Përgjigjje vrerit të Baki Ymerit

--> -->
Për site-in “Memedheu”
(groups.yahoo.com/group/memedheu)

Zotërinj të “Mëmëdheut”,
Para së gjithash, siç e kërkon zakoni, ju uroj gëzuar Vitin e Ri 2010; paçi shëndet dhe suksese në punën tuaj!
Rastësia aspak e këndshme bëri që të has, me shumë vonesë, në site-in tuaj dhe të lexoj, në rubrikën “Polemikë”, një shkrim (datë 22 korrik 2009) të z. Baki Ymeri, alias Albert Voka e Flamur Struga (nga ky pseudonim ka hequr dorë tashmë, madje i është kundërvënë).
Nuk është aspak vështirë të bindesh se z. Baki Ymeri nuk i njeh ose i shpërfill virtytet tona tradicionale. Për shkaqe të njohura, shqiptari nuk ka mundur të marrë arsim sa duhet, por kultura nuk i ka munguar asnjëherë. Si miqve, ashtu edhe armiqve, të liqve, nuk ua ka kursyer një “zotrote” apo “zotnia juej”.
Epitetet fyese që z. Baki Ymeri përdor ndaj meje nuk dëshmojnë kurrsesi për forcë, por për mungesë të theksuar karakteri dhe edukate. Ca më shumë që janë të shoqëruara me intriga, shpifje, trillime dhe deformime të panumurta.
Shkrimi i lartpërmendur i B. Ymerit vjen fill pasi nuk pranova që ai të merrte pjesë në promovimin e një vëllimi të poetit Ferik Ferra në Bukuresht, në selinë e Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë. Sipas fjalëve që B. Ymeri më tha atë ditë në telefon, “mezi priste” të vinte aty që të lavdëronte “punën titanike të Kyçykëve në përhapjen e kulturës shqiptare në botën rumune” etj, etj.
Shtrohet pyetja: “Pse ia mbylla derën?” Po e jap shpjegimin.
Prej vitesh, B. Ymeri dhe një grupth shqiptaro-rumun, në të cilin bën pjesë, na ka sulmuar mua dhe tim bir, shkrimtarin Ardian Kyçyku, sistematikisht e në mënyrën më të ulët, me shkrim e me gojë, zakonisht prapa krahëve, si në shtypin shqiptar, ashtu edhe të viseve të tjera të rajonit. Sa herë që ka marrë përgjigjjen përkatëse, B. Ymeri na ka kërkuar me ngut ndjesë, drejtpërdrejt ose përmes të tjerësh, duke evokuar gjithmonë me përgjërim të shtirur “Mëshirën e Krishtit”. Por, pa u tharë ende boja e zezë e çdo sulmi, ka vazhduar të njëjtin avaz dhe, kur u bindëm se refreni sulm-falje nuk kishte më kuptim të zgjatej, vendosëm që të pabesin ta shumëzonim me zero. As kjo nuk i pëlqeu, madje vazhdoi ta shtonte zullumin me sulme akoma më të shpeshtë, gjithnjë e më të hidhur. Në një moment të caktuar vendosëm ta hedhim në gjyq, përgatitëm edhe akt-padinë përkatëse, por këmbëngulja e ambasadorit shqiptar në Bukuresht, mikut tim të hershëm, z. Dashnor Dervishi, na bëri të ndrronim mendje. Për më tepër, nuk do të tingëllonte mirë që dy shqiptarë të gjykohen në dhe të huaj.
Në fragmentet e librit tim “Zinxhiri i anktheve” (Shtëpia Botuese Globus, Tiranë, 2008), që shtypi rumun ka botuar në janar 2009, nuk kam “sharë” asnjë shqiptar, siç trillon B. Ymeri. Aty kritikohet qëndrimi keqdashës i dy-tre përfaqësuesve të administratës rumune ndaj meje dhe familjes sime; qëndrimi antishqiptar (i kamufluar) dhe veçanërisht antikosovar (i hapur) i një diplomati rumun (Ge.Mi.), agjent i rregjur i UDB-së; veprimi i ulët i një spiuni të rëndomtë rumun (Ma.Do.), përkthyes i veprës së I. Kadaresë, sidhe i një kozmopoliti (Xhe.Ma.), i cili, kur ia do interesi, e heq veten edhe shqiptar (me prapashtesën sërbe - viç në mbiemër) dhe që është përpjekur të më paraqitë si arumun në institucionet kishtare dhe shtetërore rumune.
