Ka shumë arsye pse shqiptarët e përkujtojnë me krenari 90 vjetorin e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924. Së pari, Revolucioni Demokratik i Shqipërisë (1924) u zhvillua kundër qeverisjes së korruptuar e të kriminalizuar të feudalëve shqiptarë, me pjesëmarrjen e luftëtarëve nga të gjitha krahinat e vendit, nga shtresa të ndryshme të popullsisë dhe nga të katër besimet kryesore fetare në Shqipëri. Së dyti, udhëheqësit e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 e mbështetën aksionin e tyre kryengritës në parimet bazë të Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, të shpallura nga Revolucioni Demokratik Amerikan (1776) dhe Revolucioni Demokratik Francez (1789). Së treti, pavarësisht nga dështimi, idetë e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 u bënë burim frymëzimi për brezat e rinj të shqiptarëve në rrugën e fitoreve të sistemeve qeverisëse demokratike në Shqipëri, Kosovë e shtetet e tjera ballkanike ku jetojnë shqiptarët.
Kongresi
Kombëtar i Lushnjes (21-31 janar 1920) hodhi themelet e shtetit kombëtar të
Shqipërisë së mbetur nga copëtimi i trojeve shqiptare prej Konferencës se
Ambasadorëve te Fuqive te Medha te Europes, në Londër 1913. Shumë politikanë,
të shkolluar në universitetet e Europës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara
të Amerikës, u angazhuan ta shkëpusnin Shqipërinë nga e kaluara e saj pesë
shekullore osmane dhe ta fusnin në rrugën e modernizimit ekonomik, kulturor e
shoqëror, sipas parimeve themelore të ndërtimit të shtetit demokratik.
Udhëheqësi kryesor i këtij grupimi idealistesh demokratë ishte Peshkop Fan S.
Noli, ish-student i shkëlqyer i Universitetit të Harvardit, i zgjedhur deputet
në Kuvendin Kombëtar të Shqipërisë qysh nga viti 1921, si përfaqësues i
Federatës “Vatra” të emigrantëve shqiptarë në SHBA. Pas kater vjet lufte
parlamentare midis deputeteve konservatore dhe demokrate, Shqiperia u ndodh ne
prag te Revolucionit Demokratik te Qershorit 1924.
I.
Shkëndia e Revolucionit
Vlorë, 20 prill 1924. Stafi i gazetës “Politika” u
nisi kolegëve të shtypit demokratik shqiptar telegramin kobëzi: "Sot në
Tiranë u plagos tradhëtisht Avni Rustemi, përfaqësuesi i Kosovës në Kuvend.
Populli i këtushëm është shumë i alarmuar." Nacionalistët e njohur
demokratë Halim Xhelo, Riza Cerova e njëmbëdhjetë anëtarë të tjerë të shoqërisë
“Bashkimi” i çuan fjalë udhëheqësit të tyre se goditja e tij ishte pika e
nisjes së një periudhe, e cila do të ngrinte lart gjallërinë e nacionalizmit;
plumbi feudal kishte goditur "idealin shqiptar". Po ashtu shoqata
“Djalëria e Kosovës” i dërgoi Ministrisë së Drejtësisë telegramin e njohur: “Plagosja
e Heroit të Kombit, Avni Rustemi, ka ba përshtypjen ma të madhe në popull e
sidomos në djelmninë e Kosovës…” 1)
Dy ditë më
pas, më 22 prill 1924, gazeta “Shkumbini” shkroi: “Avni Rustemi, hero i kombit shqiptar, zemra e nacionalizmës së vendit
tonë, prijësi i idealistëve të Arbërisë fatkeqe, shtylla e demokracisë, lulja e
djelmënisë shqiptare, përkrahës i nxehtë i bujkut të mjeruar të këtij vendi aq
të begatshëm e pjellor, mis i prefekturës së Kosovës, bie dëshmor prej
dorës tradhtare.” 2)
Lajmi i vrasjes së deputetit dhe udhëheqësit të
Rinisë Demokratike Shqiptare “Bashkimi” u përhap si një vetëtimë në qiellin
gjithaq të rënduar politik të Shqipërisë. Kuvendet tradicionale të mbajtura në
të gjitha krahinat e vendit shprehën dhimbje dhe revoltë gati për shpërthim.
Kuvendi i djelmnisë, popullit dhe autoriteteve civile e ushtarake, i mbledhur
në Krumë të Hasit më 23 prill 1924, e njoftoi popullin e Vlorës se “dëshpërimi i shkaktuem prej atentatit që
qëlloi shembëlltyrën e idealizmës shqiptare, heroin kombëtar Avni Rustemi, gjithnji
po vjen tue e egërsue popullin”
3)
Emigrantët
shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, studentët e Parisit, Vjenës,
Napolit, San Demetrio Korones, atdhetarë të vjetër e të rinj nga e gjithë bota
shprehën ngushëllimet e tyre më të sinqerta me anën e telegrameve, të cilat u
botuan në shtypin e kohës. Situata revolucionare që do të çonte në kryengritjen
e qershorit 1924 ishte shkaktuar nga dhuna dhe vjedhjet e votave nga
qeveritarët bejlerë në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese të dhjetorit 1923.
Gjatë fushatës së zgjedhjeve ishin vrarë Sheh Adem Gjinishi, Haxhi Jusuf
Kazazi; të dy veprimtarë të shquar të grupit opozitar demokratik. Se ku do ta
çonte Shqipërinë seriali i këtyre vrasjeve politike e kishin paralajmëruar të
rinjtë demokratë vlonjatë, në telegramin e tyre të ngushëllimit dërguar
familjes së të ndjerit Jusuf Kazazi, kur kishin shkruar:
“Rënia dëshmor prej dorës feudale e veteranit
atdhetar Haxhi Jusuf Kazazit, tingëlloi në zemrat e atdhetarëve dhe të popullit
të Vlorës si një rrufe. Gjaku i tij dhe i Adem Gjinishit do të shkaktojnë e do
të sjellin 1789-ën e Francës në Shqipëri.” 4)
Në prill të vitit 1924, situata politike dhe
ushtarake në Shqipëri kishte dalë jashtë kontrollit të qeverisë së feudalit të
madh Shefqet Bej Vërlaci. Sipas opinionit të shefit të Legatës italiane në
Durrës, Markezit Durazzo dërguar ato ditë Ministrisë së Punëve të Jashtme të
Italisë, ceremonia e varrimit të Avni Rustemit po përgatitej të ishte “një
lloj mbledhjeje e të gjitha forcave demokratike nacionaliste të vendit që janë
në opozitë me fuqinë arrogante të bejlerëve dhe veçanërisht me Ahmet Bej
Zogollin, i cili konsiderohet si urdhëruesi i deliktit”. Konsulli italian në Vlorë Salvatore Meloni,
dëshmitar i ceremonisë së varrimit të Avni Rustemit, më 3 maj 1924, informoi
Legatën italiane në Durrës se “gjatë disa fjalimeve turma qante, gjë që
tregon sa simpati gëzonte Avniu në Vlorë. Oratorët më të vendosur e akuzuan
publikisht Ahmet Bej Zogollin si bashkëpunëtor në vrasje.” 5)
Fjalimi i
njohur i udhëheqësit të opozitës demokratike, Fan Noli, në funeralin e varrimit
të Avni Rustemit, mbetet një analizë shkencore për momentin historik në të
cilin ndodhej shoqëria shqiptare e kohës:
“Vlora mori
vesh kuptimin e tmerruar të vrasjes së Avniut në Tiranë edhe me klithmat e saj
zgjoi tërë Shqipërinë nga letargjia, në të cilën ishte mbytur. Kjo vrasje
s’është veç një incident i periudhës kritike, ku ndodhemi. Karakteristikat e
kësaj periudhe janë dy:
1) Që antikombëtarët janë në fuqi dhe populli të
mos presë gjë nga kjo qeveri dhe nga kjo Asamble.
2) Që antikombëtarët nuk kënaqen vetëm me këtë, por
u vënë pusi atdhetarëve dhe i vrasin prapa kurrizit, siç vranë Avninë…
Nuk duhet të flemë të qetë gjersa të gjënden e të
dënohen fajtorët e kësaj vrasjeje. Duhet të ndjekim vrasësit nga shpella në
shpellë, nga përroi në përrua, nga bregu në breg, gjersa t’i kapim dhe atëherë
t’i bërtasim këtij dëshmori: “Avni i zumë, flij i qetë, se tani Shqipëria nuk
është më në terrorin e bashibozukëve antikombëtarë, se tani Shqipëria është në
udhë të mirë, në udhën e lirisë.”
(Vijon në Revistë)
* Azis Gjergji ka lindur ne fshatin
Gusmar të Kurveleshit të Sipërm (1948). Bir i një familjeje oficeri të Kufirit,
edukimin Parashkollor dhe Fillor i mori në Shkodër, ndërsa Shtatëvjeçaren e
mbaroi në Korçë. Studimet e Mesme, Universitare e Pasuniversitare i kreu në Tiranë, në
fushën e Historisë Botërore dhe të Shqipërisë. Ka dhënë kontribut si skenarist
dhe realizues i dokumentarëve historikë në Televizionin Shtetëror të
Shqipërisë, në rubrikat: “Historia e Luftës së Parë Botërore”(25 seri, 1972);
“Midis dy luftërave” (25 seri, 1973) dhe "Ngjarje dhe Data"
(1974-1990, 80 seri). Për realizimin e dokumentarit televiziv "Isa
Boletini" është lauruar me Cmimin e Republikës, Shk. II (1979). Ka qenë
anëtar i Redaksisë së "Fjalorit Enciklopedik Shqiptar 2", botuar ne 3
vëllime nga Qendra e Enciklopedisë pranë Akademisë së Shkencave (2008-09) Është
autor i librit studimor historik "Myslim Peza-dëshmitar dhe protagonist
(1912-1939)”, botuar në Tiranë (2008) dhe ribotuar në Prishtinë me titullin
"Myslim Peza dhe Mbreti Zog" (2009). Aktualisht jeton në qytetin Paducah,
KY, USA, ku vazhdon të merret me studimin e ngjarjeve dhe personaliteteve
historicë të Shqipërisë (periudha 1912-1939).