CLIO

Kopi Kyçyku

Ahmet Zogu dhe Turqia
(Regele Zog şi Turcia)

Në periudhën përkatëse, të dy udhëheqësit e Shqipërisë dhe të Turqisë, Ahmet Zogu dhe Mustafa Qemal Ataturku, i kanë kushtuar rëndësi të posaçme zhvillimit të marrëdhënieve miqësore tradicionale nëmes dy popujve tanë.
“Ne i duam popullin dhe kombin shqiptar - është shprehur krijuesi i shtetit modern turk, Mustafa Qemali. - Ne i konsiderojmë ata vëllezër tanët. Ata nuk janë larg nesh. Ne urojmë që Shqipëria, si shtet e si komb, të zhvillohet, të forcohet e të ecë përpara. Ne dëshirojmë që Shqipëria të zerë vendin që meriton në Ballkan, sidomos si një shtet i pavarur. Shqipëria të jetë e sigurtë për çiltërsinë tonë. Populli shqiptar nuk duhet të dyshojë kurrë në ndjenjat vllazërore që populli turk ushqen për të. Dhe kjo nuk është shprehje sentimentale, por ndjenjë e dalë nga thellësitë e zemrës së tij” (Bilal N. Shimshir, Direktivat e Ataturkut dhënë ambasadorit Ryshen Eshref Ynajdën, Ankara, 1981, f.2. Direktivat e sapopërmendura, autori i këtij shkrimi, Kopi Kyçyku, i ka gjetur më 1981 në Arkivat e Shtetit Turk (Türk Devlet Arşivleri) dhe i ka përfshirë në të dy botimet e librit të vet: “Mustafa Qemal Ataturku”, Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1986 dhe Shtëpia Botuese “Arbri”, Tiranë, 1993, f. 99-116).
Qysh më 1907, në një bisedë me Fuat Pashën, Mustafa Qemali kishte theksuar: “Fuqitë e Mëdha, prej kohësh kanë vendosur ta coptojnë Perandorinë Osmane. Ato presin momentin e përshtatshëm për të vënë në zbatim planet e tyre. Gjithsesi, Shqipëria duhet dhe do të mbetet e pavarur” (Ali Fuat Xhebesoj, Shoku im i klasës, Ataturku, Stamboll, 1980, f.116).
Më 1908, në një takim të ngrohtë në Selanik, atdhetarët shqiptarë Mihal Grameno, Bajo Topulli e të tjerë, kuvenduan me Mustafa Qemalin gjerë e gjatë për drejtësinë e luftrave që zhvillonin populli ynë dhe popujt e tjerë për flakjen tej të zgjedhës otomane. Ata do t'i kujtonin më vonë me nderim fjalët e Ataturkut për “rëndësinë e lirisë, e cila do t'i bashkojë kombet në një punim për lumturinë...” e tyre (Mihal Grameno, Kryengritja shqiptare, Vlorë, 1926, f.114).
Pikërisht në momente vështirësish e sakrificash të mëdha, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Mustafa Qemalit, i cili në atë periudhë ndodhej në ballë të luftës së popullit të vet kundër forcave të huaja intervencioniste, midis qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës (më 1920) dhe qeverisë turke, u vendosën kontakte. Një delegacion ushtarak turk, i kryesuar nga koloneli Selahedin Sahip, bëri një vizitë në Shqipëri. Më 1 mars 1921, Mustafa Qemali do të deklaronte para Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë: “Me popullin shqiptar jemi miq për shekuj. Së toku ndajmë të mirat e të këqijat e jetës e të fatit të përbashkët” (Nga procesverbalet e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, sipas Nexhip Allpan, në: Shqipëria e sotme në dritën e historisë, Ankara, 1975).
Më 1922, konsulli shqiptar në Stamboll vinte në dijeni Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se sulltanati ishte përmbysur dhe se Republika e re Turke tashmë ishte fakt i kryer (Arkivi Qëndror i Shtetit/AQSH, Fondi 251, viti 1922, dos. 61, dok.10).
Dhe nuk ishte aspak rastësi që bisedimet shqiptaro-turke për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona zunë fill pikërisht pas krijimit të Republikës Turke. Më 15 dhjetor 1923 në Ankara u nënshkrua Traktati i Miqësisë midis Turqisë dhe Shqipërisë. Po atë ditë u nënshkruan Marrëveshja e Qëndrimit dhe Marrëveshja e Shtetasve (konsullore). Të tre dokumentet e lartpërmendur hynë në fuqi në vitin 1925. Këta hapa drejt afrimit të dy vendeve tona u hodhën në një kohë kur forcat përparimtare shqiptare, me borgjezinë demokratike në krye, e dëshironin mirëkuptimin e bashkëpunimin me Turqinë e re dhe në kushtet kur forcat regresive, duke mos i pasur pozitat të forta dhe as orientimet në politikën e jashtme të qarta, e kishin të vështirë ta kundërshtonin një gjë të tillë.
Më 1923 Ahmet Zogu ishte kryeministër, ndërsa më 1925 u zgjodh President i Shqipërisë. Kur u nşnshkrua Traktati i Miqësisë Shqiptaro-Turke, Ahmet Zogu, me cilësinë e kreut të qeverisë shqiptare, i dërgoi një letër miqësore Gazi Mustafa Qemal Pasha Ataturkut (Gjenerali Ngadhnjimtar Mustafa Qemali, Babai i Turqve), në të cilën i paraqiste urimet më të çiltra për “lumturinë dhe miqësinë me kombin e madh turk” dhe theksonte: “Shpresoj plotësisht se historia e lidhjeve të përbashkëta të kombeve tona, në një të ardhme të afërt do të jetë faktor i sigurtë paqeje” (Arkivi i MPJ të Turqisë /AMPJT: Shpallja e Republikës, 1923. Telegram i A. Zogut dërguar kryeministrit turk, 31.10.1923).
Në vitin 1926 midis dy republikave të reja u vendosën marrëdhënie diplomatike. Për herë të parë, në kryeqytetet përkatëse u çelën ambasadat. Tahir Lytfiu (Tekaj) u emërua ambasador i Turqisë në Tiranë. Duke qënë ambasadori i parë turk që vinte në Shqipëri, Tahir Lytfiu kishte sjellë për Presidentin shqiptar, Ahmet Zogun, një letër të Ataturkut, me anë të së cilës e falenderonte për mesazhin që ky i pat dërguar, e uronte për zgjedhjen në krye të shtetit shqiptar dhe shprehte ndjenjat e miqësisë për shqiptarët (AMPJT, dosja 94: Letër e M. Qemalit për A. Zogun, 22.12.1925).
Ambasadori Tahir Lytfi, më 17 shkurt 1926 i paraqiti Ahmet Zogut letrat kredenciale, sidhe letrën vetjake të Ataturkut. Me atë rast u mbajtën fjalime për ndjenjat e miqësisë e të vllazërimit, që buronin nga “fati i përbashkët pesëshekullor”. U ngritën edhe dollì. Atë ditë ambasadori dërgoi këtë telegram në Ankara: “Sot i paraqita Presidentit letrat kredenciale. Ceremonia ishte më se e shkëlqyer. I dorëzova edhe letrën vetjake të Shkëlqesisë së Tij, Gazi Pashait. Fola frëngjisht. Presidenti foli shqip. Gjatë bisedës, Presidenti, Ahmet beu, foli me një gjuhë plot respekt dhe vlerësim për Shkëlqesinë e Tij Gazi Pashain, për qeverinë tonë republikane dhe për kombin tonë. Duke ngritur kupën me shampanjë, ai tha: E ngre këtë gotë për lumturinë dhe miqësinë e Gaziut të Madh dhe të kombit të madh turk. Për reciprocitet, edhe unë e ngrita gotën time për lumturinë e Presidentit dhe të Republikës Shqiptare”.
Në fillim të vitit 1926 ambasador i Republikës së Shqipërisë në Ankara u emërua Rauf Fico. Ky diplomat i zgjedhur, që në të ardhmen do të bëhej edhe ministër i Punëve të Jashtme, kishte për detyrë të forconte më tej marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve (AMPJT, dok. 4/1: Letrat kredenciale të Rauf Ficos, 17.1.1926).
Më 13 mars 1926 Rauf Fico i paraqiti Gazi Mustafa Qemalit letrat kredenciale. Gjatë ceremonisë përkatëse, ai tha se do të përpiqej me të gjitha forcat “për të konsoliduar lidhjet miqësore që ekzistojnë prej shekujsh midis dy kombeve që kanë pasur fate të përbashkëta gjatë rrjedhës së historisë” (Po aty: Fjalimi i Rauf Ficos, 13.3.1926).
Ataturku iu përgjigj ambasadorit shqiptar me këto fjalë: “Mund të jeni i sigurtë se do të keni ndihmën time dhe të qeverisë republikane në punën tuaj për konsolidimin e lidhjeve të miqësisë midis dy popujve që kanë pasur fate të përbashkëta në shumë fusha, në periudha tepër të hershme të historisë, në punën tuaj për t'u shërbyer interesave të të dy vendeve dhe për të çelur një periudhë bashkëpunimi të ngushtë midis dy kombeve”.
Kështu u vendosën marrëdhëniet diplomatike turko-shqiptare. Ato patën një zhvillim pozitiv për afro dy vjet.
Por vendosja e monarkisë dhe shpallja më 1 shtator 1928 e Ahmet Zogut “Mbret i Shqiptarëve”, nuk u pritën mirë nga republikani Mustafa Qemali. Krahas qëndrimit mosmiratues, Presidenti i Turqisë e cilësoi aktin e mësipërm si anakronizëm politik, që nuk përputhej me frymën e demokracisë borgjeze, sidomos të vendeve që ua kishin parë dëmin monarkive mesjetare. Ndryshimi i formës së qeverisjes në Tiranë mjaftoi për ftohjen e menjëhershme të marrëdhënieve shqiptaro-turke. Turqia, siç dihet, ishte republikë e re dhe udhëheqësit e saj tregoheshin tepër të ndjeshëm në këtë çështje.
Ndërkaq, fill pas shpalljes së Monarkisë Shqiptare, shtypi botëror filloi të bënte komente nga më të ndryshmit, madje nuk munguan spekulimet që lidheshin veçanërisht me qëndrimin e Ataturkut ndaj regjimit të ri në Tiranë.
Sapo u kthye nga pushimet verore, Ataturku e thirri ambasadorin ministër fuqiplotë nga Tirana. Urdhëri për këtë iu dërgua me telegramin e datës 3 tetor 1928, në të cilin thuhej: “Shkëlqesia e Tij, Presidenti, u kthye. I folëm për ndryshimin e regjimit në Shqipëri. Pas kësaj ndodhie të rëndësishme, nga qeveria shqiptare nuk na u dhanë shpjegime të mjaftueshme. Prandaj Shkëlqesia e Tij ka nevojë të vini këtu (në Ankara) për t'i dhënë informata të mjaftueshme për gjithë këtë aventurë. Ju lutem të vini këtu pasi të keni shpjeguar në një mënyrë të përshtatshme arsyen e udhëtimit tuaj” (AMPJT – Shqipëria m/32/ MPJ-së, telegram i shifruar nga përfaqësia në Tiranë, 3.10.1928, nr. 49701/55).
Ministri fuqiplotë turk, Tahir Lytfi, shkoi në Ankara dhe nuk u kthye më në Tiranë. Sekretari i parë, Fuat beu, mbeti i ngarkuar me punë ad interim.
Të nesërmen e kthimit të Tahir Lytfiut nga Tirana, në shtypin francez u botua një intervistë e Ataturkut, në të cilën, pasi ritheksonte kritikat për veprimin e Ahmet Zogut, deklaronte se, edhe sikur të mbetej i vetëm, nuk do ta njihte mbretërinë e tij (“Le Petit Parisien”, 7.10.1928).
Në të vërtetë, Ataturku shpresonte dhe parashikonte që marrëdhëniet midis dy vendeve të zhvilloheshin një ditë normalisht. Ky ishte shkaku që ai tërhoqi nga Tirana vetëm ministrin fuqiplotë, Tahir Lytfiun, pa e mbyllur përfaqësinë. Mirëpo titulli zyrtar i të ngarkuarit me punë ad interim të Turqisë nuk njihej nga qeveria shqiptare. Fuat beu, - dhe më pas diplomatët e tjerë turq me detyrën e mësipërme, - qëndroi në Tiranë jo si i ngarkuar me punë ad interim, por thjesht si shtetas turk. Mbreti Zog I, i prekur thellë e i zemëruar nga mosnjohja e regjimit të tij nga Ataturku, çka përbënte një sfidë të mirëfilltë, jo vetëm e tërhoqi ministrin shqiptar nga Ankaraja, por, duke nxjerrë në pah “vështirësitë financiare”, e mbylli përfaqësinë shqiptare në kryeqytetin turk e më pas edhe konsullatën në Stamboll, duke i lënë të drejtat e interesat e shtetasve shqiptarë në Turqi në dorë të ambasadës italiane në Ankara.
Edhe shtypi turk filloi të botonte artikuj kundër Mbretërisë Shqiptare. Ndërkohë, qeveria shqiptare ndaloi futjen në Shqipëri të të gjitha gazetave turke. Gazeta “Shekulli i ri”, që dilte në Durrës, pat nisur të botonte Diskutimin e madh të Ataturkut, mbajtur në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë, më 1923. Ky botim u ndërpre. Gjithsesi, shtypi shqiptar i kohës, në mënyrë sistematike, botoi një numur të madh shkrimesh të gjinive të ndryshme, nga njoftimet e thjeshta e kronikat, deri te portretet e komentet e hollësishme - pasqyrë e pikëpamjeve të forcave të ndryshme politiko-shoqërore për Lëvizjen Nacionalçlirimtare turke dhe për shndrrimet demokratike në Turqi. Bie fjala, në disa numura të revistës përparimtare të mirënjohur “Bota e Re”, zuri vend seria e artikujve “Pse dhe si u shkatërrua Turqia e vjetër”, që arrinte në përfundimin se Turqia po shpëton nga “imperializmi evropian dhe nga klasa drejtuese e vjetër” (“Bota e Re”, nr.7, 10, 11, 12, 13, Korçë, 1936).
Megjithëkëtë, lidhjet shqiptaro-turke për tre vjet me radhë vazhdonin të qëndronin në nivelin zero.
I ngarkuari me punë ad interim i Turqisë në Tiranë theksonte se “… me qeverinë (shqiptare, sh.y.) nuk kam as edhe një kontakt. Pres udhëzime” (AMPJT, Shqipëri-Turqi, 1926-1931. Një faqe nga marrëdhëniet Turqi-Shqipëri. 18.11.1931).
Në përgjigjjen që iu dërgua nga Ankaraja, vihej në dukje: “Me qeverinë nuk duhet të mbash kontakte dhe të shmangësh në mënyrë të prerë çdo ballafaqim” (AMPJT, Shqipëri-Turqi, 1926-1931. Një faqe nga marrëdhëniet Turqi-Shqipëri. 18.11.1931).
Pra, i ngarkuari me punë ad interim do të qëndronte në Tiranë si vëzhgues. Ai nuk do të zhvillonte bisedime me qeverinë shqiptare. Lipsej të tregohej i duruar, nuk duhej të reagonte e as t'u jepte përgjigjje skandaleve që mund të sajonin persona të ndryshëm. Pikërisht në ato momente delikate hyri në mes Ataturku. Ai i ktheu marrëdhëniet shqiptaro-turke drejt normalizimit. Më 20 tetor 1931, në Stamboll u mbajt Konferenca e Dytë Ballkanike, ku mori pjesë edhe Shqipëria. Delegatët, për seancën e fundit shkuan në Ankara. Ataturku i priti ata dhe në të njëjtën ditë u dërgoi nga një telegram kryetarëve të shteteve ballkanike, pjesëmarrëse në Konferencë. Telegrami drejtuar mbretit shqiptar Zog I kishte këtë përmbajtje. “Duke pritur sot në Ankara pjesëmarrësit në Konferencën e Dytë Ballkanike, ndjeva kënaqësi të vërtetë. U preka thellë nga urimet e shprehura për mua dhe për kombin turk nga përfaqësuesit e organeve kombëtare shqiptare. Me këtë rast, duke formuluar urimet më të përzemërta për lumturinë e Shkëlqesisë Suaj dhe për mirëqënien e popullit shqiptar, mendoj se nuk shpreh vetëm ndjenjat e mia, por edhe ndjenjat e kombit turk” (Anadolu Ajansi, Shërbimi i Dytë, Buletini Politik, 29.10.1931. Përgjigjja e mbretit Zog: “Jam thellësisht i prekur nga urimet e përzemërta për kombin shqiptar dhe për mua. Në emrin tim dhe të kombit shqiptar, ju uroj lumturi, ndërsa kombit fisnik turk urimet më të ngrohta për begati”).
Ky telegram i Ataturkut ngjalli gëzim në Shqipëri dhe e mbylli menjëherë periudhën e “luftës së ftohtë”. Lidhur me gjendjen në Tiranë, i ngarkuari me punë ad interim i Turqisë njoftonte Ankaranë:
“Telegrami i Presidentit tonë të madh ka krijuar në Shqipëri një atmosferë hareje dhe mirënjohjeje të çiltër. Gjithkush mbeti i mahnitur nga delikatesa. Ish-ministri i Jashtëm Jobek erdhi në ambasadë, shprehu kënaqësinë e madhe që ndjente, m'u lut t'u transmetoja ndjenjat e tij Shkëlqesisë Gazi, kryeministrit e funksionarëve të lartë dhe uroi për festën tonë të Republikës. Erdhën, gjithashtu, të ngarkuarit me punë ad interim të Gjermanisë e të Greqisë dhe shprehën urimet e gëzimin e tyre” (AMPJT: Turqi-Shqipëri, 1931. Telegram i shifruar drejtuar MPJT-së nga Ambasada në Tiranë, 28.10.1931).
I ngarkuari me punë ad interim i Turqisë në Tiranë u bë sakaq njeriu i ditës, ftohej në çdo vend e veprimtari dhe qarkohej nga njerëz që e këqyrnin miqësisht. Madje mbreti Zog I po tregonte interesim dhe kujdes të posaçëm për të. Në telegramin që i ngarkuari me punë ad interim i Turqisë i dërgonte Qëndrës më 29 nëntor 1931, vinte në dukje: “Për të uruar përvjetorin e Pavarësisë, dje shkova në pallat sëbashku me trupin diplomatik. Kur po shtrëngonte duart, mbreti qëndroi veçanërisht para meje, të ngarkuarit me punë ad interim, dhe më pyeti me respekt të madh për Shkëlqesinë e Tij Gazi” (AMPJT: Shqipëri-Turqi 2/5. Telegram i shifruar dërguar MPJT-së nga ambasada turke në Tiranë, 6.12.1931, nr. 310).
Pas një jave, ai dërgoi telegramin e mëposhtëm: “Dje u prita në audiencë nga mbreti. Pranë Tij nuk kish njeri tjetër. Me një turqishte të saktë, mbreti tha me çiltërsi të jashtëzakonshme këto fjalë: Lidhjet që na bashkojnë me Turqinë janë të shënjta. Ato nuk mund të cënohen. Turqisë i jemi borxhli për shumë gjëra. Jam i lumtur që, më në fund, u arrit mirëkuptimi. Shkëlqesia e Tij Gazi, të cilin e nderoj shumë, në çështjen e gjallërimit të vendit ka mbajtur qëndrim gjenial, çka e çudit njeriun. Ajo që po përpiqemi të bëjmë ne, nuk është asgjë para asaj që ka kryer Ai. Juve nuk ju shoh si diplomat të huaj. Ejani menjëherë tek unë, edhe për gjëra të parëndësishme, që nuk do të mund t'i zgjidhni me Ministrinë e Punëve të Jashtme (AMPJT: Shqipëri-Turqi, 1931. Telegram i shifruar dërguar MPJT-së nga ambasada turke në Tiranë, 6.12.1931, nr.359).
Mbreti Zog I e përcolli pastaj deri tek dera të ngarkuarin me punë ad interim të Turqisë, Zeqi Haki beun, dhe i shprehu sërish respektin për Ataturkun.
Pa kaluar as një javë, Zogu I e priti përsëri dhe, këtë radhë, duke folur për një aleancë midis Shqipërisë dhe Turqisë, tha: “Turqia është aleatja e natyrshme e Shqipërisë. Do t'i qëndroj gjithmonë besnik Gaziut. Kam simpati të veçantë për ju. Ejani tek unë sa herë të dëshironi” (Po aty. Telegram i shifruar dërguar MPJT-së nga ambasada turke në Tiranë, 12.12.1931).
Kishte filluar kështu përsëri periudha e vllazërimit mes Shqipërisë dhe Turqisë. Mbreti Zog I shprehte dëndur admirimin që ndjente për Ataturkun dhe i dërgonte përshëndetje. Edhe Ataturku i përgjigjej. Në përvjetoret e Republikës së Turqisë, mbreti Zog I i dërgonte Ataturkut telegrame urimi dhe merrte falenderimet e Ataturkut. Po kështu, për festën e Pavarësisë së Shqipërisë, Ataturku i çonte mesazhe urimi mbretit Zog I.
Gjatë vitit 1933, në Ballkan pati zhvillime të rëndësishme politike. Në atë periudhë dha frytet e veta politika e Ataturkut për shndrrimin e Ballkanit në një rajon të paqes e të sigurisë. U hodhën hapa drejt krijimit të Paktit Ballkanik. U nënshkruan traktate miqësie dhe mossulmimi ndërmjet Turqisë dhe vendeve ballkanike. Traktatin e Miqësisë midis Turqisë dhe Greqisë, të nënshkruar më 14 shtator 1933, e pasuan traktate të njëjtë edhe me Rumaninë (17 tetor 1933) e me Jugosllavinë (27 nëntor 1933). Me një protokoll të 24 shtatorit 1933, Traktati Turko-Bullgar i Miqësisë dhe i Asnjanësisë, i nënshkruar më parë, u zgjat edhe për pesë vjet.
Në këtë frymë miqësie të gjithëmbarëshme u kremtua edhe përvjetori i dhjetë i krijimit të Republikës së Turqisë. Në veprimtaritë e organizuara me këtë rast, morën pjesë edhe shtetet ballkanike, pra edhe Shqipëria. Mbreti Zog I i dërgoi Ataturkut një mesazh të çiltër urimi, me të cilin shprehte besimin se Republika e Turqisë, të cilën e cilësoi “vepër e pavdekshme të krijuar dhjetë vjet më parë”, do të zhvillohet vazhdimisht (Po aty. Fjala e përgjigjjes e Mustafa Qemalit).
Duke e falenderuar me ngrohtësi Ahmet Zogun për këtë mesazh, Ataturku formuloi urime të çiltra për përparimin e kombit shqiptar “nën administratën e ndritur” të mbretit Zog I (Po aty, 23.10.1933).
Pas një muaji, në nëntor 1933, me rastin e përvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ataturku dhe mbreti Zog I shkëmbyen sërish telegrame urimi dhe falenderimi. Krahas marrëdhënieve shqiptaro-turke, u zhvilluan edhe marrëdhëniet e Turqisë me vendet e tjera të Ballkanit. Më 9 shkurt 1934, ndërmjet katër shteteve eurojuglindore, - Turqia, Greqia, Jugosllavia dhe Rumania, - u nënshkrua Pakti Ballkanik. Bullgaria dhe Shqipëria mbetën jashtë tij.
Pak kohë pas nënshkrimit të Paktit Ballkanik, sekretari i përgjithshëm i Ataturkut, Ryshen Eshref (Ynajdën), u emërua ambasador i Republikës së Turqisë në Tiranë. Duke dërguar në kryeqytetin shqiptar bashkëpuntorin e vet të ngushtë, Ataturku desh të tregonte se i jepte rëndësi edhe Shqipërisë, - në një kohë që ishte krijuar Pakti (apo Antanta) Ballkanik, - për të fituar zemrat e shqiptarëve. Ai e pa të udhës t'i jepte direktiva të hollësishme ambasadorit të ri, që do të shkonte në Tiranë. Edhe mosdërgimin atje për një periudhë të gjatë të një ambasadori, Ataturku e lidhte me faktin se deri atëhere nuk ishte gjendur një person i përshtatshëm për atë detyrë. Në udhëzimet me shkrim, që i dha Ryshen Eshrefit për këtë çështje, Ataturku përcaktoi një “formulë”, të cilën Rysheni do ta përdorte: “Ju e dini se unë kam qënë sekretar i përgjithshëm i Shkëlqesisë së Tij, Presidentit Gazi Mustafa Qemalit. Kur iu kërkua nga Ministria e Jashtme të emëronte një ambasador në Shqipëri, ai u lëkund. Pas kësaj lëkundjeje, kaluan ditë. Për të kuptuar shkakun e lëkundjes së Tij, ministri i Punëve të Jashtme m'u drejtua që të ndërhyja. I thashë shefit tim të madh për çka më ish lutur ministri i Jashtëm, dhe Ai m'u përgjigj:
“Kam të drejtë të lëkundem… Unë dëshiroj që përfaqësuesi që do të shkojë në Shqipëri, të jetë një zotni që e njoh nga afër, që i besoj moralit të tij dhe që njeh nga afër mendimet e mia. Derisa nuk do të gjendet një njeri i tillë, nuk do t'i miratoj ambasadorët e propozuar. Unë, si sekretar i përgjithshëm i Presidentit, e kreva me sinqeritet detyrën time, me një fjalë mendimin e Gaziut ia kumtova ministrit të Punëve të Jashtme. Paskëtaj, ministri i Punëve të Jashtme bëri propozimin e vet të fundit e të prerë. Si rezultat i këtij propozimi, me të cilin u bashkua edhe Shkëlqesia e Tij, kryeministri Ismet Pasha, u caktova ambasador. E pranoj se kjo më shkaktoi shqetësim në një drejtim. Nuk është nevoja ta shpjegoj shqetësimin tim. Por shqetësimi im zhduket prej faktit që shefi im më parapëlqeu mua për Shqipërinë e nderuar, ndaj së cilës ka treguar miqësi të madhe. Këtë shqetësim ma zhduk edhe fakti se do të jem pranë Tij si specialist përsa kohë që do ta kryej me sukses detyrën time në Shqipëri, sikurse pret Ai. Kjo detyrë është të ngre lart vllazërinë dhe miqësinë turko-shqiptare” (Bilal N. Shimshir: Direktivat e Ataturkut ambasadorit Ryshen Eshref Ynajdën Mbi marrëdhëniet turko-shqiptare, Ankara, 1981, f.5).
Në porositë që i dha me shkrim Ryshen Eshrefit, Ataturku preku edhe probleme të ndryshme politike, si marrëdhëniet turko-shqiptare, Shqipëria dhe Pakti Ballkanik, politika e Turqisë në Ballkan, qëndrimi ndaj Italisë dhe veçanërisht orientime për qëndrimet që duhej të mbante ambasadori. Lidhur me çështjen “Shqipëria dhe Pakti Ballkanik”, Ataturku theksoi: “Nëse ende nuk janë ndërmarrë nisma të qarta dhe të prera për futjen e Shqipërisë në Paktin Ballkanik, janë mbajtur parasysh interesat e Shqipërisë. Mendimi im është ta shoh Shqipërinë si pjesëtare të natyrshme dhe të përhershme të këtij pakti. Presim momentin dhe ruajmë shpresën se kjo dëshirë do të përmbushet në një kohë të afërt, kur shteti shqiptar ta shohë veten në kushte të përshtatshme. Megjithse Shqipëria nuk bën pjesë në këtë pakt, është rregulluar në një mënyrë të tillë që qeveria shqiptare siguron kufijtë ballkanikë” (Po aty).
Në direktivat e tij, Ataturku e përmblidhte kështu politikën ballkanike të Turqisë: “Punon për miqësi të vërtetë, serioze, në të gjithë Ballkanin e në garanci e çiltërsi të ndërsjellë për çdo çështje. Ndërkaq, edhe për bullgarët ushqejmë të njëjtat ndjenja”. Lidhur me këtë politikë, Ataturku e porositi ambasadorin: “Të punosh me besnikëri e dashuri me përfaqësuesit e shteteve ballkanike dhe t'i nxitësh ata t'u bëjnë thirrje shteteve e qeverive të tyre për të punuar në këtë drejtim” (Po aty).
Në direktivat që Ataturku i dha Ryshen Eshrefit, përfshihen edhe mjaft këshilla. Ataturku sillej si një mësues, që dëshiron ta përgatisë nxënësin e vet. Ai po e përgatiste për detyrën e re bashkëpuntorin e tij të afërt, i cili, për herë të parë, ngarkohej me një detyrë diplomatike. Këshillat e Ataturkut janë të dobishme edhe sot për diplomatët e rinj. Po citojmë disa syresh:
1. Në kontaktet me popullin shqiptar duhet të propagandoni, pa bujë, se jeni mik, vëlla i sinqertë dhe përkrahës i flaktë i interesave dhe i pavarësisë së Shqipërisë. Por duhet të mos hiqni nga mendja faktin që, midis shtresave të ndryshme të popullit ka disa kategori njerëzish, siç ndodh në çdo vend. Një pjesë e tyre ankohen nga qeveria e nga regjimi dhe në këtë terren diskutojnë. Ndaj këtyre personave asnjëherë nuk duhet mbajtur qëndrim e nuk duhet folur me një gjuhë përkrahëse dhe, sapo t'i dalloni se cilët janë këta tipa, t'i ndërprisni kontaktet me ta, sepse ambasadori dhe ambasada nuk janë përfaqësues të një komiteti apo ndonjë organizatë e prirur për të shkatërruar shtetin në të cilin ndodhen. Me një fjalë, ambasadori punon për farkëtimin e miqësisë së ngushtë midis shtetit ku është akredituar dhe shtetit të vet, sidhe për konsolidimin e shtetit mik…
2. Përsëri në popull ka një kategori të dytë. Këta njerëz janë edhe kundër vendit të tyre, edhe kundër Turqisë, që ka miqësi me vendin e tyre. Këta në përgjithësi janë spiunë të shteteve të huaj. Sa për qëndrimin ndaj tyre, duhet t'i dëgjojmë, të mos u japim përgjigjje të shkoqur dhe, ndonjëherë është me dobi të flasim siç e kërkojnë interesat e shtetit dhe të politikës sonë.
3. Ka disa persona, që janë miq të Turqisë, ashtu siç janë miq të shtetit dhe kombit të tyre. Me këta duhet mbajtur qëndrim sa më dashamirës e të sillemi me ngrohtësi. Ky është një ndër frontet më dobiprurës për të fituar opinionin në favor të Turqisë.
4. Duhet t'i kushtoni rëndësi të qënit i kujdesshëm gjithmonë në bisedat që do të keni me personalitetet gjatë kontakteve dhe takimeve miqësore dhe documentés (të dokumentuar, frëngjisht, sh.y.) në problemet që trajtohen. Përsa kohë që nuk do të jeni i bindur se fjalët tuaja nuk do të përgënjeshtrohen nga realiteti, është veprim i pranueshëm të tërhiqeni nga biseda. Kur ju drejtohen për të mësuar mendimin tuaj dhe kur u japin rëndësi fjalëve tuaja, do të thotë se keni tërhequr vëmendjen…
5. Duhen ndjekur me ndjeshmëri të lartë dhe vazhdimisht marrëdhëniet me qeverinë, pranë së cilës ndodheni. Duhet ta bëni zakon që t'u kushtoni rëndësi ngjarjeve të përditshme në shtetin ku ndodheni dhe të njoftoni menjëherë me raport për ato ngjarje që i gjykoni me interes për qeverinë tonë, politikën tonë dhe interesat tona. Mos u ndruani se mund të keni gabuar në pikëpamjet e në mendimet tuaja për këto çështje. Edhe nëqoftëse do të keni ndonjë mendim apo pikëpamje të pasaktë, kjo zgjidhet me shkëmbim mendimesh. Nga kjo kemi shumë dobi për të nxjerrë pikat kryesore të nevojshme për të qënë syçelët në të ardhmen.
6. Para çdo veprimi që shkel materialisht dhe moralisht pavarësinë, krenarinë, interesat e larta të shtetit, në rast se duhet mbajtur qëndrim, për përfaqësuesin tonë është tejet i rëndësishëm vendimi i çastit. Në rast se janë të përshtatshme kushtet dhe koha për të dhënë vendimin, ai duhet të kërkojë menjëherë udhëzime nga Qëndra. Në rast se kjo mundësi nuk ekziston, atëhere nuk duhet të ngurrojë të vendosë për të vepruar personalisht, duke marrë përsipër pa frikë përgjegjësinë.
7. Kur merret vendimi, duhet menduar vetëm për këtë pikë: t'i impononi mendjes dhe ndërgjegjjes suaj se keni të drejtë dhe të jeni i bindur se do ta mbroni dhe argumentoni këtë vendim para kujtdoqoftë.
Ryshen Eshrefi, pasi i shkroi dhe i futi në çantë këto këshilla të Ataturkut, më 2 prill 1934 u nis nga Ankaraja dhe më 8 prill mbërriti në portin e Durrësit. Pas një jave, pra më 15 prill, i paraqiti mbretit Zog I letrat kredenciale. Ndërkaq njoftoi me një raport të hollësishëm për fillimin e detyrës, për takimet e para në Shqipëri dhe për mbresat e para.
Lidhur me takimin me mbretin Zog I, në raport shkroi:
“Mbreti më priti në një sallë mjaft të madhe. Vetë qëndronte më këmbë në mes të sallës. Pranë kish ministrin e Jashtëm dhe një nëpunës tjetër. Biseda do të zhvillohej vetëm midis ne të dyve, kokë më kokë. U drejtua tek unë. Në fillim foli ai në turqisht: Mirseardhët, bej efendi! Në ecje ishte i shkathët dhe energjik. Turqishten e fliste bukur, por me theks paksa shqiptar.
Para se të ulesha, paraqita letrat kredenciale dhe dokumentin e largimit të paraardhësit tim, të nderuarit Tahir Lytfi beut. I thashë që sjell përshëndetjet miqësore të Shkëlqesisë së Tij, Presidentit. Më falenderoi dhe më bëri me shënjë të ulesha. Ndërkaq më zgjati një cigare nga kutia e argjendtë, prodhim italian, që e kishte pranë. Mori edhe një për vete. Pa më lënë kohë të merrja shkrepsen, e mori vetë, u ngrit më këmbë dhe tregoi respekt duke ma ndezur cigaren” (AMPJT: Shqipëria, K 5/12. Raport dërguar MPJT-së së Turqisë nga ambasada turke në Tiranë, 19.4.1934, nr. 8.7/997/68).
Si një mjeshtër i reportazheve, Ryshen Eshref Ynajdëni na e paraqit me imtësi takimin e tij me sovranin shqiptar. Ai i thotë përmendësh mbretit fjalët e Ataturkut, që i jepnin Shqipërisë garanci për miqësi. Në vazhdim, Ynajdëni shkruan: “Para se ta thithja cigaren, i thashë tekstualisht pjesën e parë të direktivave të Shkëlqesisë së Tij, Presidentit. Në këtë kohë edhe mbreti e la cigaren dhe nga fytyra dukej tepër i kënaqur prej fjalëve me peshë. Me të mbaruar këtë pjesë, shtova se detyra ime është të veproj në bazë të kësaj porosie e direktive të lartë dhe të punoj me besnikëri për të afruar e forcuar më tej lidhjet e ngushta e të çiltra që kanë dy vendet tanë vëllezër. Gjithashtu vura në dukje se dëshirat tuaja për këtë çështje do t'ia paraqis qeverisë sime. Madhëria e Tij, mbreti, tha se Shkëlqesia e Tij, Presidenti Gazi Mustafa Qemali, duke dërguar në Shqipëri një person të vet të afërt, i ka bërë një kompliment Shqipërisë. Ai theksoi se kjo gjë këtu do të vlerësohet dhe do të pritet me mirënjohje. Pasi bëri disa komplimente për mua, tha: Për pesë shekuj jetuam në unitet ndjenjash dhe kulture me Turqinë. Kjo bashkëjetesë ka lënë tek ne ndjenja të pashlyeshme dashurie dhe mirënjohjeje. Për pesë shekuj unitetin e kombit shqiptar e mbrojti Turqia. Po të mos ishte Turqia, Shqipëria nuk do të shpëtonte as nga pushtimi sllav e as mund të pengonte dot fshirjen e saj nga harta e botës prej latinëve. Thelbin e ekzistencës sonë ia kemi borxh Turqisë. Kombin fisnik turk ne e shohim si vëlla të madh dhe shtetin e tij si shtet të madh. Madje edhe sot, shumica a antarëve të qeverisë së Shqipërisë së re janë arsimuar dhe edukuar në Turqi. Prandaj gëzohemi shumë kur shohim këtu ambasadorin e Turqisë. Ju këtu nuk jeni i huaj; konsiderojeni veten si në vendin tuaj. Sigurisht do të keni kontakte të ngushta me qeverinë, por mos u kufizoni vetëm me këtë. Ju lutem të shëtisni sikur të jeni vendës, krijoni kontakte të ngushta dhe të afërta me popullin. Do të shihni me sytë tuaj ndjenjat dhe dashurinë që ushqen vendi ynë për popullin fisnik turk. Krijoni kontakte të ngushta me qeverinë, pyesni çfarë të dëshironi, mësoni madje edhe çështjet sekrete. Këtë e them sinqerisht nga zemra. Tek unë do të gjeni një mik tuajin, të kombit tuaj, të të mëdhenjve tuaj… Kur të dëshironi, ejani të takohemi. Bile edhe po s'patët ndonjë punë, ejani qoftë edhe vetëm për t'u fjalosur. Në fakt, ambasadorët e tjerë do të bëhen pak xhelozë për këtë, por s'ka asnjë rëndësi. Sepse secili duhet ta dijë që ambasadori turk në Shqipëri nuk konsiderohet i huaj” (Po aty).
Kësisoj, takimi i parë midis ambasadorit Ryshen Eshref Ynajdën dhe mbretit Zog I zgjati mjaft. Nuk ishte vetëm një ceremoni e paraqitjes së letrave kredenciale dhe e kapërceu kuadrin e protokollit normal. Mbreti Zog I tregoi interes të madh për zhvillimin e Republikës së Turqisë dhe bëri pyetje të ndryshme për këtë çështje. Kërkoi edhe libra ku flitej për Turqinë dhe tha se do t'i lexonte ato. Pastaj, mbreti u ankua se në Shqipëri nuk kishte kapitale të mjaftueshme dhe njerëz të përgatitur. Më tej shfaqi interesim të posaçëm për faktin që Turqia përparonte pa marrë borxhe të jashtme dhe preku vështirësitë ekonomike në Shqipëri.
Pasi ambasadori tha se kishte parë me sytë e veta se në Shqipëri bëheshin përpjekje për zhvillim dhe se në çdo anë të vendit “mbizotëron rregull i plotë”, mbreti Zog i shpjegoi përse hoqi dorë nga republika dhe parapëlqeu monarkinë. E, sikur të dashkej t'i kërkonte ndjesë Ataturkut, shtoi: “Ky rregull nuk ishte në të kaluarën. Shumë ngatërresa të brendshme rrezikonin ekzistencën e Shqipërisë. Veprimtaritë e huaja rreth nesh dëshmonin se ekzistonte rreziku për të na coptuar. Këtë rrezik e kapërcyem vetëm me përpjekjet tona, duke bërë sakrifica. Në thelb, edhe unë jam përkrahës i republikës, jam republikan po aq sa është edhe Shkëlqesia e Tij, Gaziu. Të jetë i sigurtë për këtë. Por kushtet na detyruan të garantojmë unitetin e brendshëm, prandaj vepruam në këtë mënyrë. Lutemi që Ai ta dijë këtë. Admiroj Shkëlqesinë e Tij Gazi dhe veprat e Tij. Thuajini të më pranojë si një vëlla të vogël, të mos më mbajë larg këshillave e paralajmërimeve. Vendin tuaj, që çapitet drejt Perëndimit, e marrim shëmbull për vendin tonë, ju marrim si model” (Po aty).
Po kaq e ngrohtë dhe e frytshme pat qënë edhe paraqitja e letrave kredenciale nga ambasadori shqiptar Xhavit Leskoviku në Ankara, Presidentit Ataturk, në pranverën e vitit 1933.
Në marrëdhëniet shqiptaro-turke filloi një periudhë e re mirëkuptimi e simpatie të ndërsjellë, që vazhdon edhe në ditët tona.



Ledi Shamku-Shkreli

Alfabeti i Shqipes – ende në rrugëtimin e tij europian

Pavarësisht ndeshtrashave historike që shtrënguan rrjedhën e përdorimit publik të shqipes letrare qyshse ajo doli nga prehistoria duke u shfaqë si gjuhë e shkruar, mund të thuhet plot gojë se deri në fillim të gjysmës së dytë të shek. XX, korpi i kësaj gjuhe kish mundur të naltohej vetëm si rezultat i kompromiseve të mëdha të elitave që e lavronin atë. Në themel të këtyre ujdive me rëndësi jetike për gjithë shqiptarët, afërmendsh qëndronte çështja kombëtare. Parsat e lëvizjeve të mëdha kulturore në trevat arbënore jo rrallë lëshuan pjesë nga bindjet e pëlqimet e veta, për ta lënë kulturën shqiptare të rritej pa humbur kohë në ato momente tepër delikate për ardhmëninë e trevave tona, ndër më delikat e historisë së re. Një nga shembujt më domethanës të këtyre kompromiseve kombëtare qe pikërisht Kongresi i Manastirit, për të cilin nuk e teproj po të them se nuk do t’ish përmbushë pa tolerancën historike të Gjergj Fishtës.
