Stërmadh pa fund e pa cak, i zhurmshëm e i pluhurt, Stambolli ngjante me një kafshë të shformuar parahistorike që merrte frymë me tërë qenien, përshfaqur habitshëm kohëve të vona. Tutje përmbi Bosfor avujt e detit formonin shtëllunga të bardha, tymnajë që të merrte sytë e turbullonte shikimin.
Në dy anët e detit shtrihej Qoshk Jëlldëzi, qytet i turqve, një përzierje pafund ngrehinash të shumëllojta prej druri përreth xhamive madhështore. Rrugët e spërdredhura në faqe kodrash të gjelbëruara lagur nga oqeani i pamatë të çonin në Portën e Lartë, brenda së cilës qendronte stema kuranike e Kalifatit dhe manteli i Profetit. Zërat e fuqishëm të ylemave çanin qiellin e murrmë të qytetit madhështor dhe thërrisnin njerëzit për në Der Seadet.
Përkundruall zhurmonte Gallata, lagja e të krishterëve dhe selia e ambasadave të huaja, me ndërtesa të larta mermeri sipas arkitekturës së Perëndimit. Në ngushticën e Harkut të Artë, përmes Urës së Gallatës takohej Lindja me Perëndimin, dy botë krejtësisht të ndryshme shumë larg njëra - tjetrës në ekonomi, kulturë, mënyrën e të menduarit e jetesës. Nga çdo cep i Gallatës vështrimi ndehej përmbi Dardanele, bukuroshen e hijeshme të Lindjes, portën shekullore të perandorive. Në pragun e përbaltur të saj përgjatë honeve të shekujve ishte fosilizuar historia. Gjaku i të gjithë popujve të botës kishte skuqur kohën e thinjur të Dardaneleve.
Nëpër rrugët e zhveshura tërë pluhur dhe të tjerat me kalldrëm, barisnin lloj - lloj njerëzish nga çdo rracë e ngjyrë, turq, arabë, çifutë, grekë, shqiptarë, sirianë, armenë me të gjitha veshjet që njeriu mund të mbulojë trupin, ngjizur moteve të përlargët. Nga tirqet me xhufka dhe peshtemallët e mëdhenj me lule gjithfarësh, te kostumet europiane me papion, nga jelekët e shkurtër dhe pëlhurat e trasha aziatike që i mbulonin femrat kokë e këmbë, në fustanet gjoksehapura të gufuara, prej festeve të rënda turke në kapelet e hijshme, nga këmbët e zbathura dhe opingat me lëkurë kau te këpucët llustrafina ardhur nga Parisi dhe Vjena.
Turma pafund nuk mbaronte kurrë tërë ditën e perëndisë gjer afër mesnatës kur firohej ca dhe mbeteshin të pastrehët, lypsarët e shumtë pa një vend ku të futnin kokën dhe pijanecët me pamje të përçudnuar që nuk mbanin mend shtëpinë dhe në përgjumje mërmërisnin:
- Padishah çok jasha!
Nuk kishte njeri mbi faqe të dheut të mos ëndërronte ardhjen në Stamboll, shtëpinë e Padishahut Sulltan dhe Kalif, mëkëmbës i Allahut mbi tokë. Aty gjallonin pranëvendosur kundërshi të skajshme, e vjetra me të renë dhe absurdi me të vërtetën. Pranë sarajeve shekullore të mëdha e të vjetra buisnin shtëpi europiane me ndërtimet e përthyera sipas stilit barok të Rilindjes. Afër haneve të shëmtuar me dritare e dyer ngrënë nga koha kishin mbirë hotelet e hijshme me ballkone të gjera e dritare zbukuruar nga perde damasku. Pranë e pranë udhëtonin qerret tërhequr nga buaj të zinj me brirët e mëdhenj të spërdredhur dhe llandonët e kohës ku qenë mbrehur kuaj këmbëshpejtë stolisur me zbukurime shumëngjyrëshe.
Në këtë cep të pazakontë të dheut takohej mesjeta e vjetër me kohët moderne.
Të zinte syri kudo dyqane të vegjël çikërrimash, artizanë që shtynin me këmbë rrotat e poçerisë, kovaçë që prodhonin enë kuzhine, ndërsa pak më tutje në skelën e Harkut të Artë hidhnin spirancat vaporët e rinj me avull. Llandonët e hijshëm kalonin rrugës kryesore përpara trekëmbëshit, ku çdo ditë qëndronin varur kufomat e të dënuarve me vdekje mbuluar nga këmishat e gjata prej pëlhure lini.
Qendër e myslimanizmit botëror dhe kulturës së lashtë islame, Stambolli qe zefillja e krishtërimit ortodoks të globit. Në krah të Xhamisë Blu, ndërtesë e rrallë me bukuri mahnitëse, vepër e mendjes së një arkitekti gjenial, ngrihej madhështore Patriarkana e Stambollit që drejtonte grigjën e ortodoksëve mbi faqe të dheut.
Ngritur në një vend mahnitës me bukuri të pashoqe, udhëkryqin e dy kontinenteve më të populluara, kryeqendër e perandorisë më të madhe e më jetëgjatë të botës, Stambolli ishte qyteti më i çuditshëm që kishte ndërtuar ndonjëherë dora e njeriut në shekujt e shkuar. Mendje të ndritura nga e gjithë bota kishin derdhur energji e djersë pa kursim për t’i dhënë emrin tundues e marramendës që zotëronte. Arti i lindjes, letërsia, ndërtimet, teknologjia lulëzonin me tërë forcën ndjesore dhe përshfaqje mbresëlënëse. Harbie, shkolla e luftës, ishte me emër jo vetëm përqark perandorisë turke, po gjer tutje në perëndimin e zhvilluar.
Dukej sikur Stambolli qëndronte jashtë fushatave të luftës së pashallarëve turq anekënd perandorisë së pamatë, po era e betajave përsillej pa pushuar në qiellin e tij. Gjeneralët më të famshëm të Sulltanit ishin me origjinë të përzier nga Europa, Azia e Arabia. Në tërë hapësirat turke të pamata e përtej saj emër dhe famë rrezëllitëse bëje vetëm në Stamboll.
Një ditë të kthjellët maji të motit 1886, në portin “ Harku i Artë ” i njohur prej udhëtarëve të Stambollit, u ankorua anija luksoze egjiptiane “ Faraon ”, nisur para dy javësh nga Aleksandria. Në kuvertë një grup zotërinjsh nga përtej oqeanit vinin të vizitonin qytetin e madh apo të lidhnin marrveshje tregtare. Stambolli përngjiste me një lubi të madhe gojëhapur natë e ditë.
Midis tyre binte në sy një burrë i gjatë e i pashëm, që tërhiqte më së shumti vështrimet e kureshtarve. Me ballë të lartë, sy kafe zhbirues, mustaqe të shkurtëra dhe flokë krehur sipas modës së fundit, kostum kamoshi të zi dhe papion ngjyrë vishnje, mysafiri i huaj plot hijeshi ngjallte nderim veçan të tjerëve. Dukej sheshit se ishte ben ollaxhëm ( njeri me rëndësi ). Këmisha e bardhë borë dhe jeleku kadife, që bënin kontrast me qostekun e rëndë prej ari safi, i jepnin të kuptonte cilitdo se zotëria ishte pasanik i madh. Fliste turqisht dhe rumanisht sipas rastit, po me hyzmeqarin kuvendonte në një gjuhë tjetër të pakuptuar për të tjerët me të cilët e kishte bashkuar udhëtimi i gjatë në vapor.
Jetonte prej shumë vitesh në Egjipt. Dy fabrika pambuku në Aleksandri e Kajro, prodhonin ditë e natë coha gjithfarësh që transportoheshin në disa vende të botës dhe jepnin fitime të mëdha. Në Bukuresht pati ngritur një sipërmarrje tjetër të leverdisshme, e njohur në qarqet e bizneseve të disa kryeqyteteve. Partnerët e tij ishin sëra e lartë e tregtarëve të njohur në Europë e përtej saj. Këto e të tjera i dinin fare pak njerëz në Stambollin e zhurmshëm, po askush nuk e dinte misionin e tij, e fshehtë përvëluese futur thellë shpirtit fisnik.
Zbriti shkallët e vaporit, ndjekur nga hyzmeqari me dy valixhe të rënda në duar. Një tufë hamej e lypsarë e ndoqën pas efendiun e pasur që shpërndante me bujari aspra argjendi. Turma rreth tij shtohej rrëmujshëm, pengonte lëvizjen e njerëzve e karrocave, prandaj policia vendase zuri t’i shpërndante, ndërkohë që i kërkonin ndjesë dhe përshëndesnin me përulje pasanikun e largët.
Ngriti dorën dhe ndaloi një llandon të bukur me karroceri jeshile, tërhequr nga dy kuaj të bardhë. Zotëria i foli në turqishte të kulluar:
- Në hotel “ Sheriat ”!
- Si urdhëron efendi, - u përgjigj karrocieri dhe u përkul tri herë në drejtim të burrit hijerëndë, sipas sjelljes turke. Pastaj iu afrua shërbëtorit t’i merrte valiçet.
- Gjergji jepja, - i tha me zë të ngrohtë hyzmeqarit dhe shokut të udhës, që nuk i lëshonte nga frika se mos i grabisnin.
Gjergji, djalë i ri rrotull të tridhjetave, nga ata që u thonë “ i thatë po i thantë ”, muskuloz me një palë duar të mëdha prej muratori tërë kallo, kishte ardhur para tre vjetësh në Bukuresht. Zotëria me qostek floriri e kishte punësuar, si shumë të tjerë në sipërmarrjen e tij të zgjeruar. E donte se ishte i gjendur e i vinte ndoresh për çdo lloj pune, besnik dhe i çiltër. Mbi të gjitha murator dhe skalitës i gurit, mjeshtëri trashëguar brez pas brezi në vendin e tij. Efendiu e kishte marrë pas në këtë sipërmarrje të re krejt të veçantë për këto cilësi të çmuara.
Hoteli, ndërtuar sipas stilit europian nga arkitektë francezë me emër, ndodhej në krah të godinës qeveritare të Vezirit të madh, qendra e shtetit turk sundues i një përzjerjeje të pafund vendesh që shtriheshin në Azi, Europë dhe Afrikë. Hoteli i hijshëm bënte kontrast me godinat e vjetra përreth dhe hanet ku rehatoheshin më së shumti të huajt.
