KRENAR ZEJNO: Shenja e paparë e “bohemit” të madh Shqiptar (Artur Tashko)

Është shenja, ende pothuaj e panjohur ndër ne, e një artisti të madh prej sërës shqiptare të artit, Artur Tashko.

Duke ia kqyrur kronologjinë e jetës, nga njëra anë si bohemiane dhe nga tjetra e parë si dinamikë të projektuar prej lëvizjeje gjeometrike, vëren se maestro Tashko është ndodhur, çuditërisht apo pikërisht, në qytetet më të rëndësishëm të botës së artit. Madje gjatë periudhave më të spikatura për secilin prej këtyre qyteteve, kur gjatë shekullit të kaluar kanë marrë si me rradhë rolin e krye-polisit artistik të historisë së artit: Vjenë, Boston, Paris, Marsejë, Firence, Madrid, Londër. E mandej përfundimisht në Kolumbi, si për t’u kthyer në zanafillë të artit, në vendin ku prehet antikiteti prekolumbian që, siç dihet, konsiderohet shtrati parak prej nga u ngjiz kubizmi.

E prej kësaj gjeografie përvojash jetësore prej artisti, duke kundruar e shqyrtuar veprën e tij (ndonëse më tepër në albume e riprodhime, gjë që duhet thënë se është mjaft larg ndritimit prej veprave origjinale) nuk vonon të rrokim së paku sensacionin e asaj çka shekulli i kubizmit pat pëlqyer ta quante l’esprit de geometrie. Lëvizjen dhe ritmin mbi format gjeometrike elementare.

Zëfilli të duket vetja si në një oborr plot tablo të një fryme dhe afërie nga Maleviç te Paul Klee teksa piqesh edhe me frymën e Ibrahim Kodrës (në fakt, eksperienca kubiste e Tashkos është kronologjikisht përpara këtij).

Prej kompozimeve kromatike me inspirim muzikal te transfigurimi i realitetit, duke e hedhur atë ndër përmasa rrëfimi, në kërkim të një shpirti dhe reflekseve shpirtlartësonjëse të gjërave, e gjer tek degëzimi inteligjent i rrymës së konstruktivizmit: suprematizmi, si pika më e lartë e semplifikimit të imazhit.

E shenjuar fort duket se çelet në vepër edhe poetika dhe sjella lirike që na ofrojnë arkanët e muzës muzikë, me harpat dhe lirat e mandolinat, të cilat i kanë për zemër dhe i shfaqin që të dy piktorët tanë kubistë. Si dhe peisazhet e detit, disa edhe prej Brindizit nga ku Tashko ndiqte fundin e luftës në rrekje të shquante brigjet shkëmborë të atdheut të tij. Nën atë notë humaniste të një pikture me shpërhedhje lirike, të llojit që Apolineri e kishte pagëzuar “kubizmi prej Orfeu”.

A thua, ky realitet i rikompozuar copëz pas copëze, i cili na shpallet si nëpër mozaikët bizantinë, edhe pse përmes riprodhimeve, të mos jetë thjeshtë iluzion optik e aq më keq patetik?! Apo siç na shfaqen dhe plot simbole evokative si një urdhër primitiv i ikonografisë! Ikonografisë sonë pasuri, ndër më të mëdhatë që kemi. Ndaj na duhen ekspozitat e do të na interesonte kjo ekspoze, edhe për thellimin në të.

Edhe një gjë: Është polifonia, pra dhe e jona, që mund të na e zgjerojë diapazonin e kuptueshmërisë edhe për të tilla vepra.

Meqë jemi këtu, pikërisht ku na lypset shumë të jemi, thuhet se polifonia është futur si term duke iu referuar metodave kompozitive te Schönberg. Një ditë, kur këtë ide ndërlidhjeje po e përmendnim me profesorin Eno Koço, ai brofi dhe ia behu: Bah! Pas një vonese çasti kuptova se sigurisht nuk ishte pasthirrmë kundërshtie, por veçse emri i parevokueshëm ndër dashuritë e tij i vetë gjeniut të muzikës. Kahnweiler, galerist dhe blerësi i parë amerikan i Pikasos, në studimin mbi Juan Gris (një nga referimet bazë mbi kubizmin), tentoi të stabilizonte një paralele mes kubizmit dhe muzikës dodekafonike.

Ndërsa më i madhi i kritikës amerikane të artit Clement Greenberg, kur nisi të shquante më gjerësisht pikturën “integrale”, ku çdo zonë dhe element në tablo zë vend e rëndësi, nëmos të njëjtë, të barabartë në theksimin empatik, e sqaroi më tej kështu: “Ashtu si polifonia edhe piktura integrale është një grupim që përbashkon, ku secila nyje kur i vjen rradha përfaqëson edhe skemën e njëjtësuar të kompozimit. Vetë nocioni i uniformitetit është kundërestetik. Por ja që mjaft prej pikturave integrale mbeten të arrira pikërisht falë këtij uniformiteti të tyre, monotonisë së tyre puro. Shtrirja, shpërhapja e pikturës në një pëlhurë tezgjahu drejt pahjes së një sensacioni të thjeshtë nën një barrë përsëritjesh, duket dëshmia dhe përgjigjja e diç thellësisht të rrënjosur në sensibilitetin bashkëkohor. Literatura ofron paralelet e saj përmes Joyce e Gertrude Stein.”

Dolëm këtu, pse mbase do të na duhet që “leximi” i veprës së Artur Tashkos të kalojë edhe përmes theksimit mbi ekuivalentin grafik shkrimor në tablonë kubiste, ashtu si dhe ai piktorik i “gjuhëzimit kubist” në letërsinë që prodhoi me anë të shkrimit automatik Gertrude Stein (shkrimtare, galeriste e Pikasos dhe një nga ideologet e kubizmit).

Është, ndoshta, edhe në lëmë të shkrimit automatik inspiruar nga dadaizmi dhe surrealizmi, si dhe ndërsjellën me pikturën avangardiste të kohës, fusha ku mund të qartësohet diçka nga përvoja e pikturës së Tashkos ashtu si dhe piktorit Ibrahim Kodra. Edhe ky i fundit sipas kritikës ( Paul Rafael, 1962) prej neoklasicizmit, kubizmit e pastaj pikturës abstrakte, mbërrin si përvojë fundore tek automatizmi. Kuptohet, çdo trajtesë mbi veprën e kubizmit pikasian na fton edhe në pikasje më të holla për të ravijëzuar paralele analogjie mbi të cilat mund të mprehen veglat për studimin më të thelluar dhe afinitetin e çuditshëm mes veprës së Kodrës dhe Tashkos, por edhe për vetë të ashtuquajturin kubizmi i vonë. Si dhe për të ndjekur të përbashktën e pikturës së dy kolosëve tanë dhe konvergimin drejt arritjeve më të mira të kohës. Dhe jo vetëm për të shenjuar e shtrirë më tej sinorët e artit me vulë shqipërie, por tashmë si një kontribut botëror në rrymat e spikatura të artit të madh të shekullit të XX-të.

Ashtu si Kubizmi prej vizioni hispanik i Pikasos - që megjithëse lindi prej një fare hibride nga arti prekolumbian e arti negër te grafika japoneze -, u rrit në djepin e kulturës mesdhetare, ashtu, pra, edhe kubizmi i vonë nuk mund të përplotësohet pa atë ballkaniken e përfaqësuesve më të lartë të penelit maestral si Tashko e Kodra. Mbetet interesante në vijim analiza e elementëve dhe prirjeve të cilat sjellin atë që konsiderohet shpërngulja dhe ndryshimi i pikturës së Tashkos nga arketipi i korpusit kubist. Çka përbën e do të pasuronte gjithë tablonë e thekshme të Kubizmit.

Në honor të maestros Tashko, muzikën e veprës madhore të tij dhe pasardhësve, do ta përshëndesnim me një tingull soprano jehone nga Tefta Tashko Koço dhe me një fishkëllimë qiellore prej krijuesit të kubizmit, Pablo Pikaso:

“Ka piktorë që e bëjnë diellin një pikë të verdhë, ka nga ata që me artin e inteligjencës një pikë të verdhë e kthejnë në diell”.

Mirë pra, dakord, - vijuan ta cysnin gjeniun edhe më vonë - po ama çka ishte ajo që e bënte të pëlqehet pikturën e tij?!

Dhe e dini çfarë tha, apo jo! “Nuk e di. Është diçka si kënga e zogjve”.