BUJAR LESKAJ: Absurdi i kohës absurde

Shënime mbi romanin “Absurdi” i autorit Koço Kosta



Dikush, duke dëgjuar një referimin tim në Kuvend të romanit ABSURDI të K.Kostës mund ta ketë menduar thjesht si mani të referuesit për të cituar një vepër a diçka tjetër në funksion të asaj që do të argumentojë, pavarësisht sa lidhet argumenti në fjalë me veprën e cituar. Por nuk është kështu. Qëllimi im ishte i plotë dhe në përputhje me mbresat që më la Absurdi. Sa e vërtetë është kjo, unë edhe njëherë, siç e bëra në sallën e Kuvendit do ta këshilloja të lexohej ky roman, se do të ishte absurde nga ana ime që të kuptohej Absurdi i Koços në këtë shkrim modest. Megjithatë nuk është ky qëllimi im në këto dy rreshta që po marr përsipër të shkruaj. As të nxisë të tjerët të lexojnë atë që dua unë, për të kuptuar atë që kam dashur të them. Jo, sinqerisht, jo. Unë do të dëshiroja të shprehja mbresat e mia, thjesht si një lexues që vepra në fjalë, e tundoi të shpreh lirshëm dy-tre mendime, pa pretenduar për një shkrim profesional të karakterit të kritikës letrare.

Duke qënë një lexues i shumë veprave të K.Kostës, do të nënvizoja që në fillim se duke shkruar këto mendime nuk kam ndërmend të bëj avokatin e vlerave të prozës së tij, (ky autor i madh i prozës shqiptare nuk ka fare nevojë për të), pasi ato e kanë kaluar provimin e guximit artistik që në atë kohë kur ky guxim fshihej nën jorgan, duke qëndruar si vepër monumentale në kohë, dhe jo më tani kur liria e të shkruarit në disa raste është kthyer në bumerang të vlerave artistike e që ka nxjerrë, zbuluar shumë autorë të tjerë. Në këtë këndvështrim, në kuadër të analizës që dua të bëj, mund të qëndronte çdo roman i tij, por unë zgjodha pikërisht Absurdin dhe për një arsye të thjeshtë. Përpos vlerave, për të cilat do mundohem të them diçka, është pikërisht titulli nga e cila më bën të filloj përshtypjet e mia. Përveç idesë që autori hedh nëpërmjet absurdit të tij, jo vetëm duke argumentuar këtë nëpërmjet titullit, por përmes përshkrimit të një absurditeti të përshkruar me kaq mjeshtëri në këtë roman, që do t'ju bënte mirë ta lexonin, si atyre të rinjëve që nuk e kanë njohur këtë kohë absurde, dhe ju duket akoma më absurde si mund të ketë jetuar një absurditet i tillë, si atyre të tjerëve që e kanë jetuar dhe e kujtojnë me neveri si një pjesë të neveritëshme të jetës së tyre...por, më shumë me atë kategori njerzish, që ndonëse e kanë jetuar, kështu dhe më keq, mohojnë ekzistencën e këtij absurdi kaq të egër dhe mizor, që shkatërroi mijra jetë, që vrau Gavrilët me shokë, që bëri që nënat e tyre të enden të marrosura në kërkim të sandalleve të varura të bijve të tyre, që me mijra Shosho e të tjerë të degjenerohen deri në atë shkallë, sa të spiunojë vëllai vëllanë, gruaja të shoqin, miku mikun e tij dhe mbi të gjitha këto të ngrenë në piedestal atë që autori e thotë me forcë: Krijimin e njeriut të ri, fabrikimin e Peposhëve, të cilët për shumë vjet mbretëruan mbi fatet e shokëve të tyre dhe pse jo enden dhe sot krenar në Peposhezimin e tyre.

Dhe pikërisht për sa thashë më sipër, do të filloja të rendisja disa nga përshtypjet e mija personale për këtë roman duke filluar pikërisht me figurën e Peposh Buzatit. Natyrisht një lexues i romanit do të më tërheq vëmendjen, duke më kujtuar se heroi kryesor është vetë autori me jetën e tij po kaq absurde sa gjithë absurditeti i shkruar në 289 faqet e tij. E pranoj këtë, por nuk e di pse, më pëlqen ta filloj pikërisht nga Peposh Buzati. Jo aq për vendin që zë në roman, që natyrisht autori e ka vënë në qendër të të gjithë absurditetit që ai merr përsipër të paraqes, por më shumë për vendin që Peposhët dhe shokët e tij, zënë në jetën e sejcilit prej nesh, jo vetëm atëherë kur kishin rrufetë e Zeusit në dorë, por dhe tani kur ndoshta enden rrugëve të Tiranës (pse jo dhe të pushtetit dhe të politikës) duke kronikuar të shkuarën e tyre, jo vetëm pa një ndjenjë turpi dhe përgjegjësie apo të një kërkimi falje publike, por në ndonjë rast dhe duke mbrojtur me një krenari të nënujëshme të shkuarën e tyre kur të bënin gjëmën. Sepse është pikërisht Peposhi me shokët e tij një nga mbresat më të forta që më la ky roman që më detyroi dhe për atë thirrje (provokim miqësor) për lexim që ju bëra kolegëve të mi në Kuvend apo në Grupin parlamentar.

Peposh Buzati është një figurë mëse reale, e qëmtuar me mjeshtërinë e autorit deri në hollësi, është pikërisht pjella e asaj shoqërie perverse që krijoi figurën më perverse, që kurrë ndonjëherë shoqëria shqiptare nuk e kish jetuar, njeriun e ri, qënien e re, hidrën e nënujrave. Që kur kërkonte të drejtën e studimit, që kur ishte student, që kur mohoi të shpëtonte shokët e tyre që po mbyteshin, që me vështrimet epshore që i hidhte shoqes së klasës e deri sa u bë i madh dhe i plotfuqishëm, kur përdhunonte me moralin e tij të përdhunuar këdo që i dilte përpara ai u fabrikua si një qënie pa moral, pa fytyrë, pa trup, pa gjymtyrë, por thjesht si një Peposh, që si e thotë autori: u fry, u bë i madh, sa dhuna dhe paturpësia. Idea që të rrënqeth është se kjo ushtri e fabrikuar njerzish të rinj, po rritej, po zmadhohej, po zaptonte gjithçka njerëzore e të bukur në jetën e rinisë, po shumohej si kubikët e shpikur të asaj kohe të shpikur. Disa i bënin Peposh dhe të tjerët ushtarë peposhash, të cilët mbanin nën thundër me mijra të tjerë me teorin e Abelit e të Kainit, si Shoshoja me shokë, apo stomatologia e bukur, apo Beta e përfunduar nën shfryrjet e ushtarëve të Peposhit...

Ajo që autori nëpermjet Absurdit të tij e jep të qartë dhe pa ekuivoke është se kjo shoqëri e re, që në pamje të parë të duket e shthurrur, perverse, që përdhunon, që vret, që internon (dukuri këto që i sheh sot nën këndveshtrimin e absurditetit të asaj kohe) e parë në syrin e kohës që është jetuar, është dhënë plot vërtetësi dhe e shkruajtur bukur dhe drejtpërdrejt të jepet si një gjë normale, e ndërtuar me mjeshtëri, me cinzëm njëkohësisht, me atë që lufta e klasave të bëhej moto e jetës, që peposhët ti mbajë në qafë, që leja që duhej të merrje nga kryetari i këshillit të të dukej normale: Pra gjithçka e studiuar,ëgjithçka e ndërtuar, gjithçka e fabrikuar që njeriu i ri i peposhëve të të sundonte deri në ndjenjat e tua, qofshin dhe këto sekuale. Në synim të kësaj zhveshje morale dhe njerëzore është pikërisht dhe zhveshja ekonomike që ju bë fshatarit tonë me tufëzimin. Një nga pikat që autori e përshkruan me forcë, me dhimbje që e kthyen një vend me ulçer. Pra ajo kohë që sot duket absurde po ndërtonte njeriun e ri, të shkishëruar nga shokët e vet, pa pronë e brekë në byth, po me moral të lartë, me frikën e spiunimit nga shoku që kishe pranë, me të fejuarën që nuk të lënë ta takosh deri sa ta përdhunojnë, duke të shkruar dhe letra me gabime ortografike, me sandallet e Gavril Beshos të varuara nën një pemë, që duke u dridhur nga era të dukej se të pëshpërisnin: kështu do e pësojnë të gjithë ata që dalin kundra këtij pushteti, apo me vet personazhin kryesor, që të gjitha ndjenjat e tija i kishte të fshehura, qoftë dashuritë (Gavrilin, Beten, Suzin) apo urrejtjet (Peposhtë dhe shokët e tij) dhe gjithë mllefin e tij e shfryn me disa poezi të pa botuara dhe me Katrinën që i erdhi në derë. Tek të gjithë këta Soshot, stomatologen, Betën, Katrinën apo të shoqin e të tjerë e të tjerë ndjen dhimbshëm atë që një nga personazhet e thotë plot dhembje... Popullit po i mësojnë poshtërimin... E gjitha kjo jepet dhe njëherë në figurën episodike të profesorit gjatë mbledhjes për arrtisjen e Gavrilit... Ajo fytytyrë do të ishte gravurë e një epoke. E një Regjimi Komunist të papërfytyruar.. .Dhe jo pa qëllim herë pas here dhe në mënyrë të përsëritur (gjë që autori e përdor shpesh dhe synim të përcaktuar) jepet dhe ajo fabrikuesja e njeriut të ri, mësuesja e këtij populli të poshtëruar, projektusja dhe ndërtusja e këtij ABSURDI të madh, e pakrahasueshme dhe e vetmja në llojin e saj. Në këtë pikë do të nënvizoja diçka. Është meritë e K.Kostës, një term të ri: Partia e komunistëve thotë ai që trumpeton “se do të triumfoi i plotë Socializmi i Komunizmit tonë”. Pikërisht ky ndryshim gramatikor jo i paqëllimte i Koços shpreh në thelb atë fallsifitet të propagandës së asaj kohe, të Partisë së gjithë popullit, duke reduktuar atë dhe duke e përsëritur herë pas here, si një parti të disa peposhëve, si një parti e asaj pakice që me dhunë, terror fizik e psiqik, me fabrikime spiunësh dhe njerzish të rinj, me fishekzjarret e gënjeshtra të shkëmbit të granitit mbi Adriatik, me Burrele e Spaçe, çadra plazhezh të ngritura mes bunkeresh, me këngë e valle që hidhnim në gojë të ujkut, me vila të bukura buzë detit që ishin vetëm për ata, me dy pula por pa gjel që të mos i jepej fshatarit as kokrra e vezës...me të gjitha këto dhe absurditete të tjera të këtij lloji, të mbanin për shumë dekada këtë popull nën thundër dhe kërbaç... Dhe siç e thotë dhe vet autori, jo pa dhimbje: Megjithëse “Një komb i tërë jetëmot bark bosh. Ne të tërë heshtnim diçka si aploplektike: si të dambllosur; krejt të paralizuar...

Kjo shoqëri e tillë ngriti në art spiunët dhe fabrikimin e tyre. Në këtë këndvështrim vepra në fjalë bën një “Autopsi’ të spiunit, e spiunimit përmes vlerësimit dramatik, se “Spiunimi është bërë dobësi kombëtare tek ne” Ajo jep të qartë, si në një peisazh ku përshkruhet gjithçka me hollësi, se deri ku shkonte ky lloj absurditeti, deri në çfarë shkalle tentakulat e “nënës” që polli njeriun e ri shkonin në popull, duke prekur të gjitha shtresat, që tek ata të zellshmit, shokët e peposhëve, apo të atyre që merrnin rrogën për këtë punë e deri tek ata...turma...stomatologia etj, duke shkuar deri tek Shoshoja, një nga figurat më të realizuara artistikisht. Shoshoja i penduar, i vrarë shpirtërisht për gjithçka që ka bërë në jetë, i vetvrarë fizikisht, por i vrarë në psikologjinë e tij vite më parë është mishërim i ati cënimi të rëndë moral, njerëzor, fizik që ju bë deri në bërthamë, popullit të thjeshtë, atij që e duartrokiste në marshimet e një majit, pjellën e fatkqesisë së tij, një Shosho i detyruar të spiunojë vëllain e tij, i urtë në mendimet e veta, vëzhgues i imët jetës që e rrethon, kritik i shpikjes më të madhe të vetvrasjes së një populli: tufëzimit, një Shosho që në fund të fundit mbeti siç kishte qënë gjatë gjithë jetës së tij, i pafuqishëm të shkojë kundër dhunimit të vetvehtes duke e mbyllur këtë jetë të sunduar nga të tjerët me vetvrasjen, që përsëri ishte akti i tij i fundit i nënshtrimit të tij, nënshtrimi ndaj fatit, nënshtrimi ndaj një pamundësie tjetër jetese veç asaj që e shtyn peposhët dhe shokët e tij.

Një dyshe që do ti shikoja të pandarë, pavarësisht që njëri tregon në kohë reale historinë e tij, ndërsa tjetri vjen nëpërmjet revokimit të jetës së tij, tashmë të shuar, është dyshja e personazhit kryesor që tregon dhe Gavrilit. Personazhi kryesor ose autori i tregimit, nëqoftëse do ta quajmë të tillë, nëpërmjet gjuhës që ka zgjedhur autori, të rrëfimit në vetën e parë, vjen i afërt dhe i plotë në autorrëfimin e asaj cope jete që e lidh me Gavrilin, por dhe me Peposhin. I sinqertë në pastërtinë e tij, nuk arrin të besoj tek e keqja e Peposhit, deri sa ai ja pohon cinikisht hapur dhe aty ai shpërthen, thyhen kufijtë e dyshimit brenda vetvehtes, urren, mohon, vëzhgon... por si shumë të tjerë, i pafuqishëm të kundërshtojë, hesht, pret lejen e kryetarit të këshillit për të takuar të fejuarën, shkruan ndonjë poezi, thyhen pa dashur portretin e udhëheqësit dhe i tromaksur fsheh copat e thyera deri sa i japin fshehurazi një tjetër. Ne figurën e tij shohim fatin e shumë të tjerëve, që vërtet nuk u bënë spiunë, as provokatorë, por të trembur shtynë jetën e tyre nën peposhët. Nuk i duartrokitën, por as i kundërshtuan. Dëgjonin me respekt mendimet rebele të Gavrilit, por nuk i thanë hapur ato, shkruanin poezi fshehurazi dhe nuk i botonin. Në fund ai vetë pohon: Mjerë populli i nënshtruar, thashë me vehte. (përsëri me vehte)... I përulur, mendova me dhimbje. Në vazhdim të kësaj ideje, ndaj nënshtrimit të një pjese të popullsisë vjen dhe thirrja që bën nëna e Gavrilit para pemës ku vareshin sandalet e birit të saj të zhdukur nga peposhët. Ajo brenda marrosjes së saj akuzon: Ju të goditur dhe unë e marrë! Dhe me urtësinë e të marrit thërret përsëri: Jo sot e marrosur, jooo! Që atëherë që s'dija të shihja. Që s'ditëm.

Në anën tjetër Gavrili me sandalet e tij të varura në një pemë. Një simbolik tepër e bukur dhe e dhënë me zgjuarësi nga autori. Sandale që lëkunden nga era, sandale që flasin, sandale që duan ti tregojnë të gjithëve për të zotin e tyre, sandale njerëzore që nëna i shkul nga pema per ti puthur djersën e të birit, sandale që peposhët i varin nëpër pemë për të mbjellë frikën e të tjerëve ndaj fatit të atij që ngre krye, sandale që binin në fshat dhe thashethemet e rastit, për Gavrilin e vrarë te Mali me Guva, apo Gavrilin e pavrarë që do e binin në fshat të fliste. Një makinë e rëndë propagande që thyente eshtra të vdekurish, zemra nënash, shpirtra fshatarësh të rënuar nga tufëzimi, tru të qullosur nga idea krijimit të njeriut të ri, trupa të përdhunuar mësuese fshati të frikësuar nga thirrjet e kukuvajkave... Një vlerë e rëndësishme e këtij romani, për mua, qëndron dhe në faktin se autori është shumë i drejtpërdrejtë në ato që shkruan, pa ekuivoke dhe dyshime, i qartë në idetë dhe i thjeshtë në mënyrën se si ti servir ato. E shkruajtur në formën e një autotregimi, ai bie shumë mjeshtërisht në rëfimin e tij gjithçka të ndodhur në kohë dhe vende të ndryshme, apo me personazhe të ndryshme (gjë që në pamje të parë të duken të palidhur). Me filozofinë e përgjithesimit të së mirës apo të keqes, Gavril Beshua vjen nga personazhe të ndryshëm, por që i lidh e përbashkëta e Gavrilit. Ashtu si Peposh Buzatin, që jo pa qëllim e sjell Shoshoja, Katerina, apo shoku i tij i fëmijërisë, tani montator. Kjo lidhje vendngjarje, kohë, ngjarje e personazhe të ndryshëm për mua është në funksion të konsolidimit të gjithë idesë së romanit, që jo më kot lidhet dhe me titullin, të paraqitjes të një absurdi të madh, të ngritur e të konsoliduar në një kohë absurde, por me sa gjykoj unë, do të ishte akoma më absurde, që e parë nga këndvështrimi i sotshëm, ajo kohë të quhej thjesht një absurditet tashmë i kaluar. Mbështetur në vetë stilin e autorit që me qëllim i përserit ato që shkruan disa herë dhe unë, edhe njëherë do të përsërisja atë që thashë në fillim të këtyre rreshtave, urimin që të lexohet ky roman si për mesazhet e sipërshkruara por dhe për faktin e thjeshte: Është një roman që të tërheq që në faqet e para dhe patjetër të bën të shkosh me shpejtësi deri në fund duke bërë, për ata që nuk i kanë lexuar, të vihen në kërkim dhe të romaneve të tjera të K.Kostes, (paraardhës i Asurdit është “Nata e Sofie Kondilit”), të cilat, unë edhe njëherë nënvizoj, përbëjnë një vlerë të madhe, të veçantë, të lartë artistike për letërsin tonë kombëtare. Nga ana tjetër kritika letrare dhe politika postdiktatoriale i ka një borxh të madh kësaj vepre dhe këtij autori, për të cilat personalisht do të shprehem në promovimin e romanit “Nata e Sofie Kondilit”, (80 kopje të të cilit i kam dhuruar në dashamirësit e librit në Vlorë), që së bashku me një grup shkrimtarësh e lexuesish vlonjatë do të zhvillojmë së shpejti.

www.bujarleskaj.com

Tirane 26 Mars 2009