Abstract
The
popular rhapsod is a singer and musician who sings creations of legendary and
historical epics and at the same time interprets them with the musical
instrument of the lahut. Nowadays, the meaning of the word rhapsod has
expanded. They are considered as that category of popular musicians, who are
closely related to the singing of the "Epic of the Kreshniks", of the
legendary Albanian epic in general, but also beyond. This songs, along with
other traditions of northern Albania, such as gjama, kuja, etc., stand in
complete artistic harmony with each other. In 1953, Milman Parry and Albert
Lord published "Serbo-Croatian heroic songs", proving that the Homeric
tradition of epic poetry was still alive in the Balkans at the time. The
evidence comes from the main subject of Albanian origin, Salih Ugljanin, a
rhapsodist from the Sanjak area, capable of reciting for hours epic
Serbian-Croatian and Albanian epic poetry about heroic acts of the past. Here
starts the discussions about the beginnings of epic poetry in the Balkans. In
the context of the Oral Epic Songs, it is unknown whether the Albanian songs of
the Kreshniks were inspired by Serbo-Croatian ones or vice versa.
An epic
without music does not exist and a text without music can never be an epic. In
this context, the legendary musical narratives of the epic of the Kreshniks
centered on the main characters of Muji and Halili, created and accompanied by
lahuta, constitute a poetic and ethnocultural complex. Since lahuta is the main
instrument for conveying the songs of the Epic of the Kreshniks, the rhapsod
takes the name lahutar. It is one of the most popular folk instruments with one
string, on which it is played with a bow and is mainly used in Northern Albania
and Kosovo. Lahuta, unlike other instruments, did not simply have a musical and
entertaining function, but accompanied the songs that exalt the activity of the
brave. Traditionally the instrument of lahuta is produced by the rhapsodists
themselves who sing and perform in it.
Keywords: Oral
singing, epic, rhapsod, lahut, popular music.
Rapsodi
popullor është një këngëtar dhe muzikant që këndon krijime të epikës legjendare
dhe historike dhe njëkohësisht i interpreton ato me veglën muzikore të lahutës.
Në ditët e sotme, kuptimi i fjalës rapsod është zgjeruar. Ata cilësohen si ajo
kategori e muzikantëve popullorë, të cilët janë të lidhur ngushtë me këngëtimin
e “Eposit të Kreshnikëve”, të epikës legjendare shqiptare në
përgjithësi, por edhe më gjerë. Këngët e kreshnikëve
sëbashku me traditat e tjera të shqipërisë së veriut, si gjama, kuja etj,
qëndrojnë në harmoni artistike të plotë me njëra-tjetrën.[1] Eshte
interesant fakti qe sipas nje te dhene te Giacomo Chiudina, ne vitin 1780
ekzistone nje shkolle e mesimit te lahutes dhe muzikes ne shqiperi.[2] Sipas
studiuesit Zihni Sako,“Këngëtarët i interpretojnë këngët e kreshnikëve me zë
të fortë gjoksi dhe me një ton burrëror, që shkon në harmoni me vijën epike të
ngjarjeve”[3]. Ndër rapsodët e njohur në muzikën
tonë popullore përmendim: Sali Bajram Krasniqi (1919-1987)-Kosovë, Vad
Marashi-Pukë, Prendush Gega[4], Selim Hasani-Vlorë, Dervish
Shaqja-Rrushbull, Mato Hasani-Vlorë, Xhebro Gjika-Vlorë; Zef Avdia-Tropojë,
Sokol Arifi-Tropojë, Lefter Çipa-Himarë, Frrok Haxhia-Pukë, Sali Mani, Azis
Ndreu, Fatime Sokoli, Xhelal Daka etj.[5]
Në vitin
1953, Milman Parry dhe Albert Lord[6] botuan
“Serbo-Croatian heroic songs” [= Këngë heroike serbo-kroate], për të dëshmuar
se tradita homerike e poezisë epike ishte ende e gjallë në Ballkanin e asaj
kohe. Dëshmia vjen nga subjekti kryesor me origjinë shqiptare, Salih Ugljanin,
një rapsod nga sanxhaku, i aftë për të recituar me orë të tëra poezi epike
serbo-kroate dhe shqiptare për akte heroike të kohëve të shkuara. Prej këtej
burojnë diskutimet lidhur me fillimet e poezisë epike në Ballkan. Në kuadrin e
Eposit të Kreshnikëve, është i panjohur fakti nëse këngët shqiptare të kreshnikëve
janë frymëzuar nga ato serbo-kroate apo ka ndodhur e anasjellta. Qendrat e
rapsodëve epikë duket se kanë qenë trojet malore të Bosnjës, Sanxhaku i Novi
Pazarit, Mali i Zi dhe Shqipëria e Veriut, ndonëse për çudi pjesa më e madhe e
epikës shqiptare ka për vendndodhje ngjarjesh Jutbinën (Udbina), një fshat
pesëdhjetë kilometra në verilindje të Zadarit në Kroaci.[7]
Një
çështje tjetër që është shtruar është çështja e një lidhjeje të mundshme midis
epikës heroike ballkanike dhe epikës shumë të çmuar të grekëve të lashtë. A mos
kjo është poezia epike dhe heroike, që ende këndohet prej shqiptarëve dhe
sllavëve të jugut pasardhëse e epikës homerike? Shkrimtari
Ismail Kadare, i joshur nga kjo hipotezë ka krijuar romanin “Dosja H”, përmbajtja
e së cilit përfshin dy studiues irlandezo-amerikanë të trilluar, Maks Rothi dhe
Vili Nortoni, të cilët nisen për në malet e thella të Shqipërisë Veriore të
paraluftës, me aparat inçizimi në krahë për një qëllim të dyfishtë. Së pari,
ata janë në kërkim të vendlindjes së eposit dhe së dyti, hetojnë mundësinë e
ekzistencës së një lidhjeje të drejtpërdrejtë midis eposit homerik dhe epikës
heroike, këngët e së cilës interpretohen nga malësorët hijerëndë të Shqipërisë
së Veriut me lahutat e tyre me një tel, si instrumentet kryesore për
përcjelljen e këngëve të Eposit të Kreshnikëve.
Për të dy studiuesit, situata paraqitet e
paqartë “meqënëse ky (eposi) është i vetmi krijim artistik në botë që
ekziston i dyzuar... në dy gjuhë të dy kombeve ndërluftuese...shqiptarë e
serbë...” Për më tepër “Është naive të besohet se eposi ka
lindur në mënyrë të pavarur në të dy popujt. Dikush duhet të jetë autori e
dikush imituesi. Ne kemi një bindje të brendshme se shqiptarët, si banorët më
të lashtë të gadishullit, e kanë krijuar të parët (Fakti që motërzimi i tyre
është shumë më afër brumit homerik e vërteton këtë).”[8]
Udhëtimi në terren i studiuesve të huaj krijoi një
ndjenjë dyshimi sidomos për nënprefektin e krahinës, i cili ju vë nga pas
agjentin e fshehtë Dullë Baxhaja për t'i vëzhguar dhe për të sjellë informata
për veprimtarinë dhe lëvizjet e tyre. I njëjti qëndrim dyshues ndaj studiuesve,
për një spinuazh të mundshëm lindi edhe ndër banorët vendas. Kështu, banesa e
tyre në Hanin e Rrashtbuallit bastiset, kurse aparati që kishte regjistruar
zërat e tyre, asgjësohe, çka shënon edhe fundin e misionit të tyre kërkimor në
Shqipëri.
Albanologu Robert Elsie e cilësoi veprën “Dosja
H” si një satirë të këndshme për dy të huaj të pafajshëm që përpiqen
të kuptojnë shpirtin shqiptar dhe, sidomos, huqet e jetës shqiptare me të cilat
vizitorët e huaj shpesh mahniten: prirja ballkanike për thashethemet dhe
përgojimet, paaftësia e administratës, si dhe një ndjenjë fëminore frike e
dyshimi nga ana e autoriteteve për çdo gjë të huaj[9].
Referuar
Eposit të Kreshnikëve si një ndër shtyllat më të rëndësishme artistike të
kulturës shpirtërore të shqiptarëve[10],
hulumtimi i këngëve epike heroike legjendare dëshmon mes të tjerash, për
lidhjen e tyre me këngët epike lirike. Epikologu D. Shala nënvizon: “Jeta
epike ilire gjatë periudhës shumëshekullore të luftës dhe të kryengritjeve
kundër romakëve ka prodhuar këngë epike, të cilat janë hallkë lidhëse me Eposin
e Kreshnikëve.”[11] Pavarësisht mungesës së dëshmive për
këngët epike ilire, pohimi i mësipërm mbështetet nga dëshmi të tjera historike
dhe arkeologjike. Gjithashtu, një dëshmi në fushën linguistike vjen nga
linguisti kroat R. Katiçiq, i cili flet për formulat e stërlashta të këngëve
epike në Iliri, në bazë të dëshmive antroponomike e homonimike ilire.[12]
Gjithashtu, Eposi i Kreshnikëve është paraprijës i
cikleve të këngëve epike historike te shqiptarët, që lidhen me këngët kushtuar
Betejës së Kosovës në shek. XIV; Skënderbeut në shek. XV; Ali Pashës dhe Mahmut
pashë Bushatit, në shek. XVIII e XX; Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në shek.
XIX; kryengritjeve kundërosmane në fillimin e shek. XX etj.
Nicola Lo Russo Attoma, me një studim të rapsodëve
të maleve shqiptare, do e përshkurante kështu rapsodin shqiptar: “I
shoqëruar me lahutë, këngëtari rapsod i maleve, pas një preludi melodish që
përsërisin motivet e thjeshta të punëve pastorale, fillon të këndojë. Dhe, më
shumë se gjithcka tjetër, një shpallje, në fillim e ngadaltë, pastaj gjithnjë e
më e nxehtë, e gjallë; këngëtari artikulon dhjetërrokëshin që tregojnë fakte të
mrekullueshme. Ndërthurren histori dhe legjenda. Heronj, burra të armëve, gra,
mite, epoka të largëta jetojnë në rivendosjen poetike në ngjarjet e dashurisë
dhe urrejtjes, paqes, luftës...”[14]
Duke qenë
se lahuta është instrumenti kryesor për përcjelljen e këngëve të Eposit të
Kreshnikëve, rapsodi merr emrin lahutar. Prof.Eqrem Çabej, duke
shkruar për këngët epike të shqiptarëve, pohon se “në veri këto këngë
përcillen me lahutë”.[15] Lahuta
është ndër veglat më të njohura popullore me një tel, mbi të cilën luhet me
hark me qime të përkulur që përdoret kryesisht në Shqipërinë Veriore dhe
Kosovë. Lahuta ndryshe nga instrumentet e tjerë, nuk ka patur thjesht një
funksion muzikor dhe argëtues, por ka shoqëruar këngët që lartësojnë
veprimtarinë e trimave.[16] Tradicionalisht vegla e lahutës
prodhohet nga vetë rapsodët që këndojnë dhe interpretojnë në të. Repertori më i
gjerë dhe i plotë i këtyre trevave është “Eposi i Kreshnikëve”, i
cili këndohet me lahutë. Lahuta është ngritur në shkallë kulti.[17] Kulti
i lahutës në familjen shqiptare është i përhapur, ashtu siç ekziston një
respekt shenjtërues për këngët e kreshnikëve.[18] Shumë autorë
kanë shkruar rreth ndërtimit, funksioneve dhe simbolikës së lahutës. Vetë
vargjet e eposit flasin për ndërtimin e tij: “Sa mir’ Muji po kujtohet,
paska marr’ spatën e madhe, paska dal’ në asht’ të malit, ka xjerr’ lahutën
prej palnjet, ia ven zhargën prej magarit, ia vndon racin s’kuqitt’ thanet”.[19] Për
Bernardin Palajt: “lahuta asht vegël primitive dhe e thjeshtë. Përbahet
prej një kupzës së drunjtë në trajtë vezake mbulue me lkurë, qi thirret shark,
e ka nji bisht jo fort të gjatë.”[20]
Lahuta e malësorëve tanë të veriut përfaqëson
arketipin më të lashtë të veglave kordofone me hark të kontinentit evropian[21] dhe
se shtëpia pa lahutë në veri quhet “shtëpi e lanun” [22].
Fishta[23], e konsideron lahutën si “nji instrument fort i
pëlqyem prej njerëzvet t’maleve t’ona, me t’cillën ata kndojnë lavdin a se
vajtojnë dhimbjen e tyne”.
Sipas prof. Ramadan Sokolit, koka në bishtin e
lahutës, në formën e dhisë është një simbolikë e heroit tonë kombëtar,
Skënderbeut, ndërsa sipas prof. Vasil S. Toles, mund të jetë një simbol më i
hershëm i zanave të malit.[24] Pavarësisht simbolikës, për
Asdrenin [25] “Zani i ambël i lahutës/Ky është kanga e
Malësis”. (...)
I plotë në Revista Haemus Nr. 58-61 / 2020
[1] Z.Sako, Q.Haxhihasani, “Epika legjendare
I”, Tiranë, 1966, fq.7
[2] Giacomo Chiudina ,“Canti del popolo slavo”
, 1878 fq.79
[3] Z.Sako, Q.Haxhihyseni, “Folklori Shqiptar”, Tirnë, Firenze 1989,
fq.11
[4] Shantoja Lazër, “Për rapsodin Prendush
Gega”, (Kalendari i vjetër: 1921), fq.45-50.
[5] Vasil S. Tole, “Sprovë për një fjalës të muzikës popullore homofonike
të Shqipërisë së Veriut”, Akademia e Shkencave të Shqipërisë: Tiranë 2010,
fq.101.
[6] Robert Elsie. “Një fillim dhe një fund”, Vëzhgime mbi letersinë dhe
kulturën shqiptare bashkëkohore, nga Robert Elsie (Përktheu nga anglishtja
Abdyrrahim Myftiu), shtëpia botuese Globus R, Tiranë 1995 dhe shtepia botuese
Buzuku, Prishtinë 1995, fq. 65. Online
në: http://www.elsie.de/pdf/B1995FundFillim.pdf.
[7] Po aty.
[8] Ismail Kadare. “Dosja H”. Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë,
1990, fq. 141.
[9] Robert Elsie. “Një fillim dhe një fund”, Vëzhgime mbi letersinë
dhe kulturën shqiptare bashkëkohore, nga Robert Elsie (Përktheu nga anglishtja
Abdyrrahim Myftiu), shtëpia botuese Globus R, Tiranë 1995 dhe shtepia botuese
Buzuku, Prishtinë 1995, fq. 65. Online
në: http://www.elsie.de/pdf/B1995FundFillim.pdf.
[10] Zymer Neziri.“Eposi i Kreshnikëve: Monument i Trashëgimisë
kulturore shqiptare, përpjekje për përgatitjen e Dosjes për UNESCO“, Ligjëratë
në Këshillin e Evropës, Prishtinë, 2010.
[11] Demush Shala. “Rreth këngëve kreshnike shqiptare”, Shtëpia
botuese “Rilindja”, Prishtinë, 1985, fq.5.
[12] Radosllav Katiçiq. “Mbi gjuhën e ilirëve”, revista “Fjala”,
ne.21-22, Prishtinë, dhjetor 1988, fq 1 dhe 7.
[13] M.Ë.M. Pope. “The Parry-Lord Theory of
Homeric Composition”. Acta Classica, University of Cape Toën: Africa,
fq.2.
[14] Piero Ghiglione. “Montagne d’Albania”.
Edizioni Distamptur, Tirana 1941, fq.7.
[15] Eqrem Çabej, “ Një vështrim mbi folklorin
shqiptar”, tek “Studime gjuhësore”, vëll. V, Prishtinë, 1975, f. 346.
[16] Ramadan Sokoli “Gjurmime Folklorike”,
Tiranë 1981, fq.236.
[17] Zymer Neziri.“Eposi i Kreshnikëve:
Monument i Trashëgimisë kulturore shqiptare, përpjekje për përgatitjen e Dosjes
për UNESCO“, Ligjëratë në Këshillin e Evropës, Prishtinë, 2010.
[18] Shaban Sinani. “Mitologji në Eposin e
Kreshsnikëve”, SFAR, Tirana, 2000, fq.89.
[19] Vasil S. Tole, “Sprovë për një fjalës të muzikës popullore
homofonike të Shqipërisë së Veriut”. Akademia e Shkencave të Shqipërisë: Tiranë
2010, fq.73.
[20] Vasil S. Tole, “Sprovë për një fjalës të muzikës popullore
homofonike të Shqipërisë së Veriut”. Akademia e Shkencave
të Shqipërisë: Tiranë 2010, fq.74.
[21] Shënim: Dëshmitë më të hershme të tipave të
lahutave janë ato të ndërtuara prej kungulli apo edhe prej zhguallit të
breshkës.
[22] P. Miso “Muzikë popullore instrumentale”,
Tiranë 1990.
[23] Gjergj Fishta. “Estetikë dhe kritikë”, Tiranë, 1981; “Epika
legjendare” II, Tiranë, 1981.
[24] Vasil S. Tole, “Sprovë për një fjalës të muzikës popullore
homofonike të Shqipërisë së Veriut. Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2010,
fq.74.
[25] Po aty.