ETËRIT E BALLKANIT - Cleopa: Ju hëngërt Parajsa!



(Părinţii din Balcani. Cleopa: Mânca-v-ar Raiul!)


Murg ortodoks rumun (10 prill 1912, Botoshan - 2 dhjetor 1998, Manastiri Sihastria), zë dhe mishërim i jashtëzakonshëm i Besimit të Drejtë, drejtues manastiresh dhe ndërgjegjjesh, autor i një numuri të madh librash kushtuar vizionit të ortodoksisë mbi botën. Tejet i pranishëm edhe pas vdekjes trupore, përmendet shpesh për urimin e tij të veçantë: Ju hëngërt Parajsa!, me të cilin priste e përcillte dhjetramijëra njerëzit që i drejtoheshin për një këshillë gjatë më shumë se një gjysmë shekulli shërbese.
Si edhe më parë, Revista Haemus do të sjellë në faqet e saj pjesë të zgjedhura nga mendimi dhe përjetimet e aq shënjtorëve ballkanas, që, për arsye tashmë të stërnjohura, vazhdojnë të lihen në hije.


Dështimi, ose vrasja e foshnjave

(Avortul sau uciderea bebeluşelor)



Me dështim kuptohet vrasja e foshnjave në bark të nënës me gjithfarë mjetesh. Ngaqë foshnja ka shpirt të gjallë, krijuar nga Zoti qysh në ngjizje, dështimi luftohet nga Kisha dhe nga Etërit e Shenjtë me aq forcë, sepse vritet jeta, humbet shpirti, sa i atij që vritet, aq edhe i atij që kryen vrasjen dhe shkel porosinë e Zotit, që thotë: „Rrituni dhe shtohuni” (Zanafilla 1, 28). Shkelet edhe urdhëresa V e Dekalogut: „Mos vrit”. Përmes dështimit kërcënohet jeta në tokë, shkelet urdhëresa e dhënë nga Zoti në Parajsë, u bëhet atentat më të pafajshmeve qënie njerëzore, që janë fëmijët; rrënohet familja, sëmuret mbarë shoqëria dhe vijnë mbi fajtorët më të tmerrshmet ndëshkime të perëndishme, sa në jetë, aq edhe pas vdekjes. Më tej: shpirtrat e foshnjave të dështuara, duke mos qënë të pagëzuar, nuk mund të hyjnë në Mbretërinë e Zotit, por presin ditën e frikshme të gjykimit, kur ata vetë do t’i paditin prindërit që i vranë, para Gjykatësit të Drejtë Jezu Krisht.
Jap se dështimi është krim, pra vrasje njeriu, dhe dënohet me gjithë fuqinë nga Kisha dhe përfaqësuesit e saj.
Gratë që dështojnë foshnjat, pavarësisht nga mjetet, quhen fëmijë-vrasëse, jo nëna, dhe marrin ndëshkime të rënda në këtë jetë. Ja çfarë thonë kanunet e Etërve të Shenjtë për mëkatin e vrasjes së foshnjave: „Grave që mëkatojnë duke vrarë foshnjat në bark, t’u ndalohet, në përputhje me vendimin e marrë më parë, kungimi para daljes nga kjo jetë. Por duke përdorur dashurinë ndaj njeriut, siç mësuam, vendosim që kungimi t’u ndalohet për dhjetë vjet” (Ancira 21). „ Gratë që shpërndajnë ferra helmatisëse dhe shkatërrimtare, sidhe ato që marrin helme foshnja-vrasëse, t’i nënshtrohen kanunit prej 20 vjetësh të vrasësit” (VI Ekumenik, 91; Shën Vasili i Madh, 56). „Gruaja që pi barna për të humbur frytin e trupit dhe për të mos lindur fëmijë, të kryejë pendesë për pesë vjet me radhë, me nga treqind falje në ditë. E nëse do të bëjë edhe burri ashtu, më keq është. Kisha të mos ia pranojë bukën e ndorme e as të mos e dëgjojë në mos u pendoftë” (Rrefulli Kishtar, Govora, 20). „Nëse gruaja do të ngjizë e do të pijë diçka për ta ndërprerë fillimin e shtatzanisë së vet, të pendohet për tetë vjet dhe të bëjë 367 falje në ditë; në ndodhtë të vdesë, të mos varroset në varrezë” (Ibidem, 115; ndreqja e Ligjit, kapitulli 364). „Gruaja që e ka humbur foshnjën pa dashje, një vit pendohet sipas rregullit” (Shën Gjoni i Kreshmës, kapitulli 22). „Gruaja që ka lindur në udhë e nuk është kujdesur për foshnjën, t’i nënshtrohet fajit të vrasësit” (Shën vasili, 33)

Fëmijët që vdesin të papagëzuar, për shkaqe që nuk varen nga prindërit e nga priftërinjtë, mund të konsiderohen pjesëmarrës në pagëzimin e dëshiruar, si të drejtët e Dhjatës së Vjetër, ose përmes analogjisë me shërimet që kreu Jezu Krishti pas lutjes së prindërve a të miqve. Se Zoti nuk e ndëshkon të pafajshmin, përkundrazi, sepse Ai e ka krijuar njeriun për lumturi. Sidoqoftë, prindërit e fëmijëve do të rrëfehen dhe atyre do t’ju caktohet një kanun në përputhje me kujdesin apo mospërfilljen e tyre. Domethënë: të pagëzojnë, ose të rritin një fëmijë të varfër, të shkojnë në një vend të shenjtë, të japin mëshirë, të falen, të mbajnë kreshmë etj. Ja çfarë thotë Shën Kirili i Jeruzalemit në Katehezën e III-të, kapitulli 10: „Nëse ndokush nuk pranon pagëzimin, nuk shpëtohet, me përjashtim të martirëve, që hyjnë në Mbretëri edhe pa ujë (pagëzim). Shpëtimtarit, kur e shpëtoi botën përmes Kryqit dhe kur E shpuan me ushtë në brinjë, i rodhi gjak dhe ujë, që të pagëzohen më gjakun e Tij ata që pagëzohen në kohën e përndjekjeve. Shpëtimtari e quan martirizimin pagëzim (Marku 10, 38), sepse thotë: „Martirët e dhanë dëshminë e besimit, duke u kthyer në pasqyrë të botës, ëngjëjve dhe njerëzve (Korintasit 4, 14). Sinodi i IV Ekumenik, në kanunin 83, thotë: „Të vdekurit nuk mund të pagëzohen, siç edhe nuk mund të kungohen”. Pra, fëmijët e dështuar, të lindurit pa kohë, të humburit pa dashje, ose ata që vdesin menjëherë pas lindjes pa marrë pagëzimin, nuk mund të pagëzohen assesi pas vdekjes, sepse nuk janë më të gjallë. As nuk mund të përmenden në Kishë, sepse nuk janë të pagëzuar dhe nuk kanë emra. Ata nuk janë antarë të Kishës së Krishtit. Për ata që janë vrarë nga prindërit, me vetëdijë, e gjithë përgjegjësia mbetet mbi prindërit. Në Rregulltarin Kishtar të Arkimandritit Nikodim Sakelari, kapitulli 178, lexojmë të mëposhtmet lidhur më këtë çështje: „Për fëmijët e dështuar dhe që vdesin të papagëzuar nuk gjendet askund mësim, as në Shkrimin e Shenjtë, as në Etërit e Shenjtë, sepse jeta e njerëzve, sa e të pjekurve, aq edhe e jokrishterëve, është në dorën e Krijuesit të tyre, I Cili nuk mund të detyrohet ta zbulojë krejt qëllimin e Vet të perëndishëm para vdekatarëve, teksa këta s’kanë pse të njohin atë që nuk iu vlen. Kuptohet që Zoti nuk i ndëshkon ata që nuk njohin ligjet e as fëmijët e papagëzuar. Përkundrazi. Ai e ka krijuar njeriun për lumturi dhe fëmijët që nuk kanë mundur ta përdorur vullnetin e tyre të lirë për synimin për të cilin është krijuar njeriu, Ai i lumturon, ashtu sikurse edhe ata E lavdojnë përa të ekzistencë dhe për lumturinë e natyrshme të krijimit. Kësisoj ata renditen në lumturinë e natyrshme të krijimit e jo në atë të shpërblimit sipas meritave, sepse nuk kanë bëma të virtytshme”.
„Lumturinë e natyrshme e jep Zoti, drejtpërdrejt e nevojshëm, pa qënë nevoja për mundin e njeriut, e as që është nevoja të flitet për të mes njerëzve. Vegimi hyjnor na tregon vetë matë lumturi ku njeriu mund të japë ndihmesë”. (II Korintasit 12, 4; Zbulesa 21, 22). Rregulltari i Matei Basarabit, në kapitullin 53, shprehet për fëmijët e papagëzuar: „E sa foshnja të krishterëve vdesin të papagëzuar, gjithashtu edhe foshnjat e paganëve, ato nuk shkojnë as në Mbretërinë Qiellore, as në mundime, por vetëm në një vend të ndritshëm. Gjatë pagëzimit hapen qiejt që pat mbyllur Adami me mosdëgjesë dhe që mbeten mbyllur derisa erdhi Zoti ynë Jezu Krisht e fali dhuratën e Pagëzimit të Shenjtë në botë”. (Ibidem, 154).