Në qershor 1923, Monsinjori Vladimir
Gjika niset drejt lokalitetit Gorkie Selo, që të takonte Leninin, me bindjen se
do ta konvertonte. Monsinjori po shkonte të ndryshonte rrjedhën e historisë.
Ishte i sigurtë se do ta shndërronte trupvoglin e sëmurë të Kremlinit. Kishte
marrë vesh për sëmundjen e Leninit. Kish besim tek sëmundja. E fshehta e disa
konvertimeve mbresëlënëse ishte t’i kapje njerëzit kur ndodheshin në gjendje të
vështirë. Kështu kish konvertuar ai katër mbretër.
Lenini, ateist i madh, ishte i sëmurë
rëndë: pas goditjes së dytë cerebrale, i paralizuar. I mbikëqyrur me ngrohtësi e
vëmendje nga Nadjezhda Krupskaja. Monsinjori beson se do të kryejë një
konvertim historik: Do ta zbresë Frymën e Shenjtë mbi tullën prej kallmuku të
Leninit. Sigurisht, Lenini nuk ishte qindpërqind kallmuk. Kishte një përbërje
të veçantë. Një çerek rus, një çerek hebre, një çerek gjerman, një çerek
kallmuk. Monsinjori shfrytëzonte gjendjen e rëndë të pacientit, por kishte edhe
një forcë ndikuese të padukshme, hipnotizuese, dhe krejt tjetër do të ishte
fati i botës i krijuar nga satrapi gjenial.
Monsinjori hyri në Rusi. Ia doli mbanë
të kalonte nëpër doganat e tmerrshme, kishte dokumente me firma e vula të rëndësishme.
Për më tepër qëllimi i udhëtimit që i shtangte doganierët: Po shkon të takojë Leninin! Ka autorizim zyrtar nga Shteti i Vatikanit
që ta takojë Leninin!
Por në qytetin e parë pranë kufirit, e
bllokojnë, e çojnë në një han me roje dhe i thonë: Do të dërgojnë njoftim në Gorkie Selo që ta pyesin Leninin nëse mund ta
presë. Monsinjori nuk alarmohet, madje e quan diçka të natyrshme, ky është
vullneti i Zotit. Pret lajme nga Lenini.
Për Leninin kujdeseshin nga afër në
vilën e tij. Një komision mjekësh vendosi të ruhej nga çdo emocion, nga çdo
turbullim ndjesor, pra nuk ka të drejtë të marrë në telefon, të shkruajë letra,
të shkruajë ditar – shkrimi shkakton emocione. Sidoqoftë, Lenini është tepër i
madh për t’i vënë fre, është kolos, është mesianik (ateist, natyrisht). Kështuqë
shkruan në gjunjë një artikull politik, mban shënime, shkruan faqe-testamente
lidhur me të ardhmen e Rusisë. Shkruan edhe dy letra. Njërën për Trockin e
tjetrën për Monsinjorin Gjika. Stalini i kap këto letra, ose më saktë i merr si llokum: sekretarja e Leninit
është një dhelpër, një ndyrësirë e kuqe, dhe i kalon nga një kopje të gjithçkaje
që shkruan Lenini. Ia dorëzon edhe Testamentin Politik të Leninit, ku ky i
porosiste shokët e vet që ta largonin Stalinin nga trashëgimia leniniste, sepse
është brutal e dhespot. Sekretarja e
Leninit i jep Stalinit edhe një kopje të letrave drejtuar Monsinjorit dhe
Trockit.
Stalini shfryn nga mllefi. Por hesht,
luan me shkathtësi. Hiqet si njerëzor e i bindur. Nuk do të grindet me
Leninin, sepse ka nevojë për mitin e këtij të fundit: mitizimi i Leninit do t’i
sigurojë zënien e vendit. Por turfullon nga inati. Nuk çan kokën për letrën
drejtuar Monsinjorit, prift që mund ta flakë jashtë. Por Trocki! Armiku i madh,
rivali i madh!
Monsinjori Vladimir Gjika pret përgjigjen e
Leninit. Kaluan dy muaj. Të gjithë e lenë të qetë, u bë i shtëpisë. E thërresin
Xha Vollodja. Vladimir Gjika mëson
rusisht, ka kujtesë të mahnitshme, i kap gjërat shpejt. Shkon në shkollën më të
afërt dhe i çudit të gjithë me shpejtësinë me të cilën mëson gjuhën ruse. Thotë me vete: Kjo do të më sjellë
dobi në takimin me Leninin! Kur u takua me perandorin e
Japonisë, Monsinjori e la pa mend Hirohiton me ca fjali në japonisht!
Pikësynimi psikologjik i misionarit: të flasë gjuhën e vendit.
Vjen vjeshta. Është nëntor. Shira të
mërzitshëm. Është nëntor. Nis të bjerë dëborë. Befas një postë sjell lajmin e
mrekullueshëm: Lenini e pranon, do ta presë.
Monsinjori puth letrën me vulën e
Leninit, e fut në rraso, por le një cep të duket. Hip në një trojkë që tërhiqet
nga katër kuaj dhe niset për rrugë të gjatë.
Trojka përparon me vështirësi, dëbora
bllokon rrugën, Monsinjori mbetet sërish në një han të mbuluar nga bora, në
Ukrainë. Në fillim të janarit 1924 vazhdon me zor edhe ca kilometra me nga një
trojkë të paguar shumë shtrenjtë. Pastaj stuhia e bllokon sërish në një
stacion. Ka ethe dhe lutet deri në orët e vona të natës. O Zot, ndale tufanin! Ai po shkon të ndryshojë rrjedhën e
historisë, të konvertojë Leninin. Monsinjori e ka këtë fuqi, besim apo hipnozë,
ai ka konvertuar, siç e thamë më lart, katër mbretër. Ka fuqi mbi njerëzit, por
jo edhe mbi borën. O Zot, ndale stuhinë
tani!
Më 21 janar bie si rrufé lajmi se
Lenini ka vdekur. Nuk i kishte mbushur ende 54 vjet jetë.
Monsinjori qan. Hanxhiu, muzhikët e hanit, e shohin me përvujtni priftin 1,85
metra të gjatë, i cili qan kur merr vesh vdekjen e Leninit. Muzhikët i falen.
Ata nuk e dinë që Monsinjori Gjika qan se nuk ka më mundësi ta ndryshojë kahun
e historisë. Qan për malin me viktima që do të bëjë komunizmi. Qan për
martirizimin e perandorisë dhe të atij vetë. Muzhikët e hanit ia puthin dorën,
duke kujtuar se është prift i përkushtuar. Një mësim i fatit.
Monsinjori kthehet nga rruga. Pas një
muaji, mbërrin në Bukuresht.
Në janar 1950, Monsinjori Gjika nuk
pranon ta shoqërojë mbretin Mihai I në mërgim dhe qëndron në Bukureshtin e
kampeve të përqëndrimit, duke synuar shpëtimin, jo martirizimin. E arrestojnë
dhe e burgosin në Zhilava, e torturojnë. Vdes në burg më 1954, në moshën 84
vjeçare.