DIXIT

Etërit e Ballkanit
Cleopa: Ju hëngërt Parajsa!
(Părinţii din Balcani. Cleopa: Mânca-v-ar Raiul!)

Murg ortodoks rumun (10 prill 1912, Botoshan - 2 dhjetor 1998, Manastiri Sihastria), zë dhe mishërim i jashtëzakonshëm i Besimit të Drejtë, drejtues manastiresh dhe ndërgjegjjesh, autor i një numuri të madh librash kushtuar vizionit të ortodoksisë mbi botën. Tejet i pranishëm edhe pas vdekjes trupore, përmendet shpesh për urimin e tij të veçantë: Ju hëngërt Parajsa!, me të cilin priste e përcillte dhjetramijëra njerëzit që i drejtoheshin për një këshillë gjatë më shumë se një gjysme shekulli shërbese.
Duke nisur më këta numura, Revista Haemus do të sjellë në faqet e saj pjesë të zgjedhura nga mendimi dhe përjetimet e aq shënjtorëve ballkanas, që, për arsye tashmë të stërnjohura, vazhdojnë të lihen në hije.




Mbi llojin e lotëve
(Despre felul lacrimilor)



I paudhi fut hundët në të gjitha bamirësitë. E keni parë ndonjëherë atë ferrën që quhet lupulus? Ajo kapet pas gjithçkaje që i del në udhë: gardh, shtyllë, portë, dru, fije floku. Rritet sa hap e mbyll sytë. Ashtusoj vepron i paudhi ndaj gjërave të mira. Gjarpërohet rreth tyre për t’i zhvleftësuar, kotësuar, prishur.
Sa e madhe është dhuntia e lotëve! Por edhe këtu i paudhi dyndet me tundime. Gjer edhe në llojet e lotëve i fut hundët, që ta prishë lotin e njeriut gjatë lutjes e që pastaj lutja të mos pranohet nga Zoti.
Lotët e vërtetë, ata që burojnë nga dashuria për Zotin, kanë aq fuqi, - thotë Shën Grigori i Nazianzit, - saqë burimi i lotëve pas Pagëzimit është më i madh se sa vetë Pagëzimi. Ai thotë: “E di edhe pagëzimin e pestë, atë që lindet nga lotët, e aq fuqi ka ai pagëzim, saqë është më i madh se i pari. Sepse Pagëzimi i parë na fshin mëkatet, por nuk na jep fuqi që të mos mëkatojmë sërish.
Po të duam, mund t’ia dalim mbanë, mirpo vullneti i njeriut është lënë i lirë pas Pagëzimit: ai mund të zgjedhë nëse do të mëkatojë, ose jo. Kurse lotët e pas-Pagëzimit fshijnë edhe mëkatet që bëjmë. Lotët e përunjësisë janë më të vlefshme se Pagëzimi, ngaqë fshijnë edhe mëkatet e kryera qysh nga Pagëzimi e tutje dhe të lenë të pastër.
Ka disa lloje lotësh. Kur e ke dhuntinë e tyre, të zbulosh se cilat janë të mira, cilat janë të mesme e cilat vijnë nga satanai.
Lotët e mirë vijnë nga dashuria për Zotin. Këto e forcojnë njeriun, i falin gëzime të mëdha shpirtit, e në ngrëntë apo jo, kur qan kësisoj mbetet i ngopur. Këta lloj lotësh zhdukin çdo uri e etje dhe njeriu nuk i mban mëri askujt. Shpirti i tij gëzohet prore, sepse ka dashuri ndaj Zotit. Dëgjo çfarë thotë Apostulli i Shënjtë Pavël: Gëzohuni, vëllezër, e sërish ju them : Gëzohuni!
Loji i dytë i lotëve të mirë është ai që vjen nga frika ndaj Zotit, mirpo këto e thajnë njeriun. Lotët që vijnë nga frika ndaj Zotit nuk e shëndoshin njeriun, por e thajnë. Prandaj lotët që vijnë nga dashuria për Zotin janë më të mirë. Njeriu qan e dobësohet, sepse qan nga frika. Ai tmerrohet nga mundimet e skëterrës, frigohet nga Zoti, dhe qan gjithë kohën, dhe trupi i tij thahet, edhe në ngrëntë, edhe në mos ngrëntë, edhe kur fle, edhe kur rri pa gjumë. Lotët e frikës kanë fuqi ta thajnë qënien njerëzore për shkak të neverisë ndaj mëkatit, ashtu siç thahen drutë pranë zjarrit.
Lloji i tretë i lotëve të mirë vjen nga frika e vdekjes dhe e gjykimit. Tek mendon njeriu se si do të jetë në vdekje, si do të vuajë, me sa vështirësi do të ndahet nga trupi i vet, sa vështirë do të jetë në Ditën e Gjykimit, kur do të rrijë para aq ëngjëjsh në pritje të vendimit, ku do të shkojë, në të mirë a në të keqe, Zot na ruaj, në paqe, apo në ndëshkimin e përjetshëm. Edhe këta janë lotë të mirë.
Janë pastaj lotët e mesëm, domethënë të natyrshmit, që s’janë as të mirë, as të këqinj. Sheh si nëna qan pas fëmijës, fëmija qan pas nënës, babai qan pas djemve, ose qan njëri mikun e vet, apo gruaja qan burrin. Lotë të natyrshëm janë edhe lotët e sëmundjeve, vuajtjeve dhe trishtimit.
Ka edhe lotë që burojnë nga lavdia e rreme. Këta janë lotë të këqinj.
Njëri ka dhuntinë e përunjësisë, por qan që ta shohë tjetri. Më mirë të mos lotonte, se i paudhi ia ka vjedhur tashmë ata lotë. Është mirë që njeriu ta fshehë dhuntinë e përunjësisë, nëse e ka nga Zoti. Mirpo djalli e ve njeriun të qajë, kur e shohin të tjerët. Nëse nuk mund t’i ndalësh ata lotë, nuk je fajtor.
Kur njeriu qan me qëllim që ta shohë dikush apo i pëlqen të njihet si qaraman, bëhet fjalë për lotët e lavdisë së rreme, që janë vërtet të mbrapshtë e të dëmshëm.
Janë edhe lotët që burojnë nga mënia. Keni parë njerëz të cilët, kur s’mund të hakmerren për diçka, qajnë nga marazi. Aq shumë vuan që s’mund të hakmerret, saqë qan nga hidhërimi. Këta lotë janë më të këqinj edhe se vetë lavdia e rreme. Janë lotë vrastarë dhe të mbrapshtë, sepse zemra e njeriut shtrydhet nga i paudhi derisa nxjerr lotë urrejtjeje. Janë lotë shumë të rëndë, shumë mëkatarë, satanikë.
Një tjetër qan nga zbavitja trupore. Ka pasur miqësi të ngushtë me një femër a me tjetërkënd dhe, saherë e sjell ndërmend, qan. Këta lotë i sjell djalli i shfrenimit.
Ka pastaj lotë të këqinj, që vijnë nga dëmet dhe humbjet. Humb njeriu lekët ose shtëpinë; i kanë marrë pasurinë, ta zemë, dhe qan për shkak të saj. Këta lotë janë po nga i paudhi, sepse njeriu beson që Zoti nuk kujdeset për të.
Shikoni, pra, sa lloje lotësh ka, dhe jo të gjithë janë të mirë. Vetëm lotët që burojnë nga dashuria për Zotin, nga frika prej Tij dhe prej vdekjes dhe prej mundimeve të skëterrës, e pastrojnë njeriun, e ndriçojnë sëbrendshmi, e afrojnë me Zotin. Të tjerët janë ose të natyrshëm, ose të mbrapshtë e ndëshkimtarë.
Shën Dionis Areopagiti thotë se e keqja e sjellë nga satanai përqëndrohet në:
- lakminë pa tru
- mllefin pa gjykim
- fantazinë e ngutur
E patë, pra, se cila është e keqja që vjen prej satanait dhe shërbëtorëve të tij? Lakmi pa tru, sepse lakmuan të bëheshin si vetë Zoti; mllef pa gjykim, sepse turren pa arsye të vrasin gjithkënd, të hakmerren, t’i bëjnë keq çdo krijese të Zotit; dhe fantazi të ngutur, sepse e pandehin veten Zot-ër, duke harruar se Zoti i ka bërë.
Po ia hoqe djallit tre mëkatet e mësipërme, ai bëhet sërish ëngjëll.