EDUART SULOLLARI: Fëshfërin era e lamtumirës (Şopteşte vântul lui Rămas-bun)

Netët pa ty


Trokon kali i dhimbjes së muzgut
Ndërsa gëzimi im i praget prehrit të kësaj nate
Me zemrën prej guri.

Shoh të thyhet vazoja e ëndrrave
Plasaritur nga malli i portave kyçur me pritje.

Ujëvarës së kujtimeve fluturojnë nositët
Me sytë mbushur gjithë trishtim.

Dhe mbrëmjet i zuri gjumi me krahët mbështetur
Shkëmbinjve hënorë.

15 qershor 2006


Vetmi mbrëmjeje


Në pyllin e ditës fëshfërin era e lamtumirës
Drurët i kanë krahët të lodhur
Nga peisazhet me mall të mekur
Dhe ekspozojnë këngën e qyqes tërë gjëmë.

Iku dashuria
Nëpër muzg pikon pranvera.

Në rrugën e fshatit
Fle ikja jote në një shtrat ujor.

Më pas ndjej natën të më shkasë nëpër gishta
E të thyet si qelq.

29 maj 2006


Pikëllim yjesh


Fshehur shikimin pranvera ka...

Kodrave me pemë ajri
Digjen kujtimet në zjarre shirash.

Ç’trishtim kur dita thyhet
Me engjëj të vdekur nëpër muzgje.

Nata ngre dolli vetëtimash qiejve gri.

Në dritën tënde të përhumbur
Më pikëllon shikimi i yjeve
Derdhur mbi netët e gjata të pritjes.

Strugë, 07 korrik 2006


Kur bie dëbora e ndarjes


Pranvera u largua me qerret e aromave
Shpërndarë parcelave të muzgut
Re e bardhë endet kopshteve të pritjes
Atje ku drurëve rrinë zgjuar luginave shirat e mallit.

Kuajt e hënës zbresin luginave
Dhe përtypin tërfilin e çelur të mbrëmjes.

Ti s’je më.
Vera shkel përroit të fjalëve ngelur peng.

Ndanë mureve të vjeshtës
Ecin mushkat ngarkuar me dëborën e re të ndarjes.

17 korrik 2006


Muzg ekstravagant


Ekstravagant ky muzg...

Në pyllin e virgjër në breg të liqenit
Statujat e ajrit kryqëzojnë duart
Mbi ikjen tënde.

O mbrëmje me telat e këputur nga malli
Ditët e verës ikën me hënën e pritjes.

Koha ka ngelur te sytë e lamtumirës...

31 korrik 2006


E larguar


Vera ka ftohtë, gushti dridhet nëpër gjethe
Qielli i grisur, arnuar me re gri
Supave të ditës varen shirat e beftë.

Dielli kafshon mëngjeset
Me mungesën tënde në shpinë.

Trasta e ëndrrave të mia,
Varur në kërrabën e harrimit
Mbushet me jehonën e largimit tënd.

08 gusht 2006


Ditët mbas ikjes tënde


Në përroin e verës gushti llokoçitet...

Hëna dremit në pellgjet e ujërave dritëmekur
Dhe vë kurora prej ajri statujave të ikjes.

Plaku i madh i qiellit me shkop u bie reve.

Ndërsa fati im krahëthyer ulet mbi çatitë e botës
Vezatuar egër nga shirat e fjalëve.

12 gusht 2006

No comments: