Balil Gjini
Kaínas dhe Abelianë
Vite më parë, në kohën e Tollovisë së Madhe, diku në një katund, kam parë një pamje të allasojshme: njerëz me lopata e kosore në sup (nja njëzet sosh) ishin mbledhur rreth një pallati pesëkatësh dhe, duke valëvitur këmishat e zbërdhylëta, duke ngritur dy gishtat përpjetë, apo makar edhe duke vërshëllyer, bërtisnin: “Poshtë Krushova!... Poshtë Krushova!...” Sefte, i çuditur prej pamjes, kujtova se mos kishim të bënim me një grup revolucinarësh të vonuar, me një grup antirusësh, por jo!... Emri Krushov dhe Hrushov ishte pothuajse një përkitje rastësore, sepse njerëzit protestonin kundër banorëve të fshatit Krushovë, të cilët shteti i kishte shpërngulur në fshatin e tyre dhe iu kishte dhënë apartamente banimi. Protesta, pra bëhej kundër të huajve, ardhacakëve.
Njëhopshëm e kuptova se bëhej fjalë për një nga urrejtjet më të vjetra në botë, atë midis Kainit dhe Abelit, i pari bujk (vendali), i dyti blektor (nomad). Shekuj të tërë kanë kaluar, por pesha e rëndë e tyre s’ ka mundur t’ i shuajë flakët e zeza të urrejtjes. Ato flakë bredhin nëpër qyngjet dhe llagëmet e venave të akcilit prej nesh, brenda pusit të errët të subkoshiencës, dhe sado i rëndë të jetë kapaku i kulturës që rreket ta mbyllë atë pus, ato flakë përsëri dalin që dalin. Shembulli që sollëm më sipër është njeri sosh.
2.
Historia e Kainit dhe e Abelit, e vendasit dhe e të huajit, është historia e Tjetrit. Gilles Deleuze ftillon se Tjetri është për ne një faktor i fuqishëm hutimi, i cili na shkakton pa pushim hararet, ngase na shkëput nga mendimi intelektual. Ardhja e beftë e Tjetrit hedh një dritë të lëmekur mbi një univers të tërë objektesh të vendosura në periferitë e largëta të vëmëndjes sonë, duke qenë i aftë t’ i shndrrojë ata në qendër. Ai e mbush botën me një zhurmë të gëzueshme. Tjetri është ajo ëmbëlsi përafërish e përngjasimesh, të cilat na lejojnë të ambientohemi në botë.
E dimë se bota me Tjetrin është ligësi, urrejtje, luftë, por nuk e dimë se çdo të ishte bota pa tjetrin. Për këtë na ndihmon miti i gjenezës tek egjiptianët dhe perëndia e tyre Ra.
Përreth janë ujrat e fjetura të Kaosit dhe kurrgjë tjetër. Ra-së i duhet të imagjinojë një qënie tjetër, por bota është e varfër me modele, ose më sak është fare e virgjër sojesh. Atgrimë Ra bën një orvatje sforcuese, imagjinon vetveten në formën e një hijeje të errët, e cila i rrotullohet përreth, i vjen vërdallë, e përkëdhel në ije, i merr fallusin e tendosur dhe pikat e spermës ia shpraz në gojë. Kur të vijë koha, së bashku me pështymën, ajo do të nxjerrë nga goja fëmijët Tefnut dhe Shu. Por ne kemi gjasën të sendërgjojmë edhe diçka tjetër: pikërisht hijen e zezë të trupit të vet, që aty zgjatet dhe aty shkurtohet, Ra mund të priste me gërshërë dhe ta mbillte me kalema brenda vetvetes për t’ u shumuar. Por me sa duket s’ ishin ngjizur akoma pemët për ta huazuar këtë arketip shumimi.
Është interesante të vërehet se Ra është mashkull, ose më së shumti një perëndi deledashe, dhe se organi pllenues është goja, e cila ruan rolin e seksit horizontal. Ato pika të pakta sperme do të jenë zanafilla e përrenjve dhe e lumenjve njerëzorë të mëvonshëm. Por këtu jemi të prirur të kundrojmë vetëm atë ndjenjë hutimi e çorentimi që i shkakton Perëndisë mungesa e tjetrit, të huajit.
3.
Në një shtrirje kohore prej mijra e mijra vjetësh, mbi ngastrat folklorike për të huajin, nomadin, është formuar një shtresë e trashë lymi poshtërues, sepse nga ca qyngje të vjetra janë shkarkuar bërsi urrejtjesh, ujra të zeza racizmi. Jabanxhi, beduin, muhaxhir, arixhi, refugjat, katundar, cigan, kokëpalarë, çifut,... janë vetëm disa nga currilat pezhorative që vazhdojnë të derdhin llum në fushën e leksikut.
Ndërkaq duhet thënë sheshazi: ardhacaku, për shkak të rrezikimit të qenies, mobilizon të gjitha forcat e nënvetëdijes së tij dhe ka një syçelësi të pashoqe. Ai ka forcën gjalluese të barërave të egra, forcën e tyre egërshane, vrullin dhe ardhangien e tyre, si dhe parfumin e fortë cuknisës të malit.
Teksa vendaliu ka krijuar jetën e qetë rutinore, me tarbietet patriarkale, kafenetë e pira mbasditeve plot llogje dhe klishe steriotipe të menduari, ardhacaku është bash guri që bie “bëlldum” mes ujrave të fjetura të këtij moçali.
Vendaliu është denbabadenasi: vini re skelitin e gjatë e kësaj fjale: halat e saj janë kreshpëruese, krokodilore, të trohisura si brisk . Kemi parë me çfarë përbuzje i trajton media dhe shtypi ata që kanë ardhur nga veriu dhe rrinë në Bathore. Vetë fjala “bathë” të kujton perimen monokotiledone, si një fasule pllaqi, të shtypur, budallaqe, të troçtë, kaba. Bathore: gati-gati shqiptohet Bythore.
Simetria që kërkohet si mbështjeje për të mbajtur imazhin është “tironsi” i vjetër, denbabadenasi. Ndërkohë që ne e dimë se ky tirons s’ është kush tjetër veçse hallvaxhiu injorant, me brekushe e tespie. Është njëlloj sikur njurorkesit të sotëm t’ i vendosësh për balancë indigjenin e djeshëm me pupla në kokë e tatuazhe në shpinë. E gjithë kjo urrejtje e ka zanafillën tek thika e Kainit...
4.
Por, me të vërtetë, ku e çoi thikën Kaini pasi vrau vëllanë, Abelin? E nguli në mishin e tokës dhe ende s’gjendet dora ta shkëpusë andej? Apo mos vallë kjo thikë është tjetërsuar dhe ka marrë pamje e dukje të tjera? P. sh, a mos vallë është selvi e mbirë pranë varreve, pranë kishave? Apo mos është modernizuar dhe ka marrë pamjen e një bajonete karabine, apo është bërë majë rakete?
Po sikur të hamendësojmë se është flakur në det dhe, siç thotë në një poezi Robert Sabatier, është bërë peshkaqen që vërtitet detrave dhe oqeaneve? Apo, mos vallë, ajo thikë s’ është pos tjetër veçse habia jonë e shfaqur në formën e një pikçuditëseje (!) ? S’ e dimë.
5.
Më vjen në hatër një shprehje e Diktaturës: shqiptari është i lidhur me atdheun si Anteu me tokën. Cok tek figura mitike e Anteut kemi shëmbëlltyrën më të mirë se si simboli tjetërsohet në të kundërtën e vet, në diabol.. Anteu ishte biri i tokës, vendaliu. Në të gjitha ftillimet mitike këmbët e tij përfytyrohen si rrënjë pemësh, a zarzavatesh, të lidhura pazgjithshëm me tokën. Toka i ushqen me plehun e vet këto rrënjë, i rrit, i zhvillon. Aty qëndron dhe forca e tij mitike, tek toka. Të gjithë nacionalistët janë kapur pas ikonës së tij. Ta duam atdhenë si shqiponja folenë. Atdheu është krijuar nga hiri i të parëve. Anteu është heroi i klisheve të gatshme, rutinori, i frikuri, provinciali.
