SEAN THOMAS DOUGHERTY: ... poema, për mua, vë në dyshim ideologjitë abstrakte, sepse ideologjia e vërtetë e poezisë është ajo që rrëfen për ndjenjat e

(Një bisedë e gazetares Dhurata Hamzai me poetin amerikan Sean Thomas Dougherty / O convorbire a jurnalistei Dhurata Hamzai cu poetul american Sean Thomas Dougherty)


Sean Thomas Dougherty njihet për energjinë që investon në performancat e tij. Ato janë plot gëzim, dashuri dhe muzikë. Vetë poezia e tij e pasqyron këtë. Ai banon në Erie, Pennsylvania, SHBA. Ka qenë gjatë muajit maj i ftuar në Shqiëpri dhe ka bërë shumë takime, biseda e aktivitete në kujdesjen e veçantë të Ambasadoritë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Ëithers, dhe në bashkëpunim me Arian Lekën, drejtorin e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Poeteka”. Kritika dëshmon se poezia e Sean Thomas Dougherty shkrin rigorozitetin e akademisë me ritmet e rrugës. Gjithashtu Dougherty është bërë i famshëm si autor i nëntë librave, ku ndër to shquhen “Nightshift belonging to Lorca”, finalist për çmimin Paterson Poetry, dhe “Except by Falling”. Sean Thomas Dougherty është gjithashtu fitues i çmimit “Pinyon Press Poetry 2000”. Libri i tij i fundit, “Broken Hallelujahs (BH)”, është një eksplorim i rrënjëve dhe ndikimeve të tij, duke ndërthurur format e bazuara në polka me odét e poetëve dhe muzikantëve afrikano-amerikanë e duke gjetur elementë të përbashkët në ritmet që i bashkojnë ato. Ai shprehet në intervistat e tij se “Poezia është e kundërta e një teli me gjemba”. Dougherty rrëmbushet siç rëfen për gazetën “TemA”, me zëra dhe ritme poetike nga Shqipëria. Rrëfimi i tij është tejet i ngrohtë dhe i sinqertë. Në këtë mënyrë e njohim edhe më afër poetin e famshëm amerikan duke zbuluar prezencën e talentit poetik dhe misterin krijues më në brendësi. Thjeshtësia, dashuria dhe ndjeshëria e hollë janë tipraret që vihen re që në takimin e parë me të.

Dhurata Hamzai


Dhurata Hamzai: Zoti Sean Dougherty, pse shkruani poezi?


Sean Thomas Dougherty: Roli kryesor i poezisë është që të na ndihmojë për të jetuar të përditshmen tonë. Atëhere gjithmonë kujtojmë Pablo Nerudën, i cili asnjëherë nuk harronte që poezia fluturon, del nga goja e njerëzve. Ai vetë duke ardhur nga një familje punëtore si të thuash nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një familje e thjeshtë. Gjithashtu, edhe unë kam një begraund multietnik dhe unë e ndjej si detyrim të shkruaj për njerëzit, për fqinjët e mi, ose për ata që jetojnë në lagjen time, që jetojnë nëpër ato vende periferike, ose ato fabrika që më kanë rritur, më kanë ushqyer, si shpirëtërisht ashtu edhe fizikisht. Nisa të shkruaja, sepse më tërhiqte ritmi i asaj që ndjeja dhe përjetoja me mendjen time dhe kështu e ndjeva të domosdoshme ta shprehja atë që më ndodhte. Sapo nisa të shkruaj, nisa të pëlqeja poetë që kishin shumë ritëm si Quincy Troupe, Joy Harjo dhe Patricia Smith. I kuptoja ata dhe për mua nisën të jenë të rëndësishëm. Ajo që unë ndjej del vetevetiu dhe shkruhet me vullnetin tim mbi fletën e bardhë. Nuk di të jap tjetër shpjegim pse unë shkruaj.


- Do të shkruanit përjetësisht, këtë do ta bënit edhe nëse nuk shpërbleheshit, nëse nuk do t’u mjaftonin aspak të ardhurat për të jetuar?


Sean Thomas Dougherty: Unë e kuptoj se çfarë do të thoni ju, që të bësh poezi ose art mundet të mbetesh i varfër. Por unë e mendoj jetën diçka përtej mundësive dhe vlerave materiale. Nuk është s’e e mendoj në mënyrë koshiente, por ajo mënyrë të menduari vjen, vjen ndonjëherë me zërat e të parëve të mi, me zërin e gjyshes sime të vdekur, të gjyshit tim, vjen me atë që syri, mendja e zemra ime kanë prekur përgjatë rrugës së jetës. Ato që e bëjnë materien e poezisë sime janë të ardhura nga s’di se prej nga vijnë, por mua më duhet veç t’i ndjej dhe t’i shpreh, sic është ritmi i përplasjes së krahëve të një zogu, hapat e një gruaje, zhurmat e fëmijëve, të natyrës përreth. Kjo është një mënyrë se si unë jetoj, dhe jetoj me poezinë e cila vjen pa e kërkuar, por edhe nga ana tjetër më mjafton për të jetuar. Unë jetoj duke e bërë këtë. Jetoj duke bërë poezinë. Kur bëj poezi jetoj, është kjo një mënyrë e preferuar e të jetuarit, që tek e fundit të shijon dhe s’të lë dilema për të ngarkuar më tepër mendimin ose emocionet. Kur unë shkruaj, në njëfarë mënyre e gjithë kjo përzihet në zemrën time.


- Interesante kjo përgjigje, e bukur. Le të qëndrojmë pak tek begraundi multietnik. Është e vërtetë që sa më shumë kultura të njihni dhe të trashëgoni, aq më shumë zgjohen vlerat humane. A është e bukur të kontaktosh dhe të ndikohesh nga një kulturë e vjetër, ose një qytetërim i vjetër?


Sean Thomas Dougherty: Përsa i përket çështjes së kulturës së vjetër, që mund ta kesh trashëguar ose ditur, është një gjë krejt ndryshe, është një gjë që ti e ndjen, e këndon, pra këtë kulturën e vjetër, por jo në dëm të të tjerëve. Me këtë dua të them që ti si njeri reflekton, e njeh atë, ndërkohë ajo të shërben si ushqim për mendimin tënd, ose për të menduar më tepër dhe shikon që njerëzit kanë shkruar, kanë bërë bashkëbisedime, kanë komunikuar me njëri-tjetrin në një mënyrë më të përmbledhur, por pikërisht për të krijuar një marrëdhënie paqeje midis tyre. Të jesh poet, duhet të vlerësosh kulturat e tjera. Dhe arti i vërtetë i kalon kufijtë midis kombësive apo nacionaliteteve. Sepse arti pikërisht i heq kufijtë duke krijuar një komb të asnjë kombi. Kjo sot është edhe cilësia e post-modernit që vlerëson alternativat e multikulturave duke e kthyer këtë në një aspekt më të mirë të të jetuarit.


- Postmodernizimi, ky është thelbi... ?!


Sean Thomas Dougherty: Post-modernizmi ka shumë zëra dhe jep si të thuash përshkrime alternative. Por, post-modernizëm për mua, nuk do të thotë më shumë se krijim. Me këtë dua të them të krijosh me siguri atë që të vjen prej një shtyse të fuqishme, pa menduar të ngjash me dikë, ose të përpiqesh të përshtatesh me rrethanat, ose kulturën e përgjithshme. Krijimi duhet të jetë brenda teje, pak më përpara ekzistencës tënde. Është si të thuash diçka që vjen, jo që e kërkon. Vjen dhe ti e bën. Kaq mjafton, por duhet sidomos të vijë. Nëse nuk vjen, mos shkruaj.


- A mund të themi se si post-modern, vetë ju tek tradita ju gjeni rrënjët, ose misterin e krijimtarisë?


