Qartësime
Synopsis: Një Sozi humb vendin e punës në moshën 36 vjeçare, pikërisht kur personi të cilin e dublon, aktore e shquar, bijë ish-daktatori, bën një operacion estetik. Sozia, tashmë e papunë, mban një monolog për identitetin, origjinalitetin dhe kopjen.
Teksti është gërshetim mes rrëfimeve të Sozisë dhe copëzave të kujtimeve që sapo i ka shkruar.
Hapësira: një sallë shfaqjesh në një vend fiktiv, por të ngjashëm me njëËvend evropian.
Koha: pas rrëzimit në rrugë paqësore të një diktature jo fort të egër, por kreu i shtetit dhe pjesëtarët e familjes së tij gjithsesi kishin nevojë për sozi.
Dekori na sjell ndërmend zbehtë atë të shfaqjeve stand-up apo të fjalimeve motivuese. Një mikrofon në mbajtëse, një reflektor dhe një karrike, mbi të cilën ndodhet një kopje e kujtimeve të Sozisë.
Dekori nuk duhet të jetë medoemos realist, por as të përfshihet në një zonë të science-fiction.
Veshja: Sozia mban veshur një fustan të zi, të gjatë, ose deri në gjunjët.
AKTI I
SOZIA hyn në skenë, ndreq mikrofonin dhe vështron: lart, drejt publikut dhe reflektorëve. Merr kujtimet nga karrikja dhe nis t’i lexojë që nga faqja e parë. Duket e emocionuar.
SOZIA: (lexon) „Shënim: Ky nuk është manifest.” Nuk-u është nënvizuar dy herë. „Ky është një... rrëfim.” Nënvizuar pó dy herë.
(Kthjellon zërin.) „Kreu I. Unë dhe vetja ime jemi lindur nën të njëjtën shenjë zodiaku, me dy vjet ndryshim; ajo është më e vogël se unë. Jemi rritur në zona të ndryshme të vendit dhe kemi pasur një rini njëfarësoj të ndërkryer gjatë fundviteve ’90 dhe fillimit të vitit 2000. Pakashumë kur ajo u bë e famshme, unë iu bëra sozi. Ama nuk ka qënë kaq e thjeshtë.” (E vendos librin në karrike. Bën një pushim, duke vështruar të pranishmit.)
Gati isha në rrezik të mos më merrnin në këtë punë për shkak të një shenje që e kam në fyt qysh nga lindja. (E prek shenjën e fytit me shpinën e pëllëmbës.) Kisha nevojë për këtë punë. Pse? Sepse ende nuk e kisha gjetur rrugën e jetës. Nuk di nëse të jesh sozi është prirje, apo thjesht diçka e rastit. Ndoshta bëhet fjalë për atë lloj mjeshtërie që asnjëherë nuk është edhe prirje. Apo që nuk ka nevojë për prirje? Shkurt fjala: nuk je për këtë punë. Mirpo atëhere pyet veten se pse lindesh si identike me dikë tjetër? Duhet të jetë një lidhje në këtë mes, por vallë vetëm me këtë mund të shpjegohet?
Njerëzit e rëndësishëm na e paskan nevojën. Nuk çajnë dot fillikat. Kjo tingëllon përkëdhelëse, por duket se paskan nevojë për një mbrojtje, mbrojtje nga dikush më pak i rëndësishëm. Në varësi të kujt përcaktohet rëndësia e një personi, nuk e di me saktësi. Me sa duket, që ata të ndihen mirë dhe në siguri, e ndjejnë të nevojshme të kenë pranë një binjak fizik. Mbase kjo u vërteton faktin se kanë një identitet... dhe pikërisht këtu qëndron ndjesia e tyre e sigurisë.
Sikurse thashë, u përpoqa, sa munda, për këtë punë dhe tani e humba. (Sikur i jep përgjigje dikujt nga publiku.) Ekziston një stazh përgatitor, po. Të paktën atëhere ekzistonte, tani nuk e di në vazhdon të jetë. Që të mësohesh me lëvizjet e reja dhe shprehjet e fytyrës. Në fillim e pata të vështirë, sepse m’u desh të cfilitem që të mos jem më unë. Nga naiviteti orvatesha ta sillja edhe brendinë time në rolin e ri. Apo ta njësoja me të? Nejse. Më pas u përshtata dhe mësova të hyja në(n) lëkurët e tjetërkujt me trurin e me mendimet e mia. Në fillim është diçka çoroditëse. Është njëkohëshmëri e çuditshme midis trupit tënd, që tjetërsohet, dhe teje – që ndodhesh në brendësi.
U ndesha me llojlloj pikëpyetjesh gjatë viteve. Pas rënies së regjimit, vetëkuptohet. Përgjigjet sigurisht janë vetjake, por dua të ve në dukje se, të paktën në rastin tim, jo, nuk e harron identitetin. Pra: nuk bëhesh personi që ti dublon. Duhet thënë se nganjëherë ngatërrohesh nëpër hollësira biografike, por pa dëm të madh.
Sidoqoftë, për dramën tonë nuk shkruan askush. Madje as artikuj të shkurtër në shtypin e përditshëm. Nuk e kam fjalën vetëm për në letër, por të paktën në internet. Jo, jo, asgjë. Nuk bëhen dokumentarë për ne dhe nuk na kërkon kush intervista. Sozitë mungojnë pothuajse krejt në shoqërinë e sotme. Dhe kërkohen shumë më rrallë se sa në shoqërinë e mëparshme. Prandaj e shkrova këtë libër pa m’u lutur ndokush. Ka të ngjarë të bëhet një best-seller. Megjithatë, më mirë të mos bëhet i tillë. Unë nuk lexoj best-seller-e. Nuk kam besim në opinionin e shumicës. Ajo (bën me duar një shenjë, me të cilën dëshiron të tregojë se e ka fjalën për personin të cilit i ka shërbyer si sozi) nuk lexon kurrgjë pa iu rekomanduar më parë nga ndonjë (me ironi) gazetë e mirënjohur, mundësisht në Shtetet e Bashkuara (Psherëtin).
Njerëzia shtrojnë pyetjen se si një sozi mund të ketë mendime apo bindje të vetat. Është diçka e papërfytyrueshme të mendosh se ne kopjojmë edhe trurin e njerëzve që dublojmë. (Buzëqesh). Paçka se unë e provova një gjë të tillë në fillim. (Me njëfarë mirëkuptimi ndaj vetes). Por isha e re.
E, mirë, kur mësohesh me rolin që luan, ke shumë kohë të lirë. Nëse kërkosh tëndin, rolin tënd? Ndoshta. Ç’është e vërteta, në fillim revoltohesh që ekzistojnë sozi dhe pyet se pse të mos jetë ajo sozia jote dhe pse të jenë këto avantazhe financiare, domethënë pse pasanikët dhe ata me pozitë të lartë në shoqëri kanë të drejtë, madje edhe nevojë për të pasur sozi. Po, e shan shoqërinë shumë herë gjer edhe nëse regjimi në të cilin jeton nuk para i honeps qëndrimet kryengritëse ndaj tij. Por është një revoltë prodhimtare, deri sa vjen çasti e lodhesh. Lodhja vjen me kalimin e kohës dhe me moshën. Por besoj se çdo sozi e ka të nevojshme të revoltohet, të paktën kalimthi. Pavarësisht nga kohëzgjatja e ushtrimit të profesionit dhe nga mosha. Më pas, kur e mbaron revoltën, e përdor kohën e lirë që të mendosh. Vëzhgon dhe mendon. Zhbiron. Kjo ndoshta nuk është përherë krijuese, por është e dobishme. Ndjek udhëzime, por, krahas tyre skanon gjithçka rretheqark teje. E luan rolin, se të është bërë refleks dhe mendja të çon larg, tepër larg.
Nejse, tani do të lexoj diçka për personin që kam dubluar kaq kohë. Më saktë, nja... 17-18 vjet, afërsisht. Nuk janë pak, por, siç po shihni, jeta vazhdon edhe paskëtaj. (Buzëqesh e ndruajtur.)
„Kreu IV – Personi im.” (Pauzë.) „Personi im është një mënyrë e çuditshme për të emërtuar personin, të cilin praktikisht ti e dublon.” (Publikut.) Edhe teorikisht. (Rifillon.) „Nuk e di si arrita te ky togfjalësh, por ma ka ënda fort. Do të shkruaj pak për këtë njeri, me të cilin thuhet se ngjaj së tepërmi, ndonëse rrallëherë merret parasysh varianti që ajo ngjan me mua. Pra, ky njeri që vazhdimisht është cilësuar si origjinali”.
Interesante është se ngjajmë vetëm të ndara, veç e veç. Kam bërë disa fotografi të përbashkëta për dosjen, - po, ekziston një dosje, - dhe nuk ngjajmë aspak. Por le të rikapim fillin...
„Më befasoi menjëherë mospërputhja midis emrit dhe fytyrës së saj. Kjo para se ta merrja vesh që do t’i bëhesha sozi, madje para se të më thuhej se ngjajmë me njëra-tjetrën. Atëhere ishte nder t’i ngjaje dikujt të farefisnuar njëfarësoj me kreun e shtetit. Një nder kryekëput i rastit, falë natyrës, por askush nuk e mendon deri në atë pikë.” (Publikut.) Natyra në vetvete duket seËishte nder. „Megjithëse nën një diktaturë deridiku të butë, në vendin tonë, të shpërfillur nga pjesa tjetër e vendeve të hartës dhe pakashumë e sinkronizuar me to, kreu i shtetit dhe pjesëtarët e familjes së tij kishin, me sa shihet, nevojë për sozi”. (Hedh vështrimin përreth.) Kllapë: nuk e di nëse atëhere kjo ishte në modë, apo ishte nevojë e mirëfilltë.
(Rifillon leximin pasi kapërcen disa paragrafe, apo edheËfaqe.) „Nuk kam kryer studime të larta, sepse patën nevojë për mua tepër herët. Në të vërtetë, jo për mua, por për pamjen time. U gëzuan shumë kur vunë re që ngjaj si dy pika uji me vajzën e kreut të shtetit. Përveç njëËtruproje, e panë të udhës të punësonin edhe një sozi. Dhe më zgjodhën mua... falë pamjes dhe mungesës së ndonjë prirjeje të caktuar. Nuk kisha nga ç’kah t’ia mbaja, por edhe sikur të kisha pasur, do të më merrnin me vete. „Aktore, bijë diktatori. Në fakt, anasjelltas. Person me rëndësi, që duhej të sajonte një pasion, një interes. Ndoshta ndjente nevojën të bënte diçka që binte në sy në jetë dhe zgjodhi gjënë e parë që e tërhoqi, pa e vrarë mendjen shumë për ndonjë prirje. E kuptoj në njëfarë mase. As unë nuk kisha menduar thellë deri kur iu dha asaj kjo prirje. Mbase, po të isha menduar më pak cekët rreth prirjes sime, do të kisha zbuluar një talent të mirëfilltë, do të merrja vesh që jam gjení në një fushë të caktuar dhe do të bëhesha krenaria e shtetit, me të cilën do të mburreshin jashtë shtetit dhe jo thjesht një sozi e bijës së diktatorit.”
(Publikut.) Por e dini si thuhet (me njëfarë shpotie): „kështu qe e thënë.”
„Person i rëndësishëm. Personi im nuk dihej asnjëherë se kur mund të bëhej viktima e ndonjë vrasjeje. Ndihej nevoja për mua.” (E lëshon librin në karrike.) Me t’u ndryshuar regjimi, sigurisht që s’kishin mëËnevojë për mua. Por... nga kotësia, apo për forcë zakoni, ajo ende besonte se kishte nevojë për një sozi. As unë nuk kundërshtova. Nuk dhashë dorëheqjen megjithëse m’u dha mundësia të zgjidhja. Tani më zuri veshi se ajo po kërkon një sozi të re. Nuk do ta ketë vështirë të gjenjë një të tillë. Ajo i lejon vetes çdolloj jetese që mund të blihet në këto kohëra. S’ke ç’i bën… Mund të dilte fjala e urtë: Ndrysho fytyrën dhe do të lesh dikë të papunë. Një citat inkurajues pa të sharë. (Nënqesh.) Ndrysho pamjen dhe do t’ia ndryshosh dikujt jetën. (Qesh me çiltërsi.) Do të duhej ta shtoja edhe këtë në libër.
(Pauzë. Psherëtin.) E çuditshme është se tani që ajo ka bërë operacion estetik, nuk e di nëse e njoh veten me këtë fytyrë. (Prek fytyrën, por e heq dorën shpejt.) Ishte fytyra jonë, megjithëse e urreja këtë gjë. Nuk mund t’jua përshkruaj sa e bezdisëshme është të jesh vazhdimisht i identifikuar me... parreshtur i lidhur me… fytyrën e tjetërkujt. Pyet veten në mënyrë gati lotsjellëse: po me dinjitetin tim si i bëhet hallit?! (Pauzë e shkurtër.) Megjithatë, kjo (prek fytyrën) është e paplotë qyshse nuk jam më dublura e askujt.
Është tepër e çuditshme të shoh veten në pasqyrë.
Ah, po. Më erdhi ndërmend të them se pason edhe një krizë nëpër të cilën do të kalosh: kriza e luajtjes së rolit të një personi më të paditur se sa ti. Një krizë nëpër të cilën ka të ngjarë të kalosh, doja të thoja. Derisa të bëhet zbavitëse. Dikush fliste për një brez a brezni të përuljes. Nuk mund të jesh sozi pa pranuat atë që s’të vjen për mbarë. Pa u revoltuar dhe pa pranuar.
Do të qe dashur të shkruaja një doracak për sozitë, jo kujtimet.
Por është zor të bëhesh kopje kur „origjinalit” – në thonjëza – i mungon origjinaliteti. Disa pyesin se kur kam kohë të kem personalitet përderisa kam filluar kaq herët. Ndoshta paraqitja sikur je tjetërkush në shumicën e kohës pikërisht këtë të mëson. Të mëson çfarë nuk je. Sidoqoftë, rëndësi ka të ruash shqisën e humorit. Shumë pak nga ne do të mund të mbijetonin pa të.
Një herë, meqë ish ftohur keq, m’u desh të mbaja një fjalim në vend të saj, në Ditën e Gruas. Pata marrë pjesë, natyrisht, në mbledhje publike, por asnjëherë si folëse, asnjëherë me një detyrë kaq të rëndësishme. Më dhanë një tekst për t’u orientuar dhe më porositën të mos gaboja. Kjo ishte ajo që në periudhën e stazhit ma patën paraqitur si ”një situatë urgjence.” Dhe… me një „mos ki emocione” të akullt dhe me një kërcënim të fshehur në vend të kurajos, kalova përpara turmës që priste me padurim e pa frymë fjalimin e bijës së presidentit – mishërim i feminitetit dhe hijeshisë kombëtare.
„Dhe fillova. Dhe fola e fola e dhashë shembuj, lavdërova femrën pa poshtëruar burrin, besoja në ato që thosha dhe, kur nuk besoja, bëja çmos të besoja, i preka gjer në përlotje gjithë të pranishmit, për pak sa nuk u përlota edhe vetë, por u përmbajta, sepse nuk e dija nëse më lejohej të qaja, fola aq mirë, aq lirshëm, me lehtësi e dinjitet, u ndjeva si një gojëtar i madh i historisë, shpresova me gjithë shpirt që ndokush ta regjistronte, ose të paktën ta hidhte në letër fjalimin tim të lavdishëm, - edhe pse nuk i fitoja unë pikët, ishte diskutimi im i lavdishëm, gjithsesi, - mora për herë të parë në jetën time, - në cilëndo nga jetët e mia, - duartrokitje plotësisht të merituara. Të cilat e di që ajo do t’i kish marrë vetëm ngaqë ishte ajo që ishte.
Atëhere i tremba pak, - ose i befasova, - por, me sa duket, ua fitova besimin”.
Kështu pra, këtej e tutje, kur të dëgjoni ndonjë citat të famshëm prej saj “nga kohët e shkuara”, mendohuni dy herë. (U shkel syrin të pranishëmve dhe buzëqesh.)
Ve bast se personi im nuk ka menduar asnjëherë që do të shkruaj një libër. Ndoshta mund të bëhem më e famshme se ajo. (Imiton Bijën e ish-Diktatorit). „Sozia ime, më e famshme se unë?!” Me tallje, apo jo? Sikur po e dëgjoj. Filmat në të cilët ka luajtur do të vjetërohen, si çdo mall tregu. Nuk do të zgjojnë më kurrfarë interesi, përveçse për historianët, ndoshta, ngaqë ishte bija e një ish-diktatori që madje as nuk u vra. (Me vetironi.) Libri im, përkundrazi, nuk ka për t’u vjetëruar. (Qesh.) Ku i dihet... mund të bëhem aq e famshme dhe e rëndësishme, sa të kem sozinë time. Do të kem nevojë për një sozi. Dhe gazetat do të shkruajnë, - më në fund, gazetat do të shkruajnë! - (Interpreton.) “E ka filluar edhe ajo vetë si një sozi. Tani ka edhe vetë një sozi”. Dhe sozinë time do ta pyesin se si është të jesh sozia e një sozie. Një ish-sozie. (Bën një pushim, gjatë të cilit mendohet dhe pamja e fytyrës i ndryshon, duke iu bërë e pikëlluar.) Ah, më falni; më mori dallga. (Merr frymë thellë dhe psherëtin.) Nga ana tjetër, ndoshta nuk e ka fajin ajo. Mbase nuk ka dashur asnjëherë të ketë sozi dhe kjo është vetëm mënyra se si ecin punët. Nuk e di cili i bën rregullat dhe as përse ne i ndjekim ato.
Nejse, po rikap fillin...
„Ajo nuk është në gjendje të shprehë asgjë pa të holla. Apo të kuptojë. Po t’i thosha se koha është e çmuar, ka shumë të ngjarë që, instinktivisht, do të kish blerë një orë me diamante. Unë nuk i kuptoj të hollat dhe nuk kam talent për to. Nuk e kam ndjerë trysninë e tyre deri në momentin kur humba punën. Më ka mbetur edhe pak kohë që të më mbarohen edhe kursimet e fundit nga rroga e punës së mirëpaguar. Nuk janë kursime të mirëfillta, sepse, duke mos marrë vesh se ç’janë të hollat, nuk para i kam harxhuar. Para kësaj pune, banoja me njerëzit e mi. Tani po ndjej trysninë për të fituar të holla. Kjo është diçka e palogjikshme për mua. Mendoj se ndoshta është problem të mos kuptosh logjikën e kohës në të cilën jeton.”
(Toni i bëhet përherë e më i dhunshëm, i revoltuar, njëlloj sikur spektatorët të qënkëshin pjesërisht fajtorë për çka pat përjetuar ajo në të shkuarën.) Nejse, nuk është puna ime të zbërthej shoqërinë e sotme. Në fakt, pyes veten se cila është puna ime tani. Derisa ta marr vesh këtë, - me siguri jo sonte, - do të flas pak për traumën e të pasqënit sozi. Është tepër e ndryshme nga traumat e fëminisë dhe nga depresioni i pas-shtatzanisë. Meqë ra fjala, nuk kam fëmijë. Por kam lexuar për këtë.
Trauma e të-pas-qënit sozi përjetohet sikur t’i presin duart e këmbët. Ose ndoshta i pret vetë pa e kuptuar, ngaqë je i çoroditur. Ashtu siç kam shkruar edhe këtu: „Kam qënë e plogësht. Kam qënë e palëvizshme, në(n) lëkurët e tjetërkujt. Nuk di më të hapem si unë, nëse kam ditur ndonjëherë të hapem para dikujt, ose t’i hapem ndokujt. Po të kem ditur, nuk më kujtohet si ka qënë.”
Po, trauma ka të bëjë me këtë plogështi. Me gjendjen e të qënit vazhdimisht në(n) lëkurët e tjetërkujt, por me trurin tënd dhe me historinë tënde... dhe papritmas të ndalesh dhe të jesh në(n) lëkurën tënde. Mban veshje që nuk të pëlqejnë, ngjëron pije tepër të ëmbla për shijen tënde, buzëqesh kur nuk të vjen të buzëqeshësh, ndodhesh 348 km larg shtëpisë, majmesh e dobësohesh me urdhër, nuk pushon dot kur ke dhembje koke, befas duhet të qethesh! Të mos harrojmë sa herë duhet të shpalosësh e mbrosh në publik ide që s’janë fare të tuat, para turmave tashmë të ngazëllyera nga çdo klishé e çdo marrëzi thënç... sepse ti, në fund të fundit, nuk je ti. Kjo është një shtirje me pagesë. Një hipokrizi luksi. Dhe, papritmas, kur e pret më pak, gjithë ky cirk ndalet. (Qetësohet. Dalëngadalë i ulet fuqia dhe bëhet e trishtme.) E ke trurin të mbyllur me zinxhir si ai i rrobave në(n) lëkurët e tjetrit dhe, një ditë, zinxhiri prishet përgjithmonë. Me t’u prishur, nuk di më aspak të hapesh si ti. Dhe është si një handikap. Të qënët sozi kaq vjet të le ulok, sidoqë të thonë. Sado të protestojnë disa apo të tjerë. Dhe sado rebel të jesh në vetvete. Je mësuar me inercinë, me lëkurët e tjetrit dhe je si një i mangët kur të ndodh diçka, – për shembull: kur personi yt bën një operacion estetik, – dhe papritur je i detyruar të dalësh nga inercia. Është më mizore dalja prej inercisë, sesa inercia vetë.
(Qesh me ironi.) Dhe kësisoj kam mbetur me trurin tim dhe në(n) lëkurën time.
Tani për tani nuk mund të bëj asgjë. Ose: asgjë të dobishme. Nuk mund të jem aktore, sepse nuk di veçse një rol. Kështuqë tani kam shkruar kujtimet. Fundja, kjo është edhe në modë. (…)