Do ndaloj këtu në dy aspekte te cilat kanë pasur ndikim të rëndësishëm në ecurinë e mëtejshme të gjuhës, më pak deri para luftës së dytë, e më tepër pas saj. E para çështje ka të bëjë pikërisht me një lëshim nga ana e përfaqësuesve të koinesë gege, i cili nuk u bë në mënyrë akritike, por për efekt të një kompromisi linguistik e që sidoqoftë nuk duhej të kish pasoja mbi gjuhën e shkrueme a të folme, por do të ish ekskluzivisht i natyrës grafike. Kështu një pjesë e tingujve të toskënishtes si gj e nj, të cilat nuk mund të paraqiteshin me germa teke të alfabetit latin të Manastirit u vendos të paraqiteshim me germa dyshe, të huazuara nga tradita e mëparshme (kryesisht arbëreshe). Kjo përbante një problem të vërtetë për të folunat e lavruara të gegnishtes, pasi për ta grupi gj apo nj përbëhej në realitet nga dy unitete të mëvetësishme në rrjedhë akustike: psh fjala gjuha shqiptohej g’juha (për të shmangur keqshqiptimin, Gazulli p.sh. më pas vendos një ë mbështetëse pazane, e cila nuk shqiptohet, por shërben për të ruajtur ortoepinë gege) apo fjala njeri që në gegnisht shqiptohet gjerësisht n’jeri . Ky ishte një kompromis i madh. Them kompromis, pasi nuk u ndoq e njëjta logjikë për fonemat gege mb, nd, ng. Këto variante tingullore nuk u përfaqësuan me germa dyshe në alfabet dhe Kongresi i Manastirit e la të pazgjidhun këtë problem, duke e pranuar si të tillë, pra si problem. Nëse do të ishin pranuar këto variante me germa dyshe sikundër u veprua me gj dhe nj, atëhere do të kishim mbërritur në një alfabet prej 39-40 germash. Nuk është vendi këtu të analizojmë se çfarë morën në këmbim të këtij kompromisi përfaqësuesit e koinesë gege, por në klimën e një obsesioni të kuptueshëm për unifikim të domosdoshëm të shkrimeve shqipe, u vendos që alfabeti të kishte 36 shkronja që për hir të së vërtetës duhet thënë se ato u përgjigjeshin drejtpërdrejt vetëm 36 tingujve të shqipes. Këtu në të vërtetë u krye edhe një ngatërresë e dytë, pasi u unifikuan germat me grafemat transkriptuese. Për të qenë më të qartë grafema dh përbëhet nga germat d dhe h, por nuk ekziston një germë dh ashtu si në anglisht nuk ekziston germa ph tek phenomen. Kësisoj dh-ja ekziston si grafemë vetëm për ta transkriptuar këtë tingull. Do të konsiderohej germë nëse do të ishtë një germë e ndryshme nga cilado prej germave të alfabetit latin. Në fakt ky rregull nuk u ndoq për tingujt e gegnishtes mb, nd, ng, të cilat u konsideruan nga kongresi si variante të pjesshme të shqipes (koine veriore) të cilave u përgjigjeshin grafemat përkatëse nn ose nd, mm ose mb etj., por nuk morën për shenjues germa apostafat, ashtu sikurse pati dh-ja dhe nj-ja. Nëse do të ishte ndjekur kjo logjikë jo përfaqësuese edhe për variantet tingullore të toskërishtes, do të ish krijuar mundësia që secila prej dy koineve t’i artikulonte këto dy germa gjithë sipas ortoepisë së vet – më konkretisht: toskët gjuri dhe gegët g’juni.

Menjëherë pas Kongresit të Manastirit Anton Xanoni punon Gramatikën Shqyp të cilën e boton një vit më vonë, në 1909 në Shkodër, dhe në njoftimin „Abeçeja e ree vûemun me t’vjetrën“ shënon se në shkrim grupi mb zëvendëson atë mm, grupi nd atë nn etj. Kjo do të risanksionohej vazhdimisht edhe në tubimet e mavonëshme. Aq e vërtetë është kjo sa dhjetë vjet më vonë, në janar të 1918, krahas rregullarizimeve të tjera të natyrës drejtshkrimore e gramatikore, Komisija Letrare Shqipe, në bleun Parime e rregulla – mbi Orthografinë e gjuhës shqipe të shkrueme, në nyjen 4 vendosi se „ tufat e bashkëzânorevet mb e nd do të shkruhen në formën e vjetër të ruajtun në djalektin toskënisht“. Por kjo sikurse u tha edhe më lart nuk kishtë të bënte me shqiptimin, i cili vijonte të ruante veçanësitë e dy koineve. Nëse do të ishte ndjekur ky rregull edhe për fonemat gj e nj, alfabeti do duhet të kish pasur e shumta 34 grafema. Fatkeqësisht, megjithë arritjen e madhe dhe shumë të lëvdueshme që Kongresi i Manastirit pati në unifikimin dhe krijimin e një alfabeti të parë të përbashkët për gjuhën shqipe, pranuar me kohë nga të gjithë, megjithkëtë pra, asnji nga tubimet, konferencat apo kongreset e mëpastajme nuk e ballafaqoi dallimin mes germës dhe grafemës. Ky ishte njëri ndër kompromiset e mëdha të Fishtës.
- Për hatër të kombit, nuk mund të bâhej ndryshe – iu pat gjegjë me këtë rast Fishta qortimeve të Abatit të Mirditës, i cili ia kish besu atij përfaqësimin e Shoqnisë Bashkimi. – E gjithqysh, - shtoi Fishta mandej, jo pa shend – me këtê alfabet giuha shqype vojt kah Prendimi!

Sot, plot njiqind vjet pas kësaj fraze të Fishtës, po e shndroj në pyetje këtë pohim ngazëllyes të tij: A u vazhdua kjo rrugë kompromisesh për zhvillimin e gjuhës shqipe, e cila po ndronte motin, duke hyrë në erën moderne të saj, s’bashku me shqiptarët?

Nëse kompromisi në favor të shqiptimit të toskërishtes do të ishtë ndjekur siç u ndoq deri më Dyzetekatrën nga një tjetër kompromis i elitave kulturore, pra nga zgjedhja e elbasanishtes si variant i përbashkët i shqipes, ndoshta sot pasojat shtrënguese të grafisë mbi shqiptimin do të kishin qenë më të lehta. Porse Revolucioni Kulturor në Shqipëri, zëvendësoi po me revolucion edhe bazën historike të shqipes së përbashkët, duke asgjësuar kësioj vlerën e të gjitha kompromiseve demokratike të elitave tona kulturore në rrjedhë të kohëve. Në këto kushte, anshmëria e alfabetit tonë, e marrë si element jashtëkontekstual, pikërisht se doli jashtë konteksteve të tolerancës ku qe realizuar, shërbeu si element për të mistifikuar dhe keqservirur mjaft nga zgjedhjet e mëpasshme. Në kuadër të këtyre mistifikimeve u pohua pra, se zgjedhja e toskërishtes si bazë e shqipes ish përcaktuar qysh me vendosjen e këtij alfabeti. Dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën e alfabetizimit (shkollimit) masiv të shoqërisë shqiptare. C’dua të them me këtë? Në procese alfabetizimesh masive, shkrimi, siç na ka dëftuar Saussure, fiton një prestigj të epërm e në fakt të pamerituar ndaj gjuhës së folur. Kësisoj edukimi gjuhësor i bashkësisë rrezikon të shndërrohet i gjithë në edukim antidemokratik, nëse shkrimi, gjuha e shkruar është konceptuar si përjashtuese e entiteteve të qenësishme të gjuhës së folur e jo si unifikuese tyre. Në kushte të tilla, një ortografi përjashtuese sikundër është jona, mbështetur mandej në një alfabet, i cili, duke u zhveshur nga zinxhiri i kompromiseve, ka mbetur edhe ai i pjesërisht i anshëm (pikërisht se fort i rënduar), shndërrohen në mjete “armiqësore” ndaj shqiptimeve tradicionale të shqipes, duke i denatyruar apo paralizuar ato. Për efekte të tilla të dëmshme flet edhe Saussure kur shprehet se “tirania e shkrimit vërtet s’njeh kufi: duke iu imponuar shumicës, ajo ndikon mbi gjuhën dhe e ndryshon atë. Të kuptohemi, ndryshimi ndodh vetëm te gjuhët tepër të letrarizuara, ku dokumenti i shkruar luan rol të madh. Kështu, figurat pamore arrijnë deri aty sa të prodhojnë shqiptime krejt të shtrembëra; kemi të bëjmë në thelb me një fakt patologjik. Shtrembërimet fonike që përmendëm, ndonëse kanë të bëjnë me gjuhën, nuk janë të krijuara natyrshëm prej saj, por janë pjellë e një faktori të huaj për të. Gjuhësia duhet t’i shqyrtojë ato si një kapitull më vete: janë të gjitha raste teratologjike”.

Prishjen e këtyre kompromiseve dhe pasojat e një përzjerje filozofike sui generis në përcaktimin e zhvillimeve korrente të gjuhës, përzjerje e cila mori nga kompromiset historike vetëm ato çka i volisnin për të përligjur vendimet e saj mirëfilli ideologjike, të gjitha këto pasoja pra, i parandjenë disa nga mendjet e lira të gjuhësisë sonë asokohe. Për ta mbrojtur gjuhën deridiku nga teratologji të tilla, të cilat do të përjashtonin qoftë nga përfaqësimi e qoftë nga kontributi i vijuar në shqipen e përbashkët plot tre të pestat e bashkësisë shqipfolëse brenda dhe jashtë kufijve tanë të sotëm shtetërorë, këto mendje sugjeruan që drejtshkrimi i shqipes të përcaktohej jo dhe aq si drejtshkrim fonetik, por ma fort si drejtshkrim fonematik (thënë ndryshe fonologjik). Në këtë sugjerim ata kishin pasur parasysh se fonologjia i kthen sytë nga gjuha e folur dhe nga rrjedhat e saj, të cilat përveçse më konservatore, janë edhe më të natyrshme. Po të ish pranuar një sugjerim i tillë, ndoshta mund të ish shtruar qysh atëherë për zgjidhje çështja e grafemave të alfabetit, në kushtet e një baze të re dialektore e cila përforcohej nga anshmëria grafike. Natyrisht që sugjerimi për drejtshkrim fonematik nuk u pranua, e madje edhe kërkesa për drejtshkrim fonetik u kompromentua fort nga ndërhyrje subjektive me përligjie etimologjike apo morfologjike. Të gjitha këto sollën frenimin e pasurimit të shqipes dhe pamundësinë e një mase të madhe shqipfolësish për të kontribuar në zgjerimin e vijuar të këtij mjeti të përbashkët komunikues.

Alfabeti ynë, i cili zgjodhi Europën njëqind vjet më parë, duhet të vijojë të europianizohet, duke ruajtur kësisoj lidhjet e natyrshme historike të gjuhës shqipe me simotrat e saj, lidhje që janë krijuar gjatë bashkëjetesës së saj në familjen e gjuhëve indoeuropiane. Ky përditësim alfabetik në fakt duhet të kishte ndodhë sinkron me të tjerët, pas luftës së dytë botërore, atëherë kur shtetet rrotull nesh nisëm punën për modernizimin e kulturave të tyre dhe përhapjen e tyre në popull po me mjete moderne, që domethënë edhe demokratike. Ndërsa te ne ky zhvillim u step, madje në do fusha që përkonin me çështje të mendimit e të trashëgimisë, ndër të cilat ajo e gjuhës është e tillë par exellence, në këto fusha pra u shënuan hapa prapa. Ky alfabet duhet të lehtësohet, duke ndjekur rrjedhat e kohës, pa hequr dorë natyrisht nga thelbi i tij. Për t’i çelur rrugë historisë të vërshojë sërish në gji të shqipes së përbashkët e ta shndërrojë atë me kohë nga gjuhë e drunjtë siç është sot në përftesë të natyrshme e të vetvetishme të evolucionit, them se njëra nga ndërhyrjet në punë të gjuhës duhet të jetë edhe thjeshtimi i alfabetit, pa I hequr asjnë germë të qenësishme atij. Sikurse kanë bërë me grafitë e veta edhe popujt e tjerë rrotull nesh, madje edh etash së fundi (Gjermania, Greqia, Franca, etj).
Gjuhët neolatine apo gjermanike i kanë mëse të thukëta alfabetet e tyre; për pasojë variantet e ndryshme tingullore realizohen lirshëm në rrjedhën e të folurit përmes ligjësive fonologjike të bashkëveprimeve në zinxhirin akustik. Nuk ka një germë më vete për të treguar sh-në, apo xh-në në italisht, apo sh e ç në gjermanisht. Kombinimi në zinxhirin shkrimor i vetëm 21 germave jep spektrin e variacioneve fonematike të gjuhës italiane. E po ashtu realizojnë më së miri këtë spektër artikulimesh edhe 26 germat e thjeshta të frengjishtes, 26 të anglishtes etj. Dhe po ta mendosh pak më hollë këtë çështje, kupton edhe më tepër; kupton se në gjuhë s’ka thjesht tinguj, por shtrirje tingujsh në rrjedhën e folur. Nuk janë tingujt ata që i hasim pikësëpari; rrokja shfaqet më drejtpërdrejt se tingujt që e përbëjnë. Nërkohë që grafia e sotme pengon një realizim të tillë fonik, në të folmet vulgare ato vijojnë të ndodhin, porse pikërisht prej lidhjeve të ngurta e pjesërisht të anshme që ka ngulitur në alfabet prania e disa grafemave transkriptive bri germave të thjeshta, këto kombinime të lira të rrjedhës së folur sot nuk mund të përfaqësohen dot përtej cakut të vulgares. Kjo na kujton atë që thotë Saussure: Ta zëmë se një kordë e pianos është çakorduar: sa herë që ta prekim duke ekzekutuar një melodi, do të na dalë një notë e gabuar, po ku? Në vetë melodinë? Sigurisht që jo; nuk është prekur melodia; është dëmtuar vetëm pianoja. Po kështu ndodh edhe në fonetikë
Gjuhët e mëdha rrotull nesh i kanë thjeshtuar kohë pas kohe alfabetet e veta, gjithë sipas logjikës që kombinimet fonike të përcaktohen nga tingujt, jo nga fotografia e tyre, pra nga shkronjat. E kanë bërë këtë edhe gjuhë të mëdha si anglishtja e gjermanishtja. Madje për këtë të fundit kujtoj këtu se reforma e mbrame në alfabet u krye vetëm pak vjet më parë.

Thjeshtimi i alfabetit tonë pa humbur asnjë nga vlerat e tij mbetet nje çështje që duhet riparë, pasi prej mëse një shekulli nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje modernizuese në këtë alfabet, i cili gjithsesi edhe atëherë u vendos në kushtet e një trysnie të madhe të çështjes së pajtimit kombëtar. Thjeshtimi i alfabetit tonë, duke lënë në të vetëm germat e thjeshta teke, jo vetëm ruan ortoepinë e gjuhës standarde, por nuk trys artificialisht të folmet gege, të cilat bashkimet e germave dhe shndrimet e tyre në tinguj e rrokje mund t’i kryejnë më pas sipas ligjësive të veta, siç ndodh gjithkund në botë. Kështu format nuk denatyrohen, kështu shkrimi dhe shqiptimi marrin secili peshën që u takon. Pse e kërkoj rivendosjen e ekuilibrit mes pozitës së shkrimit dhe pozitës së shqiptimit? E kërkoj në dobi të evolucionit të natyrshëm diakronik të gjuhës sonë, ngase, sikundër thotë Saussure “gjithë ç’është diakronike në gjuhë, është e tillë vetëm përmes të folurit”.