Kulturat e gjithfuqishme bëhen varr i vetvetes po nuk u ripërtërinë... / Culturile atotputernice devin propriul mormânt, dacă nu se reîmprosptează...
Bisedë me shkrimtaren Elvira Dones
(Convorbire cu scriitoarea Elvira Dones)
E. Dones lindi në Durrës, Shqipëri, u rrit në Tiranë e kreu studimet e larta në letërsi shqipe e angleze në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Më pas kreu studime në jurisprudencë në Universitetin Shtetëror të Milanos, Itali. Nga viti 1988 deri në 2004 jetoi e punoi në Zvicër, me të cilën vazhdon të mbajë lidhje profesionale. Aktualisht jeton e punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sëbashku me familjen. Dones ushtron në paralel profesionet e shkrimtares, skenaristes së filmit artistik e regjisores së filmit dokumentar. Libra e filma të saj janë vlerësuar me çmime mes Europës e Shteteve të Bashkuara.
Ka publikuar në gjuhën shqipe: DASHURI E HUAJ, roman, shtëpia botuese Çabej, Tiranë 1997; KARDIGAN, roman, Çabej, Tiranë 1998; LULE TË GABUARA, vëllim me tregime, shtëpia botuese Onufri, Tiranë 1999; YJET NUK VISHEN KËSHTU, roman, shtëpia botuese Sejko, Elbasan 2000; DITË E BARDHË E FYER, roman, Sejko, Elbasan, 2001; I LOVE TOM HANKS (PËRRALLA MODERNE), tregime, Sejko, Elbasan, 2002; MË PAS HESHTJA, roman, Sejko, Elbasan, 2004; HANA, roman (përktheu nga origjinali italisht), Sejko, Elbasan, 2007.
(romanet YJET NUK VISHEN KËSHTU, DITË E BARDHË E FYER e MË PAS HESHTJA janë pjesë e një trilogjie të titulluar "Trilogjia e dhimbjes").
Dones ka botuar në gjuhën italiane: SENZA BAGAGLI (nga origjinali shqip "Dashuri e huaj"), BESA Editrice, (Lecce), 1998; SOLE BRUCIATO (nga origjinali shqip "Yjet nuk vishen kështu"), Feltrinelli Editore, Milano, 2001; BIANCO GIORNO OFFESO (nga origjinali shqip "Ditë e bardhë e fyer"), Interlinea Edizioni, Novara, 2004; I MARI OVUNQUE (nga origjinali shqip "Më pas heshtja"), Interlinea Edizioni, Novara, 2007; VERGINE GIURATA, Feltrinelli Editore, Milano, 2007;
Në gjuhën franceze: SOLEIL BRÛLÉ (nga origjinali shqip "Yjet nuk vishen kështu"), Editions Anne Carrière, Paris, 2005.
Fragmente nga vepra letrare apo esestike e E.Dones, janë botuar gjithashtu në gjuhët angleze, gjermane, rumune.
Filma dokumentarë: CERCANDO BRUNILDA, prodhim i Televizionit të Zvicrës italiane, 2003, (finalist i Çmimit të gazetarisë "Ilaria Alpi 2004"). "I NGUJUAR” (Inchiodato), 2004, çmimi FIPA D'ARGENT në seksionin "Grands Reportages de faits et societé" në Festivalin Ndërkombëtar të Programeve Audiovizive, Biarritz, Francë. “IL CLIENTE E LA RAGAZZA”, 2005; “VERGINI GIURATE” ("Sworn Virgins"), 2006 bashkëprodhim i Televizionit Publik Zviceran dhe Dones Media (fitues i çmimit “Best Documentary” në Women’s Film Festival, Baltimore, Shtetet e Bashkuara; “NON VOLEVA STARE IN MUTANDE”, 2007; “ZANE THE QUEEN OF EROTICA”, 2008.
Ka shkruar disa skenarë filmash artistikë me metrazh të gjatë: SENZA BAGAGLI, 1998; SOLE BRUCIATO ("Yjet nuk vishen kështu"), 2003; GUARDIE DI CONFINE, 2004, Zvicër. ROULETTE 2007, Zvicër.
Dones sapo ka mbaruar së shkruari në gjuhën italiane romanin “Piccola guerra perfetta”

Revista Haemus: E dashur Elvira Dones. Ke përshkuar një udhë që mund të ndahet në tri pjesë, ose në tri mendësi: Shqipëria para dhe pas shembjes së diktaturës, Zvicra (e shkrimtares së arratisur e, më pas, së njohur) dhe Amerika. Ndërkaq, vepra jote në prozë ka një harmoni të qartë dhe ringjiz në tekst një botë të mëvetësishme, por që ruan përmasa të secilës nga hapësirat e përmendura. Si janë shtresuar brenda teje Shqipëria, Zvicra dhe Amerika?
Elvira Dones: Këta vende, në dukje kaq të ndryshëm nga njëri tjetri, më kanë bërë një nder të madh, duke e lënë veten të këqyren nga unë. Është luks ky: të kesh mundësinë të shqyrtosh, fotografosh, ngjitësh e shpërbësh shoqërinë, natyrën, politikën, vlerat e mosvlerat e një vendi të vetëm, e jo pastaj të tre vendeve bashkë, ndaj më janë të tre të rëndësishëm. Shqipëria është Toka Amë, dhe këtu s’do kish pse të zgjatesha rreth arsyeve pse vendi ku ke lindur, qumështi që të ka dhënë, gjuha që ke mbllaçitur së pari të janë të paçmueshme. Zvicra në njëfarë mënyre më rriti sepse më goditi paq në fillim (përvojë nëpërmjet së cilës kanë kaluar thuajse të gjithë mërgimtarët). Pasi u shkërmoqa në krenarinë e sensin e identitetit vendosa të rikompozoja veten (e edhe këtu, asgjë të re që të tjerë mërgimtarë nuk kanë kaluar), e kur ndërtohesh nga e para je i kulluar në forcat fizike e barazpeshimin mendor, je njeriu i ri – jo në kuptimin diktatorial të termit, zot na ruaj! – por në kuptimin më të thellë, atë të mbijetuesit me dinjitet e kokëfortësi aktive. Kjo më ndodhi në Zvicër, u rrita. Që aty u vura të rrëfej shtatë lëkurët e mia, rrënjët e vatanit që kisha lënë pas: Shqipërisë, si edhe fytyrat e shtëpisë së re: Zvicrës e nëpërmjet saj një forma mentis të Europës Qendrore. Me Amerikën gjërat qenë e mbeten më të thjeshta: ishte prej dekadash një dashuri gjuhësore e kulturore, e kisha vizituar e lexuar shumë para se të vija ta jetoja. Dhe nga Zvicra nuk ika, nuk mbylla pas vetes një portë, siç kish ndodhur vite të shkuara me largimin nga Shqipëria komuniste. Ndaj bashkëjetesa me Amerikën është si ato marrëdhëniet konsensuale, ku secila palë këqyr tjetrën pa mllef a naivitet, por veç me kureshtje e kënaqësi. Në kundërshtim me vizionin që shumë europianë kanë ndaj Shteteve të Bashkuara ky vend është i gjallë dhe aspak monoformë e monokulturë; gjallon kontradikta e durim njerëzor; sinqeritet e dashuri për ekzistencën. Është një kontinent që pulson gjuhë e ngjyra, është plot difekte e plot bukuri, i mbushur me ngjarje për t’u rrëfyer. Nuk ka gjë më ideale për shkrimtarin se të jetuarit mes këtij tasi gjigand plurietnik.
Krahas këtyre tre vendeve brenda meje jeton Italia. Një pjesë e madhe e karrierës si shkrimtare, realizuese dokumentarësh e skenariste filmash artistikë është zhvilluar e zhvillohet në Itali, së cilës ndërkohë i kam “vjedhur” edhe gjuhën. Këta katër vende janë secili në një qilar më vete brenda meje, por janë qilarë pa dyer a dryna, hyjnë e dalin tek shoshoqi sa herë kanë nevojë e dëshirë.
Revista Haemus: Çfarë roli ka luajtur fëminia, njerëzit e saj dhe pejsazhet shqiptare në të shkruarën tënde? Nga mendon se erdhi ky përkushtim ndaj letërsisë? Si ndodhi?
Elvira Dones: Nga erdhi nuk e di. Im atë, duke qënë inxhenjer kimist me formacion, ëndërronte që e bija të studjonte shkencat. Në kopësht edukatorja na bëri një ditë pyetjen që rëndom u bëhet fëmijëve: çfarë don të bëhesh kur të rritesh. Unë thashë se do bëhesha shkrimtare. Fëmijët përreth ia plasën gazit, edukatorja edhe më fort. Prindërit kur e dëgjuan psherëtinë (por qe një psherëtimë krenare, se asokohe shkrimtari mbahej me shenjtëri në tokën tonë). Në moshën 10 vjeçare kisha përpirë një sasi goxha të ngjeshur të letërsisë europiane – e më raftë pika në vend se kuptoja gjë. S’ka se si të kuptosh revolucionin francez me gjithë madhështinë e shumëfaqësinë e vet, për shembull, lipset bagazhi kulturor e historik për këtë. Apo Tolstoin. Apo Shekspirin e kështu me radhë. Por nga ato lexime të ethshme mbetën atmosferat, magjia e letërsisë, bukuria e dramë njerëzore. Pa e ditur kisha hedhur farat e asaj që do bëhesha një ditë.
Revista Haemus: Si ishte jeta studentore për ty? Çfarë ndryshimesh të rëndësishme gjen mes jetës së studentit të dikurshëm dhe të tanishmit?