Ndërkohë Ikari është kuturisësi, aventurieri, ai të cilit shtëpia i bëhet varr dhe mëton hapësirat e gjera. Sigurisht dëshirat e tij mund të kenë krahë të dobët fluturash, krahë të lidhura me dyll bletësh. Ai edhe kur është rrëzuar “bëlldym” përmbi tokë, krahët e balonës së tij s’ kanë bërë gjë tjetër veçse kanë lëvizur ujrat e fjetura të moçaleve rutinorë të tokës. Ikari s’ ka varr. Toka e Anteut është shtëpia e qenies, kurse qielli i Ikarit është hapësira e fantazmave. Anteu ka lenë nga pas djepe, Ikari ka lënë më shumë varre.
Nuk e dimë nëse miti e merr rrjedhën tek burimet e Testamentit të Vjetër, apo ngjet e kundërta.
6.
Gjurmët prehistorike prej Abelit biblik gjer tek Abili i sotëm bashkëkohor janë fshirë, sepse, po të perifrazonim Agambenin, ardhacaku ka humbur çdo të drejtë dhe nuk i rresht përpjekjet për t’ u asimiluar në gjirin e një identiteti të ri, në këmbim të një përçmimi të sigurt.
Por është një etni që nuk e pëlqen këtë përçmim. Ata janë arixhinjtë, mbartës të një qytetërimi të kahershëm, me muzikën e çuditshme, ritualet stinore, me sjelljet e shpenguara, dhe veçanërisht me zjarret. Pranë atyre zjarreve ata mblidhen ritualisht, hedhin në ta thërrime buke, a thërpele të gjelbra marsi, dhe mërmërijnë formula lutjesh, a magjish. Tek ai zjarr është flaka e moçme e Heraklitit, elementi zanafillor i gjenezës së botës. Abelianë të poshtëruar prej qytetërimeve tona, nisen në shtegtimet nomade, mbi samare mushkash mbajnë djepet e varur anash.
Në Shqipëri nuk ka më të poshtëruar se ata. Ky vend e ka të pamundur të pranojë kulturën e Tjetrit. Të katundarëve, ciganëve, vllehërve e me radhë. Ai i fut të gjithë poshtë tendës strehëngushtë së përemrit “Ata”.
7.
Ata... fonemografia e të cilëve është aTa: T-ja është vetvetja krahëhapur (pa kokë), e cila ka formën e një balance egocentriste, kurse a-të janë modele të parëndësishme gështenjash, iriqësh, a buburecësh të tjerë...
E dimë se shumë nga vendalinjtë e vërtitin çengelin e argumentave në muret e bedenat e të djeshmes, të krenarisë historike, dhe bash kur ngjiten tek këto bedena tundin një flamur të lerosur për faqe të zezë. Janë më së shumti njerëz që duke mos patur një madem vlerash brenda vetvetes e kërkojnë ato së jashtmi: tek etnosi kolektiv, tek eshtrat e ngjarjeve varrosur në gropat e kujtesës. Dhe në mundshin të gjejnë makar një eshtër të vetme, e tundin atë në erë, e varin si hajmali bizoni në qafë.
Urrejtja e bujkut ndaj nomadit, vendaliut ndaj jabanxhiut, evropianit ndaj refugjatit, mund të jetë më e hershme dhe se vetë motivi biblik. A s’ e ndjeni tek kjo urrejtje duhmën e tufave të bishave, sytë lëbyrës të ujkut kur ndesh qengjin, zilinë e pagjasshme të hardhucës për zogun? Po pyetja mbetet: ç’e bëri thikën Kaini pas vrasjes? A mos vallë e hodhi në humnerë? Sepse qysh atëhere dhe deri më sot, siç vëren Lacani, njeriu s’është gjë tjetër veçse banori nomad i greminës...