ANTON ÇEFA: 100-vjetori i gazetës “Dielli”

Me mbylljen e gazetës “Kombi” (1909) të Sotir Pecit në Boston dhe të revistës “Albania” të Faik Konicës në Londër(1909), nuk kishte një gazetë shqipe që të luftonte për të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Nevoja për një organ shtypi u bë edhe më urgjente për një çështje të tillë, kur xhon-turqit burgosën Dervish Himën, sepse i gjetën Flamurin e Shqipërisë me vete, dhe asnjë gazetë e Shqipërisë nuk guxoi dot të dilte në mbrojtje të tij. Atëherë u morën vesh Noli me Konicën për botimin e gazetës “Dielli”, e cila filloi të botohet më 15 shkurt të vitit 1909, nga shoqëria shqiptare “Besa-besën”, shoqëri që qe formuar dy vite më parë me nismmën e Sotir Pecit dhe Fan Nolit. Shumë shpejt “Dielli” u bë një nga organet kryesore të shtypit shqiptar të asaj kohe. Editori i parë i saj ishte Fan Noli, që e redaktoi gazetën për 29 numrat e parë deri me ardhjen e Konicës nga Londra, në nëntor të këtij viti.

Me formimin e “Vatrës” dhe me shkrirjen në gjirin e saj të shoqërisë “Besa-besën”, “Dielli” u bë organ i Federatës . Menaxher i parë i “Diellit”, i zgjedhur në mbledhjen themeltare të “Vatrës” qe Kristo Kirka.

“Dielli” ka qenë i detyruar, kryesisht për arsye politike, të ndërrojë emrin. Kështu, ai është botuar më emrat “Dielli e Flamuri”, “Purteka”, “Kombi në rrezik” Në vite 1936-1939, për arsye të mosmarrëveshjeve politike në gjirin e “Vatrës”, me të njëjtin emër u botuan dy edicione: në Boston dhe në Detroit.

Programi i shpallur që në krijim të saj ishte krejtësisht kombëtar. Po e japim programin të plotë sipas Refat Xh. Gurrazezit, historianit të parë të “Vatrës”:

Njojtja e kombësisë shqipëtare prej qeverisë turke. Në kombësinë shqipëtare hyjn’ gjith’ ata që flasin shqip pa vënë re fe a besim.

Të njohurit e gjuhës shqip si gjuhë zyrtarishte në Shqipëri. Në gjykatorët dhe sundimtarët e vendit të përdoret gjuha shqip vetëm. Asnjë gjykatës a sundimtar të mos qaset në Shqipëri pa ditur gjuhën e vendit. Gjithë ashtu edhe për kryetarët fetarë që nga ata të shkallës më të lartër për çfarëdo fe që praktikohet në Shqipëri.

Arësimi kombëtar shqip. Shkollat e para të përbashkme për gjithë çunat të jenë vetëm në gjuhën kombëtare dhe të përmbahen prej qeverisë. Qeveria turke të mos ketë të drejtë të hapë shkolla të para gjëkunt në Shqipëri. Shkollat e çupave të para, të dyta, a të larta vetëm shqip. Mësonjësit të jenë shekullorë, d. m. th. të mos jenë priftërinj as hoxhallarë. Mësimet fetare të mos ketë për shkollat e para, sikundër ngjan në shkollat e Amerikës.

Shpenshtjell’ ekonomike. Të shtrohen udhë tregëtare të njerëzishme prej qeverisë për të bashkuar tërë qytetet e mbëllenj të Shqipërisë me njëri-jatërin. Dhe me limanet e Shqipërisë. Të krijohen dhe të përmbahen prej qeverisë shkolla bujqësie, mjeshtërie dhe kafshë-ritjeje në qytetet e mbëdhenj të vendit.

