Në zgripcën e
thepisur të këtij kaosi mendor, moral dhe fizik që ka përfshirë mbarë botën,
nuk mundet të anashkalojmë situatën e vështirë në të cilën jemi përfshirë të
gjithë këto kohë pandemike.
«Epistolari
i Zaratës» me autor Luan Rama, më erdhi si melhem, si kura e duhur për të
ngritur sërish në këmbë moralin e njeriut të ngujuar këto ditë. Jo vetëm në
këtë aspekt. Ndër faqet e librit gjeta si lexues forcën reale të cilën vetëm
vepra solide mund ta përqafojë me një dinamikë të brendshme në këto rrethana të
absurdit në jetët tona.
Pra,
kura ishte e dyfishtë, si njeri dhe lexues.
Gjuha e personazhit si forcë motorike e
romanit
Ka një veçori në ligjërimin dramatik
kryesisht në letërsinë e Ballkanit. Ligjërim i cili natyrshëm bën pjesë edhe te
shqipja e lëvruar. Është një koncept burimor i trashëguar qysh prej antikitetit
me «dithirambin» e njohur.
Kjo formë emotive ligjërimi në vijën e
parë, narrativë e gjuhës së personazhit udhërrëfyes, ngelet një nga pikat më
delikate në subjektin e një vepre letrare. Sepse një roman udhëhiqet nga
subjekti.
Por çfarë ndodh me «Epistolarin e
Zaratës»? Mendoj se kjo është gjetja e parë e këtij libri çka përbën një risi
në fushën e romanit.
“… Një
shkrepëtimë rrufeje e prishi gjumin tim dhe unë erdha në vete si dikush që e
kanë zgjuar me dhunë. Ashtu në këmbë, u ktheva dhe pashë rreth meje duke
vështruar gjatë për të parë vendin se ku më kishin sjellë. Në të vërtetë
gjendesha në skajet e një lugine me një humnerë të dhimbshme ku bashkoheshin
vajtime të pafundta…" Dante, Ferri, kënga
IV.
Jemi tërësisht të përthithur në shtjellën
drama e romanit.. Sapo kemi kapërcyer letrën e parë, si me qenë në pragun e vet
Ferrit, midis reales dhe trillit artistik dendësohet trysnia e rrymës së
fjalëve. Nga njëra anë Universi i Dantes ...
" … Kam ardhur nga një
vend ku drita hesht, një vend që gjëmon si deti në furtunë. Kjo furtunë e
tmerrshme që nuk ka pushim i shtyn hijet me tërbim: ajo i godet, i rrotullon, i
kërcënon…" Dante, Ferri, kënga V.
Në krahun tjetër tokëzimi i duhur i
historisë së individit me këtë tokë.
Frederik Çoba (Mark Ndoja), i burgosur
politik i viteve 1950, intelektual i kulluar, përkthyes, personazhi ynë
rrëfimtar nëpërmjet të 13-të Letrave shkruar nga internimi për të dashurën e
tij Bruna (Milena).
Të gjitha këto nuanca, shkrimtari Luan
Rama i ndërmerr si artizan i ngujuar në punishten e veprës, duke na dhënë si
fillim vetëm fillin e hyrjes. Si për të na ftuar në botën e subjektit të
romanit të vet.
Më tej fatin e rrëfimit e merr në dorë
personazhi Frederik Çoba i cili edhe ky, si ato shejzat në një det të hapur e
të trazuar ku fati i njeriut i përngjan farit të largët të shpresës, udhëhiqet
nga Dante Alighieri. Më qashtër nga Ferri i Dantes.
“… Sipër portave
pashë mijra djaj hedhur nga qielli që thonin gjithë zemërim : Kush është
ai që pa qenë i vdekur shkon në mbretërinë e shpirtrave të vdekur ?...” Dante, Ferri, kënga VIII.
Ajo çka karakterizon këtë ligjërim të
brendshëm të Letrave të Frederik Çobës, gjithmonë duke ndjekur fillin e
rrëfenjës, është njeriu i vendosur në raport të ngushtë me dramën sociale në të
cilën po kalon shoqëria shqiptare, nën një nga regjimet më të egra totalitare.
Nën këtë trysni, ku fjala «regjim» mbart
një ngjashmëri të frikshme me fjalën «rrëgjim», sipas foljeve «rrëgjoj»,
«rrëgjohemi», rrëgjim i tingullit, trupit, moralit, rrëgjim i vet gjuhës nën
regjim totaltar, gjuha e personazhit gjen atë forcën shtytëse drejt të
përjetshmes, dashurisë. Ndryshe nga një vepër në prozë, ku subjekti tërheq
gravitetin e fjalës, personazhi ynë na flet, udhëheq me një gjuhë akoma edhe më
të epërme, poezinë. Në poezi, ndryshe nga proza, është pikërisht përzgjedhja e
fjalës ajo që unifikon historinë e rrëfimit. Dhe autori ka punuar me mjaft
finesë dhe elegancë në këtë drejtim për të mos prishur ekuilibrin e romanit.