Arsyeja që këta individë dhe të tjerë të të njëjtit kallëp, i kam përmendur me rrokje, jo me emër të plotë, nuk është se i trembem ballafaqimit me ligjin, sikurse fantazon B. Ymeri, por sepse për mua janë “gjysmënjerëz”. Nga ana tjetër synoj që lexuesit të njihen vetëm me prapësitë, jo edhe me emrat e këtyre mëkatarëve.
Është momenti të theksoj se në Rumani kam ardhur me ftesë të qarqeve akademike dhe universitare të këtij vendi, gjuhën e të cilit e dija qysh kur isha student në fillimvitet ‘60 të shekullit të kaluar dhe jap në shkollat e larta rumune disa lëndë të lëmit të historisë e të gjuhësisë.
Ndërkaq, revista jonë evropiane Haemus, që botohet rregullisht prej vitit 1998 një herë në tre muaj, me 200 faqe, sidhe Shoqëria Kulturore Shqiptare Haemus me Shtëpinë e vet Botuese Librarium Haemus, zhvillojnë, pa zhurmë e pa bujë, një veprimtari të dendur e të pandërprerë, duke botuar dhjetra libra origjinalë letraro-artistikë dhe shkencorë, sidhe përkthime (në shqip e në rumanisht); organizojnë konferenca e simpoziume shkencore dhe aksione propagandistike, me arritje konkrete në popullarizimin e vlerave tona kombëtare dhe në fuqizimin e lidhjeve tradicionale shqiptaro-rumune. Në këtë kontekst përfshihet puna intensive dhe e diferencuar që bëjmë me të huajt që ta njohin në dritë të vërtetë historinë tonë kombëtare. Në mënyrë të veçantë, për informimin e saktë dhe me argumente shkencore të lexuesve për historinë e Kosovës, revista Haemus i ka kushtuar autoktonisë dhe vazhdimësisë shqiptare atje, qysh në lashtësi, dy numura të plotë (katërqind faqe). Si rrjedhojë, mjaft rumunë të kudondodhur, të të gjitha shtresave, niveleve dhe profesioneve, nga të lëkundur dikur, janë shndrruar në simpatizues e përkrahës të kauzës kosovare.
Në shkrimin që ia keni botuar në site-in tuaj, B. Ymeri “shqetësohet” se jam mik i zotit Razvan Theodoresku, i cili, sipas një gazete rumune, qënka kunat i ish-Presidentit të Rumanisë, z. Jon Iliesku, dhe paska “origjinë të huaj”. Çfarë të keqe ka këtu? Edhe e ëma e Baki Ymerit, zonja Aurelia Graur, është e huaj, madje dyfish e huaj – hebreje e vendosur familjarisht në Rumani.
Për të kushedisatën herë, mendja e çartur e B. Ymerit më padit sikur paskam ardhur në Bukuresht që, bashkë me z. Razvan Theodoresku dhe z. Adrian Paunesku, të komplotoj kundër bashkësisë shqiptare të Rumanisë, në favor të sërbëve!
Akademiku Razvan Theodoresku, në kohën e regjimit komunist ka qënë i përndjekur dhe i detyruar të jetë puntor i thjeshtë. Në revolucionin e dhjetorit 1989 luajti rol të rëndësishëm në krye të Radiotelevizionit rumun. Më pas ka qënë senator dhe ministër i Kulturës dhe i Kulteve. Është antar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë dhe prej shumë vitesh është zgjedhur sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve të Evropës Juglindore (AIESEE), në radhët e së cilës ka bërë përpjekje për ta antarësuar edhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Për hapat konkrete që ka hedhur në këtë drejtim është vënë në dijeni qysh prej disa vitesh ish-kryetari i kësaj akademie, z. Rexhep Ismajli.
Sa për zotin Adrian Paunesku, ish-senator, me të nuk kam ndonjë “miqësi të madhe”, por e çmoj si poetin më të shquar të Rumanisë së sotme. Vërtet ky i fundit, ashtu si një numur tepër i madh intelektualësh rumunë, mjerisht është në një mendje me opinionin zyrtar rumun ndaj çështjes së Kosovës, por kjo nuk do të thotë që e pranoj këtë qëndrim të tij. Përkundrazi, i jam kundërvënë haptaz jo një herë, edhe në emisione televizive.
Në këtë kontekst, veçanërisht i neveritshëm është trillimi i B. Ymerit sikur qënkam shprehur (më 2001) kundër pranisë së SHBA në Kosovë!
Baki Ymeri duhet të heqë dorë nga përçartjet, që nuk i vlejnë askujt dhe të mos rrijë më i strukur në strofullën e hajdutit, - prapa pseudonimesh e nofkash të panumurta, - nga ku çirret “kapeni hajdutin!”.
Po i them sërish B. Ymerit se gjatë jetës sime nuk kam marrë në qafë asnjeri. As atëhere kur në gjimnaz, - siç e kam pohuar me çiltërsi në librin “Zinxhiri i anktheve”, - i ndodhur nën trysninë e kërcënimin e përbindshëm të organeve të dhunës diktatoriale, u detyrova të nënshkruaja një dokument bashkëpunimi dhe pata për pak kohë lidhje me ta. Por nuk jam e as kam qënë ndonjëherë “kolonel i Sigurimit komunist” e as agjent i të huajve. Jam e do të jem agjent vetëm i interesave të kombit e të atdheut tim, për të cilët, ashtu si çdo shqiptar i ndershëm, jam gati të flijohem pa ngurrim e në çdo moment. Kudo që të ndodhem do të deklaroj gjithmonë me krenari e me zë të lartë: “Jam shqiptar!”, sikurse jam shprehur edhe kur jam zgjedhur në udhëheqje të shumë organizmave shkencore ndërkombëtare, përfshi funksionin e zëvendëspresidentit në të trembëdhjetë Kongreset Ndërkombëtare të Spiritualitetit Rumun.
Nga ky këndvështrim, më ngjall neveri qëndrimi i B. Ymerit, i cili e paraqit veten gjithandej si “italiani Alberto”.
Tek hidhet e përhidhet hu më hu, si laraska, mendjelehti Baki Ymeri guxon ta avitë “ndenjësen” edhe te “gardhi” majëmprehtë i Masonerisë, jo për t’u çlodhur, po për të futur turirin në brendësi të kështjellës së saj “të fortifikuar”...
Në vend t’i shtrohet punës për mbrojtjen e një teze doktorate, në të cilën po mbush njëzet vjet që është regjistruar, B. Ymeri e harxhon kohën për të nxitur e për të ushqyer përçarjen ndër shqiptarë dhe armiqësinë me kombe të tjerë.
Ligësia, lajthitjet dhe haluçinacionet e B. Ymerit nuk njohin kufi, prandaj e quaj të tepërt të zgjatem më tej me to.
Kopi Kyçyku
Bukuresht, 6 janar 2010

P.S. (6 janar 2010) Këtë replikë po jua nis nga site-i i Revistës Haemus, meqë, siç rezulton nga adresa juaj, veproni në "rreth të mbyllur" (members only). Natyrisht, do të ishte e pëlqyeshme dhe në nderin tuaj që këtë replikë ta botoni edhe ju, të pacënuar.

P.S. (13 dhjetor 2010) Në vazhdën e orvatjeve për të më paraqitur ndonjë ditë si „poliagjent”, Baki Ymeri, në mesazhin që i dërgoi këto ditë një mikut tim, ndër të tjera thoshte: „E keqja e kombit është Kopi Kyçyku ngase e ka shitur kombëtarinë tek rumunët”. Helmi i Baki Ymerit po vazhdon të përhapet me shpejtësinë e mikrobit të një sëmundjeje të rëndë ngjitëse. Prandaj mendoj se, krahas demaskimit, ligji duhet të veprojë me tërë forcën mbi këtë individ shoqërisht e kombëtarisht të rrezikshëm, të papërgjegjshëm e të pandreqshëm.