ILIR SHYTA: Ne, nga jashtë, lexohemi brenda...

(Qasje në romanin “I huaji” të Alber Kamy)


Filozofia e romanit

Zhan Pol Sartri ka thënë për romanin “I huaji”se zoti Kamy na e bën komentin e plotë të veprës së tij në librin “Miti i Sizifit”. Kjo është në të vërtetë shprehje e raportit të njeriut filozof me artistin e fjalës, marrëdhëniet mes të cilëve janë së tepërmi të ngushta. Çdo artist në marrëdhëniet kumtuese me lexuesin është nga pak filozof, por Kamy përpiqet të jetë filozof që e kumton të vërtetën dhe mesazhin përveçse me gjuhën e kategorive të qenies e të mosqenies edhe me anë të modeleve jetësore, gjë që është në natyrën e krijuesit. Në këtë pikë shëmbëlltyra e tij janë profesorët e filozofisë Zhan Pol Sartër, Frederik Niçe e po të shtyheshim në histori do të gjenim shembujt e profetëve, që oratorë e filozofë njëherazi me predikimet e tyre kanë ndryshuar rrjedhën e fatit të shumë kombeve. Në këtë pikë Kamy nuk duket të jetë tamam i tillë. Ai është pikëllues tek “I huaji”, i ashpër tek “Rënia” dhe në filozofi ka bërë të vetat pikëpamjet e Sartrit.Ajo çka ai shpreh në esetë e “Arsyetimit absurd” janë përsiatje mbi një botkuptim të veçantë (në një këndvështrim të vetin) , që ai ka mbi shoqërinë e fatin njerëzor dhe që e përcakton në modelet e koncepteve si filozofët e lartpërmendur. Megjithatë Kamy është pikëllues dhe mjaft origjinal në të vërtetat që thotë.

“I huaji” që në titull duket sikur merr përsipër të trajtojë raportin e individit me shoqërinë në disfavor të të parit dhe është nga ana tjetër një roman i madh për njeriun absurd. Romani pati sukses të bujshëm më 1957, kohë që e çoi drejt çmimit “Nobel” pasi më parë kishte “dështuar pothuajse krejt dhe ishte kritikuar si çoroditës”. Arsyeja e suksesit do parë në marrëdhënien e filozofisë së autorit me mendësinë e përgjithshme të anës tjetër të veprës letrare, pra të lexuesit. Me sa duket njeriu i perëndimit i preokupuar në të kuptuarit e ekzistencës së vet absurde gjeti tek Mersoi vetveten. Arsyeja e vetëdijes së ekzistencës absurde në këtë fundshekull do kërkuar mbase në vetë absurdin e qenies që në periudha paqeje (shih Sartrin) shfaq pamjen e tij të vërtetë. Kjo nuk është risi për historinë e shoqërisë njerëzore pasi ekzistenca njerëzore ka qenë absurde në të gjitha stadet pavarësisht se në disa prej tyre njerëzit nuk kanë patur kohë të merreshin me të. Në këtë moment gjendja krahasohet me spleenin perëndimor të shekullit të XIX, kohë kur u shkruajt “Eugjen Onegini” një ndër personazhet absurdë të epokës. Megjithatë mes “njeriut absurd të spleen-it dhe njeriut absurd të ekzistencializimit” ka ndryshime. Të parët merren me kotësinë e jetës pasi kanë “shteruar fushën e së mundshmes” siç thotë Pindari, pra thënë vulgarisht s’kanë ç’ta bëjë pasurinë e trashëguar.

Të dytët ndryshojnë nga të parët se arrijnë në vetëdijen e absurdit të ekzistencës pasi u duhet të përpiqen fort çdo ditë, që t’i shpëtojnë ankthit të konkurrencës pa të cilin s’mund të kuptohet shoqëria e sotme. Ndërkohë shoqëria njerëzore nuk ishte e vetëdijshme për absurdin e ekzistencës së saj në të gjitha stadet, ndaj dhe në këto raste ajo nuk i pranon këto teza. Kjo shpjegon edhe dështimin e romanit në fillim dhe suksesin e bujshëm më pas. Më 1942 preokupimi kryesor i njerëzimit qe lufta e përbotëshme dhe shoqëria nuk kishte kohë për meditime. Martin Iden për t’i dhënë fund jetës së tij u hodh në ujë, por aty për disa çaste e mbërtheu instinkti i shpëtimit, i cili ish aq i fortë sa e bëri të harrojë arsyet që e detyruan të vepronte në atë mënyrë. E njëjta gjë ndodh edhe me shoqërinë njerëzore e cila në pragje katastrofash ka si preokupim kryesor shpëtimin. Në këtë rast zëri i njeriut të mençur, meditimi i të cilit ka rrokur absurdin e gjithçkaje është i papranueshëm ndërsa mendjet e mëdha profetike përsërisin vazhdimisht atë që mendojnë se kanë zbuluar.

Në vitet ’50 njeriu i perëndimit “po shteronte fushën e së mundshmes” standarti i jetës qe ngritur mjaft dhe preokupimi i secilit ishte t’ia kalonte shokut ndërsa mungonte preokupimi i përgjithshëm. Dihet që shoqëria në tërësi ka nevojë të ketë preokupimin e saj, e kur ky mungon ajo i drejtohet mendjes, e mendja të çon tek absurdi.

Njeriu i perëndimit po bëhej i vetëdijshëm për absurdin e vetes. Në këtë kohë bërtasin Sartër e Kamy dhe shoqëria gjen tek ata profetët e absurdit.


Personazhi absurd

Personazhi kryesor te “I huaji” është Merso, një njeri absurd. Ai është personazh kryesor në kuptimin se fati i tij na ndjek nga fillimi romanit e deri ditën e gjyqit, por nëse kemi parasysh filozofinë e autorit dhe gjithë strukturën e veprës në tërësi, atëherë bëhet e qartë se personazhi kryesor i romanit mund të ish quajtur fare mirë edhe Emanuel, Raimond, Marie..., por mund të ishin edhe gjykatësi, hetuesi, avokati...

Merso nuk është gjë tjetër veçse një fragment absurd i një realiteti po aq absurd. Kjo s’do të thotë që të gjithë personazhet e veprës janë të njëjtë apo të ngjashëm, përkundrazi të gjithë personazhet e romanit mund të ndahen në dy grupe, ku në të parin kemi vetë Mersoin e në të dytin gjithë të tjerët që janë po aq absurdë sa ai, por që ndryshojnë nga përveçësia se sa janë të vetëdijshëm ata për këtë gjë... Personazhet e grupit të dytë përbëjnë botën absurde ndaj të cilit Mersoi është i huaj. Për ndërtimin e personazhit të tij Kamy nuk duhet të jetë mbështetur edhe aq në metodat klasike të tipizimit. Ai nuk ka marrë një figurë të caktuar dhe nëse ka patur një të tillë, ai nuk na jep për të asnjë veçori konkretizuese individuale. Merso është pothuaj i zhveshur nga karakteristika të tilla si origjina, profesioni, pasionet, hobbi... edhe nëse jepet diçka nga këto është e parëndësishme. Padyshim që për realizimin e kësaj figure Kamy nuk ka përdorur metodën e skemave të Zolait (aq e përhapur në letërsinë bashkohore).

Ndërkaq për të ardhur deri në portretin e brendshëm të Mersoit, Kamy proçedon me anë të arsyetimit filozofik sipas të cilit brenda çdo njeriu është absurdi (secili nga ne ka brenda vetes njeriun absurd).

Ndërkaq në sistemin filozofik ekzistencialist të Kamysë absurdi është qenia, gjithçka tjetër që jepet, fatet njerëzore, mendimet, historia janë jo qenie... Njerëzit absurdë nuk kanë të njëjtën fytyrë e nuk ecin mes ngjarjesh absolutisht të njëjta (të ngjashme).

Secili nga shkrimtarët ekzistencialistë merr mbi vete misionin e parashtrimit të një fytyre të caktuar të njeriut absurd. Kështu vetë Kamy jep në çdo vepër nga një fytyrë të re njerëzore. Tek “Rënia” avokati parisian Klamans (personazh absurd ky) është në të njëjtën kohë njeriu absurd dhe filozofi i absurdit. Ai është njeriu absurd në jetën e tij private, në mënyrën ku e gjen kënaqësinë e tij, në hobbin e tij, në bisedën e tij, në shoqërinë e tij...

Ai është i ndryshëm nga Merso përsa i përket vetëdijes filozofike të absurdit, të vetë ekzistencës.Vetrrëfimi i tij, paraqitja e shkallëzuar e shembujve dhe ngjarjeve që marrin përsipër të përgjithësojnë thelbin e ekzistencës, të universit dhe sidomos fabula që përmblidhet me qëndrimin në bar, vajtjen në shtëpi, kalimin nga gjallëria në gjumë, nga jeta në hiç, pra të gjitha këto e bëjnë Klamansin një konvencion, domethënia e të cilit është në besimin e Kamysë se bota e absurdit shkon drejt “rënies”. Në fakt këto përgjithësime s’gjenden tek Mersoi, i cili s’është gjë tjetër veçse një pamje e realitetit absurd. Merso ndryshon nga personazhet e tjerë të Kafkës e Sartrit por nisur nga këta të dy siç edhe e thamë më lart më së shumti afron me këtë të fundit (krahasuar me Gregor Zamzën apo babain e pamëshirshëm te “Metamorfoza”) Merso mbart një kuptim tjetër. Kjo për idenë se ajo që i intereson Kafkës në përgjithësi është raporti i individit me shtetin mes të cilëve është absurdi i një kontradite të papajtueshme. Me fjalë të tjera nëse Kafkës i intereson tragjizmi i fatit absurd, Kamysë i intereson absurdi i fatit të rëndomtë. Sartri nga ana tjetër është më afër Kamysë. Të dyve u intereson ajo që është më e rëndësishme, më e qenësishme te çdo njeri, absurdi. Megjithatë ata janë të ndryshëm në atë që Sartrit i intereson.Tek ata jepet absurditeti i lirisë e në raste të tjera absurditeti i rrjedhës së fatit përshembëll tek “Muri” i Sartrit, ndërsa Kamysë i intereson absurdi i ekzistencës njerëzore në përgjithësi. Lizi tek “Lavirja e denjë për respekt” e Pol Hilber tek “Herostrati” në sajë të gjykimit vendosin të bëjnë diçka të bindur për drejtësinë e veprimit dhe në momentin e fundit ekzistojnë të ngatërruar në mendime e arsyetime të pafund që lexuesi i merr me mend. Brenda tyre pra është absurdi, ai i cili mpin dhe u shton vendosmërinë.

Në përplasje me personazhet e Sartrit, Merso është më i papërcaktuar e më përgjithësues. Kështu nëse personazhet e Sartrit janë momente blic të fateve njerëzore, ato të Kamysë janë faqe të tëra të shoqërisë absurde. Do dalluar në këtë mes raporti i autorit me personazhet. Ndonëse mendohet të jenë sa më të paanshëm, as Sartri e Kamy nuk e fshehin dot veten e tyre. Si njëri dhe tjetri në trajtimin që u bëjnë figurave janë mjaft humanë, por nëse te “I huaji” Kamy e shfrytëzon Mersoin për t’u rebeluar ndaj absurdit, me Sartrin ndodh ndryshe. Kamy duket më objektiv ndaj heronjve në vepër. Ata flasin vetë për gjithçka e megjithatë në faqet e fundit të romanit “I huaji” që mbaron me monologun e Mersoit duket se autori e ka braktisur protagonistin, pa u interesuar tashmë për fatin e tij dhe e ka marrë vetë fjalën për të shprehur revoltën e brendshme me anë të humanizmit.

Qëndrimi i Sartrit në dukje objektiv është tjetër gjë. Ndryshe nga Kamy ai nuk është indiferent për personazhin, përkundrazi ai dëshpërohet ose ndjen simpati a neveri. Eshtë e qartë se Pol Helber edhe pse ka logjikën e vet është për të njeri i neveritshëm, ndërsa për Lizin shkruan “lavire” e denjë për respekt.

Kamy sikur lëkundet e bie në dëshpërim tek “Rënia” por tek “Liria absurde” ai pohon me forcë: “Duhet të jetojmë”. Ai jo vetëm i përjeton përpjekjet, por edhe i miraton përpjekjet e pasosura të njeriut te “Miti i Sizifit”, si përpjekje që i japin kuptim jetës njerëzore. Shprehje e këtij qëndrimi human është toni i revoltës që duket në faqet e fundit tek “I huaji”. Personazhet e Kamysë në dallim nga Sartri që i shpreh ato në rrethana të caktuara të jetës nuk kanë nevojë për të tilla situata. Merso është si gjithë përsonazhet e tjerë. Nuk ka parahistori dhe kjo është një veçori e tij. Ajo çka nuk tregon autori për jetën e tij para vdekjes së të ëmës është e njëjtë me atë pas saj, absurde. Dhe nuk mund të ishte ndryshe.

Tek “Liria absurde” Kamy thotë: “para se të takojë absurdin njeriu i përditshëm jeton me qëllime me një shqetësim për të ardhmen”. Ai vlerëson mundësitë e veta, llogarit pleqërinë, pensionin e tij. Ai ende beson se diçka në jetën e tij mund të drejtohet për mirë. Në të vërtetë ai vepron sikur të ishte i lirë e sikur të gjitha faktet ta shtynin për të kundërshtuar këtë liri.

Pas absurdit gjithçka tronditet.Nëse jeta e Mersoit do të kishte njohur dikur një kalim nga joabsurdi tek absurdi rrjedha e ngjarjeve do të qe ndryshe, ndoshta do të kishim një vetvrasje. Por Mersoi e jeton jetën gjer në fund. “Të jetosh, do të thotë të jetojë absurdi”. Ta bësh të jetojë atë do të thotë para së gjithash, ta vërtetosh. Merso jetoi deri diku me vetëdijen e absurdit duke e vështruar atë, e për rrjedhojë duke qenë indiferent ndaj tij. Pikërisht ky indiferentizëm ndaj botës absurde përbën thelbin e figurës së Mersoit.


Bota absurde në roman

Figura e Mersoit gjithpoaq bëhet e qartë në raport me realitetin ku gjendet. Kjo botë me të cilën ka të bëjë ky Merso absurd është kaq absurde sa dhe ai. Këtu duhet kërkuar shkaku përse Merso ish aq i huaj në këtë botë. Ndërkaq mendoj se këtë të vërtetë e përforcon edhe ideja e pamundësisë së shoqërisë për t’i kuptuar këta individë, “mallkim” që mandej i çon ata drejt fundit të tyre. Ky njeri absurd është pjesë organike e këtij universi absurd e megjithatë këto dy botë absurde në kundërvënie të papajtueshme e përjashtojnë njëra tjetrën.

Për çdo njeri, tjetri është i huaj. Pra jo vetëm Merso, por edhe bota që e rrethon atë është absurde. Absurdë janë morali, normat ajo çka ne presim nga sjellja e tjetrit... Gjithçka. Kur i vdes e ëma, të cilën e ka dashur shumë padyshim është i lodhur dhe i kapitur, nuk ka forca të dëshpërohet, gjë për të cilën do ta akuzojnë më vonë si njeri me shpirt të keq. Njerëzit që e bëjnë këtë janë gjyqtarë për të cilët kjo është një nga çështjet e shumta. Në mënyrë po aq absurde ata e lidhin mosdëshpërimin për vdekjen e nënës me vrasjen e një arabi. Shpërfillja e Mersoit ndaj realitetit shpesh të bën të qeshësh.

Kur Maria i kërkon martesë ai përgjigjet se kjo s’ka kurrfarë rëndësie. Eshtë shoku i tij Rajmondi që e akuzon atë si njeri pa ambicje kur ai nuk e kupton se përse duhet të ketë ambicje. Merso, të njëjtën ndjenjë absurdi ka edhe para gjyqtarëve, avokatit dhe priftit që janë në roman po aq absurdë, por ata nuk e dinë se janë të tillë dhe ky është ndryshimi mes tij e atyre.

Merso jeton me vetëdijen e absurdit gjë që i jep lumturinë. Të tjerët nuk e kanë këtë vetëdije megjithëse janë po aq absurdë. Pikërisht këtu fillon edhe konflikti si pasojë e të cilit Merso bëhet i huaj për botën. Megjithëse nuk e dinë, këta njerëz janë absurdë. Absurde është jetesa e nënës në azil, absurde janë marrëdhëniet e Rajmond Sintes me gratë, grindja me arabët, ambicjet për biznes..., absurdë janë avokati, hetuesi, gjykatësi, prifti ... me veprimet, arsyetimet e tyre. Njëherazi më absurdi dhe më interesanti në këtë botë është plaku Salamano. Fati i tij është prekës. I vetmi mik i plakut është qeni i tij që mbetet gjëja më e çmuar edhe pse nxehet dhe e rreh atë çdo ditë. Ndërsa kur qeni humb plakun e vajton atë si fëmijë. Me një fjalë raporti mes kësaj bote absurde të pavetëdijëshme dhe individit absurd të vetëdijshëm përbën bazën e strukturës së romanit.


Struktura e romanit

Nuk mund të themi se Merso është tërësisht i vetëdijshëm për absurdin e ekzistencës së vet. Ai është i vetëdijshëm deri në atë masë sa ta kuptojë kotësinë e të vepruarit dhe nuk shkon më tej se kënaqësia e mosveprimit. Mirëpo bota e pavetëdijshme është aktive. Këtu lind edhe kontradikta (konflikti) dhe individi i pavetëdijshëm bëhet i huaj. Këto janë dy anë të ndryshme që përbëjnë strukturën kuptimore, pra janë dy shtresat e ingranimit mbi të cilat ngrihet një shtresë e tretë, ajo e optimizmit, e besimit që ka vetë Kamy te jeta. Gjithçka shprehet në faqen e fundit të librit kur Merso para ekzekutimit braktis me forcë ndjenjën e absurdit me një dëshirë të fuqishme për të jetuar, që në të vërtetë nuk përbën aspak një absurd tjetër në vazhdën e absurdeve të jetës së Mersoit. Ky është optimizëm. Formalisht kjo shprehet thjeshtazi pa shumë fjalë me ngjyrim emocional. Në përgjithësi Kamy është thjesht në stilin e tij gjuhësor. Ftohtësia e të folurit i shkon më së miri mesazhit që ai kumton ndërsa ndërtimi formal i romanit nuk është aq i thjeshtë. Eshtë konceptuar i tillë që na jep për bukuri një atmosferë absurde, personazhe absurdë në madhësi absurde.

Libri që në kuptimin e thjeshtëzuar merret me fatin e individit ndahet në dy pjesë. Në të parën jepen ngjarjet nga vdekja e nënës së Mersoit deri në ditën e dielltë kur ai vret arabin. Në të dytën jepen ngjarjet deri në çastin e dhënies së dënimit me vdekje. Pjesa e parë ndryshon nga e dyta. Nga sa ndodh rëndom autori nuk merr përsipër të bëjë ekspozicion. Përkundrazi shpalosja e personazhit, tragjizmi i tij vijojnë deri në fund të librit. Ndarja në pjesë është më tepër një ekuilibër formal mes dendësisë së ngjarjeve (para dhe pas vdekjes së arabit).

Nëse duhej të gjenim një pikëlidhje të subjektit në analogji me subjektin klasik kjo pikëlidhje s’do qe vrasja e arabit, por dhënia e dënimit me vdekje, gjë që sjell ndryshimin e Mersoit. Vrasja e arabit solli ndryshimin e jetës normale (pra pas gjykimit kishte një ekzekutim). Ndërsa dhënia e dënimit me vdekje (të qenit aq pranë vdekjes) solli atë që Mersoi tashmë të çlirohej nga ndjenja e absurdit.

Nëse vihet re ndarja në dy pjesë, ajo ka të bëjë me cikle të ndryshme veprimtarie që bëhen në secilën prej tyre, veprimtari të cilën e kuptojmë me anë të përsëritjeve të disa veprimeve dhe episodeve të caktuara. Përsëritja në formë rrëfimi e ngjarjeve si sharjet e plakut Salamano, bisedat me Rajmondin, bisedat me Marien, ardhjet dhe ikjet e arabëve ndihmojnë nga ana formale për krijimin e atmosferës së absurdit gjithëherë në këtë roman.