ARQILE V. GJATA: Asnjeri mos të vdesë i pa dobi



- Një esse për jetën -

Shpesh hedh shikimin në kohën e ikur të jetës ngarkuar me mall dhe ngjyra të domosdoshme të cilat nuk na përsëriten më. Ajo iku dhe la pas një mal me dituri, pse jo dhe prapsira . Në jetë dhe pse ka më shumë lot se gjak, ti ke pjesën tënde, ke emrin tënd....që akoma nuk e di kur do e mësosh me saktësi, pjesën dhe vlerën e vetvetes .
Në këto çaste nuk e kuptoja atë përzierje heshtjesh ardhur deri në trupin tim për faj të shpirtit . Ajo kohë më shkëlqen si yll e mi ndriçon kujtimet, që s’jemi në gjendje t’i shikojmë në fytyrë . Kujtimet janë rrëfenjza që s’kanë vlerë, veç për mua deri për sa të jemi të dobishëm .
Kisha dëgjuar, që kur je i pikëlluar, i dobët, i drithëruar për një fjalë të mirë, do të gjendet afër një shok, një mik, apo një gjysmë shprese . Ato kujtime marrin kuptim tani që i kujtojmë dhe padyshim tani që kërkon t’i ngjitësh në një copë letër me bojë, që duhen vite të harrohen .
E gjithë kjo histori, që dua të tregoj më shumë për njerëzit e mi se sa për vete, nga goja e hiçit i grindur me veten mu ngjall një dëshirë për të qarë !! Të qarët të lehtëson shpirtin, ta shkul nga mendimi, atë veprim që ke ndërmend të kryesh . Njeriu ka nevojë të qaj....ky fenomen të jep të drejtë, të ngushëllon, është një mik në çaste të vështira kur të krijohet një lëmsh hidhërimi brenda shpirtit për ta vënë trupin në lëvizje për jetën .
Në këto çaste që ndodhte kjo histori, më dukej vetja si i balsamosur në ambientet e lokalit ku punoja . Askush nuk e dinte çfarë do ndodhte brenda meje, kurrkush nuk më shikonte se çfarë shpikje do bëja...Kisha muaj që roja përgjysmë, por ndjeja se dikush po mi hiqte ditët për poshtë këmbëve dhe se po firoja mendërisht . Mendimet po gërgateshin në atë që, jeta dhe vdekja janë binjak dhe, që nuk e di kush nga të dyja është më e lumtur..? Dhe jetën dhe vdekjen nuk i ndal dot askush, ato ekzistojnë, ndërthuren me njëra tjetrën, marrin eksperiencë prej mendimit të tyre dhe bashkëjetojnë brenda kohës, e kërkojnë njëra tjetrën brenda fisit, shoqërisë dhe botës .
Pran meje në këto çaste ndodhej një ‘’ qenie e gjallë’’që mund të më ndihmonte për këto mendime...E mbaja në duar dhe..po e ledhatoja, doja ta pyesja se si mund të kisha sa më pak dhimbje, deformime në fytyrë dhe në se do isha i mirëpritur në botën që mendoja të isha kandidat . Por ajo qenie e ftohtë mu përgjigj :
- Ç’të duhet jeta? Jeta është një zakon i lashtë ndërtuar mbi gurë....eja me ne , ne jemi më shumë se këta të gjallët....,më thoshte .
Megjithëse ajo ditë ishte e mbushur me mëri, me uri dhe pa shpresë....Ndjeva se dikush më trokiti në sy . Dora mu mpi mu bë miza-miza . Këmbët më morën me vete, larg asaj ftohtësire....
Kështu, mu duk sikur e mbyta mendimin e çasteve të mëparshme brenda vetes për mos humbur pështjellimin e nderit.....bukurinë e fëmijëve .
Unë shikoja gjithë botën . Mbrapa mureve kishte jetë, dëgjoheshin zëra dhe të qeshura . Dikush ia kishte marrë një kënge rinore . Përtej xhamave të dritareve dalloheshin kalimtarë dhe çifte të kapur prej krahu . Te sheshi i vogël i lojërave disa fëmijë po luanin me top . Lart qielli ishte i pastër... Qyteti merrte frymë gjithandej në mënyrën e vet .
Para meje mu hap një album fotografik. Ja jeta ime fëminore, prindërit, nëna larguar nga jeta me shumë dhimbje . Në album fëmijët, dy engjëj prej mishi dhe gjakut tim . Po...ata një ditë do të rriten, do kërkojnë, do pyesin se kujt i pata borxh a frikë .
Albumi shfletohet radhë-radhë, por shumica e faqeve është e pastër, e bardhë, ende të pa shkelura .
Unë ndjeja gjithçka....ndjeja atë që quhet jetë....Fëmijët do rriten do burrërohen do bëhen prindër . Në ditë feste dhe gëzimi ata me mall do shtojnë fletët e albumit... Plotë shok e miq . Unë do u gëzohem luleve të jetës, mbesave dhe nipërve . Një dashuri më e fuqishme do më pushtoj shpirtin, dashuria për njeriun, për të bukurën, për të ardhmen, dëshira për të jetuar i dobishëm, për të pasur një jetë timen, pa luspa dhe rrudha .
Megjithëse nuk shpëton dot nga lotët e luleve dhe të gjakut- jeta përsëri është shumë e dashur . A nuk duhet kjo jetë...?
Duke menduar për të ardhmen, për atë që na takon të gjithëve, një lëngë drite më qasesh nëpër sytë . Shpesh mendojmë se ne duhet të besojmë për ato gjëra që nuk ekzistojnë...por jo...! Pasi ato ( që vetëm ekzistojnë si hije ) e humbasin shijen e së vërtetës . Dhe që nga ky çast iu betova vetes se :
Nuk do Vdisja Kurrë....!!
Asnjeri nuk duhet të vdes i padobishëm....Ashtu si Dielli....dhe jeta është një diell...!
Ishte pranverë, ajri ishte shumë i ëmbël, më i ëmbël dhe më i pastër se më par .Njerëzit kishin dalë të gjithë nëpër rrugë, buzë detit.
Një diell i vogël po ngjitej mes gjelbërimit të ullinjve drejt bregut të detit. Lart qielli ishte qëmtuar nga retë. Qyteti gumëzhinte gëzueshëm së bashku me kalimtarët dhe me shpirtrat e tyre kacavirurë rrugëve të jetës. Ora e madhe e Markatos tregonte në çdo çast orën e saktë...
Vlorë, 1-10-2005

No comments: