ADHURIM LAKO: Dy ditë


Jam i shtrirë mbi shtrat, vetëm në dhomën e gjumit dhe kujtoj. I mbaj sytë mbyllur, sepse po t’i hap kam frikë se moria e kujtimeve përpirë në thellat e së shkuarës do të zhdukej sakaq.
Më kujtohet kur fillova punë për herë të parë në varrezat e qytetit, mbi një kodër. Isha katërmbëdhjetë vjeç. Meqë po kalonim një periudhë të vështirë ekonomike, në familjen time u vendos që unë të punoja gjatë pushimeve të verës. Tashmë shumë të tjerë e bënin këtë gjë, pastaj edhe unë kisha nevojë të filloja të kuptoja se ç’është jeta me gjithë të mirat e të këqijat e saja.
U nisëm në mëngjes herët me një furgon të zi. Shtatë apo tetë veta, ulur përballë njëri-tjetrit me nga një trajse apo bukë të mbështj­ellë me letër mbi prehër. Të gjithë më dukeshin të një bote tjetër, të mëdhenj, shumë të mëdhenj dhe nuk kuptoja asgjë nga fjalët, nga shtati i tyre. Më në fund mbërritëm, zbritën nga furgoni të gjithë, dhe unë pas, me zemër të ndrydhur dhe me të tanishmen që më përpëlitej në kafaz. Para meje shtrihej një pamje e pazakontë. Për herë të parë në jetën time shihja varre të renditura pafundësisht, në mënyrë të rregullt, të ngjashëm nga larg me njëri-tjetrin, por të ndryshëm nga afër për nga forma, fotografitë dhe historitë. Të ngjashëm në hesht­jen e tyre, në largësitë mes njëri-tjetrit, në reflekset që i kthenin diellit. Nuk munda! E gjithë ajo pamje më rëndoi aq shumë në shpirt saqë u ktheva, në fillim me hap pastaj me vrap nëpër një të tatëpjetë. Qaja dhe nuk kuptoja asgjë. Nje ndjesi e madhe, e rëndë më shtypte gjok­sin dhe më merrte frymën.
Ditët iknin pa çarë kokën për asgjë, njëra pas tjetrës dhe unë shumë shpejt u mësova me gjithçka. Kam përshtypjen se në atë periudhë ndodhi çvirgjërimi im qoftë fizik qoftë shpirtëror.
(Këtu është vendi të pohoj se pothuaj për gjithçka të shkuar të jetës sime nuk mbaj mend asgjë, pra këto që po shkruaj dhe ato që flas në përgjithësi nuk e di sa të vërteta janë).
Kaluan vite dhe pasi mbarova shkollën e mesme dhe më pas shërbimin ushtarak, nëpërmjet të njohurve të familjes u krijua mundësia të filloja punë, si punëtor në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku prodhoheshin filma. Them kaluan vite duke harruar që kaluan plot dhjetë vjet të mbushur me gjithfarëlloj historish dashurije, miqësije, tradhtije, rebelimi, prove, frike e paformë dhe e kudoshme. Tani mund të quhesha me plot kuptimin e fjalës burrë edhe pse ndjehesha akoma një fëmijë i tredhur mendërisht dhe i pambrojtur shpirtërisht. Në mëngjesin e parë të punës, që më priste për pjesën më të madhe të jetës, u ngrita ankthshëm. Kësaj radhe puna qe më serioze. Kisha marrë përgjegjësinë të bëhesha si gjithë të tjerët, me një ëndërr të vockël me vete, se kush e di një ditë do t’u tregoj se jam pak si më ndryshe, pak si më vete. Nuk e di pse ai ankth mëngjesor qe rrethuar ngado me trishtim. Të gjitha sheshet, të gjitha shtigjet qenë të veshura me këtë lloj rrobe. Mora pak bukë që më kishte përgatitur ime më, një paqetë cigare, u përshëndeta sikur po ikja për në luftë dhe u nisa. Tek ika, seç ndjeva njëlloj hidhërimi dhe zilije për ata që lashë në shtëpi. Ata ndjeheshin të çoroditur sepse një pjesë e tyre po shkonte të përballej kush e di se ku me të pa­njohurën që nuk ishte veçse jeta e vërtetë ku për­mblidhen të gjitha shëmtitë e kësaj bote dhe pak, shumë pak çaste për t’u ndjerë i lumtur. Ndërsa unë isha i çoroditur, sepse po përpiqesha të bëhesha si ata. Pastaj ai ushqim i përgatitur dhe mbështjellë me kuj­des sa shumë do të thotë! Unë nuk doja ta merrja me vete si për t’u thënë të tjerëve se qeshë ndryshe, i lirë, si për t’u thënë të mive se tani e tutje kujdesesha vetë për veten, ose ndofta për t’i vënë në faj për rrugën e detyrueshme që po merrja, pa pikën e dëshirës.
Ishte një ditë e zakonshme prilli. Freskët, por jo ftohtë. Edhe ve­shja që kisha mbi trup më shqetësonte; veshje pune! Mbërrita menjë­herë tek stacioni i autobusit dhe atje prita, përzjerë me turmën e thjeshtë e të zakonshme, budallaqe e të përhershme, me turmën e urryer dhe aq të dashur, me ndjesinë se isha i huaj dhe në të njëjtën kohë pjesë e pandarë e saj… autobusi erdhi si një kafshë e lodhur keq dhe vaisur mënjanë qendroi me mundim pak para nesh. E lashë veten të më përpinte rryma njerëzore dhe sakaq u gjenda mes qindra fytyrave, secila me nga një histori të ngjashme dhe më vete. Qën­drova ashtu ngërthyer për minuta pambarim, si i zënë në lak dhe nuk e di pse m’u rrënqeth i tërë trupi. Më erdhi keq për veten, për natyrën, për njerëzit, për gjithçka, mbi të gjitha për atë mundim njerëzor pa fill, pa anë e pa fund. Vërtet, në jetë ka dhe çaste plot gëzim, hare, diell, lumturi, por ato janë kaq pak! Dhe ashtu mbytur plot pikëpyetje mbërrita në punën e re. Më thanë se duhej të shkoja në një repart ku punonin drurin. U paraqita. Pashë po të njëjtat fytyra. Fillova të punoj dhe pas dy-tri orësh u ndjeva i lodhur, i rraskapitur, i marrë fund. U tërhoqa prapa godinës të haja pak bukë. U shtriva mbi bar, më zuri gjumi. O Zot, ç’ëndrra m’u vërsulën e më shpunë nuk di se ku! U zgjova me kokën edhe më të rëndë. Doja të ikja sa më shpejt, t’ua mbathja nga sytë këmbët, si atëhere në varreza. Po ku doja të shkoja, këtë nuk e kuptoj dot as sot. Ndofta të kthe­hesha në barkun e nënës?! Ndofta, kush e di?! Shpeshherë kur ndodh­em shtrirë mbi ujin e qetë të detit më ndodh të ndjej se ai çast dhe vetëm ai çast e vlen të jetohet. Ç’të jetë vallë? Kujtesë e dikur­shme e paralindjes? Dhe kështu dalë­ngadalë apo shpejt-shpejt mbaroi ajo ditë e parë pune. U ktheva në shtëpi me ndjesinë se kisha fituar një betejë dhe në të njëjtën kohë me një ndjesi tjetër, më të thellë, më të fortë; se kisha vdekur prej kohësh.