IMAGO MUNDI




Ta duash perëndisht Atdheun

(Bajram Sefaj: "Plot Shqipëri" (udhëpërshkrim),
botoi "Rozafa", Prishtinë, 2008


Me gjuhën dhe me zellin e një kronikani, shkrimtari Bajram Sefaj i nis dhe i përfundon Udhëtimet e tij nëpër Shqipëri. Pjesë e një brezi që është rritur me dashurinë e lënë porosi: "Shko në Shqipëri, pastaj vdis", në faqet e librit ai është pjesa më e madhe e identitetit të një brezi, të tjetrit pararendës dhe atij që do të vijë pas, se Shqipëria është Meka e të gjithë shqiptarëve.
Kur kësaj i shtohet ndjesia e Sefajt prozator, poet dhe gazetar shumëvjeçar i kulturës, atëherë përjetimi i Shqipërisë është më shumë se dashuri.
Ai brez Shqipërinë nuk e ka dashur e as e do me stilin "Mësojeni kohën të mos i hajë bijtë e vet"... Shqipëria ka mbetur dashuria infantile, por e bukur dhe e etshme. E duan njësoj siç e kanë dashur në fëmijëri, atëherë kur ishte sfidë që edhe të përmendet emri i atdheut, e jo më të kujtohemi se mund të shpërthehen kufijtë. Miqtë e kronikanit, edhe kur janë personalitete të njohura të kulturës së artit, edhe shqiptarë të zakonshëm kur i ndeshim rrugës, janë ata që e rrëmbejnë prozatorin e djegur me mallin e Shqipërisë që nuk i shqitet edhe kur e viziton të pestën a të gjashtën herë. Ai i kap bukur traditat e mikpritjes, të përzemërsisë, lashtësisë, e deri te ndonjë injorim që nuk do ta përjetojë thellësisht si të tillë. Ata janë vazhdimësia e vitalitetit të pashuar, ndaj ta përjetosh bukur Shqipërinë, për Sefajn, është detyrim e ngrohtësi, edhe atëherë kur ndesh tema jo fort të lakmuara për gazetarët e rinj, ta zëmë. Ai kërkon dhe gjen miq, ai ritakon dhe ndeshet me vetveten duke u kredhur edhe me vargjet e sivëllezërve poetë (sidomos të Azem Shkrelit), të cilat ia plotësojnë shenjtërinë e të qenit në Shqipëri, apo "Aty ku toka puth qiellin", mbresa këto që nuk i shqiten asnjëherë deri te mbeturinat e hidhura të
përvojës që përpiqet t'i harrojë, por megjithatë i shënjon.Libri pasurohet edhe më fotografi autentike, "të kapura" bukur nga mjeshtri i fotografisë, Fahredin Spahija. Fotot e Spahisë, edhe të zënë "crazy", e plotësojnë shkrimin e Sefajt, i cili çastet e tilla përpiqet t'i shmangë, t'i kuptojë deri në arsyetim. Fotografia e ballinës së librit është e shkrepur shpesh me gjendje reale të Shqipërisë së tranzicionit. Ato, vërtet, janë "Plot Shqipëri". Botimi i fotografive brenda faqeve të librit nuk është praktikuar shpesh te ne, mirëpo të bëra në këtë mënyrë ato na sjellin pranë Shqipërinë e këtyre 18 vjetëve, plot bukuri, vetmi, ngrohtësi deri te çastet komike, të cilat i kemi përjetuar shumica prej nesh.