Hiqmet Meçaj
Përjashtimi në letërsi
Për shumë autorë është thënë se janë mbyllur në kullën e fildishtë.
Të mbyllesh në kullën e fildishtë do të thotë të mos kesh komunikim me të tjerët, të jesh i përjashtuar.
Arti është e fshehta që humbet sepse u zbulohet të tjerëve.
Thënia e mësipërme më duket se është çelësi më i mirë për ta kuptuar këtë. Çdo njeri, pa qenë e nevojshme të jetë shkrimtar apo artist, ndjen dhe mendon në mënyra të ndryshme, gjithashtu përditshmërisht shprehet te të tjerët, nxjerr të fshehtat e tij, mirëkuptohet ose keqkuptohet me ta. Kjo është marrëdhënia njerëzore, mirëpo procesi i krijimit ndryshon.
Në se do të quajmë krijim një libër apo edhe një poezi të vetme, shikojmë se kemi të bëjmë me një sistem të tërë shenjash, pas të cilave rri i fshehur krijuesi i tyre. Për t'i zbërthyer të gjitha ato, duhet një kod dhe, pasi e kemi gjetur kodin, mund të themi se kemi arritur te e fshehta që ka humbur pasi na është zbuluar neve. Por ç'ndodh kur kodi është më i ngatërruar se ç'duhet, kur ka elementë të rinj të cilët nuk na lejojnë të arrijmë te e fshehta që i ka ikur krijuesit, por që nuk arrin dot të na zbulohet neve? Atëherë themi se ai krijues është mbyllur në kullën e fildishtë, pra është përjashtuar prej nesh. A nuk duhet thënë më mirë se të përjashtuarit jemi ne, që nuk arrijmë të zbërthejmë plotësisht kodin?
Këtu e dymijë e pesëqind vjet më parë Platoni është shprehur se syri nuk do të mundte të shikonte diellin, në se nuk do të kishte formën e diellit1. Sipas kësaj shprehjeje të çuditshme gjeniale, aparati dhënës, dielli, dhe ai marrës, syri, përshtaten për të bashkëjetuar, ose më mirë për të patur marrëdhënie. Nga kjo thënie universale mund të arrijmë fare mirë në përfundimin se shpirti duhet të ketë formën e së bukurës që të kuptojë e shijojë bukurinë, ose e kundërta (formën e së shëmtuarës që të kuptojë e shijojë shëmtinë). Këtu po bëj një shënim të domosdoshëm: (në veçanti shkrimtarët e mirë, meqë shpirti i tyre nuk mund të marrë dot formën e të shëmtuarës, nuk flasin për librat e këqij dhe nuk marrin pjesë në promovimin e tyre, sepse kjo do të ishte njëlloj sikur të merrnin pjesë në funeralin e letërsisë së mirë. Kështu që detyrimisht përjashtohen edhe fizikisht, meqë krijuesit e të shëmtuarës janë pambarimisht të shumtë, vetëreklamohen, dekorohen, ftohen nëpër bankete e redaksira, duke krijuar përfytyrimin se ajo letërsi e tyre është modeli që duhet lexuar e ndjekur).
Këtu fillon keqkuptimi i madh midis krijuesit dhe lexuesit që, nëpërmjet një kodi shenjash, humbet të fshehtën e vet për të na e zbuluar neve. Shkrimtari vetë shndërrohet në shenja të ndryshme, të cilat na japin kënaqësi kur i kuptojmë, sepse vetëm kështu arrijmë së fundi të ndjehemi të kënaqur ngaqë arritëm në skutat e fshehta të shpirtit të krijuesit. Kur nuk arrijmë dot, shkrimtari për ne është i pakuptueshëm dhe fajin ia hedhim atij, themi është i mbyllur në kullën e fildishtë, e përjashtojmë. Mirëpo më parë na ka përjashtuar ai, ne nuk e kuptojmë atë, kodi i tij është i vështirë për faktin se ne nuk jemi të përgatitur për ta zbërthyer. Në këtë rast mund të themi fare mirë: jemi ne që u mbyllëm në kullën e fildishtë.
Raste të tilla nuk ka vetëm në letërsi, por në krejt mendimin njerëzor në përgjithësi. Kujtojmë Darvinin, Njutonin, Kopernikun, Da Vinçin e plot të tjerë, që e paguan moskuptimin dhe përjashtimin ndonjëherë edhe me jetën e tyre. Të tjerë dekoroheshin e bridhnin salloneve, veprat e të cilëve sot kanë humbur e nuk kujtohen më.
Do të sjell një shembull pak të zgjeruar, jo nga prehistoria e letërsisë, por nga ajo e shekullit që sapo kaloi. E kam fjalën për poetin Kavafis.
Krijimi është vuajtje në vetmi, mbyllje në mikrobotë, që kërkon të dalë nga fshehtësitë e shpirtit në makrobotë. Kavafis ishte i mbyllur në vetminë e vet, vuante vite të tëra për të nxjerrë nga shpirti të fshehtën e një poezie. Ai nuk interesohej fare si shkruanin poetët e tjerë grekë të kohës. Në Greqi asokohe lulëzonte romantizmi me përfaqësues të mëdhenj, të cilët ndiqnin traditën, duke e modernizuar atë me mjete të reja shprehëse. Për Kavafin tradita ekzistonte në një formë tjetër, krejt ndryshe dhe prej tij kodifikohej në një mënyrë që të tjerët nuk mund ta kuptonin. Kavafis për rreth 40 vjet ishte një poet i kullës së fildishtë, sepse krijimtaria e tij përjashtonte të tjerët. Të gjitha poezitë e poetit, rreth 13, në mbi tridhjetë vjet, kishin brenda tyre kundërshti ndaj asaj që ishte krijuar para tij. Mos vallë Kavafis shkruante për të përjashtuar të tjerët? Absolutisht jo. Ai shkruante të nxirrte përjashta të fshehtën e vet, e cila mbetej e fshehtë sepse nuk çkodifikohej dot, duheshin çelësa të rinj për ta hapur baulen ku gjendej thesari. Pra Kavafis përdorte shenja të tjera që përbënin një kod të ri.
Te poezia e tij, Mure, poeti shprehet "... përreth më ngritën mur. /Dhe tani rri dhe dëshpërohem këtu. /Më gërryen zemrën dhe trurin ai mur, /sepse jashtë kisha gjëra shumë për të bërë.".(Përkthimi im).
Kështu e përshkruan ai vetë përjashtimin...
Po përdorim përsëri një thënie të Platonit, që e kanë shfrytëzuar aq mirë kubistët: ndjesia është lëvizje, shpirti, (fryma) palëvizshmëri2. Kubistët e shndërruan kështu: lëvizja është armik i formës3. Thënia e mësipërme e Platonit është, sipas mendimit tim, shumë komplekse. Sipas tij, ndjesia, (aftësia perceptuese me anë të shqisave), ndërgjegjja, që buron nga qenia materiale njerëzore, është e lëvizshme, e ndryshueshme, kurse shpirti nuk ndryshon, sepse është i përjetshëm. Kjo na çon te mendimi se shkrimtari, lëviz, udhëton atje ku do të shkojë ai edhe pa lëvizur fizikisht, nëpërmjet dhe falë ndjenjës së tij, në vetminë e vet.
Një studiuese e Kavafit, Alqi Thrilo, në vitin 1932, në revistën Qiklos, në shkrimin me titull "Disa përshtypje nga vepra e Kavafit", shkruan: "Jeta është një mashtrim i madh". Pyes zonjën e nderuar: Kur jeta është një mashtrim i madh, po letërsia ç'është? Duke iu referuar poezisë Itaka, ajo bën një vëzhgim të mprehtë kur thotë, natyrisht për atë që udhëton drejt Itakës dhe për këdo që duhet të udhëtojë drejt Itakës: "Do të mësojë se udhëtimi nuk të çon gjëkund, se gjithçka është e kotë, se Itakat nuk ekzistojnë, por në udhë do të argëtohet, do pasurojë egon e vet, do ketë mësuar të vëzhgojë... Njeriu do ketë zbuluar magjepsjen nga jeta dhe kënaqësinë e ekzistencës...".(Përkthimi im).
Jo vetëm kjo poezi, por edhe të tjera, krejt vepra e Kavafit përshkohet nga udhëtimi ndiesor i njeriut nëpër botë të panjohura, prej të cilave shpirti i tij pasurohet. Pikërisht në udhëtime të tilla e gjen shkrimtari të fshehtën që kërkon të sakrifikojë duke ua zbuluar të tjerëve, duke ndjerë dhembjen e vetmisë dhe të sakrifikimit të së fshehtës së vet. Jeta dhe vepra e Kavafit, por dhe e shkrimtarëve në përgjithësi, (këtu nuk fus të gjithë ata që shkruajnë e bëjnë male me libra dhe që fare mirë mund të quhen shkrum(b)tarë, por jo shkrimtarë), është një ikje e hidhur nga realiteti, një zhytje brenda ndjenjës së tij, që lëviz në realitete të tjera, të cilat janë të vërteta vetëm për të dhe të kodifikuara në shenja, që presin të zbërthehen e të kuptohen nga të tjerët.
Më vjen edhe sot për të qeshur me diçka që më tha dikur një miku im grek, i cili sot nuk jeton më. E quanin Vangjelis Pavlopulos dhe e pëlqente Kadarenë, sidomos librin e tij "Kamarja e turpit". Një ditë, më tha, vendosa të shkoja në Stamboll për ta parë atë kamare, ku viheshin kokat e prera të kryengritësve kundër perandorisë. Shkova dhe pyeta gjithkund, asnjëri nuk dinte gjë për të. Qenka mashtrues i madh ky shkrimtari juaj, më tha. Paska krijuar një Stamboll tjetër nga mendja e tij!
Kadareja e kishte krijuar vërtetë Stambollin e vet, pa lëvizur fizikisht, duke udhëtuar nëpër kohë në vetminë krijuese, duke ngritur një qytet të ri perandorak, të besueshëm ndoshta më shumë se sa i vërteti.
A ka të bëjë tradita me tërë këto që thamë? A është tradita e dhënë e përgjithmonshme, e pandryshueshme? Përse tremb largimi prej saj?
Tradita është një grumbullim përvojash që jepet e gatshme për zgjidhje të gatshme. Traditë ishte për njeriun ngrënia e ushqimit pa praninë e zjarrit. Më pas, pas zbulimit të zjarrit, as i shkonte në mendje kujt të hante mish të gjallë. Në fillim u përdor guri, më pas veglat prej metali. Njeriu vuri në përdorim rrotën, e kështu me radhë. Përvojat e vjetra përherë kanë zëvendësuar të rejat, po jo brenda një dite dhe jo pa përpjekje e kundërshti. Vetëm brenda shekullit XX sa tradita janë përmbysur në të gjitha fushat. Po përdor si shembull Urën e Artës dhe atë të Patrës. E bukur është Ura e Artës, janë kënduar balada për të, por me mënyrën si është ndërtuar ajo, me vështirësi dhe kurban, mezi qëndroi më këmbë, e përse? Vetëm për të kaluar matanë një lumi disa metra të gjerë. Por për kohën e saj ajo quhej madhështore. Shumë vetë dyshuan në ndërtimin e saj. A mundet, me atë traditë ndërtimi të kalohej mbi det në dy brigje aq të largëta, siç ndodhi me Urën e Patrës, që duhej të përshkonte disa kilometra? Padyshim, kjo përvojë e re e përjashton urën e mëparshme, e quan një traditë të tejkaluar, që nuk jep më zgjidhje të frytshme e të gatshme, përjashton traditën e ndërtimit të atyre lloj urave.
Traditat e reja në fusha të tjera të përditshmërisë njeriu i pranon më lehtë se ato në fushën shpirtërore. Për shembull, pranon të lindë fëmijë me fekondim artificial, të marrë organet e dikujt për t'i ikur vdekjes. Megjithatë e ka të vështirë të pranojë një mënyrë tjetër të kënduari, të vallëzuari, të pikturuari, apo të shkruari. Më të vështirë e kanë vetë krijuesit që rendin prapa traditës, të cilët ndjehen të sigurt brenda zgjidhjeve të gatshme të së kaluarës, që janë tejkaluar dhe nuk e ndihmojnë më të fshehtën të sakrifikohet për t'iu zbuluar të tjerëve. Kodi i saj estetik është konsumuar. Kush kërkon zgjidhje të tjera, përjashtohet prej tyre, sepse krijimtaria e tij do të krijojë traditë të re në të ardhmen, pra do të jetë përjashtuese për ta.
Kjo është një temë e gjërë, që duhet zhvilluar në një tjetër ese.
Qershor 2007
1. "To máti dhen tha mborúse na vlépi ton ílio an dhen íqe to sqíma tu iliú"- citim i Kakia Nataridit në librin Piktura (I Zografiki), faqe 12, Athinë 1946
2. "I ésthisi íne qínisi, to pnévma aqinisía", po aty, faqe 58
3. "I qínisi íne ehthrós tis fórmas", po aty, faqe 58
Përjashtimi në letërsi
Për shumë autorë është thënë se janë mbyllur në kullën e fildishtë.
Të mbyllesh në kullën e fildishtë do të thotë të mos kesh komunikim me të tjerët, të jesh i përjashtuar.