Sapo u shfaq në ars ammandi, një tufë punonjësish erdhën t’i urojnë mirëseardhjen dhe t’i bëjnë mysafirit të nderuar shërbimet e hotelit elegant. E lutën të ulej në divanin veshur me lëkurë krokodili të mblidhte veten nga udha e gjatë nëpër detin e trazuar.
Pas një copë here u duk pronari i hotelit, një turk i shkurtër me mustaqe të hijshme. Veshja e tij ishte një përzierje e modës turke me atë europiane. Jelek dhe xhaketë me papion që në mes e lart, zotëria e tij mbante shallvare tipike turke, zbukuruar me xhufka të kuqe dhe dukej një biçimsëz që s’kuptohej lehtë në ishte i mençur shumë apo një birbo që trashëgonte kushedi nga kush pasuri të madhe me të cilën kishte ndërtuar apo blerë atë hotel të bukur si dritë. Ajo që dihej me siguri ishte vendqendrimi shumë i zgjedhur ku drejtoheshin për të pushuar ajka e pasanikëve më të mëdhenj të botës që u binte puna të vinin në Stamboll. Prej disa vitesh aty bujtnin mbretër, kryeministra dhe të tjerë burra shteti pas ose para takimeve me personalitetet më të larta të perandorisë.
- Bujrum efendi, jemi të lumtur që zgjodhët hotelin “ Sheriat ”, më i miri i tërë Stambollit.
- Faleminderit! - u përgjigj ftohtë i huaji. - Dua dy dhoma, njëra nga ana e detit në katin e tretë, ndërsa tjetrën për hyzmeqarin tim.
- Po jap urdhër t’i bëjnë gati, - foli turku i shkathët, - ju bëj rixha të pini nga një sapllak sherbet ose po të doni uiski apo birrë.
- Nga një kupë sherbet, - ia ktheu tjetri me shprehje të papërcaktuar.
Pronari nuk e mori vesh në i kishte pëlqyer apo jo hoteli këtij efendiu hijerëndë. Nuk i tha asnjë fjalë të mirë siç bënin pothuaj gjithë të tjerët që e kishin sajdisur.
Pas largimit të pronarit, u afrua kryesekretari me defter në dorë.
- Efendi ma bëj kabull një sëkëlldi të vogël, emrin tuaj e të hyzmeqarit.
Zotëria nxori nga xhepi i xhaketës allafrënga pasaportën. Tjetri e mori në duar dhe lexoi me zë:
- Nikolla Naço, kombësi shqiptare, shtetësi egjiptiane, banues në Bukuresht, Rumani.
Shërbyesi i lartë i hotelit nuk po kuptonte asgjë. S’kishte parë ndonjëherë pasaportë të tillë, ndaj mbeti në mëdyshje.
- Më fal efendi, si ta shkruaj në kartë adresën tënde.
- Shkruaj se jam shqiptar, arnaut, - buzëqeshi me qesëndi Nikolla.
Sekretari bëri si i tha, u largua mbrapsht me përkulje dhe njoftoi të tjerët për këtë zotëri fort të çuditshëm e të pakuptuar. Në turmën e madhe të shërbyesve zunë fill hamendje që nuk kishin të mbaruar në trajta të çuditshme, përthyer sipas mendësisë të gjithsecilit.
- Princ arrnaut, mik i Vezirit me pasuri të madhe në Egjipt e Rumani. Shikoni si e ka të shkruar pasaporta e tij.
- Porositi dhomën më të mirë, atë përballë sarajeve të Vezirit, - e mbështeti idenë e folësit një kamarier.
- Shumë i pasur duket, - u shpreh mbikqyrsi i rojeve, - vetëm qosteku i bën një grusht me para.
- Karrocieri më tha se shpërndante pa kursim aspra ndër lypsarët gjersa hyri policia e i largoi, - foli një tjetër.
Thashethemet i ndërpreu pronari, Fatih beu.
- Mjaft humbët kohë, po shikoni punët tuaja. Zotëria kushdoqoftë është ben ollaxhëm.
Vetë Fatih beu e drejtoi mysafirin e lartë te dhomat e hotelit, që sa hap e mbyll sytë ishin ndrequr e rregulluar posaçërisht.
Cili ishte ky zotëri i pasur, që vuri në lëvizje hotelin “ Sheriat ” dhe përmes tij në ditët më pas, përngriti tërë ajkën e Stambollit? Dihet se në gjithë botën hamendjet e hoteleve të mëdha zbulojnë më së pari të fshehtat me të cilën merren pastaj ata që janë të interesuar.
Shërbimi historik me përmasa të mëdha, në kufijtë e së pamundurës, ishte iradeja e Sulltanit, dekreti perandorak për hapjen e shkollës në gjuhën amtare, me çdo mjet, me çdo çmim, në të kundërt vendi i tij rrezikonte të zhbëhej. Sytë e tërë bashkëatdhetarëve të mësuar, brenda e jashtë vendit, në të gjithë mërgatën ishin drejtuar te ky burrë i jashtëzakonshëm, që i vetëm “ mori detin në këmbë ”.
Si u çlodh dhe rehatua një copë herë të mirë, zotëria zbriti shkallët e hoteli ngadalë, veshur me kostum mbrëmje ngjyrë bezhë. U drejtua nga restoranti ndjekur prej hyzmeqarit. Porositi gjellët më të shtrenjta të listës që nxitoi t’i vinte përpara kryekamarieri. Klientët e rrallë, të gjithë pasanikë të nderuar, vështruan për një çast mysafirin e panjohur të hijshëm me sjellje europiane.
Hëngri sipas mënyrës së perëndimit duke përdorur me kujdes e radhë takëmet e shumta,
modë e vështirë për t’u ndjekur në Stamboll, ku vendasit hanin me dorë edhe pilafin. Shumicën e pjatave vetëm sa i provoi pa marrë asnjë lugë, teksa Gjergji hante me oreks të madh levrekët dhe havjarin e shijshëm që nuk i kishte provuar kurrë më parë.
Nxori nga kutia e sermit, që xixëlloi në dritën e qirinjve një puro Havane të shtrenjtë dhe tymosi për një farë kohe me vështrim të menduar, përhumbur nëpër hapësirën e hotelit luksoz.
Hodhi në tabakanë që i zgjati kamarieri një monedhë floriri me vlerë dy herë më shumë nga darka dhe u nis qetësisht për të dalë. Kamarieri nxitoi të kthente kusurin po ai bëri shenjë me dorë ta mbante, duke lënë me gojë hapur turkun që lëvizte buzët si peshku pa ujë. Bakshishi i zotërisë e kalonte pagën javore, siç nuk i kishte ndodhur kurrë më parë. Çudia e tij nuk kishte të sosur ndaj mbeti në mëdyshje me tabaka në dorë.
Me të njejtën mënyrë shpërbleu punonjësit e tjerë të hotelit sipas sërës e radhës së hyzmetit. Shërbyesit të dhomës i fali njëzet mexhite argjendi kurse Fatih beut një napolon flori për nderet e veçanta që i rezervoi. Me të njëjtën sjellje fisniku të kamur plot sqimë dhe madhështi, të nesërmen dhe ditët e mëpastajme, zotëria i panjohur habiti jo vetëm nëpunësit e hotelit po edhe klientët e tij, të gjithë me emër pari e Stambollit. Shumë syresh u munduan të lidhnin miqësi me mysafirin e çuditshëm, po ai qëndronte ftohtë ndonëse i sajdiste me fjalë të zgjedhura dhe sjellje të holla.
Shumë shpejt arnauti hijerëndë u bë i njohur në rrethet më të larta të Stambollit. Nuk ishte parë ndonjëherë zotëri i kamur të shpërndante para pa hesap e pa kursim për cilindo që i shërbente pavarsisht nga përmasat e shërbimit.
Hamendjet nuk shternin dhe si qenie të gjalla depërtonin në shtëpitë e para të qytetit të madh nga klientët e sërës së lartë, pastaj në trajtë hallkash zinxhiri stërgjatë mbërthyen vëmendjen e një numri pafund njerëzish. Si gjithnjë në të tilla raste, çudia merrte pamje legjende, të dyshimtë e të pabesueshme, aq më tepër në një qytet si Stambolli që ishte vetë çudi e pakuptuar.
Thuhej se kishte mundur të nxirte me mjete të holla, të panjohura deri atëhere, thesarin e madh të Bermundës, një det ari dhe xhevahire groposur për qindra vjet nga anijet që binin në grackën e trekëndëshit ujor të oqeanit më të madh të botës. Pasurinë e kishte grumbulluar në një vend të fshehtë të Arnautistanit me roje besnike. Në Stamboll kishte ardhur të prishte një pjesëz të vogël të pasurisë së pafundme. Ca të tjerë, nga rrethet e dijetarve të Stambollit, thoshin se ishte alkimisti i parë në botë që kishte arritur të kthente metalet në ar e gurë të shtrenjtë. Ndërveprimin kimik e dinte vetëm ai, e mbante të fshehtë po kishte lënë me shkrim që pas vdekjes të nxirej nga besnikët zbulimi shkencor më i madh i të gjitha kohëve.
Vëmendja e njerëzve të qytetit në të gjitha hallkat sipas radhës e sërës u mbërthye si me magji përdrejt këtij njeriu të veçantë që nuk ishte as mbret, as kryeministër as princ e as kont po përmbi të gjithë këta së toku. Gazetat në fillim me kujdes e frikë shkruanin lajmin në kollonat e fundit, ata paragrafët e vegjël për bëmat e shumta të përditshme të Stambollit, po dalngadalë filloi të zinte vende më të dukshme derisa hyri në faqet e para fill pas lajmeve qeveritare. Titujt sa vinte e më shumë i bënin jehonë këtij vizitori të pa parë e dëgjuar ndonjëherë kohët e shkuara. Askush nuk besonte të ishte arrnaut siç u paraqit në hotel “ Sheriat ”. Këtë e quanin dredhi të mençur për të mos rënë në sy e bezdisje nga të tjerët.
Vezirit të madh ia dha lajmin ndihmësi i tij për shërbimet e fshehta të shtetit, Damad beu. Rreth të gjashtëdhjetave, Damadi i rrafinuar e dinak kishte zënë postin e lartë me mundime të mëdha pas një lufte të gjatë brrylash, falë aftësive personale dhe dredhive thurur me kujdes. Në luftën për pushtet kishte vënë poshtë lakmitarë në zë, ca me të mirë, po të tjerët përmes mënyrash të holla. Parardhësi i tij përfundoi në litar për tradhti të lartë, me dëshmitarë e dokumenta të pakundërshtueshme, përgatitur mjeshtërisht nga Damad beu. Të gjithë ia kishin frikën këtij nëpunësi të lartë, me sy zhbirues dhe autoritet të madh. Fatih beu, agjent i përzgjedhur ndër të parët prej këshilltarit, e vuri në dijeni të nesërmen e arritjes së mysafirit të pasur po shumë të mbyllur e të fshehtë.
