SCRIPTA MANENT

Dhurata Hamzai

Ringjallja poetike e Ferik Ferrës

Nëse bëhet fjalë për stilema poetike të një gjuhe që e ndërron rrjedhën e saj të zakonshme dhe si dallgët hov me metaforën e dendur deri sa ta përmbyt paq përfytyrimin, ato i gjen përhapur në faqet e këtij libri të ri poetik që po del në dritën e botimit nga poeti i njohur Ferrik Ferra. Lexon të parën poezi, “Sytë e qiellit”, dhe kupton qartë se poeti paska udhëtuar me poezinë dhe tashmë ajo i rri e mveshur për shtati, mandej kupton se poezia si qenka ndarë dot atij edhe kur ai mundet ta ketë braktisur kohë më parë atë. Duke ecur në kah të kundërt të jetës së poetit, poezia e tij vjen e butë, e ngrohtë, e plotë dhe e lirë, aq e lirë sa dhe pjellore është fantazia e Ferrik Ferrës. Bota e tij poetike duket se tashmë ka sunduar gjithësinë, e duket sikur poezia brenda tij rri rojë, si një Muzë e përjetshme. E duhet të ketë ndodhur kjo gjatë ringjalljes poetike të Ferrik Ferrës, derisa ai pohon me vargje se jo sytë e tij, të një 75 vjeçari, por “sytë e qiellit vunë perde” Shih:

“Sytë e qiellit vune perde,
turbullirë në lëngun e rrezeve,
monedha argjendi
hedh Dielli pellgjeve të vegjël ”
(nga poezia “Sytë e qiellit”).

Kjo botë e përmbysur paq metaforikisht, ku edhe hapësira e etertë vë perde dhe rrezet shigjeta lëngëzohen vjen e të shfaqet varg pas vargu nëpër faqet e këtij libri në atë mënyrë sa vetë lexuesi është një vjelës i ngutur emocionesh e trillesh imagjinare. Poeti të detyron të vraposh nëpër të tijat vargje. Ai të mban përdore në atë botë çudirash sepse tingëllimave poetike di t’ju përqas shumë nga rrëfenjat ëndërrimtare. Është tipike për poetin Ferra një mënyrë e të bërit poezi kokëmëvete, kokëfortë që ashtu si i vjen, ashtu e jeton e ashtu e thotë, por gjithmonë poezia e tij të lë në dritën e tunelit të përfytyrimit idenë se ai në mënyrë misterioze ose e ka krijuar brenda vetes ose e “ka takuar” diku Muzën.
Kur fantazia e poetit mbështillet nga lart prej rrjedhave të ujit që sipas gjuhës së tij poetike “mbi mermer e thyejnë butë heshtjen e vdekjes” ai poeti butësisht njësohet me jetën universale e shih si thotë në vargjet e tij:

“Strukur mbas pllakave të ftohta
si ka zbuar tufën e shpirtrave
duke i vënë në gjumë të dashurit tonë
iu ka kurdisur orën
që s’ka zile zgjimi,
orën
që nuk çkurdiset kurrë”
(Po aty “ Sytë e qiellit”)

Është magjepëse spikatja e detajit poetik “si ka zbuar tufën e shpirtrave”, sepse në përfytyrimin tonë prej kësaj poezie nata vjen me aromën njerëzore, me enigmën se ku po udhëtojnë shpirtrat në aq të gjatë fjetje-heshtjen e përgjatë natës së madhe. Fantazia e shpirti kur lexon këto poezi të shplohet në një gjendje romantike si përmbushëse nevojash. Nuk mund të bësh dot asnjë intermexo gjatë leximit pa spikatur, pa ndjerë dëshirën se do të thuash, do të shprehesh, të kujtosh apo pikturosh sipas momentit atë që poeti e ka të shkruar. Kështu krijohet edhe lidhja e njëmendët e poetit Ferrik Ferra me lexuesin.

***

Mandej gjatë leximeve të këtij vëllimi poetik duket sikur pikturat më të bukura i ke përkundruall, por këtë herë të bëra disi ndryshe, me bojë metaforash. Për shembull, në poemën kushtur Euridiçes, poeti Ferrik Ferra reflekton metaforikisht me vëllime të mëdha kontrastesh përfytyruese dhe mendo nëse do ta kishte bërë dikush me penel, ashtu si ai e thotë këtë gjë, duke e nisur që nga vuali apo fustani i Euridiçes “së ngrirë në thesin e shekujve”. Është kjo sikur “penelata” e fundit. Le të mos harrojmë se Ferrik Ferra pikturon me metafora. Shih:

“Dhembi i helmit
Trëndafil plaga në gjij,
Kullojnë yjet në varr Euridiçen.
Magjepsja e tingujve
Këput telat e harpës
Në frymën e ngrirë”
(poezia “ Euridiçe”).

Kush nuk mund të magjepset pas metaforës “kullojnë yjet në varr Euridiçen”.
Kush nuk mund të mos ta prek këtë varg e të ngjyros me të, në mos një kanavacë të madhe, së paku fantazinë e tij pafundësisht. Vargjet sa vinë e lënë gjurmë.
Poeti Ferra krijon një lëvizje e atmosferë ngazëlluese në ndjesitë tona, si të pafaj e njëkohësisht sfiduese, si një dritë të ndezur më përtej bëmave tokësore, në diçka të harruar e të zhvleftësuar krejt nga poeti sa të lë të kuptosh se pafundësisht e bukur është ajo që ndien. Prej kësaj ndihesh sfidues ndaj materialitetit përdhunës të jetës. Figurat piktorike dhe mjedisi piktorik i qaset përfytyrimit tonë edhe në vargjet e poezisë “Natë në Dhërmi”:

“Gishtat e territ
cikin rrjedhën e mjaltit të hënës
harkut të valës
mbi tepsinë e ujit
…………………
…………………
Qajnë gurët e zallit
qelqin e rërës së thyer
nga shpata e bardhë e shkumës”

***

Epiforik, metaforik, lirik, shungulles, kërcitës sa ti përhumbet një çast në një varg të bukur, nis të të ringjallet një tjetër në poezinë e Ferrik Ferrës kur e lexon. Shih ç’po ndodh:

“Ra kosa e argjentë
mbi livadhet e yjeve
të korrurra floriri në thesin e natës.
Hënën e bukur
Veshur me petkun e mjaltit
e rrëmbeu i dashuri”… !
(Poezia “ Ra Kosa”)

Është e pabesueshme sa shpejt lëviz figura poetike në përfytyrimin e poetit. Ajo të krijon njëherësh ndjesi e lëvizje surprizuese. Kur dëgjon në vargje se hënën e bukur, që të veshur me petkat e mjaltit e rrëmbeu i dashuri, prej befasisë që të sjell në përfytyrim, bëhet shpejt një këngë, lind një arie e vogël, sikur je gati për ta kënduar. E poeti Ferik Ferra është një poet që këndon duke pasur përreth tufa engjëjsh, të cilët nuk harron t’i dëshmojë edhe në vargje të tijat. E megjithëse të butë e lirikë këto vargje me një pjesë të metaforave i përgjigjen ndjesisë bukur edhe me variantin e sofistikuar figurativ të mbështetur mbi disa retorika me bazë formimi logjike, të cilat sërish ia mbrrijnë ta bëjnë poezinë e Ferrik Ferrës edhe shumë moderne shih:

“Tufa engjëjsh zbardhin qiellin.
Mendjet njerëzore ia behën
para karrocës
të ditës së re”
(Poezia “ Ra Kosa”)

Shpeshherë poezitë e Ferrik Ferrës u vishen nostalgjive që ka ai për vende të ndryshme të atdheut të tij, Shqipërisë, për miqtë e tij, kalimtarët e rastit, për njerëzit e botës mbarë, për ngjarjet e saj të gëzueshme e të dhimbshme dhe pavarësisht kësaj ato të gjitha mbeten mirëfilli poezi. Gjasa poetit i shërben më tepër si shkëndi ndezëse për atë që shpirti e ruan thellë. Pra, duket që më parë poezia e tij është e ruajtur në shpirt, madje mbart durim derisa shpërthen. E ç’rëndësi ka kujt i kushtohet ajo. Poezia e Ferrik Ferrës zbulon hoje të dlira ndjesish më tepër se miku, se brenga, se gjasa, se nostalgjia që ka përjetuar individualisht poeti. Në çdo rrethanë të frymëzuar poezia e Ferrik Ferrës e kapërcen individualen. Do të na mjaftonte si shembull edhe njëra nga poezitë, e titulluar “Bekimi”. Bëhet fjalë për një vogëlush që ndoshta të gjithë sot e kanë harruar, për një vogëlush që u therr barbarisht nga kriminelët. “Kushtuar Bekim Çengës, vogëlushit që u therr barbarisht nga krimi”, shkruan poeti në parathënie të poezisë së tij. Shih:

“Bekim
yll i vogël
të thirrën yjet
për t’i prirë karvanit
dhe ti u nise
duke na lënë buzëqeshjen tënde,
në kornizën e dhimbjes
që zbukuron botën tjetër.”

Pra, cilado të ketë qenë prekja që pëson nga tragjedia e ngjarjes, poeti nuk harron t’ia mbërrijë “ethit” poetik, aty ku thotë se ti ike duke na lënë buzëqeshjen tënde, në kornizën e dhimbjes që zbukuron botën tjetër. Buzëqeshja tejet e pafaj e Bekimit të vogël dhe destini janë dy kontraste që të ndjellin rrëqethje. E kur poezia di të prek në shqisa të tjera, veç shpirtit të poetit, ajo tashmë e ka kryer misionin si e tillë.
Kjo është një ngjarje aktuale, por kujtojmë se poeti ka një përkushtesë po kaq tragjike edhe për profesor Locin, kryekirurgun në spitalin civil të Tiranës, ekzekutuar në vitin 1947. Poezia titullohet “Lëndina e ngrirë” dhe dhimbja e poetit mbarsur gjatë në vite e sjell gjëmën e freskët me vargjet:

“Varri i Bamit
aneksi i katërciptë i vdekjes
në këllëfin e natës së butë
gërricur me epitafe të shplara gurësh
nga lotët e syve të dhimbjes”

Kjo është fillesa poetike e dhimbjes dhe që këtu kupton se prej tij njeriu i thjeshtë ose heroi mbështillet me poezi, me nderim, ai është më i madh në vetvete e poezia e pret aty. Aty është, por ja e fshehur në shpirtin e ndjeshëm të Ferrik Ferrës. Homazhi vijon me vargjet:

“Lëndinë e ngrirë shpirtrash
rrahe e munguar
në bisturinë e gishtave të mi”

Ky shpirt poeti rreh të bashkojë çdo dhimbje të botës mbarë në qenien e tij për ta bërë ndoshta sot a nesër këtë botë më të mirë, më të ndijshme ndaj qenies humane dhe një sfidë ndaj përdhunës që ka pësuar në rrebeshe të historisë njerëzimi. Kujtojmë se këtij poeti libri i historisë nuk do t’i mungojë ndër poezitë e tij. Ka shkruar tek poezia “Ora e lirisë”, po në këtë libër se:

“mbrumur në përjetësi eshtrat e Dardanisë,
katërmbëdhetë qindvjeta,
e pakthyeshme rruga
deri në ditën e orën e lirisë”

Gjakimi i historisë, baladave, legjendave, cilado qofshin ato vinë me të njëjtin kod, sikur në krye e thamë, me stilema poetike të një gjuhe që e ndërron rrjedhën e saj të zakonshme dhe si dallgët hov me metaforën e dendur deri sa ta përmbyt paq përfytyrimin.

***

Poezitë e përfshira në këtë libër janë krijuar në një hark kohor jo shumë të gjatë. Mandej shumica prej tyre mbajnë nënshkrimet “Tiranë …2007”, ose “Milano… 2007”, e një pjesë e tyre vijojnë po ashtu “Tiranë …2008” dhe “Milano 2008”. Këto poezi të krijuara në një hark të shkurtër kohor më së shumti në qiellin mes Tiranës dhe Milanos, relativisht rrugë jo aq e gjatë, të çudisin me hapësirën e madhe që zënë. Nganjëherë këto poezitë e fundit duken sikur janë projektuar gjatë gjithë jetës së poetit, nganjëherë duken sikur mjaftojnë të gjitha sa janë për një poet të moshës së tij. E, si për të dëshmuar këtë, ky poet ka krijuar një mozaik temash e përqasjesh që janë poezi dashurie, drama njerëzore, lirika të natyrës, filozofi e mpleksur me lojën e lëndës dhe të shpirtit, më pas janë disa vargje me ritual folklorik, hera-herës në aspektin vargëzimor që ruan trajta të përkora klasike janë shfaqur disa forma të ringjalljes të traditave të krijuara nga Fishta, Mjeda dhe Migjeni, të cilave autori u shton tingëllimat e kohëve të reja. Shih:

“Më asht tristue kanga zana ime,
të cilën mbulue e ka vetmia shkrehse
e nën qepalla duket aq përqethëse,
njashtu si gjethi vjeshtës së një peme”.
(Nga poezia “ Tristim”).

Kjo poezi është shkruar në variantin e ngjashëm të tercinave të Mjedës, por ngjarja e vendosur brenda botës dhe kohës së poetit e bën të dallueshëm origjinalitetin e kësaj poezie.

***

Në këtë libër është një univers vargjesh e këngëzimesh me të cilat duket se edhe vetë poeti nuk ndihet i nginjur, se këtë e dëshmon edhe fakti që ai ka menduar të botojë bashkangjitur në këtë libër nga një përkthim modest të secilit poet botëror që ka për zemër. Janë përfshirë këtu të shqipëruara nga Ferrik Ferra vargje të kolosëve të poezisë botërore që me sa duket ai i do me tepër si Uilliam Shakespeare, Pierre de Ronsard, Bajron, Jaques Prevert, Tagora, Kate Shuson, Dylon Tomas, Seferis, Sherko Bekas nga Kurdistani, etj. Pra, nga pothuaj e gjithë harta e botës, poeti Ferra ka përzgjedhur poezitë që shërbejnë njëkohësisht si homazh për poezinë e madhe botërore dhe poetët e saj. Ai ka jetuar me poezinë dhe me këta poetë gjatë gjithë jetës së tij. Shumë nga vargjet e tyre i di përmendësh, ndaj nuk na çudit më fakti pse pikërisht në moshën 75-vjeçare poeti Ferrik Ferra ka gati për botim librin e gjashtë me poezi. Vite më parë për publikun shqiptar janë bërë të njohura dy librat e tij me poezi “Nata pa agim” dhe “Ëndrra e bregut përtej”. Edhe në këto libra Ferrik Ferra shkruan poezi lirike, por nuk harron ashtu si në librin e ri që të ketë një poemë epike si për të mos e ndërprerë trashëgiminë e poetëve të Shkodrës, Fishtës e Mjedës, të cilët duket se i ka fort për zemër. Stili i poezive të tij e ka zanafillën që në vitet ’50-’60, kur atë e frymëzonte çdo motiv që shihte dhe prekte. Ndërsa ai shpaloste shpirtin e ri poetik dhe forcën shprehëse të vargut, krijimet e tij e panë vonë dritën e botimit, për arsye të diskriminimit klasor dhe politik që u bënte regjimi komunist bijëve të dijetarëve, emigrantëve, tregëtarëve dhe të pasurve. Ferrik Ferra ishte bir i një tregtari krutan që mbeti në Itali pas vendosjes së komunizmit. Prandaj, çdo varg të sinqertë që hidhte në letër mund t’ia merrnin si një akt-akuzë për armiqësi ndaj pushtetit komunist. Kjo e la poezinë e tij në heshtje. Madje disa nga poezitë e tij i ka djegur vetë gjatë viteve ’60. Megjithatë në gjashtë vëllime gjithësej poezia e tij është rikthyer e ka dalë në dritë. Sot poezia e Ferrës është përfshirë në një antologji, e cila është përkthyer në gjuhën angleze dhe në atë italiane.
Tiranë, gusht 2008