Sean Thomas Dougherty: Nuk është se poezia që shkruaj, ose modermja ime përfshihet në atë që quhet tradicionale, por tradicionalja ka disa zëra, jehona që vinë pa më pyetur shumë mua, pa i menduar gjatë dhe këto jehona, këto zëra muzikorë që më vinë kështu, këto sidomos i bëj poezi. Nuk bëj diçka ndryshe. E bëj poezinë ashtu siç ndodh. Në fakt për mua të bërit poezi është më parë një dukuri që ndodh.


- Keni frikë, shqetësoheni sot nga ajo masë e madhe njerëzisht që janë pothuajse pa ndjenja, thelbësisht materialist dhe nënvleftësojnë emocionet, pra shtypin ato “që ndodhin”?


Sean Thomas Dougherty: Frikë nga kjo gjë... ?! Ah, në fakt unë nuk mendoj se unë kam frikë nga ata njerëz, por kam frikë se këta njerëz nuk lëndojnë vetëm veten e tyre duke vrapuar pas materiales, por lëndojnë edhe të tjerët. Ndërsa nga ana tjetër kam mësuar se duhet ta jetosh jetën, por ta jetosh jetën me të tjerët, jo vetëm. Ndërkohë që ata njerëz që jetojnë vetëm për atë që është materiale, është simbolizimi më i keq i kapitalizmit, sepse për ta njeriu, ose personi kthehet në një produkt, jo në qëllim njerëzor.


- Ju besoni tek Krijuesi. Më ka bërë përshtypje poezia juaj, Darvini erdhi i paftuar në dasëm. Aty kam zbuluar shumë nga konceptet që përbëjnë edhe diskursin tuaj poetik, ndërkohë që zbulohen edhe disa nga konceptet tuaja mbi filozofinë e jetës humane. Do të ishim kurioz që ju vetë të na i rrëfenit.


Sean Thomas Dougherty: Për mua poezitë në shumicën e rasteve janë momentet e ditës. Dhe poema për mua vë në dyshim ideologjitë abstrakte, sepse ideologjia e vërtetë e poezisë është ajo që rrëfen për ndjenjat e të gjithë njerëzve. Vetë jeta humane ka nevojë për materialen por nuk është materiale, ajo ndërtohet më së shumti mbi ndjesitë. Dhe brenda kësaj hapësire jomateriale, frymore, për të zbuluar energjinë që ajo ka, ka dhe teknika të ndryshme letrare që i lejojnë poetët të flasin, apo të shprehen rreth kësaj. Dhe asnjëra prej tyre nuk mund të thuash që është më e lartë se tjetra, sepse njerëzit janë të ndryshëm dhe të shumëllojtë dhe të komplikuar. Kështu që shkolla të ndryshme poetike si realizmi, ose simbolizmi, mund të përdoren dhe të shprehim mendimet e tyre në kohë të ndryshme. Njerëzit, që si të thuash i referohen veëm një mënyre të shkruari, humbasin aftësinë e tyre për t’u shprehur, sepse gjatë ditës ne jemi njerëz të shumfishtë: Jemi dashnorë, ose të dashuruar, jemi mësues, jemi prindër, jemi gazetarë, etj, etj. Në raste të caktuara jeta është sa surrealiste dhe magjike, apo absurde, p.sh si Darvini që vjen dhe hyn në një mbrëmje, në një diskutim mbi misterin e krijimit të njeriut, por nga ana tjetër jeta ka nevojë edhe për këtë realizëm dhe ndaj çdo ditë është e ndryshme dhe kjo është poezia, është ajo që jeton midis, si ndjesi që nuk humbet. Poezia më duket sikur përkon më shumë me të vertetën tonë.


- Dolët pikërisht në pragun e një pyetjeje që unë e kisha përgatitur me mend pak më parë për ju. Lumturia është një mister për të gjithë njerëzit, për ju si poet çfarë është lumturia?


