Kopi Kyçyku
Dy dialekte – një gjuhë
Periudha nga kryengritja antiosmane e Bosnjë-Hercegovinës (1875), deri në fund të Luftës së Parë Botërore (1918), shënon një etapë mjaft të rëndësishme, dinamike dhe plot arritje në historinë e të gjithë popujve të Evropës Juglindore. Ajo përfaqëson jo vetëm hedhjen e disa hapave specifike për secilin komb në rrugën drejt modernizimit dhe evropianizimit, por edhe përmbushjen e idealeve përkatës.
Prej shekujsh, duke qënë të përfshirë brenda formash të ndryshme perandorake, popujt e rajonit nuk patën shtet të tyrin. Për vdekjen sa më të shpejtë të „Të sëmurit të Bosforit”, pra të Perandorisë Osmane, ishin të interesuar jo vetëm popujt e sunduar egërsisht prej saj, por edhe Fuqitë e Mëdha. Kjo shpjegohet me potencialin e madh ekonomik e njerëzor, sidhe me rëndësinë strategjike të Perandorisë Osmane, si ndërlidhëse e Evropës Perëndimore me trevat e Lindjes e me krejt kontinentin aziatik. Nga ana tjetër, as Fuqitë e Mëdha, siç dëshmuan faktet e mëvonshëm, sidomos Kongresi i Berlinit (1878), nuk deshën të dinin për fatin e „të vegjëlve”. Në ato rrethana, „mozaiku” i popujve, aq i larmë për nga elementët e qytetërimit, fesë dhe gjendjes materiale, po bëhej gjithnjë e më i vetëdijshëm për fatet e veta, aq më tepër që edhe ardhja në pushtet e Turqve të Rinj (1908), i zhgënjeu keq, duke mos mbajtur asnjë premtim.
Rilindësit tanë e kuptuan se zjarri i dyfekut mund të bëhej më përcëllues e më i ndritshëm po të shoqërohej me armët e dijes e të mirëkuptimit fetar mbarëshqiptar. „Njëri me kisha, tjetri xhamia / Jemi vëllezër, s'na ndajnë dot!” ushtonin këngët e luftëtarëve të lirisë, duke i bërë jehonë të fuqishme thënies-kushtrim të Pashko Vasës: „Feja e shqyptarit asht shqyptaria”, çka farkëtoi unitetin kombëtar e i shpejtoi hapat drejt Shpalljes së Pavarësisë së Atdheut.
Një ndër paraprirësit e aktit madhor të 28 Nëntorit 1912, ishte, padyshim, Kongresi i Parë i Përgjithshëm për Diskutimin e një Alfabeti të Njësuar, i thirrur më 14 nëntor 1908 nga Shoqëria „Bashkimi” e Manastirit. Roli i pazëvendësueshëm që luajti ky forum i shqiptarizmës, lidhet me faktin se, kokat e ndritura të kombit i dhanë përparësi absolute pikërisht sinonimit të kombit - gjuhës shqipe. Nxjerrja në pah dhe mbrojtja e vlerave të gjithanshme të gjuhës sonë amtare, përbënin një frymëzim të pashtershëm për cilindo folës të saj, ia rritnin çdo shqiptari krenarinë për historinë e virtytet e të parëve dhe i jepnin krahë për t'u dalë zot fateve të trevave shqiptare. Në këtë kontekst nuk është aspak e rastit që i madhi Dom Ndre Mjeda, pjesëmarrës aktiv në Kongres, ligjëronte: „Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera / ku e shkoj jetën tash e mot, / veç për ty rreh zemra e mjera / e mallit derdhi lot. / Nji kto gjuhë q'jam tue ndie, / janë të bukra me temel; / por prep' këjo, si diell pa hije / për mue t' tanave ju del”.
Alfabeti i njësuar, i cili, me argumente shkencore, ia doli mbanë të siguronte përparësi mbi pararendësit e vet, të hartuar në Bukuresht e Stamboll, - që, gjithashtu, përbënin ndihmesa të rëndësishme të atdhetarëve të dijshëm të kombit, - tash e mbrapa do të shërbente si mjet modern për drejtshkrimin e drejtshqiptimin e gjuhës amtare, e cila duhej të çapitej pangurrim drejt njësimit. Gjatë procesit të pasurimit të parreshtur të shqipes, nuk duhej harruar se „lëndën e parë”, pra fjalët, gjuhës së njësuar do t'ia jepnin të gjitha trevat shqiptare, me të folmet e të nënfolmet e tyre, me dialektet e nëndialektet. Çdo fjalë a shprehje burimore duhej trajtuar me kujdesin e nevojshëm, duhej modernizuar e përditësuar, pa iu cënuar thelbi e ca më pak të flakej tej! Sepse çdo fjalë a shprehje, e ngjizur në Jug a në Veri të Shqipërisë, në çdo trevë tjetër shqiptare apo dhe gjetiu, gjithkund ku jetonin shqiptarë, ishin thërrmija të të njëjtit miell, që pat kaluar nëpër sitën e shekujve.
* * *
Intermezzo…
Sipas statistikave, çdo javë në botë zhduket një idiomë, ose një dialekt. Sado e lartë qoftë përqindja e pasaktësisë së të dhënave, gjendja nuk paraqitet aspak e mirë, sidomos po të mbajmë parasysh shpejtësinë me të cilën globalizimi po imponon thjeshtëzimin, ngandonjëherë deri në skaj, të gjuhës së njeriut.
Këtu e një shekull e gjysëm më parë, dijetari Humboldt, duke u ndodhur në vendet e Amerikës Latine, u befasua nga fjalët që nxirrte me dëshpërim në treg një papagall. Humboldti u interesua për „të folmen” e papagallit dhe mori vesh se pronari që ia pat mësuar atë gjuhë, ishte i fundmi ligjërues i saj.
Jeta pasmoderne nuk na jep kohë të përsiatim sa dhe si duhet rreth çështjesh të mëdha, përfshi edhe ato gjuhësore. Ritmi i përditshëm marramendës na pengon të vlerësojmë me korrektësi rrezikun që mbart prishja dhe zhdukja e një idiome, e një dialekti apo e një të folmeje vendore. Çdo komb ka përpjekjet e veta veçorizuese dhe ndërton një strategji të vetën për të përballur ose për t’i bishtuar njëtrajtësimit shpirtëror. Sepse të flasësh njëlloj do të thotë të ndjesh njëlloj, të jesh njëlloj. Në këtë aspekt, populli ynë, ashtu si të gjithë popujt ballkanikë, të shquar për autenticitet dhe origjinalitet, kanë ende shumë për të bërë.
Dialektet dhe gjuha zyrtare shqipe
Sikurse dihet, tekstet e para të gjuhës shqipe, që datojnë qysh nga shekulli XV, kanë qënë përkthime ose traktate të shkurtër fetarë[1]. Ato u përkasin disa murgjsh françeskanë, të cilët, njëherazi me plotësimin e regjistrave kishtarë, u përpoqën të predikojnë në gjuhën shqipe, t’i „alfabetizojnë” besimtarët në një kohë që latinishtja ishte në agoni. Në vitin 2003, hulumtuesi shqiptar nga Kroacia, Musa Ahmeti, deklaroi se zbuloi në Bibliotekën Sekrete të Vatikanit një libër 208 faqësh, të shkruar në gjuhën shqipe nga i quajturi Theodhor Shkodrani, qysh më 1210! Siç dihet, ky lajm ngjalli kundështime të shumta. Por, është me interes të vemë në dukje faktin që, të gjithë tekstet e vjetër të shqipes, me përjashtime tejet të rralla, janë shkruar në dialektin geg, i cili flitet në Shqipërinë e Mesme dhe Veriore, sidhe në Kosovë, Maqedoni e në një hapësirë të gjerë të diasporës shqiptare. Ky dialekt i ka dhënë filozofisë, fesë, kulturës e qytetërimit shqiptar, pra edhe letërsisë shqiptare, disa nga kryeveprat në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe në atë midis dy luftrave botërore. Shkrimtarë si Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Shtjefën Gjeçovi, Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), Ndre Mjeda, Martin Camaj, Arshi Pipa, Zef Pllumi e shumë të tjerë, që bëjnë pjesë ndër themelvënësit e letërsisë shqiptare moderne, i kanë shkruar veprat e tyre, gjithashtu, në dialektin geg, gjë më se e natyrshme dhe e logjikshme. Vepra folklorike monumentale „Visaret e Kombit”, e mbledhur dhe e nxjerrë në dritë nga At Shtjefën Gjeçovi, në fillimvitet '30 të shekullit të kaluar, është „rrëfyer” nga lahutarët, është shkruar dhe botuar pò në dialektin geg. Por muzikaliteti krejt i veçantë dhe begatia leksikore, mjerisht nuk ndikuan aspak që, në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, më 1972, i cili vendosi në Tiranë adoptimin e gjuhës shqipe zyrtare (standard), dialekti geg të zinte më shumë se 30% të lëndës gjuhësore, që u cilësua e vlefshme dhe e detyrueshme. Pikësynimet e Kongresit iu nënshtruan verbërisht platformës së regjimit komunist, i cili nuk e honepste gegërishten ngaqë ishte prona shpirtërore e intelektualëve dhe e krijuesve eruditë veriorë - tradicionalisht frymëzues, mbrojtës dhe përhapës të mendimit të lirë, demokratë të mirëfilltë, antidogmatikë, të përkushtuar idealit atdhetar stërgjyshor shqiptar.
Ndonjë diskutim, si ai i Preng C. Lleshit, „për pranimin si normë letrare të trajtave dialektore - venë, lakën, gjarpën, emën etj, … për mbajtjen në gjuhën e shkruar vetëm të mbiemrave - i verbën, i shurdhët dhe përjashtimin e mbiemrave - i verbër, i shurdhër, i shtrembër, … për ngulitjen e trajtave dialektore, gjithashtu të pjesoreve dhe të mbiemrave prejpjesorë, të paskajores dhe të urdhërores” as që u përfillën[2]. Ashtu siç u shpërfillën ligjet fonetike të shqipes - themeli i çdo gjuhe letrare etj, etj.
Dihet se dialekti tjetër i gjuhës shqipe, që flitet në Jug të vendit, quhet tosk. Dikur Shqipëria ishte e ndarë në Toskëri dhe Gegëri, ndërsa banorët e tyre thirreshin toskë dhe gegë. Në dialektin tosk, gjithashtu, janë shkruar vepra të panumurta, madje edhe kryevepra në fushat e letërsisë, historisë, fesë, që mbajnë firmat e disa personalitetesh të përmasave evropiane, si Faik Konica, Fan S. Noli, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Eqrem Çabej, Ismail Kadare etj.
Mund të pohojmë se të dy dialektet e gjuhës shqipe në të vërtetë po bashkëpunojnë ngushtë për krijimin e një gjuhe letrare të pasur e të pajisur me mundësi të jashtëzakonshme në zbërthimin e pasqyrimin e realitetit. Dobinë dhe domosdoshmërinë e marrjes dhe frytësimit të gjithçkaje të dobishme nga secili dialekt, e pat nuhatur qysh në fundshekullin XIX intelektuali i hollë, dijetari dhe shkrimtari Faik Konica (1875-1942), kur mbështeti njësimin e shkrirjen e dialekteve, duke e parë këtë ndërmarrje jo vetëm si një shans për bashkimin në mendime e në veprime të të gjithë shqiptarëve, por edhe si një mundësi për kapërcimin e vetizolimit kulturor.
Hic et nunc
Natyrisht që problemi i madh i dialekteve të lartpërmendur, siç ndodh shpesh në ditët tona, nuk kufizohet në hapësirën e lëmit të gjuhësisë. Kushtet gjeopolitike të Shqipërisë së sotme dhe të shpirtit shqiptar në përgjithësi, kanë diktuar pakësimin e skajshëm, madje, de facto, ndalimin e përdorimit publik të dialektit geg, çka rrezikon t’i detyrojë mbi gjashtë milionë gegërishtfolës të jetojnë në tjetër dialekt. Në realitetin imediat, apo për dy-tre breza, nuk mund të thuhet se kjo përbën ndonjë tragjedi, sepse gjuha zyrtare ka qënë shkruar dhe folur për një kohë të gjatë dhe askush nuk është i pazoti ta përdorë, të paktën për të realizuar një komunikim normal dhe për të zgjidhur probleme me karakter administrativ e social. Por, në një perspektivë më të largët, zbrazëtia do të marrë hak dhe trauma më e vogël do të jetë pafuqia për të pasur akses në tekstet (mesazhet) arketipale e atyre që nesër do të jenë stërnipër.
Gjithsesi, nuk duhet harruar për asnjë çast se të mirat e gjuhës zyrtare janë të pakundërshtueshme. Pas shndrrimeve social-politike të viteve '90 të shekullit që shkoi, shumë shkrimtarë dhe njerëz të kulturës besuan se ishte rasti ta çonin më tej punën e nisur nga Fishta e Camaj me shokë. U rishfaqën në treg gazeta, revista dhe libra të shkruara në dialekt dhe u ripohuan vlerat e mohuara nga regjimi i kaluar. Ishte vështirë të pranohej që rigjallërimi i një dialekti me synim zëvendësimin e një gjuhe, e cila e pat dëshmuar vlershmërinë e vet, nuk mund të çonte përveçse në regres. Numuri i lexuesve ra ndjeshëm, ndërsa joshja e tyre sipas kriteresh krahinore dhe dialektore thelloi ose së paku sugjeroi thellimin e mosmarrëveshjeve që lidheshin me shumicën e temave të nxehta, që mbizotërojnë në kulturën shqiptare.
Një shembull kuptimplotë dhanë intelektualët kosovarë, të cilët iu përmbajtën në vazhdimësi idesë së zhvillimit të natyrshëm të gjuhës kombëtare, duke argumentuar me vepra dhe me kumtesa të vërtetën universale, sipas së cilës gjuha, si shpirt i kombit dhe shtëpi e qënies njerëzore (Heidegger dixit) nuk mund të detyrohet të zgjedhë një rrugë apo një tjetër: ajo u nënshtrohet vetëm ligjeve të veta të brendshme. Ata mbajtën fort mirë parasysh çka pat parathënë këtu e shtatëdhjetë vjet të shkuara kryegjuhëtari ynë, i ndjeri profesor Eqrem Çabej: „Dihet se dialektet me freskin’e tyre dhe me pasurin’e fjalëve janë një burim i pashterrur për një gjuhë. Por, m’anë tjetër, kur një popull, si ne sot, është duke formuar një nacion dhe një kulturë nacionale, ahere i duhet dhe një gjuhë e përbashkët. Kjo do formohet dhe ndër ne, dhe do të jetë shprehja e frymës shqiptare. Patriotizmi lokal i duhet sakrifikuar këtij qëllimi etik bashkues”[3].
Ndërkohë, njëherazi me klasicizimin e shkrimtarëve të shquar të të dy dialekteve, u vërejt qartë se disa vepra themeltare janë të vetëmjaftueshme, zenë fill dhe mbyllen në një kontekst kulturor të mirëpërcaktuar dhe nuk kanë nevojë për vazhdimësi të drejtpërdrejtë. I tillë është edhe rasti i monumentales „Lahuta e Malcis'”, me të cilën frati françeskan Gjergj Fishta OFM, i pari kandidat për Çmimin Nobel i letërsisë shqiptare, u përpoq dhe pjesërisht ia doli mbanë ta ringjallte Eposin e Kreshnikëve, të krijuar në Alpet Shqiptare. Vepra e At Gjergj Fishtës është përkthyer në italisht, anglisht dhe gjermanisht, duke ruajtur në një masë të madhe vlerat artistike, sëtoku me origjinalen e papërsëritshme në dialektin geg.
Në vend të përfundimeve
Gjuha shqipe është vazhduesja e njërit prej dialekteve të lashtë ilirë. Gjithashtu, elementët që i njohim nga leksiku i ilirishtes dhe i trakishtes, e gjejnë veten dhe shpjegimin në gjuhën e sotme shqipe, e quajtur edhe kombëtare, e njësuar apo zyrtare. Në sistemin gramatikor e, përgjithësisht në strukturën e këtyre gjuhëve, gjuhëtari Norbert Jokl, bie fjala, ka zbuluar marrëdhënie gjenealogjike edhe jashtëleksikore. Ai pat vërejtur se në sistemin fonetik e në morfologjinë, në fjalëformim e ilirishtes e të trakishtes disa trajta janë analoge me dukuritë përkatëse të sistemit të shqipes: zanore, bashkëtingëllore (veçanërisht grykoret), grupe bashkëtingëlloresh, prapashtesa, parashtesa. Dihet se në përcaktimin e shkallës së farefisnisë gjuhësore, ngjashmëritë në lëmin fonetik e gramatikor janë tregues më i saktë se sa leksiku. Kjo është arsyeja që këto përputhje kanë rëndësi të posaçme. Duke u mbështetur në këto argumente, Jokli arrin në përfundimin se shqipja është tepër e afërt, si me ilirishten, ashtu edhe me trakishten. Teoria e lartpërmendur është pranuar edhe nga dijetarë të tjerë, si Ribezzo e Tagliavini[4].
Studiues dhe gjuhëtarë të mëvonshëm, - Magnani, Cacopino, Kolia etj, - mbështesin me argumente tezën që shqipja moderne, ajo e të dy dialekteve, jo vetëm e njërit syresh, është në gjendje të shkoqitë mbishkrimet e mbetura nga qytetërimi i etruskëve, madje mund të përkthejë bindshëm, përmes trajtash gjuhësore jashtëzakonisht të ngjashme, fjalët e quajtura pellazge, që hasen në veprat homerike dhe që nuk kanë asnjë lidhje me përkitëset e tyre në greqishten e re[5].
Mund të themi se gjuha shqipe moderne përmban, ruan dhe zhvillon më tej thelbin identitar që i ofrojnë njëheresh të dy dialektet e saj, tosk dhe geg. Nga ana e vet, shqipja u jep të dyve lirinë e plotë për të kumtuar dhe për të pasuruar informacionin kulturor dhe qytetërues që e shquan. Në këtë aspekt do të desha të theksoj se një ndër pasuritë e pashtershme të çdo gjuhe kombëtare janë sinonimet. Ndryshe nga nocionet që kumtojnë të njëjtën domethënie (në italisht, i doppioni: testa-capo, pancia-ventre-addome), sinonimet përfaqësojnë laryshi, kuptime të përafërt të nocionit përkatës, duke ia shtuar elegancën e forcën frazës a kontekstit në të cilin janë të përfshirë. Burim të kulluar për sinonimet përbëjnë dialektet e nëndialektet. Ja një shembull në gjuhën shqipe: vajzë, çikë, vashë, cucë, gocë.
Do të desha që këto rreshta t’i mbyll me fjalët udhërrëfyese të Çabejt: „Atje në Shqipëri të Mesme, ku gegërishtja e toskërishtja duke u përpjekur zbutin veçorit’e tyre dalluese, ku ka dialekte gjysmë gege e gjysmë toske, atje duhet kërkuar djepi i gjuhës së përbashkët që do vijë. Sëpari duhen studiuar dialektet e Shqipërisë së Mesme. Këto përgjithësisht dhe pas një selektimi do të japin bazën e gjuhës në fonetikë dhe në format gramatikore. Në thesarin e fjalëve (leksikut) do kontribuojnë dhe dialektet e tjera shqiptare”[6].
[1] Rikujtojmë që, si dokument i parë i shkruar në gjuhën shqipe, deri më sot është cilësuar „Formula e Pagëzimit”, që i atribuohet priftit shqiptar Pal Engjëlli. Ky dokument u zbulua nga historiani rumun Nikolae Jorga në Biblioteca Laurentiana (Itali) në vitin 1915 dhe u botua për herë të parë pò prej tij.
[2] Shih Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Tiranë, 1972, f. 643.
[3] Dr. Eqrem Çabej, Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe, Tiranë, 1936.
[4] Shih N. Jokl, Zur vorgeschichte des Albanischen und der Albaner, Wörter u. Sachen, XII, 1929, f. 63-91; N. Jokl, Shënime gjuhësore për historinë e lashtë të shqiptarëve, PHGSHq; E. Çabej, Einige Grundprobleme der alteren albanischen Sprachgeschichte, Studia Albanica I, 1, 1964, f.. 69-79; Vasmet M., Studien zur albanesischen Wortforschung, Dorpat, 1921, 74 f.; Ribezzo Fr., Le origini illiriche della lingua albanese, Riv. Alb., I, 1940; Ribezzo Fr., Premesse storico-linguistiche sull’autoctonia illirica degli Albanesi, Riv. Alb., I, 1940, f. 114-141; II, 1941, f. 187-189, 334-346; C. Tagliavini, La lingua albanese, Studi albanesi, V-VI, 1935-36, f. 1-33; C. Tagliavini, I dialetti albanesi di tipo ghego orientale, Roma, 1941.
[5] Shih revistën Haemus, nr. 2/25, Bucureþti, f. 48.
[6] Dr. Eqrem Çabej, Elemente…, v.cit.