GRIGORE VIERU (1935-2009)

Nëna

Ngadalë, çapitu, ngadalë,

Mos shkelësh, pa dashur, nënoke

Mbi farat që krahin si valë

Mes qiellit e kësaj toke!

E ndrojtur më je në vështrim,

E lumtur në shpirt, gjithsesi -

Veç bari ta njeh çdo mendim,

Dhe ylli si quhesh e di.


Formular

- Emri dhe mbiemri?

- Unë.

- Vitlindja?

- Viti më i ri:

Kur dashuroheshin

prindët e mi.

- Prejardhja?

- Lëroj e mbjell

Atë shpatin atje pranë pyjeve.

Njoh të gjitha dojnat.

- Profesioni?

- Dashuroj fushën.

- Prindët?

- Kam vetëm nënë.

- Emri i në nënës?

- Nënë.

- Ç'punë bën ajo?

- Pret.

- Ke pasur

ndonjë proces gjyqësor ndonjëherë?

- Kam ndenjur disa vjet i mbyllur

në vetvete.

- Të afërm jashtë shtetit, ke?

- Po. Tim atë. Të varrosur

në dhe të huaj. Në vitin 1945.


Betim

Mihail Emineskut

E di, dikur në mes të natës,

A, mbase dielli kur të lindë,

Do fiken sytë e mi të lodhur

Mbi të Tijn’ libër, që di të bindë.


Ndofta ahere do kem arritur

Në mes të librit, që është i rrallë,

Por mos e mbyllni ashtu, papritur,

Sikur të qënkej ndonjë qepallë.


E lini hapur, si një dritare -

Që djali, a vajza të bëjnë punë,

Të mos e heqin nga dora fare,

Të shkojn’ më tej nga ç’bëra unë.


Në mos dëgjofshin edhe ata,

Fjalë stërgjyshësh me oshëtimë,

Ma vini librin si një nënkrejse

Me tërë pyjet e tij - buçimë.


Shqipëroi Kopi Kyçyku

No comments: