditën epike boshnjake është më e pasur, më arkaike e origjinale dhe dallimet mes këtyre dy traditave janë të mëdha.
Berisha është plotësisht mbushamendës kur kritikon Stavri Skendin, i cili, duke pasur Alois Schmaus-in udhëheqës të tezës së tij të doktoranturës për epikën gojore shqipe, iu nënshtrua mendimit të studiuesit gjerman, që kishte përfillur mendimin e studiuesve serbë për huazimin e këngëve të kreshnikëve shqiptare nga ato boshnjake e serbe, edhe pse Schmausi nuk e njihte në origjinal eposin tonë, mbasi nuk e dinte shqipen.
Një tjetër përfundim i autorit të studimit, në rrafshin krahasues të këngëve tona të kreshnikëve me epikën sllave, lidhet me faktin që në këngët tona të kreshnikëve mbishtresat e periudhës osmane janë fare të parëndësishme për t’u marrë parasysh; ndërsa epika sllave, siç mendon edhe pjesa dërmuese e studiuesve serbë, fillon kryesisht me ardhjen e osmanëve në Evropë, në shek. XVI-XVII, çka e dëshmojnë ngjarje e personazhe të ndryshme të asaj kohe, që gjetën jehonën e tyre në këngë të shumta epike boshanje dhe serbe.
Një vëmendje të veçantë Berisha i kushtoi traditës së këndimit dygjuhësor të rapsodëve shqiptarë, e cila lidhet me punën e mbledhësve dhe studiuesve si M. Murko, A. Schmaus, M. Parry, A. Lord, etj. Shumica e këngëtarëve të kësaj tradite, që këndonin shqip dhe bosançe (boshnjake) e ndonjëherë edhe në ndonjë gjuhë tjetër, prej të cilëve studiuesit e përmendur i morën materialet, thekson autori, ishin shqiptarë ose me origjinë shqiptare, por për shkaqe të politikës që mbretëronte midis dy luftërave botërore quheshim “myslimanë” ose “turq” dhe merreshin si të tillë, pa u bërë dallimi midis përcaktimit fetar dhe përkatësisë kombëtare, sidomos nga “autorë të ngarkuar me tendenca e interesa nacionaliste.” Për paanësi gjykimi, autori dallon studiuesin amerikan Milman Parry, i cili “i mblodhi materialet jashtë çdo ngjyrimi e ndikimi politik, që s’kishte ndodhur me mbledhësit e tjerë”, punë që ofron argumente për zhbërjen e tezës tendencioze të “huazimit” të epikës gojore shqiptare nga ajo boshnjake-serbe. Më tej, parashtrohen edhe disa të dhëna dhe përbërës joletrarë, që dëshmojnë se popujt sllavë të jugut u ndikuan nga paraardhësit ballkanikë dhe nga shqiptarët, në fusha të ndryshme të organizimit shoqëror, zakoneve, veshjeve, riteve, e deri tek patronimet e toponimet, emrat e fiseve, etj.
Në kapitullin e fundit “Qenësia e tekstit letrar artistik”, autori i qaset tekstit të këngëve si “përbërësit kryesor”, që përligj vlerat e tyre si shtjellime dhe si mesazhe, gjë që shtron nevojën e domosdoshme të studimit për të kuptuar vlerat artistike e për të përligjur origjinalitetin jo vetëm të këngëtarit, po edhe të një epike dhe, çka është më e rëndësishme, për t’i vënë në dukje dallojat dhe përkimet e epikave të popujve të ndryshëm, në rrafsh krahasimtar.
Këngët e kreshnikëve dallohen për gjuhën dhe sistemin e pasur të shprehjes artistike, mënyrën e shtjellimit të tekstit dhe mesazhet artistike, që dalin prej tyre dhe mundësojnë ndikime të fuqishme estetike: tablotë e përshkrimet herë-herë të pazakonshme, të përftuara me mjeshtëri; gjallëria dhe dramaciteti, forca e rrëfimit, etj. Duke qenë se, siç vëren autori, tek epika gojore, në rastin tonë konkret, tek këngët e kreshnikëve, mbizotëron gjuha simbolike ndaj gjuhës poetike, që është kryesisht veçori dalluese e llojeve të lirikës, pavarësisht se nuk ka ndonjë kufi të prerë mes tyre, këto këngë ngërthejnë “kode e simbole të ndryshme, deshifrimi i të cilave bëhet mbi bazën e mendësisë së mjedisit e të kulturës që i përkasin krijuesit”, gjë që ndryshon nga një popull tek një tjetër. Arsyetim, ky, në të mirë të hershmërisë dhe të mëvetësisë së eposit tonë. Veç sa thamë, këngët e kreshnikëve dallohen për një origjinalitet dhe pasuri të madhe të mjeteve figurative, “që është shpirti i çdo krijimi të mirëfilltë letrar”.
Studimi mbyllet me mendimin e rëndësishëm që shqiptarët janë burimorë si tek gjuha dhe përbërës të tjerë të kulturës materiale e shpirtërore, ashtu edhe në letërsinë gojore. Këndej ndjehet nevoja e studimit të epikës gojore shqiptare brenda fenomenit epik të popujve, jo vetëm të Siujdhesës Ballkanike, por edhe të Evropës Juglindore e më gjerë.
Berisha zbaton në studimet e veta një qasje e interpretim të veçantë, për të cilën gjë meriton të thuhen dy-tri fjalë. Njëra nga veçoritë e metodës së punës së tij studimore njëmendësohet në trajtimin teorik të çështjeve, mbi bazën e të cilit ai inkuadron me mjeshtëri problemet konkrete të objektit të studimit, në rastin konkret, të këngëve të kreshnikëve, duke ndërtuar shqyrtimin analitiko-sintetik nëpërmjet polemikave me rezultatet e arritura nga studiuesit e mëparshëm, me miratimin, vënien në dyshim a hedhjen poshtë të tyre dhe duke nxjerrë gjithnjë përfundimet vetjake. Kështu, duke synuar të japë vlerat artistike të tekstit poetik të këngëve, fillimisht ai përpunon nga ana teorike qenësinë poetike të tekstit dhe mbi themelin teorik të ndërtuar mbi bazën e rezultateve më të reja të kësaj fushe, ai parashtron veçoritë kryesore artistike, që i dallojnë këngët e kreshnikëve. Në fund, ai nxjerr jo vetëm tezat vetjake, por shpesh edhe udhëzime metodike për t’u pasur parasysh nga studiuesit si p. sh.: “Vetëm analizat tekstore e të veçantive të tyre mund të ndriçojnë mirëfilli ngjasimet dhe ndryshimet dhe mbi bazën e tyre të nxirren përfundimet përkatëse të qenësishme.”
Në studimin e vet autori miraton e mbështet plotësisht arritje pozitive të studiuesve të tjerë paraprakë, shqiptarë e të huaj. Kështu, në fusnotën 86, ai sjell një mendim të rëndësishëm të studiuesit gjerman G. Geseman: “Duke bërë fjalë për nevojën e studimit të epikave gojore të disa popujve, përkatësisht të nevojës së studimit të stilit serbo-kroat me stilin epik te rusët, bullgarët, shqiptarët, grekët, rumunët, hungarezët – për të ditur më në fund se kush prej kujt ka mundur të huazojë, Gerhard Geseman, mes tjerash thotë: ‘Huazimet e pastra përmbajtësore (...) nuk janë aq instruktive për historinë e brendshme të epikës popullore sa pikërisht lidhjet e ndërsjella të elementeve stilistike’.”
Me rëndësi për t’u vënë në dukje është dhe puna serioze e autorit në përdorimin e gjuhës e të shtjellimit të fjalisë dhe të terminologjisë përkatëse të kësaj fushe shkencore. Si në veprat letrare poetike, ashtu edhe në ato studimore, ai është shumë i kujdesshëm në përdorimin e gjuhës, krijon fjalë dhe pasuron me ngjyrime të reja kuptimore fjalët që përdor. Po përmendim: përvijëzim– projeksion, gojëshmëri – tradita e letërsisë gojore, njëjtësi – të qenët identik, i njëjtë, këngëtim – procesi i të kënduarit, pranim – receptim, kumtim – mesazh e ndonjë tjetër.
Me përfundimet e arritura, Berisha ka çuar më tej studimin e folkloristikës shqiptare lidhur me këngët e kreshnikëve, por edhe për ndonjë problem tjetër të letërsisë sonë gojore në përgjithësi. Në këtë kontekst, mund të themi pa ngurrim që metoda e trajtimit të problemeve, mënyra e argumentimit dhe përfundimet e nxjerra do të ndihmojnë në studimet e mëtejshme të kësaj fushe jo vetëm shkencën tonë po edhe atë ballkanike dhe më gjerë.

Ky studim, që po botohet edhe si vëllim më vete, i konceptuar dhe i shtjelluar si parathënie e një antologjie të vëllimshme me 51 këngë të kreshnikëve, të zgjedhura në bazë të kritereve të përcaktuara mirë, para së gjithash, për vlerat e tyre poetike dhe tërësinë shtjelluese, do t’u shërbejë studiuesve tanë e të huaj, po dhe lexuesve të zakonshëm, që ushqejnë kërshërinë ndaj këtij monumenti madhështor të kulturës shpirtërore të popullit tonë.

Sqarime

[1] Autori njeh në origjinal eposin sllav; përktheu nga gjermanishtja këngën e pestë të “Këngëve të Nibelungëve” dhe e bëri objekt stu-dimi këtë epos (botuar në librin: “Njëmendësia e fjalëve – Mundësi interpretimesh letrare” “Shpresa-Faik Konica”, Prishtinë, 2006.). Gjithashtu, përktheu nga gjermanishtja dhe e plotësoi me shënime “Epin e Gilgameshit” (Prishtinë 1984, botimi i dytë Tiranë 1990).
[1] Në librin “Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe”, (Rilindja, Prishtinë, 1998), Berisha, ndër të tjera, trajtoi edhe këto çështje: “Poetika e letërsisë gojore në krahasim me poetikën e letërsisë së
shkruar”, “Krijuesi gojor dhe përcjellësi gojor”, “Përkimet poetike në dritën e çështjes homerike”, “Klasifikimi – problem kompleks”, “Rreth disa vlerave artistike të letërsisë sonë gojore”, “Për një qasje më të drejtë dhe për një studim më kompleks të epikës sonë gojore në krahasim me epikat e popujve të Siujdhesës Ballkanike”, “Hyrje në poetikën e përrallës”, “Mendime dhe vlerësime të qenësishme të Mark Milanit”, “Maximilian Lambertzi për epikën gojore shqip-tare”, “Rëndësia e të dhënave të Matthias Murkos për poezinë tonë gojore”, “Këndimi i këngëtarëve shqiptarë në gjuhën ‘bosançe’ ose kush ishte Abdullah Mexhedoviqi”, “Çka dëshmojnë këngët shqi-pe të mbledhura nga Vuk Karaxhiqi?”, “Funksioni i formulës-meve në një këngë kreshnike”, “Kulti kalorësiak në këngën ‘Halili merr Begzadën e Bardhë”, etj.
Në librin “Çështje teorike të letërsisë”, (“Faik Konica”, Prishtinë, 2005), ai trajtoi edhe këto çështje: “Ndërliqësia e natyrës së artit të fjalës”, “Veçantitë e tekstit letrar dhe të tekstit joletrar”, “Teksti poetik si komunikat dhe estetika e tij”, “Letërsi gojore, letërsi po-pullore ose folklor?”, “Letërsi e shkruar, e kultivuar ose artistike?”.
Autori botoi, në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja dhe punime të tjera në revista e periodikë, që lidhen me problemet e epikës gojore, veçmas me këngët e kreshnikëve, që jepen në fusnota të këtij studimi.