Sean Thomas Dougherty: Lumturia për mua është e thjeshtë. Janë njerëzit që dua. Është e dashura ime LIZA, emrin e të cilës të lutem shkruaje më shkronja kapitale dhe fëmijët e mi që janë Gabrieli dhe vajza Amara Rumi. Kam një vajzë shtatëmuajshe që e kam sjellë me vete. Ndjej një lumturi shumë të madhe kur mbaj në krahë vajzën time dhe djali qesh dhe ne jemi të gjithë bashkë. Në këto momente të bukura asgjë tjetër s’ka rëndësi për mua pastaj. Unë jam njeri shumë i thjeshtë, ndoshta është kjo që të çon tek më shumë çaste të lumtura në jetë. Unë besoj tek vlerat që fshihen pas thjeshtësisë dhe brishtëissë njerëzore. Kujtoj gjyshin tim, i cili ishte një poet dhe shkrimtar i heshtur. Ai nuk bërtiste e lëvdohej kur e bënte këtë, ai lëvdonte bukurinë që zbulonte tek jeta, tek natyra, tek njerëzit. Kurrë nuk lëvdohej vetë edhe pse shkruante poezi dhe lexonte shkrimtarët modernë. Gjyshi im, si unë e ka dashur poezinë, të shkruarit. Ai më ka mbështetur shumë kur fillova të shkruaja në kohën e adoleshencës sime. Ne nuk ishim të pasur, por kujtoj se kishim shumë libra. Gjyshi im, prindërit e mi me atë thjeshtësinë e tyre më mësuan të doja botën, të luftoja për jetën. Ata më mësuan artin e dashurisë dhe të dhembshurisë, apo mënyrën se si ta kaloja dhembjen pa u lënduar shumë. Kjo është mister, por kur e zbulon ka një funksion të mahnitshëm në jetën e një individi. Unë jam mahnitur dhe kështu vazhdova që vetë artin e dashurisë për jetën, vetë ritmin e saj ta bëja poezi.


- Gjatë udhëtimit tuaj për në Shqipëri, çfarë kishit menduar, çfarë patë dhe çfarë mendonit se do të gjenit?


Sean Thomas Dougherty: Në fakt kam sjellë vetëm vajzën time 6 muajshe me vete, jo të gjithë familjen. Panorama e Shqipërisë ishte e mrekullueshme. Unë nuk kam parë asnjëherë një peisazh kaq të mrekullueshëm. Malet, ato fshatrat e vegjël, dhe vetë qyteti, që lë atë ndjesinë e të vjetrës dhe të resë përzier, më pëlqen shumë. Më pëlqeu dhe kaosi që kam parë këtu. Hoteli ku qëndruam ishte pranë tregut të madh të fruta perimeve. Kam vajtur atje, kam parë dhe kështu e gjithë ajo lloj rrëmujë që kam parë atje më ka pëlqyer. Gjithashtu nisën të më pëlqejnë edhe burrat e moshuar që bënin debate në kafene dhe e kuptoja qartë edhe nga fytyrat e tyre si ato tendoseshin se kur diskutonin dhe debatonin për politikë. Është një vend i dukshëm dhe ti dallon llojet e ndryshëm të njerëzve sipas poziocioneve apo rëndësisë që kanë në kafene. Ndoshta kjo që po ju them do t’ju çudisë, por mua më sjell afër mendjes edhe qytetin ku unë jetoj. Pavarësisht se qyteti ku unë jetoj në Amerikë është më i madh se Tirana, por ngjashmëria është e theksuar se atje njerëzit përpiqen për të jetuar e për të bërë diçka, e këtu po ashtu rendin. Kjo më bën mua që të ndjehem afër me qytetin. Dhe me duket sikur jam më i afërt, më i familjarizuar me të, sesa një i huaj në këtë qytet. Më lindi dëshira për të jetuar këtu.


- Cili është mesazhi që dëshironi t’u lini shqiptarëve, nëse ju duket bukur të jetoni me ta?


Sean Thomas Dougherty: Mesazhi im është që gjithkush që do të lexojë këtë intervistë le të shkruajë një poezi dhe t’ia japi dikujt.

No comments: