E VËRTETA - BIJA E KOHËS / ADEVĂRUL - FIUL TIMPULUI

Gazmend Krasniqi[1]
Kodi i vërtetë i Da Vinçit

Nuk më ka rënë më rasti të kaloj nëpër Paris, saktësisht nëpër urën e vogël (kurrë s’ia kam ditur emrin) që lidh atë anë të qytetit me ishullin ku ngrihet gotika hijerëndë e Notre Dame, ura nën të cilën kalon shëtitorja e piktorëve portretistë (kalonte, të paktën, sepse ndryshe nga piktorët e Sacre Coeur, qenë të palicensuar), por edhe po të më bjerë rruga andej, nuk shpresoj se mund ta takoj prapë Henrin (qoftë edhe për t’ia mësuar emrin e vërtetë, pasi në këtë histori do ta përmend siç më qe paraqitur). Henri, i lindur dhe i rritur diku në malin e Tomorit (fshat autokton, thoshte, se nuk ka asnjë vegël muzikore), ditën që e njoha unë, ndodhej përmbi urën e larpërmendur, duke më pritur, sepse, siç më tha, më kishte parë qysh në çastin e shfaqjes së parë, pa u futur askund në sheshin e katedrales, ku duhej të gjeje vetë të çarën në kordonin e vizitorëve të saj. Fakti që më kishte njohur prej shtampës së bluzës (shqipja e flamurit tonë, rreth pesë cm e madhe) në largësinë prej qindra metrash, më shtyu që t’ia komplimentoja humorin me një buzëqeshje të lehtë: nuk e ndjeva të nevojshme ta shtyja më tej këtë bisedë, sepse truri im qe troshitur pak nga takimi i parë me botën e kryeqytetit të famshëm. Mirëpo kjo nuk më ndihmoi që të shpëtoja prej Henrit: përcaktoi një makinë të kuqe, parkuar në cepin e rrugës ku qeshë shfaqur së pari, dhe tha se lexonte targën e saj, pa pyetur për bezdinë time me zgjatjen e tepërt të këtij humori.
Ishte e vërtetë, qe targa që thoshte, por, i djersitur nga ecja, mizëria e turistëve dhe dielli i qershorit, në vetëvete e pata të vështirë t’ia falja talljen, pasi menjëherë mendova se qe fjala për një makinë të njohur prej tij. I mësuar me skepticizmin e njerëzve në të tilla raste, nuk e prishi terezinë: u tregua i gatshëm për të vazhduar lojën. Vetëm kur i gjeti edhe dy targa të tjera, të përcaktuara tashmë prej meje, u binda për atë që i kalonte caqet e përvojës njerëzore.
Kur dolëm në një cep nga shihej Tour Eiffel dhe më tregoi një për një se ç’bëhej në katet, deri në detajet më të imta, nuk kisha më dyshime se truri më qe pajtuar pak nga pak me realitetin. Më pas e mora vesh se s’e kishte për gjë të më sqaronte se çfarë ndodhte në zyrat e Prefecture de Police, Hotel de Ville, apo në dhomat e Shakespeare&Co, biblioteka-librari ku gati një shekull më parë James Joyce-i po humbiste shikimin, pak nga pak, si një mënyrë për të kërkuar në poret e kujtesës skutat e vendlindjes, Dublin-it, që thuhet se mund të rishkruhet nëpër harta vetëm e vetëm prej librit të tij. Henri, që as ia kishte dëgjuar ndonjëherë emrin Joyce-it, sigurisht do t’ia hidhte çdo shkrimtari në shpejtësinë e bërjes së hartës së atij qyteti (i cili e kishte pjesën më të madhe të lavdisë pikërisht prej tyre), mirëpo s’bëhej fjalë për të çuar gjëra të tilla ndërmend, sepse nuk ishte nga ata njerëz që ka lexuar ndonjëherë ndonjë libër: faktin që nëpër vendlindjen e tij ka pas shkelur dikur Eduard Lear-i, ia kanë thënë të tjerët. Nuk është fjala për ndonjë arsye të rëndomtë, dembelizëm apo gjëra të tjera të këtij lloji, të cilat mund t’i hasësh në një numër të madh njerëzish, por për një arsye që pa frikë mund ta quajmë madhore: prej fuqisë depërtuese të shikimit, germat e faqes së parë i bëheshin lëmsh me ato të faqeve pasardhëse, ndonjëherë (varësisht nga trashësia e librit) deri në faqen e fundit. Një herë, në shkollë, tek lexonte diçka për Skënderbeun, kishte interpretuar diçka që më tepër të kujtonte Robinson Cruzoe-n dhe mësuesi i historisë e