-->
Ajete Zogaj, “Dija si art dhe arti si dije” (intervista), botoi SHB “Rozafa”, Prishtinë, 2009. (Ky shkrim është një variant i ripunuar i tekstit të botuar në vend të parathënies në librin e Ajete Zogajt, “Dija si art dhe arti si dije”)
E njohur me shkrimet e saj nga fusha e gazetarisë, Ajete Zogaj para lexuesit doli me vëllimin e saj të intervistave me titull “Dija si art dhe arti si dije”. Me qëllim që lexuesit t’i krijohen lehtësi në orientimin apo në përzgjedhjen e lëndës në bazë të interesimit të tij, qoftë profesional, qoftë për t’u informuar për akëcilën çështje, autorja librin e saj e ka sistemuar në këta kapituj: I. Me albanologë, II. Me historianë dhe arkeologë, III. Me shkrimtarë dhe studiues të letërsisë, IV. Me krijuesit e arteve pamore, V. Me regjisorë dhe aktorë.
Shpërfaqja e mjeshtërisë që buron nga talenti, dija dhe përgatitja profesionale
Titulli i librit paksa përgjithësues, por edhe intrigues, “Dija si art dhe arti si dije”, është vënë me qëllim që të karakterizohet materia që e ofrojnë bashkëbiseduesit e Ajete Zogajt, por edhe tipin e dijeve që e transponojnë ata në këto intervista. Kjo sintagmë lë mundësi të leximit e të interpretimit edhe për këndvështrimin dhe rolin e dijes për artin por edhe për këndvështrimin tjetër, d.m.th. për dijen që është art në vete, por edhe vlerësimin tjetër faktik për artin që është njëkohësisht edhe dije dhe për artin e dijeve në përgjithësi e të atyre humaniste, në veçanti. Prandaj, dija është parë si art, ndoshta edhe për shkak të së dhënës kryesore a argumentit se pothuajse të gjithë bashkëbiseduesit i përkasin proviniencës së kulturës, gjë që në një farë dore i lidh edhe artistikja. Por edhe ata krijues e artistë, që në këtë libër përfaqësojnë ekskluzivisht fusha të arteve, krijimtaria e tyre nuk është parë si e rastësishme, por si mjeshtëri që buron nga talenti dhe nga dija a përgatitja profesionale për akëcilin art.
Në këtë kontekst, lexuesit i mundësohet që të komunikojë me njerëzit e dijeve e të arteve të ndryshme (albanologë, historianë dhe arkeologë, shkrimtarë dhe studiues të letërsisë, krijues të arteve pamore, regjisorë dhe aktorë). Nga ata, ai (lexuesi) mund të mësojë për më të rejat nga fushat përkatëse, për stilet e metodat krijuese, për disa nga të fshehtat e krijimtarisë letrare e artistike, por edhe për një varg tjetër çështjesh që kanë të bëjnë me fushat e përmendura por edhe me jetën institucionale në fushën e kulturës, të shkencës e të artit posaçërisht në Kosovë. Interesimet e autores si edhe të bashkëbiseduesve të saj shkojnë shumë më larg, por epiqendër të interesimit e të referimit gjithmonë e kanë Kosovën dhe botën shqiptare në përgjithësi.
Intervistat në këtë libër vijnë me ndryshime minimale. Më tepër në to janë bërë intervenime të vogla të natyrës gjuhësore e të saktësimit të fjalisë në ndonjë rast. Mestitujt e këtyre teksteve janë hequr nga intervistat e botuara në shtypin e kohës pak për shkak të hapësirës, pak për shkak se thelbi i tyre është brenda tekstit. Po ashtu është vepruar edhe me shënimet biografike. Përfund secilës intervistë është evidentuar emri i gazetës a revistës, vendi dhe koha, përkatësisht viti i botimit.
Intervistat si dëshmi e zhvillimeve tona shkencore e kulturore
Synim parësor për autoren si dhe për bashkëbiseduesit e saj ka qenë që lexuesit t’i ofrohet koncepti për punën krijuese a shkencore, për artin etj., por edhe disa nga të fshehtat e laboratorit krijues për aq sa ka qenë e mundur. Kjo s’do mend se është e rëndësishme veçmas për krijuesit e rinj, por edhe mundësi e mirë për t’u njoftuar edhe të tjerët me këndvështrime të kësaj natyre.
Thelbësorja e çështjeve të shqyrtuara në këto intervista, siç mund të vërehet nga lexuesi i kujdesshëm, është nxjerrë që në titujt e tyre. Si të këtilla, prandaj, këto intervista mbeten dëshmi e zhvillimeve tona shkencore e kulturore në një periudhë kohore, dëshmi e nivelit të këtyre fushave, problemet a çështjet e të cilave janë shtjelluar në to etj.
Bashkëbiseduesit e gazetares Ajete Zogaj, duke qenë studiues, shkrimtarë, artistë (piktorë, skulptorë, aktorë, regjisorë etj.), drejtues të institucioneve shkencore e kulturore të nivelit të lakmueshëm profesional, sjellin mendime të kristalizuara për akëcilën çështje. Mendimet e tyre janë artikuluar me qartësi e, në të shumtën e herëve, edhe me mjaft elegancë. Ndër protagonistët e intervistave të këtij libri janë emrat e njohur, disa prej të cilëve madje edhe në qarqet ndërkombëtare: Istvan Schütz, Rexhep Ismajli, Noel Malcolm, Muhamet Tërnava, Edi Shukriu, Muhamet Mufaku, Anton Nikë Berisha, Ardian-Christian Kyçyku, Kim Mehmeti, Sali Bashota, Elvira Dones, Destan Gashi, Refki Gallapeni etj.
Më në fund, kjo dhuratë që po i bëhet lexuesit të nderuar, është edhe një mundësi, që varësisht nga interesimet e tij këto intervista dhe, siç u tha që në krye të herës, këto dëshmi krijuese e publicistike, duke qenë kronikë e një periudhe kohore të mbeten të grumbulluara, të sistemuara e të lidhura në një vend, d.m.th. në një libër. Prandaj, libri “Dija si art dhe arti si dije” po shtrohet para lexuesit si një sofër ku ofrohen informacione të shumta për ata që duan të jenë në rrjedhë të kohës, ndoshta edhe si një medium ndërmjetësues për të vënë komunikim më intensiv e dashamirës me librin, artet pamore dhe fushat e tjera të kulturës.
Ragip Sylaj