ILIR SHYTA: E vërteta bën keq në zemër


-->

(Adevărul dăunează inimii)

(Mbështetur në veprën e Fan Nolit “Israelitë e filistinë”,
sendërtuar mes dyzimit Rabin -Samson.
Motivet universale të Biblës në jet’veprën e tij)
S’jetohet pa kundërshtarë. Po, po. Asnjëherë nuk mund të jetohet pa kundërshtarë. Arena e pafundme e jetës të vë përballë të mirë dhe të këqinj. Gjithësesi asnjëherë s’duhet të harrosh që jeta ka shumë pak njerëz të mirë. Përballë këtij dimensioni artificial arrin të matësh forcat e tua dhe të përtypësh mirë anën tënde të kundërt, atë që rri pranë teje dhe të ysht si plagë e fshehur drejt rrënimit total.
Që jeta të vazhdojë duhet antagonizmi. Në faltoren e paskaj gjen idhuj të rremë.
Atë që ti me shumë mund e sakrificë e mendon si gjysmë zemër, të del pa gjak fare dhe atë tjetrin, që po ti e mendon si një zemër të tërë sërish të del kundërshtar. Shprehja e vjetër maskiliste “ Zot më ruaj nga femrat, se nga meshkujt ruhem vetë”, merr në këtë aspekt një formë të palëkundur mendimi jo vetëm në fatet e Samsonit dhe Dalilës. Asnjëherë s’mund të jetosh pa kundërshtarë. Qofshin këta të butë, a të fortë, të vegjël a hiperbolikë, të dukshëm atë padukshëm, imagjinarë a të vërtetë, burra apo gra e vajza...
Nëse dikush nuk bëhet pengesë në rrugën tënde, s’ka më forcë rreth globit për të ekzistuar. Ky parim me kundërshtarë, i jep jetës gëzim mbijetese. Dëshira për të jetuar ndoshta qëndron te kuptimi i gjetjes së bukurisë së saj te njerëzit, që bëhen pengesë për ty. Bukuria estetike e jetësimit në përgjithësi e gjen forcën te dëshira mes sakrificash. Nëse jeta nuk do të kishte më kundërshtarë, sigurisht nuk mendoj që s’do të ishte e bukur, por të them të vëretetën ngjyra do të ishte e njëtrajtshme, pa alegri dhe ndoshta e tharë nga nervi i vetësakrifikimit.
Në këtë mënyrë njerëzit s’do të kishin vizion uni. Ngarkesa do të kishte qenë vetëm në mendjen e tyre të dhjamur nga rehatia, si pjesë ekzistence dhe pjesa tjetër do të ngroheshin rrezeve të vakta të diellit sipërfaqësor, që do të agonte visesh jo vetëm shqiptarësh, për të dëshmuar mosekzistencë dhe vdekje të gjumtë ngadalshëm.
Asnjëherë nuk jetohet pa kundërshtarë të duket lehtësisht fjalë e rëndë, por e vërteta duhet besur edhe kur të bën keq në zemër. Edhe pse kjo pjesë e parantezës lexohet lehtësisht në dramën skelet të Nolit, mbetet humnerë apokaliptike që duhet besuar mendueshëm dhe pa pikë dyshimi. Përgatitu dhe matu për t’u ndeshur edhe me më të mirin, qoftë dhe vetëm njëherë. Nën këtë hamendësi të vërtetë që burimi i pashtershëm i jetës të mëson, Penelopa ka vite që rithur ëndrrën e saj të moskëputjes së fillit lëmsh, që ajo ruan në zemrën e saj të vogël dhe me shumë lëng shprese.
Të kesh kundërshtarë do të thotë të vuash dhe të vuash do të thotë të kesh tis pavdekësie.
Noli brenda këtij imazhi të dashur për të gjithë, vetëm lartësohet nëpër kohëra. Përmendorja e tij skalitet edhe mes atyre që e urryen apo e groposën bashkë me ëndrrat e tij në ato ditë të zeza të përmbysjes republikane. Në këtë dritëparje e vërteta e kundërshtarit mban një pozicion të sinqertë dhe të mjaftë për të kuptuar që jeta s’mbetet një pasqyrë e pakrisur nga ta.
Kanë apo s’kanë të drejtë palët?
Kjo është një mënyrë të menduari, nisur nga pozicioni që ke brenda të vërtetës, e cila kërkon të besohet edhe kur ti mbetesh shenjuesi i saj më i drejtpërdrejtë. Padashur të mbrosh vetëm një palë, asnjëherë nuk mund të kuptosh që ke bërë mirë apo jo. Nuk mund ta kuptosh gjithsesi nëse je i penduar apo hakmarrës, edhe pse ndjenja e dashurisë në emër të atdheut mbetet dashuri mbi dashuritë. Në kohën tonë ndoshta është qesharake kjo formë e të menduarit, por brenda misioneve të mundshme atdheu edhe mund të vrasë në emër të një civilizimi që varros heronj të heshtur kur këmbanat e kohës bien për mos harrim. Shprehja “Asnjëherë s’mund të jetosh pa kundërshtarë”, bëhet kështu qëllim i mundshëm në vetvete dhe të jep forcë gjykimi që jeta mos zërë kornizë avujsh të turbullt.


***
E vërteta mbetet dinake edhe për humbësit dhe për fitonjësit. Në këtë kalvar njerëzimi ecën përpara dhe pas hijes së saj. Me modele apo jo. Me të drejtë a të padrejtë, dinakëria rikthehet në kryefjalën e gjithësecilit që mendon se e ka të vërtetën me vete. Ç’rëndësi ka në je humbës a fitonjës? Në betejën e palavdishme dhe monotone shpesh, në përditshmërinë tonë, e vërteta dridhet e s’përdridhet hone dritëhijesh për t’u prezantuar me më tepër dinjitet. Me forcën e dhunës apo të heshtjes, ajo mbetet fjala më e lakuar nga të gjithë ata që bëjnë zhurmë në emër të saj. Mes pabesisë dhe vyrtytit për të bërë më të mirën ecën golgota njerëzore. Në dinakërinë tonë arkaike dhe të moderuar, gjen shteg domosdoshmëria për ta shitur veten si pjesë paanësie. Të jesh humbës, ndoshta asnjëherë nuk ke dëshirë ta hyjnizosh veten tënde, por sigurisht nëse je një fitonjës i lavdishëm, sigurisht që ke nevojën e borieve të suksesit.
Koha e modestisë sigurisht që ka perënduar të paktën në këtë kapërcyell shekujsh.
Jam dhe do të jem i zoti i madhështisë sime, në këtë moment. Ama, vetëm për momentin se më vonë asnjëherë s’i dihet çfarë ndodh. Mund të kem flamur lavdie a mund të mos ta kem, një të tillë.
Ngërçi dinakërisë shtruar këmbëkryq, udhëkryqesh njerëzore mbetet menuja më e sigurt që duam apo s’duam prezanton një fytyrë të shëndetshme. Dashuria në emër të së vërtetës, mund dhe duhet ndonjëherë të përshfaqet me maskë triumfi, ndoshta për të zgjuar te vartësit e tu, atë që s’duhet të bëhet publike, por që në themel të saj ka cinizmin e një ndërgjegje të gjymtuar.
Më i forti, sigurisht që nuk nxjerr kurrë në shesh dredhinë apo mashtrimin, ndërsa edhe në pasqyrën e më të dobëtit, shpesh të mundur, nuk shfaqet kurrë pika më e dobët e dështimit. Zëri jetës të thërret drejt honesh të thepisur edhe kur miklimi i krenarisë të merr në qafë, duke të thyer hundët e ekzistencës jopërfundimisht.
Përballë botës, si gënjeshtër hiperbolike në çdo rast përshfaqet shpesh e më shpesh e vërteta, që ndoshta të bën keq në zemër. Ky rrit tradicional zbutet me tone të një dëshpërimi të vakur që pret një ditë të zgjohet plotësisht joformal. Hije dyshimi që brejnë rrënjët e së vërtetës dashur pa dashur shfaq edhe prezantimi me madhështi i fitores. Përcaktimi “si e Pirros”, të dërmon dhe rruga e drejtgjykimit tënd pëson disfatë të ndjeshme mendore. Koshienca dhe subkoshienca, ëndrra dhe zhgjëndrra, mbështillen me një patologjizëm inkurajues.