ndëshkoi me një vizore të trashë, duke ia dhënë kokës tri herë. Qysh atëherë kundërshtonte të ngrihej në mësim, i sigurt se vetëm do të ndëshkohej, dhe, meqë nuk e kuptuan kurrë mbeti mënjanë, i papërfillur dhe i pavënë re, gjë që, në fakt, i interesonte, sepse ia doli më në fund të merrte tetëvjeçaren, duke përsëritur dy vite të vetëm. Sidoqoftë, nuk do të harronte ngatërresën me datën e themelimit të PKSH, kur pat përmendur vitin 118 pas Krishtit, gjë që provokoi një maratonë mbledhjesh (zakon i rëndomtë i kohës), derisa e gjykuan si një fëmijë me të meta mendore dhe u mjaftuan me thyerjen e notës në sjellje për atë vit.
Duhet vënë në dukje se këto biseda nuk ia nxirrje kur doje ti, për më tepër mund të ngatërroheshe nga mënyra se si i rreshtonte, pasi ai thoshte atë që i pëlqente, duke fshehur, ndërkohë, ca gjëra që nuk i interesonte t’i dilnin. Për difektin e parakrahut të majtë tha se e kishte të lindur, mirëpo dikush që e njihte nga koha e kaluar bashkë në Itali, tha diçka më të besueshme: Henri, që s’kishte lidhje me raftet e librave, nuk mund të anashkalonte ato të mbijetesës… ushqimeve (u përmend fjala “çadra kampingjesh”). Që kishte provuar këtu një burg të shkurtër, nuk ma tha asnjëherë me gojën e vet. Për të më bindur se logjika e stomakut mund të jetë më e fortë se ajo e leximit, sqaroi (duke treguar me dorë) se libri me atë çiftin idilik në kopertinë (Poésies, Alfred de Museet, botim i Librairie Gründ, viti 1939), që ndodhej dyqind metra larg nesh, në vitrinën e një bukinisti të Quai de la Tournelle, i kishte gjysmën e faqeve të paprera (këtë libër e ruaj sot e kësaj dite, në të njëjtën gjendje, midis librave të mi): siç mund të merret me mend, nuk mund të ishte i saktë në përcaktimin e faqeve, ose titujve, nuk mund të sqaronte se kishte mbetur pa lexuar poezia Tristesse, Une soirée perdue, La nuit d’Octobre apo Ballade á la Lune.
Fakti që, megjithëse qe plotësisht amator, gjendeshin njerëz të cilët ia blenin vizatimet e çuditshme, besoj se shpjegohet me një përhirim të fshehtë të tyre: vizatimet përshkoheshin nga një dritë mistike që kapej nga pakkush, prandaj Henri merrte një pamje pak tallëse para admiruesve të të vizatuarit akademik. Thoshte se frekuentonte Ecole de Beaux Arts (nuk kam arritur ta konfirmoj), prandaj herë pas here përpiqej të hidhte ndonjë fjalë me të cilën donte të tregonte njohjet mbi pikturën. Kubizmi (me ato pikat simultane të shikimit) i dukej një lojë fëmijësh dhe Picasso një nga spekullatorët më të mëdhenj që ka njohur bota: muzeu Picasso, aty në Paris, mbetej i preferuari i tij, megjithatë nuk kam parë ndonjëherë, deri më sot, gjurmë të asaj teorie që duhej të trondiste botën e pikturës moderne, pse jo të pikturës në përgjithësi. Nëse nuk gabohem, kërkonte ndihmë nga enigmatiku art i Egjiptit të lashtë, të cilin e shikonte në Louvre, duke e programuar këtë vend (Egjiptin) si të parin në axhendën e ardhshme, pasi vetëm tek arti egjiptian përputhej vizioni i tij gjysëm hyjnor për gjërat. Nëse pranonte diçka te Picasso, ky qe interesimi që pat ngjallur për maskat e tribuve të Afrikës dhe Oqeanisë: vendi i dytë në axhendën e ardhshme. Njeriu që u përpoq të më fliste për teorinë henriane për këto maska, megjithë vëmendjen time të plotë, nuk kishte formimin e duhur dhe u tregua konfuz: duke vënë intuitën në punë mund të them se qe fjala që një njeri me aftësitë e Henrit e shikonte portretin njerëzor përtej muskujve, venave e kockave, përtej çdo ndërtimi të mirëfilltë anatomik, pra, si maskat prej druri të tribuve. Përderisa nuk kam të dhëna më të sakta, nuk ngul këmbë për të bindur njeri me këto që thashë.
Sidoqoftë, për mua pjesa më e vështirë e rrëfimit është kjo: implikimi i Henrit (jam i detyruar të përdor këtë term policesk) në çështjen më të bujshme dhe kurioze të botës moderne. Dikur e mora vesh se në Louvre Henri nuk shkonte vetëm për artin egjiptian, por edhe për pikturat e Leonardo da Vinci-t. Kohë më parë, këtu në sallën e madhe të pikturës italiane, kishte takuar një amerikan, relativisht të ri, por që e kishte intriguar thellë: ky amerikan po shkruante një libër me të cilin donte të thoshte që Leonardo da Vinci me të vërtetë kishte patur lidhje me të ashtuquajturin sekti i fshehtë i Sionit, pjestarët e të cilit mëtonin se qenë pasardhës të linjës Jezu – Maria Madalena dhe zotërues së kupës së shumëpërfolur të Graalit, ku Krishti pat pirë herën e fundit dhe më pas i qe mbledhur gjaku. Jam i bindur se këtë amerikanin Henri e ka gjykuar plotësisht të pazotin për t’i dhënë shpjegimin e duhur fenomenit aq intrigues, prandaj kur u hap lajmi se Henri nuk shihej më, se drejtimi i tij qenë Alpet e Evropës, ndoshta vetëm unë e dija qëllimin e këtij udhëtimi, sepse kisha lexuar se përflitej që në atë vend ndodhej streha e sektit misterioz.
Me sa duket, këtë që thashë, pra të vërtetën mbi të, mund ta marrim vesh vetëm ndonjë ditë të papritur kur përbri emrit të Leonardo da Vinci-t, Victor Hugo-it e Zhan Koktoau-së, si anëtar i sektit të fshehtë të figurojë edhe emri i Henrit. Amerikani i lartpërmendur mund të jetë autori i një bestselleri planetar, i përkthyer edhe në shqip, por megjithëse jam treguar i vëmendshëm, askush nuk më ka thënë se në atë libër flitet për një djalosh me origjinë shqiptare.
E vetmja histori me interes që dëgjova ndërkohë për Henrin (në të vërtetë, për këtë arsye e bëra këtë rrëfim), është kjo: dikush i kishte thënë se ka “syze për afër”, pra ekzistonte zgjidhja për njerëz me cilësinë e tij, mirëpo ky dikush qe refuzuar në mënyrë kategorike, pa më të voglën mëdyshje. Dy ditë më vonë prej këtij refuzimi, Henri s’u pa më në Paris. E mbaj veten për ata që mendojnë se dinë diçka rreth asaj çfarë donte të thoshte ai refuzim, por nuk do ta marr përsipër ta shpreh këtu: më duket se kjo është një e drejtë e secilit, sepse qysh në fillim të këtij tregimi kam patur parasysh që do të mbaj larg vetes çdo koment dhe më duket se ia kam arritur.
Pra, me sa di unë, Henri e mori këtë të fshehtë me vete. Sigurisht, zhdukja e një emigranti pa letra të rregullta në Paris nuk përbën ndonjë ngjarje, kështu që nuk bëhej fjalë për t’iu drejtuar policisë: Henri u zhduk si ta kishte përpirë ndonjë vrimë e zezë.
Kohë më vonë, në Shqipëri shfletova koleksionin e një gazete me emrin “Dielli i Tomorit”, por nuk gjeta gjë që të më kujtojë një njeri si Henri. Nuk e gjen as te “Fjalor enciklopedik”, Baccus, as te “Historical dictionary of Albania” i Robert Elsie.
Kurse kohë më parë bëra një udhëtim në jug të vendit dhe pamja madhështore e Tomorit më mpiu një copë herë të mirë: m’u bë se Henri që hidhej nga maja në majë si Baba Aliu, kundronte botën me vështrimin skeptik, pak tallës, i lodhur e i rraskapitur nga universi i pamjeve, kjo shaka perëndish, sepse nuk dinte ta merrte atë si dhuratë apo si ndëshkim (pasi ka parë Colosseo-n, Tour Eiffel-in, Alpet e Evropës dhe Piramidat e Egjiptit), kështu që rri larg të ngjashmëve, si shqipja, dhe bluan gjëra që s’i bluan askush, sepse të tjerët nuk mund as t’i çojnë nëpër mend.
Sipas të gjitha gjasave, sa pa dalë në dritë diçka e re për sektin e fshehtë të Sionit, argumenti i këtij refuzimi do të mbetet enigmë për hulumtuesit e psikologjisë dhe ideve bashkëkohore. Sidoqoftë, tregimi mbaron këtu, ku duhej të fillonin dokumentet (jermi i tmerrshëm i tyre), të cilat një njeri si unë nuk i njeh, pasi dëshmitë e ndryshme gojore nuk mund t’i përdor si të tilla, sado të besueshëm të jenë njerëzit që i thonë. Ndoshta ndonjëherë do të kemi të bëjmë me diçka që do ta quajmë punë më të mençur: do të kemi të bëjmë me ese apo studim.

Lindita Komani
Refuzuesi Hesse, Lasgush refuzuesi

Ndjekja e një emisioni për shkrimtarin Hermann Hesse më solli para më shumë se dy vjetësh deri në librin “Zarathustras Wiederkehr (Kthimi i Zarathustrës)”. Në një publikim të shtëpisë botuese Suhrkamp libri me këtë titull ka në përmbajtje fjalën që në vitin 1919 Hesse i drejtoi rinisë gjermane përmes thirrjes kritike “Kthimi i Zarathustrës” dhe shkrime të tjerë kundër radikalizmit të majtë dhe të djathtë. Libri u desh të porositej pranë një librarie të madhe, sepse nuk bën pjesë tek tepër të frekuentuarit e Hesse-s, të cilët rëndom mundesh t’i gjesh në çdo librari të një shteti gjermanishtfolës. Letrar-artistikja brenda tij është e asaj natyre që pak dijnë ta vlerësojnë e aq më pak ta preferojnë.
Janë bërë dy vjet prej atëherë, por tronditja edhe në të lexuarën për të disatën herë më mbetet si në herën e parë, edhe figurat që më shfaqen para syve janë thuajse të njëjtat. E do sinqeriteti i këtij rasti të shprehem se disa figura të tjera më janë shtuar disa pas leximit të “Rrno vetëm për me tregue”. Por më e qartë mes të gjithave më mbetet fytyra e Lasgush Poradecit. Ndoshta sepse në mendimin tim ai shfaqet si aplikuesi më i suksesshëm në praktikë i fjalëve që Hesse i ngriti si profeci për ç’do ndodhte me poetët në komunizëm, i përshkrimit që dha për poetin e vërtetë në tërësinë e letrave që u titulluan “An einen Kommunisten (Një komunisti)”.Për siç e ka dashur fati, Hesse dhe Lasgushi kanë njëfarë ngjashmërie në pamje, një frymë e ngjashme i lidh dhe në të shkruar me atë mbajtjen pezull në një masë të mrekullueshme poetike, të dy e kanë pasur syrin e dorën e piktorit... Kur e vendos veten të gjesh ngjashmëri të kësaj natyre, mbetet vetëm të tronditesh. Si mundet të kombinohen gjenet në mënyrë të tillë që dy njerëz të lindur e të rritur në dy vende të ndryshëm, larg nga njëri-tjetri të shfaqin kaq shumë ngjashmëri, deri dhe në atë që Lasgushi aplikoi ekstremisht atë që Hesse shkroi që në 1931? Mos ndoshta dhe Lasgushi i ka lexuar të gjithë këta shkrime? Gjermanishten e zotëronte shumë mirë. Edhe viti 1931 jep gjasa të mira për këtë supozim. Po edhe sikur ta marrim rastin, se paska qenë ky lexim vendimtar: Si mundet të mbetej aq i bindur në misionin e vet si poet, sa të pranonte më mirë shuarjen në të gjallë? Për të qenë Lasgushi, poet në përjetësi. Kjo është përgjigjja që kemi dashur dhe duam të lexojmë e me siguri dhe e vetmja e mundshme.
Me këtë parantezë dëshirova të hyj në temën e refuzimit që Hesse në mënyrën e vet i bëri komunizmit me shkrimet, nga të cilat dy që datojnë në vitet 1931 dhe 1933, u zgjodhën për këtë sjellje në shqip.Fati e ndihmoi Hessen që jeta të mos i ndrydhej nën një diktaturë komuniste. Me këto nënshkrime vetëdënimi, ai me siguri do të kish hyrë i vdekur. Në mos i vdekur, do të vdiste rrugës, në mos do të vdiste rrugës, do të poshtërohej. Por për etjen njerëzore do të kishin qenë ndoshta kohë të pakrahasueshme, sepse ashtu siç është lindur e rritur ajo, vetëm në rastin e mosvdekjes trupore të poetit do mund të vërtetonte, nëse Hesse do i kthente në vepër mësimet që la për brezin e tij e të tjerët pas.


Letër një komunisti [i]

Qëndrimi im personal ndaj komunizmit mund të formulohet lehtë. Komunizmi (me të cilin unë më së pari kuptoj qëllimet dhe mendimet e Manifestit të vjetër Komunist) është gati të realizojë vërtetimin e vet në botë, bota është pjekur për këtë gjë, që prej kur jo vetëm sistemi kapitalist tregon shenja të qarta të rënies, por që prej kur posaçërisht dhe socialdemokracia e „shumicës“ e ka braktisur plotësisht flamurin e revolucionit.
Unë e mbaj komunizmin jo vetëm për të përligjur, por e quaj për të vetëkuptueshëm – ai do të vijë dhe fitojë, edhe sikur ne të gjithë të jemi kundër tij. Ai që sot është në anën e komunizmit, pohon të ardhmen.
Përtej kësaj po-je, që arsyeja ime thotë për programin tuaj, që prej kur jetoj, ka folur edhe një zë brenda meje për vuajtjet, unë kam qenë gjithmonë me të shtypurit kundër shtypësve, me të akuzuarin kundër gjykatësit, me të uriturit kundër hamësve. Vetëm se unë asnjëherë këto ndjenja që më shfaqen të natyrshme, nuk do t’i kisha quajtur komuniste, por më shumë kristiane.
Kështu: unë besoj me ju, që rruga marksiste mbi kapitalizmin në vdekje drejt çlirimit të proletariatit është rruga e së ardhmes, dhe që bota duhet ta ndjekë atë rrugë, dashtë apo mos dashtë.
Deri këtu jemi të të njëjtit mendim.
Por këtu ju ndoshta pyesni: Pse unë, kur besoj në drejtësinë e komunizmit dhe kam qëllime të mira ndaj të shtypurve, nuk bashkohem me ju të dal në luftë dhe nuk e vendos penën time në shërbim të partisë suaj.
Eshtë vështirë të jepet përgjigje mbi këtë, sepse këtu bëhet fjalë për gjëra, të cilat për mua janë të shenjta dhe të detyrueshme, të cilat për ju ama me shumë pak gjasa ekzistojnë. Unë e refuzoj plotësisht dhe bindshëm, të bëhem anëtar i partisë suaj, ose ta vendos shkrimtarinë time në shërbim të programit tuaj, megjithëse perspektiva e të pasurit vëllezër e shokë, e bashkësisë me një botë njerëzish me të njëjtin botëkuptim do të ishte mjaftueshëm joshëse.
Por ne pikërisht nuk jemi të të njëjtit mendim. Sepse ndonëse unë i miratoj qëllimet tuaja, ose për të qenë më i qartë: ndonëse unë besoj, që komunizmi është i pjekur që të marrë pushtetin e në këtë mënyrë përgjegjësinë gjigande, duke filluar me marrjen përsipër të gjakut dhe luftës – kështu kjo është për mua asgjë tjetër veçse sikur unë në nëntor të besoj, që tani shpejt vjen dimri. Unë besoj në komunizmin si program për orën e ardhshme të njerëzimit, unë e konsideroj atë si të domosdoshëm dhe të pashmangshëm. Por unë në asnjë mënyrë nuk besoj, që komunizmi ka një përgjigje më të mirë mbi çështjet e mëdha të jetës sesa ndonjë mençuri më e hershme. Unë besoj, që ai pas njëqind vitesh teori dhe pas provës së madhe ruse, tani ka jo vetëm të drejtën, por detyrën, që të vërtetohet në botë, dhe unë besoj e shpresoj sinqerisht, që ai do t’ia dalë mbanë, të eliminojë urinë dhe t’i marrë njerëzimit një makth të madh. Por që përmes tij do të realizohet ajo çka fetë, legjislacionet dhe filozofitë e mijëvjeçarëve të mëparshëm nuk arritën ta realizonin, këtë nuk e besoj. Që komunizmi përmbi shpalljen e së drejtës të çdo njeriu për bukë dhe për t’u bërë dikushi, paska të drejtë dhe qenka më i mirë, se çfarëdolloj forme më e hershme besimi, këtë nuk e besoj. Ai i ka rrënjët në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në mes të truallit të pushtetit më të thatë dhe më fodull të arsyes, një kulle profesorësh më të mirëditëshme, më të pafantazi dhe më të padashuri. Karl Marx e ka mësuar të menduarin në këtë shkollë, vështrimi i tij mbi historinë është ai i një ekonomisti kombëtar, një specialisti të madh, por në asnjë mënyrë „më objektiv“ se ai i mënyrash të tjera të vështruari, ai është jashtëzakonisht i njëanshëm dhe joelastik: gjenialiteti dhe justifikimi i tij nuk gjendet në rangun më të lartë të mendimit, por në vendosmërinë e tij për veprim.
Nëse ne sot do të gjendeshim në vitin 1831 dhe jo në 1931, ndoshta poeti dhe shkrimtari do të ishte shumë i shqetësuar nga dhimbjet dhe tronditjet e së nesërmes dhe pasnesërmes dhe për njëfarë kohe do t’i kushtonte të gjithë fuqitë e veta njohjes së përmbysjes që po përgatitet. Kështu e ka bërë asokohe poeti Heinrich Heine, dhe ai u bë për njëfarë kohe, ndoshta për kohën më të frytshme të jetës së tij, mik dhe bashkëpunëtor i Karl Marx-it në Paris. Sot ama po ky Heine do të interesohej sërishmi më shumë për të nesërmen dhe pasnesërmen sesa për zbatimin e asaj, që prej kohësh është njohur si e drejtë dhe e vlefshme për t’u zbatuar. Ai do ta njihte pa u menduar më gjatë, që socializmi e ka lënë mbrapa shkollën e tij dhe tani ose duhet të marrë pushtetin e botës ose do të marrë fund. Dhe ai do ta miratonte dhe do ta quante të drejtë këtë ngjarje, pushtimin komunist të botës, por nuk do të kishte ndonjë shtysë, që të merrte pjesë edhe vetë në këtë makinë që rrokulliset plot vrull.
Poeti nuk është as diçka më mirë as diçka më pak se një ministër, një inxhinjer, një fjalimtar, por ai është diçka krejt tjetër nga ata. Një sëpatë është një sëpatë, dhe me të mund të çash dru ose dhe kokë. Një orë ose një barometër shërbejnë për të tjera arsye, dhe kur bëhet përpjekja të çahet dru ose kokë me to, atëherë ato shkatërrohen, pa pasur ndonjë njeri përfitim prej kësaj.
Nuk është këtu vendi, që të numërojmë dhe sqarojmë detyrat dhe funksionet e poetit, si të një vegle të veçantë të njerëzimit. Ai është ndoshta një lloj nervi në trupin e njerëzimit, një organ, që të reagojë në prani thirrjesh të brishta apo nevojash, një organ për të zgjuar, për të paralajmëruar, për të tërhequr vëmendjen. Por ai nuk është një organ, me të cilin të thurren dhe gozhdohen pllakate, ai nuk përshtatet për tellall në treg, sepse fuqia e tij nuk gjendet tek zëri i lartë, këtë Hitleri mundet ta bëjë shumë më mirë. Por sidoqoftë, detyrat e tij mund të jenë këto ose ato: vlerë ai ka dhe seriozisht ai është për t’u marrë vetëm atëherë, kur nuk e shet veten dhe nuk e lë veten të shfrytëzohet, kur ai më mirë pranon të vuajë ose vdesë, sesa të tradhëtojë atë që ai e ndjen si thirrjen e tij.
Karl Marx ka pasur për poezinë dhe artin e së shkuarës, psh të së shkuarës greke, me të vërtetë shumë mirëkuptim dhe nëse në ndonjë pikë të teorisë së tij ndoshta nuk ishte krejtësisht i sinqertë, ishte aty ku, megjithë dijet më të mira që zotëronte, nuk i njohu artet si një organ i njerëzimit, por thjesht si një copëz nga „superstruktura ideologjike“.
Jo, unë në të kundërt dua t’ju paralajmëroj ju komunistët për ata poetë, të cilët ju ofrohen juve, të cilët përshtaten për të qenë tellallë dhe bashkëluftëtarë. Komunizmi është diçka shumë pak poetike, nuk ishte as tek Marx-i, dhe sot është akoma dhe më pak. Komunizmi do të vendosë madje në rrezik poezinë, sikurse çdo valë e madhe pushteti material, ai do të ketë pak sens për cilësitë dhe me hap të qetë do të vdesë një tërësi bukurie, pa i ardhur keq për këtë. Ai do të sjellë shumëllojshmëri përmbysjesh dhe rregullimesh të rinj, derisa shtëpia e re për shoqërinë e re të jetë ndërtuar, do të ketë shumë shkatërrim rrethepërqark dhe ne artistët si lakej nuk do të jemi aty në vendin e duhur. Do të qeshet edhe më shumë mbi ne dhe shqetësimet tona të brishta dhe do të na marrin akoma dhe më pak seriozisht, se ç’bëhej në kohën e borgjezisë.
Por në këtë shtëpi të re të njerëzimit shumë shpejt do të lindë pakënaqësi, dhe sapo frika prej urisë të ketë shkuar, do të tregohet, se dhe njeriu i së ardhmes dhe masës e ka një shpirt, dhe se ky shpirt zhvillon brenda vetes llojet e urisë dhe nevojës, të instiktit dhe detyrimit dhe se instiktet, nevojat, dëshirat, ëndrrat e këtij shpirti kanë një përqindje shumë të madhe në gjithë atë, çfarë njerëzimi mendon dhe bën dhe synon. Dhe kur atëherë të ketë dhe njohës të shpirtit: artistë, poetë, kuptues, qetësues, udhërrëfyes, atëherë do të jetë mirë për njerëzimin.
Në këtë çast detyrat tuaja mund të shquhen qartë. Ju komunistët keni një program të qartë për të përmbushur dhe ju duhet të përpiqeni vetë për këtë. Në këtë çast detyrat tuaja shfaqen shumë më qartë, shumë më nevojshëm dhe seriozisht sesa tonat. Kjo do të ndryshojë, sikurse ka ndryshuar mjaft herë deri tani.
Me të drejtën e udhëheqësit të luftës ju ndoshta do të vrisni këtë apo atë poet, sepse ai shkruan këngë lufte për armiqtë tuaj; ndoshta do të tregohet më vonë, se ai nuk ish poet, por thjesht një thurrës pllakatesh. Por në dëmin tuaj ju do të zhgënjeheni, nëse besoni, se një poet është një instrument, të cilin mund ta shfrytezojë klasa në pushtet sipas dëshirës në sensin e një skllavi apo një talenti të bleshëm. Me këtë mendim ju do të mashtroheni rëndë me poetët tuaj dhe pikërisht më të pavlerët do të mbeteshin të varur tek ju. Ama nëse ju më vonë do të merreni dikur me këtë gjë, artistët dhe poetët e vërtetë do t’i njihni në atë që ata kanë një shtysë të pafre për pavarësi dhe reshtin menjëherë së punuari, nëse dikush përpiqet t’i detyrojë ta bëjnë punën ndryshe nga ç’ua thotë thjesht ndërgjegjja e tyre. Ata nuk do të jenë të bleshëm as për sheqerkat tuaja e as për detyra të larta dhe do të pranonin më mirë të vriteshin sesa ta linin veten të keqpërdoren. Nga kjo do të mund t’i njihni ata.

(1931)


Refuzim*

Më mirë të vritesh nga fashistët
se vetë të jesh fashist!
Më mirë të vritesh nga komunistët
se vetë të jesh komunist!
Ne nuk e kemi harruar luftën. Ne e dijmë,
si dehesh, kur prek daulle dhe timpan.
Ne jemi shurdhë, ne nuk na merr rryma,kur ju joshni popullin me drogën e vjetër.
Ne nuk jemi as ushtarë as përmirësues bote,
ne nuk besojmë, se „përmes qenies sonë
bota duhet të shërohet“[1][ii].
Ne jemi të varfër, ne jemi thyer,
ne nuk i besojmë më frazave të bukura
me të cilat në luftë fshikulluar dhe kalëruar
-Edhe tuajat, vëllezër të kuq, janë magji që çojnë në
luftë dhe gaz!
Edhe fyhrerët[1][iii] tuaj janë gjeneralë,
komandojnë, ulërasin dhe organizojnë.
Ne ama, ne e urrejmë këtë,
ne nuk pijmë më raki të keqe,
ne nuk duam të humbim zemër e arsye,
as të marshojmë nën flamuj të kuq a të bardhë,
Më mirë duam të kalbemi të vetmuar si „ëndërronjës“
o të vdesim nën të përgjakurat duar tuaja vëllezërish
se të shijojmë çfarëdolloj lumturi partie e pushteti
e në emër të njerëzimit të shtiem mbi njerëzit tanë!
(1933)

*Si përgjigje mbi disa pyetje, se përse nuk vendosem në anën e komunistëve.
[i] Në libër gjendet dhe një draft për këtë letër drejtuar një komunisti, si dhe një variant i dytë më i zgjeruar. Ky variant u zgjodh për shkak të një personazhi, i cili përmendet posaçërisht dhe po e lejojmë të zbulohet vetë në lexim e sipër.
[ii] Fraza e saktë është: “Am deutschen Wesen soll die Welt genesen” – përmes qenies gjermane duhet të shërohet bota. Ajo u shkrua nga poeti gjerman Franz Emanuel August Geibel në vitin 1981 brenda poezisë me titull „Deutschlands Beruf“ – Profesioni i Gjermanisë. Ky varg u keqpërdor dekada më vonë si një parrullë në gojët e nazistëve.
[iii] Mund të përkthehej dhe thjesht si “udhëheqës”. U la për shkak të përdorimit të “fyhrer” dhe në shqip në kontekstin e diktatorit udhëheqës ushtarak.

[1] Poet, prozator, eseist dhe shqipërues lindur në Shkodër më 1963, ku ka studiuar fillimisht për pikturë, pastaj për letërsi. Ka punuar për një kohë të gjatë si drejtor i Galerisë së Arteve të qytetit. Aktualisht jeton e punon në Tiranë. Është autor i shumë librave me poezi, tregime, I disa romaneve dhe dramave, për të cilët është vlerësuar me çmime kombëtare dhe mbarëkombëtare. Gjithashtu, është autor librash me studime dhe përkthime. Është përfshirë në projektin e antologjisë “Poetët e rinj evropianë”, të shtëpisë së mirënjohur botuese amerikane Graywolf (New York, 2008). Pjesë të krijimtarisë janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, gjuhë sllave etj.