Elvira Dones: Dje në mbrëmje ime bijë më bëri të njëjtën pyetje për një detyrë në lëndën e letërsisë angleze (është studente e vitit të tretë të gjimnazit). U sugjerohej të intervistonin një njeri që ata konsideronin me interes në rritjen e tyre studimore. Ajo erdhi me dhjetë pyetje të përpiluara për të ëmën. Por t’i përgjigjem pyetjes për Haemus është më e lehtë se t’i përgjigjem sime bije së cilës epoka e komunizmit, gjatë së cilës unë isha studente, i duket edhe më e largët se ulja e njeriut në Mars apo Saturn… Në jetën tonë asokohe kish dy grupe studentësh: ata që vinin në universitet për meritë të emrit të familjes, të rekomandimit apo thjesht për të vrarë kohën, kështu që zvarriteshin me sfilitje nga njëri auditor në tjetrin dhe e kishin jetën relativisht të lehtë sepse nuk e çakaritnin shumë mendjen me pyetje të tepërta. Pastaj ishin të tjerët: të etur për dituri, për të parë ç’kish nga ana tjetër e murit, për të lexuar çfarë mund t’u binte hapur apo fshehtas ndër duar. Bëja pjesë në grupin e dytë. Ne lexonim për të mbijetuar, çdo faqe libri të ndaluar ishte një ushqim i domosdoshëm për të mos vdekur çdo ditë nga pak.
Në këtë kuptim vitet tona studentore qenë të vlyera sepse na mësuan të marrim pa kërkuar, na detyruan të guxojmë. Duke mos patur lirinë e kamjes materiale; lirinë e udhëtimit; lirinë e shpërfilljes rinore, ne fituam lirinë e fantazisë, u bëmë kanibalët e diturisë. Leximi qe për ne e vetmja fé, nga të paktat arsye përse të jetoje. Mbaj mend që kur na ra në dorë “1984” i Orwell-it na u desh ta kalojmë dora-dorës në fshehtësinë më të madhe për tre ditë e tre netë. Ishim gjashtë shokë, llogaria del e thjeshtë sa kohë kish secili për ta përpirë librin...
Studentët sot janë të bombarduar nga konsumizmi i gjithëfuqishëm. Librat sa vjen koha e më pak lexohen. Hapi njerëzor është nxituar shumë, tejmase, çdo gjë është bërë konkurencë në emër të perëndisë së fitimit. Por kjo do ishte një temë për t’u tjerrë më vete e me durim, ndryshe rrezikoj të flas si pleqtë kur ia mbajnë avazit Ah ne në kohën tonë ishim ashtu e kështu.
Revista Haemus: Mes romaneve “Dashuri e huaj” dhe “Kardigan” shtrihet një periudhë dokumentimi, që solli “Lule të gabuara” dhe “Yjet nuk vishen kështu”. Çfarë ndodhi me shkrimtaren gjatë kësaj kohe, për më tepër që shkrimtarja ishte edhe nënë, edhe shqiptare në dhé të huaj, edhe bashkëshorte, edhe gazetare televizioni...
Elvira Dones: Ndodhi që vendosa të studjoj nga e para fusha të reja, të cilat deri atëhere nuk kisha mundur t’i hulumtoj. U ula përsëri në karriget e universitetit. Në paralel me studimet nisa të ushtroj një profesion që deri atehere nuk dija ta bëja: montazhin televiziv – që nga reportazhet sportive e lajmet deri tek dokumentarët e gjatë. U mora me fotografinë artistike, me teknikat e filmit artistik. Fillova të propozoj punët e para televizive të firmosura kryekëput nga unë në Televizionin publik të Zvicrës italiane. I vura në krah letërsisë sime një instrument të vlyeshëm: hulumtimin gazetaresk. I cili më solli në mënyrë të pashmangshme në atë që më vonë kuptova se ishte nje nga vokacionet e mia: rrëfimi e anëve të errëta të njerëzimit; veshja me zëra e fytyra e të emargjinuarve të çfarëdolloj shoqërie.
Revista Haemus: Për herë të parë në letrat shqipe një autore zgjedh për t’u shprehur një stil që nuk i nënshtrohet më paragjykimeve të tipit mashkull – femër. Pjesëmarrja e tekstit tënd në jetën shoqërore dhe në çështjet përvëluese të kohës është e plotë dhe merr parasysh ‘ashpërsimin’ e ndjenjave, ose, më saktë: i largohet asaj zone të cilën shkrimtaret zakonisht e shohin si jo-femërore, jo të denjë për letërsi “të kulluar”. Si mbërrite në pikën ku autorët e tjerë dhe lexuesi humbin të drejtën për ta ndarë letërsinë në ngastra?
Elvira Dones: Kush ndan letërsinë në ngastra ka një vështrim prej syleshi. Është në natyrën e njeriut të rrëfejë botën, të rrëfejë veten, të mbajë nën fre frikrat e veta kundrejt gjithësisë, përjetësisë apo vdekshmërisë. Letërsia nuk duhet të rrëfejë vetëm për engjëjt (ata janë pikturuar bukur fort nga piktorë të çdo epoke). Letërsia tregon dhimbjet e njeriut, fitoret e tij, dështimet, gjakun, lindjen, horrorin, hipokrizinë, heroizmin, kanibalizmin, madhështinë. Mosvallë këto janë pronë e gjysmës mashkullore të botës? Mos nuk provojmë të gjithë, meshkuj e femra, të njëjtat ndjenja të përzjera? Mosvallë nuk jemi të gjithë edhe engjëj edhe djaj? Atëhere si mund të mendohet që një grua u dashka të mos vështrojë atë që e rrethon? Si mundet ta quajë veten shkrimtare të mirëfilltë po ta privojë veten nga të shkruarit ndaj asaj që është mish e gjak, e të merret vetëm me – le të themi – me psherëtimat në romanet rozë? Sipas kësaj logjike një mashkull s’duhej të gatuante kurrë sepse kuzhina na paskej qënë në shekuj territor i gruas. Kurse shumë nga kuzhinieret e famshëm në botë kanë qënë meshkuj. Për mua mashkulli e femra janë një, janë uno, nessuno e centomila. Letërsia u përket në të njëjtën sasi, në çfarëdo stili që të kenë dëshirë të zgjedhin, në çdo zhanër arti. Pikë.
Revista Haemus: Romani “Hana” trajton gjithashtu një temë tabu. Hana jeton për vite me radhë si burrë, pastaj “pendohet” dhe ëndërron të shijojë jetën e pamundur prej femre. Ia del mbanë, por në një botë krejt të ndryshme nga ajo shqiptare. Si lindi ky roman tronditës?
Elvira Dones: Lindi falë një fashinacioni të vjetër që kisha për Virgjëreshat e Betuara që në vitet kur isha studente. U deshën ama njëzet vjet që të piqej çasti kur të hulumtoja më shumë për to. Në vitin 2002, tek udhëtoja nëpër veriun shqiptar – po xhiroja një dokumentar të gjatë mbi gjakmarrjen – u vura të pyes mbi virgjëreshat e betuara. Mblodha materia, plotësova dosjen, mbusha atë që më mungonte me fantazinë, siç rëndom ndodh me shkrimtarin. Pasi përfundova romanin e ia dërgova botuesit tim italian u ndjeva hem në paqe e hem mbi gjëmba: shkrimtarja brenda meje ishte e kënaqur me rrëfimin letrar, dokumentaristes ende i mungonte diçka, kish nevojë t’i takonte ato gra. Kështu ndodhi. U nisa në Shqipëri me një kolegun tim amerikan i cili kish vite që ëndërronte të vizitonte një copëz të Ballkanit. Pas gjashtë javësh u kthyem në Washington me historitë e gjashtë grave-burra.
Revista Haemus: Tema të “ngujuara” gjenden edhe tek “Lule të gabuara”. Novela “Trotuare” për shembull, me të drejtë është cilësuar antologjike për sa u përket trandjeve që solli, ose që i bëri të dukshme tranzicioni? Si shkrimtare e mërguar, me përvojën e të arratisurit, të ish të dënuarës në mungesë nga zyrtarët e atdheut, por edhe të shkrimtares së përkthyer në disa gjuhë të rëndësishme, si e sheh të ardhmen e shoqërisë lindore?
Elvira Dones: E shoh të pasur e kontradiktore (ndaj them “e pasur”). Shoqëria e asaj pjese të Europës së quajtur lindore është ende në bërje e sipër, pra në dinamizëm të vazhdueshëm, dinamizëm ky jo i kulluar e pozitiv tout cours, por gjithsesi në zhvillim të padiskutueshëm. Vendet tona mbetet një thesar i pasur për artistin, shkrimtarin, intelektualin. Historitë për t’u rrëfyer të “shpërthejnë” para syve, edhe një i verbër do ta kish të vështirë të mos i shihte. Në një sens më të gjerë ekonomiko-shoqëror, vendet e dala nga vendet e ish bllokut komunist vuajnë ende nga një sëmundje infantilizmi për sa i përket përvetësimit dhe çuarjes përpara të rregullave të demokracisë. Por kjo do ishte një tjetër bisedë e gjatë. Ndaj t’i kthehemi letërsisë e artit në përgjithësi. Ka mjaft pena të bukura sot në letërsinë “migrante” europiane që i bëjnë nder letërsisë bashkëkohore. Janë shkrimtare pra që vinë nga Bosnia, Shqipëria, Rumania, Hungaria e kështu me radhë, e që shkruajnë në gjuhët përkatëse por edhe në gjuhët e adoptuara, gjuhët më “të mëdha” që përfillen nga botuesit europianë. Janë këta shkrimtarë që sipas mendimit tim po i japin limfë të re një letërsie disi të lodhur nga tema minimaliste të një bote kapitaliste të kamur, pra në një fare mase të atrofizuar e të përtharë nga zjarri krijues i mirëfilltë.
Revista Haemus: Në cilin prej librave të deritanishëm fshihet më shumë Elvirë? A ka ndonjë ide, të cilën kritika nuk e ka zbuluar, apo nuk ka dashur ta prekë?
Elvira Dones: Ndoshta në romanin “Më pas heshtja”. Është një roman ekzistencial, ku dhimbja njerëzore përthahet, bëhet e vogël, gati e pakapshme nga syri, por nuk është më pak e fortë. Ndoshta aty ka më shumë nga esenca e autores, nga tematika të cilën ajo ka më për zemër. Aty përmblidhen disa nga dashuritë e mia të mëdha: udhëtimi si një qëllim absolut jete; pasioni për dramat e diktaturave të djathta në Amerikën Latine e gjetkë në botë – aq të ngjashme ato diktatura me tonat, ish diktaturat e majta; pasioni ndaj historisë së Irlandës për tetë shekuj në mënyrë absurde nën Britaninë e Madhe; në atë roman të vogël ndoshta ka më shumë prej meje e il mio forma mentis, dashurinë maniakale për estetikën, sidomos estetikën e marrëdhënieve njerëzore. Si edhe dashurinë e paanë ndaj së drejtës që qenia njerëzore ka të vendosë mbi vetveten, mbi jetën por edhe mbi vdekjen e vet.
Revista Haemus: Shkartisja etnike e botës së sotme krijon jo vetëm vlera të mirëfillta kulturore, por edhe shumë fishekzjarre, suksese stinore, bujë të kotë etj. Mjaft shkrimtarë që zgjedhin një gjuhë të dytë për letërsinë e tyre vlerësohen vetëm ngaqë i bashkohen një zone të caktuar letrare. Pasi jetove në disa gjuhë njëheresh, nise të shkruash edhe në italisht. Çfarë përfaqëson ky çast në jetën dhe në krijimtarinë tënde? Pse pikërisht gjuha e Dantes?
Elvira Dones: Sepse jetoja në atë pjesë të Zvicrës ku flitej italisht. Kjo gjuhë ishte gjuha e familjes, gjuha me të cilën punoja nga mëngjesi në darkë në Televizionin e Zvicrës Italiane e në të cilën fillova të zhvilloj gjithë punën time gazetareske. Si rrjedhojë kalimi në shkrimin e letërsisë në gjuhën e Dantes erdhi duke u pjekur me hap të kujdesshëm e mendje të kthjelltë, pa ngutje. Truri vetë bëri një përzgjedhje të tillë me romanin “Hana”. Fjalitë e para erdhën në italisht vetiu, unë veç iu binda atyre, u shkova pas. Nga ana tjetër, për ekzigjenca cilësie përkthimi, më qe dashur të përktheja tërësisht vetë disa nga romanet e mi të mëparshëm nga shqipja në italisht. Gjithashtu pata shkruar në gjuhën italiane katër skenarë filmash artistikë.
Revista Haemus: Ç’pamje do të kish pasur gjendja e sotme e letërsisë në botë, po të përshkruhej me stilin e Elvira Donesit?
Elvira Dones: Ahimé nuk jemi aq fatlumë sa të mund të lexojmë në të gjitha gjuhët, pra injorojmë një fetë të madhe të asaj që shkruhet e nuk përkthehet. Po ashtu, fatkeqsisht, botimi e tregtimi i letërsisë, ashtu si shumë dukuri të tjera të botës së globalizuar, është në dorë të vendeve të mëdha (lexo këtu: që kanë në dorë gjuhët e mëdha). Pjesën e luanit e bën bota anglosaksone, pa dyshim, e pastaj zbresin për nga rëndësia gjuhët e tjera, pra letërsitë përkatëse.
Por duke qënë se përpij me fanatizëm të madh letërsi bashkëkohore në gjuhët më të mëdha mund të them se vlerën e vërtetë artistike, gjuhësore e kështu me radhë sot e sjellin autorët e vendeve me tërmete politiko-sociale-ekonomike. Ka do anëtarë të rracës sonë donkishoteske, të cilët e mbajnë penën në dorë në mënyrë të jashtëzakonshme: vijnë nga zonat më të varfra të Nixherisë, Indisë, Republikës Dominikane, Argjentinës, Afrikës Juglindore etj. Deri sa të ketë botë do ketë – fatmirësisht – shkrimtarë të mirëfilltë, ata me sh të madhe (jo nga ata që fryjnë nga fryn moda e mbushin llogarinë në bankë me kopertina larashe librash konsumi). Por është fakt që bota moderne lexon shumë më pak, teknologjitë e reja po vrasin thellësinë e ndjesive; bota po ulëret në Utube. Nuk them, Utube e forma të tjera zhvillimi informatik janë pa dyshim të dobishme. Por libri ka nevojë për qetësi, për një qoshe leximi e për një oaz heshtjeje që çon në reflektim. Ky i fundit po bëhet një mall i rrallë.
Revista Haemus: A ka ndonjë njeri, libër, ose ngjarje, që ndjen se ka ndikuar fuqishëm në formimin tënd si zë letrar?
Elvira Dones: Mendoj se ndikimet kanë qënë të vazhdueshme e të shumanëshme, duke filluar nga Homeri, Dante e deri tek klasikët e letërsisë anglosaksone; nga Tolstoi deri tek Hygoi; nga Dickinson tek Bukowski e tek Keruack e Ginsberg e John Fante, më pas V.S. Naipaul, Ben Okri. Por edhe Sibelius e Brahms, Schubert e Chopin e Mahler. Si edhe librat e lashtë të budizmit tibetan apo filozofët modernë, për shembull Cioran e Derrida. Nuk arrij dot të ndaj ndikimet muzikore nga ato letrare, filozofike e kinematografike. Mendoj se në ngjizjen e çdo shkrimtari ka më shumë se një burim
Revista Haemus: A ka kufij që dhembin mes Elvira Donesit shkrimtare, skenariste, bashkëshorte, nënë? Mund të na flasësh diçka për familjen tënde dhe për sprovat që dynden mbi familjen e sotme intelektuale?
Elvira Dones: Vite më pare vendosa që para çdo gjëje dëshiroja të isha një nënë e mire, me qe shumë e rëndësishme kjo. Kështu që nuk ka ditë që unë t’i anashkaloj këtij qëllimi. Që këtu rrjedh një angazhim i madh për t’i bërë të gjitha pjesët e së tërës të jenë në harmoni, e jo gjithmonë është e lehtë. Për time bijë unë jam e ëma por edhe një njeri me të cilin ka një dialog shumë të ngushtë, pra mikesha në çastin kur i kërkohet duhet të lërë gjithçka tjetër e të jetë në dispozicion të kësaj krijese, të kësaj gruaje të re me një bukuri të rrallë që është ime bijë e me të cilën jam e dashuruar marrëzisht (djali ndërkohë është bërë rritur e ka dale në jetë). Por ka raste kur gjendem larg për javë të tëra për punë, në anën tjetër të oqeanit, e ime bijë më dërgon një mesazh ku më thotë “Urrej që nuk je këtu tani, në këtë çast.” Dhe ty si nënë një thikë të përmeset në zemër e të del matanë.
Ka dhimbje të tjera, më të vogla: kur ti mbaron një libër dhe atë ditë do kishe dëshirë t’i thoshe çdo njeriu në dyqanin e zarzavateve se e çove atë të bekuar në fund (është ajo ndjenja perverse mes lumturisë dhe zbrazëtisë, kur i thua librit: e tu Brutus? Si më le?). Por shitësja e dyqanit vjen nga Nairobi apo nga Tibet apo nga Myanmar, dhe ka aq halle përmbi kokë sa dënglat e librit tënd as do t’i hynin në sy…
Familja e hemisferës perëndimore të botës haset sot me njëmijë sfida. Në Amerikë më shumë, por edhe në Europë familja po shpërbëhet, dhe vlerat e saj po shdërrohen në diçka që ende nuk ka një fytyrë të saktë. Në universin tim të përbërë nga dy fëmijët, im shoq, karriera, nuk është e lehtë të mbahen të gjitha në proporcionet e duhura cilësore. Dhe është fjala për një familje kompakte ku - pergjëgjësitë familjare ndahen me shumë seriozitet mes meje e tim shoqi – pra jemi një familje profesionistësh të emancipuar, po ç’ndodh me ato familje ku vështirësitë financiaro-shoqërore-arsimore janë më të mëdha? C’ndodh kur dialogu mes elementëve përbërës të familjes është i vështirë? Cilat janë vlerat që përcillen nga njëri brez në tjetrin?
Revista Haemus: Shtypi hap heraherës edhe nga një frëngji që sheh drejt kulturës. Çfarë mendon se mungon sot në kritikën letrare, jo vetëm në Lindje, por edhe në Perëndim?
Elvira Dones: Mungon thellësia. Në emër të biznesit edhe ajo që është kritika e mirëfilltë e cilësore pak e nga pak po njolloset nga demoni i cektësisë. Edhe kritikët letrarë e zbuluesit e talenteve janë njerëz që kanë nevojë për rrogën në fund të muajit. Ndaj rëndom bëhen përzgjedhje më “demokratike” në promuovimin e shkrimtarëve, apo krijimin qëllimisht të “rasteve letrare”, që letrarë nuk janë aspak. Sot ka një kënetë konceptuale jo të vogël mes letërsisë e librit si objekt. Cdo libër mund të konsiderohet një volum “fizik” me faqe e kopertinë, pra libër, por jo çdo libër mund të jetë letërsi cilësore. Por ama ata që shkruajnë letërsinë e thellë, të rafinuar, penalizohen nga vetë botuesit, të cilët ndërkohë dashurohen marrëzisht pas shkrimtarëve që sjellin paranë e madhe. Mendoj se ka një komplicitet fajësie mes botuesve, kritikëve, mediave - herë të qëllimtë e herë të rastësishëm – komplicitet i cili sjell në majmjen e kujt shkruan letërsi konsumi të përditshëm në dëm të atyre që shkruajnë art të vërtetë. Sot që të shkruash narrativë e të këmbëngulësh në rrugë tënde, duhet një dozë jo e vogël mazokizmi e donkishotizmi. Falë zotit që ka ende të çmendur të tillë, ndryshe do ishte aq e trishtë, aq shumë e trishtë sikur kjo rracë të shuhej.
Revista Haemus: Çfarë fiton, në fakt, imazhi i një kombi, kur libra të shkruar në gjuhën e tij kapërcejnë kufijtë? A ka tani kultura „të mëdha” e „të vogla”, apo vetëm kultura të fuqishme ekonomikisht dhe kultura vasale?
Elvira Dones: Kjo e fundit që the: kultura të fuqishme ekonomikisht dhe kultura të tjera që të kushtëzuara nga pafuqia ekonomike mbeten me hir a pahir vasale. Por kur shkrimtarë e vepra të vendeve “të vegjël” kalojnë barrierën e mureve, ky është një çast i magjishëm. Dëften se ende milingona ka ca forca të atilla mesveti sa t’ia hedhë elefantit. E sidomos mendoj se është pikërisht elefanti ai që ka dobinë më të madhe nga kokëfortësia e suksesi i milingonës: madhështia shpesh t’i err sytë; forca e tepërt çon në atrofizim të muskujve intelektualë e krijues. Kulturat e gjithfuqishme bëhen varr i vetvetes po nuk u ripërtërinë, sfiduan, po nuk u vunë në diskutim. Kjo po ndodh sot me narrativën. Penat më të gjalla, më të holla, më të vlyera vijnë nga vende e gjuhë të tilla: “të vogla”.
Revista Haemus: Cila trajtë e diskriminimit, qoftë i huaj, qoftë vendas, të duket më e rrezikshme?
Elvira Dones: Në plan ndërkombas ajo që më shqetëson në mënyrë abosolute është ndarja e njerëzimit në rraca, ngjyra lëkure, nga ngastra të frikshme paragjykimi. Etiketimi në njerëz të kategorisë A e të kategorisë B, të kulturave A e të kulturave B. Rracizmi i çfarëdolloj forme, jo vetëm hubris-i i njeriut të bardhë mbi atë të zi, e kështu me radhë. Në plan kombëtar më shqetëson arroganca shkatërruese e atij që sheh të tjerët nga lart poshtë, i krijon vetes një kult individi të patundshëm dhe e mban atë me thonj e me dhëmbë, duke përdorur armë shpesh të fëlliqura. Ne popujt e vendeve isha diktatorialë e dimë mirë se çfarë dëmi sjell kjo gjë në ecurinë e shoqërisë së një vendi. Por ama e kemi të vështirë të zhvishemi nga ajo forma mentis, kështu që shpesh individë të veçantë, të shquar, vazhdojnë të sillen brenda vendeve përkatëse në po të njëjtën mënyrë si dikur, duke i sjellë vendit dëme të pallogaritshme.
Revista Haemus: Na përshkruaj një ditë të zakonshme nga puna jote si skenariste dhe regjisore?
Elvira Dones: Fillon shpesh me vizionimin e një filmi në orare të çuditshme: rëndom në orën 6.30 të mëngjesit. Është një çast i mrekullueshëm për të vizionuar një film – artistik a dokumentar. Jeta jashtë derës së shtëpisë është ende e përgjumur. Vajza gatitet për të shkuar në shkollë sepse këtej gjimnazet fillojnë shumë herët. Unë kam pirë kafenë e parë. Pas kafesë vizionohet filmi, shpesh duke e ndalur e dekonstruktuar në elementet përkatës e duke marrë shënime. Vetëm pas kësaj pihet kafeja e dytë e fillon puna konkrete e shkrimtares apo skenaristes.
