ANDI MEÇAJ: Shitem i gjithi - monodramë me një akt -

Frymëzuar nga poezia “Shitem i Gjithi”

e Hiqmet Meçajt



Skena në gjysmë errësirë, në qendër një tabelë e madhe, ku, me gërma të mëdha lyer në të kuqe, shkruhet “SHITEM I GJITHI”, aktori rri ngritur më këmbë, i mbështetur pas tabelës, bërë pjesë e saj. Në një cep ndodhet një karrige e vjetër.

Ndizet një projektor që rreh me dritë Aktorin, i cili thotë me zë të ulët:

- Po, është e vërtetë, shitem, shitem i gjithi, (ndërkohë, lëviz nga pozicioni fiks, me zë më të lartë), - e çfarë mund të shesë një njeri si unë, i veshur kështu, ja, zonjë, më thoni, (i drejtohet publikut në sallë), hë, pra, a jam i veshur thjeshtë, shik, apo si një vagabond?

- Si,... thjesht, (ha, ha,)

- Domethënë, s’kam asnjë shans të fitoj ndonjë euro, ja, kjo këmishë e vjetër, e bardhë, këto pantallona të rrjepura bluxhinsi dhe këto këpucë të shqyera meshini (ngre një këpucë e tregon, kështu bën dhe me rrobat e tjera) janë blerë te kazanët e llozhrave(?), ai është tregu më i mirë, atje nuk të thonë shitëset: ç’urdhëroni zotëri, duke të çarë kokën me mirësjelljen e tyre që të thotë bli, bli dhe, kur ti nuk ke dëshirë ta bësh këtë, të hedhin një vështrim vrasës, o, sa inat i kam, prandaj nuk hyj më në dyqane, kam frikë, se më hidhet ndonjë vështrim e më ndjek nga pas si ndonjë vrasës i paguar. Kjo puna e dyqanit më kujton atë të një të dehuri kronik nëpër rrugët e qytetit, i cili edhe kur nuk kishte pirë thuajse asgjë dukej i dehur, por prapseprapë mendjen e kishte brisk, kryente nevojën e tij personale duke u pshurrur kudo që të ndodhej, në rrugë, anës pemëve, pas pallateve, djelmoshat e rinj e ngacmonin duke i thënë (aktori imiton zërin e një të riu), “Hej, xhaxho e ke lënë dyqanin hapur” dhe ai u përgjigjej serbes-serbes këtyre rioshëve mustaqepadirsur (aktori imiton zërin e një të dehuri), “Kush del i fundit, të mbyllë dyqanin”.

Për mua le të rrojnë llozhrat, aty vjen si zotëri, bile vë edhe një kollare të kuqe, vë edhe parfum, se kushedi mos kalon ndonjë nga ato zonjushet e bukura, që shëtisin qenin. Ec e mere vesh nëse shëtisin qenin, apo i shëtit qeni ato?!

Një mbrëmje, (se unë natën i bëj pazaret në kazanët e llozhrave), kaloi një nga këto zonjushet e bukura me një qen të racës pekinua, ndërsa po hapja një qeskë me rroba anës kazanit, qenushi më lehu aq fort në vesh, saqë m’u shurdhua për një çast veshi dhe nga frika e turbullimi i lashë rrobat, u çova e ia dhashë vrapit në shtëpi. Dridhesha i tëri si purteka, nuk fjeta, kur më zuri pak gjumi, afër mëngjesit, mu duk sikur ai pekinuaja kishte marrë një litar të madh në dorë dhe kish dalë xhiro, kur mu qas, ç’të shikoj: në fund të tij e lidhur ishte ajo zonjusha e bukur.

U ngrita i djersitur, ora s’kishte rënë fare, e si të binte kur nuk kisha ku të veja?!

Në mendje s’më vinte asnjë emër rruge, se, po të më vinte, do të thoshte që diku duhej të më çonte, ndoshta në punë, çfarë pune, kam shumë vite pa punë, zanati më i afërt që mbaj mend është ky i qëmtuesit të llozhrave.

- Po edhe ky zanat nuk është i lehtë, o, sa qëmtues llozhrash ka!, dhe ne bëjmë luftë dhëmbë për dhëmbë, jo me armë, me kohën, kush të arrijë i pari në ndonjë kazan llozhrash, merr “pasurinë”...

Zotëri, (aktori i drejtohet një burri në sallë), ju pandehni se unë kam dalë këtu për të shitur këto rroba, që zonja pak më parë i quajti të thjeshta, e sa mund të bëjnë këto lecka zotëri, 5, 10-të euro, e ç’mund të bëj unë me këto para, e shumta mund të të jap një birrë, apo një kafe, dhe të fryj sytë e të të shikoj se sa bukur do ta pish.

.........................

- Jo, zotëri, unë kam dalë këtu që të shitem i gjithi, të shes sytë, veshkat, lëkurën, këmbët, një pjesë mëlçie, flokët e mi të zinj, dhëmbët, ndërsa zemrën nuk mund ta shes, e si mund të rroj dot pa zemër, (nga salla dëgjohet zëri i imagjinuar i një burri). A, ju thoni se: “mund ta ndërroj me kë të dëshiroj”, - po, falemnderit për idenë, por gjithçka varet nga oferta, po të kem të tilla, patjetër që do e ndërroj me këdo, se edhe kjo zemra ime më është mërzitur aq shumë, sa nuk e duroj dot më, e kam shumë të ndjeshme, kushdo që më afrohet, fillon e më qan hallet e tij, sikur gjithë hallet e botës do t’i zgjidhë kjo zemra ime, që bën-ç’bën e ngashërehet gjithmonë në këto raste dhe, kur më vjen Maria, gjitonia e katit të dytë, e më thotë: (aktori imiton zërin e hollë femëror të Maries), “jo nuk mundem dot, gjërat shtrenjtohen përditë, hyj në supermarket me një pesëdhjetëeuroshe dhe e harxhoj sa hap e mbyll sytë të gjithë dhe çfarë blej, dy gjëra aq sa nuk mbushet thuajse fare ai koshi i vogël, jo, s’është punë që bëhet kjo, më përpara një pesëdhjetëeuroshe ishte një pasuri e tërë, doje disa ditë ta harxhoje dhe blije një makinë me gjëra, tani, tani firon sikur ta kesh futur në ujë, si do na vejë halli” më thotë, - duke më cingrisur nervat me atë zërin e hollë të saj dhe duke ma bërë zemrën të më rrahë dy-tre fish më shpejt nga inati e çudia se pse vijnë e më ankohen pikërisht mua që jam në cakun e varfërisë e megjithatë nuk ankohem fare sikur të kisha pará me thasë e të bëja pushime diku në Honolulu, e kush, them me vete: Maria, që i ka katër vetë në punë të përhershme, ka tre shtëpi të trashëguara, një nga gjyshja e mamasë, një nga familja e burrit dhe një si prikë, kur u martua me Nikon, i cili punon nëpër anije 9 muaj viti dhe merr një qerre lekë, (ndërsa edhe ky i fundit, vjen e më takon në kafene ato tre muaj që i kalon në tokë dhe më qahet që “ia dredh me të tjerë Maria e tij e dashur dhe nuk është fare nikoqire, por vete e më mbush një makinë të tërë në javë me ushqime, me gjëra të shtrenjta, që ne nuk i hamë dot, e si mund të hamë aq shumë”, më pyet i çuditur), edhe të birin Andonin e ka drejtues në një ndërmarrje me emër, edhe të bijën Tasien e ka me një punë të mirë që tani s’më kujtohet, por edhe Rabija nuk është më e mirë se Maria, ajo më takon kur dal e blej në tregun fshatar, gjithnjë me atë karrocën e mbushur plot e përplot me fruta e perime, më ankohet për hallet erotike të anëtarëve të familjes së saj, më thotë: (aktori bën sërish një zë gruaje, pak më të trashë tani), ai dhëndëri im ka një dashnore të re sëfundi, (i cili më takon në atë llotarinë sportive me të cilën çeklendisem nganjëherë dhe më thotë “si nuk u bie asnjëherë në kokë rezultateve, se, po t’u bie, më thotë, do të bëj atë e do të bëj këtë, do të blej vilë me kaq dhoma, do të blej skaf kaq e aq metrosh, do të blej një koleksion makinash luksoze, do të bëj pushime aty e këtu”, mua njëra ngjyrë e surratit më ikte e tjetra më vinte, zemra më hidhej vrik dhe më ngriheshin nervat, por prapë se prapë rrija e dëgjoja, se zemra ime është shumë e ndjeshme dhe e butë si një manare), ndërsa vajza ime e ka ende atë dashnorin e vjetër, por i është mërzitur e do ta ndërrojë, vazhdonte Maria, kurse djali më është pleksur me një grua të martuar që ishte shoqja e ish-gruas së tij dhe burri më është pleksur me pastruesen e pallatit, një ukrainase dymetroshe e sybojëqielli, kushërira ime e parë ka..., këtu zemra ime që është shumë e ndjeshme, gati sa s’më pëlciti nga të rrahurat, e kam shumë të ndjeshme dreqin dhe sikur e bëjnë kastile, vijnë e më qepen nga pas për të më thënë gjoja hallet e tyre, se veç halle s’mund t’i quash këto, them me vete i inatosur, por gjithnjë rri e i dëgjoj dhe, si njeri i kulturuar që jam, e ngushëlloj edhe Rabien, duke i thënë se këto janë gjëra kalimtare, rëndësi ka shëndeti të jetë i fortë, ajo më dëgjon pak dhe vazhdon sërish të më thotë se kushërira tjetër është gati ta braktisë burrin për një shoqen e një shoqeje të saj..., por unë iki nga sytë këmbët, se zemra s’më mban më asnjë sekondë, e kam shumë të ndjeshme zemrën, jua thashë, prandaj zotëri duhet t’ju falenderoj sërisht për idenë tuaj tepër të vlefshme të shkëmbimit, jam në pritje të ofertave tuaja, do të shes gjithçka që mund të blihet dhe me to do të blej nuse, do të blej fëmijë, do të blej vjehrrë, do të blej dhe nipër e mbesa zotëri.

Aktori ulet në karrige në një cep të sallës, duke i ikur projektorit, nxjerr një letër të bardhë, ku shkruan me të kuqe “Ankand”.

Ngrihet në këmbë dhe tregon letrën, pastaj kap flokët dhe, me zë të ulët, thotë:

- Kush do flokë të zinj të shëndetshëm, pa pah, jo të yndyrshëm, i shes për X euro si paruke, hë, kush ngre dorën, ju, zotëri, po ju i keni flokët tuaj dhe i keni si pyll të dendura, ja, pas pak mund të dalë edhe ndonjë ujk dhe kam frikë se do hajë atë gruan përkarshi teje, mos më thoni që është bashkëshortja... Mirë, mirë, ja, radhës tjetër do të marr një thikë ta vrasim ujkun, po druaj se mos na gjobisin ata të shoqatës së mbrojtjes së kafshëve të egra.

Po më thua se do m’i blesh flokët për dhuratë, si paruke, një shokut tënd tullac, që është pesëdhjetë vjeç, pa flokë, me grua dhe dashnore, me tre fëmijë e vjehrrë, me shtëpi të parë e shtëpi të dytë, me...

- Po ju, zotëri, që keni një orë me dorë ngritur, sa jepni? XX euro, o sa mirë! (fërkon duart i gëzuar) I doni në formë qelizash flokët, nga të pasmët, për vete? Sigurisht, që këtej jua dalloj pistën tuaj të fluturimit, më falni, zotëri, por jam shumë i gëzuar, “Ankandi” qenka vërtet ide fantastike dhe e dini kush ma shiti, (aktori e ngre zërin shumë) Muhameti, Poeti, vërtet pak shtrenjtë e bleva, por si gjithnjë më mirë i blej shtrenjtë gjërat, se sa lirë, se jam i varfër.

I drejtohet sallës, një zonje:

- Pse qeshni, zonjë, ju kujtoni se s’kam lekë, jo, kam tru, si i thonë mendje, e dini se si ja bleva idenë e “Ankandit” Muhametit, duke u bërë publiku i vjershave të tij, i thashë: sot Muhamet nuk kam dëshirë, as qejf t’i dëgjoj vargjet e tua, kam hallet e mia, dhe u hoqa mënjanë, gjoja i mërzitur, ai la poezitë dhe më erdhi i vrenjtur e i shqetësuar, pasi dëgjoi problemet e mia, e qepi gojën dhe u ul mënjanë. (Aktori vë gishtin në tëmthin e tij dhe vazhdon) Atëherë i propozova poetit një marrëveshje, se do ta lija të më lexonte gjithë librat e tij poetikë, ka bërë nja dhjetë deri tani, dhe, në këmbim, do të më jepte një mendim se si të dilja nga hallet e mia të varfërisë.

Ja, kështu ia bleva idenë Poet Muhametit, dhe çfarë ideje se... “Ankandin”.

Ma tha duke mbaruar së lexuari poezinë e 50-të të tij: “vëlla, nëse do me të vërtetë të bëhesh pasanik, shiti të gjitha”, - të gjitha zgurdullova sytë unë?!, si të gjitha, ç’farë të gjitha?! “Po” më tha: “duke filluar që nga flokët e tu si shkopinj, i ke të zinj, pa mendime fare, në kohën tonë mosmendimi është bërë modë, kudo sheh reklama të tipit: Lexoni Best Sellerin X apo Y nga filan autor, ka këtë subjekt, Kelly dashuronte deri në vdekje Andrew, Sofia vdiste për Andrew, ndërsa Andrew, i dëshpëruar nga dashuria e të dy grave dhe nga torturimi i këtyre mendimeve shkon e mbyllet në manastirin më të afërt, pastaj lëkurën tënde të bardhë, e ke të cilësisë shumë të mirë, vende vende është pak e murrme, por kjo s’ka rëndësi, e rëndësishme është që është e lëmuar dhe e bardhë, se ajo e bardha vlen dyfish se e zeza apo e verdha dhe e kuqja, e bardha mbulon çdo gjë, mbulon turpin, mbulon hidhërimin, trishtimin, gëzimin, ligësinë, kanibalizmin”, këtu ndaloi paksa, duke më parë në po e ndiqja dhe vazhdoi: “Po, kanibalizmin, është ai që ha njeriu njeriun, e kuptoj që do më thuash se e di se ç’farë është, jo nuk është ajo, në këto kohë njeriu është gjella më e shijshme në treg. Mund të shesësh edhe njërin sy, po, njërin sy shite, s’ka ç’të duhet edhe tjetri, është luks i madh të shohësh me të dy sytë, pastaj në këtë kohë që jetojmë më mirë është t’i shohësh gjërat sëprapthi, ose gjysmake, se të pjell belaja pastaj, nëse papritur sheh ndonjë aksident, apo ndodhesh në mes të një sherri dhe ndonjë tipi si puna jote ia marrin frymën, ndërkohë ti s’arrin ta ngrish dot kohën të mos rrjedhë, e si mund ta mbash ujin në pëllëmbë të dorës?!, s’arrin të kuptosh se vetëm ti je dëshmimtari i vetëm në një vrasje, përfundon sa të hapësh e të mbyllësh sytë me ca hekura të bezdisshme nëpër kyçet e duarve dhe i shurdhuar nga të bërtiturat e të sharat e ndonjë hetuesi nevrastenik, që, para se ta kuptosh pse të ka aq inat, të ka nxirë me ndonjë pëllëmbë a grusht dhëmbëve. Mushkërinë e djathtë shite, nuk të duhen të dyja, tani edhe ajri është me gjobë, megjithëse na i shesin të tymosur, kështu do të frymëmarrësh përgjysmë, do të kursesh përgjysmë, frymëmarrja kushton një djall e gjysmë në kohët tona, më mirë është ta shesësh një mushkëri që kushton një djall e gjysmë. Pastaj veshka do zerë shumë lekë, se ka radhë të madhe për to, ç’të duhen dy”?!... këtu filloi të binte celulari i Poet Muhametit dhe më bëri shenjë se po ikte... duke u zhdukur brenda atij telefoni të zi që hapi gojën dhe e përpiu.

Ide gjeniale, mendova, e Muhametit, pasi ky i fundit kishte ikur diku mes makinave me atë çantën e vjetër e të rëndë nga librat e tij, që, si gjithnjë, ishin plot dhjetë, me këtë ide do të blej nuse, shtëpi të mirë, makinë, fëmijë, vjehrrë, nipër e mbesa, po a do të më dojë nusja e re ashtu, pa flokë, me një sy, me një mushkëri, me lëkurë të rralluar, me një veshkë e me dhëmbë të hequr?!

Me këto mendime dhe i ulur në një nga ato skutat e errëta të qendrës, më vjen e më takon Kristo bojaxhiu, apo “shenjtori”, i thërrasin kështu ngaqë, kur po lyente apartamentin e një zonje të pasur, gjeti ca libra fetarë dhe që atëherë kë të njohur gjen përpara i bën predikime se si të sillet për të vajtur në parajsë, unë, meqë kisha hallet e mia, nuk ia vara, i thashë sot Kristo mos më ngacmo, kam hallet e mia, dhe ika te një tavolinë tjetër, duke kapur kokën me të dyja duart, ai porositi nja dy dopio raki, nja dy meze të mira dhe m’u ngjit aq shumë që t’ia tregoja hallet saqë më s’durova dhe ia hapa barkun. Pasi mbarova më tha: “e di unë se ç’duhet të bësh që të shpëtosh nga hallet e tua, do të të jap një ide të shkëlqyer, por ti, në këmbim të saj, do të më dëgjosh deri nesër në të gdhirë, se kam lexuar një libër të ri ashtu e kështu...”, unë u zverdha, piva me fund dopion time të rakisë dhe fillova të dëgjoja Kriston që ia nisi me pasion të më tregonte e tregonte, gjersa s’durova dot më e pas ca orësh i bërë spec në fytyrë i thashë, - o Kristo, tani ma thuaj atë idenë, se po më zjen koka, ai, pasi bëri një pauzë gjoja i habitur nga kjo mungesë takti nga ana ime, më tha: “Ja, ideja ime është kjo: ti je një njeri i shëndetshëm e nuk e mendon vdekjen, jo, më fal, atë jetën tjetër, atje përtej do të jemi shumë herë më të pashëm, më të fuqishëm, më të pasur, nuk e kupton se sa mirë është të vdesësh, ç’lumturi e madhe do të jetë për ty kur t’ia dhurosh trupin tokës..., krimbave...” .

- Po unë ç’përfitim do të kem nga të gjitha këto, si do të dal nga hallet e mia financiare?! - e pyes i çuditur?!

Ai më sheh i habitur me sy të zgurdulluar dhe vazhdon: “Po aty dua të dal, o derëbardhë, po nuk më lë, ti për mua meqë je një njeri i shëndetshëm dhe Zoti t’i ka falë të gjitha, duhet t’ua dhurosh flokët e tu të zinj atyre që s’kanë flokë, ose që sëmundja ua ka grabitur, në parajsë do të kesh flokë të bukur bjondë, duhet të dhurosh njërin sy, s’kanë ç’të duhen të dy sytë, në parajsë do të kesh sy bojëqielli, fringo të rinj, do të dhurosh njërën mushkëri, edhe me një frymëmerr për bukuri, në parajsë mushkëritë e tua do të jenë si të një atleti, dhuroje edhe njërën veshkë, në parajsë veshkat janë me kile, pastaj lëkurën tënde të bardhë dhurojua atyre që u është djegur, në parajsë do të kesh një shumë herë më të lëmuar e më bardhë seç e ke, pastaj dhuro...”, deri aty e vazhdoi predikimin e tij “Shenjtor Kristua”, se e morën në celular për të lyer një shtëpi të vjetër diku mes detit e malit dhe e përpiu nata... Mua më ngeli ideja e dhurimit dhe turbullimi i kokës nga gjithë ajo raki që piva.

Të nesërmen vendosa të bëhem shitës, se doja lekë, t’i shes të gjitha dhe të bëhem i pasur, të dal nga hallet e mia, të filloj idenë e Poet Muhametit, thashë dhe e fillova:

- Dhe ja ku jam, moj zonjëzë e bukur, i gatshëm për të vënë në jetë idenë e Poetit, jam gati tani, ja, të kreh pak flokët, të vesh rrobat e mira (bën sikur krihet e vishet), të kruaj zërin (kollitet tri herë fort), të bëj ushtrime oratorie (bën sikur shihet para një pasqyre dhe fillon të flasë pa zë), të bëj gati stilolapsin dhe fletën e madhe në tabelë, po, tani jam tërësisht gati, ku e lamë?! (Pyet nga salla).

Drita përqëndrohet tek ai / mbi të

- A, po, faleminderit... (bën sikur merr përgjigje nga salla). Atëherë rifillojmë, flokët, sa jepni për flokët?! XX euro, prapë aq, e thamë njëherë këtë zonjë e bukur, po ju, zotëri që i keni të gjithë flokët të bardhë, a nuk do të jepnit xxx euro për këta flokë pis të zinj dhe të shëndetshëm?

Jepni dyfishin?! (përsëri fërkon duart duke pëshpëritur një falenderim për Muhametin), T’i gëzoni flokët e mi.

Kalojmë te syri, cilin preferoni, të djathtin apo të majtin, i djathti është më agresiv, sa sheh një femër të bukur me tesha të pakta, menjëherë hedh sinjale në drejtim të saj, i buzëqesh, (po, zonjë e rreshtit të tretë, ja, ashtu, tamam si ju shkrihet dhe ai), po, më besoni, u shkel syrin, se jo më kot u ka dalë nami syve si flirtuesit më të mëdhenj të organeve njerëzore, ai i bën të skuqen shumë nga ato zonjushet e hirshme që i bëjnë edhe rrugët të turpërohen nga zbulimi i kofshëve, i gjinjve, i shpatullave, i kurrizit, por ka edhe të këqijat e tij ky syri i djathtë, është ca ekstremist, çdo gjë të vjetër që është bërë para tij dhe që nuk ia mbush syrin do ta shkatërrojë me themel, jo, thotë, këto gjëra nuk na duhen, se janë të kohërave të mëparshme, unë nuk i dua, nuk na duhen vjetërsirat, na duhen gjëra të reja, nga zeroja do të lindin shumë zero, por fringo të reja ama..., këto janë ca nga idetë e tij, por, në përgjithësi, është sy shumë i mprehtë dhe dinak, sheh gjithçka dhe nuk sheh asgjë, ose e mbyll shikimin atëherë kur duhet, se, po t’i shikosh të gjitha që ndodhin në këto kohëra të rrezikshme, thotë, të zë belaja dhe e dini se ç’më tha Gonia, ai i persekutuari i rregjimit të mëparshëm, që tani shet hekura, më tha këtë: “më mirë është që njeriu të hiqet sikur është shurdh, të mos dëgjojë asgjë, të hiqet sikur është qorr, të mos shikojë asgjë, të hiqet sikur është memec, të mos flasë fare...”.

- Po pse, mor Gone, gjithë kjo, i thashë.

E ai m’u përgjigj: “Veshët, sytë, goja janë thashethemexhinjtë më të mëdhenj në këtë botë, e ç’u duhet atyre se ç’thonë të tjerët, se ç’bëjnë të tjerët, prandaj më mirë bli një kyç dhe mbërthejua të rrinë mbyllur, se pastaj përfundon drejt e në një dhomë të errët, shoqëri me morra e me minj, apo në ndonjë hendek, duke i bërë karshillëk vdekjes”.

- Apo doni këtë të majtin, është i mprehtë edhe ky, ca më tepër dinak se i djathti, ky ta merr kalanë nga brenda, të ha si mola e nuk të shqitet po s’i shkoi e tija, është shumë hakmarrës, pastaj i pëlqejnë shumë rregullat, vendos aq shumë, sa i ndryshon çdo ditë, është shumë i organizuar, kudo që hedh vështrimin e memorizon, këdo që e vështron e shikon mirë e mirë, pastaj, që të mbaj mend nëse njëri e pa me inat apo tjetri me dashamirësi, i shënon në disa fletë, por meqë është vëzhgues i madh dhe ka ca damarë shkrimtari, nuk i mjaftojnë një, dy, pesë, apo dhjetë fletë, por merr një dëng të madh fletësh, e, meqë vuan nga rregulli i tepërt, merr ca dosje të mëdhaja dhe u shënon emrat, datat, vendin, orën, dhe pëshpësit apo syvëzhguesit e shumtë që thanë këtë apo atë gjë janë aty të shënuar”.

Në sallë ngrihen shumë duar, aktori ngre gishtin dhe e drejton në sallë.

- Hë, ti, zotëri, do të djathtin, o, po më çuditni, se ju jeni i ulur pikërisht në anën e majtë të sallës, aha, s’ju pëlqejnë as të majtët, as të djathtët, nuk ju pëlqejnë mashtruesit, më thoni, tamam siç më thoshte dikur Rakipi, piktori i talentuar dhe pijetar pó i talentuar, për politikanët, që: “unë nuk e kuptoj fare, mor vëlla, si ka mundësi, një që vjedh e mashtron nëpër rrugë e kapin tak-fak dhe, kur vete për gjyqësi, e zënë aq shumë nene, sa ja marrin frymën, dhe nuk del dot nga biruca pa disa dhjetë vjeçarë mbi supe, kurse këta politikanët vjedhin e mashtrojnë përditë, shesin edhe pasuritë e shtetit, shesin korrentin, shesin ujin që pijmë, lekët në xhepat e tyre përfundojnë, sigurisht, shesin portet, shesin doganat, shesin llozhrat, shesin edhe nënën e babanë, boll të ndjehen bosa, dhe e di ti se çfarë pësojnë ata nga të gjitha këto, asgjë, vetëm lavdi dhe monumente që i ngrenë vetes dhe kërkojnë të hyjnë në histori jo nga dera, si gjithë të tjerët, po nga dritarja, se e bëjnë vetë ata historinë, vetëm të hyjmë, thonë, se e dimë vetë ne se ç’i punojmë asaj”.

E po kjo është t’ia heqësh vetes, më thoshte, duke pirë atë gjysmëkiloshen e tij të rakisë, që e kishte racion çdo mbrëmje piktor Rakipi.

- Po, jepni trefishin, thatë, për syrin e djathtë, (aktori fërkon sërish duart me entuziazëm dhe thotë me vete: ku je o Muhamet, o gjeniu im”), atëherë edhe syri u shit te ai zotëria ulur në anën e majtë të ndenjësve, si thatë “kur do e merrni syrin?, po, pas nja një jave ejani dhe do e keni gati.

(Aktori shkruan diçka në fletën e madhe dhe e ngre zërin) Kalojmë te lëkura, kush do lëkurë të bardhë, të lëmuar, pa asnjë nga ato nishanet e vogla, apo blanat e murrme, ja, shikoni edhe vetë (aktori ngre duart, pastaj përvesh mëngët, nxjerr krahët, heq këmishën, tregon shpatullat), shikoni ç’bardhësi, a nuk ju qorron gjithë kjo e bardhë?! Me këtë lëkurë të re e të shëndetshme mund të mbuloni lëkurën tuaj të fishkur e të rrudhosur, të fyer e të poshtëruar nga ai më lart jush, se, sado që të jeni me pozitë, gjithnjë do të gjendet dikush që të jetë një shkallë më sipër e t’jua ketë bërë lëkurën rrogoz me të shara, me të bërtitura, në me fyerje e poshtërime, bile ka raste edhe të skajshme kur ta bëjnë kokën xhunga-xhunga, apo fytyrën ta gjakosin me ndonjë karrige kokës, ja, mund të them se edhe presidenti a kryeministri kanë mbi kokë një që i urdhëron a i shan çdo ditë, si, qeshni me mua, (aktori bën sikur nxehet, fillon të bëj ecejake nëpër skenë, duke ngritur shumë zërin dhe duke bërë me njërën dorë lart e poshtë e tjetrën në xhep), po mirë, vazhdoni të më përqeshni, s’ka gjë, por unë po ju them se çdo karrige e ka dhe kamzhikun e vet, po, zonjushë e vogël, mos u habitni, në treg, kolltukët, poltronat, karriget shiten bashkë me nga një kamzhik dhe, kush denjon të ulet nëpër to, harron se diku, dikur do të kamzhikohen nga ai kamzhik që u rri aty, jo te koka, por te bythët, më falni: ndenjëset... Si thatë, ju zotëria buçko i rreshtit të katërt djathtas, kush mund ta kamzhikojë kryeministrin tonë që është një njeri dy metra i gjatë dhe me mustaqet e ngritura përpjetë?!, eh, mor i dashuri im s’ke faj ti jo, (aktori ndalon së bëri ecejake, nuk e lëkund më dorën lart e poshtë dhe vazhdon ta mbajë dorën tjetër në xhep), e mbani mend Monikën, (salla “e imagjinuar”, fillon të qeshë me të madhe), Puron sigurisht që e mbani mend, do të më thoni se ç’hyn këtu Presidenti i botës me Kryeministrin tonë, ja, do t’jua them, Presidenti atje është më i plotfuqishmi, po, do të më thoni, pra, s’ka kush e komandon sipas mendimit tuaj, jo, gaboheni rëndë, e komandon Monika, po dhe kamzhiku i saj ishte ajo..., Puroja (salla “e imagjinuar”, fillon të gumëzhijë, aktori ngre duart dhe kërkon t’i qetësojë), pushoni, ju lutem, ku e lamë, po, kamzhiku ishte Puroja, ndërsa kamzhiku tjetër sigurisht duhet të ketë qenë karrikja dhe këpucët kokës nga ana e gruas, mirë, do të më thoni, po Kryeministri ynë kë ka kamzhik dhe unë ju them atë që më tha Jorgo evgjiti, i cili është lypës profesionist për gjashtë ditë, “se të dielave e kam pushim” më thotë, “të dielave marr kostumin dhe kravatën time, Bencin, Lolën, atë femrën kukull e dymetroshe dhe bëjmë qejf ku të na mbushet mendja”. Po, mos u habisni, ai nuk është as sakat, as qorr, as i varfër, kur zgjedh vendin ku do të lypë, bredh gati të gjitha rrugët përreth qëndrës, këtë studim e bën disa ditë, sheh cila rrugë rrihet më shumë nga njerëzit e moshuar, “se ata e kanë zemrën flori”, më thotë, “jo se janë të ndjeshëm, por bëjnë garë kush e kush të më japë më shumë, pasi kështu mendojnë se do të venë më shpejtë në parajsë, pika që s’u bie”, - pasi zgjedh vendin, njërën dorë e lidh fort me fasho, gjysmën e njërës këmbë e përthyen në brendi të këmbës së pantallonave, duke bërë kështu të duket me një dorë e me një këmbë, vë një kartelë përpara ku shkruhen ca fjalë prekëse të tipit “jam me një dorë e me një këmbë, nuk kam të ha, nuk kam shtëpi të fle, nuk kam ushqim për katër fëmijët e mi të mitur, jam me këtë e atë sëmundje dhe në fund për ëmbëlsirë një: jam me SIDA, ndihmomëni të hedh edhe këtë dimër”...

- Dhe ja ç’më tha Jorgo evgjiti, që i kishte shumë qejf shembujt me përralla, “Ishte një herë një mbret shumë i mirë me të gjithë, me familjarët e tij, me qytetarët e mbretërisë së tij, si dhe me vendet fqinje ishte në paqe e mirëbesim të plotë, por kjo zgjati vetëm për pak kohë, thonë, Mbreti filloi të mbyllej në vetvete, filloi të shihte kudo armiq, që, sipas tij, i dukeshin sikur donin ta rrëzonin, t’i zinin fronin, futi mijëra nëpër burgje, miliona, thonë disa, familjarët dhe fisin në fillim i internoi, pastaj i zhduku, bashkëpunëtorët më të ngushtë i vrau një e nga një, arriti deri aty sa edhe gruan dhe fëmijëve t’ua nxinte aq shumë jetën sa disa u vetëvranë e disa u futën me dëshirën e vet nëpër çmendina, të gjitha këto prapëseprapë nuk ia qetësuan shpirtin Mbretit, derisa edhe vdekjes nuk iu durua dot më dhe e mori. Më vonë, kur mbreti tjetër kishte disa vjet në fronin ku Mbreti i mëparshëm kishte urdhëruar gjithë ato bëma, hapi gabimisht një sënduk të vogël të artë, diku mes krevatit dhe pasqyrës së madhe mbretërore, në një vend të fshehur e të maskuar mjeshtërisht, pa se gjendej një bllok shënimesh i kuq, sa një libër i vogël, dhe ndërsa e shfletonte mësonte përse Mbreti paraardhës kishte bërë gjithë ato krime. Duke lexuar shumë e më shumë, mësoi se Mbreti para tij e kishte shumë të zhvilluar sëmundjen e mosfaljes, që kur ishte i vogël mbante mend, se cili fëmijë nuk i jepte filan lodër për të luajtur, kush e shante, kush e rrihte, kush nuk ia plotësonte tekat e tij egoiste dhe kështu u rrit, filloi të lexonte e të shkruante, i dhuruan një bllok të vogël të kuq, ai filloi të shkruante çdo gjë që i ndodhte, çdo gjë që e ngacmonte, filloi të mbante shënim këdo që s’ia plotësonte dëshirën atij, kushdo që sipas atij nuk e kishte qejf shënohej aty në atë bllokun e kuq, familjarët e shihnin çdo ditë të shkruante me penën e tij dhe çuditeshin për zellin e madh që tregonte, bile vinin edhe buzën në gaz e thoshin: shkrimtar i madh ka për t’u bërë, dhe u bë i madh vërtet, por jo shkrimtar, u bë shkatërrimtar, të gjithë ata që shënoheshin në blloqet e kuq, dikur të vegjël, eliminoheshin, të gjithë ata që e shihnin vëngër, burgoseshin, të gjithë ata që dikur kishin patur marrëdhënie edhe të thjeshta me të dhe ai nuk i kishte pëlqyer për njërën apo për tjetrën gjë, vriteshin, internoheshin, përndiqeshin dhe nga kjo nuk shpëtuan as fisi, as familjarët, as gruaja dhe fëmijët, bile edhe veten e tij ai e kishte shënuar te ai bllok i vogël i kuq”.

Aktori ngre gishtin drejt sallës

- Ju, zotëri i rreshtit të katërt, jepni katërfishin e asaj zonjës nga fundi, oh, Zot, faleminderit, po bëhem i pasur më në fund, po, zotëri, pas një jave do e merrni lëkurën time, si, si thoni, ç’pjesë mund të marrësh, po ku të doni, zotëri.

(Aktori shkruan diçka tjetër përsëri, “Mushkëria”) Kush i do mushkëritë e mia, të dyja i kam për të shitur, doni këtë të majtën(?), është shumë krenare, ajo më thotë se ka luftuar dhe më ka çliruar nga sa e sa sëmundje infektuese, nga sa e sa mikrobe bezdisëse, më vonë, ka filluar të ndërtojë ato që u shkatërruan, apo edhe shumë gjëra të reja që nuk ishin më parë, mburret se e ka zhvilluar vendin përreth mushkërive, bile e shan periudhën para se ajo të fillonte ndërtimet, thotë se ata që ishin para saj s’bënin një lek, nuk punonin në të mirë të shëndetit tim, bile arrinte deri aty sa më thoshte se ata të tjerët para saj kishin bashkëpunuar me armiqtë më të tmerrshëm të shëndetit tim, siç ishin sëmundjet infektive e mikrobet e shumta që qarkullonin atëherë. Mushkëria e majtë më duhet ta pranoj, që megjithëse ka shumë mburrje, ka bërë shumë për shëndetin, arsimimin dhe mbrojtjen time, se është një nga organet e mia më jetike, pa atë përpjekjen e saj unë do të isha tani shumë i ngathët e përtac, nuk do ta hidhja hapin me shokët, por do të rrija mbyllur mes katër muresh.

Apo doni mushkërinë e djathtë, kjo sigurisht është më kryeneçe dhe më llafazane, fjalët e saj hidhen në erë ashtu pamenduar dhe drejtohen të gjitha kundër atyre që ishin më përpara, çdo gjë u duket e shtrembër, ideologjia e tyre është më e drejta, të tjerat s’bëjnë hiç, ata tërë ditën e ditës thurrin plane se si do të bëjmë këtë apo atë ilaç që do të shërojë këtë apo atë sëmundje që e kemi të trashëguar nga regjimi, apo sëmundjet e së kaluarës, më detyron të rri tërë ditën në shtrat, më mban me premtime të kota, por nga ana tjetër mendoj se kjo mushkëri i ka ca ide në kokë, i ka pak të turbullta, pak të fryra, por më pëlqejnë dhe nuk më lë të mërzitem me gojëtarinë e saj aspak përtace.

Aktori ngre gishtin drejt sallës.

- Po, hë, ti, zonjë me pellush të bardhë në rreshtin e dytë, sa jep, pesëfishin e asaj gruas së rreshtit të gjashtë në mes të sallës, (Oh, Muhamet, ç’më bëre, ç’më bëre, më bëre të pasur, o derëbardhë! fërkon duart), ta gëzosh, zonjë, eja pas një jave, si thoni, ku do e merrni mushkërinë?, në klinikën private x. Merrni kë të doni, zonjë, për mua është njësoj.

(Aktori shkruan diçka në Fletë: “Dhëmbët”) Shes dhëmbët, i kam të rinj ende, shih sa të bardhë duken, i kam larë qysh katër vjeç e lart, kushedi sa kuintalë pastë e qindra furça dhëmbësh kam ngrënë, i kam të gjitha dhëmballët në rregull, veç dy i kam mbushur, por edhe ato i kam me flori, jo se kam lekë të mbush dhëmballët me flori, por jam i varfër dhe nuk ma mban t’i mbush me ato materialet e dobëta që, sa fillon të hash ndonjë mollë, të ngelet mbushja e dhëmballës në të, ja se si i mbusha ato të dyja, i thashë gjyshes, o gjyshe, po ti sa unaza ke, se të shoh që mban nëpër gishta një dyzinë me unaza që farfurijnë, ajo m’u përgjigj duke më treguar për çdo unazë nga një histori, kjo kështu e ajo kështu, derisa erdhi te e dymbëdhjeta, filloi të bëhej natë, ku mbaroheshin “dashuritë” e gjyshes... “Këtë që e sheh të ketë humbur shkëlqimin është flori safi, por ka shumë kohë pa pastruar, këtë ma dhuroi filan burrë, atëherë ishte një djalosh riosh mustaqepadirsur, m’u qep ditë e natë, në fushë kur punoja, në mëngjes më zgjonte me këngë te dritarja, ndërsa në mbrëmje më përgjonte i ziu se mos shfaqesha në dritare, por unë shejtanka e mbaja larg, që t’i ndizej zjarri që kishte për mua e ti bëhej vullkan dhe një ditë thashë: boll, moj Vankë, se mos të digjet bandilli e shkon e vete e bëhet kujtim, dhe e lashë të më fliste dhe e lashë të më puthte, por deri aq, se ashtu ishte atëherë, pastaj dy ditë më vonë gjendeshim të shtrirë nën një pemë dhe u fejuam duke më dhuruar këtë unazë floriri”.

- Gjyshe, ta marr e ta shkëlqej unë, i thashë, dhe ta jap ashtu siç ta dha ai, ajo nuk u bind në fillim, pastaj tha “po, merre dhe shkëlqema”, unë e mora, e shkriva dhe e bëra mbushje për dhëmballët, gjyshes i bleva një kallp te arixhinjtë që shkëlqente më shumë se dielli, ajo më falenderoi duke qarë me ngashërim, “rrofsh, nipçe, më uroi, se më çove përsëri në parajsë...”. Unë ula kokën dhe u bëra si spec i kuq në fytyrë, po më vriste e shkreta ndërgjegje...

- Me dhëmbët e mi mund të bëheni më të bukur, janë origjinalë, zonja e zotërinj, ata që s’kanë do të blejnë buzëqeshje, do të rigjejnë bukurinë e humbur, do të përtypin sërish ushqimin, do të blejnë kërcënime me shtrëngime dhëmbësh, do të kenë sërish mundësinë e të luftuarit dhëmbë për dhëmbë, e të grushtuarit dhëmbë për dhëmbë, apo të thonë krenarisht e gjithë dëngla “Tani do të t’i tregojë unë dhëmbët”...

(Aktori drejton gishtin në sallë) Po, ti, djalosh i ri atje në fund, pa ngrihu në këmbë, ashtu de, se nuk të shoh, je larg, po më habisni vërtet, ti kaq i ri dhe do dhëmbë, përse?! Më thua se do t’i bësh dhuratë, jo?, do t’i mbash rezervë për kur të plakesh, epo mirë, mua më duhen lekët e tua dhe jo qëllimet e tua, sa jep, thua, gjashtëfishin e zotërisë në krah teje?! (Fërkon duart shumë i gëzuar: i bleva gruan dhe vjehrrën, më duket, se shtëpinë dhe kalamajtë i bëra me organet e mëparshme).

U shitën edhe dhëmbët, urime djalosh, po, pas një jave dhe ti do i marrësh, e përsëris: në klinikën x, anonime, po, besoj e kuptoni rëndësinë e anonimitetit në këto raste?

(Aktori shkruan në fletë “VESHKA”) Po, e shes, (si thatë, ju, zonjëz e bukur e rreshtit të shtatë, cilën shes?!), shes cilën të doni ju, këtë të djathtën sigurisht që e shes më shtrenjtë, po pse, do të më thoni ju, pse vlen më tepër veshka e djathtë nga ajo e majta?! Do t’ju a them unë pse i kam vënë çmim më të lartë kësaj veshke të djathtë. Kjo e djathta është shumë më e fortë si organ, më pak e konsumuar, si në ide, ashtu edhe në veprime, ajo ka shumë më pak kohë se veshka e majtë në qeverisje të organit veshkor, po si ka mundësi, do të më thoni ju, epo ja që ka, se kur u linda doktorët njoftuan prindërit e mi se djali ka lindur me difekt në veshkën e djathtë, e cila tani nuk funksionon si duhet, por me rritjen e tij do të normalizohet dhe kjo zgjati për 18 e kusur vjet. Kjo e djathta, ngaqë nuk punonte me ritmin e së majtës, që iu desh të mbante në kurriz të gjitha punët veshkore, që nga organizimi deri tek detyrat më të rëndomta, kur i erdhi radha e funksionimit të saj të plotë si pjesë e barabartë e organit veshkor, u tregua fare e papërmbajtur për marrjen e pushtetit nga e majta, ajo filloi të nxirrte ca idera të papara më parë, se gjoja të gjitha çfarë ishin thënë e bërë përpara udhëheqjes së veshkës së majtë, jo vetëm që ishin të gabuara e të keqndërtuara, por ajo e akuzoi të majtën se kishte kryer edhe krime, bile nga ato fare të rëndat në dëm të organit suprem veshkor dhe nuk ndalej vetëm te kjo por e ngriti shkallën e akuzës në “Gjykatën e Lartë të Organeve”, ku e akuzoi këtë veshkën e majtë se ka kryer krimin më të shëmtuar atë të “Tradhtisë së Lartë kundër Shëndetit Organor”. Pastaj kjo e djathta iu fut punës të ndërtonte, ngrinte ditën e rrënonte natën ato që kishte bërë e majta, ndërtonte sipas ideve të saja, që thoshin, bëji gjërat gjysmake, më mirë gjysmake, se sa të plota, se mund të vij në pushtet të nesërmen një veshkë e llojit tjetër, që mund të mos i pëlqejë gjërat kështu siç i kam bërë unë dhe t’i prishë të gjitha, e pse të lodhen ata udhëheqësit e së ardhmes me prishjet e objekteve të plota, më mirë i prishin kështu si i ndërtojmë ne, gjysmake, më mirë prishen gjysmërrugët, gjysmështëpitë, gjysmëpallatet, gjysmëligjet, gjysmëpolicët, gjysmëgjykatësit, gjysmëinstitucionet gjysmëkulturore, gjysmënjerëzit që ne projektojmë, më mirë prishen të gjitha kur nuk janë të ngulura në themele të forta, por në ca fije të dobëta si ato të perit, që nuk duken fare e me një të shtyrë, fap rrëzohen përtokë si ca anemikë. Ja pse e shes më shtrenjtë këtë veshkën e djathtë, kjo ka idera origjinale që mendojnë për të mirën e shëndetit organor. Sigurisht që, po të doni këtë të majtën, edhe për këtë mund t’ju them fjalë të mira, që edhe pse i ka vitet e shërbimit të plota, prapë se prapë është e mbajtur si në shëndet ashtu edhe në mendime, pra në tru (mos qeshni, zotëri, se, po të iku mendja, s’je më për asgjë, nisesh për në banjë e shkon në kuzhinë dhe thua plot zemërim: kush është ai i mençur që u ka ndërruar vendet, kuzhinën e ka çuar në banjë e banjën në kuzhinë?!). Kjo veshkë ka punuar sa për dy, ka ndërtuar për dy, ka shkatërruar për dy, ka jetuar në bollëk për dy. Ajo mburret se e ka nxjerrë organin veshkor nga padija, nga moskultura, nga mjerimi i regjimit të mëparshëm, duke i hedhur poshtë të gjitha arritjet e atij të mëparshmit, i cili edhe ai ka patur të mirat e tij, sigurisht, por për këtë veshkën e majtë çdo gjë e mëparshme është e barabartë me zeron, kurse ato që ajo ka bërë janë të barabarta me lavdinë, madhështinë, përjetësinë, zhvillimin, domethënë Vendi Veshkor ia detyron kësaj veshke dhe vetëm kësaj tërë mirëqenien, tërë mbrojtjen e kufijve, tërë jetën e saj.

Si thatë, (ju, zotëria i veshur me kostum të zi nga fundi), jepni shtatëfishin e asaj zonjëzës së bukur në mes (aktori fërkon duart me gëzim të madh dhe mërmërin: me këto lekë e bëra dhe shtëpinë e dytë, atë të pushimit në fshat).

(Aktori niset të shkruajë sërish një organ të ri në fletën e madhe, por papritur e flak stilolapsin në tokë, i gris të gjitha fletët, i hedh dhe ato kudo, e rrëzon këmbalecin që mban fletët dhe vete në nje cep të errët të skenës, ku gjendet karrikja, ulet dhe mban kokën me duar. Drita përqëndrohet mbi të).

- Më vjen keq, jo për veten, as për organet që shita, më vjen keq për fëmijën time të palindur, në ç’djall bote do ta lind, këtu ku njerëzit janë kanibalë, ku shkatërrojnë në vend që të ndërtojnë, ku pyetjet nuk marrin përgjigje, ku toka ka njëqind pronarë, ku dinjiteti njerëzor është i barabartë me sasinë e parave që ke në bankë, ku, më thoni, ku do ta lind unë këtë fëmijë?! Do të bëhet për shkollë dhe do t’i mësojnë historinë e sajuar prej tyre, të qepur dhe të shkurtuar sipas modës së tyre, (mos më pyesni se kush janë ata), i dini vetë se kush janë, boll të ngrini kokat e t’i shihni, se ata nuk janë në gjatësinë tuaj, oho, ata janë ca viganë tashmë, kanë miliona, jo, jo, miliarda, janë aq shumë, më të gjatë se ju, sa duhet të ulni kokat, jo t’i ngrini, tamam sikur jeni duke u munduar të shihni ndonjë qiellgërvishtëse në qendër të Nju Jork-ut.

Më vjen keq për gruan që do të martohet me mua, me kë do martohet, më thoni, me një njeri të gjymtuar, me një burrë pa flokë, me një sy, me një mushkëri, me një veshkë, me mëlçi të zvogëluar, me lëkurë të rrjepur, sigurisht që do të jem i pasur nga lekët, do të kem dy shtëpi vila, disa makina, luks gjithandej sigurisht që do të kem, por... cila është ajo grua që do të më marrë me gjithë këto organe të përgjysmuara, më mirë martohesh me një të vdekur, ai nuk të bezdis në shikim, mund të shkosh me një tjetër kur të të dojë zemra, nuk jep llogari kurrë, kthehesh kur të duash në shtëpi, madje e merr edhe shtëpinë me vete po të duash, nuk bën fëmijë kurrë, paratë i ke të tuat, nuk të shqetësojnë në harxhove shumë apo pak, prandaj më mirë martohuni me një të vdekur..., është më pak i bezdisshëm se bashkëshorti apo bashkëshortja...

Po vjehrra, ç’do më dojë kështu sakat, jo, ajo s’ka për të më pranuar kurrë, bile do të thotë atë shprehjen klasike: “Kjo martesë do kalojë më parë mbi kufomën time”, ajo do të luftojë gjer në grahmën e mbrame për të më ndarë nga vajza e saj dhe ka të drejtë, sepse unë, duke jua shitur juve këto organe sot, ngela ulok, nuk do të mundem as vjehrrës t’i pëlqej (mos qesh, ti, zonjë e hijshme e rreshtit të katërt), ka këtu plot rioshë që, kur martohen, lënë mënjanë gratë e tyre të reja, se edhe gjella më e shijshme të mërzitet kur e ha për vite të tëra me radhë, dhe pleksen me vjehrrat e tyre të bukura e seksi dhe, kur i pyesin se si u vete martesa, thonë tërë mburrje se nuse si ajo që kanë nuk ka në këtë botë.

Po nipërit e mbesat ç’do më duan kështu qorr nga një sy, tullac e të rrjepur, do t’u ngjaj me Frankeshtajnin, apo me djallin, do të largohen me vrap të tmerruar nga unë, një përbindësh nuk mund ta duash, nuk mund ta puthësh dot, ai nuk mund të të blejë kurrë çokollatë, apo të të marrë nga kopshti e shkolla me ledhatime e përkëdhelje nga ato më të ëmblat. Një njeri të tillë si unë mund ta quash shumë më mirë kur vjen të takojë nipin apo mbesën: “Erdhi Gogoli”, se sa “Erdhi Gjyshi”.

Aktori ngrihet në këmbë, edhe drita ngrihet.

- Zonja e zotërinj, të rinj e të reja, fëmijë të dashur, “Ankandi” anulohet, nuk dua të ngelem pa lindur fëmijën tim, pa marrë grua, pa pasur kënaqësinë të kem vjehrrë, pa më puthur nipërit e mbesat, sigurisht nuk dua të ngelem.

Kam nderin e kënaqësinë t’ju them se dëshiroj të ngelem i varfër dhe nipërit e mbesat të bërtasin duke ulërirë nga gëzimi: “Erdhi Gjyshi”.

03.2008