Kjo madje, është forca motorike e gjuhës së përzgjedhur nga autori nëpërmjet
këtyre letrave epistolare, të cilat kanë humbur në realitetin e frikshëm të
asaj epoke. Duke i rishkruar këto letra, duke i veshur përjetësisht me poezi,
autori Luan Rama krijon njëherazi atë forcë morale e cila e vesh ritualin e
leximit me një katharsis të brendshëm. Dëshmi okulare e cila trondit
rrënjësisht ndërgjegjen e lexuesit. E shkund nga themelet e qenies njeriun. Ia
merr frymën e paranojës sociale duke e shndërruar në zë të fuqishëm, njësoj si
zëri i Dantes.
"Ngrihu tani dhe mposhte ankthin
përmes kurajos, mos u përkul sepse kjo të bën të fitosh betejat …” Dante, Ferri,
kënga XXIV.
Vetëm pasi ke përfunduar faqen e fundit të
librit, ti, njeriu dhe lexuesi i këtyre faqeve, ndjen këtë lloj frymëmarrjeje
të tokës kur nisin e çelin sythet e para pas një ngujimi kaq të acartë. Kjo na
kujton atë shprehjen e poetit Khalil Gibrani,
«Nëse dimri do thoshte:
«Pranvera është në zemrën time”, kush vallë do e besonte?»
Do e konsideroja si “stil i brishtë dhe
vital” njëherazi, këtë gjetje gjuhësore dhe letrare me të cilin është shkruar
«Epistolari i Zaratës». E vlerësoj romanin si një nga më të arriturit që kam
ndeshur së fundi nga letërsia jonë. E pse jo, dinjitoz karshi romanit europian
të këtyre viteve të fundit.
Libri i përkthyer dhe botuar tashmë në
frëngjisht, anglisht dhe italisht, është pritur ngrohtë nga opinioni kritik. Botuesi australian Nick Walker shkruan:
“Duket që është një letërsi e një cilësie
të lartë dhe e punuar me shumë përkujdesje në të gjitha aspektet. Eshtë po aq
tërheqëse për mua dhe mendoj ndërkohë se asnjë shkrimtar anglez apo australian
do mund të shkruante në këtë mënyrë, duke bërë aluzion për një autor klasik dhe
duke evokuar në mëyrë kaq të efekshme dhe padyshim në shijen e një shkrimtari
si Koestler apo Kafka (Milton apo Blake veçanërisht para disa shekujsh), apo
Craven dhe Philip Adams.”
Përqasja po aq tokësore sa edhe
universale, me jehona nga Ferri i Dantes dhe shtjella dramatike e historisë
reale janë shkrirë aq natyrshëm, sa do thosha me zë, dhe po e them, Tepër
i bukur për të qenë kaq i vërtetë!.
Rrëfimi i Luan Ramës udhëheq drejt një
realiteti jetëgjatë në shtigjet e vështira të rrëfimit si dëshmi dhe art.
Gjuha
filmike dhe platoja e dramës
Një tjetër dukuri e veçantë e cila bie në
sy te «Epistolari i Zaratës» është padyshim gjuha filmike me të cilën është
shkruar.
Ndodh, madje shpesh, vepra të caktuara
janë të vështira për t’u kthyer në imazh. Kjo nga disa veçori karakteristike të
gjuhës së romanit. Njëra ndër to ngelet transkriptimi i fjalës në imazh.
Njëherazi duke qenë edhe shkrimtar edhe kineast, Luan Rama e vendos subjektin e
romanit të vet diku në një ishull të përhumbur mes detit, lagunës, qiellit dhe
tokës, të quajtur Zarata (Zvërneci, kjo mrekulli panoramike e Shqiprisë së
përjetshme). Në këtë ishull ...
« ... në brigjet e jugut shqiptar, në një
lagunë të cekët, mbuluar plot gjelbërim, me gëmusha, qeparizë dhe pisha të
larta, aq sa të duket se je në një vend parajse. Pas një rripi të ngushtë toke,
nga prapa, shtrihet deti, ndërsa përpara, kur vjen në ishull, në breg është një
postë vrojtimi me ushtarë dhe pak si në kodër, nja dyqind metra më larg, është
fshati me një kishë dhe kambanore që dëgjohet të dielave sa herë ka meshë. Por zhurma
e saj është e shurdhët. Tregojnë se është goditur nga një bombë avioni të
aleatëve anglezë. Të tjerë thonë se me atë kishë është zemëruar perëndia,
prandaj dhe tingujt e kambanës janë të çjerrë. ... » (Në
vend të hyrjes)
Po të hysh më thellë imazheve të zotit
Rama, e kap veten papritur në një transhe jo të zakonshme. Nga lexues i faqeve
në një libër, bëhesh shikues ball’ për ballë ekranit të madh të kinemasë.
Mendoj se në këtë pikë fillon beteja e vërtetë e subjektit me fjalën. Qysh kur
mbyll faqen e fundit, deri tani që po shkruaj këto rreshta, e kam të vështirë
të shuaj nga kujtesa imazhin. Ai lëviz në mendje duke më bërë të lëviz edhe unë
bashkë me të, në krejt të tjera rrathë të përjetimit estetik. Ndodh si me
pikturat e Rilindjes Evropiane. Sepse vëzhgimi përfshihet në dinamikën lëvizëse
të veprës. Si me qenë në bashin e anijes së rrahur nga erërat, aty ku dhimbja
dhe ngazëllimi i njeriut tejkalon çdo kufi. Një metafizikë e tërë e cila
gjallon brenda realitetit të qenies njerëzore, dhe jo vetëm. Një mrekulli në
kontekstin ndërtimor dhe përzgjedhjen e teknikave të rrëfimit të imazhit si
sendërtim ndërshtresor i subjektit të veprës. Ja një nga shembujt tipik se si
ndërthuren këto imazhe.
“Një mbrëmje binte shi. Seferi ishte
trishtuar në kulm se kërkesën e gruas së tij e kishin refuzuar si dhe herët e
tjera që ajo të vinte ta takonte këtu. Ishte bërë si i xhindosur dhe si një dem
i plagosur vinte vërdallë në sallën e manastirit. Vërtitej, shante dhe një çast
shtyu portën e rëndë dhe doli në mes të shiut që binte. Shiu vazhdonte dhe ai
filloi të hiqte trikon, pastaj këpucët, pantallonat dhe pastaj gjithçka, dhe
ashtu lakuriq i klithte “Bulldokut” që ruante tutje me një automatik në dorë: -
Thomëni, çfarë ju kam bërë? Përse nuk e lejoni gruan time? Përse më mbani këtu?
Apo se i dhashë luftës aq shumë? A nuk ju mjafton kjo plagë që kam marrë në
luftë dhe gjaku i tim vëllai?... Seferi klithte, ndërsa tutje përballë, nën një
mushama të errët, “Bulldoku” qeshte me të madhe tek e shikonte ashtu lakuriq. -
“Ha, ha, kujdes se të laget prapanica!” Papritur, ai lëvizi llozin e
automatikut, ndoshta për ta trembur, dhe unë me Sotirin nxituam ta merrnim dhe
ta fusnim brenda, edhe pse ai kundërshtonte, duke shtuar: - “Le të më vrasin,
aq më bën! E ç’e dua këtë jetë në robëri?...” Ne e tërhiqnim ashtu lakuriq,
duke mbledhur rrobat dhe këpucët e tij me baltë, por ai vazhdimisht i kthehej
"Bulldokut" duke i thënë: "Vështroje, vështroje këtë plagë që
një ditë ta kujtosh! Kjo është lufta ime, jo juaja!..." Tutje
"Bulldoku" qeshte me të madhe vazhdimisht. Ishte një skenë e
dhimbshme, e paharrueshme. Më së fundi e futëm brenda. Ah, Bruna e dashur. Këtu
është një jetë tjetër. Zemrat tona klithin. A thua do të na dëgjojnë? Sidoqoftë
ne do mundim të mbijetojmë!... Pastaj, në mesnatë, kur era e madhe dhe shiu
pushuan, të trembur e të hallakatur, lakuriqët vinin ende vërdallë, rrihnin
krahët me klithmat e tyre të çjerra. Dy prej tyre u përplasën në xhamin e
dritares, i cili menjëherë u thye me forcë.”(Letra
XI)
Ky episod, ndërmjet të tjerash, me
dramacitet të rrallë mendoj se është vërtet një skenë e fortë për ngasje
filmike. Platoja (skenë teatri apo shesh xhirimi) ku zhvillohet drama e
njeriut shoqëruar nga kori i tragjedisë njerëzore. Sepse Historia mundet të
ripërsëritet. Njeriu goditet papritur nga forca të errëta të historisë përgjatë
saj. Por ajo çka e ngujon historinë te njeriu është vepra e mbijetesës.
“… Që kujtimi yt të mos shuhet
kurrë në botën e parë të shpirtrave njerëzorë, por të jetojë nën diej të
shumtë!…” Dante, Ferri, kënga XXIX.
E bukura si noblesë e artit të njeriut për
njeriun. Dashuria si forma më e epërme e poetikës së njeriut. E vetmja që
ngadhnjen mbi vdekjen. Një roman fortësisht i rekomandueshëm për të gjitha
nivelet e leximit.
Montréal,
Prill 2020