-->
- shënime për librin e Romeo Çollakut -
Nuk e kam aspak të lehtë të shkruaj për vepra në prozë e sidomos për ato të një miku si Romeo Çollaku, por shija e mirë që më la leximi i këtij libri e tejkalon çdo vramendje deontologjike. “Për shtegtarët e pak metrave katrorë” është një përmbledhje tregimesh, ndonjë prej të cilëve autori e ka botuar më parë në shtypin letrar periodik. Çollaku e boton këtë libër pas lëvrimit me sukses të disa zhanreve të tjerë, si poezia, romani dhe eseja. Ai, gjithashtu, ka sjellë në gjuhën tonë disa autorë shumë të rëndësishëm grekë e francezë - si J. Ricos, P. Verlaine, S. Mallarmé, G. de Nerval, një antologji të tregimit grek për të cilën është shpërblyer me një çmim kombëtar, dhe sidomos romanin “Priftëresha Joanë” të Emanuel Roidisit - me një mjeshtëri dhe përgjegjësi të lartë. Romeoja ka shkruar edhe disa poezi gazmore, të një shijeje dhe humori të hollë, të cilat jam i sigurt që, kur të dalin në një libër më vete, do t’i falin lexuesit të tyre një kënaqësi të veçantë. E pra, tregimet e tanishme vijnë pas një përvoje të konsiderueshme të autorit në këtë sferë të madhe e të vogël, të sigurt e të pasigurt, reale e virtuale, që quhet letërsi.
Dihet që çdo zhanër letrar lind nga një përdorim i caktuar i gjuhës dhe, duke qenë kështu, tregimi është ndoshta më tipiku që di të luajë më mirë me fuqinë e menjëhershme dhe domethënëse të fjalës, për të na kumtuar një ose më shumë jetë imagjinare, ku vendosen personazhe në kohë e hapësirë dhe ndodhin ngjarje që ngërthehen nëpërmjet një mekanizmi të dukshëm ose të padukshëm shkakësish. Arti i tregimtarit synon të nxitë dhe ta mbajë gjithmonë të nxitur atë pritje të përgjithshme e të çrregullt që ne kemi për gjërat që ndodhin, duke e lidhur universin e tregimit me botën reale. Me anë të një gërshetimi detajesh arbitrarë, ai lidh ekzistencën reale të lexuesit me ekzistencat e gjasmuara të personazheve, gjë që shpeshherë i bën këto gjasmime të marrin një forcë të çuditshme jetësore që, në mendjen e lexuesit, i bën të krahasueshme me persona të vërtetë. Lexuesi u jep atyre gjithë veçoritë njerëzore që ka brenda vetes. Teoritë thonë se sa më të shumta të jenë këto veçori, aq më e madhe është vlera e veprës letrare. Ligji më i fortë e njëkohësisht sekreti i suksesit të një tregimi është, me sa duket, fakti që vazhdimi i ngjarjes të na tërheqë pa ndërprerje drejt fundit të saj, i cili na bën të besojmë se kemi jetuar tërësisht e thellësisht një aventurë, duke u njëjtësuar me personazhet e sajuar.
Natyrisht që, kur edhe tek ne të ketë kritikë që do të merren më në fund, më tepër e kryesisht me veprat sesa me autorët e tyre, do të flitet në mënyrë më të thelluar e rigoroze edhe për librat e Romeo Çollakut dhe për vendin që do të zënë ato në hierarkinë e Republikës sonë të Letrave. Ndërsa unë do të kufizohesha të vija thjesht në dukje disa prej tipareve më të dukshme të këtij libri, meqë, nga gjithë zhanret e prozës, për tregimin kam një dobësi të veçantë. Dhe në tregimet e Çollakut kam përshtypjen se i gjejmë, pak a shumë, të gjitha karakteristikat kryesore të këtij zhanri: aksioni që përqendrohet tek një e dhënë kryesore, personazhet me evolucionin e tyre dhe përshkrimi i kuadrit hapësinoro-kohor që kufizohen brenda një pikëvështrimi strikt funksional, vëmendjen e përqendruar te personazhi kryesor që rrëfehet në një ditë të zakonshme, histori që nisin in medias res dhe që përfundojnë të hapura, të befasishme e të papritura, të shoqëruara këto nga procedetë e duhur, si dialogu, ëndrra, analepsa, përzierja e kohëve narrative, gjuha sugjestive. Nga kjo pikëpamje, por jo vetëm nga kjo, tregime të tilla si Të internuarit, Katërkëndëshi i Bermudajve, Rrugë, si dhe tregimi që i ka dhënë bujarisht titullin librit, mund të konsiderohen si kryevepra të zhanrit. Duke i shtuar këtyre edhe talentin e padiskutueshëm të narratorit, “Për shtegtarët e pak metrave katrorë” përbën, pa dyshim, një arritje nga më të vlefshmet në krejt prozën tonë të shkurtër.
Ka një rrethanë tjetër të rëndësishme që nuk mund ta lemë pa e ndërmendur këtu e që përbën një nga elementet thelbësorë të krijimtarisë. Kjo është përvoja jetësore vetjake. Përvoja e Çollakut është e pasur. Ai ka njohur jetën rurale dhe atë urbane, ushtrinë dhe universitetin, arritjet dhe zhgënjimet, atdheun dhe emigracionin. E, natyrisht, edhe librat, që janë një jetë më vete. Interesin e atyre që ai rrëfen në këto tregime, që janë copëza jete, e gjejmë në çdo fragment të tyre, në çdo kujtim të veçantë që përzihet me kujtesën tonë të përgjithshme prej lexuesi, me të hapur librin e me të nisur leximin. Sigurisht që një tregim i mirë mund të shkruhet edhe vetëm me ndihmën e imagjinatës dhe shembujt e lumtur janë të shumtë. Por është ku e ku më mirë kur imagjinata pjellore ndërthuret me skenat e ndryshueshme e të pandryshueshme të teatrit të botës reale ku autori ka luajtur një rol dëshmitari aktiv. Romeoja ka ditur të kombinojë forcat e një jete të brendshme tejet të pasur e interesante me shprehjen e një shoqërie të trazuar, tradicionale e kaotike, moderne e të brishtë, si kjo ku jetojmë. Me aktin e tij të të shkruarit, imazhi i paqëndrueshëm i kësaj shoqërie bëhet një vepër e thellë dhe e qëndrueshme. Ç’mund të jetë tjetër Bota, përveçse një teatër me personazhe simbolikë, ku luajnë bukuria me shëmtinë, pasuria me mjerimin, eleganca me vrazhdësinë, virtyti me vesin, jeta me vdekjen? Mjedisi i këtij teatri dhe personazhet që veprojnë në të janë, përgjithësisht, do mund të thoshim, margjinalë: diku një grup ushtarësh, diku një mësues i thjeshtë, diku tjetër dy të internuar, diku ca njerëz që rrojnë në një fshat të largët e të veçuar për të ruajtur fenë, një daun, një udhëtar imagjinar...
Mbase është rasti të kujtojmë se një numër i konsiderueshëm shkrimtarësh të mëdhenj, në romanet e tyre, janë marrë me Oborret. Kjo ka qenë e lidhur me përdorimin e një gjuhe të rafinuar brenda një mjedisi konvencional, ku të duket se jeta shndërrohet në dukje të jetës. Ndërsa tregimi ngjan më tepër i prirur ndaj personazheve margjinalë, simbolika e të cilëve, gjithë duke i lënë në anë të shoqërisë, të krijon iluzionin se i vendos ata në qendër të saj dhe, në fakt, i vendos, përderisa në realitetin “artistik” veprojnë ligjësi të tjera, të ndryshme nga ato që i njihen, ose që besohet se i njihen, atij që rëndom e quajmë realitet.
Dhe, për ta mbyllur këtë shënim të shkurtër përurues, do të thosha se një nga meritat e mëdha të autorit të kësaj përmbledhjeje është se ka ditur, me mençuri, të përdorë mjete shprehjeje që tregimet e tij i lidhin pa asnjë mëdyshje me traditën më të mirë kombëtare dhe botërore të prozës së shkurtër. Leximi i tregimeve të Çollakut, që kryhet me një frymë, me sintaksën e përpunuar imtësisht, me humorin e pranishëm në masë të këndshme në krejt librin, me shkurtësinë dhe dendurinë e lëndës narrative, me kombinimin e ngjarjeve me gjuhën për arritjen e efektit të dëshiruar, të jep një kënaqësi estetike të pandërprerë, çka duhet të jetë, ma merr mendja, qëllimi final i çdo arti.
Paris, 2009.