Kur jam në fazë xhirimesh çdo gjë vjen rrotull këtij procesi. Është kjo që më shumë më intrigon në punën e një dokumentaristi: je i varur nga të tjerë faktorë: gjithë puna përgatitore, hulumtimi gazetaresk, marrja e kontakteve etj, nuk vlen asnjë grosh nëse personazhi që atë ditë të ka premtuar se do të ta japë intervistën ndërron mendje madje edhe kur je përpara tij/saj me kamerën e ndezur e gjithë impiantin teknik gati. I intervistuari thotë: jo, nuk ndihem gati. Shpesh herë si gazetare-regjisore e dokumentarëve gjendem e varur në ajër per javë e javë të tëra, sepse xhiron e punon por ende nuk e di në e ke në dorë materialin.
Kurse me skenarin e filmit artistik veshtirësitë janë të një natyre krejt tjetër. Je ti që e ve bardhë-mbi-të-zi çdo skenë, ke vizioni tënd të cilin për momentin askush nuk ta cënon. Por filmi artistik është një ferr më pas, kur ti e ke mbaruar versionin në kartë, kur vizioni yt duhet të përputhet me atë të regjisorit, producentëve, etj etj... Filmi artistik është një kalvar aq kompleks e varet nga aq shumë faktorë sa skenaristi nuk e di kurrë nëse ai film pastaj do mund të shohë ekranin apo jo.
Është ama një proces krijues në jetën time që nuk përzihet kurrë me një tjetër: shkrimi i narrativës. Në ato javë, muaj, nuk ka ngjarje, projekt që të ndërhyjë me shkrimin e letërsisë së mirëfilltë. Ajo mbretëron e vetme, e padiskutueshme. Në atë periudhë nuk arrij as të lexoj letërsi të kolegëve të tjerë, në çfarëdolloj gjuhe. Mund të lexoj tekste psikologjie kriminale, politike, filozofike, çdo gjë, por jo letërsi. Rëndom të lexuarit në ditën time fillojnë rreth orës njëmbëdhjetë të darkës e vijojnë deri nga ora 2-3 e mëngjesit.
Revista Haemus: Si t’u dukën Alpet e Shqipërisë gjatë udhëtimeve që kreve për të realizuar dokumentarin kushtuar Hanave? Çfarë ndryshimesh pëson Shqipëria gjatë kthimeve të tua të herahershme?
Elvira Dones: Kam shkuar disa herë në ato male e për periudha të gjata, çdo herë. Herën e parë pata ndjesinë sikur të isha goditur nga Hëna. Bukuria tragjike, varfëria madhështore, heshtja e atyre maleve, historia e tyre... Ishte një dashuri me vështrim të parë. Por do të ishte një rrëfim i gjatë. Mendoj se në dokumentarët e xhiruar në veri shpaloset vizioni im dhe ndjenja ndaj tyre.
Shqipëria në vogëlsinë e vet gjeografike ka shumë fytyra tashmë. Fatmirësisht uniformiteti i dikurshëm - kur manaxhimi diktatorial i shtetit kish njësuar gjithçka në një rrafshësi amorfe – nuk është më. Por nuk arrij dot të shkoj në Shqipëri thjesht si turiste: syri e vëmendja kapin kapin problemet, mentalitetin e korrupsionit, anët negative mbi të cilat ka ende shumë punë për të bërë. Nëse qendër-Tirana të rrëmben me vitalitetin e vet dhe kamjen, nuk ke si të mos shohesh kontrastin sapo largohesh nga qendra, le të mos flasim pastaj kur udhëton ndaj periferive të shtetit (sidomos perferisë veriore). Vazhdoj të mbetem e mendimit se populli shqiptar është më serioz se ata që e përfaqësojnë politikisht. Është vërtetë, kjo sëmundje nuk i përket vetëm Shqipërisë, por ne kemi nevojë të arrijmë një status kredibiliteti më të madh, sot për sot, përpara Europës por edhe përpara vetes.
Revista Haemus: Cila ka qënë fjala e urtë që të ka prirë në jetë deri tani?
Elvira Dones: Më shumë se një fjalë kanë qënë shumë tekste. Njëri syresh, ndoshta më i vlyeri “Dhammapada”, teksti klasik i Buddhizmit. Ka vite që studjoj buddhizmin tibetan në veçanti e buddhizmin e të gjithave shkollave në mënyrën më të gjerë. Është një filozofi jete që më përshtatet, me të cilën ndjej të kem shumë afinitet. Mbetem thellësisht laike në bindjet e mia, buddhizmi është një kulturë hapësire mendore e tolerimi që mendoj se do t’i bënte shumë mirë mendjes e karakterit të çdo njeriu.
Revista Haemus: Çfarë pyetjeje do të kishe zgjedhur ti vetë për mbylljen e kësaj bisede? Dhe si do t’i ishe përgjigjur asaj pyetjeje?

Elvira Dones: Nëse do të vish përsëri në këtë botë nëpërmjet reinkarnacionit çfarë do të dëshiroje të lindje? - Murg buddhist që shkruan letërsi.