Optika e humbësit dhe fitonjësit e çon dëshirën e fitores drejt shtigjesh mjerane shpesh dhe pa vizion rrugëzgjidhjesh. Ndërkaq, për të dalë nga lloj-lloj amulli të tillash, shumë syresh e drejtojnë drejtpeshimin e vetvetes dhe të orbitës që mbartin me ngjyra pushteti, drejt interesit personal duke përgjysmuar peshoren popullore me militantë ose asnjëanës të verbër, të cilët s’u shmangen detyrave të paracaktura, që eprorët në momente të caktuara ua vënë përballë. Në këtë përballje të mundurit dhe fitonjësit dinakë, kërkojnë me klithma të dëshpëruara atdheun e tyre, që shpesh e kanë fyer, përbuzur dhe shitur në do rastesh historike. Dinakëria dhe dinakët aspak fanatikë për fatin e atdheut që rënkon, kërkojnë të vendosin baraspeshën e mbijetesës së tyre me çfarëdo çmimi që interesat meskine u kërkojnë. Një e vërtetë e tillë s’mund të mohoet nga askush!
Njerëzimi, përballë fatesh të tilla mjerane e jomjerane ka nxjerrë mësime që i harron enkas kur ja lyp nevoja e fajësisë individuale.
Refrene te tilla të dëshpërojnë, por kurrë s’të vdesin. Përkundër golgota e zemrës së gjithkujt bëhet edhe më e fortë për të përmirësuar imazhin e përdukjes. Elementët e shpresës të vërtiten ëndërrueshëm a jo dhe të bëhen melhem plagësh që koha ka dashur t’i lëmojë me harrimin e saj. Përkundër këtij niveli, e vërteta dinake shton ditët e saj dhe pse çmimi mund të jetë tepër i shtrenjtë, në kurriz të miletit të dëshpëruar që s’gjen askurrë zgjidhje mentale.
Idealet e jetës njerëzore gjithmonë janë mësuar me sprova të tilla që ndoshta mbeten modele imitacioni. Këto ideale ndonjëherë është më mirë mos kishin ekzistuar kurrë.
Narcisizmi mbetet një detaj kyç psikospektiv në “Israelitë e filistinë” të Nolit. Përballë pasqyrës kohë të ’24-ës përshfaqet dukshëm imazhi samsonian.
Jam i fortë, madje shumë i fortë. I dashuruar deri në vdekje me atdheun tim. Për hatër të këtij idili gëlon miti i udhëheqësit të suksesshëm allautilitar.
Peizazhi në pasqyrën kohë shfaqet i bukur domethënësisht. Vizatohen përreth kaltërimit diellor ashpërsi terreni dhe frikë marramendëse honi njëheresh.
Kumbon kështu në këtë mirëmëngjes etja e pathyeshmërisë. Muskujt dhe forca e tyre nënkuptohen në këtë profil narcian dhe riciklohen në vallen rituale të jetesës së përditshme.
Samsoni beson te portreti që i shfaqet në pasqyrë. Trimëria dhe guximi mbeten brerorja më simpatike e momentit për të.
Jam i fortë, me një fjalë i besoj forcës sime, do të ishte nëntitulli më i mirë për të motivuar këtë prezantim para pasqyrës.
Ndërkaq nuk duhet të harrojmë kontekstin historik të atyre viteve kur Nolit kryeministër do t’i bashkoheshin në misionin e tij qytetarë dhe katundarë të palëkundur forcërisht. Të gjithë bashkohen e bëhen një peizazh shqiptar i aso kohe nën figurën burrërore të militantit republikan. Forcë dhe mençuri përshfaq dimensioni gjeografik i atdheut. Me një fjalë idili mes jetës dhe vdekjes së pushtetit, dashurisë së pafundme për triumf aspak fatal e bëjnë figurën e Nolsamsonit të besueshme. Këtë e dëshmon edhe historia e Revolucionit Demokratik të qershorit 1924.
Përfytyroni një kryeministër që mbetet jo vetëm largpamës i idealit të vet, por që luan gjithmonë kur ia lyp puna me elementë maturie e gjakimi gjakftohtë në anën e kundërshtarit. Poshtë rasos së priftit mbetet unikale fytyra e politikanit.
Pa demagogji, duke qenë realisht besimtar i unit të tij komformist, Noli shtyn ditët dhe qeveris orët e kabinetit të tij vendimmarrës.
Pasqyra dhe narcisizmi i profilit të udhëheqësit të fortë, të pasqyruar në të, shënjojnë një nga momentet kulmore të serialit jetësor nolian.
Aspak i etur për pushtet, por edhe më i etur për qeverisje të drejtë e pushtet të fortë Noli nis hapat e projektuar në miniaturë.
Koha do t’i hedhë ndërkëmbësh, stuhi dhe acar njëherazi, shi e përmbytje vdektare në horizontin qeverisës, por kurrë nuk do t’i fashitë flakën e dashurisë për të ndërtuar imazhin e më të fortit, sfidant kombëtar.
Ana tjetër e pamjes, në pasqyrën kohë, brenda kuadrit narcisist, është imazhi i udhëheqësit të dobët fizikisht e ushtarakisht.
Jam i dobët, madje shumë i dobët...
Teksa shikon pasqyrën kohë të atyre do vitesh, Nolisamson vajton peizazhin njerëzor që e rrethon.
Fytyra të vrara ligsht, të paushqyera mirë, pisur e frikur nga vdekja e paraardhur që injektohej falë rrënimit total e shpirtëror të vendit...
Vallë me këta njerëz do ta mbaj pushtetin, vallë ky taraf trimoshash do të më përkrahin në të mirë e në të keq???
Ndoshta të tilla pyetje Noli i ka bërë vetes...? I mbyllur në mbështjellën vetmitare të Samsonit, kryeministri ndjehej keq, ndoshta më keq se kur ky portret i ligur i shfaqej në pasqyrën e kohës.


***
Kësaj natyre kishte kohë që i mungonte dashuria e fillimvertë e diellit guximtar e trimëror, ikur zëshëm dhe figurshëm nga skena politike. Vajtimi i psherëtishëm kishte kohë që ishte shtruar këmbëkryqshëm në dit’natën njerëzore të vitit ’24.
Ngjyra e qershorit bëhet kapriçioze e nuk kërkon aspak të ndërrojë kolor, megjithëse kryeqyteti ndërronte bukur ngjyrat stinore ato motesh.
Shprehja “Atdheu fillon te zemrat”, bëhet edhe më e frikshme kur në pasqyrën kohë shfaqej figurina e kalorësit të vrerosur, pse jo të pashpresë tanimë.
Në këtë kuadër egoja e Nolit kishte vdekur plotësisht. Atdheu i tij s’kishte forcë e fuqi mbrojtjeje, ndihej i mëdyshur dhe në udhëkryq. Brenda këtij pasqyrimi rigonte si shiu rezil i vjeshtës shprehja e tij “Shqipëria u bë me shtet, vallë a do të bëhen shtetas shqiptarët?”
Çuditshëm kjo pasqyrë narcisizmi s’merr komandë nga askush. Profesionalizmi fle sirtarëve të pushtetit deri disi të ëndërrt për Nolin. Ndoshta do të kalojë edhe 2024 dhe Shqipëria e shqiptarët do të mbeten në portëvuajtjen e kujtesës historike.
Atdheu përballë Nolit të drobitur, në profilin gjithditurak e jo dobësisht të dobët vizatohet krenar dhe epshndjellës në kopshtin shkëmbor të Europës Juglindore.
Dobëtia nuk shfaqet kalimthi për t’u përndezur më tej me një forcë më rezistente. Ajo bëhet pjesë e planeve ëndërrake që mbetën pezull në amfiteatrin fals të kohës.
Përballë këtij pesimizmi virtual, Noli largohet. Së keqes i ka ikur dhe lufton me të në emër të aromës së mirë atdhedashëse.
Fati i keq nuk ju nda edhe xhamit të qelqtë pasqyronjës. Shtetarët e kësaj periudhe teksa kundronin vetveten, kuptonin se ky imazh reflektohej në pasqyrën e kohës.
Të luftosh me të gjitha format, pa pasur një strategji të qartë, është ndërkaq parrulla më e kotë.
Trupi i drobitur i Shqipërisë ndihej butësisht i papërgatitur për të rimarë sërish atë pushtet, që muaj më parë ia rrëmbyen duarsh pa rezistencë ose shkrepur një armë të vetme.
Eshtë pak e çuditshme, por shtetas shqiptarë që ëndërrojnë begati në shtetin e tyre, mbesin jashtë mirazhit udhëheqës. Ndërvarësia e fateve të shoqëron në gjithë leximin e kësaj skeletdrame.
Dështim apo sukses?!
Në të dy momentet, të gjithë shfaqim rolin tonë lider! Brenda këtij kuadri ekzistenca e drejtuesit, merr lojë komandimi. Kështu të gjithë mësojmë që në një realitet me dhe pa lustër lideri kërkon të bëjë a përçojë më të mirën e mundshme.
Edhe kur dështon, apo edhe kur ke sukses, pranëvënia e ndërvarësisë së fateve, në realizimin e objektivave të tua të shoqëron. Mjafton të jesh në kohën e duhur, në faqen e duhur të misionit të jetës tënde. Në vendin e duhur edhe ëndrra s’mbetet më ëndërr, ideali del jashtë kornizës korracë të servilizmit dhe hipokrizisë.
Fati mbetet pjesë fati, për mirë a për keq, për gaz a për mort. Fati të përkëdhel fatalisht ndonjëherë ose gëzueshëm... Brenda këtij rrethi vicioz gjithkush ka rolin e vet. Ndërvarësia e fateve, vesh ngjyrat e viteve ’24-’30. Kalvari fillon e bëhet më i mprehtë, teksa vështron nënshtrim a fitore.
Endërrueshëm apo jo, tiktaku i orës ndjek pas më të mirin. Drit’hija e tokës në më të shumtën e rasteve fokuson eklips marramendës me ngjyra shprese triumfale. Jeta mbetet ndër pjesët më të shtrenjta të kurrikulumit përfaqësonjës individual.
“Të bësh më të mirën për mëmëdheun tënd, e jo të presësh nga atdheu”, nën këtë slogan amerikan “shpirtdruri” , kupton që e ardhmja e tij mbetet prapë më e dashur në dheun e të parëve...
Nëse beson në një ëndërr, mos hidh hapa prapa. Brenda kësaj nostalgjie për të tejçuar imazh shprese, figura e Nolit kapërcen të zakonshmen. Hyjnizimi apokaliptik fillon e plotësohet me grimasën e fatit që e braktis udhëve të revolucionit të vet demokratik.
Ai është i vendosur...
Fan Noli beson te e vërteta dhe mbetet naiv, aspak mjeran, që do të mbështjellë kryet me duar kur raca e vet do e tradhëtonin sikur Krishtin...
Nën këtë fatalizëm emergjent sigurisht që duhet katarsis për vet’rrëfim. Endrra për t’i mbetur jetës e për të marrë ngjyra a tis nanuritës, në faqet e kësaj skeletdrame, merr krahë e fluturon visesh e njerëzish që kurrë s’e anatemojnë vendin e tyre, por shohin begati me hapa shprese.
...edhe kur mërgon larg, Noli e merr me vete ëndrrën e tij. Nolsamsoni beson në forcën e shpresës dhe mban në të njëjtën kohë me kurajo vet’veten. Sipërimi i kohës kërkon kurbane që mjergullnaja të davritet e kësisoj të plasë edhe syri i keq. Epoka e sukseshme e qeverimit nolian, ndjen pendim. Edhe pse nuk vlen ky optimizëm, vlen së gjithash mësimi që buron e s’shterr kurrë prej pësimit. Kthimi pas asnjëherë s’vlen në jetë. Zbeh dhe turbullon shikimin.
Kthimi pas në kohë asnjëherë s’ka diell. Befshëm vdes çasti e bashkë me të edhe fiziku yt. Njeriu dështon, por ka edhe sukses në misionin e tij. Kjo ndërvarësi motivon bashkëpunimin klanor, për të shpalosur një devizë a mision. Të gjithë mund të japin më të mirën për atdheun e tyre në çfarëdo roli që kryejnë.
Realiteti gërvisht mes dhimbjesh, plagë të mbyllura që kërkojnë shpesh e më shpesh drejtësi. Përballë dhimbjes së përgjithshme, individualja fashitet nga melhemi patriotik.
Dilema e përjetshme “Shqipëria u bë me shtet, vallë a do të bëhen shtetas shqiptarët...” e gjen shpjegimin nën përtypjen e arsyetimit të mësipërm. Dilema e ngelur udhkryqesh qysh atëherë, ka evoluar nëpër kohëra për më tepër agim të bardhë ndërgjegjësimi.
Meditimi ngel mes dy përfytyrimesh, Nolin vital në qershor të ’24-ës dhe Nolin predikues në ditët tona. Brenda këtyre kohërave vdes dhe ringjallet atdheu si në ditën e tretë të dit’vdekjes për të lartësuar pavdeksinë.
Leximi biblik i “Israelitë e filistinë”, mbetet një lexim i paajsbergtë deri në fund, por që sjell në dritë pamore dit’netët specifikisht të vështira të politikës së sotme kombëtare. Mes ëndrrash apokaliptike shteti vizatohet i paqëndrueshëm dhe shtetasit e tij si pjesa më e pazotë. Ky imazh përvijohet nga viti në vit qysh atëherë kur atdheu vështrohej me sytë e emigrantit plangprishës.
Sfidë në jetë mbetet fati i mëtejshëm i njeriut. Leximi i dorës, filxhanit, falli i letrave... mund dhe ndonjëherë të të shtyjnë drejt shtigjesh shpesh edhe të rrezikshme... Sfida e tejmbushur me shpresë mbetet faltorja më e mirë e njeriut të dyzuar. Gjithëherë njeriu bën sikur e ka kuptuar dhe shpesh hiqet si i pakuptueshëm. Brenda këtij fati endet filli i Arjanës mitologjike..., në labirinthe të vazhdueshme vitesh...
Parashikimi në rrugën e fatit mbetet pjesë e imazhit të kujtdo. Të bindesh a ta kërkosh atë është sërish njëlloj, sepse brenda imazhit vizion gëlon fati i mëtejshëm njerëzor..., për investimin e më të mirës.
Gjithkush gjen hakun e vetvetes brenda fuqisë mikluese të vendit tënd. Atdheu mbetet fole ndër shumësi folesh dashurie. Forma e më të mirit, rrezaton nivele modeli brenda gjeografisë së ndershmërisë adhetare. Në emër të fatit të mirë betohet edhe më i ligu i kohës së zezë...
Nocionet fat e sfidë, ndonjëherë mund të ta mbyllin dritaren e pamjes ku presin poshtazi saj turmat që kërkojnë liderin...
Megjithatë sërishmi mund të përshtatesh në formulën e mbijetesës për të gjetur rrugë të reja mbijetese.
Thonë që fati është i shkruar, por thonë gjithashtu që fatin mund ta shkruajë vetëm njeriu të cilit i ka rënë për hise. Gjurmësh të tilla rron dhe vdes atdheu për t’u bërë më i mirë në ringjalljen e madhe...
E vërteta vuan gjithherë. Brenda këtij emotiviteti ekziston edhe frika e forcës për t’u ndëshkuar ose bindur në emër të saj. Vuajtja mund të jetë disafishe. Mund të jetë e plotë a sipërfaqësore. Ç’rëndësi ka?!
Ajo që duhet theksuar dhe jo anashkaluar është elememti ekzistencial. Këtu, në këtë pikë vlerat dhe antivlerat humbasin portretin fizik dhe e trukojnë atë me qindra dhe mijëra forma shumëtrajtëshe. Përballë Samsonit-Nol vuajtja bëhet oaz i shkretëtirës shqiptare. Me çdo mënyrë të prezantimit të saj, vuajtësit portretizohen të shtypur edhe nga instinktet bazë të qenies.


***
Tragjedia “Israelitë e filistinë” u ka folur brezave në kohë dhe vijon të lexohet në mënyra të ndryshme prej tyre. Do të mundohem nëpërmjet saj t’u qasem cazë të vërtetave që ajo të përvijon teksa e lexon.
Në qendër është personazhi i Samsonit mitik, të cilit i ngarkohet misioni i konvertimit të filistinëve në fenë israelite. Gjithçka do të realizohet me anën e bindjes, jo forcës. Për këtë, krenaria e tij nuk dëgjon zërin e të parve, urtësinë e vendit.
Më tej ai mashtrohet dhe përçudnohet nga lajkat e Dalilkës së bukur dhe epshndjellëse. Në fund filistinët, pasi mësojnë sekretin allasamson, zhburrërojnë delirin e tij...

No comments: