NIKOLAE LABISH: Albatrosi i vrarë

Kur midis pemësh, drejt detit u tkurr era,

Dhe në kadifenë e hijes, krejt rëra sikur ngriu,

Një valë me kujdes e nxori dhe e vuri te dera

E një varreze guackash që i ndriçonte veriu.


Në buzën e jetës llokoçitëse të atij deti,

Qëndron i palëvizur, krenar, por i pajetë,

Sikur vështron tallazet që dynden si rrëmeti,

Me fytin aq të hijshëm, që rri vetëm përpjetë.


Të ndotura, të kripura, i ka flatrat e ndera,

Stuhia që ia rrahu, si shurdhër i këndon,

Rreth tij shkëlqejnë guacka, të vrara e të prera,

Që mishin flladi i nxehtë parreshtur u gllabëron.


Nga valët e degdisura në bregun e gurzuar,

U shuan pa luftuar, dhe tash përndajnë dritë,

Bardhoshe e verbuese, që paska shqetësuar,

Sëbashku me dy flatrat në llumin që s'u shqit.


Nga lart këlthet, tek hidhet tamam si akrobat,

Shpërfillës hapësirash, mbi guacka vrik vërvitur,

Përballës i furtunës, sgalemi shemb me shtat

Rinor, të albatrosit dy sy tashmë të fikur.


Kur flladi disi zbutet, një flatër luan në erë,

Rizgjohet albatrosi, një çast, si nga një zë,

Të duket fluturimin do marrë edhe një herë,

Të gjejë një varrezë të denjë, si për të.


Shqipëroi Kopi Kyçyku

No comments: