Eminesku në kujtimet e disa bashkëkohësve (Eminescu în amintirile unor contemporani)

Kishte një zë të thellë, muzikor, hijesuar nga një surdinë e ëmbël, që u jepte fjalëve të tij një drithmë të veçantë, misterioze, sikur vinin nga larg, nga një botë e panjohur për ne”, shkruante Alexandru Vlahuță për Emineskun aktor dhe sufler.

Gazetari Teleor sjell një rrëfim të një aktori të trupës së Iorgu Caragiale-s (xhaxhai i dramaturgut të shquar Jon Luka Karaxhale) quajtur Gavaneascu, të cilin Iorgu e dërgon në Portin e qytetit Xhurxhu (Giurgiu) për të gjetur ndonjë të ri të ditur, që di shkrim e këndim, se i nevojitej një sufler. "Të këpuste shpirtin, tregon Gavanescu. Mbante njëpalë këpucë prej leshi dhe një xhekatë të shkurtër prej cohe të rëndomtë. As këmishë, as çorape, asgjë… Iorgu Caragiale e punësoi sufler. Ishte djalë tepër i zgjuar Eminesku, mbase më i zgjuar nga ç’duhet". (D. Teleor, Eminescu intim, 1904)


Për kohën kur Eminesku ishte sufler në Teatrin Kombëtar kemi të dhëna edhe nga poeti Ștefan Cacoveanu: “Oda e Emineskut, me një dritare të vetme, ishte nja pesë hapa e gjatë… kur hyje brenda, majtas derës ndodhej një furrë e vogël prej tullash. Dy pëllëmbë nga furra, përgjatë murit majtas, gjendej një divan që shërbente edhe si shtrat; aty flinte Eminesku, me këmbët drejt furrës, pa u mbuluar me gjë. Divani pat qënë dikur i kuq, por tani qe çngjyrosur krejt. Përballë divanit ishte një tryezë e vogël prej bredhi, ndërsa në anën tjetër të saj: një karrike po prej bredhi, e palyer, si tryeza. Librat i mbante të përhapura në dysheme, që nga dritarja e deri tek tryeza… Mbi tryezë: gjithfarë letrash të shkruara e të pashkruara. Kishte një makinetë për kafe, sheqer, fletore në rrëmujë të madhe. Oda nuk para qe e pastruar; nëpër qoshet e saj shiheshin merimanga, si në poezinë Vetmi”. (Ștefan Cacoveanu – Eminescu în anii 1868-1869)
Cacoveanu dëshmon se askokohe Eminesku nuk pinte, nuk tymoste, nuk luante me letra, nuk para vuante për shkak të grave, se mjeshtëria e suflerit i pëlqente dhe hereharës luante edhe ndonjë rolth, ndonëse nuk ia njihte vetes talentin prej aktori; u thoshte miqve: “Mund të bëhem artist aq sa mund të bëhet majmuni perandor… se të jesh artist dramatik është punë e vështirë”. Gjatë kohës së lirë shëtiste nëpër bulevard, ose ndalej nëpër dyqane librash të vjetër.

Kur punonte sufler në trupën e njohur të Mihai Pascaly-t, Eminesku shkonte jashtë shtetit çdo verë, në turne. Në vitin 1869, trupa ndalet në vendlindjen e Emineskut, në Botoshan, ku i ati, plaku Eminoviç, arrin ta bindë të birin që të ndalet pak për t’u çmallur në Ipotesht (Ipotești). Aty babai e mban peng, veshur vetëm në këmishë e brekushe, derisa trupa e Pascaly-t largohet. Bisedat e gjata, qortimet dhe premtimi për ta nisur me studime jashtë shtetit, e bindin Emineskun të ndahet përfundimisht nga miqtë e tij aktorë-mërgimtarë. I pajtuar me familjen, poeti shkon për studime në Vjenë, në Fakultetin e Filozofisë. Nuk i kish mbushur të njëzetat.

Pas kthimit nga Vjena, Eminesku nuk do të hyjë më në kafazin e suflerit, nuk do të luajë më teatër, por vetëm do të shkruajë kronika për teatrin në gazetën “Timpul” (Koha). Përkthyesja gjermane Mite Kremnitz kujton se, si njohës i mirë i frëngjishtes dhe gjermanishtes, poeti i lexonte veprat e Shekspirit në gjermanisht dhe e cilësonte dramaturgun anglez si njërin nga gjenitë e mëdhenj të njerëzimit.

Eminesku ka shkruar edhe teatër. Kishte në plan të shkruante shumë pjesë. Nisi vetëm disa, që mbetën në fazën e projektit: “Mira”, “Bogdan-Dragoș”, “Dasma e Dragoș-it”, “Andrei Mureșanu”.
Idetë e poetit për teatrin e lidhnin ekzistencën e teatrit si institucion me krijimin e një repertori kombëtar, duke bërë dallimin midis teatrit si art dhe teatrit si mjeshtëri. Eminesku kishte një respekt të madh ndaj rolit shoqëror të teatrit. Ai ushqente një antipati të hershme ndaj zhanrit të melodramës, që shijohej mjaft nga publiku i kohës, sepse i zbriste aktorët me vlerë në nivelin e mejhaneve. “Nëse repertori është shpirti i një teatri, shprehej, aktorët janë trupi i tij, janë lënda në të cilën mishërohet repertori". “Vetëm kur një aktor njeh kuptimin e secilit tingull të zërit të vet, si edhe të çdo rrudhosjeje të fytyrës së vet, ai njeh pasurinë që ka dhe është aktor. Ai e lëviz veten si pianisti pianon, si violinisti violinën". (Ioan Massoff – Eminescu si teatrul)

Ioan Slavici, prozator i shquar dhe njëri nga njerëzit që e njohën nga afër Emineskun, flet për dobësitë e poetit. Njëra nga dobësitë më të dukshme të Emineskut ishte pangopja me biseda. Ai fliste i qetë dhe me shumë kujdes, nuk e kalonte kurrë kufirin dhe nuk ngulmonte të bindte apo të përulte dikë; ama kur përfshihej në ndonjë debat s’mund të shpëtoje prej tij derisa sqarohej nëse ishte apo jo e vërtetë ajo që thoje. (…) 
Pijetar nuk ka qenë Eminesku. Pinte vetëm i joshur nga miqtë me të cilët bisedonte, pak nga pak, dhe vetëm verëra të lehta, të pastra dhe të mira! Vera e bënte të gëzueshëm dhe i zgjonte dëshirën për t’i përqafuar të gjithë. (…)
Eminesku nuk vuante për të nesërmen dhe, për këtë arsye, shpesh kishte mungesa dhe halle. Vetëm për diçka kujdesej veçanërisht Eminesku: të mos i mungonte kafeja dhe duhani. Drobitej fare kur i mungonin këto dhe nuk mundej të shkruante. Kur nuk kishte duhan, ndihmohej me Jean-in, kamarierin e Troidl-it, po për kafe duhej të kujdesej vetë, prandaj sapo i mbërrinin të hollat nga shtëpia, blinte kafe të bluajtur dhe pije. (…)
I pushtuar nga sëmundja, ai flinte shpesh i mbështjellë me rrobat që i dëmtoheshin. Mjekrën e harronte të parruar dhe, ngaqë e bezdisnin qimet, merrte briskun dhe, i përhumbur në mendime, ose i zhytur në lexim, e shkulte fije pas fijeje, aq sa i mbushej fytyra me njolla. (…)
Sa i përket jetës seksuale, Eminesku kishte një seriozitet të jashtëzakonshëm. Dëshirat e tij ishin krejt platonike, gjëra për të cilat flitet vetëm me njëfarë shenjtërie, e vetëm i joshur e i mposhtur mund të niste ndonjë lidhje dashurie, lidhje të cilat nuk ishin të shkurtra, siç ndodhi me Veronika Mikle-n, për të cilën më foli vetëm atëhere kur mundi të më thoshte „Më në fund, shpëtova!”. (…)
Mëkati i tij më i madhe e vendimtar ishte mungesa e rregullit në jetën e përditshme: kur ulej në tryezën e punës, qoftë kur shkruante, qoftë kur lexonte, nuk hante për ditë të tëra dhe i kalonte netët pa gjumë. Nuk vuante nga pagjumësia dhe kishte shumë oreks, sepse më vonë ishte në gjendje të flinte nga 24 orë pa ndërprerje dhe të hante sa për tre. Mirpo harronte të ushqehej dhe të flinte, ndonëse bindja e tij e patundshme ishte që pjesa më e këndshme e jetës ishte ajo që kalohej në gjumë, kur je pa qënë dhe nuk ndjen dhimbje. (…)
E kish zakon t’i lexonte me zë gjërat që i pëlqenin, sidomos poezitë, dhe bënte shumë zhurmë kur shkruante, vërtitej, recitonte me zë të lartë, godiste tryezën me grusht, grindej me dynjanë së cilës i drejtohej. I trokisja në mur; ai fikte qiririn dhe qetësohej, por ishte dinak dhe nuk flinte. Pas pak kohe, kur besonte se mua më kish marrë gjumi, e ndizte sërish llampën dhe ia niste rrëmujës nga e para".

George Panu rrëfen për leximin e novelës „I mjeri Dionis" (Sărmanul Dionis), tek shoqata Junimea, kur poetit i terhiqet vëmendja se përshkrimi i një qyteze nuk përputhej me të vërtetën historike: "Eminesku ngriti supet dhe vazhdoi leximin. Ç’i hynin atij në punë të vërtetat historike?! Ai asnjëherë nuk qe interesuar për to; ai gjithmonë ka pasur besimin se njerëzimi dhe rumunët kishin jetuar ashtu, siç e përfytyronte ai, jo siç kishin jetuar në realitet. Mendja e Emineskut ka qenë e paaftë për të kuptuar ndonjëherë një të vërtetë që nuk pranohej në sistemin e besimeve të tij dhe që nuk do t’i lejonte ndonjërën nga manitë e tij, qoftë kjo filozofike, qoftë historike".

Nicolai Andriescu Bogdan sjell disa hollësi të mbamendshme nga koha kur Eminesku punonte sufler: Shpesh pëshpëriste nga kafazi, i veshur me kostume të sajuar prej një rrobe e Luigjit IV, pantallona të mufatura të tipit Henriku IV dhe kapela ushtarake prej kartoni të ngjyera me llak të artë (…) sepse trupa kishte gjithmonë pak artistë dhe shpesh jo vetëm sufleri thirrej të plotësonte numrin e personazheve, po gjer edhe berberi, ndonjëherë edhe zjarrfikësit, që shndërroheshin në s’di ç’lordë a baronë të pjesëve romantike".


[Përzgjedhur nga shtypi kulturor rumun]