RIDVAN DIBRA: Libri në koma. Rroftë Facebook-u! - mbresa nga një përvojë e parë -

(Cartea în coma. Trăiască Facebook!)


Përvojat e para të një individi (shqiptimi i fjalëve të para, lodrat e para, sherret e zënkat e para, libri i parë i lexuar, shokët e miqtë e parë, puthja e parë, përvoja e parë seksuale, botimi i parë, tradhtia e parë, divorci i parë etj. etj.) është provuar se janë të rëndësishme, në mos vendimtare, në formimin dhe jetën e tij. Ndërsa në rastin e një shkrimtari, këto përvoja të para, në më të shumtën e rasteve, bëhen gurë themeli mbi të cilat ndërtohet ngrehina e tij letrare.

Me këso arsyetimesh e bindjesh në kokë, vendosa t’i shtoj listës së përvojave të mia të para edhe një të re: atë të facebook-ut. Pasi kisha refuzuar për muaj e muaj me radhë ftesat e shumta në adresën time (shokë e miq, shkrimtarë e jo-shkrimtarë, të njohur e të panjohur), më ne fund u dorëzova: ftesës elektronike të poeteshës së re Dezdemonë B. për të qenë shok i saji iu përgjigja pozitivisht (OK). Më pas, duheshin kryer disa formalitete të thjeshta që unë, më në fund! të bëhesha anëtar me të drejta të plota i komunitetit qindra-milionësh me emrin fort tingëllues FACEBOOK. Si i mbarova adetet elektronike, natyrisht, kureshtja ime e parë do të ishte njohja me poeteshën e re Dezdemonë B. Profili (portreti) i saj më la pa mend: një biondinë e hatashme, si e dalë yrysh prej një reviste mode, më këqyrte plot joshje e provokim. Pa e marrë veten mirë nga turbullimi i çastit, erdhi edhe reagimi i saj i parë:

“Hi Ridvan!”

“Hi Dezdemonë”.

“Mirë ke qenë?”

“Mirë”.

“Ke mirësinë të lexosh poezinë time të fundit?”

“Jam i nderuar...”

Pa e mbaruar mesazhin tim, ia mbërrin edhe vjersha e Dezdemonës: një vargëzim bajat dashurie e që nuk ka asgjë të përbashkët me portretin magjepsës të autores. Megjithatë, ia ngre lart (vjershën). Poetesha e re largohet e lumtur: si duket, nxiton t’i shpërndajë vargjet e saja tek të tjerë facebook-as. Thuajse jam i bindur se askush, qoftë ai dhe shkrimtari a kritiku më pedant, duke shijuar portretin e autores, nuk do të ketë kurajën ta shajë atë palo poezi...

Sapo jam ndarë nga poetesha e bukur, kur në adresën time vijnë thuajse njëkohësisht dy ftesa:

1. Dëshiron të bëhesh anëtar i grupit “Kundër hipokrizisë së Ismail Kadaresë”?

2. Dëshiron të bëhesh anëtar i grupit “Ne mbrojmë vlerat e Ismail Kadaresë”?

Kujtohem se kohët e fundit jam sharë e kritikuar thuajse njëkohësisht edhe si “mik” i Kadaresë, edhe si “armik” i tij, prandaj dhe i pranoj pa hezitim (OK) të dyja ftesat.

Por befasitë në facebook nuk paskan të sosur! Ftesën e radhës ma dërgon Ridvan Dibra, domethënë vetja ime: “Dëshiron të jesh shok me Ridvan Dibrën?”. Thuajse pavetëdijshëm (ndjesë për mungesën e modestisë!), kujtohem sakaq për gjithë ata shembuj shkrimtarësh të shquar (Kafka, Pirandelo, Pesoa, Dostojevski, Prust, Borges, Apdajk, Forster dhe plot të tjerë), të cilët kanë pasur probleme me personalitetin e tyre të dy apo të shumëfishtë.

“Hi Ridvan Dibra!”

“Hi Ridvan Dibra!”

“Je një shkrimtar koti”.

“Jam”.

“Cinik dhe i shtirur”.

“Ndoshta...”.

Alter egoja ime virtuale më shan e fyen sa mundet dhe mandej largohet (me siguri!) i kënaqur. Unë nuk kam nge t’i bluaj sharjet e fyerjet, sepse, ndërkohë, në adresën time kanë vërshuar me dhjetëra e dhjetëra ftesa “për shok e mik” (kurrë, në jetën time reale, nuk kam pasur kaq shumë shokë e miq): shkrimtarë të njohur ose jo, politikanë të majtë e të djathtë, lexues dashamirë ose e kundërta, analistë të pavarur e të angazhuar, gazetarë lloj-lloj, miq të fëmijërisë e emigrantë, femra të bukura si kukulla, kritikë e akademikë etj. etj.). I pranoj të gjithë (OK), derisa më nis dhimbja e kokës dhe vërej me tmerr se pasdrekja ime (e çmuar!) ka shkuar për lesh (siç shprehet një mik i imi shkrimtar): asnjë faqe libri e lexuar, asnjë rresht nga romani im i ri i shkruar... Dal nga aty (nuk e di pse, por kam përshtypjen se sapo kam dalë nga një kurth katakombesh e ku gëlojnë gjithfarësoj papastërtish) dhe betohem të mos futem më, thuajse i bindur se nuk do të mundem t’i rezistoj gjatë tundimit të kësaj Sirene Bashkëkohore me emrin joshës FACEBOOK.

Në mbrëmje, deri vonë, bluaj në mendje lloj-lloj gjykimesh e interpretimesh rreth raporteve të Librit me fenomenet bashkëkohore, sidomos me Lartmadhërinë e Tij, Internetin. Qëndrimet janë të shumta e të larmishme, por në fund të fundit ata mund të organizohen në dy grupe të mëdha:

1. Partizanët e tezës se “Libri i vërtetë (domethënë Letërsia) është në rrezik dhe se po humbet karakteri i tij elitar”. Mbrojtësit më të shumtë të kësaj teze duket se janë Shkrimtarët e vërtetë (domethënë ata që vuajnë për librin).

2. Partizanët e tezës se “libri (domethënë gjithçka e shkruar dhe e bërë publike) po njeh një lulëzim të paparë dhe se institucioni i publikimit kurrë nuk ka qenë më demokratik sesa sot. Mbrojtësit më të shumtë të kësaj teze duket se janë kritikët dhe akademikët (domethënë ata që jetojnë me librin).

Kokën e ndiej plumb nga dyshimet e dilemat. Aq më shumë kur në ditët e sodit, në të ashtuquajturën epokë postmoderne, të vërtetat (herë-herë të dukshme si drita e diellit) bëhen relative dhe të krijohet bindja se gjithkush ka të drejtë.

Të nesërmen, duke ruajtur dyshimet e natës së kaluar, i shmangem programit mësimor dhe u flas studentëve të mi për mrekullinë me emrin facebook. Në fund të orës, veçoj dhjetë studentë (më të mirët!) dhe u bëj një pyetje të thjeshtë: “Sa prej tyre janë anëtarë të bibliotekës së universitetit dhe sa anëtarë të facebook-ut?” Përgjigja nuk më befason dhe aq: dy prej tyre janë regjistruar në Bibliotekë, tetë në Facebook.

Nuk më mbetet gjë tjetër veçse, i tërhequr mënjanë, t’ia pohoj vetes me gjysmë zëri:

LIBRI NE KOMA. RROFTE FACEBOOK-U!

Kaq.