“Dedikuar ushtarakëve dëshmorë të Forcave të Armatosura shqiptare Major
Klodian Tanushi dhe Nëntetar Zarife Hasanaj, rënë në krye të detyrës në Letoni,
maj 2019.”
Profesioni ushtarak përbën një objekt të rëndësishëm e
themelor të sociologjisë ushtarake dhe shkencës ushtarake në përgjithësi. Në
këtë artikull trajtohet debati mbi profesionin ushtarak i klasikëve të
sociologjisë ushtarake, si Huntington e Janowitz, si dhe sillen në vëmendje dhe
aspekte më specifike të këtij objekti studimi nga autorë të mëvonshëm me
qëllimin për të paraqitur një historik të shkurtër i zhvillimit të profesionit ushtarak,
për të evidentuar faktorët që kanë ndikuar në zhvillimin e tij, si dhe
diskutuar sfidat bashkëkohore ndaj unikalitetit të tij në një plan të
përgjithshëm, por dhe në rastin e Shqipërisë.
I. Profesioni ushtarak në
studimet sociologjike
Profesioni ushtarak në aspektin sociologjik ka tërhequr mjaft
vëmendje sidomos që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Nismëtari i
debatit sociologjik mbi profesionin ushtarak ishte Samuel Huntington, me veprën
e tij The Soldier and the State (Ushtaraku dhe Shteti, përkth. i aut.) (1957,
në Moten, 2011). Sipas përcaktimit të tij “trupa moderne e oficerëve është një
organizëm profesional, dhe oficeri ushtarak, një profesionist”. Huntington e
lidh ekskluzivisht profesionin ushtarak me trupën e oficerëve, dhe
profesionalizmin në këtë drejtim e karakterizon me tre atribute: përgjegjësinë
– forcat ushtarake janë një krah i armatosur i shtetit dhe të vendosura në
mënyrë strikte nën kontrollin civil dhe oficerët profesionistë e përdorin
ekspertizën e tyre vetëm në dobi të shoqërisë; korporatizmin (corporateness,
në origjinal – shën i autor.), sipas të cilit profesioni është i kufizuar, dhe
ka një sistem promocioni të kontrolluar, nënkultura autonome krijohen si pasojë
e institucioneve vokacionale komplekse, si dhe revistat, shoqatat, shkolla,
ritet, traditat, uniformat dhe shenjat dalluese i përforcojnë ato; dhe,
ekspertizës, e cila në mënyrë profesionale arrihet pas një periudhe relativisht
të gjatë edukimi, dhe dija intelektuale ushtarake e përftuar krijon mundësi
ruajtje nëpërmjet trashëgimive të shkruara. Sipas Huntington zhvillimi i
profesionit ushtarak duhet të karakterizohet nga një konservatorizëm i
detyruar. Ushtaraku dhe Shteti i Huntington (1957), jo vetëm që do
të shenjojë veprën e parë serioze mbi sociologjinë e profesionit ushtarak por
dhe do të përbëjë bazën e studimeve të tjera plotësuese si dhe ngritjen e
debatit mbi profesionin ushtarak dhe karakteristikat sociologjike të tij.