“Nositi”: Akademik Kopi Kyçyku, personalitet me përmasa jo të zakonta


Dhimitër Gegprifti

Gazeta NOSITI, Pogradec, 25 Dhjetor 2009 - 10 Janar 2010

Rubrika Profil


Në shkrime të shkruara dhe të botuara më parë, Pogradecin e kemi perifrazuar: Qytet i vogël me njerëz të mëdhenj. Dhe për këtë besoj se nuk kemi gabuar. Është provuar katërcipërisht në fushën e letrave, të arkitekturës, të penelit, por edhe në fusha të tjera.

Vazhdimësi në kohë të reja

Ajo që është e dallueshme edhe sot: vazhdimësia e kësaj dukurie me personalitete të rinj, në fusha të reja me ndihmesa të konsiderueshme dhe të vlerësueshme nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare. Personazh i shkrimit tonë është personaliteti me përmasa jo të zakonta, pogradecari Akademik Kopi Kyçyku. Jo në ditë të zakonta, por as edhe në stinë të përcaktuara rasti mund ta sjellë të shohësh një njeri me një ecje disi të shpejtë, me një fytyrë disi esmere në të qeshur, impulsiv, që nga momenti në moment mund të dëgjosh ngjarje të jetuara, kuriozitete, histori, personazhe historike të jetës së përditshme, por edhe nga jeta ndërkombëtare. Atë pa frikë mund ta takosh në çdo ditë të javës e stinë të vitit. Jo rrallë ato të shoqërohen me sentenca filozofike, por edhe popullore nga kombe të ndryshëm e në gjuhë të ndryshme.

Pasaporta e Akademikut…

U lind në Pogradec më 30 qershor 1943 në një familje me rrënjë të lashta e ardhur nga Rodokali i Poshtëm, kur ishte e dëgjuar vetëm Kazaja e Starovës. Në këtë vështrim Kyçykët janë ndër bashkëthemeluesit e qytetit, që tre shekuj më parë u quajt Pogradec. Shkollën fillore, shtatëvjeçaren dhe të mesmen i mbaron në vendlindje më 1960 me rezultate të shkëlqyera, për të cilat është dërguar me pushime në Bullgari. Studimet e larta i filloi në Bukuresht të Rumanisë në institutin me tradita shekullore për naftë, gaze dhe gjeologji dhe i përfundoi në Universitetin e Tiranës. Në Bukuresht fiton çmim të parë nga 126 kandidatë në një konkurs për shkenca të sakta. Pas prishjes së marrëdhënieve kthehet dhe mbaron në Shqipëri, duke marrë përsëri dy çmime të larta. Fillon punë në Ndërmarrjen Gjeologjike Pogradec.
Mbaron Fakultetin Histori-Filologji me korrespondencë. Në vitin 1966 zgjidhet Deputet pa parti dhe njëherësh zëvendëskryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Pogradecit. Kryen stazhin aso kohe si kandidat në minierën e Çervenakës. Më 1974 në Televizionin Shqiptar. Më 1989 në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe më vonë shef sektori në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 1994 zhvendoset në Bukuresht, ku kish shkuar kohë më parë (më 1990 dhe 1991) me aktivitete shkencore. Bëhet anëtar themelues në Fondacionin Evropian "Nikolae Titulesku”, në Shoqatën e Së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, bën pjesë në Shoqatën e Ballkanistikës dhe Sllavistikës, në Komitetin Drejtues Ndërkombëtar të Qendrës së Studimeve Ndëretnike dhe të Komunikimit pranë Akademisë së Shkencave të Rumanisë, antar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve . të Evropës Qëndrore, antar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve dhe antar nderi në disa akademi të tjera të botës.
Është zgjedhur zv. President i Kongresit të Botës Shpirtërore Rumune. I vetmi intelektual i huaj. Është profesor në sistemin universitar rumun, ku jep Historinë e Ballkanit, Gjuhën Italiane, Historinë e Shqipërisë, të Turqisë dhe të Maqedonisë, sidhe cikle leksionesh për Afrikën e Veriut e të Kaukazit, të gjitha me tekste të hartuara vetë në gjuhën rumune. Eshtë marrë edhe me përkthime për të cilat ka marrë vlerësime të larta ndërkombëtare.

Poligloti, shkrimtari dhe përkthyesi...

Gjuhët e huaja nuk i mëson dot kurrë si gjuhën amtare”, shprehet Kopi. Dëshira e madhe dhe vullneti për të studiuar e motivon Akademikun të përvehtësojë dhe të mbrojë nëntë gjuhë të huaja: frëngjisht, rusisht, gjermanisht, turqisht, rumanisht, italisht, anglisht, maqedonisht, sërbo-kroatisht. Por ai nuk është ndalur këtu. Synon të mësojë edhe gjuhë të tjera, si hungarisht dhe hebraisht. “Gjuhët i kam parë si mjet për t’u thelluar në studime në fusha të ndryshme, kurrsesi jo si qëllim në vetvete”-na shpjegon Sëbashku me të birin, shkrimtarin Ardian Kyçyku, Kopi drejton dhe boton revistën evropiane dygjuhëshe “Haemus”, që e kanë themeluarështë më 1998. Gjithashtu Kopi është president I Shoqatës Kulturore Shqiptare “Haemus”, e cila ka Shtëpinë e vet Botuese me të njëjtin emër, me drejtues Ardian Kyçykun.
Organizmat e mësipërme, vazhdon rrëfimin Kopi, janë kthyer në tribuna manifestimi të shqiptarizmës në fusha të tilla, si historia, gjuhësia, letërsia, traditat etj, duke përfshirë dhe mbrojtjen, me argumente, e të drejtave të shqiptarëve të kudondodhur. Vend të veçantë në veprimtarinë e Kopit kanë zënë përkthimet nga bota shqiptare: poetë, prozatorë, arkitektë, gazetarë, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, si: A. Podrimja, A. Zeneli, B. Sefaj. J. Neziraj e të tjerë. Me përkthime Kopi është marrë qysh herët, çka pat gjetur pasqyrim në faqet e organeve “Drita”, “Hosteni”, “Zëri i Rinisë”, “Luftëtari”, Në Shërbim të Popullit”, sidhe në Shtëpitë Botuese “N.Frashëri” dhe “8 Nëntori”, si: ”Mjeku i asistencës” i Xhuzepe d’Agata, “Rini e vështirë” i Beti Smith, “Penda e kaltër” i Kolin Tile, “Jeta e Emineskut” e Xhorxhe Këlineskut, “Skëterra e terrorit nazist” i Zhak Dëlary etj.

Akademiku dhe aktiviteti shkencor

Disertacionin e ka mbrojtur në Universitetin e Tiranës në vitin 1985 dhe më pas në atë të Stambollit me temë: Republika e Turqisë në vitet 1945-1985, Gjendja ekonomike, politike dhe sociale; marrëdhëniet me botën e veçanërisht me Shqipërinë”, punim prej 335 faqesh, ende i pabotuar. Në fushën e letërsisë artistike ka shkruar e botuar vite më parë kryesisht libra për fëmijë, por edhe për të rritur në fushën e humorit, rreth 19 syresh. Gjithashtu ka shkruar e botuar drama me një akt, skeçe, pamflete, fejtone, reportazhe, skica, përshkrime, poezi, të cilat kanë mbetur të shpërndara në faqe revistash e gazetash; ka përgatitur një numur të madhe skenarësh televizivë, kinematografikë dhe radiofonikë. Në veprimtarinë akademike të Kopi Kyçykut vend të poasaçëm ze Turqia, e cila është këqyrur e trajtuar si vend fqinj për arsye të një sërë elementësh të përbashkët historikë, fetarë dhe psikologjikë. Për Turqinë i pat folur edhe gjyshi nga mëma, Leon Kristo, i cili kish ndenjur 26 vite në Stamboll.. Futja në arkivat turke në vitin 1969 dhe zotërimi i turqishtes së re, e ndihmuan akademikun të njihet me një material të pasur të historisë moderne të shtetit turk. Arritjet shkencore dhe didaktike e kanë bërë Kopin të njohur në shumë vende të botës. Krahas pjesëmarrjes me referate në kongrese dhe simpoziume ndërkombëtare në Romë, Kaljari, Stamboll, Ankara, Kajseri, Tripoli, Nju-Delhi, Zagreb, Prishtinë, Sënt Etjen, Sofje, Budapest, Baku, Londër, Odesë, Kishnjev. Etj, Kopi ka dhënë cikël leksionesh në universitete të Evropës, Afrikës dhe Azisë. Aktiviteti shkencor në Shoqatën Kulturore Shqiptare dhe revistën “Haemus” në Bukuresht është një fushë tjetër e veprimtarisë shkencore të Kopit. Në to marrin pjesë dhe bashkëpunojnë edhe shtetas të huaj, që e duan shtetin dhe kulturën shqiptare dhe e propagandojnë atë. Një nga drejtimet themelore të punës është ruajtja e traditave dhe gjuhës shqipe ndër shqiptarët me banim në Rumani, pasi një pjesë syresh janë përthithur dhe nuk eflasin shqipen. Në vitin 2008 ka krijuar në Londër Fondacionin "Publication and Education Services", ndërsa në mars 2009 ka themeluar dhe drejton revistën "The Eastern European Messenger" në Londër, vetëm në anglisht. Kjo revistë e përmuajshme u drejtohet emigrantëve të të gjitha etnive që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe. Në këto momente, ndër të Tjera, Kopi është duke përgatitur në gjuhën rumune një punim të gjerë për mendësinë e botës eurolindore në kontekst historik gjatë shekujve. Kjo vepër mjaft voluminoze, mbase mijëra faqesh, synon nxjerrjen në pah me argumente të përpjekjve të kombeve të pjesës llindore të Kontinentit Plak në mbrojtje të identitetit dhe të mëvehtësisë së çdo populli. Ai thekson: "Do të përpiqem të sjell fakte bindëse nga moria e elementëve të përbashkët kulturorë, shpirtërorë, zakonorë, të të gjithë banorëve të këtyre trevave, pavarësisht nga prejardhja etnike apo gjuha që flasin”. Këtë ia mundëson kultura e gjerë, enciklopedike dhe njohja e gjuhëve të huaja, si mjet i pazëvendësueshëm. Kjo veprimtari kaq e dendur dhe me përmasa të tilla, e ka bërë të vlerësohet të jetë profesor i nderuar në Rumani. Kjo tregon se kultura e atij vendi është më e emancipuar se në Shqipëri.

Epilog shpirtëror i një personaliteti...

Nuk mund të lësh pa evidentuar dhe natyrën shpirtërore të këtij Akademiku të përkushtuar shkencës. Ai nuk ngurron të shprehet bindshëm dhe sinqerisht se gjithmonë e kanë munduar veprimet e tij ndonjëherë të nxituara, fjalët e pamenduara e të papjekura që ka nxjerrë nga goja gjatë viteve duke hequr një paralele me pagjumësinë e qengjit në një fabul, të cilat i ka paguar me dhjetra netë të bardha. Në gjykimet për të tjerët është përpjekur të jetë sa më objektiv, por nuk mendon se vetëm ai posedon të vërtetën e pakundërshtueshme. “Në përplasjet e mia janë edhe mëkatet e mia”, na shpjegon Ai. “Por asgjë nuk kam bërë me para ose prapamendim” shton më tej. Po e mbylli këtë shkrim me një dëshmi shpirtërore të Akademikut Kopi Kyçyku: “Vendlindja është fatalitet në kuptimin gjithpërfshirës të këtij termi. Nënë, babë, vëlla, motër nuk të bëhet kush. Pogradeci im është i dashur sa më s’ka edhe sikur t’u jepte shkas të tjerëve ta qortojnë. Vlerësimet që më janë bërë nga institucione e të tjerë i kam konsideruar si një llotari, të cilën, natyrisht, mund ta tërheqin ata, që e meritojnë. Një ndër ta mund të jem edhe unë, por gjithnjë atë e meritojnë edhe të tjerë. Pogradeci ka plot si unë, jashtë tij ose jashtë Shqipërisë. Nuk kam asnjë pretendim apo ankesë, por nuk e fsheh faktin se po të më bëhej ndonjë vlerësim sado modest, do të shprehesha me mirënjohje të çiltër, duke e cilësuar më të çmuarën se nderimet që më janë bërë nga të huajt.
Kur jam në Shqipëri më merr malli për Rumaninë, kur jam në Rumani më qan zemra për Shqipërinë”. Një sintezë kjo mëse kuptimplote për një personalitet të këtyre përmasave.