„Rumania-studentët shqiptarë në vite / formimi intelektual dhe veprimtaria” - vepër me vlera të ngritura

Një libër kujtimesh mes shumë të tjerësh. Hap njëra pas tjetrës fletët e mbuluara nga vesa e kohërave. Me emocionin që të ngjallin kujtimet e dashura, rizbuloj njerëz. Njerëz në kuptimin e lartë të fjalës. Të gjithë vijnë drejt meje me vibrimin burrëror, me fuqinë e shpirtit të ngrohtë, të dikurshëm. Por edhe të tanishëm. Mbaruan shkollën e lartë në Rumani dhe dolën në jetë. Në piskun e vapës së verës, nën rrebeshin e shirave të vjeshtës e të dëborës së dimrit, ata ndërtuan në Shqipëri kombinate, hidrocentrale, rrugë, ura; u kujdesën për shëndetin e njerëzve, përgatitën specialistë të rinj në të gjitha fushat… Fjalët e hedhura në letër më sjellin në kujtesë para së gjithash netët e bardha gjithëstinore të atyre që kanë zënë vend në librin për të cilin dua të them disa mendime. Po përsiat rreth fatit të tyre, që është vulosur nga dashuria dhe ndjenja e përgjegjësisë ndaj detyrës dhe atdheut. Fat i përcaktuar nga udha e arritjeve, e kënaqësisë dhe e së drejtës për t’u qarkuar nga respekti i të gjithëve, përderisa është ngjizur hap pas hapi nga përpjekjet, zelli e mundi. Kjo është arsyeja që mosha dhe vështirësitë e llojllojshme gjurmëlënëse nuk i bëjnë të ndjehen të lodhur. Entusiazmi i arritjeve shndërrohet në ujin tonik ripërtëritës të legjendave tona. Por edhe të baladave dhe legjendave rumune, meqë në libër bëhet fjalë për Rumaninë. Njëra syresh, për Mjeshtrin Manole, që ndërtonte kështjella e manastire, na vjen në kujtesë nga dëshira për të hequr një paralele midis këtij mjeshtri dhe studentëve shqiptarë që u përgatitën në atdheun e tij. Në njëfarë mënyre puna e lavdërueshme e mjaft prej tyre na frymëzon për balada kohësh moderne. Madje vetëdijësimi i ish-studentëve shqiptarë për faktin që janë bashkëkohës me epokën e demokracisë - për ardhjen e së cilës shumë prej tyre luftuan me guxim duke përballuar përndjekje, burgime dhe privacione të tjera - i gjallëron e i fisnikëron.

Ngjarje, fakte, njerëz… Fjala, pra, është për vëllimin prej pesëqind faqesh „Rumania-studentët shqiptarë në vite / formimi intelektual dhe veprimtaria” (ASD-Studio, Tiranë 2009), shkruar me pasion, vërtetësi, lirizëm, elegancë e seriozitet nga dy intelektualë të dalluar - Bahri Beci, bashkëpuntor i vjetër shkencor, një nga inxhinierët më të aftë të industrisë sonë të naftës, intelektual i përmasave evropiane, emri i të cilit, prej afro gjysmë shekulli ka zënë vend në listën e nderit të Institutit të Naftës, Gazeve dhe Gjeologjisë në Bukuresht, dhe arkitekti Zhani Canco, i mirënjohur jo vetëm në fushën e vet, por edhe si kineast e publicist tepër aktiv.

Këmbëngul të theksoj qysh në fillim se kemi të bëjmë me një vepër me karakter enciklopedik të mirëfilltë, e përbërë, ndër të tjera, nga një morì mikromonografish, e strukturuar në mënyrë të harmonishme, si në formë, ashtu edhe në përmbajtje, rreth tre kapitujve: Vështrim i shkurtër historik, ekonomik e social-kulturor mbi Rumaninë; Lidhjet e shqiptarëve me Rumaninë gjatë shekujve; Studentët shqiptarë në Rumani në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Qysh në parathënie, autorët bëjnë një periodizim të pranisë së qindra studentëve shqiptarë në shkollat e larta rumune, duke filluar nga shekulli XIX deri në ditët tona. Më tej jepen hollësi rreth vështirësive që lidhen me gjetjen dhe sistemimin e dokumentacionit të nevojshëm: nga përpilimi i listave të studentëve për çdo fakultet e në tërësi, deri te gjetja e “gjurmëve” të secilit, ngaqë, sikurse dihet, nuk janë të paktë ata që e kanë ndërruar vendndodhjen, brenda Shqipërisë, apo jashtë kufijve të saj. Duke i zgjidhur siç duhet këto probleme e shumë të tjera të ngjashme, autorët ia kanë dalë mbanë të çojnë deri në fund pikësynimet që i patën vënë vetes kur iu përveshën shkrimit të librit: të pasqyrojnë veprimtarinë dhe ndihmesën e specialistëve shqiptarë që kanë studjuar në Rumani mes viteve 1948-1989, në zhvillimin e arsimit, shkencës, kulturës e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe të zhvillimit të vendit tonë në përgjithësi; ta njohin shkurtimisht lexuesin me Rumaninë dhe të sjellin në vëmendje të tij disa nga momentet e lidhjeve të shqiptarëve me atë vend.

Autorët shpresojnë se libri i tyre do të ndikojë edhe në zhvillimin e forcimin e mëtejshëm të miqësisë ndërmjet popujve shqiptar e rumun. Dhe kanë plotësisht të drejtë, përderisa, krahas pasqyrimit me vërtetësi dhe ngrohtësi në faqet e librit të tyre të historisë së lashtë, kulturës së pasur dhe arritjeve të gjithanshme të Rumanisë, përmes të dhënave të shumta dokumentare theksojnë të vërtetën sipas së cilës marrëdhëniet shqiptaro-rumune qysh herët janë ndërtuar mbi themele të shëndosha e, si të tilla, do të pasurohen parreshtur me përmasa të reja, në kushtet e krijuara nga regjimet demokratike në të dy vendet tona.. Janë të panumurta dëshmitë e çiltërsisë dhe dashamirësisë shumëshekullore shqiptaro-rumune. Ja vetëm tre fakte kuptimplotë: Platformën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali e shpalosi në Bukuresht dhe po aty lindi Himni ynë Kombëtar, me muzikë të Çiprian Porumbeskut e tekst të Asdrenit. Qysh më 1902, ambasadori i Rumanisë në Stamboll u thirr në Ministrinë e Jashtme të Perandorisë dhe iu paraqit një protestë për strehimin e mbështetjen që shteti rumun u jepte “terroristëve arnautë”. Fjala ishte për rilindësit tanë. Në një osmanishte të kulluar, diplomati rumun dha këtë përgjigje: “Populli turk ka një thënie të mençur: Herkes evinde efendidir (Secili është zot në shtëpinë e vet)”. Audienca mori fund, ndërsa “terroristët arnautë” e vazhduan veprimtarinë atdhetare si më parë në trevat rumune.

Nga ana tjetër, dijetari i shquar rumun Nikolae Jorga, i cili në vitin 1915 zbuloi në Bibliotekën Laurentiana të Romës dhe e botoi menjëherë Formulën e Pagëzimit në gjuhën shqipe, të përpiluar, më saktë: të përkthyer nga latinishtja prej Pal Ëngjëllit, mik i afërt e këshilltar i Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, me siguri pat dëgjuar thënien profetike të princeshës rumune me prejardhje shqiptare Elena Gjika, alias Dora d’Istria: “Historia e Shqipërisë do të rilindet nga arkivat e Evropës”. Është pikërisht pò Jorga ai që ka theksuar: “Rumunët e shqiptarët janë kushërinj të një gjaku... ndërmjet popullit rumun dhe shteteve të krijuar nga pasardhësit e grekëve dhe të sllavëve, ekzistojnë dallime të mëdha”.

Nënkapitujt e shumtë të librit „Rumania-studentët shqiptarë në vite / formimi intelektual dhe veprimtaria” mbartin njohuri të gjera e të thella historike, gjeografike, kulturore, diplomatike etj, duke zgjeruar jo pak horizontin e lexuesve, të cilët, jam i bindur, do të jenë të panumurt e me përkatësi në të gjitha nivelet e shtresat sociale. Njohuritë janë kumtuar me sens mase, pa teprime të panevojshme, duke ruajtur përpjestimet e dhënies përparësi elementeve më të rëndësishëm. Me këtë kam parasysh sidomos theksimin e momenteve thelbësorë, me të cilët lidhen e shpjegohen bindshëm mjaft dukuri të historisë dhe të jetës politike dhe të zhvillimit ekonomik-shoqëror të Shqipërisë e të Rumanisë. Një meritë e posaçme e librit është paraqitja koherente, me gjuhë të pastër e stil të rrjedhshëm i veprimtarisë së çdo ish-studenti, që nga bangat e shkollës së lartë e në vazhdimësi. Ndjehet përpjekja e suksesshme për të nxjerrë në pah në portretin e gjithsecilit ato tipare e veçori që e individualizojnë sa më saktë. Të krijohet përshtypja se je duke kuvenduar, pas një periudhe të gjatë ndarjeje, jo thjesht me miq e shokë, por me vëllezër e motra, të cilët rasti fatlum iu dha mundësinë të studiojnë në të njëjtin vend.

Përdorimi i figurave stilistike të qëlluara dhe i frazeologjisë së pasur popullore ndikon jo pak që libri „Rumania-studentët shqiptarë në vite / formimi intelektual dhe veprimtaria” i autorëve Eqrem Beci dhe Zhani Canco të lexohet njëherazi si vepër dokumentare dhe si krijim artistik i mirëfilltë.

Nuk na duket e tepërt të nënvizojmë që Sektori i Enciklopedisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë lipset ta studiojë këtë vepër me kujdesin e duhur, plotësisht të merituar, dhe ta shohë si një mundësi pa të dytë deri më sot, për ta pasuruar Fjalorin Enciklopedik me figura të shquara të fushave të ndryshme - të paraqitura në faqet e këtij libri në pajtim me të gjitha kriteret e njohura shkencore dhe gjuhësore - duke filluar me njërin nga autorët e tij, inxhinierin dhe intelektualin e shquar, Eqrem Becin.

Në mbyllje, mendoj se libri „Rumania-studentët shqiptarë në vite / formimi intelektual dhe veprimtaria” mund të shërbejë si material i pazëvendësueshëm për diplomacinë shqiptare dhe rumune.

K. K.

No comments: