Në Shqipëri nuk
ka pasur kurrë një letërsi të mirëfilltë erotike, por vargje të kamufluara me erotizëm.
Ne nuk kemi pasur kurrë një letërsi të mirëfilltë erotike, por vargje të
kamufluara me erotizëm që nga Koliqi, Anton Pashku, Jeronin De Rada, Mitrush
Kuteli etj. Është e vërtetë që letërsia shqipe ende nuk ka krijuar figura
letrare të diskursit të dashurisë ose mite letrare si Helena, Beatriçja, apo
Don Zhuani. Megjithatë, në letërsinë shqipe ekzistojnë figura letrare erotike
që pretendojnë të bëhen mite të erotizmit.[1]
Letërsia shqipe nuk e ka trajtuar kurrë erotizmin
mirëfilltazi, nuk e ka sjellë atë asnjëherë në formën e tij të plotë, përveç se
përmes vargjeve.
Padyshim, erotika
shqiptare, fundja si edhe çdo lirikë tjetër erotike, ka veçantitë dhe
specifitetet e veta, që janë pasojë e rrethanave dhe kushteve në të cilat lindi
dhe u zhvillua ajo. Pavarësisht se lirika erotike e traditës nuk mund të
krenohet me dominim mbi llojet e tjera letrare, fakt është se ajo nuk i ka
munguar letërsisë shqipe edhe përkundër mënyrës më të frenuar të shprehjes që,
fundja, është në përputhje me normat morale që ekzistonin në një ambient
patriarkal siç ishte ambienti shqiptar. Nuk është e vështirë të vërehet se edhe
në periudhat historike që shtronin si
kërkesë seriozitetin e zgjidhjes së çështjes kombëtare, pavarësisht se,
siç edhe mund të pritet, ka dominuar lirika
patriotike, lirika erotike, megjithatë, nuk ka munguar.
Në periudhën e
romantizmit shqiptar, lirika patriotike dhe ajo erotike, sidomos në letërsinë e
arbëreshëve të Italisë, shpesh paraqiten të gërshetuara edhe pse në raste të
tilla theksi vihet në lirikën patriotike, meqë heronjtë e romantizmit arbëresh
nisen nga motoja e njohur ‘për dashurinë jap jetën, për lirinë jap dashurinë’.
Si rrjedhojë, veprat e arbëreshëve kanë fund tragjik, meqë mbretëron bindja se
njeriu nuk mund të gëzojë lumturinë personale në një kohë kur atdheu është në
robëri. [2]
Por, më shumë se sa në letërsinë e mirëfilltë,
erotizmi është trajtuar në traditën orale dhe në poezitë e bejtexhinjve.
Fryri er’ e
malit,/Ngriti shur prej lumi,/Mamudi të thirra,/Të nqova ngaj gjumi;/laj syt’ e
zezë,/me shkumë sapuni,/Mamudi të thirra,/të nqova ngaj gjumi;/Pa më merr
ombrellkën,/pa më dil ngaj lumi,/ Mamudi të thirra,/të nqova ngaj
gjumi;/çorapet e verdha,/vijat gushëpëllumbi,/Mamudi të thirra,/ të nqova ngaj
gjumi;/ t’u shkurtua fustani, të vajti ne
gjuri,/Mamudi të thirra, të nqova ngaj gjumi/ [3].
Pra, edhe pse erotizmi në letërsinë shqiptare është
diçka e kamufluar, e fshehur e gati e munguar ndër vite, kjo nuk do të thotë se
e njëjta gjë është në gjithë shoqërinë e traditën shqiptare. Ky nuk është
fenomen i botës shqiptare por i letërsisë shqiptare.
Xullufet e tua
lulet e symbylit,/je vetë bukuria e kopshtit ku ke hyrë,/pra ka hak bylbyli të
shikonjë me sy,/ta lerë trëndafilin, të këndonjë për ty./Të këndonjë për buzëtë
të kuqe shafran,/të këndonjë për ballin që nuk zihet kurrë,/të këndonjë për
vetullat të shkruar gajtan,/qepallat si shigjeta, sytë me nurë./ Të këndonjë
për qafën, të këndonjë për supat,/për krahët e llërët, drite dhe ergjënd…[4]
Apo
Në ëndërr të
gremisunë,/në ëndërr m’u shty një sevda:/Mahmudeja e stolisurë,/mjeri unë, po
heq xhefa./Këjo sevdaja e insanity/gjallë njerinë ç’ë përvëlon;/Mahmudeja e
Sulejmanit/me gazep sokakut shkon./Jelek kadife veshurë,/si mos njeri në këtë
dhe,/me buzë duke qeshurë,/ç’të ka hije, moj Mahmude![5]
Ashtu siç thamë, poezia e bejtexhinjve dhe
veçanërisht tradita gojore është e mbushur me erotizëm të pastër, ku i vetmi
fanatizëm tek kjo e dyta, duket të jetë puritanizmi në promovimin e traditës.
Ditën e shtunë
nga ana e dhëndrit shkonin tek nusja shumë gra. Midis këngëve dhe valleve të
ndryshme, dilte nusja duke qarë. Atë e shoqëronin dy gra. Pasi e linin ta
shikonin, nusen e futnin përsëri brenda. Pas kësaj ceremonie vinte çasti më i
rëndësishëm. Dy gra dilnin në mes të oborrit, me legen, pambuk, ibrik dhe këna.
Është çasti kur nusja do të lyejë gishtat me këna. Kur kënaja është bërë gati,
nusen e sjellin përsëri dhe e vendosin pranë vendit ku përgatit kënaja.
Ndërkohë, njëra nga gratë, i merr një gisht, të cilin nusja nuk do ta afrojë,
dhe duke belbëzuar fjalë të ndryshme me humor ia lyen me këna. Pikërisht gjatë
kësaj kohe këndohej kënga: Erdh kënaja me t’u vu/ ty moj bija, bija ime/ vene
se t’ka hije/ ty moj bija, bija ime…/
Tek shtëpia e
nuses, ata priten nga të afërmit e nuses dhe të ftuarit e shumtë që kanë ardhur
të presin krushqit. Gjatë kësaj kohe këndohet kjo këngë: U shyqyr që sosi
nusja/ Marshalla nuse që qeka/ Hyni nusja në shtëpi/ Shtati saj si selvi…/ etj.[6]
Nër mafes, mori
nuse, nër mafes,
Sojt e larëm
çerpëjkt e zes,
Sojt e larëm çerpëjkt me rrema,
Lum konaki si po t’shtij mrena![7]
Në këngët kur hyn dhëndri me
nusen apo këngët që këndojnë motrat për dhëndrin, kur lyhet nusja me këna apo
kur vajza dorëzohet nuse etj., erotizmi vjen i shfaqur në mënyrë të pranueshme,
të mirëpranuar nga të gjithë, i pastër, i plotë edhe pse me puritanizmin që
thamë në promovimin e traditës.
Nga këngët e dasmës, më të pasurat dhe më të prekshmet janë padyshim
këngët e kënasë, të njohura dhe me emrin këngë të kanagjeqit. Këndohen
kryesisht ndërsa kryhet rituali i lyerjes së flokëve si dhe i gishtave e i
shuplakave të duarve me këna, të enjten e dasmës paradite, dhe vazhdojnë të
këndohen gjatë tërë asaj dite e pjesërisht dhe të nesërmen.[8]
Prekja e tabusë këtu bëhet në
mënyrë të natyrshme dhe nuk shihet ajo ngurtësi
ndaj erotizmit që mund ta hasim në letërsinë e shkruar të traditës.
Ma njish brezin
moll më moll,/O dhanër-o! (Refren)/Unë kërkoj vetëllholl,/Vetëllholl
kimetlie;/Du dyshek pa ra jerie,/Ta bëjmë sefte un e ti.[9]
Me këngët e
gjerdekut i përcjellin në mbrëmje dy të rinjtë në dhomën e tyre, duke u uruar
fillimin e një jete të përbashkët plot lumturi. Shprehet në këto këngë dhe
gëzimi i prindërve e i motrave të dhëndërit, si dhe kënaqësia e qiftit
bashkëshortor pas njohjes së tyre të drejtpërdrejtë. Njëkohësisht, me
intonacione alegoriko-humoristike jipen udhëzime apo bëhen dhe përshkrime gjer
diku liçencioze dhe gaztore.[10]
(Vijon në Revistë)
[1] Sabri Hamiti, Konferenca
e parë shkencore ndërkombëtare “Erotizmi në Letërsinë shqiptare” - nëntor 2011;
gazeta “Mapo”, 21/11/2011
[2] “Femra në poezinë shqipe
të decenieve të para të shek. XX”; Mirlinda Krifca-Beqiri; Revista
Albanologjike 1; Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të
Shqiptarëve; Shkup 2009; f. 130 .
[3] Fryri er’ e malit, Këngë popullore dashurie, Instituti i Folklorit,
Tiranë 1965, f. 49-50.
[4]Bandilli
i djegurë -
(fragment), Sulejman Naibi, Dh. S. Shuteriqi etj., Historia e letërsisë shqipe I-II, Prishtinë, 1975, f. .206.
[5] Po atje, f. 205.
[6]Studime
Filologjike-1,
Viti 1979, Hysen Filja, f. 120, Akademia e Shkencave e RPSSH- Instituti i
Gjuhësisë dhe i Letërsisë.
[7] Nër mafes mori nuse, 250 këngë popullore dasme, Instituti i
Folklorit, Tiranë 1966, f. 10.
[8] Këngë dasme-1, Anton Çetta- Parathënie; Instituti Albanologjik i
Prishtinës, Prishtinë 1980, f. 12.
[9] Ma njish brezin moll më moll, 250 Këngë Popullore Dasme, Instituti
i Folklorit, Tiranë 1966, f. 55.
[10] Këngë dasme-1, Anton Çetta- Parathënie; Instituti Albanologjik i
Prishtinës, Prishtinë 1980, f. 17.