-
A Mockumentary Play - Gianina Cărbunariu, 2012
Gianina Cărbunariu (Xhanína Kërbunaríu), lindur më 9 gusht 1977,
regjizore dramaturge, doktore e shkencave dramaturgjike, ka mbaruar Fakultetin
e Regjisë së Teatrit në Universitetin e Bukureshtit. Nga pjesët e freskëta që i
janë vënë në skenë: Njerëz të zakonshëm, Solitaritet, Për shitje, Tigresha
Sibiane, X mm nga Y km, Sold Out etj. Ka marrë pjesë në shumë
festivale ndërkombëtare, si në Avinjon, Vjenë, Monreal, Berlin, Mynih, Londër,
Budapest, Stokholm, Moskë etj, ku pjesët e saj janë përzgjedhur dhe luajtur me
sukses. Tekstet e Gianina Cărbunariu-t nisen nga tema bashkëkohore, ose ngrenë
çështje të historisë së sotme. Dokumentimi i temeva përmes intervistave apo
hulumtimeve në arkiva shoqërohet nga improvizime të aktorëve. Ngjarjet janë
fiktive, por përfshijnë heraherës elemente nga realiteti (copëza bisedash të
mirëfillta, fotografi dokumentesh, sende etj).
Prolog:
Dokumentaristët (regjisorë filmash dokumentarë) – numuri i tyre është i njëjtë me numurin e aktorëve të shfaqjes. Gjatë premierës shfaqja pati 3 aktorë që luajtën
secili disa role.
SKENA 1: SHOFERI I
TAKSISË
SKENA 2: I PASTREHU
1, I PASTREHU 2 (HOMELESS 1, 2)
SKENA 3: TURIST JAPONEZ, TURIST FRANCEZ, PËRKTHYES
SKENA 4: Përfaqësues të Popullatës së PËLLUMBAVE, SORRAVE dhe HARABELAVE
SKENA
5: PENSIONISTI, DOKUMENTARISTI
SKENA
6: PRONARI I VETURËS, VETURA E PRONARIT
SKENA
7: DOKTORESHA
SKENA 8: DREJTORESHA E
FILIALIT TË BANKËS DHE NËPUNËSI
SKENA 9: KAFSHË 1, KAFSHË 2,
KAFSHË 3
Personazhet kafshë /
zogj nuk duhen interpretuar në asnjë mënyrë si kafshë / zogj. Këto personazhe
(kafshë, zogj, vetura) lidhen me disa kategori të caktuara shoqërore (disa
syresh të pafavorizuara, të tjerat – të privilegjuara), me etni të caktuara,
shumicë, apo pakica, me disa tipologji të caktuara të shoqërisë.
DOKUMENTARISTI 1:
Mirëmbrëma! Mirë se erdhët në shfaqjen tonë.
Ngjarja që do të paraqitim bën fjalë për një tigreshë
siberiane të lindur në një qytet të bukur, me madhësi mesatare, të Evropës. Dy
vjet më parë, tigresha Mihaela u arratis nga Kopështi Zoologjik i qytetit tonë
dhe u end e lirë për gati pesë orë, derisa autoritetet i ranë pas gjurmëve.
DOKUMENTARISTI
2:
Duke
dashur të kuptojmë rrethanat në të cilat ndodhi diçka e tillë, u munduam të
dokumentonim çdo hap të tigreshës, qysh nga çasti kur braktisi kafazin. Kemi
përdorur më së shumti intervista të realizuara prej nesh, por ekziston edhe një
material, të cilin e kemi rimarrë nga arkivi i një televizioni lokal.
DOKUMENTARISTI
3:
Do
të shihni, pra, një shfaqje dokumentare, një shfaqje të ndërtuar prej
intervistash me shumë nga ata që ndërvepruan me Mihaelën dhe që ishin dakort të
ndanin me ne përvojën e tyre. I falenderojmë të gjithë për mirësinë dhe i
sigurojmë se jemi përpjekur t’u qëndrojmë sa më besnikë dëshmive.
Pra,
si ndodhi...? Unë ju them si ndodhi. Do ketë qënë ora 9. Nëntë e dhjetë. E
shumta e 20. Çova një grup turistësh në Kopështin Zoologjik. Me të dalë
turistët nga taksia, tashmë u gjenda me... si t’ju them, as që e pashë kur hipi
në sedilen e pasme. E kur hyn klienti në makinë, s’mund të thuash ncuk. Çdo klient është klient. Po si,
shikon njeri sot si e ka fytyrën? Klient të jetë, pare të ketë. Ma mori mendja
se donte ta çoja në qendër. „T’ju le te
pedonalja?” Ma mori mendja se ishte dakort. Ç’është e vërteta, më tepër unë
fola gjatë rrugës. S’e di tani... një muhabet, një tjetër. A, e di, e di. Për
qytetin. Për sa bukur është tek ne. Sidomos qendra. Krejt e rregulluar. Kemi
një qytet shumë të bukur, shumë të qetë, kurse njerëzit janë mikpritës dhe
puntorë. Kemi një qytet... si t’ju them... tamam siç duhet të jetë një qytet
evropian që e çmon veten. Një bukuri më vete, është krenaria jonë, e të
gjithëve. Sigurisht, ka edhe pjesë... më pak të pëlqyeshme, si të thuash. Po
këto zgjidhen, s’mund t’i zgjidhësh të gjitha njëheresh. Ama janë probleme të
vogla, kurrgjë me rëndësi. Si puna e kësaj me... po s’e ka fajin qyteti, janë
probleme që vijnë njëfarësoj nga jashtë. Po sigurisht. Nga Jugu. Se nga Jugu
vijnë të gjitha hallet tani. Këta janë sjellë që andej, nga Jugu. Është plot me
këta të Jugut tani. Vijnë, u ëmbëlsohet qyteti dhe, për fat të keq, rrinë. Janë
të zhurmshëm, të dhunshëm, s’ke për t’u marrë vesh ndonjëherë me ta. Ia tregova
tek ecnim: „Shikoji!”. Ja si rrinë në
grupe, sidomos pranë parqeve, tërë ditën e ditës. Natën... ç’të thuash, as që
mund të kalosh andej. Domethënë: mund të kalosh, ama merre vetë parasysh
rrezikun. I sollën këtu njëherësh me atë samitin,
bënë pastrim në kryeqytet, që të duket se është qytet evropian, i ngarkuan në
makina dhe i shkarkuan këtu. Thosh dynjaja se kushtonte më shumë po t’i kishin
vrarë. S’e di, po një zgjidhje mund të gjendet, gjithsesi. T’u bëjnë një vathë
diku në dalje të qytetit. Për shembull. Nuk di të kenë kafshuar njeri,
domethënë unë s’njoh personalisht ndokënd që ta ketë kafshuar ndonjë kafshë nga
këto... Ama, për të kafshuar, me siguri kanë kafshuar. Po... pakashumë për këto
folëm. Dëgjonte, dukej kurreshtare, ndonëse shihte gjithë kohën nga dritarja.
Si ndonjë turist. Admironte. Unë besoj se i pëlqenin ato që shihte. Arritëm tek
pedonalja dhe i them: „Po ju le këtu”.
Hapi derën dhe bëri të dilte. I them: „Zonjë,
kushton 15 lei (3 euro) rruga, s’është falas, ç’domethënë kjo?” Më këqyri e
habitur. Them „ja, që të merremi vesh me
njerëzillëk, bëjmë kështu: fshima xhamin e përparmë, fshimi pasqyrat dhe jemi
në rregull. Falas nuk është e mundur, në këtë qytet gjithë dynjaja punon”.
Ma fshiu xhamin e përparmë, m’i fshiu pasqyrat... dhe llampat. Me gëzofin e
vet. Ishte mbështjellë me të, kishte një gëzof të madh kështu... Të bukur.
Pastaj ia mori me shpejtësi nëpër pedonale. Pastaj unë pashë punën time, më
mori një grup tjetër turistësh. Vallë të ketë qënë ora 9. 40? Diçka e tillë. (Heshtje) Shpresoj se dhashë përgjigjet e
sakta.