Nuk dua të jem më aty

(poezi nga vëllimi “Medium”)


Mbrëmje

Supe shpinë

flokë të pangjyrë,

vija gjymtyrësh

fillojnë te këmba ime

Hap zvogëlim shumëfishtë

diametër rruzulli.

Ngrohtësi mishtë dora nis zgjatimin

e një tjetre.

Këmba-këmbës

më ndjek humb përhumb përvjedh braktis

fundqiell m`arratis

ku një zjarr shuhet


Dëshirë

Më rrethëzohesh

filltrekëndësh.

Dhëmbë

të pahelmët

copëzojnë mirazhin e lashtë

bërë shpirti

mijë herësh

shpërfytyruar.


Nuk dua të jem më aty

Perde dëshpërimi,

zhvendosje trupi

çapëlitje zogjsh.

Sqepë shtrëngojnë

milingona vocrrake

lëkurë fara lulesh.

Përmes grilash

dalloj zhurmë sendesh

qeniesh të pafajshme.

Si këto parëndësi

thur pëlhurën lino ngjyrë ëmbël

tejdukshmërinë e formave

linjave të ditës

tylin e shthurur të dëshirës

rrjetën e një flatre të tharë fluture

ngjyrat që mundet të ketë pasë

në prill shkrumbi në dorë

(fije bari e njomë).

Kërcell tharë

më shpie te soditje e parë.


Brezni

Funddhomë

arka prej arre

vjeshtat

rrobat përherë të reja të udhës:

mjegull të fshehtash.

Paqtë,

këshillë e dikurshme

fneks ngrohtësitë

gjumin në prehrin tuaj.

Latuar në kujtesë

rrëmim arke

ëmbëlsi fjalësh

(si nuk desha të tjera si ato!)

engjujsh të bardhë.


Brishtë

Gjeth rrugice të largët

trok i një kali

tërheq

karroargjendë

siluetë muzgu.

Lëvrij në të zakontë.

Dua muzikën e heshtjes,

harrimin e shenjtë

dashuri të vetme.

Mungon mahnitja!

Auditor ndjenje

të pambërritura.

Hajmali të vogla

në trup të zemrës.

Mëngjes vere

kristal këputur rubini

yçkël malli

ndjej mungesën prej ari.

Boshi të pafre

dal për të ngatërruar

emrat e luleve.


Femër

Argument kockor

brendi shqisash.

Sutjenë e markës së fundit

duar që deshën t`i shqyejnë ndjesitë.

Gërvitje mëndafshtë

jeta lidhë mbas afshit.


Delirium

Mugët harrimi

hesht pyetjen që është.

Zhvendosja e humb,

kllapia e thur.

Kupëpërmbysë

trishtmarrëzia

kënaqësidehur u flet

heshtjeve të drurëve

ernave të marsit

zgjimit të gjetheve:

“Pendesa të vogla

qielli qeshet në xhamat

e ndërtesave të mëdha.

Onomatope e përjetshme

çirrja e kullës së Babelit.

Errësirat janë tokat e premtuara.

Kështjellat projektuan dhimbjen e gurëve”


Unë

Mbi mendime

flokët.

Rrënjësh

lidhur të dyja.

Mbi këto nyje

çlodhem.


Këshillë

Bëhu i vogël!

Shumë i vogël.

Sa të hysh

në vrimë të gjilpërës.

Fill i gjatë të pathënash

mjafton ta qepë

jetën tënde.

Modës askush nuk i beson.

E dashur për pak.

Bëhu i vogël!

Të jesh aty

ku gjërat e mëdha më nuk vlejnë.


Të fshehtat e mia.

Përthymje drite

mbërthyer kanatesh

gjysma qelqesh

tyl i bardhë

copëza resh

natën shpon tejpërtej shkëlqim portokalltë.

Gërvishtë xhamave të një ndërtese

melankoli çastesh

murgj përjetshëm moderniteti

ungjillë cohësh të mugëta,

të fshehtat e mia

derdhun fashë drite prej pezulit

të dritares

në shpirtin e gjanave që kanë ikë.

Sot isha më pak e bukur.

Sy më kanë hedhë

dritë në fytyrë.

Rigëtimë ndjesie

end profilin e një fytyre të re,

rrumbullaksinë e gjinjve.

Vendosë keq në kohë,

çapitëse mbas kambëve të djeshme

Përplasja me veten vjen për të kujtuar

se akrepat shënjues të orës përputhen

largohen prej njëri-tjetrit çdo rrotullim

mos me u gjendë kurrë

në këtë rregull shifrash.

Mozaik të pathënash,

gurçmuar

përplasje e këtyre murgjëve

kërcëllinjë

shtrihen paqes hyjnore

kurrherë zotëruar shpirtrash

Mëngjes drithrues

këlthi

ardhje e një ylli të pambërritshëm,

në fund i shkoj dhimbjes që dua.

Flurëza imazhesh

përplasin krahë.

S`jam më

shqetësim palosur fletës së një ditari

një blloku adresash

vargu poetik i një flete zhubrosë

xhepit të pasmë xhinseve

as e djeshmja harrakate

shkujdesë çastesh

poezi e mosqenies

Psherëtima e një kafazi të artë.

Fëshfësh ndjesi

ngujuar eceikje.


ANILA XHEKALIU

No comments: