Të joshesh nga ngjyrat dhe të befasohesh nga idetë. Kjo është ndjesia e kontaktit të parë me ekspozitën e një piktori të veçantë dhe një arti të veçantë, të porsa hapur në Galerinë e Arteve Figurative të qytetit të Fierit. Është Jetullah Haliti-ETI, artisti kosovar me një karierë vezulluese në sfondin e arritjeve të sotme të artit modernist europian. Duke qenë talent i një trualli të prekur nga “mëkati” i lirisë dhe mëkatarët e saj, artisti mori udhën e simbolit për të ngritur kultin e fjalës së lirë, midis anatemës dhe mëshirës së shpirtrave të vrarë nga ethet e egzistencës sociale. U lind në Gjilan në vitin 1945 dhe prej tij mori të tretur në lotët e gëlltitur të fëminisë ngjyrat e purpurta të gjakut të të parëve të vet, për të ngjyrosur tablotë e tij të ardhshme. Në Zvicër, ku emigroi mbas një moshe madhore, pa se e ndiqte nga pas, një flutur e bukur fati, spërkitur krahëve me pikëza të zjarrta malli. Ai arriti shumë shpejt të radhitej me stilin e tij pikturik në një nga figurat më të shquara europiane të këtij arti. Ka fituar 6 Medalje të Arta në Sallonet Ndërkombëtare të hapura nga Akademia e Europiane e Arteve në Belgjikë, 5 Medalje të Argjenda në Belgjikë e Paris, diplomën “Kalorës Nderi” i Akademisë Evropiane të Arteve dhe Medaljen e Arit Internacional në sallonin e 37 të AEA-së po në Belgjikë. Në vitin 1997 laureohet me titullin e lartë artistik “Akademik Evropian” dhe së fundi është propozuar nga mediat publike dhe nga kritikë të ndryshëm të artit europian për “Çmimin Nobel për Paqen” duke përbërë kështu rastin e parë në botë që ky çmim t’i propozohet një piktori.
Deri tani për të janë shkruar 500 artikuj të ndryshëm studimor dhe ende vazhdojnë të shkruhen e të organizohen takime dhe sesione shkencore, kushtuar artit dhe figurës së tij mbreslënëse. Duket sikur ajo flutura e dikurshme e fatit është kthyer tashmë në një shqiponjë të fuqishme që çan lartësitë e qiejve të suksesit të tij artistik.
Ekspozita, e posa hapur në qytetin e Fierit, është pjesë e një vargu ekspozitash që autori ka planifikuar të hapi në bashkëpunim me Akademinë Europiane të Arteve dhe Komitetin Kombëtar Shqiptar, në disa nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë. Kudo nëpërmjet tyre, publiku ynë njihet me stilin e tij të quajtur “Profondizëm”, i afirmuar dhe i analizuar shkencërisht nga kritikët. Me këtë stil, ai bëhet “themelues dhe përfaqësues i stilit të ri i cili shënon fillimin e artit figurative në post modernizëm”
Nëpërmjet këtij stili, ai realizon një komunikim tepër interesant me vizitorët. Esenca e këtij komunikimi jepet nëpërmjet gërshetimit unik të vertikales së thellësisë së figurës dhe horizontales funksionale të saj, të cilat përbëjnë një gravitet ideor suspetiv të përhershëm.
Kontakti i parë me këto punime është befasia e çastit, një lloj mahnitje e mugët që shpërthen si erupsion emotiv prej thellësisë tënde, e të pushton të tërin, pak nga pak, brënda një vëmendjeje të heshtur e shpërthyese. Kudo endet një dritë e “gjallë” që flet me gjuhën e sendeve dhe objekteve dhe “une”-ve figurativë. Shumica e elementëve përbërës të tyre është eshtrore. Eshtra të zhveshura që zbulojnë nga thellësia e palcës së vetë “filozofinë” e qenies. Herë herë gjuha e saj bëhet haluçinante, herë herë kthehet në një cicërimë zogjsh të parabotshëm e herë herë, kur përshkruan ngjarje të lemerishme, belbëzon si në jerm. Mbi “tekstet” e ngjyrave të tilla pikturike dhe grafikave, “legjitimohet” një liri e virgjër, dhuruar prej Zotit që mbruhet me gjakun e shpirtit dhe lexohen vetëm nga “pëllumbat e paqes” së tij. Gati të gjitha punimet kanë një shpalosje nga brenda jashtë tyre. Ka një ngjajshmëri me operacionet anatomike të Leonardo Da Vinçit. “Anatomia e vezës”, duket sikur është veza kozmike fshehur nga dragojtë flakëhedhës të legjendave. Aty, brenda saj, pasqyrohet “harta” e origjinës, embrioni i botës, nëpërmjet kontrastit kolorativ dhe formave të çuditshme të përvijimit që u jep ky penel piktori elitar. Me kozmosin atë e lidh edhe “Trekëndëshi i Bermudës”, apo simbole të tjerë kozmogonike. Gjarpri me dhëmbë të nxjerra jashtë në mënyrë ironike, varur në “supin” e djathtë të njërës nga tablotë e paraqitura në këtë ekspozitë, duket sikur kafshon me hakërrim, harrimin e tij të lashtë, që nga origjina kultike ngritur në botën ilire, si simbol i pjellorisë së tokës. Gjarpëri i pikturuar nga Eti, është aq i veçantë sa vishet me “plogështi” antigjarpër. Të jep përshtypjen se ushqimi i tij kryesor është ajri dhe besimi i njeriut, besim i cili e lidh atë me traditat e hershme të hyjnizimit pagan. Sipas këtij besimi, ç’do shtëpi, nga themeli në çati të saj, “ruhet” nga një gjarpër. Gjarpëri i shtëpisë as trëmbet as vritet. Ai është shenjti i saj, pjesë e fatit të përditshëm dhe burim mirësie për të ardhmen. Ndaj dhe vështrimi simbolik i kësaj krijese artistike në tabllonë e paraqitur jepet i ngulitur në thellësi të origjinës së vet, që në paganizëm.
Ndërsa “gjurmët” e njeriut, të cilave piktori ju ka kushtuar disa punime në grafikë, pikojnë lodhjen e udhëve të pafundme të botës. Brenda kompozimit të tyre përzihen edhe gjurmët e këmbëve, edhe ato të duarëve. Herë të veçuara dhe herë të bashkuara, ato formojnë kësisoj, një konfigurim të pasur me kuptime dhe nëntekste kuptimore të shumëfishta. Të bije në sy sidomos e zeza e tyre “tingëlluese” si e zeza e mermerit, plotë rrema e “ujra” që e bën udhëtimin aq enigmatik sa e shndërron atë nga udhëtim të një njeriu të vetëm, në udhëtim të një kombi të tërë. Me të zezën e tyre ngjyroset padyshim, tragjedia kosovare. “Gjurmët” janë si gjethet e lisit ku orakujt mund të lexojnë fatin e udhëtarëve dhe udhëve të tyre të pafundme. Këto gjethe ngjasojnë aq shumë me fletët e biblës ku më shumë se gjithëshka tjetër shfaqen udhëtimet biblike të këtij populli në historinë e tij të dhimbshme.
Një hukamë shpirtërore lirike dhe toleruese “derdhet” sidomos tek tablloja “kryqi”. Kjo është një pikturë që flet me gjuhën e thjeshtë të mbivendosjes. Mjafton një duhmë fryme, vesuar mbi simbolin e religjonit ortodoks dhe gjithshka bëhet konvencion. Besimi është aq i thjeshtë sa lidhet me frymën e shenjtë të Zotit. Dhe vetë fryma është një bekim. Bekim është edhe tabloja e autorit. Bekim publik i “zotit” të artit të vet.
Veçanërisht përpara “Zanafillës” joshja artistike kthehet në meditim. Piktura përbën një minierë të pafund interpretimesh, mështetur mbi ngjyrat, simbolet, figurat dhe projeksionet e tyre të shumfishta, konvertuar në imazh dhe ide. Duket sikur piktori “ka shkuar” deri në bërthamën e tokës për të marr pigmentin e të kuqes së saj të zjarrtë e të ngjyrosi figurat e saj. Aty ku nuk mund të depërtojnë as tingujt e pajisjeve më të sofistikuara shkencore, pikërisht aty “depërton” peneli i tij, për të dhënë bërthamën ekzistenciale të jetës në zanafillën e saj. Figurat, profilet dhe digresionet e shumta, janë një harmoni gjeneze, një kult fillimi mbi fillesën. Aty ka lot. Të gjitha lindjet kanë lot. Ka gjak. Sikundër të gjitha lindjet. Kjo është dialektika që penelohet në pikturë. Por “gjaku” i “Zanafillës” duket sikur rrjedh përmes formës së saj sferike. Është forma e një globi, ku e kuqja e përngjason me një lëmsh rrufeje, nga ato që shqiponjat, në simbolet e hershme të religjonit, e mbajnë nën kthetra për të realizuar ndëshkimin e Zotave si hakmarrje mëkatarësh. Një zanafillë që e lëviz qendrën nga thellësia e tokës në lartësi të qiejve, midis dy ekstremeve, thellësisë pragmatiste dhe lartësisë hyjnore. Vet sfera ruan brenda saj figurat e deformuara nga klithmat e dhimbjes. Janë njerëzit të cilët na shfaqen të zhytur si në një akuarium mbushur me lëngun e dhimbjes zanafillore dhe të transformuar nga pesha e tij shtypëse.
Figurat te ky autor janë polisemike dhe i japin stilit të tij një tipar dallues specifik. Ato kanë dinamikën e tyre të përhershme. Si një det në lëvizje të padukshme. Teksa një moment je duke vëzhguar njërën figurë të koreluar me figurat e tjera dhe shijon pamjen e tyre kompozicionale, ndërkohë, sapo të ndryshosh këtë fokus, të shfaqet një tjetër pamje, më ndryshe se e para. Ato projektohen të vëzhguara nga njëri kënd në tjetrin dhe shumohen mbi këtë vëzhgim, duke formuar shumëfishimin e figurës si “Anamorfoza” e Dalisë apo “imazhet e tij të shumfishta”.
Gjithëçka tek ky piktor është mit. Mit dhe mitizim. Të bëhet sikur kompozimi i “Zanafillës” është gjendur i gatshëm në zemrën e gurit të shkrirë. Një tekst magmatik shkruar nga e nesërmja për të lexuar të sotmen. Një lloi shkrimi apokrif që e ruajnë enigmën si tek pllakat e Moisiut. Është thellësia e “Profondizmit”që të jep kaq shumë mundësi shprehish dhe kuptime të ndërsjellta brenda kompleksit të tij kompozicional.
Piktura e Etit është alkimia e misterit. Krijimi i tij e rrit aq shumë dukjen e saj, sa vet ajo ushqehet me ngjyrën dhe figurat e krijimit. Pra kjo llojë pikture jo vetëm se krijon mister por edhe ushqehet prej tij. Ky mister, më tepër se gjithëçka, ka brenda vehtes poezinë e shpirtit të të ikurve. Një kumt i mbledhur si zaire stinësh shfaqet mbi një harmoni të përsosur ngjyrash si mbi një ankth të padurimtë . Një shtresim i tillë kuptimor zbulohet nga rrethimi i gurtë i “Zanafillës”. Është një fragment muri i ndërtuar mbi akuariumin e mbushur me dhimbje të ndrydhura që të kujton legjendën e murimit. Ky është një element simbolik që i jep krah fantazisë. Loja me misterin bëhet tepër e zhdërvjellët. Nëpërmjet saj krijohet kontakti i parë me elementin e formimit kulturor, referimit simbolik dhe përgjegjësive genore të artistit. Të gjitha figurat e kësaj pikture janë të ngujuara brenda së njëjtës legjendë. Peneli etian ka kryer “mëkatin” e autopsisë së saj. Rozafa tashmë është shumfishuar nën trysninë e shekujve në formën e projeksionit gjeometrik brenda, në thellësi të imagjinatës sonë. Ajo është kthyer në një përfaqësuese të nënave dhe nuseve të reja kosovare, të ngujuara në fatin e tyre të trishtë.
Pastaj artisti ngjit shkallët e simbolikës duke dal nga misteri në qartësi dhe dritë. Gjithë kompozimit të “Zanafillës” ai i jep kuptimin e kombit të vet, duke e bërë atë më të prekshëm e më konkret. Pikërisht këtu vihet në shfrytëzim elementi etnografik, një nga simbolet më të moçëm e më përfaqësues të popullit të tij, plisi i burrave. Plisi luan rolin e kupës qiellore mbi tokë, rolin e kurorës hyjnore mbi dhera, vendin e origjinës së energjive krijuese, fekonduese dhe ndëshkuese. Është udha e shirave që mbarsin dherat me jetë. Jo më kot autori ka vendosur një element mashkullor mbi kompozimin e mistershëm të “Zanafillës”. Në vend të plisit nuk mund të ishte një përkrehëse apo përparje grash, po aq tradicionale dhe përfaqësuese në fushën e kostumografisë popullore sa edhe plisi. Ky element jo vetëm që përqas krijimin me dhimbjen e popullit kosovar, me lashtësinë e tij, autoktoninë e pakontestueshme të origjinës, por edhe e lidh atë me zanafillën. Bëhet shkak krijimi dhe gjeneze. Dhe plisi këtu është më tepër se një metaforë. Nëpërmjet saj piktori ka realizuar atë dëshirën e ethshme të Pikasos që përmendëte shpesh Sartri, i cili, “ëndërronte të bënte një kuti shkrepseje, që të ishte edhe një lakuriq nate, pa pushuar së qeni edhe kuti shkrepse”. Pra këtu bëhet gërshetimi i vertikales së thellësisë së figurës dhe horizontales funksionale të saj duke e mbushur atë me një frymëmarrje kuptimore të bollshme e të tejskajshme.
Me të gjitha këto elementë, kjo pikturë vështrohet si një përrallë. “Përralla është gramatika e fantazisë” thoshte Xhani Rodari. Dhe aq e bukur ndërkohë. “Ah, të isha një përrallë!” thotë poeti ynë i madh Fatos Arapi. Kjo “përrallë”, sipas “gramatikës” së njërit dhe dëshirës poetike të tjetrit, shfaqet para nesh aq e vërtetë sa mund ta përcaktosh në kufijtë e kompozimit të një hymni. Hymn që buron nga thellësia e qenies. Qenie “tokë”, “ekzistencë”, “send” dhe “vetë”. “Vetë” dhe “unë”. Pikërisht prej këtu, piktura etiane “buron” një curril të hollë filozofik që gurgullon aq ëmbël nën “gurët” e ngjyrave të tabllosë, sa kthehet në një tis të hollë mjegulle të praruar, të tilla si ato që endeshin mbi Olimpin e perëndive antike. Është fryma e qenies, që buron nga thellësia e saj, përkitazi me thelbin teorik të Heidegger-it, për tu nisur nga “brenda” qenies e për të shkuar më tutje pa hezitim. Filozofia e qenies në pikturën etiane, përbën një shtresëzim të dukshëm kuptimor i cili gjeneron vazhdimisht argjendin e saj mjegullor duke e kthyer atë në një përrallë të vërtetë në artin e sotëm modernist botëror.