Sundim Çqendralësor. Të ipet prej qeverisë një statut i cili të çkoqitë kufit’ e vendit, i cili të mos përmbledhë brenda më pak se vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Janinës, Manastirit. Ky vent të qeveriset prej një parlamenti Shqiptarësh me ministorë Shqipëtarë, nënë një përvendës të Sulltanit, i cili të quhet Guvernor i Shqipëris’ (Arnautllëk valise). Shqipëria të mos ketë të përbashkme me Turqinë veç ushtërinë, punet e luftës, dhe punët e jashtme.

Natyrisht, programi ka pësuar ndryshime në përputhje e në funksion të kohërave. Ndryshimi më i parë qe kalimi nga kërkesa për autonomi në kërkesën për pavarësi.

Gjatë gjithë jetës së saj, gazeta “Dielli” u shqua si një nga tribunat më të rëndësishme të çështjes shqiptare. Ajo ka përkrahur lëvizjet për çlirimin dhe pavarësinë e Shqipërisë, ka kundërshtuar politikën shoviniste të shteteve fqinje ndaj Shqipërisë dhe ka propaganduar në vazhdimësi idenë e bashkimit dhe të organizimit të popullit shqiptar në një shtet me një program të përcaktuar politik, ekonomik, kulturor e arsimor, sipas modeleve të demokracive perëndimore. Në gjirin e emigrantëve shqiptarë të Amerikës, “Dielli” ka propaganduar në çdo kohë unitetin dhe dashurinë për njëri-tjetrin dhe ruajtjen e traditave kombëtare. “Dielli” mbolli farën e qytetërimit midis shqiptarëve. Ai ishte dhe mbeti tërë kohën malli, dashuria dhe krenaria e shqiptarëve të Amerikës për atdheun, pjesë e jetës dhe e qenies së çdo mërgimtari shqiptar. “Dielli” përshëndeti fitoren e Luftës Antifashiste të popullit shqiptar përkrah Aleancës së madhe Antifashiste dhe përkrahu kërkesën e Shqipërisë për t’u pranuar në OKB, por kritikoi zhdukjen e lirive demokratike, politike, ekonomike e kulturore nga sistemi diktatorial Stalinist, që u instalua nga Partia Komuniste dhe diktatori Enver Hoxha.

Pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri, “Dielli” dha një ndihmesë të vyer, me shkrimet e veta, për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri, për çlirimin e pavarësinë e Kosovës në drejtim të kërkesave për sigurimin e të drejtave politike kombëtare, shoqërore, kulturore, etj. të shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Medvegje, Bujanovc, sipas ligjshmërisë ndërkombëtare. Gjithashtu, herë pas here është shkruar për padrejtësitë flagrante, që iu bënë e po i bëhen Çamerisë si dhe janë demaskuar pretendimet absurde të qarqeve shoviniste greke, .tje dhe këtu, për të ashtuquajturin Vorio-Epir.

Gjatë kësaj periudhe janë bërë përpjekje për të ndjekur gjurmët jashtëzakonisht të pasura të traditës publicistike të “Diellit”, duke këmbëngulur për ruajtjen e profilit të tij, si gazetë e bashkësisë shqiptare të Ammerikës dhe e organizatës së saj në zë, “Vatrës”.

Duke u botuar mesatarisht 4 herë në vjetë, gjatë kësaj periudhe, “Dielli” mori më tepër profilin e një reviste; më saktë të një reviste kulturore, ku veç analizave për çështjet bashkëkohore politike kombëtare, i është dhënë një hapësirë e gjerë artikujve studimorë në fushën e kulturës sonë albanologjike. të personaliteteve të shquara të kulturës dhe historisë sonë kombëtare

Gjatë kësaj periudhe janë bërë përpjekje për të ndjekur gjurmët jashtëzakonisht të pasura të traditës publicistike të “Diellit”, duke këmbëngulur në ruajtjen e profilit të tij, si organ i bashkësisë shqiptare të Ammerikës dhe i organizatës së saj në zë, “Vatrës”. “Dielli” nuk e ka zgjidhur asnjëherë problemin e gjendjes financiare. Të gjitha veprimtaritë e “Vatrës”, duke përfshirë botimin e “Diellit” janë realizuar me ndihmat e një grushti vatranësh, kryesisht, anëtarë të këshillit të “Vatrës” dhe të ndonjë aktivisti.


* * *

Në drejtim të gazetës “Dielli” kanë vepruar personalitete të shquara në lëmin e atdhetarisë dhe të gazetarisë shqiptare. Editorë të “Diellit” sipas radhës kanë qenë: Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kristo Dako, Paskal Aleksi, Efthim Natsi, Dennis Kambury, Kostë Çekrezi, Bahri Omari, Loni P. Hristo, Andon S. Frashëri, Andrea D. Elia, Nelo Drizari, Peter Tiko, Qerim Panariti, Athanas Gegaj, Refat Gurrazezi, Xhevat Kallajxhi, Eduard Liço.

Në vitet 1990-1994, gazeta ka kaluar në duar të ndryshme. Në vitin 1990: Din Derti; 1991: Arshi Pipa (korrik, gusht-shtator); Gjon Buçaj, A. Karagjozi, Agim Rexhaj, me asistencën e Tahir Deskut (tetor-nëntor); Arshi Pipa (dhjetor); 1992: Arshi Pipa (janar, shkurt, mars, prill, maj-qershor); Agim Karagjozi, Gjon Buçaj (korrik-nëntor); 1993: Agim Karagjozi (janar-qershor, korrik-tetor, nëntor-dhjetor); 1994: Agim Karagjozi, Anton Çefa (janar-shtator); Anton Çefa (nga numri tetor-dhjetor 1994 deri në numrin e fundit korrik-dhjetor 2006). Gazeta pushoi botimin për arsye të mospajtimit të mendimeve të editorit me kryesinë e “Vatrës” lidhur me gjendjen e sotme dhe të ardhme të kësaj organizate.

Nga më të shquarit në radhën e editorëve, po përmendim Nolin, Konicën, Çekrezin, i cili arriti të bëjë gazetën ditore. Detyrën e editorit për kohën më të gjatë e ka mbajtur Qerim Panariti (19 vjet).

Gjatë jetës së “Diellit” kanë dalë një mori gazetash e revistash shqipe, në atdhe, në trojet shqiptare të pushtuara në Ballkan dhe në diasporë, në të gjithë botën, por asnjë nuk e pati fatin e jetëgjatësisë së tij. As nuk mund të flitet për jetëgjatësinë e gazetave dhe revistave që dolën në një kohë me “Diellin”. Në vitet 1908-1910 u botua në Selanik, gazeta “Liria; me 1909-1911, “Shqypja e Shqypnisë” e Josif Bagerit; me 1909 “Rrufeja” e Thanas Tashkos e Jani Vruhos, në Kajro, në vitin 1909; “Lidhja Orthodhokse”e Mihal Gramenos, në Korçë, me 1909; “Bashkimi i kombit” e Fehim Zavalanit, në Manastir, në vitet 1909-1910; “Liri e Shqipërisë” e Kristo Luarasit, në vitet 1911-1915, “Drita” e Muço Qullit, me 1911-1912, etj., etj. Te gjitha jëtëshkurtëra.

Edhe gazeta e revista të tjera të cilat për shtypin shqiptar në atdhe dhe në diasporë, mund të përmenden për jetën e tyre të gjatë, as që mund të krahasohen me organin e “Vatrës”. Kështu “Arbëreshi i Italisë” (“L’albanese d’Italia”) e De Radës (1848-1912) jetoi 64 vjet; “Kombi Shqiptar” (“La Nazione Albanese”) e Anselmo Lorechios (1897-1924), jetoi 27 vjet; “Albania” e Konicës (1897-1909), vetëm 12 vjet. “Dielli” mund të krahasohet, në këtë rrafsh, vetëm me “Hyllin e Dritës” të Pader Gjergj Fishtës, i cili e nisi botimin në vitin 1913 dhe, me gjithë ndërprerjet e pësuara, vazhdon të botohet sot e kësaj dite.



