-->
Më 21 maj 2009, Shoqëria Kulturore Shqiptare Haemus, në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve të Rumanisë, organizuan në selinë e kësaj të fundit promovimin e vëllimit poetik “Diell i vështirë”, në prani të autorit Ferik Ferra e të bashkëshortes së tij. Qysh më parë, mediat rumune njoftuan se poeti Ferik Ferra ka shkruar mbi dhjetë libra, që janë përkthyer edhe në gjuhët anglisht e italisht.
Në ceremoninë e promovimit të vëllimit të Ferik Ferrës “Diell i vështirë”, përkthyer në rumanisht nga Kopi Kyçyku, morën pjesë poetë, prozatorë, gazetarë, artistë, përfaqësues të disa pakicave kombëtare, kryetari i Ligës Kulturore të Rumunëve të Kudondodhur, profesor doktor Viktor Kraçun, kryetari i Bashkësisë së Rumunëeve në SHBA, ing. Nicolae Popa, sidhe personalitete të tjera të jetës kulturore e shoqërore të Rumanisë. Ndodhej edhe ambasadori i jashtëzakonshëm e fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Bukuresht, Dashnor Dervishi.
Duke folur në emër të kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë dhe të Shoqërisë Kulturore Shqiptare Haemus, drejtori i Shtëpisë Botuese “Librarium Haemus”, shkrimtari Ardian-Christian Kyçyku, autor i parathënies së vëllimit “Diell i vështirë”, vuri në dukje vlerat e shumta e të mëdha të verbit potik të Ferik Ferrës, duke theksuar se “rrallëherë ndeshet sot një motërzim kaq i dhimbsur e kalorsiak i dy të folmeve të shqipes. Ato gjejnë në poezinë e Ferik Ferrës dy djepa të nyjëtuar si enët bashkërrënjore, si dy binjake që kanë të njëjtën përgjigjje ndaj çdo ngacmimi poetik, por flasin në vend të njëra-tjetrës, ose të dyja njëherazi, pa dëmtuar as kohën, as frymëmarrjen e as jetëgjatësinë e shoshoqes”. Në vazhdim, Ardian-Christian Kyçyku shtoi se “vargjet e Ferik Ferrës sjellin ndërmend një përqëndrim drite, diturie e paqeje që gjendet vetëm në venat e Eposit të Kreshnikëve dhe në poezinë e Alpeve, gërshetuar me lirizmin e përhershëm tiranas”.
Poetët e prozatorët e njohur Vasile Andru, Paul Vinicius, Vasile Taracaeanu, Xheo Kalugaru, kritiku dhe eseisti Viktor Kraçun, studiuesi i shquar Julian Sorin e të tjerë, duke recituar poezi të plota të Ferik Ferrës ose fragmente të tyre, ilustruan idenë se kemi të bëjmë me një autor të nivelit evropian, i cili, përmes figurash të zgjedhura e të përdorura me talent të vetvetishëm, kumton mesazhe të rëndësishme e të përhershme me karakter human, mbarënjerëzor. Ata e krahasuan veprën e Ferrës me atë të Kavafisit e të poetëve të tjerë të mëdhenj të kontinentit tonë e më gjerë. Njëkohësisht vunë në dukje se vepra e Ferik Ferrës, duke qënë në vazhdën e traditës së paraardhësve të vet që kanë jetuar e krijuar në trevat rumune, si: Lasgush Poradeci, Asdreni e Viktor Eftimiu, përbën një ndihmesë të rëndësishme në forcimin e lidhjeve shpirtërore ndërmjet popujve shqiptar e rumun. Si e tillë, vepra e Ferik Ferrës do të zerë vendin që meriton në bibliotekat rumune, krahas autorëve të tjerë të shquar, theksuan ata.
Në fjalën e vet, poeti Ferik Ferra theksoi se e quan për nder që një libër i tij u përkthye në gjuhën e poetit kombëtar rumun, Mihai Emineskut dhe vlerësoi lart nivelin e krijimtarisë letrare të poetëve rumunë të të gjitha kohërave.
Të pranishmit i përshëndeti edhe ambasadori Dashnor Dervishi, i cili, ndër të tjera, nxori në pah vlerat shpirtërore dhe atdhetare të fisit Ferra në përgjithësi dhe të poetit Ferik Ferra në veçanti.
Në fund, poeti Ferik Ferra ua dhuroi të pranishmëve me autograf vëllimin e vet “Diell i vështirë”.
Në stendat e Sallës së Pasqyrave, ku u zhvillua veprimtaria e lartpërmendur, ishin vendosur ekzemplarë të librave të shumtë që Shtëpia Botuese “Librarium Haemus” e Shoqërisë Kulturore Shqiptare “Haemus” ka nxjerrë në dritë në rumanisht e në shqip gjatë viteve të fundit.
HaemusPress