1. Meqënëse shumë herë keni dashur të dini se çfarë është ligji i perëndishëm, për të cilin na flet Apostulli i perëndishëm (Romakët. 7,14), cila është dija dhe puna e atyre që duan ta ruajnë, do të flasim pikërisht për këto, aq sa kemi mundësi.
2. Para së gjithash dimë që Perëndia është fillimi, mesi dhe fundi i çdo të mire; ndërsa e mira nuk mund të besohet dhe as të kryhet ndryshe përveçse përmes Jezus Krishtit dhe Frymës së Shënjtë.
3. Të gjitha mirësitë na i ka falur Perëndia me një pikësynim të caktuar dhe ai që e merr me besim, nuk ka për ta humbur.
4. Besimi i palëkundur është një kalà e përforcuar. Ndërsa Krishti i sjell gjithçka atij që e beson.
5. Çdo plan tëndin ta nisësh ne Atë që është fillimi i të gjitha mirësive me qëllim që ajo që do të bësh të jetë sipas vullnetit të Perëndisë.
6. Ai që është i përvuajtur në përsiatjen e vet dhe përmbush një detyrë të perëndishme, kur lexon Shkrimet e perëndishme, të gjitha i lidh me veten, jo me të tjerët.
7. Lutju Perëndisë të t’i hapë sytë e zemrës sate dhe ke për të parë dobinë e lutjes e të leximit.
8. Ai që ka ndonjë dhunti të perëndishme dhe vuan bashkë me atë që nuk ka të tillë, e ruan dhuntinë falë vuajtjes së përbashkët; ndërsa mendjemadhi ka për ta humbur duke u zhytur në mendimet e mashtrimit.
9. Goja e të përvuajturit në përsiatje thotë të vërtetën; ndërsa ai që i kundërvihet ngjason me shërbëtorin që ka goditur me shuplakë Perëndinë.
10. Mos u bëj nxënës i atij që vetëmburret ngaqë në vend të përvuajtjes mund të mësosh mburrjen.
11. Mos kujto se i kupton Ato që thonë Shkrimet e Shenjta që të mos biesh pre e ligësisë.
12. Mos u përpiq ta zgjidhësh me grindje një gjë të ngatërruar, por me anën e atyre që tregon ligji i shënjtë, pra me durim, me lutje dhe me shpresën e cila vetëm për atë gjë mendon.
13. Ai që lutet me trup dhe ende nuk ka ndërgjegjje shpirtërore, është si i verbri që bërtet: „O bir i Davidit, mëshiromë”.
14. I verbri i dikurshëm, kur ia çelën sytë dhe shikoi Perëndinë, duke iu përulur Atij, nuk e quajti më bir i Davidit, por Bir i Perëndisë.
15. Mos u ngri kur derdh lotë gjatë lutjes, sepse Krishti është Ai që t’i ka prekur sytë që të mund të shohësh me mendje.
16. Ai që, ashtu si i verbri, i ka zhveshur rrobat dhe i është afruar Perëndisë, bëhet nxënës i Tij dhe përhapësi i mësimeve më të epërme.
17. Pot të vonohet mëkati në mendimet tona, do të na e mbushë zemrën me arrogancë, ndërsa po ta dëbojmë me vetëpërmbajtje dhe me shpresë, do të fitojmë dërrmimin e zemrës.
18. Është një dërrmim zemre i butë dhe i dobishëm, që e zbut atë. Ekziston edhe një tjetër i mprehtë dhe plagues, që e ndëshkon atë.
19. Vigjëlimi, lutja dhe durimi ndaj telasheve që na pllakosin, i sjellin zemrës dërrmim të parrezikshëm dhe dobiprurës në rast se nuk u bëhemi shok në lakminë ndaj diçkaje. Sepse ai që duron telashet dhe të tjera, do të ndihmohet; mospërfillësi dhe bashkëfajtori, me të dalë nga trupi, do të vuajë tmerrësisht.
20. Zemra e dhënë pas kënaqësive, në kohën e daljes i bëhet shpirtit burg dhe zinxhir; ndërsa ajo që i do lodhjet, e ka derën të çelur.
21. Zemra e ashpërsuar është derë me lloz të hekurt para kështjellës; ndërsa atij që vuan nga keqdashja dhe nga shtrëngesat, i hapet vetvetiu, njëlloj si Pjetrit (Bëma 12,10).
22. Të shumta janë llojet e lutjeve, njëra më e veçantë nga tjetra. Sidoqoftë, asnjëra nuk është dëmtuese, përveç asaj që nuk është më lutje, por punë djallëzore.
23. Një njeri që ka dashur të bëjë keq, është lutur, sipas zakonit, fillimisht mendërisht, duke qënë i penguar të gëzojë kujdesin e Perëndisë, më pas e ka falenderuar shumë.
24. Ndërsa Davidi duke dashur ta vrasë Nabalin e Kërmeit, pasi u njoftua për shpërblimin e perëndishëm, duke hequr nga ai mendim, falenderoi shumë. E dimë, gjithashtu, çfarë bëri kur e harroi Perëndinë dhe nuk u ndal derisa orakulli Natan nuk ia kujtoi Perëndinë.
25. Kur Shkrimet e perëndishme përsiatin rreth atyre që fshihen brebnda tyre; „se më të parat janë shkruar, të gjitha - thotë - për të na mësuar neve janë shkruar”.
27: Shkrimi i Shënjtë e quan besimin „themel të gjërave që ke shpresuar” (Hebrenjtë 11,1); ndërsa ata që nuk e njohin mirësinë e Krishtit, i ka quajtur të pasprovuar.
28. Ashtu si nga fjalët dhe sendet duket mendimi, po ashtu nga bëmat e mira të zemrës shihet shpërblimi i ardhshëm.
29. Zemra e gjerë duket qartë që do të mëshirohet; ndërsa ajo që nuk është e tillë, do të ketë të kundërtën.
30. Ligji i lirisë na mëson krejt të vërtetën. Shumëkush këtë e di nga njohuritë; por pakkush e kupton, sepse të kuptuarit është gjithmonë në përpjestim të drejtë me përmbushjen e porosive të saj.
31. Mos e kërko përsosmërinë e saj përmes virtuteve njerëzore, sepse nuk ka për të ardhur përsosmëria përmes tyre. Përsosmëria e saj rri e fshehur në kryqin e Krishtit.
32. Ligji i lirisë njihet nëpërmjet dijes së vërtetë; njihet përmes punës së porosive; dhe përkryhet falë mëshirës së Krishtit.
33. Kur do të përpiqemi të përmbushim me ndërgjegjje të gjitha porositë e Perëndisë, do të kuptojmë se ligji i Perëndisë është pa të metë; se jetësohet përmes bëmave tona të mira, por pa mëshirën e Perëndisë nuk është e mundur të përkryhet nga njerëzit.
34. Ata që nuk mendojnë se i detyrohen krejt ligjit të Krishtit, e njohin trupërisht ligjin e Perëndisë, „pa kuptuar as ato që thonë dhe as ato që thonë me zë të lartë”. Prandaj ata mendojnë se po e jetësojnë ligjin e përkryer përmes bëmave.
35. Një gjë mund të kryhet mirë në dukje, por qëllimi i atij që e ka kryer nuk është i mirë. Gjithashtu, mund të jetë i keq në dukje, por pikësynimi i atij që e ka bërë, mund të jetë i mirë. Por disa nuk kryejnë vetëm bëma, por edhe fjalë në kuptimin që po i përmendim. Sepse disa e ndryshojnë cilësinë e një sendi për shkak të pamençurisë dhe padijes së tyre, të tjerë për shkak të qëllimit të keq, ndërsa të tjerë ende për shkak të përkushtimit.
36. Atë që e fsheh shpifjen dhe fyerjen duke vënë përpara lëvdatat, të thjeshtët e zbulojnë me vështirësi. Njëlloj si ky është edhe ai që, nën pamjen e përvuajtur, është plot lavdi të rreme. Duke mbuluar për një kohë të gjatë të vërtetën me gënjeshtër, më në fund dalin zbuluar për shkak të bëmave të tyre.
37. Dikush që bën një veprim të mirë në dukje, e dëmton të afërmin e vet; ndërsa një tjetër që nuk bën një veprim të atillë, e ndihmon me mendimin.
38. Ka një qortim që bëhet nga keqdashja ose nga hakmarrja, ka edhe një tjetër që bëhet nga frika prej Perëndisë dhe për hir të së vërtetës.
39. Atë që ka hequr dorë nga mëkatet dhe është penduar, mos e shaj; po qe se thua se po e shan për hir të Perëndisë, më parë zbulo mëkatet e tua.
40. Fillesa e çdo virtuti është Perëndia, ashtu si dielli i dritës së gjithëditëshme.
41. Kur bën gjëra të virtutshme, kujto Atë që ka thënë: „Pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjoni 15,5).
42. Me anë të telasheve i kanë gatuar njerëzit të mirat, ashtu sikurse të këqiat i kanë gatuar përmes lavdisë së rreme dhe kënaqësive.
43. Atij që njerëzit i kanë bërë padrejtësi, shpëton nga mëkati dhe masa e mllefit të tij gjen mbështetje kundër atij vetë.
44. Ai që beson në shpërblimin e Krishtit, i duron me gëzim gjithë padrejtësitë.
45. Ai që lutet për njerëzit që i bëjnë padrejtësira, i tmerron djajtë; ndërsa ai që lufton me të parët, plagoset nga të dytët.
46. Është më mirë të vihemi në lojë nga njerëzit se sa nga djajtë; Por ai që është pëlqyer nga Perëndia, i ka mposhtur të dyja palët.
47. Gjithë mirësitë na vijnë nga Perëndia, sipas një rregulli të caktuar dhe largohen pa rënë në sy nga të pakënaqurit, nga mosmirënjohësit dhe nga përtacët.
48. Krejt mëkati ndalet në kënaqësinë e palejueshme, ashtu sikurse çdo virtut ndalet në një ledhatim shpirtëror. Nëse e frenon të parën, ngjall të vetat; ndërsa po ta frenojë të dytën, të njëjtën bën me ato që ngjajnë me të.
49. Fyerja që vjen nga njerëzit sjell trishtim për zemrën, por bëhet shkak për pastrimin e atij që e duron.
50. Mosdija çon në kundërvënie ndaj atyre që janë të dobishme dhe, pa iu skuqur fytyra, e shumon numurin e mëkateve.