- Dokumentat i ka të sakta, po s’më duket të jetë ashtu siç shtiret me tërë atë pasuri që e prish si pa gjë të keqe vend e pa vend, - i raportoi përgjegjësit të tij.
- Ndiq me kujdes çdo lëvizje, veri pas një hafije dhe më njofto dy herë në ditë, në vakt të iqindisë dhe në mëngjes përpara faljes së sabahut, - urdhëroi Damad beu.
Kështu që ditën e tretë, Nikolla u vu nën vëzhgim të rreptë në çdo hap që hidhte e kudo shkonte. Me bisht të syrit dalloi spiunin që e ndiqte nga larg. U gëzua për këtë lloj përndjekje me rëndësi që e priste, po nuk mendoi se do të fillonte kaq shpejt. Sa herë binte rasti nxirte portofolin, mbushur me florinj dhe i falte ndjekësit nga një monedhë për shërbime fare të parëndësishme, kur ai çelte derën ose i hapte udhë të kalonte përpara tij. Ishte fare i sigurt se të gjitha këto do të vinin atje ku duhej.
Habitur nga raportimet e Fatih beut, këshilltari vendosi së fundi të njihej me këtë zotëri që nuk bënte asgjë të dyshimtë përveç harxhimit të parave. Rrahur me vaj e uthull në punë të këtij lloji, vendosi të vinte në restorant ta shihte nga afër dhe të hynte në bisedë. Ku dihet se nuk ishte spiun i paguar nga zëvendësi i tij, Turgut efendiu që e përndiente me hundë se kërkonte t’i zinte vendin? Përse ka zënë dhomën karshi zyrës sime? Damad beu nuk u vinte veshin gazetave, që pothuaj nuk i lexonte.
- Kalemxhinjtë atë punë kanë, - thoshte, - me këtë zanat nxjerrin bukën e gojës.
Kaluan pesë ditë nga ardhja e Nikollës, kur në restorant u vu re lëvizje e pazakontë e shërbyesve që rregullonin tavolinat, drejtonin mbulesat e rrudhosura dhe qëndronin tërë merak nëpër vendet e punës si rrallë herë ditët e qëndrimit të tij në hotel “ Sheriat ”.
Pas pak hyri një burrë i shkurtër tullac me krahë shumë të gjatë për trupin e tij xhuxh, ndaj shpërpjestimi binte fort në sy. Prapa e ndiqnin një tufë burrash, mes të cilëve pronari i hotelit, i shqetësuar e përngritur nga vizita e nëpunësit të lartë të shtetit. Shumica e klientëve u ngritën në këmbë derisa burri i shkurtër zuri vend në tavolinën përgatitur enkas në krye të restorantit. Si u rehatua, Damad beu mjeshtër i zanatit të tij të gjatë, hodhi shikimin nëpër sallë dhe pikasi menjëherë të panjohurin që e solli aty.
Nikolla ndiqte ritin e vet të përnatshëm. Thithte qetësisht puron dhe nuk ktheu kokën të shihte këshilltarin e lartë siç bënë shumë të tjerë. Pamja krenare, shija në veshje e sjellje dhe qëndrimi hijerëndë i bënë menjëherë përshtypje të veçantë beut. Autoritar e indiferent nuk përfillte të tjerët që i bënin lajka dhe përpiqeshin të tërhiqnin vëmendjen e tij.
Dy burrat e mençur e dinakë ndjenin praninë e njëri - tjetrit ashtu si luani nuhat afrimin e kundërshtarit që ka hyrë në sinorin e tij edhe kur është disa qindra metra larg. Rrinin tërë sy e veshë në përgjim dhe pritje. Nikolla e dinte shumë mirë se burri i shkurtër e vëzhgonte plot kujdes, përpiqej të kuptonte nga larg peshën, karakterin apo çdo lëvizje që do të tradhëtonte qëndrimin e tij prej zotërie të pasur europian. Turku kishte përparësi se e shikonte drejtpërdrejt pa larguar vështrimin asnjë çast, kurse ai duhet ta ndiqte vetëm me sytë e mendjes pa kthyer kokën, pa bërë lëvizje të tepërta, që mund të zhvlerësonin qëndrimin prej zotërie hijerëndë.
Zuri fill një luftë e pazakontë me armë të holla të padukshme për të tjerët, mprehtësi, nerva, mençuri, arsyetime pa zë, që së toku mbanin nën përngritje të skajshme dy burrat. Secili përpiqej të lexonte mendimet e përshfaqur tërthorazi të tjetrit, përshtypjen që kishte lënë dhe mundësinë për t’u marrë vesh mes tyre. Ndonse në rrethana dhe gjendje të pabarabartë, druheshin dhe kishin frikë mos gabonin në përplasjen e afërme që e nuhasnin njëlloj.
Damad beu s’e kishte të vështirë ta thërriste ku të donte e si të donte siç e kërkonte detyra dhe posti i lartë qeveritar, po i zgjuar e me përvojë shikonte përtej këtij caku. Sikur të ishte agjent rus? Fërkimet e dy shteteve ishin përkeqësuar dhe pritej luftë e përmasave të mëdha. Duhej ta zbërthente me mjeshtëri pa u nxituar, që do të thoshte ngritje tjetër në detyrë, ndoshta ministër i jashtëm. Po edhe nëse hafie prap duhet ta peshonte mirë punën, që të mos binte në grackë. Sido që u përpoq nuk mundi t’u jepte rrugë mendimeve të ngatërruara. Vendosi të sillej me kujdes derisa të nuhaste misionin e vërtetë të këtij mysafiri të errët e sqimatar të hotelit elegant.
Nikolla përndjente se shkurtabiqi në krah të tij me pushtetin e madh që zotëronte, zgjuarsinë e dukshme dhe qëndrimin e kujdesshëm mund t’i shërbente më shumë se cilido misionit të tij në Stamboll. Sjellja përkundrejt atij njeriu, përshtypja që do t’i linte kishin rëndësi vendimtare. Tendosur tej mase me nofulla shtrënguar e dukje të qetë, priti për më shumë se një orë përballë kundërshtarit dredharak dersa e mundi dhe arriti fitoren e parë. Beu nuk duroi dot më gjatë, dërgoi Fatihun.
- Efendi, Damad beu dëshiron të takohet me ju nesër, nëse nuk kini ndonjë kundërshtim.
- I thuaj beut se jam i nderuar të piqem me një njeri të mençur si zotëria e tij kurdo që ai të dëshirojë, - u përgjigj me dashamirësi po ftohtë Nikolla.
Pronari i hotelit u kthye dhe i shtiri në vesh përgjigjen këshilltarit të Vezirit. Pas një copë here beu u ngrit për të dalë. Në ikje e sipër përshëndeti me dorë në zemër Nikollën që u ngrit në këmbë dhe e ktheu përfilljen me lëvizje të lehtë të kokës.
Tërë atë natë nuk fjeti, por u përpëlit në krevatin e rehatshëm gjer ndaj të gdhirë. Peshoi me imtësi bisedën e ardhme, çdo detaj të mundshëm përballë grackave që do t’i ngrinte kundërshtari. Fundi i takimit duhet të ishte me patjetër marrveshja me argumenta e mençuri, po sidomos me para, shumë para që të blinte turkun e pushtetshëm e të zgjuar dhe ta vinte në shërbim të çështjes së madhe. Suksesi apo dështimi tani qëndronin tek ky shkurtabiq, te aftësitë e tij për ta bindur dhe joshur së toku.
Damad beu i doli përpara ashtu si e kishte menduar gjatë prej shumë kohësh, pa e ditur se cili funksionar do të interesohej për të. Sidoqë parashikonte interesimin e shërbimit të fshehtë të shtetit ai nuk e njihte natyrën e beut, interesat dhe synimet e tij në dredhat e pushtetit. Biseda e pritshme do të zbulonte hollësira për të ndërtuar sjelljen e vështirë. E dinte se në postin e lartë të këshilltarit të shtetit për shërbimet sekrete nuk mund të qëndronte kushdo. Me shumë kujdes, fshehur pas dukjes indiferente prej ben ollaxhemi, mësoi nga kryesekretari i hotelit se Damad beu qe dhelpër e vjetër që kishte vënë përpara kandidatë të fuqishëm për të siguruar besimin e Vezirit. Kuptohej qartë se ishte një kundërshtar i egër, që do të ngrinte kurth pas kurthi për të zhbiruar Naçon dhe misionin e tij të brishtë. Përpunoi në mendje disa variante për ndeshjen e pritshme. Do të nxirte në tavolinën e lojës atë që i përshtatej më mirë natyrës së shkurtabiqit të fuqishëm.
Pas faljes së mëngjesit nga të gjithë punonjësit e kryeministrisë, sipas rregullit të pa ndryshuar në shekuj, tek dera e pallatit të Vezirit u çfaq zotëria misterioz, që kishte çuditur edhe administratën qeveritare me sjelljen prej pasaniku të hijshëm. Fatih beu i pëshpëriti në vesh rojes se i priste Damad beu, dora vetë. Ai u priu me përkulje te oda e madhe e këshilltarit, pas një kontrolli të imtë nga të tjerë roje me feste të rënda në kokë.
Nikolla hoqi kapelen dhe u paraqit sipas mënyrës së moderuar europiane:
- Jam i lumtur zotëri të takohem me ju.
- Bujrum efendi, mirëse erdhe, - u përgjigj Damad beu, - urdhëro ulu.
Pas përshëndoshjeve të para, shërbyesi i beut solli kafe dhe ëmbëlsirë.
- Ma bëj hallall sëkëlldinë efendi, po detyra ime kërkon të merrja vesh kush je dhe për ç’punë ke ardhur në Stamboll, - e nisi fjalën nëpunësi i lartë i shtetit.
- Jam shqiptar, më quajnë Nikolla Naço. Kam ardhur për një punë me rëndësi që dëshiroj tua them vetëm ju në audiencë private nëse është e mundur.
- Ah, qënke arrnaut, - qeshi beu në mëdyshje përzjerë me ironi, - mua më pëlqeni shumë ju se jeni trima dhe të besës.
- Dashamirësia juaj ma lehtëson së tepërmi punën Damad bej. Ne kemi dëgjuar për mençurinë dhe shpirtin tuaj të madh, po fjalët që më thatë e tejkalojnë së tepërmi nderimin tonë.
Beu dha urdhër të dilnin të tjerët dhe ta linin vetëm me zotin Naço të këmbenin ca fjalë kokë më kokë mes tyre.
Pas një çasti në zyrën e madhe mbetën vetëm ata të dy. Nikollës i rrihte zemra si e zogut rënë në kurth, po nuk lëvizi nga qëndrimi prej zotërie hijerëndë, që kërkonte të bënte një marrveshje me interesa të ndërsjella, asgjë më tepër. Kishte ardhur më në fund shansi i madh, o sot o kurrë. Do të ishte i zoti ta bënte për vete këtë turk të djallëzur e dinak që e zhbironte me sytë e shpëlarë dhe nuk kuptohej se çfarë bluante në atë kokë pa asnjë fije floku?
Nxori nga çanta prej meshini të zi një statujë kalorësi mbi kalë prej floriri njëzetekatër karat, që peshonte çerek oke dhe ia dhuroi beut, i cili po e shikonte i mahnitur atë bukuri me vlerë sa një pasuri e tërë. E mori në duar, e përkëdheli dhe pa thënë asnjë fjalë e vendosi në dollap nën këmbët e tij poshtë një tavoline të ulët. Pastaj iu drejtua Nikollës, me sy të zbutur po dukje njëlloj të rëndë:
- Urdhëro e folë, efendi.
Nikolla, me fjalë të zgjedhura, i shpjegoi se bashkëkombasit e tij kanë qënë e do të jenë përjetësisht besnikë të Padishahut, nuk kërkojnë pavarësi si të tjerët përqark. Vendi i tij nuk mund të qëndronte jashtë perandorisë se do ta coptonin dhe gllabëronin fqinjët që mezi prisnin rastin.
- Ne kërkojmë vetëm lejë të hapim shkollë në gjuhën tonë si gjithë të tjerët, - përfundoi Naçua ligjëratën e tij plot kujdes me qëndrim të ftohtë zotërinjsh, pa lënë asnjë shteg për prapamendim.
- Iradenë e lëshon Sulltani, - u përgjigj këshilltari, - kjo punë nuk është në dorën time.
- Në dorën tuaj është Damad bej se keni dy armë të fuqishme, mençurinë tuaj dhe paratë tona. Ne paguajmë mirë megjithë zemër.
Beu u përkëdhel në sedër për lëvdatën po më shumë i bëri përshtypje çiltërsia e përshfaqur e arrnautit dhe florinjtë që premtonte. Vështroi me kujdes për një kohë të gjatë burrin sqimatar që nuk i lëvizte qerpiku i syrit dhe s’e tradhëtonte asnjë lëvizje sado e vogël. Tani që u bind se kush ishte ndihej i plotë, pa frikën e ndonjë rreziku të mundshëm. Uli sytë dhe u mendua.
“ Demek dashkan shkollë në gjuhën e tyre, vetëm kaq thotë. Po kush e ha këtë? Kur të mësojnë e bëhen të ditur nuk do t’u vejë mendja të kërkojnë pavarsi? Jo mor efendi nuk është kaq e thjeshtë kjo punë. Po të qe kështu përse do të paguani? ”
Ama shihte një mundësi të leverdisshme për t’u pasuruar. Ishte gjashtëdhjetë vjet, gjersa të hapnin shkollë këta e të mendonin për më tej duheshin edhe gjashtëdhjetë të tjera. Ku dihet ç’bën Allahu pas kaq kohe?
Pastaj foli me zë:
- Kërkesa juaj është me zarar të madh. Kush më siguron mua se pas kësaj nuk do t’u vejë mendja për të tjera ndërmarrje të rrezikshme, siç kemi dëgjuar të përflitet lart e poshtë?
- Zoti Damad, ne jemi popull i vogël, kemi treguar me vepra besnikërinë tonë për një kohë të gjatë. Kështu do të jetë edhe më tej se nuk kemi asnjë të ardhme jashtë perandorisë. Nuk duhet t’u vini veshin thashethemeve që i përhapin armiqtë tanë.
- Kur është kështu pse doni të paguani?
- Për të lehtësuar punë që të mos zgjaten pa fund proçedurat. Ato para janë mbledhur nga një grup njerëzish të pasuruar falë hapësirave që kanë krijuar ligjet e përparuara të Padishahut. Në se nuk i merrni ju sigurisht do t’i marrë një tjetër. Kjo punë do të përmbyllet se nuk i sjell asnjë të keqe askujt, aq më tepër shtetit tuaj që është edhe yni, - hodhi fishekun e fundit me ton të ftohtë, pa ndonjë përfillje apo ngutje të posaçme.
Fjalët e Naços e çarmatosën përfundimisht turkun. Pse t’i shpëtonte nga duart një pasuri e tërë për hiçmosgjë? Çdo ta gjente shtetin për një shkollë idiote në atë cep të humbur të perandorisë? Veziri i madh e dëgjonte fjalën e tij si asnjë tjetër, i besonte logjikës së shëndoshë që e kishte nxjerrë shpesh herë faqebardhë nëpër dava të ngatërruara. Pastaj Sulltani nuk ishte në ditët më të mira. Pushteti i tij kish marrë tatëpjetën. Klanet brenda Portës, mosmarrveshjet për reforma dhe mundësinë e shmangies ose jo të luftës me Rusinë zinin kohën më të madhe të përkushtimit të tij. Nuk ishtë punë e vështirë të bindej për të firmosur një irade të tillë pa ndonjë rëndësi në rrëmujën e problemeve të mëdha me të cilat po ndeshej Turqia me fuqitë në rritje të Europës e sidomos Carin rus.
Po Damad beu me përvojë të gjatë në vorbulllën e ngatërruar të goditjeve, përplasjeve dhe dështimeve në misione të tilla, u përkiste atyre që shohin edhe qimen në tra. Ata që nuk e donin, po e përfillnin nga halli, mund ta fusnin përçapjen e tij në të tjera hulli të luftës së vazhduar për pushtet, do ta shikonin çështjen në kënde të errëta, ta zmadhonin rrezikun dhe të shpifnin për qëllimet e kësaj ndërmarrjeje të dyshimtë. Në qarqet e larta të shtetit dhe ushtrisë kishte jo pak arnautë, të cilët nuk kishin kërkuar ndonjëherë mësimin e gjuhës amtare në trojet e tyre. Përse ngrihet një pasanik i panjohur dhe vjen në Stamboll për një punë të tillë? Çfarë marrdhënie kishte ky zotëri i panjohur me ofiqarët arnautë të perandorisë?
Nikolla përpiqej të kuptonte përsiatjet e fshehta të tjetrit, po ishte e pamundur të lexonte shprehjen e pandryshuar të beut me karakter të fortë. Nuk ishte nga ata që shfaqnin ndjenjat. Maska e fytyrës nuk lejonte askënd të hynte në të fshehtat e mendjes së tij. Me të njëjtën pamje të jashtme, pa u shfaqur asnjëherë të vetme ç’mendonte dhe ç’ishte në të vërtetë, kishte çuar në litar njerëz të pafajshëm kur ia donte puna apo kishte shtruar udhën për gradime në raste të tjera. Jo, nuk qe e mundur ta kuptoje këtë njeri - maskë.
Naçua, mjeshtër i marrveshjeve, e pa se duhej sulmuar me guxim, të mos e linte turkun të merrte frymë e të tirte pa fund pengesa pas pengesash, ndaj theu heshtjen e rëndë:
- Damad bej, e shoh se u zure ngushtë. Bëj më të mirën që mendon, por në lojë janë njëzetepesë mijë napolina flori. Ju ose dikush tjetër do t’i marrë në dorë në çastin kur të dorëzohet iradeja që nuk i bën dëm kurrkujt. Fshehtësia e kësaj pune është e siguruar se do të bëhet një shkëmbim i thjeshtë vetëm mes dy burrave. Dëshiroj të jemi unë dhe ti. Përfundimi i marrveshjes mua më rrit peshën në sytë e miqve të mi, asgjë më shumë. Ndoshta këtë fat do ta ketë një tjetër në se nuk arrijmë të kuptohemi të dy.
Goditja e drejtpërdrejtë ngjante me kërcënim për tërheqje, që në mënyrën e shpalosur dukej se arrnauti nuk e kishte vështirë ta bënte. Damad beu u thye dhe Nikolla kurajoz i mençur, po edhe me atë damarin e sertë të vendit të tij arriti fitoren e dytë pas asaj të restorantit.
- Do të shoh ç’mund të bëj efendi. Tri ditë si sot do të marrësh xhevapin, po nëse del fjala nuk do ta shohësh më as vendin dhe as ata miqtë e tu.
Nikolla qeshi me trembjen e dukshme të beut më shumë se kërcënimi i tij.
- Unë jam tregtar, Damad bej dhe tregtia ka një rregull të fortë e të përjetshëm në gjithë botën: “ Ai që bën kërkesën kurrë nuk tradhëton, tjetri nuk dihet ”.
Qeshi edhe beu. U ngrit zgjati dorën dhe përgëzoi si rrallë herë:
- Qënke i zgjuar efendi dhe mua më pëlqen të merrem vesh me burra të tillë.
Nikolla u ngrit nderoi me një përkulje të lehtë pa ndërruar atë shprehjen e papërcaktuar si përherë, pastaj i tha beut gërmuqur në zyrën e tij të madhe vetëm dy fjalë:
- Faleminderit zotëri.
Doli shoqëruar nga Gjergj dhe hyzmeqarët e zyrës së këshilltarit.
Ditën e caktuar Nikolla korri fitoren e tretë përfundimtare mbi Damad beun, mori në dorë dekretin perandorak të Sulltanit, që u jepte lejë të hapnin shkollë në gjuhën e tyre. Jashtë zakonit dhe natyrës së tij e puthi tri herë me gjithë zemër iradenë e lidhur me fjongo mëndafshi ngjyrë manushaqe, e vendosi në çantën e lëkurës dhe u nis me sy të përlotur e shpirtin mbushur plot.
Në Bukuresht gjeti të mbledhur miqtë e tij, ardhur nga të gjitha anët e botës që e pritën me nderime mbretërore.
Një vit më vonë, në pranverën e motit 1887, nisi udhë e para shkollë shqipe.