Arti është e fshehta që humbet sepse u zbulohet të tjerëve.
Thënia e mësipërme më duket se është çelësi më i mirë për ta kuptuar këtë. Çdo njeri, pa qenë e nevojshme të jetë shkrimtar apo artist, ndjen dhe mendon në mënyra të ndryshme, gjithashtu përditshmërisht shprehet te të tjerët, nxjerr të fshehtat e tij, mirëkuptohet ose keqkuptohet me ta. Kjo është marrëdhënia njerëzore, mirëpo procesi i krijimit ndryshon.
Në se do të quajmë krijim një libër apo edhe një poezi të vetme, shikojmë se kemi të bëjmë me një sistem të tërë shenjash, pas të cilave rri i fshehur krijuesi i tyre. Për t'i zbërthyer të gjitha ato, duhet një kod dhe, pasi e kemi gjetur kodin, mund të themi se kemi arritur te e fshehta që ka humbur pasi na është zbuluar neve. Por ç'ndodh kur kodi është më i ngatërruar se ç'duhet, kur ka elementë të rinj të cilët nuk na lejojnë të arrijmë te e fshehta që i ka ikur krijuesit, por që nuk arrin dot të na zbulohet neve? Atëherë themi se ai krijues është mbyllur në kullën e fildishtë, pra është përjashtuar prej nesh. A nuk duhet thënë më mirë se të përjashtuarit jemi ne, që nuk arrijmë të zbërthejmë plotësisht kodin?
Këtu e dymijë e pesëqind vjet më parë Platoni është shprehur se syri nuk do të mundte të shikonte diellin, në se nuk do të kishte formën e diellit1. Sipas kësaj shprehjeje të çuditshme gjeniale, aparati dhënës, dielli, dhe ai marrës, syri, përshtaten për të bashkëjetuar, ose më mirë për të patur marrëdhënie. Nga kjo thënie universale mund të arrijmë fare mirë në përfundimin se shpirti duhet të ketë formën e së bukurës që të kuptojë e shijojë bukurinë, ose e kundërta (formën e së shëmtuarës që të kuptojë e shijojë shëmtinë). Këtu po bëj një shënim të domosdoshëm: (në veçanti shkrimtarët e mirë, meqë shpirti i tyre nuk mund të marrë dot formën e të shëmtuarës, nuk flasin për librat e këqij dhe nuk marrin pjesë në promovimin e tyre, sepse kjo do të ishte njëlloj sikur të merrnin pjesë në funeralin e letërsisë së mirë. Kështu që detyrimisht përjashtohen edhe fizikisht, meqë krijuesit e të shëmtuarës janë pambarimisht të shumtë, vetëreklamohen, dekorohen, ftohen nëpër bankete e redaksira, duke krijuar përfytyrimin se ajo letërsi e tyre është modeli që duhet lexuar e ndjekur).
Këtu fillon keqkuptimi i madh midis krijuesit dhe lexuesit që, nëpërmjet një kodi shenjash, humbet të fshehtën e vet për të na e zbuluar neve. Shkrimtari vetë shndërrohet në shenja të ndryshme, të cilat na japin kënaqësi kur i kuptojmë, sepse vetëm kështu arrijmë së fundi të ndjehemi të kënaqur ngaqë arritëm në skutat e fshehta të shpirtit të krijuesit. Kur nuk arrijmë dot, shkrimtari për ne është i pakuptueshëm dhe fajin ia hedhim atij, themi është i mbyllur në kullën e fildishtë, e përjashtojmë. Mirëpo më parë na ka përjashtuar ai, ne nuk e kuptojmë atë, kodi i tij është i vështirë për faktin se ne nuk jemi të përgatitur për ta zbërthyer. Në këtë rast mund të themi fare mirë: jemi ne që u mbyllëm në kullën e fildishtë.
Raste të tilla nuk ka vetëm në letërsi, por në krejt mendimin njerëzor në përgjithësi. Kujtojmë Darvinin, Njutonin, Kopernikun, Da Vinçin e plot të tjerë, që e paguan moskuptimin dhe përjashtimin ndonjëherë edhe me jetën e tyre. Të tjerë dekoroheshin e bridhnin salloneve, veprat e të cilëve sot kanë humbur e nuk kujtohen më.
Do të sjell një shembull pak të zgjeruar, jo nga prehistoria e letërsisë, por nga ajo e shekullit që sapo kaloi. E kam fjalën për poetin Kavafis.
Krijimi është vuajtje në vetmi, mbyllje në mikrobotë, që kërkon të dalë nga fshehtësitë e shpirtit në makrobotë. Kavafis ishte i mbyllur në vetminë e vet, vuante vite të tëra për të nxjerrë nga shpirti të fshehtën e një poezie. Ai nuk interesohej fare si shkruanin poetët e tjerë grekë të kohës. Në Greqi asokohe lulëzonte romantizmi me përfaqësues të mëdhenj, të cilët ndiqnin traditën, duke e modernizuar atë me mjete të reja shprehëse. Për Kavafin tradita ekzistonte në një formë tjetër, krejt ndryshe dhe prej tij kodifikohej në një mënyrë që të tjerët nuk mund ta kuptonin. Kavafis për rreth 40 vjet ishte një poet i kullës së fildishtë, sepse krijimtaria e tij përjashtonte të tjerët. Të gjitha poezitë e poetit, rreth 13, në mbi tridhjetë vjet, kishin brenda tyre kundërshti ndaj asaj që ishte krijuar para tij. Mos vallë Kavafis shkruante për të përjashtuar të tjerët? Absolutisht jo. Ai shkruante të nxirrte përjashta të fshehtën e vet, e cila mbetej e fshehtë sepse nuk çkodifikohej dot, duheshin çelësa të rinj për ta hapur baulen ku gjendej thesari. Pra Kavafis përdorte shenja të tjera që përbënin një kod të ri.
Te poezia e tij, Mure, poeti shprehet "... përreth më ngritën mur. /Dhe tani rri dhe dëshpërohem këtu. /Më gërryen zemrën dhe trurin ai mur, /sepse jashtë kisha gjëra shumë për të bërë.".(Përkthimi im).
Kështu e përshkruan ai vetë përjashtimin...
Po përdorim përsëri një thënie të Platonit, që e kanë shfrytëzuar aq mirë kubistët: ndjesia është lëvizje, shpirti, (fryma) palëvizshmëri2. Kubistët e shndërruan kështu: lëvizja është armik i formës3. Thënia e mësipërme e Platonit është, sipas mendimit tim, shumë komplekse. Sipas tij, ndjesia, (aftësia perceptuese me anë të shqisave), ndërgjegjja, që buron nga qenia materiale njerëzore, është e lëvizshme, e ndryshueshme, kurse shpirti nuk ndryshon, sepse është i përjetshëm. Kjo na çon te mendimi se shkrimtari, lëviz, udhëton atje ku do të shkojë ai edhe pa lëvizur fizikisht, nëpërmjet dhe falë ndjenjës së tij, në vetminë e vet.
Një studiuese e Kavafit, Alqi Thrilo, në vitin 1932, në revistën Qiklos, në shkrimin me titull "Disa përshtypje nga vepra e Kavafit", shkruan: "Jeta është një mashtrim i madh". Pyes zonjën e nderuar: Kur jeta është një mashtrim i madh, po letërsia ç'është? Duke iu referuar poezisë Itaka, ajo bën një vëzhgim të mprehtë kur thotë, natyrisht për atë që udhëton drejt Itakës dhe për këdo që duhet të udhëtojë drejt Itakës: "Do të mësojë se udhëtimi nuk të çon gjëkund, se gjithçka është e kotë, se Itakat nuk ekzistojnë, por në udhë do të argëtohet, do pasurojë egon e vet, do ketë mësuar të vëzhgojë... Njeriu do ketë zbuluar magjepsjen nga jeta dhe kënaqësinë e ekzistencës...".(Përkthimi im).
Jo vetëm kjo poezi, por edhe të tjera, krejt vepra e Kavafit përshkohet nga udhëtimi ndiesor i njeriut nëpër botë të panjohura, prej të cilave shpirti i tij pasurohet. Pikërisht në udhëtime të tilla e gjen shkrimtari të fshehtën që kërkon të sakrifikojë duke ua zbuluar të tjerëve, duke ndjerë dhembjen e vetmisë dhe të sakrifikimit të së fshehtës së vet. Jeta dhe vepra e Kavafit, por dhe e shkrimtarëve në përgjithësi, (këtu nuk fus të gjithë ata që shkruajnë e bëjnë male me libra dhe që fare mirë mund të quhen shkrum(b)tarë, por jo shkrimtarë), është një ikje e hidhur nga realiteti, një zhytje brenda ndjenjës së tij, që lëviz në realitete të tjera, të cilat janë të vërteta vetëm për të dhe të kodifikuara në shenja, që presin të zbërthehen e të kuptohen nga të tjerët.
Më vjen edhe sot për të qeshur me diçka që më tha dikur një miku im grek, i cili sot nuk jeton më. E quanin Vangjelis Pavlopulos dhe e pëlqente Kadarenë, sidomos librin e tij "Kamarja e turpit". Një ditë, më tha, vendosa të shkoja në Stamboll për ta parë atë kamare, ku viheshin kokat e prera të kryengritësve kundër perandorisë. Shkova dhe pyeta gjithkund, asnjëri nuk dinte gjë për të. Qenka mashtrues i madh ky shkrimtari juaj, më tha. Paska krijuar një Stamboll tjetër nga mendja e tij!
Kadareja e kishte krijuar vërtetë Stambollin e vet, pa lëvizur fizikisht, duke udhëtuar nëpër kohë në vetminë krijuese, duke ngritur një qytet të ri perandorak, të besueshëm ndoshta më shumë se sa i vërteti.
A ka të bëjë tradita me tërë këto që thamë? A është tradita e dhënë e përgjithmonshme, e pandryshueshme? Përse tremb largimi prej saj?
Tradita është një grumbullim përvojash që jepet e gatshme për zgjidhje të gatshme. Traditë ishte për njeriun ngrënia e ushqimit pa praninë e zjarrit. Më pas, pas zbulimit të zjarrit, as i shkonte në mendje kujt të hante mish të gjallë. Në fillim u përdor guri, më pas veglat prej metali. Njeriu vuri në përdorim rrotën, e kështu me radhë. Përvojat e vjetra përherë kanë zëvendësuar të rejat, po jo brenda një dite dhe jo pa përpjekje e kundërshti. Vetëm brenda shekullit XX sa tradita janë përmbysur në të gjitha fushat. Po përdor si shembull Urën e Artës dhe atë të Patrës. E bukur është Ura e Artës, janë kënduar balada për të, por me mënyrën si është ndërtuar ajo, me vështirësi dhe kurban, mezi qëndroi më këmbë, e përse? Vetëm për të kaluar matanë një lumi disa metra të gjerë. Por për kohën e saj ajo quhej madhështore. Shumë vetë dyshuan në ndërtimin e saj. A mundet, me atë traditë ndërtimi të kalohej mbi det në dy brigje aq të largëta, siç ndodhi me Urën e Patrës, që duhej të përshkonte disa kilometra? Padyshim, kjo përvojë e re e përjashton urën e mëparshme, e quan një traditë të tejkaluar, që nuk jep më zgjidhje të frytshme e të gatshme, përjashton traditën e ndërtimit të atyre lloj urave.
Traditat e reja në fusha të tjera të përditshmërisë njeriu i pranon më lehtë se ato në fushën shpirtërore. Për shembull, pranon të lindë fëmijë me fekondim artificial, të marrë organet e dikujt për t'i ikur vdekjes. Megjithatë e ka të vështirë të pranojë një mënyrë tjetër të kënduari, të vallëzuari, të pikturuari, apo të shkruari. Më të vështirë e kanë vetë krijuesit që rendin prapa traditës, të cilët ndjehen të sigurt brenda zgjidhjeve të gatshme të së kaluarës, që janë tejkaluar dhe nuk e ndihmojnë më të fshehtën të sakrifikohet për t'iu zbuluar të tjerëve. Kodi i saj estetik është konsumuar. Kush kërkon zgjidhje të tjera, përjashtohet prej tyre, sepse krijimtaria e tij do të krijojë traditë të re në të ardhmen, pra do të jetë përjashtuese për ta.
Kjo është një temë e gjërë, që duhet zhvilluar në një tjetër ese.
Qershor 2007
1. "To máti dhen tha mborúse na vlépi ton ílio an dhen íqe to sqíma tu iliú"- citim i Kakia Nataridit në librin Piktura (I Zografiki), faqe 12, Athinë 1946
2. "I ésthisi íne qínisi, to pnévma aqinisía", po aty, faqe 58
3. "I qínisi íne ehthrós tis fórmas", po aty, faqe 58
Kopi Kyçyku
Besim Sahatçiu, pionieri i regjisurës së mirëfilltë shqiptare në Kosovë
Në vend të prologut
Më 2 tetor 1935, në Pejë, qytet me tradita të hershme atdhetare e kombëtare, i trevës së Rrafshit të Dukagjinit, djep i Kanunit të Lekë Dukagjinit, u lind një personalitet i shquar i kulturës shqiptare, regjisori dhe intelektuali poliedrik, Besim Sahatçiu. Lagjja ku u lind Besimi quhej Kapeshnicë dhe konsiderohej si çerdhe e “pjesës më të shëndoshë e më atdhedashëse” të asaj treve.
Një përkim i hidhur bëri që plot shtatë dhjetëvjetsha më vonë, numuri dy i tetorit (02) të përmbysej duke marrë me vete jetën e çmuar të këtij burri të mençur dhe erudit.
Dhimbja ishte e madhe për familjen, për miqtë dhe për të gjithë lëvruesit e artit, qofshin profesionistë, apo amatorë. Zbrazëtia që la në kulturën mbarëshqiptare humbja e këtij biri të devotshëm, pati si ngushëllim faktin që vepra e tij e mbarti në krahët e amëshimit.
Gazeta “Lajm” e Prishtinës, e datës 22 tetor 2005, duke iu referuar mbledhjes përkujtimore, të organizuar me rastin e vdekjes së Besim Sahatçiut, theksonte se miqtë, shokët e kolegët e çmuan lart punën e tij, si regjisor profesionist dhe si njeri i qetë, gjithmonë i gatshëm për këshilla. Më tej, artikullshkruesi Shpend Çoçaj vinte në dukje: “Besim Sahatçiu do të mbahet mend si njeri i urtë e fjalëëmbël dhe do të kujtohet gjatë nga gjeneratat e reja për filmat e tij, të cilëve ua kushtoi pjesën më të madhe të jetës”.
Në mbledhjen e mësipërme, e morën fjalën mjaft personalitete të kulturës e të artit. “Ai dëshiroi gjithmonë të qëndrojë në Kosovë dhe vuajtjeve e brengave që kishte, ashtu si edhe personazhi i Lisit në filmin e tij ‘Era dhe lisi’, dëshiroi t’iu bëjë ballë vetë këtu, përkundër ftesave që kishte gjithmonë për të punuar jashtë” u shpreh aktori Hazir Myftari, i cili ka luajtur pothuajse në të gjithë filmat e Sahatçiut. Aktori Dibran Tahiri tha se Sahatçiu ishte njëri prej intelektualëve më të shquar shqiptarë. ”Eshtë mëkat i madh që ai kurrë nuk ligjëroi në asnjë akademi tonën, në asnjë fakultet të arteve dramatike, sepse ka pasur shumëçka të thotë. Ishte njeri jashtëzakonisht i qytetëruar, jashtëzakonisht i kulturuar, shok i mirë dhe bashkëpuntor i mrekullueshëm” theksoi ai. Miku dhe kolegu i Sahatçiut, Ekrem Kryeziu, vuri në dukje se vdekja e tij është humbje e madhe për artin e Kosovës. “Punimet e mia, - vazhdoi ai, - gjithmonë jam munduar t’i mas me punën e Besimit. E kam ndjerë veten të lumtur kur një vepër e imja i ka pëlqyer atij”. Gjithnjë sipas Kryeziut, me filmat “Era dhe lisi” dhe “117”, Sahatçiu e prezantoi kinematografinë kosovare para botës.
Jehonat e fuqishme të skenës e të ekranit do të përcjellin jetemot me mjete artistike të zgjedhura mesazhin human të veprës së Besim Sahatçiut.
Nuk është fjala assesi për bujë apo vetëlavdërime. Këto për Besimin ishin krejt të huaja. Madje shpirti i tij zhbirues, përherë në gjurmët e në kërkim të së përkryerës, fillonte nga vetvetja. Vetëm kur bindej se kishte bërë gjithçka, duke shkuar deri në cak të mundit e të shfrytëzimit të aftësive dhe të mjeteve shprehëse, Besimi merrte guximin që, me ndërgjegjje të kulluar e, para së gjithash, me kompetencë, të pretendonte nga cilido me të cilin e lidhte puna e sidomos nga bashkëpuntorët e afërt, ta shfaqnin veten me dinjitet.
Kjo shpjegohet me faktin që për Besimin Vox populi vox Dei, zëri i popullit ishte zëri i Zotit. Besimi ishte i gatshëm të hynte në debate me homologë e me kolegë, të dëgjonte me vëmendje çdo mendim a sugjerim të tyre, qofshin edhe kritika, por nuk harronte asnjëherë që në krye të vendit të vinte fjalën e njerëzve që mbushnin sallat e teatrove apo të kinemave, ku luheshin drama apo filma, regjinë e të cilave e kishte firmosur vetë.
Arsyeja ishte se opinioni i artdashësve të të gjitha moshave, niveleve dhe shijeve, ishte i paanshëm. Pavarësisht se nuk ishte profesional i mirëfilltë, ky opinion ishte krejt i zhveshur nga subjektivizmi dhe nga ca “sëmundje” profesionale, si: keqdashja, zilia, ambicja, xhelozia, smira… Nga ana tjetër, zërin e kumbueshëm e pa “dizonanca” të njerëzve të thjeshtë, sugjerimet, vërejtjet, dëshirat e tyre, Besimi i vlerësonte si ndihmë konkrete dhe të pazëvendësueshme për ta përsosur më tej punën e vet e për të qënë në një hap me kërkesat në rritje të kohës.
Rëndësi të posaçme u kushtonte mendimeve që shfaqnin intelektualë të fushave nga më të ndryshmet, të cilët, duke qënë, në radhë të parë, specialistë të dalluar në profesionin përkatës, ishin edhe dashamirës të artit të skenës dhe të ekranit. Këtu mund të përmendim një numur të madh personalitetesh, si Azem Shkreli, Abdurrahman Shala, Shefqet Deçani, Istref Begolli, Muharrem Qena, Ramiz Kelmendi, Ali Podrimja, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Bekim Fehmiu, Naum Prifti e të tjerë. Me ta jo rrallë e bashkonte një miqësi e çiltër e dobiprurëse, që ndikonte në krijimin e një klime të pastër e të shëndetshme në komunikimin ndërnjerëzor e që kishte rrjedhojë të drejtpërdrejtë shpërthimin e frymëzimit krijues.
Duke qënë se Besim Sahatçiun, - emri i të cilit më kish jehuar në vesh prej shumë vitesh, - nuk pata fatin ta njoh personalisht, në përpjekjet për portretizimin e tij, krahas “dokumenteve” artistike: drama e filma të ngjitura në skenë apo të ekranizuara nga Besim Sahatçiu, jehonat në shtyp të tyre, - të cilat sëbashku përbëjnë dëshmi të sakta dhe me vlerë krejt të veçantë, - e quajta të natyrshme dhe bindëse të thërres në ndihmë dhe t’ua zgjoj kujtesën të afërmve të tij, sidhe personash të tjerë, që e kanë njohur nga afër, në punë e në jetë.
Dëshirën për t’u marrë me figurën e Besim Sahatçiut ma ngjalli një ese e shkëlqyer e kolegut dhe mikut të tij, kompozitorit të mirënjohur, muzikologut, studiuesit, eseistit dhe publicistit, profesor Akil Kocit, me të cilën hapet libri “Vibracione të shpirtit shqiptar”. Këtë material të vyer pata nderin ta redaktoj e ta shoqëroj me një pasthënie. Në esenë e sapopërmendur, profesori Akil Koci ndalet në disa momente thelbësore që e veçorizojnë më së miri e me qartësi personalitetin e Besim Sahatçiut, si krijues e si njeri. Mjeshtri i madh Akil Koci e cilëson Besim Sahatçiun me ngrohtësi “… prijësin e themelvënësin e kinematografisë në Kosovë, eruditin dhe, - çka është më qënësorja, - njeriun me virtyte të larta njerëzore, i pakompromis në profesion kur ishte fjala për saktësinë e ideve dhe koncepteve të veta gjatë realizimeve të projekteve madhore të kinematografisë sonë” (Akil Mark Koci, Vibracione të shpirtit shqiptar, vëllimi I, Shtëpia Botuese Librarium Haemus, Bukuresht, 2008, f. 17).
Në vijim të këtij karakterizimi të plotë, gjithëpërfshirës, profesor Koci hyn në hollësi të domosdoshme për të ilustruar thëniet që ka formuluar për mikun e kolegun e vet. Para së gjithash, Koci e ve theksin në faktin se, duke pasur si bazënisje artin, Sahatçiu “ka zhvilluar mendimin teorik dhe estetik, duke e shprehur e duke e shoqëruar në veprat e veta artistike në një zhanër aktual, modern dhe pa dyshim më të vështirin nga të gjitha artet ekzistuese” (po aty). Në këtë kontekst, Koci nxjerr në pah të vërtetën e madhe, sipas së cilës idetë dhe mesazhin e vet estetik, regjisori Sahatçiu i kumton e i përcjell “jo vetëm nga këndvështrimi i sotëm, por edhe i nesërm”. Kësisoj marrim vesh se Besim Sahatçiu është njeriu i arritjeve madhore jo vetëm në procesin e krijimtarisë së përditshme. Ai është gjithaq artist e filozof, estet e mendimtar me përfytyrime largpamëse e të guximshme, shtigjeçelës në sferën e skenës e të ekranit.
Për t’i bërë sa më të besueshme vlerësimet e larta, profesori Akil Koci dëshmon se, me cilësinë e kolegut të afërt të Besim Sahatçiut, ka bashkëpunuar ngushtë me të në disa filma, duke kompozuar muzikë për ta. Jo vetëm kaq. Gjatë periudhës që punonin në Radiotelevizionin e Prishtinës, binomi Sahatçiu-Koci ka krijuar një unitet mendimi e veprimi të mirëfilltë përmes gërshetimit të dy arteve – të teatrit e të muzikës, të mjeteve shprehës specifikë përkatës, duke i pasuruar ndërsjelltas, pa cënuar individualitetin e secilit. Duke bashkëvepruar në këtë mënyrë, në një frymë të shëndoshë kolegjiale, Akil Koci pat kompozuar e pat përshtatur muzikë, jo vetëm për filma, sikurse nënvizuam më lart, por edhe për disa drama, të shfaqura në skenën e Teatrit Krahinor të Kosovës, gjithnjë me regji të Besim Sahatçiut. Vlerësimet e ngrohta e tejet dashamirëse të Akil Kocit përshkallëzohen me crescendo, - që të përdorim një term nga lëmi i muzikës, - duke u konkretizuar në formulime të tilla, si: “Fuqia e tij krijuese (e Besim Sahatçiut, sh.y.), un-i empirik i mirëdallueshëm, kanë krijuar antinominë e Orfeut me Prometeun si dy forca armiqësore, si synim për të shprehur në artin e vet, pra në film, unitetin e kundërthënieve në konceptet regjisoriale, gjë që nënkupton sferën e paarritur të idealit estetik, pse jo edhe artistik, edhe pse idealja në art është ngushtësisht e lidhur me këndin nga i cili vështrohet” (po aty, f.18).
Në përpjekje për të nxjerrë në pah plot dritë karakterin burrëror dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë profesionale e qytetare të Besim Sahatçiut, Akil Koci i referohet një dukurie krejt të veçantë, e cila është e papërfytyrueshme dhe e papranueshme për çdo regjisor të botës së qytetëruar. Fjala është për ndërhyrjet e shumta të një numuri individësh, të cilët, meqënëse ishin autorë skenaresh, apo kishin ndihmuar në sigurimin e bazës materiale modeste për realizimin e veprave skenike apo kinematografike të Besim Sahatçiut, i rezervonin të drejtën vetes t’i propozonin, madje edhe ta detyronin mjeshtrin Sahatçiu që t’u jepte role në filma apo në drama të afërmve të tyre. Kuptohet shqetësimi që përjetonte në kësi rastesh regjisori Sahatçiu, i cili ishte një “gjahtar” i palodhur i cilësive gjithnjë e më të larta artistike, i majave, pra.
Nga ana tjetër, dhembjen e çiltër e “të pashërueshme” për mungesat, mangësitë e zbrazësitë, që vëreheshin në botën artistike kosovare, Besimi e ndante me kolegët e vet të besës. Nga kuvendimi i dendur me Akil Kocin për këtë problem, ky i fundit pat konstatuar: “Gjithmonë ishte i pakënaqur nga niveli i arritur, gjithmonë gjente mungesa dhe vihej në kërkim të diçkaje më të mirë, me synim kapjen e së përkryerës” (po aty). Dhe kjo nuk përbënte ndonjë qëllim në vetvete. Qëndrimi i tij kritik i bënte jehonë pikësynimit fisnik për të përshpejtuar, jo vetëm nga pikëpamja sasiore, por sidomos cilësore, procesin e lartësimit shpirtëror të Kosovës përmes artit. Këtë e bënte “ i shtyrë jo thjesht nga kurreshtja, por nga thellësia spontane e mendimit artistik të tij, nga aftësia për të krijuar vizione të qarta” (po aty, f.19).
Preokupimi i çiltër prej atdhetari të madh, që dëshiron ta shohë kombin e vendin e vet sa më të zhvilluar, në një hap me shtetet më të përparuar, jo vetëm ekonomikisht, por edhe kulturalisht, bëhej edhe më i thellë, kalonte në zhgënjim të hidhur kur shikonte se “shumë nga planet që kish në kokë, nuk kishin shanse të zbatoheshin në praktikë, pasi në krye të institucioneve kulturore gjendeshin njerëz pa njohuritë e aftësitë e nevojshme…” (po aty).
Të drejtën morale për të qënë i pakënaqur e i pezmatuar nga çapitjet prej breshke të shumë segmenteve të jetës kulturore e artistike në Kosovë, Besim Sahatçiu e përligjte me arritjet e tij të panumurta, që pasqyronin e shpalosnin talent të rrallë, shije të hollë, guxim krijues, shpirt novator. Besimi njihej si njeri i urtë e i duruar dhe dinte të falte kur ndokush i binte në qafë, apo orvatej t’ia zbehte e t’ia mohonte vlerat. Por nuk bënte kurrfarë lëshimi kur ishte fjala për fatin e të ardhmen e artit mbarëkombëtar. Kësisoj, kur në rrugën drejt gjetjes së mjeteve shprehëse sa më të arrira, i dilnin në udhë pengesa të qëllimshme, që synonin t’ia prishnin projektet e planet krijuese, - fryte të natyrshme të imagjinatës së tij përherë pjellore dhe të mjeshtërisë profesionale, - ndeshej me guxim me mbartësit e mediokritetit e të regresit. Por, mjerisht, nuk ia dilte dot mbanë t’ua frenonte hovin keqdashësve, sepse këta ishin gjithnjë e më të shumtë, shtoheshin si kërpudhat pas shiut dhe e mbështetnin shoshoqin. E atëhere shpërthente, e nxirrte dufin me zë të lartë. Thëniet e tij në raste të tilla tingëllonin si mallkim për ata që shpërfillnin dhe nëpërkëmbnin shpirtin e kombit.
Të njëjtin qëndrim mbante edhe ndaj pseudokrijuesve që nuk punonin me ndërgjegjje, pra “nuk i honepste ata që punonin sa për të kaluar radhën” e që, bie fjala, ua servirnin artdashësve sapunin për djathë. Këtu përfshinte sidomos ca palo seriale pa kurrfaarë domethënieje dhe të zhveshur nga vlerat artistike të mbarëpranuara.
Shkollën fillore dhe të mesmen, Besim Sahatçiu i kreu në qytetin ku u lind. Më tej ndoqi dy vjet letërsi botërore në Universitetin e Beogradit. Pas ndërprerjes së studimeve për shkak të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, punoi katër vjet si përkthyes në “Rilindja”. Fill paskëtaj u regjistrua në degën e regjisurës pranë Akademisë së Teatrit e të Filmit në Zagreb, të cilën e përfundoi më 1972. Temën e diplomës e mbrojti me vënien në skenë në Teatrin Popullor Krahinor të Prishtinës të komedisë “Revizori” të autorit të madh rus Nikollaj Gogolit. Ndërkohë kishte ngjitur në skenë edhe pjesën tridhjetëminutshe “Dervishi dhe vdekja”, në të cilën rolin kryesor, atë të Dervishit, e luajti aktori i mirënjohur Shani Pallaska.
Copëza nga jeta e Besim Sahatçiut
Tradita e familjes, me prejardhje nga Shkodra, nga trungu i mirënjohur i Kazazëve, i sugjeronte përvehtësimin me themel të zejes së orëndreqësit. Në intervistën që i pat dhënë për RTV 21, në janar 2003, profesorit të Fakultetit të Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës, Florin Kelmendit, - edhe ky pejan, - në muzgun e jetës së vet, Besimi flet nga një pikë, e ndodhur diku në afërsi të shtëpisë, tashmë të rrënuar, ku pat parë dritën e diellit dhe shpreh dëshirën që ajo të mos kapet nga kamera. “Jemi ngopur tashmë me pamje të tilla” tingëllon si rënkim zëri i tij. Fill paskëtaj, Besimi përmend prindërit e vet: të atin, Ademin, dhe nënën, Besën, gjakovare. Besimi ishte fëmija i nëntë, më i vogli. Vëllezërit më të rritur iu përveshën punës për ta mësuar e për ta përvehtësuar me themel zejen tradicionale të orëndreqësit, e cila ishte përherë e kohës, nuk i humbte vlera, përderisa jeta e kujtdo që mbante në dorë një orë apo në xhep një sahat, lypte saktësi e precizion, në çdo hap e në çdo veprim a punë. Por, Besimi mendoi se edhe aq sa kishin ecur në këtë fushë paraardhësit e vet, mjaftonte. Të gjithë shquheshin si profesionistë të vërtetë dhe, si të tillë, gëzonin respektin e të gjithë bashkëqytetarëve dhe të bashkëkrahinasve. Fisi i Sahatçinjve nderimin e gëzonte edhe për një meritë më të madhe. Duke qënë atdhetarë brez pas brezi, dera e tyre pat qëndruar përherë e hapur e sofra përherë e shtruar për luftëtarët e lirisë. Fisi Sahatçiu kishte shërbyer jetemot si strehë e sigurtë edhe për “kokat” drejtuese të kryengritësve. Njëri nga këta, i famshmi Haxhi Zeka, ka të ngjarë ta ketë lënë amanet me gojë që të prehet në oborrin e një xhamie, bash përballë dyqanit, aq të dashur për të, të Sahatçinjve.
Ndërkaq, prindërit i patën thënë shprehimisht Besimit të mitur: “Shko, bir, të mësosh në shkollë, të bëhesh sa më i dijshëm!” Kështu “shpëtoi” nga lupa e nga veglat e imta me të cilat çdo zejtar zbërthente e mbërthente “të përbrendshmet”e kohëmatësve të të gjtha përmasave e markave. Fjalën “shpëtoi” Besimi e fuste në thonjza, jo vetëm figurativisht, por edhe realisht, sepse, sikurse pat theksuar edhe në intervistën e “orëve” të mbrame, muzgore, ”çdo zeje ka vlerat e veta dhe nuk duhet përbuzur kurrsesi”. Në shkollën fillore Besimi shkëlqeu në të gjitha lëndët. Por në gjimnaz nuk ndodhi e njëjta gjë. Duke rënë në kontakt me teatrin e me muzikën e duke marrë pjesë gjallërisht, si shumë bashkëmoshatarë, në mbrëmjet e vallzimit që organizoheshin nga dy herë në javë, Besimit iu zbeh deridiku interesi për mësimet, që rroknin lëndë nga më të ndryshmet. Por çdo e keqe e ka një të mirë: afrimi me librat e sidomos me teatrin, do t’i shërbente si “oreks-hapës” për të përqafuar një herë e mirë skenën dhe ekranin.
Në intervistën për RTV 21, të cilës po vazhdojmë t’I referohemi, Besimi kujton me nostalgji ato vite kur pejanët këqyrnin me admirim cilindo aktor që ngjitej në skenë dhe e drejtonin me respekt gishtin tregues kur e hasnin në rrugë, para apo pas çdo shfaqjeje teatrore. Atëhere nuk kish televizion, ndaj skena dhe ekrani i madh ishin vërtet “të privilegjuar”. Duke e vënë theksin në këtë aspekt, Besimi shfaq keqardhjen që, pas kaq vitesh, sallat e teatrove apo të kinemave në shumicën dërrmuese të rasteve mbeten të zbrazta. Njerëzit parapëlqejnë “të gozhdohen” me orë të tëra para televizorit, i cili as për nga larg nuk është në gjendje të krijojë atmosferën e ngrohtë që ngjiz komunikimi I drejtpërdrejtë i skenës me sallën. E, pra, ekrani televiziv, shumë-shumë mund të kumtojë e të përcjellë ca jehona të vagëta e të vakta, sepse “fotografia”, në fund të fundit, mbetet një “kopje” e zbehtë e origjinalit. Përveç kësaj, shumëkujt i pëlqen të shkojë në eskursione, të vizitojë vende të huaja. Edhe gjëra të tilla mund të cilësohen kulturë, thoshte Besimi. por jo kulturë e mirëfilltë, sepse kjo e fundit është shumë më e thellë për nga përmbajtja, për nga niveli e për nga përmasat.
E, pra, Besimi e ndau mendjen që të çelte një “dritare” tjetër në fushën e traditave stërgjyshore: t’i shërbente çështjes kombëtare përmes artit. Qysh në mituri, nga goja e më të moshuarve të fisit pat dëgjuar me vëmendje, me etje të pashuar e me kërshëri për bëmat trimërore e për dramat e tragjeditë nëpër të cilat pat qënë e detyruar të kalojë Kosova martire. Tani besonte se kish ardhur çasti që, së paku një pjesë nga therroria e vetëflijimi i heronjve të kombit të vet në altarin e lirisë e të pavarësisë, u duhej bërë e njohur brezave të rinj përmes skenës dhe ekranit. Kjo do të ndikonte që ta ndjenin veten krenarë për luftrat e të parëve të lavdishëm dhe të përgatiteshin, jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht, për t’u dalë zot fateve të atdheut. Aq më shumë kur dihej që sërbomëdhenjtë, duke angazhuar mendjet e sëmura të Çubrilloviqëve e kompani, përhapnin teori pas teorish sikur kombi ynë nuk ishte në gjendje të ecte përpara në shkencë e në art. Na quanin “qytetarë të dorës së dytë”, që duhej të mjaftoheshim, madje t’ua dinim për nder ca të vetëquajturve regjisorë, që vinin në Kosovë nga Beogradi për t’ua “ngritur” nivelin kulturor shqiptarëve, pa e pasur aspak haberin për pasurinë shpirtërore, për traditat tona stërgjyshore dhe për mendësinë e shqiptarit. Edhe ndonjë biçim filmi që stisnin pseudokineastët e Beogradit, ishte i mbushur me konotacione e nëntekste antishqiptare. Ai shprehej me indinjatë të thellë: “Jo vetëm ne, shqiptarët, por edhe filmat tanë kanë qënë të pushtuar nga sërbomëdhenjtë”.
Besimi pat pohuar me modesti të pashoqe se në Akademinë e Teatrit në Zagreb shkoi për të mësuar profesionin përkatës, për të cilin kish nevojë kultura shqiptare, në një kohë kur shpërfillja e përbuzja ndaj vlerave tona nga ana e sërbomëdhenjve ishte e pranishme gjithkund e kurdoherë. Duke e quajtur veten thjesht “puntor të skenës e të ekranit”, Besimi thekson se u përpoq të jepte ndihmesën e vet, aq sa pat mundësi. Nëse puna e kryer gjatë katër dhjetëvjetshave mund të cilësohet artistike, kjo varet nga “konsumatorët” e artit të tij, pra nga shikuesit e dramave e të filmave që mbajnë vulën e firmën e tij, shprehej Besimi.
Gjithsesi, viti 1972 shënonte një moment të rëndësishëm, jo vetëm në rrafsh vetjak për Besim Sahatçiun, por edhe për kulturën kombëtare, sepse kjo e fundit mori si “dhuratë” regjisorin e parë të shkolluar. Besimi erdhi në Kosovë me energji dhe plot frymëzim, duke mbartur një botëkuptim të përparuar e njohuritë më të thella të artit modern teatror e kinematografik. Ai solli freski në tematikë e në mjete shprehëse. Me po aq rëndësi ishte fakti që regjisori i ri vuri në themel të krijimtarisë së vet afirmimin e së resë progresive, të cilën e veshi me petkun kombëtar. Temat me taban kombëtar filluan të marrin përparësi. Në këtë kontekst, Besimi tregoi kujdes të veçantë që dramat e repertorit të huaj të kumtonin mesazhe domethënës, me vlera universale, që e pasuronin kulturën, ua zgjeronin horizontin dhe ua begatonin shijet spektatorëve vendës. Të tilla ishin, bie fjala, komeditë e Molierit “Tartufi” dhe “Mizantropi”. Njëherazi, Besim Sahatçiu nxiti e u dha zemër krijuesve të rinj duke i ngjitur me guxim në skenën e Teatrit Popullor të Prishtinës dramat e tyre. Duke vepruar në këtë mënyrë, Besim Sahatçiu jo vetëm jepte ndihmesë të vyer për afirmimin e dramaturgëve me perspektivë, por edhe shënonte progres në dramaturgji, në lartësimin e modernizimin e mjeshtërisë artistike në këtë fushë sa të ndjeshme, aq edhe delikate. Për të ilustruar sa thamë pak më sipër, po përmendim vënien me sukses në skenë prej tij të pjesëve dramatike “Genci” dhe “Nëna shkon në parajsë” të Ymer Shkrelit e “Ora” të Shaip Grabovcit. Të gjithë ata që e kanë njohur nga afër Besimin, dëshmojnë njëzëri se zelli dhe etja e tij për punë i tejkalonin jo pak mundësitë e kufizuara që ofronin kushtet e atëhershme.
Le të bëjmë një prapakthim në periudhën kur Besimit i ishte lëkundur besimi se mund të bëhej regjisor. Shkakun e kësaj mëdyshjeje e gjejmë në moshën relativisht të madhe, “tejstudentore” të tij, që numuronte tri dekada e gjysëm. Zemra i thoshte të mos ngurronte, por ta hidhte hapin me guxim. Themi zemra, sepse mjeshtëria që ëndërronte ta bënte të vetën, nuk ishte fitimprurëse, si, bie fjala, jurisprudenca apo mjekësia, ku ishin regjistruar apo edhe i kishin përfunduar tashmë mjaft shokë të rinisë së hershme. Në vend të të ardhurave të majme, regjisura i lypte mund e sakrifica të vazhdueshme, përsiatje të thella, punë hulumtuese e zhbiruese, harxhim nervash e netë pa gjumë, ankthe që do të shoqëronin çdo vënie në skenë apo ekranizim, sepse nuk i dihej si do t’i priste e përcillte kritika e specializuar dhe artdashësit. Ishte qysh tani i vetëdijshëm se mund të quhet thjesht letërsi, jo dramë apo skenar, vepra që nuk arrin të ngjitet me dinjitet në skenë apo të zerë vend si duhet në ekran.
Paraqitja në konkurs dhe sidomos dalja fitues ose jo, ishin sprova me rrezik e pasoja të rënda, sepse një dështim i mundshëm, përveç pezmatimit e fyerjes në sedër, do të sillte vetvetiu edhe humbjen e vendit të punës. Komisioni provues kishte në gjirin e vet personalitete të shquara të jetës teatrore kroate, si Ranko Marinkoviq, Dushan Vukotiq, Ante Babaja. Dy të parët mbaheshin si profesorë të mëdhenj, ndërsa i treti si regjisori më i shquar i Kroacisë. Ndërkaq, nga disa qindra kandidatë, fatlumë do të dilnin vetëm katër ose pesë syresh. Komisioni ishte tepër rigoroz dhe njihte vetëm vlerat e mirëfillta, jo mosvlerat apo antivlerat. Ç’është e vërteta, Besimi vinte aty me një bagazh të rëndësishëm njohurish nga letërsia botërore, të cilin e kish grumbulluar dhe “përtypur” imët gjatë dy viteve të studimit në Universitetin e kryeqytetit sërb. Shekspirin, sidhe mjaft klasikë të shekullit XIX, sidomos ata rusë, i njihte me rrënjë. Për kaq i hynte në punë Beogradi, sepse, sidomos pas punimeve të Plenumit IV të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, ashtu si të gjithë shqiptarët e vërtetë, as Besimi nuk donte të kthehej më atje. “Të paraqitej apo të mos paraqitej në konkurs? Kjo ishte çështja!” po ta perifrazonim Hamletin. Në ato çaste vendosi t’ia hapte zemrën profesorit Ranko Marinkoviq.
“Përderisa Branko Gavella, regjisori më i mirë i Zagrebit, i një moshe me ty, e kaloi sprovën me sukses, pse të mos ia dalësh mbanë edhe ti? Mos iu ndaj konkursit, pra!” - i dha zemër profesori, i cili, padyshim, ia njihte aftësitë dhe prirjen Besimit. Pejani i mençur ia dëgjoi fjalën dhe gjithçka I doli për hajër!
Besimi ishte përkrahës i zjarrtë i të rinjve që kishin zgjedhur “shok jete” artin skenik e kinematografik. Jo rrallë përmendte një personazh të Shekspirit, Pollonin, i cili nxirrte në pah energjitë e pashtershme dhe risitë që sillnin brezat “e njomë”, në krahasim me të moshuarit. I mbështeste edhe planet e projektet “e mëdha” të të rinjve, por nuk harronte t’i porosiste që të tregoheshin realistë, “t’i shtrinin këmbët sa e kishin jorganin”. Gjithashtu ndikonte, përmes shëmbullit vetjak, që të mos u bënin bisht të ashtuquajturave “gjini të vogla”, ku përfshihen emisionet televizive apo radiofonike, skeçet, filmat dokumentarë, koncertet folklorike e recitalet e ndryshme. Në konkretizim të kësaj këshille, Besimi vinte në dukje se arti i vërtetë nuk i njeh recetat e as megalomaninë. Ka filma madhorë nga pikëpamja e nivelit cilësor dhe e mesazhit që kumtojnë, realizimi i të cilëve kërkon angazhimin e qindra vetëve, siç është rasti i “Titanikut”, por ka edhe filma, po kaq madhorë, që janë ekranizuar me jo më shumë se dy aktorë. Si ilustrim në këtë rast sillte krijimet e regjisorit të madh Ingvar Bergman. Duke mos nënvlerësuar përbërëset e tjera të filmit: muzikën, kamerën e xhirimit, regjistrimin e zërit, skenografinë apo dekorin etj, Besimi ishte i bindur se “arkitekti” dhe përgjegjësi kryesor në këtë punë, ashtu si edhe në skenë, ishte regjisori. Ai nënvizonte se nuk është aspak e rastit që shumë regjisorë janë bërë të tillë, madje kanë shkëlqyer, pasi kanë kryer dy a më shumë fakultete në fusha ku nuk ia kanë dalë dot mbanë të afirmohen. Tek i grishte kuadrot e reja të punonin me sa më shumë zell, - sepse diploma nuk e bën artistin dhe as prirja apo talenti nuk mjaftojnë po qe se nuk “ushqehen” pandërprerje me punë, me djersë e me mund, - Besimi u rekomandonte të gjithë atyre që i ishin futur rrugës sa fisnike, gjithaq edhe të mundimshme të artit teatror e kinematografik, të mbanin në tavolinë “Leksikonin” e shkrimtarëve botërorë të të gjitha kohrave. Aty, theksonte ai, do të merrnin vesh se, duke filluar nga Homeri i lashtë e duke vazhduar me Shekspirin, Markezin, Borhesin e të tjerë, të gjithë, pa përjashtim, kanë qënë të pajisur me njohuri të gjera nga të gjitha fushat. Pra, për t’u bërë mjeshtër i vërtetë në çdo profesion, conditio sine qua non është zgjerimi pandërprerje i horizontit kulturor e shkencor, ndjekja hap pas hapi e zhvillimeve të sotme, udhëzonte Besimi.
E njëjta gjë, madje ca më shumë, kur shtrohej çështja e regjisurës. I dhënë me mish e me shpirt pas saj, Besimi e quante këtë profesion një “alkimi”, sepse parakupton si të domosdoshëm zotërimin e një bagazhi sa më të gjerë e të larmishëm nga fusha të tjera të shkencës e të dijes në përgjithësi: muzika, psikologjia, filozofia, letërsia, historia etj. Sepse, shtonte Besimi, diksioni, lëvizjet dhe ecja në skenë, grimasat, mizanskenat, mund të mësohen shpejt e të shndrrohen në shprehi, njëlloj si reflekset e kushtëzuar të Pavlovit, por regjisor mund të bëhesh vetëm pas përpjekjesh të mëdha e sistematike, që vazhdojnë me vite e dekada, sa në rrafsh teorik, aq edhe në rrafsh praktik. Ai u rekomandonte të gjithëve ta studionin me laps në dorë veprën e Zhan Mitrisë “Estetika dhe psikologjia e filmit”, e cila, qysh në titull parashtronte dy përmasa të qënësishme të këtij zhanri tejet popullor, edukativ dhe shijeformues.
Besim Sahatçiu hidhte poshtë si të paqënë çdo “argument”, që sajonin individë të ndryshëm, për të përligjur përtacinë, pra edhe dështimet e tyre, të cilat e kishin zanafillën pikërisht te kjo e fundit. Duke e nuhatur qysh nga larg se tipa të tillë nuk kishin kurrgjë të përbashkët me artin e vërtetë dhe ishin futur si pyka në “kurmin” e ndjeshëm e delikat të skenës e të ekranit për qëllime përfitimi material sikur arti të qënkej jo një tempull i shënjtë shpirtëror, por një ndërmarrje tregtare dhe allishverishesh, u drejtohej qortueshëm duke ua bërë të qartë se ai që ka pasion për artin e letërsinë, për kulturën e progresin, kapërcen çdolloj pengese në rrugën ku e çon puna e ndershme dhe me përkushtim. Në vijim sillte shëmbuj konkretë nga jeta e krijuesve të mëdhenj, si Servantesi, i cili, për të siguruar minimumin e mjeteve financiare që do t’ia mundësonin marrjen me shkrime artistike, nuk e kish për turp t’ua mbante kuajt pasanikëve në teatër; Dostojevski nuk e ndante lapsin nga dora për asnjë çast , pa përfillur “ankesat” e vazhdueshme e të drejta të barkut të panginjur; apo të tjerë njerëz të artit e të letrave, që kanë krijuar vepra madhore në qelitë e errta të burgjeve apo në skutat e akullta të internimeve.
Individëve të lartpërmendur, që, siç e thamë, ishin futur si pyka në “kurmin” e artit, vërtet ishin të rinj fizikisht, por “të plakur” shpirtërisht e, mbi të gjitha, pa shkëndija talenti. Ca më keq akoma, ata nuk ishin aspak të vetëdijshëm se përfshirja e sforcuar e tyre në radhët e shërbyesve të pasionuar të artit, kishte rrjedhoja negative të dyfishta: së pari, i sillnin dëm e pengesa ecurisë normale punës së kolegëve krijues dhe, së dyti, duke qënë të paaftë e të pandjeshëm ndaj mesazheve artistike, dashur pa dashur do ta ndjenin veten keq, si dhija në mes të deleve, siç thotë fjala e urtë e popullit. Për të mos e përgjithësuar një dukuri të tillë të papranueshme, Besimi ndalej në rastin krejt të veçantë të së bijës së Ivan Cupekut, kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë. Kjo 26-vjeçare shkëlqente në të gjitha lëndët teorike të degës së regjisurës, të cilën i kish vënë detyrë vetes ta kryente pasi kish mbaruar me sukses të madh dy fakultete të tjerë, nga të cilët njëri për matematikë. Në vitin e dytë të regjisurës, programi parashikonte etude psikologjike dhe prova skenike. Aty e apasionuara pas teorisë e pa veten ngushtë dhe nuk po dinte si t’i realizonte. Njëri nga profesorët, tek vuri re se ajo vajzë aq e zgjuar po vuante si të ishte kapur në çarg, i foli me çiltërsi: “Ti, moj bijë, mund të bëhesh gjithçka tjetër, po regjisore kurrsesi jo!”. Vajza, jo vetëm nuk ia mori për keq, por edhe e falenderoi për çka i tha profesori. Më pas, ajo u shqua si kritike e mprehtë e artit kinematografik. Në vijim të kësaj ideje, Besimi nuk ngurronte të qortonte me guxim e me qëllim të mirë, përpjekjet e dëshpëruara të disa kolegëve të vet, në fusha të ndryshme të artit, që t’ua linin si trashëgim stafetën pinjollëve të tyre, duke i nxitur dhe “pompuar” të bëheshin kompozitorë, aktorë, piktorë, skulptorë e kështu me radhë. Kjo, në shumicën e rasteve, ishte krejt e pamundur dhe ilogjike. Ndërkaq, secili syresh mund të bëhej mjek, inxhinier, historian, mësues gjuhe apo gjeografie i talentuar.
Punësimi në Televizionin e Prishtinës qysh me themelimin e këtij institucioni, në fillimvitin 1974, i çeli Besim Sahatçiut hapësira të reja për veprimtari më të gjerë e më të frytshme në lëmin e filmit, ku, sikurse e zumë në gojë më lart, kineastët sërbë nga Beogradi ishin futur si imish i huaj në mjediset kulturore shqiptare me ndonjë ekranizim që do të kujtohet më shumë për keq, se sa për mirë. Duke e përjetuar përsëthelli rëndësinë që ka puna e regjisorit në kinematografi, Besim Sahatçiu thoshte: “Në film regjisori është në sprovë më të madhe, ka fort më shumë konsumues e vlerësues dhe ballafaqimi me ta është ngacmim dhe përgjegjësi e madhe” (Revista “Ekskluzive”, nr. 24, Prishtinë, maj 2002, f.115).
Edhe gjatë periudhës që punoi në Televizion, Besimi nuk i shkëputi lidhjet me teatrot. Gjithsesi, krijimtaria në fushën e kinematografisë përbën shtyllën kurrizore ku shpaloset më fort e plotësisht pasioni dhe talenti i Besim Sahatçiut. Kjo është arsyeja që vetë Besimi e ka quajtur filmin “krijimtarinë e vet më të mirëfilltë e normalisht edhe më jetëgjatë” (Revista “Ekskluzive”, nr.24, Prishtinë, maj 2002, f.115). Lidhur me këtë, deri në çastet e mbrame të jetës, Besimi pati një merak të madh: nuk ndjehej i sigurtë nëse, në rrethanat e luftës e të pasluftës, janë ruajtur apo jo filmat e tij. I vetëdijshëm për situatat e ndërlikuara nëpër të cilat kalonte jeta në përgjithësi dhe ajo artistike në veçanti, në Kosovë, ai e vinte theksin në ruajtjen e veprave me bindjen se ato, sikurse e përsëriste shpesh, - “shpresoj se … do të na mbrojnë (po aty).
Veprat e Besim Sahatçiut, për skenën dhe ekranin
Besim Sahatçiu ka realizuar filmat artistikë për ekranin e madh “Era dhe lisi” (1978), “Përroi vërshues” (1983), me muzikë të Akil Kocit, filmat për ekranin e vogël “Trimi” (1976), me muzikë të Akil Kocit, “Pasqyra” (1977) dhe “Tre vetë kapërcejnë malin” (1980).
“Era dhe lisi” duhet veçuar nga të gjitha ekranizimet e tjera si vepra me vlera më të spikatura, si për nga tema që shtjellon, ashtu edhe për nga niveli artistik e profesional. Ajo mban vulën e metodës dhe stilit të tij krijues, modern e të zhdërvjelltë. “Era dhe lisi” ndërtohet mbi një subjekt kompleks e të ndërlikuar, që mbart një fabul që nuk ishte trajtuar më parë në ekran në mënyrë aq origjinale. Boshtin e filmit e përbëjnë jeta dhe fati i shqiptarëve në vitet e rënda e plot privacione 1946-1966. Në sfondin e ngjarjeve të zymta të atyre dy dhjetëvjetshave, nxin si pus i errët aparati policor i Aleksandër Rankoviqit, i cili u përmbys nga Plenumi i Brioneve, i mbajtur në qershor 1966. Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve Skënder Blakaj e Jusuf Buxhovi (Revista “Ekskluzive”, cit.), lidhur me lindjen e projektit të filmit “Era dhe lisi”, Besim Sahatçiu, me guxim të rrallë, me vizion të qartë, me atdhedashuri të flaktë, me përkushtim të thellë ndaj kombit e me nuhatje prej takticieni të hollë, ve në dukje: “Eshtë aq e njohur që dhuna serbomadhe mbi shqiptarët, edhe përmes politikës e institucioneve shtetërore jugosllave, me zbutje të vogla në periudha të caktuara, vijonte e ushtrohej pandalë. Në Plenumin e Brioneve, më 1966, edhe për arsye të luftës së brendshme, u fajësua dhe u shkarkua kryepolici i Jugosllavisë Rankoviq dhe, aty-këtu, ndonjë fajtor jo aq i madh. Një strategji e tërë antishqiptare u përpoq të mjegullohej e të shpëlahej me shpunësimin e kryepolicit. Për serinë e për filmin që realizuam, kishte rëndësi që autori i romanit, Sinan Hasani, ishte zyrtar i lartë shtetëror dhe ne e përdorëm këtë që t’i trajtojmë pak më ashpër egërsitë e aparatit policor jugosllav ndaj shqiptarëve, që asokohe u cilësuan butë si ‘deformime’. Filmi e seria u pranuan fort mirë. Edhe pasqyrohej artistikisht një realitet, edhe, në një farë mënyre, krijues e shikues të ‘Era dhe lisit’, e shfrynin mllefin e brendshëm dhe e derdhnin helmin disi kundër atyre ‘deformimeve’, siç i quanin. Më duhet të them që është sodisfaksion i madh për krijuesin kur qëllon damarin e preokupimeve, të ndjenjave e të vlimeve shpirtërore të kolektivitetit të vet”.
Sikurse edhe pritej, zëdhënësit e ngjirur të politikës shoviniste sërbe në truallin e kulturës, nuk mund të rrinin gojëkyçur ndaj një realizimi artistik kaq të suksesshëm. Tellalli i Beogradit Miodrag Bullatoviq, - autori i librit antishqiptar “Njerëzit me katër gishta”, - i njohur për sajim skandalesh, iu kundërvu në Zagreb, në prani të rreth katërqind gazetarëve vendës e të huaj, me ashpërsi të papërmbajtshme jo vetëm filmit, por edhe regjisorit të tij, Besim Sahatçiut, duke përdorur pa kursim krejt arsenalin e fjalëve fyese kundër shqiptarëve dhe kulturës së tyre. Meqënëse “Era dhe lisi” u nderua me çmimin më të lartë, Bullatoviqi u xhindos ngaqë arti kinematografik shqiptar i la në baltë sajesat e ekranizuara të beogradasve. Polemika vazhdoi fort gjatë dhe, gjithçka u tha gjatë zhvillimit të saj, u botua në trajtë libri. Ndërkohë, shkrimtari i mirënjohur hungarez nga Vojvodina, Danillo Kish, në librin e vet “Libri i anatomisë” ia nxori edhe një herë të palarat politikës kulturore fashisto-shoviniste sërbomadhe, përmes demaskimit të zëdhënësit të saj Miodrag Bullatoviq.
Kompleksiteti i thurrjes së subjektit të filmit “Era dhe lisi” lypte edhe një Iojë aktoreske të nivelit më të lartë. Një interpretues i kalibrit të tillë, në rolin kryesor, ishte Abdurrahman Shala, i cili, më 1979, në Festvalin e Pulës, në Kroaci, meritoi “Arenën e argjendtë”, ndërsa Petrit Imami “Arenën e artë” për skenarin e këtij filmi. Në role të tjerë u shquan jo më pak aktorët e tjerë të talentuar Istref Begolli, Melihate Ajeti, Shani Pallaska, Hazir Myftari, Xhevat Qena dhe Xhevat Qorraj.
“Era dhe lisi” e “Përroi vërshues” u shfaqën edhe si filma televizivë serialë. “Era dhe lisi” u ndërtua me gjashtë episode njëorëshe dhe korri sukses të jashtëzakonshëm. Si rrjedhojë, regjisori Besim Sahatçiu u nderua me “Shpërblimin e dhjetorit”, pra me çmimin më të lartë të Kosovës. Për lojën elegante në filmin tjetër të Besim Sahatçiut, “Pasqyra”, aktori Shani Pallaska fitoi Çmimin e parë në Festivalin e Portorozhit. I njëjti nderim iu rezervua edhe filmit “Tre vetë kapërcejnë malin”, sipas tregimit me të njëjtin titull të shkrimtarit të mirënjohur Naum Prifti dhe skenar të Skënder Blakajt. Ky ishte i pari film artistik, që e merrte temën nga një autor i Shqipërisë. Me kthjelltësinë e largpamësinë që e mirëdallonin, përmes ekranizimit të tregimit të një krijuesi që vinte nga dheu mëmë, Besimi po i sillte shërbim të vyer konsolidimit të lidhjeve shpirtërore midis dy pjesëve të mëmëdheut - të Përtej e të Përkëtej Drinit. Megjithë vlerat e mëdha që kishte, si në përmbajtje, ashtu edhe në formë, mjerisht filmi mbeti dy vjet rresht në sirtaret e kyçur të arkivit të Televizionit të Prishtinës, ngaqë realizimi i tij përkoi me demonstratat e vitit 1981, që u përgjakën nga regjimi shovinist sërbomadh. Duke iu referuar bllokimit të filmit në fjalë, Besim Sahatçiu shkon edhe më tej, kur shprehet me dhimbje të thellë: “Më vjen keq që ky i fundit lere që nuk mori pjesë në asnjë festival, por as që u shfaq si duhet, sepse u embargua plot 20 vjet nga ata që vërtet i dëmtuan kinematografinë dhe televizionin kosovar” (po aty, p.116).
Jashtë sferës së interesit të Besim Sahatçiut nuk mbetën as filmat dokumetarë. Ndër këta vlen të përmenden: “Bukë e kripë e zemër” (1975), “Pehlivanët” e “117”. Ky i fundit, në Festivalin e Beogradit, më 1978, u nderua me çmimin kryesor (Grand Prix). Le të hapim një parantezë për historikun e kësaj vepre të ekranit të madh. Pas një pune të gjatë e të kujdesshme hulumtuese në trevat shqiptare në fundvitet ’70 të shekullit të kaluar, Besim Sahatçiu u ndal në komunën e Gjakovës. Aty, “sonda” e tij depërtoi në brendësi të kullës së Nevokazit, jo vetëm në ngrehinën e gurtë, por sidomos në shpirtin e saj, që e përbënin dhe e përfaqësonin 117 vetë. Harmonia shëmbullore, respektimi i çiltër i të parit të familjes, - kjo e fundit ishte, si të thuash, një fis, një bashkësi, një shoqëri tradicionale në miniaturë, - gjenin mishërim e konkretizim në zbatimin me seriozitet e me përpikmëri të të gjitha porosive dhe urdhërave të tij. Por edhe “personi numur një” nuk e shpërdoronte besimin që i ishte dhënë, jo vetëm me “akt trashëgimie” nga të parët e vet, por edhe nga pinjollët e të gjitha moshave, që ndanin të njëjtën hapësirë e të njëjtin kulm me të. Ai dëgjonte me vëmendje zërin e çdo pjesëtari të familjes, - i mitur apo i rritur, mashkull apo femër, - siç i ka hije çdo prijësi të një Ode Burrash. Filmin “117”, Besim Sahatçiu e ka cilësuar “portret shpirtëror i popullit tonë”. Edhe kritika e specializuar nuk ka heshtur, madje u ka kushtuar vëmendje të merituar filmave të Besim Sahatçiut. Ja disa ilustrime: “Për artin e filmit në Kosovë, filmi 117 është një moment kthese, sepse me anë të tij, më në fund, vendosen kriteret artistike serioze, dhe diletantizmit e joprofesionalizmit u jepet grusht” (Petrit Imami, “Fjala”, 15.IV.1978); “Me fuqinë e dokumentit filmik, kjo vepër kritike dhe e angazhuar e Besim Sahatçiut ka gjuhë të pastër, të thjeshtë dhe sugjestive të filmit… Harmonia e të gjitha komponenteve krijuese, këtë film e radhit ndër krijimet më të spikatura të prodhimtarisë së sivjetme jugosllave në lëmin e filmit dokumentar” (Dushan Vukotiq, regjisor kroat, i shpërblyer me çmimin “Oskar” në vitet ’70); “Besim Sahatçiu e ka punuar serinë e vet ‘Era dhe lisi” me dinjitetin e intelektualit dhe me ndershmërinë e artistit autentik” (Ranko Marinkoviq, akademik kroat, riprodhuar sipas revistës “Ekskluzive”, cit., f.117); “Besim Sahatçiu, i ngërthyer me këtë projekt të madh (‘Era dhe lisi’, sh.y.), duke pasur para vetes edhe rrezikun, sepse përgjegjësia e madhe që i është dhënë, ta vizualizojë një projekt të tillë, nuk ishte punë e vogël dhe e papërgjegjësi, arriti ta realizonte atë që kemi synuar të gjithë” (Beqir Musliu, “Rilindja”, 20.III.1981); “Edhe pse romani kishte mjaft mungesa artistike (është fjala për romanin që shërbeu si “lëndë e parë” për skenarin, sh.y.), falë punës së përkushtuar të regjisorit, episodet e serialit u pritën mirë nga publiku që donte botë shqiptare, personazhe që flisnin po atë gjuhë e kishin të njëjtat përjetime. Edhe sot shfaqen mendime se ky serial filmik, që hodhi bazat e serialit televiziv, ende nuk është tejkaluar” (Rafaela Prifti, Besim Sahatçiu - i prirur drejt klasikes dhe kombëtares, “Illyria”, Nju Jork, 2005).
Për hir të së vërtetës, vetë Besim Sahatçiu ka pohuar se “Era dhe lisi“ u mirëprit, sidomos nga opinioni i jashtëm. Duhet thënë se, pasi mori mirënjohje të larta, filmi në Kosovë nisi të vlerësohej si duhe” (Revista “Ekskluzive”, cit., po aty).
Duke bërë fjalë për karakterin specifik të filmit dokumentar, Besim Sahatçiu ka theksuar: “Trajtimi i dokumentit në mënyrë artistike paraqet një provokim dhe kjo më ka joshur ngaherë” (Revista “Ekskluzive”, cit., f.116).
Besim Sahatçiu në kujtesën e djemve të vet
Në verën e vitit 2008 kalova një javë në Londër, si i ftuar nga miku im, profesori Akil Koci. Ndër të tjera, shkuam të dy në seksionin shqiptar të BBC-së, ku u takuam e kuvenduam me pjesëtarët e tij, të gjithë të përgatitur më së miri, ashtu siç e kërkon një radiostacion kaq i fuqishëm, figurativisht e realisht.
Falë gazetares së re e me perspektivë Irena Luto, bijë e dy miqve të mi, Timo e Vjollca Luto, gjithaq të njohur në fushën e gazetarisë radiofonike e televizive, pata fatin të dëgjoj live zërin e dy vëllezërve Faik e Ragip Luta. Me të parin, në prani të Irenës e të Akilit, “e zgjatëm muhabetin” edhe përtej caqeve të profesionit të mirëfilltë të tij, me ç’rast u bëra dëshmitar i horizontit të gjerë kulturor e i thesarit atdhetar që mbart në qënien e vet modeste ky bir i Kosovës. Kënaqësi jo të pakët më fali edhe takimi me botuesin e hulumtuesin e talentuar e të përkushtuar Bejtullah Destani, të cilin e pata njohur disa muaj më parë në një veprimtari shkencore në Zagreb. Prekëse ishin për mua edhe çastet e takimit me të birin e mikut tim të vjetër, shkrimtarit Vath Koreshi, Dastidin, sekretar i parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin britanik. Evokuam talentin e virtytet njerëzore të Vathit. Gjithashtu përmendëm edhe agronomin e njohur Thanas Piu, vjehrri i Dastidit, të cilin e kam njohur në fillimvitet ’60 kur studionim sëbashku në Bukuresht. Dastidi ia përcolli pa vonesë të falat e mia Thanasit, për të cilat ky më falenderoi disa muaj më vonë, më 1 shtator 2008, kur e takova gjatë punimeve që Albshkenca zhvilloi ato ditë në Tiranë. Po më 1 shtator, profesori Akil Koci kremtonte 72-vjetorin e lindjes së vet, çka organizatorët e asaj veprimtarie shkencore mbarëshqiptare ia uruan në një mënyrë krejt origjinale: ia promovuan librin e sapodalë nga shtypi, me titull “Vibracione të shpirtit shqiptar” (vëllimi I), të cilin e kemi përmendur më parë.
Por le të kthehemi sërish në ditët kur ndodhesha në Londër. Në orët e pragkthimit në Bukuresht, Akili më dhuroi një dulcis in fundo të vërtetë, duke më njohur me Besnik Sahatçiun. I hijshëm e shtatlartë, fjalëkursyer e buzagaz, i matur e i shtruar, i mençur e bujar, atdhetar e intelektual evropian, ky mesoburrë, me flokët e zbardhur para kohe, më bëri të them me vete: ”Dëbora në maja malesh bie, jo në fushë”. I entusiazmuar nga atmosfera e ngrohtë që m’u krijua në restaurantin luksoz e po aq serioz, të cilin Besniku e administron bashkë me dy pjesëtarë të “triumviratit” - Bekimin, vëllain, dhe Besim Sylajn, fillova të flas “pa protokoll”, sikur të ndodhesha në gjirin e familjes sime. Pra, po lëshoja të pjekura e të papjekura, të njoma e të thata, siç thotë populli. Besniku dhe Besimi, që na e kishin shtruar sofrën tashmë me të gjitha të mirat, jo vetëm nuk ma ndërprenë “vrrullin” qoftë edhe një herë të vetme, por edhe gojën e kishin shndrruar në një vesh të tretë. Domethënia e atij dëgjimi aq të vëmendshëm, tamam sy e veshë, siç thotë një fjalë tjetër e jona, ishte dëshmi e respektit për mikun, i cili, - le të më lejohet një shaka, - është budalla, sepse nuk dihet kur vjen e çfarë kërkon. Pra, respekti për mikun e për më të moshuarin, kishte mbetur i pacënuar në këtë skaj të Londrës me emrin Miçam, ashtu siç na e patën lënë të parët tanë gjatë historisë sonë shumëshekullore.
Pasi “u ngopa” jo vetëm me gjellët e shijshme, por edhe i “ngopa” gjithë ata burra me “konferencën e shtypit” që u mbajta, e ndjeva për detyrë t’u lutesha të më flisnin edhe ata diçka për jetën e punën e tyre.
Nga goja e Besnikut, e cila “u çel” vetëm pas këmbënguljes sime, mësova se kish ardhur në Londër qysh më 1990. Ky dyzetvjeçar i pajisur me energji të brendshme të pashtershme, që ka kryer Fakultetin për anglisht në Prishtinë dhe është njëherazi absolvent i fakultetit të Ekonomisë, në po atë qytet, i ka ngjitur shkallët e karrierës në lëmin e biznesit me mund, kompetencë e ndershmëri, duke u çapitur në pajtim me edukatën dhe porositë e vyera të prindërve të vet: e ëma, Esmaja, pinjolle e një dere të njohur nga Peja, ku edhe pat kryer shkollën e mesme, dhe i ati, Besimi, regjisori i shquar i botës mbarëshqiptare.
Familja e Besnikut ka një frymëmarrje të shëndetshme intelektuale, që rrezaton në fusha të ndryshme. E shoqja, Vera, është mjeke; djali, Doni, është nxënës; vajza e madhe, Elena, merret me biznes, ndërsa vajza e vogël, Rita, mban gjallë dhe e çon më tej dëshirën e zjarrtë-amanet të gjysh Besimit, duke shkëlqyer në muzikë si këngëtare me të ardhme të sigurtë. Portreti artistik i kësaj vajze gjendet “i vizatuar” me ngjyra të gjalla në faqet e gazetës VIP të datës 4 maj 2008, përmes artikullit me titull “Rita Ora, shqiptarja në duet me Craig Davidin”, në të cilin thuhet: “Rita Ora Sahatçiu, një këngëtare kosovare pak e njohur, pritet të jetë befasia më e re në mesin e yjeve shqiptare, e cila për albumin e saj është duke punuar së bashku me kompozitorët e yllit britanik të muzikës Craig David. Rita Ora, sipas ‘Telegrafit’, ka kënduar edhe krahas Craig David-it në albumin e fundit të tij. Fjala është për këngën ‘Awkward’ të albumit të ri ‘Trust me’, ndërsa edhe vetë Craig David-i ka thënë se është mahnitur nga talenti i saj dhe se është duke punuar në albumin e saj. ‘Albumi do të dalë në vitin 2009. Nuk dua të ngutem, dua të dalë sa më mirë që mundet’ ka thënë 17-vjeçarja për emisionin ‘Projekti Londër’ të BBC-së. ‘Stili i muzikës sime nuk është R’n’B si i Craig David-it, por është më shumë xhaz’, ka shtuar këngëtarja, e cila e ka shoqëruar këngëtarin britanik edhe në shumë koncerte të tij. Rita Ora, e lindur në Prishtinë, jeton në Londër për gati 16 vjet, ku u vendos me familjen e saj kur ishte më pak se një vjeç. Rita Ora, e cila mes yjeve botërore pëlqen zërin e Amy Winehouse-s, por jo sjelljen e saj, ka provuar veten edhe në film, duke marrë pjesë me një rol në filmin ‘Spivs’”.
Duke lexuar me vëmendjen e duhur thëniet e Ritës, bindesh në çast se ke para syve një vajzë të pjekur para kohe, që trashëgon dhe ruan me pasion e vendosmëri të admirueshme traditat e kombit tonë të fisëm: durimin a mosngutjen për të dalë sa më parë para publikut për bujë kalimtare (në një kohë që, sikurse dihet, bashkëmoshatarët e bashkëmoshataret e saj mezi presin t’i djegin etapat për t’u vendosur në qëndër të interesit mediatik); individualitetin identitar, pa imituar apo kopjuar të tjerët ose stilin e tyre, qoftë edhe kur këta janë të famshëm, si Craig David-i; korrektësinë dhe ndershmërinë, duke vlerësuar vetëm e vetëm anët pozitive profesionale, por jo edhe sjelljen e papëlqyeshme të ndonjë aristeje, edhe kur kjo është e njohur për talentin që zotëron, sikurse është rasti i këngëtares Amy Winehouse.
Pra, sidoqë në moshë të brishtë, traditat stërgjyshore dhe edukata e shëndoshë familjare, e kanë orientuar drejt në jetë Ritën, duke e pajisur me nuhatjen dhe me aftësinë për të dalluar të mirën nga e keqja, të bardhën nga e zeza, si parakusht për të mbajtur qëndrimin e duhur në momentin përkatës.
Gjatë fjalës së vet, Besniku shfaqi mendime të pjekura, optimiste dhe bindëse për të tashmen e të ardhmen e bashkësisë shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, e cila, nga disa qindra pjesëtarë në fillimvitet ’90, tani numuron rreth pesëdhjetë mijë bashkëkombës. Duke shtruar nevojën e një organizimi e bashkërendimi sa më të efektshëm të aksioneve dhe pikësynimeve të bashkësisë sonë, Besniku shprehet me siguri të plotë se integrimi gjithnjë e më i mirë i shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës angleze, do të japë fryte dhe do të ushtrojë ndikim të ndjeshëm jo vetëm në ekonomi e në kulturë, por edhe në politikën e këtij vendi, çka do të ketë rrjedhoja pozitive konkrete në konceptimin e zbatimin e një politike gjithnjë e më dashamirëse të qarqeve drejtuese britanike, por edhe të atyre shkencore, ndaj Kosovës e Shqipërisë. Duke vlerësuar ndihmesën që japin personalitete shqiptare në fusha të ndryshme, - çka e këqyr si kontribut në fuqizimin e lidhjeve shqiptaro-angleze dhe në afirmimin e mëtejshëm të vlerave intelektuale kombëtare, - Besimi e ve theksin në domosdoshmërinë e përvehtësimit me themel të gjuhës amtare nga fëmijët shqiptarë, fillimisht në familje e më pas në shkolla e kurse, rrjeti i të cilëve duhet të vijë duke u zgjeruar pandërprerje. “Gjuha shqipe është sinonimi i kombit, i identitetit tonë. Gjuha është edhe pasuria më e çmuar që e kemi ruajtur dhe e kemi pasuruar brez pas brezi” thekson me emocion Besniku. Në këtë aspekt, ai shprehet i gatshëm të ndihmojë edhe financiarisht, aq sa i lejojnë mundësitë, por, sipas tij, “violina e parë”, si në çdo aksion të përmasave të tilla, duhet të jenë Tirana dhe Prishtina zyrtare. Duke e vijuar ligjërimin në të njëjtën hulli, Besniku ve në dukje se ekziston tashmë një përvojë e mirë, që e ka zanafillën qysh në dhjetëvjetshin e fundit të shekullit të kaluar, kur mërgimtarët jepnin ndihma materiale e monetare për arsimin në Kosovë e më pas për mbështetur luftën çlirimtare të zhvilluar nga UÇK-ja. “Tani që Kosova është shtet, mundësitë janë pakrahasimisht më të mëdha dhe gjithçka duhet kanalizuar përmes ambasadës së porsaçelur këtu, në Londër”, nënvizon Besniku.
Kur pohova me kënaqësi se nga mënyra dhe rrjedhshmëria e parashtrimit të problemeve prej tij, krijova një përfytyrim të qartë e të saktë për gjendjen e sotme dhe të ardhmen e bashkësisë shqiptare në Angli, Besniku vuri në dukje me modesti se për to ia pat hapur horizontin i ati i ndjerë. “Sa herë që takoheshim në Prishtinë apo këtu, në Londër, çështjet që kanë lidhje me kombin i trajtonte me zell të veçantë. Unë dhe im vëlla, Bekimi, ia përpinim çdo fjalë, çdo ide e mendim”, shtoi Besniku. Dhe, ndërsa një lot i nxehtë i rrëshqiti në faqe, e zgjoi kujtesën në ditën kur pat zhvilluar bisedën e fundit me të atin. Vetëm disa ditë para se të ndrronte jetë, ky kish nxjerrë nga goja frazat-amanet: “Ta doni njëri-tjetrin, se jeni vëllezër. Si vëllezër t’i trajtoni të gjithë shqiptarët, se të gjithë kemi të njëjtën nënë e babë: shqipen dhe atdheun. Të silleni mirë me të huajt, me të cilët ju lidh puna në mërgim, që t’u tregoni se jemi racë e kulturuar dhe e qytetëruar”.
Kur u largova atëhere nga Londra, takimi me Besnikun nuk po më shqitej nga mendja. Po përjetoja një ndjenjë si ato që të krijon ndarja përgjithmonë prej një njeriu të dashur, qoftë farefis, qoftë mik a shok i afërt, me të cilin ke ndarë të mira e të këqia, ke qarë halle e ke marrë vendime me rëndësi jetike për vete e për familjen. Më dukej, pra, sikur me vdekjen e Besim Sahatçiut kisha humbur një njeri të shtrenjtë. Herë-herë më vinte të besoja se, po ta kisha njohur, do të kisha përfituar nga përvoja, nga kultura, nga horizonti i gjerë, mjaft që të shtrohesha të paktën një herë të vetme në kuvend me të. Sakaq qeshja me vete që fantazia kalonte nëpër monopate të tilla të denja për një tregim a novelë të mirëfilltë, me personazhe të krijuar, jo realë, diku afër rrëfenjave fantastiko-shkencore. Pastaj sërish u kthehesha mbresave, dialogoja me vetveten, si për të përligjur ato arsyetime të çuditshme: “Përderisa gjëra të tilla më vijnë në mendje, me siguri që kanë një farë baze”. Dhe vazhdoja t’i bluaja parreshtur, të jepja e merrja me këto përsiatje.
Në Bukuresht më kapluan punët e përditshme. Ndër gjërat e ngutshme, në ballë fare doli detyra që m’u ngarkua nga universiteti i kryeqytetit rumun për të shkruar një tekst historie tejet të vëllimshëm, me afro pesëqind faqe. Megjithse vapa filloi të shtrëngonte fort, desha s’desha, me hir me pahir, u ngula në karrike me orë të zgjatura. Në atë valë tensioni krejt të pazakontë, përmes e-mail-it, nga Londra më erdhi një mesazh nga mikpritësi im, profesori Akil Koci, i cili më lutej t’ia redaktoja librin e tij, ku kishte përfshirë pesëmbëdhjetë artikuj studimorë kushtuar artistësh, kompozitorësh e muzikologësh të njohur nga të gjitha trevat shqiptare. U mata t’i përgjigjesha negativisht, por një gjë e tillë, mendova, nuk do të tingëllonte aspak mirë. Për më tepër, gjatë qëndrimit në Londër, Akili kish lënë çdo punë të vetën dhe ishte vënë me mish e me shpirt në dispozicionin tim, vetëm e vetëm që të m’i përmbushte të gjitha dëshirat e tekat. “Pavarësisht se jam kaq i ngarkuar, duhet të gjej një rrugëzgjidhje. Të shtoj numurin e orëve të punës në kompjuter dhe t’ia përmbush kërkesën mikut” po i imponoheasha vetes. Sakaq, rilexova mesazhin dhe mendova t’i hedh një sy krejt materialit që duhej redaktuar. Një drithmë kënaqësie e lehtësimi ma përshkoi krejt qënien kur pashë se një nga esetë ishte për Besim Sahatçiun. E përpiva me sy me një frymë. Më pëlqeu. Siç e kam përmendur qysh në faqet e para të këtij libri, përmes një morie dëshmish të shkruara e gojore, Akili ia kishte dalë mbanë t’i bënte një përshkrim të përkryer figurës së këtij pionieri të regjisurës së mirëfilltë e profesioniste të Kosovës. Pa e vrarë mendjen më gjatë, iu përgjigja pozitivisht kërkesës së Akilit duke e lutur që të më jepte afat disa ditë më shumë. Kur e përfundova redaktimin e krejt librit, i propozova që kriteri i rreshtimit alfabetik të personaliteteve të bëhej sipas gërmës së emrit, jo të mbiemrit të secilit. Synimi im ishte i qartë: eseja kushtuar Besim Sahatçiut të dilte në vend të parë, duke çelur librin.
Nga ai çast m’u kujtua sërish biseda me Besnikun, të birin e Besimit. Por nuk u ndala me kaq. Vendosa të shkruaja, jo thjesht një artikull, por një libër të plotë për regjisorin e madh. Tanimë mezi prisja të rikthehesha në Londër për t’u dokumentuar në lidhje me jetën e veprimtarinë artistike të Besimit. Kjo ndodhi në fund të tetorit 2008. Bashkë me Akilin, i cili u gëzua pa masë kur u njoh me projektin tim, i drejtuam hapat për në Londrën jugore, në Miçam. Atje Besniku na priti me të njëjtën ngrohtësi, si edhe herën e parë dhe, sigurisht, u tregua i gatshëm të më ndihmonte me ç’të mundte për ta çuar deri në fund nismën time. Besim Sylaj, partneri i Besnikut e i Bekimit, më tha se lidhja me të dy djemtë e të ndjerit Besim Sahatçiu nuk ishte aspak e rastit. Ky dhe i ati i Besim Sylajt, Ibrahimi, profesor i sociologjisë, jo vetëm ishin nga e njëjta trevë, por i lidhte një miqësi e ngushtë dhe e çiltër, të cilën ua shtinë në gjak edhe pasardhësve të tyre.
Disa “merake” - amanete të Besim Sahatçiut
Besimi i çmonte shumë kolegët dhe gëzohej, si për veten e vet, sa herë që ata shënonin arritje në punën e tyre. Vlerësime të larta bënte edhe për talentin e artistëve në përgjithësi e të aktorëve në veçanti. Me këta të fundit, - rreth 120, - pat bashkëpunuar ngushtë dhe sillej sikur t’i paskësh pasur pjesëtarë të familes apo farefis. Madje, për ata që, ndërkohë ishin ndarë nga jeta, thosh: “I kam në mendje e në zemër, komunikoj vazhdimisht me ta”. Të njëjtën simpati shfaqte edhe për personalitetet e arteve të tjera. Për Nexhmije Pagarushën, për shëmbull, shprehej se ishte jo vetëm bilbili, por edhe dallëndyshja e Kosovës, simbol e sinonim i gjithçkaje pozitive. Qëndrimi dinjitoz i Nexhmijes, si artiste dhe si njeri, “na bën të mendojmë se te jeta e saj fokusohet krejt jeta jonë e pasluftës”, kishte saktësuar Besimi në intervistë e dhënë gazetarit të RTV 21, Florin Kelmendit, në janar 2003. Kur një ndjekës i programeve të këtij stacioni telerviziv, e pyeti nëse kishte ndonjë skenar filmi, ku Nexhmija, kjo këngëtare dhe njëherazi aktore e madhe, të luante rolin e një femre bashkëkohore, Besim Sahatçiu tha se, mjerisht nuk posedonte diçka të tillë. Por, shtoi, Nexhmija meriton të shkruhet një skenar i posaçëm për jetën e ndihmesën e madhe që ka dhënë. Dhe nuk është e domosdoshme ta luajë rolin vetë, sidoqë vërtet ka edhe talent aktoresk, çka e ka dëshmuar, ndër të tjera, me lojën në filmin “Tre vetë kapërcejnë malin”. Roli ishte “i vogël”, por mesazhi që kumtoi ishte i madh.
Duke marrë shkas nga një farë “psherëtimë” që kishte ndjerë në zërin e Bekim Fehmiut, gjatë një emisioni televiziv në kryeqytetin e Shqipërisë, një tjetër telespektator e luti Besimin t’i tregonte përse ky aktor i madh nuk kishte pasur rast ta fliste shqipen e tij në skenat apo ekranet e Prishtinës e të Tiranës. Duke nxjerrë në pah qysh në fillim meritat e padiskutueshme, talentin e rrallë, punën e madhe të Bekim Fehmiut dhe mospranimin nga ana e tij që t’ia ndrronin emrin shqiptar në asnjë formë, qoftë edhe në Hollivud, me zë të qetë dhe me urtësinë prej filozofi, Besimi sqaroi: “I pari, të cilit i kam ofruar role në të gjitha filmat e dramat, ka qënë pikërisht Bekim Fehmiu”. Natyrisht, shtoi më tej, “nuk kam ngulur këmbë fort që të pranonte, sepse kushtet e xhirimit nuk ishin aspak të përshtatshme për një aktor me famë botërore”. Fill paskëtaj, për hir të së vërtetës, Besimi vuri në dukje se edhe Bekimi mban pjesën e vet të përgjegjësisë. “Duke harruar se koha bën të sajën dhe njeriu, me kalimin e viteve, nuk mbetet ai që ka qënë, shëndeti fillon ta lerë, Bekimi e ka shtyrë herëpashere afatin e marrjes përsipër të roleve në shqip”. Më tej, Besimi shprehu shpresën e madhe se do të vijë dita që kjo dëshirë e shfaqur nga Bekim Fehmiu, “që është edhe e jona”, do të përmbushet, për kënaqësinë e krenarinë e të gjithë shqiptarëve. Në fund, Besimi theksoi se e ruan me kujdes, si diçka të shënjtë, një fotografi që ka bërë vite më parë me Bekim Fehmiun, Melihate Ajetin e Istref Begollin.
Dihet se Konferenca e Bujanit dha shpresa që, në mbarim të luftës antifashiste, do të shikohej edhe çështja e bashkimit të Kosovës me mëmëdheun. Mjerisht, kjo “u harrua” nga regjimi komunist jugosllav. Madje, u bënë orvatje që Shqipëria të shndrrohej në republikë të shtatë të Federatës Jugosllave. Kjo temë me rëndësi të pakrahasueshme për informimin e drejtë e korrekt të brezit të sotëm e sidomos të atyre që do të vijnë, sipas Besim Sahatçiut meriton të bëhet objekti i një vepre për skenën apo ekranin. “Për këtë qëllim, duhen vënë në lëvizje jo vetëm skenaristë, por edhe njohës e studiues të njohur të historisë sonë kombëtare. Sepse ana artistike dhe dokumenti duhet të bashkëveprojnë për ta pasqyruar të vërtetën në mënyrë bindëse dhe tërheqëse”.
Rëndësisë që kanë dokumentet, veprat e bazuara mbi dokumente dhe të gjitha vlerat e paraqitura në trajtë veprash artistike, Besimi i është kthyer jo një herë. “Me to nuk mund të sillemi si me prodhimet ushqimore, që konsumohen e mbetjet flaken tej”. Ruajtja e krijimeve artistike, të cilave Besimi u kushtoi plot katër dekada të jetës, aktori Abdurrahman Shala - gjashtë dekada, dhe lista mund të zgjatej pa fund, është jo vetëm një e drejtë, por edhe një detyrë e lartë kombëtare. “Nuk do të desha t’ia uroja askujt përfshirjen në listën e zezë të eliminuesve të vlerave artistike, sikurse vepruan nazistët dikur” ka thënë Besimi. Në këtë aspekt, ai e ka ngritur fort zërin të bëhet çmos me synim që materialet e filmotekës të tërhiqen nga arkivat e Beogradit, sepse ka rrezik të zhduken, ose të paktën të dëmtohen.
Besimi i nxiste njerëzit e penës të shkruanin sa më shumë skenare dhe pjesë dramatike, pa pasur frikë se nuk do të jenë të përkryera. Në fund të fundit diçka do të mbetet, se sasia çon në cilësi. Ai shtonte se në Kosovë duhet të ketë sa më shumë teatro, - të paktën tetë të tillë në Prishtinë: për të rritur e për fëmijë, estradë etj, - kinema dhe institucione të tjera kulturore, që jeta të jetë e gjallë dhe niveli kulturor i njerëzve të ngrihet parreshtur.
Duke bërë fjalë për rrugët e mjetet për shëndoshjen e jetës kulturore në Kosovë, Besim Sahatçiu vlerëson veçmas se “nevoja që krijimtaria të ruhet, bëhet edhe më e madhe, sepse mbetemi pa kontinuitet, pra i presim rrënjët tona. Meqë ne sot jetojmë për të nesërmen dhe ky mbijetim është i lidhur ngushtë me çështjet e shpirtit, nevoja për njohjen dhe respektimin e vlerave të njimendta nga e djeshmja shfaqet si domosdoshmëri, që i lidh hallkat kryesore, pa të cilat nuk bën…”. Në përgjigjje të një pyetjeje në RTV 21, në janar 2003, Besim Sahatçiu shprehu edhe një herë shqetësimin qytetar për faktin se “hallakama dhe mishmashi ia kanë dalë të ngulfasin edhe ato vlera që u krijuan me aq mund e përkushtim, dhe se e gjithë kjo nuk le pa prekur teatrin e filmin… Në këto rrethana, mediokri ka koniukturë, ndërkohë që krijuesit heshtin e ballafaqohen me vështirësi mbijetimi. Një shoqëri e organizuar e me koncept civilizues, duhet t’iu kthehet vlerave fondamentale para se ta pushtojë kaosi i përgjithshëm. Mungesa e institucioneve kompetente dhe konsumimi i hallakamës, siç po ngjet aktualisht, u hap rrugë prirjeve destruktive, ku rrënimi kthehet në sprovë kryesore të dëshmimit të vetvetes a më gjerë. Ndonëse të gjitha këto i kundroj nga pozita ‘jashtë lojës’, vlerësoj se po kalojmë nëpër një katrahurë të rrezikshme”.
Në mënyrë të veçantë, Besimi u ka tërhequr vëmendjen zyrtarëve të administratës për mangësitë e ndjeshme në lëmin e kulturës. Besimi u kujtonte atyre se mund ta mbajnë veten si më të rëndësishmit në Kosovë, por vetëm përkohësisht, aq sa ekzistojnë biologjikisht, ndërsa artistët mbeten të tillë për një periudhë shumë më të gjatë: Ars longa, vita brevis. Me tolerancën dhe shpirtmadhësinë që e shquanin, Besimi nxjerr në dukje se prapambetja që vërehej në fushën e kulturës nuk e kish burimin në ndonjë nënvleftësim qëllimkeq të saj, por nga mosnjohja sa duhej e vlerave të kulturës nga aparati administrativ i ngarkuar me problemet e saj. Burokratët duhet ta kenë të qartë, thoshte Besimi, se kultura dhe artet janë për popullin si buka, si ajri.
Më në fund, Besimi shprehet optimist për të ardhmen e kulturës e të jetës së shoqërisë kosovare. Gjithsesi, e mbyll me refrenin plot nota optimiste: “Shpresoj se veprat do të na mbrojnë”. Duke cituar disa turistë zviceranë, të cilët, gjatë vizitës në Pejë, e cilësuan po aq të bukur sa edhe vendi i tyre, Besimi thoshte me bindje se Kosova do të përparonte një ditë si Zvicra sepse shqiptarët janë atdhetarë e jo më pak të mençur e të papërtuar në punë se sa zviceranët”.
Në përgjigjje të pyetjes: “Çfarë ju ka dhënë jeta?”, Besimi theksoi qysh në fillim se jeta e artistit i ngjan ndeshjes së njeriut me lokomotivën. Pas kësaj lufte të pabarabartë dhe raskapitëse, Besimi e nuhat, madje tre vjet para se të kalonte në amëshim, se “do t’ia prish mesataren e jetëgjatësisë familjes sime. Im atë jetoi 90 vjet, nëna -91, daja -101, vëllai, që banon në Pejë, i kaloi të nëntëdhjetat…”.
Të gjithë ata që e kanë njohur, të gjithë artdashësit e, në radhë të parë djemtë Besnik e Bekim, bashkë me farefisin, do të dëshironin që parandjenja e të madhit Besim të mos realizohej, por ja që edhe këtë herë nuhatja, mjerisht nuk e tradhtoi.
Ishte njeri dhe u bë kujtim. Një kujtim i ndritur, që jehon nga skena dhe ekrani… Megjithse tërë kohën qëndroi prapa tyre dhe vigjëloi që ato të rrezatojnë sa më shumë kulturë, dije dhe humanizëm të kulluar. Pa rënë në sy.