Edval ZOTO*: Zhvillimi i profesionit ushtarak dhe sfidat bashkëkohore**

Dedikuar ushtarakëve dëshmorë të Forcave të Armatosura shqiptare Major Klodian Tanushi dhe Nëntetar Zarife Hasanaj, rënë në krye të detyrës në Letoni, maj 2019.”

Profesioni ushtarak përbën një objekt të rëndësishëm e themelor të sociologjisë ushtarake dhe shkencës ushtarake në përgjithësi. Në këtë artikull trajtohet debati mbi profesionin ushtarak i klasikëve të sociologjisë ushtarake, si Huntington e Janowitz, si dhe sillen në vëmendje dhe aspekte më specifike të këtij objekti studimi nga autorë të mëvonshëm me qëllimin për të paraqitur një historik të shkurtër i zhvillimit të profesionit ushtarak, për të evidentuar faktorët që kanë ndikuar në zhvillimin e tij, si dhe diskutuar sfidat bashkëkohore ndaj unikalitetit të tij në një plan të përgjithshëm, por dhe në rastin e Shqipërisë.

I. Profesioni ushtarak në studimet sociologjike

Profesioni ushtarak në aspektin sociologjik ka tërhequr mjaft vëmendje sidomos që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Nismëtari i debatit sociologjik mbi profesionin ushtarak ishte Samuel Huntington, me veprën e tij The Soldier and the State (Ushtaraku dhe Shteti, përkth. i aut.) (1957, në Moten, 2011). Sipas përcaktimit të tij “trupa moderne e oficerëve është një organizëm profesional, dhe oficeri ushtarak, një profesionist”. Huntington e lidh ekskluzivisht profesionin ushtarak me trupën e oficerëve, dhe profesionalizmin në këtë drejtim e karakterizon me tre atribute: përgjegjësinë – forcat ushtarake janë një krah i armatosur i shtetit dhe të vendosura në mënyrë strikte nën kontrollin civil dhe oficerët profesionistë e përdorin ekspertizën e tyre vetëm në dobi të shoqërisë; korporatizmin (corporateness, në origjinal – shën i autor.), sipas të cilit profesioni është i kufizuar, dhe ka një sistem promocioni të kontrolluar, nënkultura autonome krijohen si pasojë e institucioneve vokacionale komplekse, si dhe revistat, shoqatat, shkolla, ritet, traditat, uniformat dhe shenjat dalluese i përforcojnë ato; dhe, ekspertizës, e cila në mënyrë profesionale arrihet pas një periudhe relativisht të gjatë edukimi, dhe dija intelektuale ushtarake e përftuar krijon mundësi ruajtje nëpërmjet trashëgimive të shkruara. Sipas Huntington zhvillimi i profesionit ushtarak duhet të karakterizohet nga një konservatorizëm i detyruar. Ushtaraku dhe Shteti i Huntington (1957), jo vetëm që do të shenjojë veprën e parë serioze mbi sociologjinë e profesionit ushtarak por dhe do të përbëjë bazën e studimeve të tjera plotësuese si dhe ngritjen e debatit mbi profesionin ushtarak dhe karakteristikat sociologjike të tij.