Kanë thënë për “Diellin”

Fan Noli:

QË "DIELLI" TË VAZHDOJË TË NDRIÇOJË

edhe pa rekllama …

… E nismë Kombin dhe pastajza, pas tre vjetësh Sotir Peci shkoi. Këtu, tha s’bëhet punë, unë do shkoj në Shqipëri. Edhe shkoi për Kongresin e Manastirit ahere e pastaj mbeti në Shqipëri. Pastaj vajti në Shkollën Normale, siç e dini edhe me ne fund, u bë një nga pjesëtarët e Këshillës së Regjencës. Po sido qoftë, nga Kombi lindi Dielli. Kur shkoi Sotir Peci, na la këtu një shtypshkronjë. Ajo shtypshkronjë ish në 100, Hapson Street, në një katua. ( … ) Aty bënte shumë fohtë, kishim një sobë e cila nuk na ngrohte por vetëm na tymoste. Si e shtypnim Diellin ne? E rradhitnim vetë dhe më vjen keq që nuk ndodhet ketu, Thimaqi, që ishte kryeradhitësi e nga i cili mësova edhe unë zanatin e rradhitjes së shtypit. Me atë tok e rradhitnim e pastaj, në mashinën me të cilën e shtypnim vetë, me këmbë. Amerika s'kish përparuar aq shumë aheraj, sa të përdorej elektriku në mashinat.

Shkurt, si shkoi Sotir Peci mashinat mbetën të gjitha atje siç ishin, të pa paguara. Edhe u mbluadhtin ca nga djemtë që kishin dhenë paratë, pagesën e parë kur i bleu dhe thanë: Ç'do t'i bejmë këto? Ca thanë që t'i shesim, ca thanë jo të mos i shesëm, po të vazhdojmë gazetën vetë. Të nxjerrim një tjatër gazetë. Se s'mund të nxirnim Kombin pa lejen e editorit. Por që të mundnim të nxirnim një tjatër gazetë, duhej të pagunaim një herë mashinat, të cilat ishin të papaguara. Kështu që u mbluadhnë nënë kryesinë e Kristo Qirkës, ndjestë pastë edhe të Misto Millonait i cili mblodhi disa nga dardharët, Kristo Qirka mblodhi ca prej korçarëve si edhe Dhima e Goni Pitërson dhe këta i paguan të gjitha këto e thanë: Ja ku i keni mashinat, hajdeni nxirrni gazetën!

Dhe kështu nismë Diellin, pikërisht me atë methudhë me të cilën nxirnim edhe Kombin e Pecit. E rradhitnim unë tok me Thimaqin edhe pastaj e shtypnim në atë katuan e mbytur me tym, duke punuar me këmbët. Po ishim djem aherë, shumë trima, shumë të shëndoshë. Kjo gazetë e nisur me tërë ato varfërira e me tërë ato mundime, nisi më 15 të shkurtit 1909. Më 5 nëndor 1915 u bë e përditëshme. Më përpara dilte një herë në javë, pastaj dy herë në javë, pastaj tri herë në javë e pastaj dolli e përditëshme kur ishte direktor, ndjestë pastë, Kostë Çekrezi, i cili midis vyrtutave të tjera kish vyrtutin që ishte një punëtor i rrallë. Ndoshta punëtori më i madh që ka nxjerrë Përlindja Shqipëtare.

Tani duhet të kini përpara sysh një gjë: Dielli përparoi e arriu të bëhet e përditëshme e vazhdoi disa vjet kështu. Pastaj botimi i tij u rrallua sepse gjysma, më tepër se gjysma e shqipëtarëve më të mirë që kishim këtu u sulnë si bagëtia, si kope edhe u kthyen në Shqipëri, posa që u hap vendi. Dhe kjo e sakatosi lëvizjen kombëtare të këtushme. Vanë atje dhe kujtonin se kur të ktheheshin do t'a gjenin përsëri derën hapët. Kur u mejtuan që të ktheheshin këtu, dera ishte mbyllur e s'vinin dot.

Por, sidoqoftë, me gjithë ato mundime, Dielli vazhdoi. Po si vazhdoi ?... Këtë duhet t'a kini gjithënjë përpara sysh. Dielli nuku mund të mbahej vetëm me pajtime. Po të pyeç mirë, asnjë gazetë në botë nuku përmbahet vetëm me pajtime. Përmbahet me rekllama. Edhe ne, rekllama nuk kemi natyrisht pse, ai publik që e këndon është shumë i limituar e askush nuk rekllamon pa pritur që të marrë fitime nga ajo rekllame. Kështu që s'duhet të dëshpërohemi, kur shikojmë se nga koha në kohë Dielli ngec e pret ndihmën tonë. Tashi, ç'mund t'u thom për vazhdimin e Diellit? E vetmja gjë që mund t'u thom është kjo. Kështu siç bëmë këtë mbledhje të bukur sot, që mblidhemi nga të gjitha anët e Amerikës e piqemi e çmallemi, do të ish mirë që të mblidhemi çdo tre vjet e kështu të ndihmojmë edhe Diellin. Se ka edhe një tjatër qëllim kjo mbledhje. Nuk jemi më djema dhe ngadalë e ngadalë hesapi ynë po shkurtohet e mbyllet. Kështu që është mirë të piqemi çdo dy a tre vjet. Se kush e di se kur piqemi prapë ! ( … )

1963

Refat Xh. Gurrazezi:

Kur dolli Dielli për herë të parë, u duk si një yll i ndritur në mes të errësirës. Shkurtër, Dielli ka qenë një shkoll’ e veçantë jo vetëm për emigrantët shqipëtarë t’Amerikës që shumë prej tyre mësuan si të shkruajnë dhe të këndojnë shqip prej tij, por për gjithë këndonjësit shqipëtarë kudo në botë. Në fjalë të tjera, Dielli ka qenë një shkollë stërvitëse për këndonjësit e tij si nëshkencën politike, ashtu edhe në fushën kulturale. As ka patur dhe as që ka gazetë tjatër shqipëtare që munt të barabitet me Diellin e kohëve të Faik Konitzës dhe të Fan Nolit.

1972

Hans-Joachim Lanksch:

“Dielli” më hapi një dritare, një spektër deri më tash të panjohur të botës shqiptare. Megjithëse dij për traditën dinjitoze të “Diellit”, prapë më befasoi kandshëm niveli i naltë i shkrimeve në të.

Nga një letër private, 6 shkurt 1998.

Peter R. Prifti:

Gazeta “Dielli” është e respektuar për moshën e saj të nderuar, politikën e saj demokratike dhe mbi të gjitha për rolin e shquar historik që luajti në vitet e pra të rinisë së saj.

………………….

Kam marrë rishtas numrin e ri të gazetës Dielli. Ju falënderoj shumë. Vertet ajo nuk del aq shpesh sa do të dëshiroja unë. Por besoj se askush nuk mund të mohojë – as edhe kundërshtarët e saj më të rreptë, në qoftëse flasin me sinqeritet – se gazeta ka lëndë të pasur, trajton tema aktuale me peshë, dhe është tërheqëse nga ana teknike, sepse përputhet me kriteret e profesionit të gazetarisë. Prandaj, vlen të presësh për te edhe kur vonohet.

Nga një letër private, dt. 8 mars 2003.


Bibliografi

Refat Xh. Gurrazezi, “Historia e Federatës’ Vatra”, shtëpia botuese Globus R. , Tiranë, 2006.

Beqir Meta, “Federata Panshqiptare ‘Vatra”,, shtëpia botuese Globus R., Tiranë, 2002.

Peter R. Prifti, “Land of Albanians: A Crossroads of Pain and Pride”, shtëpia botuese “Horizont”, Tiranë, 2002.

Peter R. Prifti, “Shtypi shqiptar në Amerikë”, përkthyer nga Çezar Kurti, “Illyria”, 6-8 tetor 1994 dhe 10-12 tetor, 1994.

The Albanian Historical Society of Massachusetts, “The Albanian Struggle in the Old World and New, Boston, 1939.

No comments: